FATMIR BRAJSHORI: JEHONA E NJË AKSIONI (2 PRILL 1981)

Pashtriku.org, 02. 04. 2016: (Prolog) – Kosova ishte zgjuar nga gjumi. Gjaku rinor po lëvizte nga vendi. Natën e një prillit, e tërë Prishtina po dridhej porsi tërmeti nga thirrjet e fuqishme të popullit për Liri-Kushtetutë – Republikë… ushtria Jugosllave dëshironte të hynte me rropallimë të madhe në Kosovë, e sidomos në kryeqendrën e saj, në Prishtinë. Ushtarë dhe policë të armatosur deri në dhëmbë. Lëviznin me një zhurmë të madhe dhe të rëndë, tanket dhe kamionët ushtarak, të ngarkuara me municione. Në krye të eskadronëve vdekjeprurës, rrëshqisnin veturat e udhëheqësve të tyre. Ata marshonin. Dukej sikur erërat pranverore, kujdeseshin për helmet kimike të shpërndanin nëpër çdo vend….
Troku i “kalit të trojes”, Kali Sllav – posa kishte filluar të linte shenjat e thundrave të tij. Tonelat pas tonelate, hedhnin helme, për të mbetur, Rinia e asfiksuar… Gjaku i derdhur i mëngjezit të 2 prillit të dëshmorëve të parë të’ 81-ës, Naser Hajrizit dhe Asllan Pirevës (që u vranë aty në mes fakulltetit juridik dhe atij teknik (të vjetrit) skuqën pluhurin e xhades…

Organizatorët e demonstratës në fshatin Besi (më 2 prill 1981), ku barrikaduan rrugën “Podujevë – Prishtinë” për të penguar policinë serbo – jugosllave, që ishte nisur për të shtypur me hekur, protestat e studentëve në Prishtinë.

Por kënga nuk ndalej… Kënga Kushtrimore “Ushton Gryka e Kaçanikut” mori rrugë për të “Xhamia e Llapit” nëpër “Kodrën e Shehrit” për të mbërritur te zemrat e nxënësve të shkollës fillore dhe të mesme “Nexhmi Mustafa” të fshatit Besi, fshat që shtrihet rreth rrugës asfaltore “Prishtinë – Podujevë”.
Aty do të shkruhet një aktë i Dramës së Pranverës Shqiptare… Të vërtetën e së cilës, për shumë kohë e kishin mbuluar me dhe… Dhe, ne do të flasim deri në skutat më të thella të vërtetësisë së saj, duke ju falenderuar rrëfimeve të vetë-pjesmarrësve të këtij aksioni…
RRËFIMI I PARË
KOLONAT E USHTARËVE VININ NGA TË GJITHA ANËT E XHADËS. Këmbësorët e rastit vështronin me tmerr në drejtim të shkrepave të thepisura që lëshonin nga lartë një hije të rëndë, vdekjeprurëse. Pamja e maleve të pakta, ishte e egër për zemërzinjët, kërcënuese tek po shkonin në drejtim të Prishtinës… Pritnin se kur do të hasnin në barrikadën e parë…
Përballë shkollës “Nexhmi Mustafa” demonstruesit barrikaduan rrugën “Podujevë – Prishtinë” për të penguar policinë serbo – jugosllave, që ishte nisur për të shtypur me hekur, protestat e studentëve, protestat e popullit… Në mëngjesin e hershëm të 2 prillit (1981), nxënësit e kësaj shkolle, kishin parë përleshjen e vëllezerve të tyre me kolonën e policisë të ardhur nga Beogradi.
Të ndihmuar nga një tanke, policët shpërthejnë barrikadën, kolona e tyre vazhdon për në Prishtinë ndërsa nga kjo kolonë ndalet kamioni i fundit. Policët zbresin dhe fillojnë të hedhin gazin lotësjellës aty ku hedhet fara e bukës.
Policët vraponin arave duke i ndjekur demonstruesit e fshatrave përreth, që atë ditë kishin zbritur poshtë te shkolla. Kamioni i tyre kishte mbetur i vetum… nxënësit të cilët tërë këtë skenë e vështronin nga dritaret e shkollës, vendosin për tu hedhur në aksion. Sulmuan kamionin, i cili ishte i mbushur me municion, morën ca prej atij municioni dhe pastaj i dhanë flakë kamionit. Nga një pjesë e municionit që kishte mbetur mbrenda në vet kamionin, filluan shpërthimet.
U dëgjuan krisma…
Policët që po merreshin me demonstruesit dhe të cilët, e kishin harruar kamionin e tyre në flakë dhe duke e ditur se ç’kishte aty, ashtu në panik siç ishin, filluan të iknin me të katra. Kolona që kishte shpërthyer barrikadën me të parë tymin ishte ndaluar për të pritur të mundurit, të poshtëri, humbësit. Dhe kjo kolonë atë ditë nuk ishte kthyer më, për t’u kthyer nëntë vite më vonë të njejtës rrugë, ku nga plumbat e tyre u vra dëshmorja, Ylfete Humolli..
Jehona e atij aksioni të fëmijëve të kësaj shkolle kishte marrë dhenë. Për këtë aksion të Tyre, të njëjtën ditë dëgjohet edhe në Prishtinë. Sakaç nga atje shkojnë disa të rinjë, për të ndihmuar vendasit, në organizimin e Rezistencës….
RRËFIMI I DYTË
DUKEJ SIKUR THEPAT E KODRAVE TË TYRE ISHIN DREJTUAR POSHTË ME NJË URREJTJE SHKËMBORE TË FTOHTË…
“Malet”! – flisnin me vete të uniformuarit serbë” të këtyre anëve sikur lëshojnë gjak”. Kryengritësit, i paraftyronin armët e tyre me të cilat, po u sulmuan nga ushtria jugosllave, do të sulen mbi ta. Do t’i suleshin atij pushtuesi të egër që po shkonte nëpër xhade, në drejtim të Prishtinës…
Po të lëshojmë kushtrimin e lirisë, nga këto thepa, do të na përgjigjen malet ku janë e ku s’janë…Të gjitha fshatarat përreth, Barilevë, Prugovc, Besi, Rimanishtë, Drenoc, në mobilizim të përgjithshëm… Armët ua kishin marrë policëve serbë dhe pritej një sulm i tyre. Nga mali i afërt që këtu vendasit i thonin: “Çuka” dukej vetëm Flamuri ynë Kuq e Zi… si Çeta e Çerçiz Topullit… Luftarëve të Shaban polluzhës… gjaku rinor i ushqyer me luftën çlirimtare në zemër, në dorën e një të riut, valonte flamuri. Vendasit thonin: sa herë në Kosovë kishte lëvizje të tilla, shkiet e fshatit Leban ngriteshin natën, tinëzisht hynin nëpër shtëpiat e shqiptareve dhe vrisnin. Nuk u zihet besë, atyre, – flisnin llapjanët.
Por në ’81 një çetë e vogël a e madhe, aq sa ishte, për fshatarët për rreth paraqiste siguri…Vetëm pak kilometra më largë, te Kulina gjendej garnizoni i ushtris serbe – jugosllave. As ata nuk flinin, rrinin në gadishmëri të plotë dhe të armatosur deri në dhëmbë, me armët më të rënda… Në njërën anë “çeta” e formuar në mënyrë krejtë spontane me dy tre automatik dhe me idealin e fortë të qëndresës, ndërsa në anën tjetër ushtria sllave me topa e tanke… Pritej ndeshje mes këtyre dy forcave… Luftë në mes Davidit dhe Golijatit…
RRËFIMI I TRETË
Kosova ishte zgjuar nga gjumi, në të cilin gjumë e kishte vënë burokracia kosovare…edhe llapjanët ishin zgjuar…natën në mes 2 e 3 prillit të 81-ës rrinin të zgjuar me sytë katra sepse te “Porta e Hyrjes” për në këtë trevë, te fshati Besi, “Kryengritësit” kishin vënë zonën doganore, për të huajtë. Në të dy anët e xhadesë ndalonin veturat dhe kërkohej leje për hyrje. Pyetja e vetme për të gjithë ata që kalonin ishte:
– “A KENI PASAPORTË PËR TË HYRË NË REPUBLIKËN E KOSOVËS?!

Dhe kështu kishte vazhduar deri në natën e dytë të Prillit, deri atëherë kur tokën nuk e kishte puthitur edhe atomi i fundit i natës së Zezë. Ata që kishin shpërthyer rrethimin, me tu kthyer dhe me të dëgjuar për atë që kishte ngjarë, gjatë ditës, shkonin për te “çuka” për t’u takuar me “çetën”.
– “U kall Prishtina! ka shumë të vrarë e të plagosur, të burgosur! Stadiumi plot e përplot me të rinjë e të reja” – ishin disa nga lajmet që fshatarët sillnin herë pas herë..
– “DO TË HAKMERREMI! POSHTË PUSHTUESIT! KOSOVA REPUBLIKË! – shfryenin” kryengritësit dhe nga mllefi shpërthenin në këngë:
” Ushton Gryka e Kaçanikut”
ose
“Besa, besë, Besën ta kam dhanë – Për Kosovë jetën kemi me dhënë”.
– Adem Demaçi! Adem Demaçi! Adem Demaçi!
Ndonjerit edhe i shpëtonte ndonjë lot.
Atje në çukë fshatarët sillnin ushqime për “kryengritësit”. Bukë, kripë, djath, ujë dhe…një për të gjithë dhe gjithë për një! betoheshin!
Dy a tre bënin roje. Vëzhgohej armiku…pritej vesa e parë e mëngjesit për t’u përballur me pushtuesin e egër, por këtë herë jo më me gurë… natyrisht edhe funksionimi i zonës doganore..
RRËFIMI JO I FUNDIT
Të nesermën zona “doganore” prap filloi së “punuari”. Ata që ndaleshin të gjithë pyeteshin:
– A KENI PASAPORTË PËR TË HYRË NË REPUBLIKËN E KOSOVËS?!!!
NË MËNGJEZIN E TRE PRILLIT, PRITEJ SINJALI NGA PRISHTINA PËR NDEZJEN E ZJARRIT. KRYENGRITËSIT ENDE NUK E DININ SE: NË PRISHTINË NUK KISHTE LËVIZJE, SE ISHTE SHPALLUR GJENDJA E JASHTËZAKONSHME, ORA POLICORE… ATA DININ VETËM PËR NJË GJË SI TË MBROHEN TË DREJTTAT TONA KOMBËTARE DHE SI TË LUFTOHET PËR LIRI!
PAS NJË KONSULTIMI mes veti “kryengritësit kishin vendosur për të braktisur “çukën” me betimin se do të ktheheshin prap aty kur të piçeshin kushtet… dhe ishin shpërndarë për t’u kthyer 17 vite më vonë por tash, jo më si një çetë e vogël por si brigadë e tërë me emblemën e USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS!
__________
P.S. Ky punim për herë të parë ishte botuar në vitin 1994, pasi më parë kishte fituar në një konkurs letrar.

Ahmet Qeriqi: Kush ishin flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës
http://pashtriku.beepworld.de/files/Fotodemo.1981/ahmetqeriqi_flamurtareteparterepiblikes_11.3.08.htm

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

RUSIA DHE SERBIA

Njëra superfuqi e tjetra tifoze e verbër e sajë! Njëra mësuese e tjetra nxënëse! Njëra kundërshtare dhe oponencë…