BISLIM ZYRAPI: BURRAT E KOSOVËS E KANË VENDIN NË UÇK (28 MARS 1999)

Pashtriku, 29 mars 2019: Nga arkivi i UÇK’së
Intervistë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kolonel Bislim Zyrapi.
Kravaseri, Llapushë, 28 mars 1999, mesnatë, ora 01.30
Kolonel Bislim Sadri Zyrapi ka lindur më 9 korrik 1962, në fshatin Studençan, Komuna e Suharekës (Theranda).

Ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake dhe akademinë ushtarake në Sarajevë dhe është titulluar oficer i këmbsorisë tankiste në vitin 1983. Kur filloi lufta në Bosnjë-Hercegovinë me ushtrinë serbe, Bislimi kishte gradën e togerit dhe u angazhua në këtë luftë me ushtrinë boshnjake. Për merita luftarake arriti deri komandant Divizioni Këmbsorie, dhe fundi i luftës e gjeti me gradën Kolonel, gradë e fituar me veprimtarinë e tij komanduese. Jo më kot Napoleon Bonoparti ka thënë dikur: “Ushtari kur niset për në luftë, duhet të marrë me vete edhe spaletat e gjeneralit”. Dhe Bislim Zyrapi është një nga këta “ushtarë”.
Ishte Divizioni i Këmbsorisë Boshnjake i komanduar prej Bislim Zyrapit që e nxorri Presidentin e Bosnjës, Izetbegoviçin nga rrethimi që i bëri ushtria serbe në aeroportin e Sarajevës.
Pas shpërthimit të luftës në mënyrë masive në Kosovë, Bislim Zyrapi lë familjen në Sarajevë dhe prej muajit maj 1998 angazhohet në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku i besohet detyra e Shefit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të saj, deri në nëntor 1998, ndërsa sot që po zhvillojmë këtë intervistë është Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Është koloneli Bislim Zyrapi ai që e ringriti nga e para Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pas goditjes së rëndë shpartalluese që ajo pësoi prej ofensivës së Ushtrisë së Serbisë në ofensivën e saj të muajve korrik-gusht 1998. Menjëherë pas ringritjes së saj, rol të rëndësishëm e parësor ka luajtur edhe z.Bislim Zyrapi, që e bënë UÇK-në një ushtri çlirimtare tepër aktive.

Agim Çela (dëshmor i kombit), Bislim Zyrapi e Ferat Shala. (Luzhnicë, 1998).

Shpëtim Golemi: Me sa kam mësuar prej jush, zoti Bislim, kjo është intervista e parë që ju pranoni të jepni për mediat. Dhe kjo, si rrjedhojë e këmbënguljes sime disa ditore. Faleminderit që më së fundi pranuat! Jo vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet ta dijë se cili është ushtaraku i mrëfilltë që e drejton këtë Shtab të Përgjithshëm, këtë ushtri dhe këtë luftë, por është më se e domosdoshme që ta dijë i gjithë populli shqiptar në Kosovë si dhe gjithë kombi ynë, por, njëkohësishtë, duhet ta dijë mirë edhe armiku. Duke e ditur populli se cili është ai drejtues në krye të këtij Shtabi, ndryshe mendon e ndryshe e vlerëson ushtrinë tonë çlirimtare. Besoj se jeni dakort që ta zhvillojmë, meqenëse në këto momente që po diskutojmë, janë ndërprerë përkohësishtë luftimet. Porsa ka nisur data 28 mars 1999.
Koloneli B. Zyrapi:
Meqenëse kam të bëj me një koleg i ardhur nga Shqipëria mëmë dhe keni ditë që këmbëngulni për një intervistë të tillë, po detyrohem ta thyej edhe unë më së fundi heshtjen, i dashur koleg. Ndihem krenar që kam në krah një koleg ushtarak nga shteti amë, së bashku me major Tahir Sinanin dhe kolonel Bardhyl Tahirin. Kjo më ka lumturuar jo vetëm mua, por gjithë Ushtrinë Òªlirimtare të Kosovës. Kosova ka për t’u qenë juve tërë jetën mirënjohëse.

Sh. Golemi: Faleminderit! Zoti Bislim, mendoj që intervistën ta fillojmë me një përshkrim të shkurtër, për të bërë prezentë, se cila është situate aktuale në Kosovë.

Koloneli B. Zyrapi: Gjendja aktuale anëekend Kosovës, sikundër jeni edhe ju dëshmitar, është jashtëzakonisht e vështirë dhe tepër dramatike. Këtë situatë populli i Kosovës rrallëherë e ka përjetuar. Mbi të është hedhur gjithë makineria ushtarake e ish-shtetit të Jugosllavisë që sot e posedon kryekrimineli Sllobodan Millosheviçi. Kjo situatë është përkeqësuar në dimensione të pamatshme, si kundërvënie ndaj politikës paqësore që kërkon Komuniteti Ndërkombëtar, e në mënyrë të veçantë ajo ka arritur pikun e vet në ditët që forcat e Aleancës së NATO-s filluan t’i imponohen me forcë shtetit të Serbisë për t’i njohur të drejtat elementare popullit që jeton në Kosovë. Gjithë potencialin e vet ekonomik dhe ushtarak të Jugosllavisë, Serbia e ka vënë në kufijtë e politikës së “tokës së djegur”. Kësisoj, Kosova përjeton orët më të rënda të jetës së saj, por, ndërkaq edhe orën e shpresës së madhe. Krimineli Millosheviç po bën ç’është e mundur për ta boshatisur Kosovn nga shqiptarët, por nuk ka për t’ja arritur. Në Kosovë jemi ne, UÒªK-ja; këtu do të kthehen në ditët e lirisë të gjithë të ikurit.
Aktualisht rreth 80 përqind e fshatrave të Kosovës janë mbështjellë në flakë e në tym. Ky zjarr i është vënë Kosovës nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare serbe, me urdhër të Sllobodan Millosheviçit dhe me vendim të Parlamentit të atij shteti.
Politika e “tokës së djegur” nuk po zbatohet për herë të parë në Kosovë nga pushtuesi serb. Unë e njoh mirë historinë e popullit tim; atë e kam mësuar qysh në këngët e djepit, kur gjyshja më thoshte: “U bëfsh trim për Kosovën!”, dhe më vonë atë e mësova nëpërmjet librave, tregimeve dhe historisë së popullit tim.
Por unë fillova ta kuptoja edhe më mirë atë kur e përjetova direkt në familjen time, në fshatin tim, në komunën time, në Kosovën time, e në mënyrë të veçantë këto vitet e fundit, kur një e katërta e popullsisë së Kosovës është detyruar me forcë të largohet nga Kosova, ndërsa ajo pjesë e popullsisë që nuk ka pranuar dhe nuk pranon të largohet nga trojet e veta stërgjyshore, sikundër jeni edhe ju vetë dëshmitar, po torturohet, burgoset, masakrohet, vritet dhe digjet. Thënë shkurt, me politikën e “tokës së djegur”, Millosheviçi dhe ata që e rrethojnë atë, nënkuptojnë zhdukjen e çdo lloj gjallese që flet e mendon shqip dhe që e thërrasin shqiptar. Lulëzon kësisoj një ultra shovinizëm, që nuk mund t’i gjendet shok ndoshta në tërë historinë e njerëzimit.
Po edhe ky fashizëm i tërbuar po kryqëzohet dita-ditës; nga ajri po goditet nga Aleanca e NATO-s, nga toka po përballet me qëndresën heroike të trimave të UÒªK-së. Me sa duket po përjeton orët e fundit…
Sh. Golemi: A mund të shpreheni, zoti Shef, disi më konkret për opinionin e gjerë për operacionet shfarrosëse që po ndjek ditët e fundit makineria fashiste e Millosheviçit në Kosovë?
Koloneli B. Zyrapi:
Makina fashiste serbe këto ditë po kryen pushkatime dhe masakrime në masë të gjerë të popullit të Kosovës, pa dallim moshe dhe gjinie, pa dallim vendbanimi dhe kulture. Ata vrasin çdo shqiptar, grua apo burrë qoftë, vajzë apo djalë qoftë, fëmijë apo plak qoftë ai. Kjo e ka detyruar popullin shqiptar në Kosovë të braktisë vatrën prindërore, të lërë gjithçka që ai ka siguruar me punën e djersën e tij në vite dhe të marrë arratinë vetëm e vetëm për të shpëtuar fëmijën dhe jetën e vet.
Nuk mund të tregohen pamjet rrënqethëse që na shohin sytë, Shpëtim, mua ty dhe gjithë shokët tanë të luftës, kur shohim kolona të tëra me gra, plaka e pleq të ngarkuar me foshnja ndër duar dhe me djepe ngarkuar, duke iu drejtuar maleve të Kosovës, për të gjetur pak siguri se atje, këtu ku jemi ne, me shpresën se nuk do ta zënë predhat e artilerisë së serbëve dhe nuk do ta diktojnë dot pilotët e kësaj ushtrie makabër. Ajo pjesë e popullsisë që kapet në befasi nga ushtria serbe shpërngulet me forcë prej saj dhe e detyrojnë të shkojë në Shqipëri ose në Maqedoni, me të vetmin qëllim që të mos kthehen më. Dhe që ta bëjnë sa më të realizueshme këtë qëllim, ushtarët dhe oficerët serbë i reshtijnë meshkujt e fshatit dhe i pushkatojnë para syve të fëmijëve të tyre, motrave dhe nënave të tyre, pastaj u vënë flakën shtëpive dhe u thonë: “Shiheni për herë të fundit fshatin tuaj!”, dhe i nisin për në Shqipëri, në këmbë. Dhe këto nuk janë raste sporadike, por edhe veprimtari e zakonshme dhe e përditshme e ushtrisë serbe.
Si rrjedhojë, të gjitha fshatrat e zonave fushore dhe ato të zonave kodrinore, ku mund të shkojë zinxhiri i tankut, pasi, sikundër jemi dëshmitarë, ushtarët serbë nuk guxojnë të largohen një metër nga ai, pasi, ndryshe janë të rrafshuar nga luftëtarët tanë.
Në Kosovë kanë mbetur në këmbë vetëm fshatrat në zonat malore, sikundër jemi këtu në Llapushë, por sikundër jemi dëshmitarë, edhe këto fshatra janë pothuajse të rrafshuara pjesërishtë nga goditjet e aviacionit dhe artilerisë serbe me larghedhje të madhe, të cilën e ka sjellë në Kosovë me shumicë.
Pra, këtu kemi dy lloj artileri, artilerinë e vërtetë dhe “artilerinë” me larghedhje të madhe të politikës genocidiste serbe, shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët, të cilët përbëjnë 92 % të të gjithë popullsisë së saj.
Këto tre-katër ditët e fundit, Serbia u është kthyer edhe djegies së qyteteve të Kosovës, pa përjashtuar as Prishtinën. Është djegur e shkatërruar tërësishtë Podujeva, Malisheva, Suhareka, Prizreni, Gjakova, Peja, Mitrovica.
Paralel me djegien e qyteteve, serbët po bëjnë pushkatime masive të popullsisë shqiptare të tyre, ndërsa pjesën tjetër e përzënë prej qytetit.
Mbrëmë ishim bashkë kur e pamë nga afër Rahovecin, gjithçka nga larg dukej një gërmadhë e madhe, apo jo? Nëpër rrugët dhe rugicat e qytetit pamë mal me njerëz të masakruar barbarisht; gra, fëmijë, pleq, të gjithë të djegur e të kallur me bajoneta, të qëlluar me armë gjithfarë llojesh. Një numër i madh, shumë i madh viktimash.
Por të njëjtat situata na informojnë edhe shokët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm që sot kqyrën Pejën dhe Gjakovën. Qytetet shqiptare banohen sot vetëm nga kufoma, trupa të masakruar shqiptarësh.
Është e paimagjinueshme ajo që na shohin sytë këto ditë. Është kjo fytyra e vërtetë e Presidentit të Jugosllavisë, e Presidentit të Serbisë dhe e Parlamentit të tyre.

Sh. Golemi: Z.Shef, lexuesi është shumë i etur të dijë se si po i përballon Ushtra Òªlirimtare e Kosovës këto veprime të armikut.
Koloneli B. Zyrapi:
Po të mos ishin luftëtarët e Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës, sot në Kosovë nuk do të flitej shqip. Është lufta heroike e bijve të popullit të tij që e ka frenuar bishën e egërsuar serbe. Luftëtarët e Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës po përballen me tanket, artilerinë dhe aviacionin serb para çdo fshati, në çdo kodër dhe në çdo fushë, për t’i frenuar këta gjakpirës dhe t’i japin kohë popullit të vet të tërhiqet e të sistemohet në malet dhe pyjet e Kosovës, nën mbrojtjen e UÒªK-së.
Djemtë dhe vajzat e Kosovës që kanë marrë armët në duar për të mbrojtur popullin e vet, po bëjnë një luftë të pabarabartë. Ata po shkruajnë historinë e re të Kosovës.
Por në këtë luftë UÒªK-ja nuk është e vetme. Ajo ka për Aleat të fuqishëm krejt Komunitetitn Ndërkombëtar demokratik.
Më në fund bota e njohu se cila është politika e shtetit serb ndaj shqiptarëve, dhe kjo na jep krah dhe na rrit trimërinë e guximin për të luftuar më me heroizëm, sepse tash kemi me vete jo vetëm NATO-n, po tërë Komunitetin Demokratik Ndërkombëtar, e në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bastionin e lirisë e të demokracisë.

Sh. Golemi: Shtabi i Përgjitshëm i Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës ditët e fundit i është drejtuar opinionit shqiptar me disa thirrje-apel për qëndresë …
Koloneli B. Zyrapi:
Ushtria Òªlirimtare e Kosovës reziston dhe po përballet përditë me egërsinë dhe barbarizmat e ushtrisë fashiste serbe. Ajo po i del për zot Kosovës në këto ditë të vështira, edhe në këto çaste kulmore, kur Millosheviçi dhe banda e tij duan ta shuajnë një herë e përgjithmonë nga harta; duan ta heqin fare nga fjalori fjalën Kosovë.
Ballafaqimi me situatën e jashtëzakonshme të këtyre ditëve, kur strukturat e organizuara të kësaj ushtrie fashiste kanë vënë në përdorim të gjitha mjetet vdekjeprurëse, arsenalin dhe armatimet për ta boshatisur përfundimisht Kosovën nga shqiptarët; kur janë masakruar e dëbuar nga trojet etnike deri sot rreth 500 mijë shqiptarë, na detyron të aplejomë gjithë bashkëkombasit tanë që të mos e lejojnë braktisjen e Kosovës.
Ne u bëjmë thirrje që ata t’i bashkohen UÒªK-së dhe se do të kenë mbrojtjen dhe kujdesin e saj.
Ndërkaq kemi kërkuar që të rinjtë dhe burrat që kanë shoqëruar familjet e tyre të shpërngulura, të kthehen sa më parë e të rreshtohen përkrah Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës, për të luftuar pushtuesin serb.
Braktisjen e Atdheut, në një situatë të tilla të vështira, thirrja jonë e ka cilësuar tradhëti kombëtare.
Efekti i këtyre thirrjeve ka qenë i jashtëzakonshëm. Vetëm këto ditë rradhët e Ushtrisë Òªlirimtare të Kosovës janë gati dyfishuar me luftëtarë të rinj që vijnë nga çdo anë. Ata e kanë rritur edhe më shumë forcën dhe qëndresën e goditjeve luftarake të UÒªK-së. Ata i kanë dhënë e po i japin edhe më shumë lavdi asaj.
Ushtria Clirimtare e Kosovës është vendi i trimave! E përderisa ajo është në këmbë e po rritet dita-ditës, kjo do të thotë se rron e do të rrojë Kosova. Ajo është siguria e popullit shqiptar në Kosovë. Ajo është garancia për të penguar kryefashistin e Ballkanit, Sllobodanin, për të mos shpërngulur dot shqiptarët nga Kosova. Ajo është krenaria e saj.

Intervistoi Shpëtim Golemi
***
Botuar në gazeta “Ushtria”, Organ Qëndror i Ministrisë së Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë. E mërkurë, 31 mars 1999, Viti i 54-t i botimit Nr. 21(7320)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura