BLLOKIMI I QËLLIMSHËM I KËRKIMEVE TË NAFTËS NË SHQIPËRI
Nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici, Toronto (Kanada), 17 dhjetor 2021
Përveç grabitjes së vendburimeve të naftës, gazit dhe minierave, edhe kërkimet e naftës dhe të gazit në Shqipëri janë sabotuar, gjatë 30 vjetve të fundit. Më poshtë jepen faktet. Nëse vërtet ekziston SPAK-u, ja ku i ka faktet, dhe le të veprojë sa më parë. Nuk ka nevojë të lodhet shumë duke kërkuar SPAK-u, sepse këto fakte të shëmtuara nuk janë mikroskopike, por shihen lehtë me sy, siç shihet një elefant!!
Kompanive të huaja të kërkimit të naftës, për moskryerje punimesh dhe shkelje të rënda të marrëveshjeve hidrokarbure, dhe të Ligjit të Naftës në Shqipëri, duhet t’u anulohen (shfuqizohen) marrëveshjet hidrokarbure. Ky anulim mund të bëhet pa probleme, sepse ato janë shumë fajtore ndaj Shqipërisë. Po të paditen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ato duhet t’i paguajnë Shqipërisë gjoba shumë të mëdha!!! Kjo duhet bërë, që në të ardhëshmen të mos përsëriten veprime të tilla, por qeveria këtë nuk e bënë, sepse ajo është bashkëpunëtore me këto kompani.
Këto kompani janë:
Kompania Shell Upstream Albania ka marrë me koncesion (dorëzim) Bllokun 4. Kontrata u firmos më 07 gusht 2015.
Kompania Pennine Petroleum Corporation ka marrë me koncesion Bllokun Velça. Kontrata u firmos më 07 dhjetor 2015.
Kompania Albanides Energy ka marrë me koncesion Bllokun 8. Kontrata u firmos më 15 korrik 2015. Doli në Fletoren Zyrtare më 16 prill 2016.
Kompania Navitas Petroleum Ltd. Ka marrë me koncesion Bllokun Dumrea. Kontrata u firmos më 07 gusht 2015.
Këto kompani fantazma (shumica jo ekzistuese), dhe të tjerat para tyre, siç ishin kompanitë Sky Petroleum, Petromanas etj., gjatë shumë viteve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi në terrenin e blloqeve përkatëse, ose kanë kryer shumë pak. Ato vetëm i kanë akaparuar (monopolizuar) blloqet, që të mos kryejë askush tjetër kërkime në ‘to. Atyre u janë dhënë liçensat (autorizimet) qëllimisht për të bllokuar kërkimet dhe zbulimet e naftës dhe të gazit në blloqet më me perspektivë të Shqipërisë.
Pse të bllokohen?
1- Të bllokohen që të mos zhvillohet ekonomia e Shqipërisë.
2- Shteti shqiptar të jetë sa më i dobët.
3- Të mos hapen fronte të reja masive dhe të përhershme pune.
4- Të mos rritet mirëqënia e popullit shqiptar.
5- Shqiptarët të jenë pa punë dhe të varfër.
6- Shqiptarët të largohen nga Shqipëria….
7- Me sa duket, këto marrëveshje hidrokarbure shfrytëzohen edhe për pastrimin e parave të pista.