CARLETON S.COON: ILIRËT

Pashtriku.org, 25. 07. 2015 – Në fillim të vështrimit tonë mbi popujt indo-europianë të kohës së hekurit, mund të jetë me vend për të zgjedhur rastin më të hershëm, në të cilin ne përfundimisht mundemi ta identifikojmë një gjuhë me një kulturë dhe me një entitet racor. Kjo është e vërtetë për të ashtuquajturën kulturë e Hallshtatit me degën ilire të së folurës indo-europiane. Megjithëse zakonisht e klasifikuar si kentum, ilirishtja, sikurse tokarianishtja B, i përket një forme të lashtë të familjes indoeuropiane e cila ndoshta e para-daton ndarjen e plotë në kentum dhe satem.
Kjo kulturë u duk në Europën qendrore, me Gjermaninë jugore dhe Austrinë si vatër, dikur pak pas fillimit të mijëvjeçarit të parë p.e.s. Kjo u krijua nga një origjinë vendëse e kohës së bronzit, e zgjatur nga kultura e Urnfield-it, ndërsa kjo nga ana e vet nga kultura Aunjetitz. Influenca tjera të kohës së mesme dhe të vonë të bronzit e arritën, veçanërisht atë të kulturës së tumave në bjeshkët e Gjermanisë jugore; në të njëjtën mënyrë edhe kremimi edhe përdorimi i hekurit kishin hyrë nga jashtë. Prapë se prapë, çfarëdo të ketë qenë kompleksiteti i hollësive arkeologjike, qytetërimi i Hallshtatit mund të konsiderohet në radhë të parë vepër e popullësisë indigjene të Europës qendrore, me pak ose aspak shtesa tjera.

Kultura e Hallshtatit u shpërnda në shumë drejtime, duke përfshirë juglindjen, ku depërtoi në Bosne, dhe eventualisht në Shqipëri. Kjo lëvizi ngadalë kah veriu, derisa arriti zonën gjermano-veriore dhe skandinave, duke sjellur hekurin në këto treva relativisht vonë; përderisa kah jugperëndimi, kaloi Francën dhe u fut në Kataloni. Menjëherë në jug, u shpërnda përtej Alpeve në Itali, ku ilirët mbizotëruesë u ndanë në një numër të grupeve fisnore krahinore, duke përfshirë edhe venetët. Do të ishte e tepruar të thoshim se çdo vend me mbetje të kulturës së Hallshtatit mbart eshtrat ose hirin e ilirisht-folësve. Kjo mund të pohohet me saktësi vetëm për trevën qendrore, dhe për trevat menjëherë aty afër, përderisa në perëndim është mjaft e sigurtë që disa nga njerëzit në nivelin e kulturës së hallshtatit ishin në të vërtetë keltë.
Kafkat e Hallshtatit nga Austria, duke përfshirë ato nga vetë vendi i kulturës (Hallshtat), formojnë një grup homogjen tërësisht kafkë-gjatë. Ky grup është një pasardhës krahinor legjitim i Aunjetitzit, dhe sikurse kjo e fundit i përngjan serive të neolitikut danubian në mjaft aspekte. Në tipare të caktuara, sidoqoftë, kjo anon kah drejtimi i racës Kordid (Corded), dhe këto përfshijnë lartësimin e gropës së syrit dhe ngushtimin dhe zgjatjen e hundës. Disa nga kafkat individuale janë përfundimisht të tipit Kordid. Morfologjikisht, sikurse në pikëpamje metrike, shumica e këtyre kafkave mund të përcaktohen pa vështirësi si “nordike”; kurrizi mes vetullave është i moderuar (matur), balli i pjerrët, zverku i dalë, parietalët (eshtrat mbi veshë) të rrafshuara, faqet e ngjeshura, nofullat e thella. Shtati ishte dukshëm më i gjatë.
Seritë austriake të Hallshtatit kanë lidhje të ngushta me dy drejtime: së pari, me popullësinë vendore të Europës qendrore nga koha e neolitit dhe bronzit, që i paraprinë asaj, dhe së dyti, me popullin gjermanik “Rajhengrebër” (“Reihengräber”), që e pasuan atë pas ndërhyrejs kelte. Ngjashmëria mes kafkave gjermane dhe atyre të Hallshtatit është e zakonshme; dhe nëse populli i Rajhengrebërit ishte “nordik”, siç është pranuar në përgjithësi, atëherë sipas të gjitha gjasave ishin njerëz të Hallshtatit.
Rëndësia e kësaj vazhdimësie të dyfishtë është e madhe. E ndjek tipin racor nordik, në formën skeletore, deri në kohën e hershme të hekurit, dhe e nxjerr prejardhjen e tij me pak ndryshime nga koha paraprake e bronzit. Popullata e kohës së bronzit e cila ishte stërgjyshësisht nordike, ishte e prejardhur nga përzierja mes njerëzve neolitikë danubianë, që kishin ardhur nga lindja, dhe ardhacakët e mëvonshëm ‘kordid’. Kompleksiteti i kohës së mesme dhe të vonë të bronzit, prandaj, dhe çrregullimet e shkaktuara me futjen e kremimit, gjatë gjithë pjesës së mëvonshme të kësaj epoke, nuk e ndërprenë vazhdimësinë racore në Europën qendrore, ku lëvizjet e racave, gjatë kohës së vonë të bronzit, duket të kenë qenë diçka më të lehta se sa lëvizjet e kulturave.
Le të kthehemi tek problemi i veçantë i përbërjes racore ilire. Gjer më tani, ne u morëm tërësisht me mbetjet e Hallshtatit nga Austria e poshtme. Vetë varreza e hallshtatit daton nga mesi deri te fundi i kësaj epoke; por vendi fqinje i Hallshtatit të hershëm, Shtacendorf (Statzendorf), nga i cili janë marrë një seri prej shtatë kafkave, nuk përmban asgjë tjetër përveç ekzemplarëve kafkë-gjatë, dhe këto janë të njëjta sikurse ato nga vetë vendi i kulturës. Kështu vendi i Hallshtatit është racialisht tipik për tërë periudhën.
Kur lëvizim kah Gjermania jugore, që ishte njësoj e përfshirë në zhvillimin e kësaj kulture, nuk gjejmë uniformitet të tillë racor. Kafkat nga Vyrtemburgu (Württemburg), Bavari, duke përfshirë edhe Bavarian Palatinaten, me tipin e zakonshëm austriak të hallshtatit, një pakicë e madhe kafkëgjerësh (brakicefalë) të cilët mund të konsiderohen mbijetuesë nga koha e bronzit. Këto përfshijnë që të dyja, kafka zverk-rrafshta (planoccipital) të tipit origjinal Bell Biker, dhe një tip kafkëgjerë zverk-lakuar i cili tregon afërsi me tipin borrebaj (Borreby). Atëherë duket se në Gjermaninë jugperëndimore, nordikët hallshtatë kanë invaduar dhe janë përzier me dinarikët bell biker dhe me nënshtresën e vjetër borrbaj.
Një seri e madhe nga Sprevaldi, që gjendet në veri të kësaj zone në tokë të rrafshët, përbëhet tërësisht nga kafka të pastra dolikocefale (kafkë-gjata) të tipit të zakonshëm hallshtat të Austrisë, i cili dukshëm ishte në shtëpi të vet në tokat e ulëta të Europës qendrore, por jo edhe në malësi, e cila dhuronte strehë për një popullatë të fortë kafkëgjerësh. Në Çeki dhe Shlezi, siç edhe pritet, Shlici (Schliz) gjen forma kafkëgjata tipike të hallshtatit në koleksione të vogla nga secili prej këtyre regjioneve. Një në pesë kafka nga Çekia ishte kafkë-gjerë, dhe asnjë nga katër kafkat e Shlezisë.
Përgjithësimi i shpërfaqur në kryerreshtat e mësipërm vlen gjithashtu edhe për Zvicër, ku kultura e hallshtatit, sikurse ajo e kohës së bronzit, u fut ngadalë, përderisa teknika dhe ekonomia e vjetër që kishin mbijetuar në disa pjesë nga neoliti, vazhdonin në masë të madhe. Si kafka të gjata ashtu edhe kafka të gjera janë gjetur, siç mund të pritet. Në materialin e hallshtatit shumica e kafkave janë të gjera.
Le të kthehemi kah juglindja në vargmalet Dinarike në drejtim të Ballkanit. Në pjesën malore të Austrisë jugore, tipi hallshtat nordik është pakicë. Nga gjashtë kafka prej Karniolës, tri janë të rrumbullakëta (gjera) dhe një është mesocefale (mesatare). Tipi kafkëgjerë duket pa dyshim se është dinarik. Në Kroaci, sidoqoftë, shtatë kafka të rriturish janë të gjitha të gjata, nga tipi i zakonshëm hallshtat, përderisa dy kafka fëmijësh duken të gjera.

Në Bosne, vijmë te vendi i famshëm i Gllasinacit, ku seri të mëdha të mbetjeve të vonshme ilire përmbajnë sërish një përzierje tipash. Shumica e kafkave janë të gjata dhe tregojnë të njëjtën përzierje të danubianëve me elementin kordid të cilët ne i pamë në Hallshtat. Pak kafka individuale janë shumë të mëdha, dhe kopjojnë prototipin kordid mjaft me saktësi. Kafkat e shkurtëra, ndonëse me pakicë, janë mjaft të numërta sa të na lejojnë të determinojmë përkatësinë e tyre racore me goxha saktësi. Thuajse të gjitha i takojnë atij që mund të quhet tipi racor dinarik modern. Kafkat janë deridiku të mëdha me zverk të rrafshët, anët e drejta, më shpesh ballë të rrumbullakët, dhe hundë prominente (të dukshme) në një rast në të cilin eshtrat e hundës ishin ruajtur. Nofullat janë shumë të rrumbullakëta, me një diametër bigonial të tepruar (gjerësi e madhe), por jo të shquara për thellësi.
Metrikisht, këto kafka të shkurtëra i ngjajnë serive të kohës së bronzit nga Qipro, por janë në përgjithësi, pak më të mëdha. Ato bien, në fakt, në një pozicion të ndërmjetëm mes serive të Qipros dhe atyre të grupit bell-biker nga Rajna e epërme, por në morfologji janë identikë me të dyjat. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë këtu me një formë të dinarikëve ku parashikohet popullësia moderne e Bosnes.
Kjo është rastisja e parë e kafkave të këtij tipi në regjionin dinarik malor në sasi të konsiderueshme. Ne veç kemi parë, që ky tip i njëjtë kishte hyrë në këto male nga fillimi i kohës së bronzit, në lidhje me lëvizjen drejt lindjes të popullit bell-biker. Kafkëgjerët në Gllasinac dhe në Karniola mund të kenë qenë pasardhës të këtyre refugjatëve bell-biker. Është gjithashtu e mundshme që ky tip racor mund të jetë ri-forcuar nga migrimet nga juglindja, por nuk ka evidencë arkeologjike t’a mbështesë një teori të tillë.
Derisa ilirët shpërndahen kah juglindja përgjatë bjeshkëve Dinarike, në Mal të Zi dhe në Shqipëri, ata dukshëm përzihen me një popullatë indigjene kafkëgjerë të malësive, që mund të ketë qenë më e numërt se ardhacakët; sepse, me disa shtesa dhe ndryshime, kjo vazhdon si element predominant edhe sot. Në seri të vogla nga kafkat e hershme kristiane nga një vend afër Splitit në bregdetin dalmat, janë të përfaqësuar edhe kafkëgjerët dinarikë edhe një pakicë e kafkave të gjata. Në Shqipëri, një vend i cili është thuajse krejtësisht i panjohur arkeologjikisht, një kafkë e vetme që i takonte grupit ilir të romanizuar ka qenë gjetur në një vend të kohës së hekurit në fisin Pukës. Kjo kafkë është mesocefale, dhe duket, sa mund të gjykojmë gjertani, si një mesatare mes ilirëve të tipit të vjetër dhe dinarikëve.
Rëndësia e studimit tonë është si vijon: në fushat e jugut të Gjermanisë qendrore dhe Austrisë së poshtme, ku kultura e hallshtatit u krijua, tipi racial i përfshirë ishte nordik për kah skeleti. me këtë term ne duhet të kuptojmë se tipi qendror ilir ishte i ngjashëm në përmasat e kafkës, përpjesëtimet dhe formën e përgjithshme me ato të gjermanëve të periudhës së dyndjeve të mëdha. Evidenca historike, për pigmentimin e ilirëve është kundërthënëse, dhe e pamjaftueshme për të përligjur formimin e një opinioni në këtë çështje. Ky tip “nordik” nuk është racë e veçantë ose e ndarë, por thjesht një variant i familjes më të madhe mesdhetare, të një pozicioni metrik të ndërmjetëm.
Ky e gjeti një prototip të gatshëm në popullatën e kohës së bronzit që shtrihej nga Austria në Siberi, dhe e cila ishte prodhim i përzierjes mes fshatarëve danubianë dhe ardhacakëve kordid. Duket më së afërmi që ilirët ishin me të madhe pasardhës, veçanërisht të popullit Aunjetitz, përmes një ndërmjetësuesi të Fushës së Urnave, ose një përzierje e përbërë nga përbërës racorë identikë me të.

(Përktheu: Genc Kastrati)
– Carleton S.Coon (1904-1981) ishte antropolog fizik amerikan nga Wakefield i Masaçusets.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura