BLERINA ROGOVA GAXHA: AMANETI I ESHTRAVE

Prishtinë, 30. 08. 2014: Varret kanë emra, por eshtrat e njerëzve që bartën emrat nuk janë aty. Të vrarët dhe të gjallët vazhdojnë ta vuajnë padrejtësinë. Familjarët nuk i kërkojnë më të gjallë djemtë, vajzat, babën e nënën e zhdukur gjatë luftës. Kërkojnë vetëm një asht, që të dëshmojë se është njeriu i tyre. Por, as këtë s’e kanë. Rreth dyzet varre të zbrazëta presin në Memorialin e Varrezave në Rezallë të Skenderajt, po aq trupa të të vrarëve dhe të pagjeturve në masakrën e 5 prillit të vitit 1999. Dikush dërgon lule, nënat jo. Varri i zbrazët është i zbrazët si ato. Qindra të tjerë nuk kanë varre, vetëm pritjen për ta. Larg Rezallës, ku nënat nuk janë mashtruar me varret e thata, në një fushë futbolli në Kozarac, në rajonin e Prijedorit të Bosnje-Hercegovinës, nënat boshnjake myslimane, qajnë me gëzim e trishtim pse kanë gjetur një asht të të birit, apo të bashkëshortit.
Në fushën e gjelbër, me arkivolet e mbuluara me të gjelbër po falej xhenazja e trupave të viktimave, që besohej se ishin vrarë në fushatën e spastrimeve etnike nga serbët e Bosnjës në vitin 1992. Myftiu boshnjak fliste sikur të fliste me zemër të plastë “në këtë vend të mrekullive, nëna gëzohet pse gjen një asht”. Gënjeshtrat dhe padrejtësitë nuk kanë të ardhme, klerikët thonë, sepse paqen mund ta ndërtojë vetëm e vërteta dhe drejtësia. Plagët për të zhdukurit në rajonet e gjithë ish-Jugosllavisë vazhdojnë.
Që nga viti 1991, në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq janë raportuar 34,700 persona të zhdukur nga territori i ish-Jugosllavisë. Deri vitin e shkuar në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve rreth 14,000 ishin të pagjetur, nga lufta në Bosnje, në Kroaci e lufta në Kosovë. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për Kosovën pati listuar 3,600 persona të zhdukur, gjatë luftës së vitit 1998-99 dhe në periudhën e shkurtër pas tij. Vetëm gjysma janë gjetur.

Drejtësia në Ballkan nuk ekziston. Qeveritë e Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës kanë dështuar t’iu përmbahen detyrimeve të tyre nën ligjin ndërkombëtar, edhe për të pagjeturit, edhe për të hetuar e ndjekur penalisht ata që i rrëmbyen e i zhdukën.
Edhe Kosova ka folur me Serbinë. Personat e zhdukur kanë qenë temë diskutimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, por për këtë vetëm llaf është bërë, pa arritur asnjë zgjidhje.
Institucionet ndërkombëtare thonë se është më shumë çështje humane sesa politike. Por, ata me gjasë nuk e dinë se në Ballkan humaniteti vështirë se ekziston.
“Vëlla e kam një amanet, mos m’i lerë eshtrat në Serbi me m’i tretë”, kështu ka folur sa herë populli që u shkel fort nga populli fqinj. Kështu kanë folur sa herë luftëtarët e tij. Veç rehatimin e eshtrave në tokën e vet. Çka mund të kërkojnë më tepër të rënët e të gjallët e tyre! Thuhet se në këtë jetë je i barabartë vetëm para Dheut tënd. Por, dikujt arkivolin ia mbulojnë me flamur, dikujt me krisma që oshtijnë, dikujt vetëm me lot, e dikush nuk e ka as këtë arkivol dhe as atë që quhet toka nanë.
Luftëtarët “heronj”, viktima të masakrave e edhe kriminelë lufte janë përkujtuar e përkujtohen me monumente madhështore e lapidarë nderi. Të pagjeturit asnjëherë nuk janë trajtuar Heronj. Ata thjesht nuk ekzistojnë. Janë vetëm njerëz që mungojnë.
Amanetin e eshtrave e kanë në dorë politikanët. Nëse është më shumë çështje humane sesa politike, amanetin e eshtrave tash për tash mund ta çojnë në vend vetëm politikat shtetërore. Shtetet e Ballkanit do të duhet të krijojnë një kulturë humanizmi ku grupet e ndryshme etnike të pranojnë vuajtjen e njëri-tjetrit, ashtu si dhe të tyren.
30 gushti shënon çdo vit edhe një ditë të njerëzve të zhdukur. Në këtë ditë do të flitet për ata që mungojnë, siç flitet vit për vit, edhe krerët e shtetit do të flasin. Shifra të tjera do të dalin. Edhe diskutime të tjera dypalëshe do të bëhen. Edhe reklama mund të ketë plot. Edhe lot të kristaltë qeveritarë. Plus, edhe njëmijë e një premtime. E mbase dhe kërkimet për ta në këtë ditë do të jenë intensive. Por, fotot e njerëzve që mungojnë do të mbeten bash në zemër të kryeqytetit dhe bash para fytyrës së politikës, kushedi dhe për sa kohë. Nënat lulet as këtë vit s’do të kenë ku t’i dërgojnë. Vetëm vitet do t’i numërojnë.

***

KUR DO TË KTHEHET BABI IM!

Shikoni një Film të shkurtër dokumentarë për të zhdukurit në Kosovë. Kthimi i kufomave shqiptare nga Batajnica e Sërbisë. Kamera, Montazha dhe Regjia nga: Besnik Hasanaj.

´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´´
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura