ADNAN ABRASHI: PRESIDENTËT SERB GJITHNJË GATUHEN NGA NJË BRUMË!

Prizren, 22. 05. 2012 – Shikuar nga një këndvështrim krejtësisht paradoksal dhe jashtë dukjes oficiale të politikave ditore, gjithmonë kam qen i bindur dhe këtë bindje hapur kam deklaruar në publik se rrënjët e vërteta të veprimit strategjik afatgjatë të politikës serbe, nuk janë tek figurat publike sikur të “tadiqëve”, “nikoliqëve” apo “iqëve” tjerë që paraqiten si “liderë” dhe personalitete të fuqishme në arenën politike të Serbisë, por, ato burojnë nga një program ekzistues nacional, në të cilin decidivisht janë të parapërcaktuara “vijat e kuqe” të veprimit të çdo figure shtet-udhëheqëse. Andaj, mbikëqyrja e çfarëdo politike dhe politikani aktual në Serbi, gjithmonë në mënyrë rigoroze kundrohet nga ana e kësaj “qeverie” në prapaskenë, e cila ka një ndikim të madh në shoqërinë e atjeshme elitare dhe të masave. Kjo Qeveri e ashtuquajtur “nën hije”, sipas nevojës dhe momentit të paraqitur strategjik, qëllimisht në skenë lason figura liderësh që shpesh në publik na tregohen herë “nacionalist” e herë “të moderuar”, por, gjatë politakabërjes zyrtare, asnjërit prej tyre nuk do t’i lejohet që ta tejkalojë kufirin e parapërcaktuar të interesit nacional serb. Për t’u marrë më gjerësisht me strukturën e kësaj force të ndikimit politik jashtë institucional në Serbi, sigurisht na ishte dashur mjaftë kohë dhe hapësirë. Sa për të pasur një informim të përgjithshëm në këtë drejtim, mjafton ta dimë se si bartëse kryesore të këtij organizmi jo-formal shoqëror-politik të Serbisë, janë: Kisha Ortodokse, në bashkëveprim me një pjesë elite të inteligjencës së lartë akademike të Serbisë. Meqë, Kosova është përherë interes i lartë nacional serb, ne shqiptarët gjithnjë duhet të jemi të bindur se ende në Serbi nuk ekziston ndonjë autoritet politik i pavarur, i cili, në dallim nga kjo ekzistuese, mund ta udhëheq ndonjë politikë më ndryshe ndaj Kosove.
Kush është Tomisllav Nikoliqi?
Pse kjo qendër e ndikimit të heshtur në Serbi, pikërisht tashti e vlerëson se është në favor të interesave tyre ardhja e një ultra-nacionalistit të dikurshëm dhe sot pro-evropiani të konvertuar, Tomisllav Nikoliq, në postin e kryetarit të Serbisë?!

RADIKALI ‘PËRPARIMTAR’ TOMISLLAV NIKOLIQ!

_______________________________

Po ta shikojmë me vëmendje biografinë e tij, do ta shohim se ai edhe pse në dukje perceptohet si nacionalist ekstrem, në të vërtetë është vetëm një personalitet labil dhe i ndryshueshëm. Për shumë kë në Serbi, konsiderohet si një intelektual politik mediokër, me kapacitet të dyshimtë akademik. Sipas profesionit është teknik i ndërtimtarisë, student i dështuar i drejtësisë, kandidat i përhershëm (pion politik) balancues për president. Para disa kohe, nën rrethanat e dyshimta dhe në pragun e moshës së vetë 70 vjeçare, në një universitet privat të rangut të tretë të Novi Sadit, i ka kryer studimet bazë për master të menangjment. Para hyrjes aktive në politikë, ka punuar si shef i ndërtimit në hekurudhën “Beograd-Bar”, si shef i investimeve në ndërmarrjen, “22 Decembar” (22 Dhjetori), ndërsa, 2 vite ka qenë drejtor teknik i ndërmarrjes komunale publike (të varrezave) në Kragujevc. Mu për këtë shkak, kundërshtarëve të tij politik, shpesh me përqeshje dhe nënçmim e quajnë – “GROBAR” (“vorraxhi” apo “mihës i varreve”).
Me politikë, aktivisht ka filluar të merret më 1991. Së bashku me Vojisllav Sheshelin konsiderohet si njëri prej themeluesve të Partisë Radikale Serbe. Për të parën herë për deputet të Parlamentit të Serbisë është zgjidhet më 1992. Që nga kjo zgjedhje e parë, rregullisht më pas është zgjedhur si deputet në Parlamentin e Serbisë dhe njëkohësisht ka qenë edhe deputet në Parlamentin e atëhershëm të RFJ-së. Më 24 mars 1998, zgjidhet si nënkryetar i Qeverisë së Serbisë, të cilën, atëbotë, si koalicion qeveritar, së bashku e formonin: Partia Socialiste e Serbisë (SPS), Partia radikale Serbe (SRS) dhe e Majta Jugosllave (udhëhequr nga Mira Markoviq – bashkëshortja e Millosheviqit).
Në fund të vitit 1999, zgjidhet si nënkryetar i Qeverisë së atëhershme të Republikës Federative të Jugosllavisë. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të RFJ, si i nominuari nga Partia Radikale Serbe (SRS), ka qenë kandidat për president dhe nga ky votim doli si i 3-të.
Pas dërgimit të Sheshelit në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte, që nga shkurti i vitit 2003, në cilësinë e zëvendëskryetarit të Partisë Radikale Serbe, e ka udhëheq Partinë Radikale Serbe. Më 16 nëntor të po këtij viti, në zgjedhjet për kryetar të Serbisë (në të cilat ka marr pjesë për të parën herë), e fiton vendin e parë, por për shkak të numrit të vogël të daljes së popullatës në zgjedhje, ato dështojnë. Më 27 qershor 2004, në zgjedhjet e përsëritura për kryetar të Serbisë, nga lideri i Partisë Demokratike, Boris Tadiq, Nikoliqi pëson humbje tek në raundin e dytë. Në zgjedhjet presidenciale 2008, pasi që në raundin e parë ishte i pari, edhe këtë herë në garë me Boris Tadiqiin, sërish i ka humbur zgjedhjet në raundin e dytë Tomisllav Nikoliqi, për herë të parë, si një personalitet politik i luhatshëm, tregohet haptas kur më vitin 2008 e tradhton ideologjinë politike nacionaliste anti evropiane të kumbarës së tij, Voisllav Sheshel, dhe tek radikalët e vet në Parlamentin e Serbisë, lobon fuqishëm që ta votojnë dokumentin e Marrëveshjes së stabilizim-asocimit të Serbisë me Urinonin Evropian.
Pasi pengohet në këtë qëllim të tij, në Parlament formon klubin personal të emërtuar: “Përpara Serbi” duke tentuar me këtë rrugë që të shkaktoj edhe puç politik në Partinë Radikale. Më 12 shtator 2008, me një grup të ithtarëve të vetë të rebeluar, përjashtohet nga Partia Radikale Serbe. Më pas, duke grabitur para dhe mandate nga radikalët e braktisur, formon partinë e vetë të quajtur: “Partia Përparimtare Serbe”.
Është shumë interesante të ceket këtu se, meqë partia e tij e rebeluar nga radikalët nuk kishte mandat të bazuar ligjor që si subjekt politik të financohet nga buxheti i shtetit, gjatë fushatës zgjedhore për kryetar, Nikoliqin e kanë ndihmuar materialisht shumë biznesmen dhe “boss-a” me reputacion të dyshimtë financiar.
Sot, Partia Përparimtare Serbe, propagandon një politikë të rreptë pro Evropiane e cila angazhohet që Serbinë ta fus si anëtare e plotfuqishme dhe të barabartë në Unionin Evropian. Kështu, Tomisllav Nikoliqi, nga nacionalisti i përbetuar serb, është shndërruar në një “euro-fanatik” duke hequr dorë nga të gjitha principet për të cilat është angazhuar plotë 18 vite në politikë. Kështu që, tashti ai si president zyrtar është plotësisht i gatshëm që të shërbej ashtu sikurse merr udhëra nga patronët e vetë të vërtetë.
Nga biografia e tij e mësipërme, pamë se kush është Tomisllav Nikoliqi. Pra, një njeri pa principe parimore etike, politikisht labil dhe i dëgjueshëm, intelektualisht mediokër politik me një akademizëm të dyshuar.
Pa dyshim se, zgjedhjen e tij do ta përkrah edhe bashkësia ndërkombëtare, andaj, kjo as që duhet të na brengos neve si shqiptar dhe shtetas kosovar. Ajo që sot e përherë duhet të na shqetësoj neve si popull, është qasja gjithnjë e më destruktive e elitës tonë politike karshi të gjitha këtyre realiteteve që po na ndodhin me Serbinë. Posaçërisht, pranimi pa kusht nga ana e saj e bisedimeve të fundit me Serbinë.
Duke i bërë verbërisht “amin” planeve të caktuara politike që udhëhiqen dhe imponohen nga qendrat e mëdha të ndikimit dhe vendimmarrjes ndërkombëtare, elita jonë aktuale politike në pushtet, seriozisht po i rrezikon interesat tona kombëtare afatgjate në këtë regjion, veprim ky, që në të ardhmen, mund të na kushtojë shumë shtrenjtë.
Nëse kjo politikë e jona e stilit “lidhe kalin ku të thotë pronari”, edhe më tej vazhdon kështu me pranimin e çdo lloji të imponimit të huaj politik karshi Serbisë, shumë lehtë mund të na ndodhë që gjeneratat tona të ardhme edhe më tej të merren me analiza boshe mu sikur ne sot se, “ku kemi gabuar si popull edhe këtë herë në histori”.
Ne shqiptarët, kurrsesi nuk duhet harruar se, pa marrë parasysh çka mund të ndodh me zgjedhje në planin e saj të brendshëm Serbia si shtet ka miqësi të dëshmuara historike dhe tradicionale me disa shtete të fuqishme të Evropës të cilët edhe ne i konsiderojmë si “miq tanë ndërkombëtar”, e posaçërisht me francezët dhe anglezët. Kjo miqësi e tyre, edhe pse në dukje e zbehur, ende nuk është venitur. Andaj, afrimi edhe zyrtar i Serbisë Evropës, vetëm do ta sforcojë më shumë këtë miqësi?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura