DR.SC.ILMI VELIU: SIMBOLET E BESIMIT PELLAZGO-ILIR MBI VARRET E SHQIPTARËVE TË KRISHTERË E MYSLIMANË (I)

Pashtriku.org, 11. 12. 2014 – (Rezyme): Kumtesa që prezentova në Simpoziumin e III’të Ndërkombëtarë: “10 mijë vjet histori – nga Pellazgët tek shqiptarët” në Tiranë, është punim shkencorë që ka të bëjë me gërmimet dhe hulumtimet e mia të gjata në terrenet e Kërçovës e të Pollogut, ku kam zbuluar varre të shqiptarëve të krishterë e myslimanë, të cilët përveç simboleve fetare të besimit, të cilit i përkisnin shqiptarët e varrosur (kryqi apo hëna), mbi pllakën e varrit qëndrojnë të gëdhendur edhe simbolet pellazgo-ilire; dielli mbi dy koka të gjarpërit, besim pagan ky – që sipas hulumtimeve dhe studimeve të deritashme u ka takuar banorëve të lashtë pellazgo-ilir. Ky është një argument i fortë për ne shqiptarët e Shqipërisë Lindore, që më herët kemi qenë në kuadër të Jugosllavisë dhe pas shkatërrimit të kësaj krijese artificiale komuniste, mbetëm në kuadër të Sllavomaqedonisë, ku pushteti po edhe historianët sllavomaqedonas në enciklopedinë e tyre diskutabile na trajtonë si ardhacakë nga malet e Shqipërisë, pas shek.18, kurse ne, shqiptarët në Maqedoni, siç vërtetohet edhe nga ky studim i imi, jemi popullatë autoktone e lashtë dhe se rrënjët i kemi tek Pellazgo-ilirët.
Shqiptari nga Zara e Kroacisë dhe ilirologu më i famshëm i Ballkanit, dhe i Europës – Aleksandër Stipçeviq, po edhe profesori im i nderuar, Muzafer Kërkuti (te i cili kam dhanë provimin për Arkeologji në vitin 1974, para plotë 40 vitesh); thonë se besimi në diellin ka qenë i përhapur tek ilirët e veriut dhe se besimi në gjarpërin ka qenë i përhapur tek ilirët e jugut.
Kufiri që ka ndarë Dardaninë me kryeqytet Skupin dhe Penestinë me kryeqytet Uscana është mali Bukovik ose Buka, në mes të Kërçovës e Gostivarit dhe nga hulumtimet e deritashme në terren del se simboli i diellit po edhe i gjarpërit kanë qenë prezent dhe janë përdorur në Dardani po edhe në Penesti.
Në Kërçovë – Uskanën e Penestisë ilire po edhe në rrethinat e sajë, si në fshatin Zajaz e Jagoll, kam gjetur pllaka varresh të shqiptarëve myslimanë nga vitet 1750-1800, pllaka këta, të vendosura te koka e të vdekurit, ku në majë të pllakës së mermertë është i gëdhendur dielli mbi dy koka të gjarpërit, simbole këta, që nuk kanë lidhje me besimin Islam, por janë simbole pagane ilire të ruajtura dhe sjellura tek shqiptarët deri në këtë kohë, brez pas brezi, siç janë ruajtur e sjellur edhe tregimet e legjendat tjera.
Sa i përket simbolit të Gjarpërit, tek shqiptarët e Kërçovës, deri vonë përdorej njëfarë hekuri rreth vatrës, që kishte katër këmbë të shkurtëra dhe kokën e gjarpërit me emrin ,,dromoxhak,, dhe besohej se gjarpëri i vërtetë ishte nën gurin e vatrës dhe se e mbronte shtëpinë dhe njerëzit që jetonin në te nga të këqijat dhe të papriturat që mund tu ndodhnin. Edhe sot në Kërçovë po edhe më gjërë në Pollog mbretëron mendimi tek shqiptarët, se nëse ndonjëherë gjarpërin e hasim brënda shtëpisë ose jashta në oborr nuk duhet vrarë sepse ai eshtë gjarpër i themelit të shtëpisë dhe sjellë vetëm të mira për shtëpinë dhe banorët e sajë.
Diellin si simbol pagan ilir e kemi gjetur edhe tek varret e shqiptarëve të krishterë në rrethin e Kërçovës po edhe në Pollog, ku te koka e të vdekurit qëndron kryqi i cili në të dy anët ka të gëdhendur edhe diellin. Në një fshat të Kërçovës me emrin Dupjan kam gjetur varre kristijane shumë të vjetra ku kryqi i mermertë, në pjesën e sipërme është i rrethuar me një rreth që i përngjan diellit, ose mund të themi se është dielli i cili në mes e ka kryqin, e që poashtu jam i sigurtë se dielli nuk ka lidhje as me besimin e krishterë, sepse simboli i këtij besimi është vetëm kryqi dhe kurgjë tjetër.

Nga Simpoziumi: Nga e djathta – Ilmi Veliu (Ilirida), Luftulla Peza(Shqipëri), Rexhep Doçi (Kosovë)

Përveç mbi pllakat e varreve të shqiptarëve mylimanë e të krishterë, diellin ilir e kemi hasur të pikturuar edhe në muret e jashtme të xhamisë kryesore në qytetin e Tetovës, e quajtur ,,Xhamia e Larme,, për shkak të fasadës së sajë të pikturuar, ku dielli është i paraqitur me rreze të ngjyrosura bukur e që nuk kanë lidhje as me simbolin e fesë Islame që është gjysëmhëna e as me ndonjë simbol tjetër që duhet ta posedojë xhamia.
Pastaj diellin ilir e gjetëm edhe në brendinë e xhamisë kryesore të Kërçovës ku është i bërë në mënyrë shumë artistike, nga një lloj metali i fortë, ndoshta nga bakërri apo bronëzi i lëmuar dhe i ngjitur lartë në murin e xhamisë. Nëntë rreze të diellit janë më të gjata dhe nëntë të tjera janë më të shkurtëra dhe qëndrojnë mbi ata të gjatat. Sipërfaqja e diellit me gjithë rrezet shndërit aqë shumë saqë duket se është i praruar në arë dhe është i vendosur në një lartësi prej 5 metrash në vendin e quajtur ,,Minber,, i cili vend ndodhet në brendi të xhamisë në pjesën e përparme, aty ku qëndron Imami, personi fetarë që prinë apo udhëheqë në lutjet fetare në xhami. Edhe këto simbole nuk kanë lidhje fetare as me myslimanët e as me xhaminë, bile sipas rregullave strikte të fesë Islame, gjatë kryerjes së lutjeve fetare qofshin në xhami ose në shtëpi nuk eshtë e lejuar përpara personit që ka vendosur ti lutet Zotit, të ketë fotografi, piktura, skulptura dhe sende të tjera pa marrë parasyshë se çka simbolizojnë ata.
Besimi i krishterë po edhe ai mylimanë janë fe monoteiste ku besohet në një Zot dhe kanë vetëm nga një simbol, kryqin e gjysëmhënën; dhe rreptësishtë është e ndaluar te të dy fetë që të përdoren edhe simbole tejra pagane afër kryqit e gjysëmhënës.

Pllakë varri në Zajaz të Kërçovës nga viti 1750. Nga mbishkrimi Osman me germa arabe njoftohemi se i vdekuri është mysliman dhe dielli mbi dy koka te gjarpërit i vendosur në maje të placës së varrit tregon se ai ka qenë i përkatësisë kombëtare shqiptare, sepse dielli dhe kokat e gjarpërit i kanë takuar besimit pellazgo-ilir, i vjetër mbi 3 mijë vjet.

Të gjitha këto sqajrime që i dhash në lidhje me simbolin e veçantë fetarë Islam apo Kristijan, kanë të bëjnë me përforcimin e tezës dhe mendimit tim se simbolet e vendosura mbi varret e shqiptarëve myslimanë e të krishterë janë simbole pellazgo-ilire dhe se popullata shqiptare i ka ruajtur ndër mileniume, brez pas brezi, duke i gëdhendur edhe te pllakat e varrit mbi kokën e të vdekurit, sepse për shqiptarin këto simbole kanë mbetur si të shenjëta dhe kanë vazhduar të kenë vlera të mëdha dhe të patjetërsuar kombëtare.
Me anë të këtyre simboleve të lashta pellazgo-ilire, shqiptarët edhe nga varri kanë dshuar të tregojnë, argumentojnë e dëshmojnë për origjinën e tyre të lashtë pellazgo-ilire. Ata kanë dashur që varret e tyre të dalloheshin nga varret myslimane të popullatës turke, arabe apo boshnjake; dhe varret e shqiptarëve të krishterë të dalloheshin se janë varre shqiptare dhe të mos ngatërroheshin me ata greke, serbe e bullgare, me të cilët kanë qenë të detyruar të luftojnë po edhe të bashkëjetojnë deri në ditët e sotme.
Dhe shqiptari duke venë mbi varrin e tij simbolet e lashta fetare pellazgo-ilire, bashkë me simbolet e fesë që ka poseduar, ka dashur që edhe pllaka e varrit të jetë argument e dokument që do tu tregojë gjeneratave ndër shekuj se ai që dergjet në atë varr është shqiptar mysliman dhe nuk është turk, persian e as arab; dhe simbolet në varrin e shqiptarit të krishterë ku dëshmon se i vdekuri është i krishterë por nuk është serb, grek, bullgr por bijë e bir shqiptari.

Xhamia e Larme në Tetovë në muret e së cilës është i pikturuar edhe dielli ilir, që nuk ka asnjë lidhje me xhaminë dhe besimin Islam.

Brëndia e kupollës së Xhamisë së Tetovës e cila ka formën e diellit . Simboli i fesë Islame është gjysëmhena dhe ylli tetëkendësh, dhe dielli ilir nuk ka asnjëfarë lidhjeje dhe nuk prezenton asnjëfarë simboli për fenë Islame.

Dielli ilir i pikturuar në murin e jashtëm të Xhamisë së Larme në Tetovë.

Poashtu zbulimet dhe analizat e mia tregojnë dhe vërtetojnë se sa të lidhur kanë qenë pellazgo-ilirët e më vonë arbër-shqiptarët e këtyre trevave me simbolet e besimit të tyre të lashtë dhe, edhepse ata, sipas Shën Palit – i cili thotë se e përhapa krishterizmin deri në Ilirk, dmth të parët në Ballkan e kanë pranuar krishterizmin, pastaj një pjesë e madhe e tyre kalojnë në besimin Islam, nuk i kan harruar simbolet e besimit pellazgo-ilir por kanë vazhduar t’i përdorin ata mbi pllakat e varreve ose edhe në muret e faltoreve të tyre, të krishtera apo myslimane. Në këtë studim prezentohen edhe zbulime të objekteve me koka gjarpëri që janë përdorur në jetën e përditëshme të shqiptarëve, qofshin objekte për zbukurim (byzylykët) qofshin të përdorura në jetën e përditshme si dromoxhaku rreth vatrës apo (rezja e portës me kokë gjarpëri që ka qenë pjesa e hekurit për ta mbyllur derën kryesore të oborrit ose siç e qujmë ne – Porta e madhe.

**********************************************

SIMBOLET E BESIMIT PELLAZGO-ILIR MBI VARRET E SHQIPTARËVE TË KRISHTERË E MYSLIMANË
Në tre numra të revistës ,,Albania,, Faik Konica, boton më 1897, fillimin e një studimi të veçantë të një pellazgologu, studiuesi e udhëpërshkruesi francez, Eduard Shnaider ku na informon se francezi është “autor i një vepre të madhe, me titull ,, Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, një racë e harruar”, botuar më 1894 në Paris.
Shnaider, vazhdimisht i është përmbajtur tezës se shqiptarët jo vetëm janë me prejardhje tepër të lashtë pellazgjike dhe protohistorike, por ata kanë mbartur, përcjellur e përhapur në shekuj, falë rrënjëve të lashta të gjuhës së tyre mëvetësore, edhe kultura të ndryshme, duke bërë kështu lidhjen e kulturës pellazgjike me ate etruske, ilire e helene, e më tej deri edhe me gjuhët dhe kulturat e shuara, si ajo e Trakisë, Maqedonisë, Dakisë, – thotë konica.
Shneider konstaton se njeriu si qenie më e privilegjuar e natyrës u shfaq mbi tokë pikërisht në çastin kur toka ishte ende e zgjuar me vullkane dhe llavën e zjartë. Dhe njeriu instinktivisht, në fillim do ketë frikë dhe do t’i trembet errësirës, vetëtimës, rrufesë, stuhisë, furtunës, vullkaneve etj. Ai do t’i trembet Natyrës përpara se ta dojë dhe pikërisht kjo frikë do ta bëjë fetarë shumë të madh, domethënë do ta detyrojë ta adhurojë këtë natyrë në shfaqjet e veta madhështore. (Eduard Schneider, Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, një racë e harruar. Paris, 1894.)
Nëse i analizojmë shkrimet e filozofëve më të mëdhenjë, të mendimtarëve më të thellë, poetëve më magjeps,shenon Shnaider, do të shohim se ata në veprat e tyre kan përmbledhur edhe tregimet e aspiratat e parardhësve të tyre. Hesiodi e Homeri nuk i kanë shpikur fabulat, mitet, tregimet e stërgjyshërve të tyre por ata veç kanë mbledhur e shkruar traditat, koordinuar faktet karakteristike që të parët i kan përmendur.
Shnaider ka analizuar pjesë të ,,Testamentit të Vjetër,, dhe ka ardhur në përfunim se popujt semitikë ishin të parët e pellazgëve dhe ne për ta përfocuar mendimin e Shnaiderit kemi gjetur dhe analizuar thënien e Kuranit se Semi, pasardhës të të cilit janë semitikët ka qenë djali i tretë i profetit Noe, i cili i kishte shpëtuar tufanit shkatërrues (cunamit) duke hypur në anien e profetit Noe bashkë me babain dhe vëllezërit e tij. ( Schneider, vepër e cituar, Paris, 1894 ; Testamenti i Vvjetër, libër i shenjëtë i Ebrejve; Kurani libri i shenëtë Islam.)
Shnaider thotë se Para-Pellazgët janë krijesat më të hershme që adhuruan forcat e natyrës në shfaqjet e tyre mbresëlënëse, pa ndihmën e idhujve e figurave tjera fetare. Ata adhuronin shpirtin e natyrës pa arritur ta përcaktonin atë dhe pa pasur vetëdijen e unitetit të saj. Jo vetëm dielli por edhe Ajri, toka zjarri kan qenë forca të dallueshme dhe e kanë detyruar njeriun t’i respektojë dhe, doemos, të përulej para tyre gjithë adhurim. ( Schneider,op.cit, Paris, 1894.) Herodoti për më tepër, thotë – Schneider na tregon se pellazgët nuk kishin perëndi në parim, por kult mistik, të cilin e mendonin dhe nuk mund ta shihnin e personifikonin. Ata me siguri se kanë besur fuqinë e pa dukshme apo shpirtrat që gjallëronin Natyrën dhe komandonin me te. Mirëpo, nëse do t’i kushtonim vëmendje përputhshmërisë së ngjarjeve më të vogla mitologjike, me gjendjen krejt të veçantë të planetit tonë gjatë rrjedhës së epokës së hershme, jemi të detyruar të pranojmë se raca pellazge, është pa dyshim, ajo që ka dhënë e para, të paktën në trojet ku ajo vetë ka lindur, idenë e parë të së përshpirtmes shumë gjallërisht dhe shumë poetikisht. (Eduard Schneider, Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, vepër e cituar, Paris, 1894.)

Pllaka e varrit të shqiptarit të krishterë, ku përveç kryqit si simbol kristijan ka edhe diellin si symbol ilir. Dmth diellin ilir e kanë respektuar si simbol të tyre të lashtë edhe shqiptarët e krishterë edhe ata myslimanë.
Një prej themeluesve të historisë moderne të besimit pagan, Mirçea Eliade (1907-1986) është shprehur se: “Duke qënë një dukuri njerëzore, besimi është edhe një dukuri shoqërore, gjuhësore dhe ekonomike (Mircea Eliade. « Trattato di storia dele religioni »,1976 Editore Boringhieri, Torino)
Anxhelo Karkanji duke studiuar vizatimet e njeriut të hershëm në shpellën Grotta dei Cervi në Porto Badisco (Itali), ka nxjerrë përfundimin se lindja e besimit është e lidhur me lindjen e gjuhës. Ai në studimin e tij “Gjuha dhe mendimi simbolik”, pohon se fjala që krijoi njeriu primitiv, nuk përcaktonte vetëm një send apo dukuri, por shprehte një mendim të tërë. Për këtë arësye në besimin pellazg, por edhe në fetë e reja që lindën prej tij, thuhet se: “E para ishte fjala”.(Le scuole dei misteri e lo Spirito di emulazione – Insegnamenti …www. rosacroceoggi . org/ … /07rays . lescuoledeimist.
Në vizatimet e kësajë shpelle ndërmjet figurave të shumta të botës që e rrethonte njeriun primitiv, duken edhe vizatime abstrakte të lidhura sipas studiuesve me besimin e bashkësisë primitive, dhe në këtë kohë kur në mëndjen e njëriut primitiv që jetonte pranë botës shtazore ku e rrethonte dhe i jepte shpresë vetëm DRITA që shfaqej natën përmes hënës dhe ditën përmes diellit, e detyronte ti përulej ,,Dritës,, ose sipas studiuesit Jaho Brahaj mund të quhet edhe“Nëna e Madhe e Dritës së Jetës”. Kjo pra ishte edhe fillimi i lindjes së Besimit të Dritës hyjnore! (Jaho Brahaj „Flamuri i Kombit Shqipetar“, Tirane 2007, faqe.22)
Adem Demaçi, Mandella i Kosovës, ka shkruar se, mjafton që në vënd “Zoti” të thuhet “Drita” dhe do të vëreni se nuk do të ketë mospërputhje në asnjë përcaktim, sepse Zoti është drita, krijuesi i gjithësisë, nuk ka fillim, mbarim as vendëqëndrim dhe mendja njerëzore që është shumë e kufizuar në kohë e hapësirë, kërkon dhe mendon që edhe Zoti edhe shpirti të kenë një vendëqëndrim të vetin. Gjuha e Zotit është heshtja dhe ata që dëshirojnë munden lehtë ta kuptojnë. ( Adem Demaçi: Filozofia e Jetes (II) “Kush eshte Zoti”? – Pashtriku.org, 04. 02. 2010)

Pllakë varri nga varret e shqiptarëve myslimanë në qytetin e Kërçovës ku është i gëdhendur edhe dielli ilir që nuk ka të bejë me përkatësinë fetare të personit në varr por me përkatësinë e tij kombëtare, dmth se ai ka pasur origjinë pellazgo – ilire dhe se ka qenë shqiptar mysliman.

Se Zoti është Dritë, është shprehur e menduar dhe nga njeriu primitiv dhe është ruajtur e ka arritur deri ne ditet tona thotë edhe i famshmi, Mehdi Frashëri, se shqipetarët edhe sot betohen, “Për këtë dritë!” ,,për këtë diell,, (f20 Mehdi Frashëri “Historia e lashtë e Shqiperisë dhe e Shqipetarëve”, Plejad 2012, faqe 20)
Këtë pohim na e sjellin edhe studiues të tjerë si Dhimitër Pilika ku thotë se “Gurra popullore e stërmoçme na bind se njeriu i është lutur yllit duke e konsideruar atë si perëndi e Dritës” ( Dhimitër Pilika “Pellazgët origjina jonë e mohuar” Botimet enciklopedike , Tiranë 2005, faqe. 92.) Mark Tirta thotë se : “Shqiptarët në lashtësi flakën e zjarrit e kanë besuar një perëndi, prandaj edhe sot në të gjitha betohen “për këtë zjarr”, “për këtë dritë” (Mark Tirta, « Mitollogjia nder shqiptarë, vepër e cituar, faqe 20. »)
Spiro Konda pohon se: ”Rrënja “di” në sanskritisht do te thotë “ndrit” ,shkelqen” ,,bënë dritë,, (Spiro Konda, “Shqipetarët dhe Problemi Pellazgjik ,Tirane,2011, faqe,63.) Studiuesi arbëresh Xhuzepe Katapano në veprën e tij të famshme ,,Thoti fliste shqip,, thotë se njeriu e ka shikuar Krijuesin si “drita bardhësore”. (f81 Xh. Katapano, „Thot-i Fliste Shqip“ Botimet enciklopedike, Tirane,2007)
Dhe kjo poashtu është ruajtur dhe ka arritur deri në ditët dona ku duke e nënkuptuar Krijuesin si “dritë bardhësore” emrin “bardhë” e gjejmë tek shqiptarët në toponime, emra njerëzish dhe fisesh, Bardhyli-mbreti ilir; Bardha, emër vajze; Boka e Bardhë, Guri i Bardhë,Uji i Bardhë, Bardovcë, fshati Bardh-toponime.. ( Maksim Zotaj ,“Origjina dhe simbolet e flamu. shqiptar!” Tranë 08)
Fshehja e emrit të vërtetë të Krijuesit në rrjedhën e shekujve është bërë qëllimisht nga pellazgo-ilirët. Fillimisht për ta mbajtur të fshehtë nga fiset e tjera, sepse siç vërejnë studiuesit, besimi lindi si një mjet mbrojtës. Në shekujt e më vonshëm, edhe emrat e Perëndive të herëshme prehistorike, nuk tregoheshin dhe autorët e lashtësisë, pa drejtësisht dëshmojnë se Pellazgët e Gadishullit Ilirik, nuk u kishin vënë emra perëndive të tyre. Që nga kjo periudhë, për Krijuesin u ligjësua që të mos i përmendej emri, ndërkohë u hyjnizuan me emrat e pasardhësit të dritës si: Hëna, Dielli, dhe një varg i gjatë Hyjnish e Hyjneshash.( f57 Georges Dumézil “La religione romana arcaica – Miti , leggende, realta” BUR Saggi 2011)
Rrezet, si simbole të Dritës hyjnore, më vonë u vendosën në formë kurore mbi kokën e Mbretërve duke dëshmuar hyjnizimin e tyre pas vdekjes. Edhe mbi kokën apo dy kokat e shqiponjës, kemi kurora-rrezedrite që me kalimin e shekujve u shndëruan në kurora të stilizuara mbretërore, që kishin humbur kuptimin hyjnorë dhe përfaqsonin pushtetin e mbretit, familjen mbretërore apo fisnikët me lidhje farefisnije me të.
SHQIPONJA
Studiuesit e lashtësisë, pohojnë njëzëri se, shqiponja është një nga figurat kultike më të lashta, më të fuqishme dhe më jetëgjata. Edhe në ditët e sotme, ajo vazhdon të përfaqësojë gjuhën, kombin, emërtimin e Shqipetarëve dhe simbolet shtetërore të vëndeve të tjera, brënda dhe jashtë Europës, por ne na intereson dhe perqëndrohemi vetëm te shqiponja si simbol kultik i BESIMIT të Pellazgëve të lashte hyjnorë. Shqiponja pra e shqiptarëve dhe jo vetëm e tyre, përfaqëson historinë e lindjes së besimit, njohjes së natyrës, zhvillimit dhe organizimit politik të njeriut në Lashtësi. Në veprën madhore “Thoti fliste shqip” Xhuzepe Katapano zbërthen emrin e shqiponjës (AIN në arbërisht), duke pohuar filozofinë e besimit Pellazg A=At, Zot i Përjetshëm , I= Krijuesi dhe N= lënda fillestare, nga u krijuan të tjerat. (Xhuzepe Katapano, „Thot-i Fliste Shqip“ Botimet enciklopedike, Tirane,2007,faqe,81) Shqiponja, që ka përfaqësuar vetë Krijuesin dhe Fjalën e tij, është nderuar si figurë kultike dhe gjuha e krijuar nga njeriu i lashtë qe i ka besuar shqiponjes, u quajt “gjuha e zogut” (e shqipes) dhe ka qenë gjuha e Besimit të parë, që vazhdon të flitet edhe sot nga shqipetarët. E panjohura më e madhe rreth figurës së shqiponjës, sigurisht lidhet me paraqitjen e saj në lashtësi, me dy koka, e zbuluar edhe në tempullin e parë të Pellazgëve në Dodonë, në vitin 1878. (E.Jacques “Shqiptaret” f80 marre nga f42 Rasim Bedo Dodona) e që unë mendoj se dy kokat e shqiponjës prezentojnë lindjen dhe perëndimin, sepse lindja dhe perëndimi, atje ku lind dhe perëndon dielli që jep jetë në tokë, përsëriten disa herë në të gjitha librat e shenjëta të feve monoteiste, Ebreje, Krishtere, Islame. Siç pohojnë studiuesit, shqiponja dhe jo ndonjë shpend tjetër është kulti më i lashtë. Shumë karakteristika të mënyrës së jetesës së shqiponjës, u ndoqën dhe u kristalizuan në karakterin e pellazgo-ilirëve-shqiptarëve, si: lidhja e fortë me truallin, tokën dhe shtëpinë ku jeton dhe familjen e tij; pastaj sulmi i furishëm në luftë si ai i shqiponjës; dhe besnikërija etj. Arkeologu Hasan Ceka dëshmon se, shqiponja si emblemë kombëtare shqiptare, nuk është as e shekullit tonë, as e kemi trashëguar nga mesjeta, por ka zbukuruar shpinën e një tok monedhash të Ilirisë, si psh të Lidhjes Epirote, Bylysit, Apolonisë, Orikumit (H.Ceka « Monedhat Antike-burim historik », « Shkenca e Jeta »Tirane,1976 nr.4 f27,28)

Shqiponja dykrenare e pikturuar me përdorimin e shkronjave arabe nga një kaliograf shqiptar që e ka ditur shkrimin arab, por e ka ditur faktin se shqiponja është simbol i tij kombëtar, i trashëguar nga pellazgo-ilirët. Piktori ose kaliografi shqiptar, në mënyrë artistike e ka shkruar formulën e fesë Islame ,,La i lahe ilellah Muhammed rresulullah,, ku në të njejtën kohë me anë të bukurshkrimit ka vizatuar edhe shqiponjën dykrenare pellazgo-ilire. Në këtë pikturë është shkruar simboli i besimit pagan pellazgo-ilir, me simbolin fetar myslimanë ku shprehet besimi në një Zot, dhe simboli kombëtar që përdoret tek shqiptarët.

Simboli i diellit i gëdhendur në pllakën anësore të një varri ilir, është i njejtë dhe i ngjashëm me simbolin e diellit në përkrenaren e Skënderbeut.

DIELLI
Shumë studiues “Dritën” e kanë trajtuar si simbol të Diellit. Por siç del nga mitet, njeriu primitiv ka besuar se Dielli krahas Hënës, Rrufesë, Zjarrit, Vetëtimës, etj., janë çfaqje të pamjeve të shumta të ,,Dritës Hyjnore,, që eshtë përfaqësuar edhe me shqiponjën. Xhyzepe Katapano shkruan se Kostandini i Madh dhe të gjithë Perandorët tjerë të Ilirisë, që sunduan pas tij, nën shenjën e Shqiponjës, janë konsideruar si “Bijë të Dritës”. (Catapano,vepër e cituar.) Mircea Eliade thotë se njeriu primitiv vërente se Dielli nuk pësonte ndryshim në pamjen e tij, pra ishte statik, kurse Hëna çfaqej herë e plotë, herë e përgjysmuar apo vetullore; dhe kishte netë kur nuk dukej fare, për t’u çfaqur më vonë përsëri. Pra dukej si nje objekt i “gjallë”, në lëvizje dhe kjo lëvizje e formës së Hënës në tre faza, ishte e ngjajshme me jetën e njeriut (lindja-jeta -vdekja) dhe përfaqesonte botën e pavdekshme sepse hëna rilindte përsëri dhe në vazhdimsi.(Trattato Storia Delle Religioni Mircea Eliade.pdf) Lartësimin e kultit Diellor si shprehje të forcës së pushtetit tokësor ,për studiuesit e sotëm të besimit, e beni figura më e rëndësishme në historinë mijëvjeçare të Egjiptit të lashtë, Amenhotepi i IV, 1355-1338 pk) ku ,,Diellit,, i dha vëndin e Krijuesit dhe vehten e shpalli Profet të tij. Filozofi më i madh romak, Plutarku ( viti 46 pk- 125 ) thotë se: “Njeriu përbëhet nga tre pjesë: trupi-soma, shpirti-psyche dhe llogjika-nous. Shpirti i njerëzve të drejtë, pastrohej me Hënën, trupi i kthehej Tokës ndërsa llogjika shkonte drejt Diellit” (f132 www.paxpleroma.it/…/Trattato_Storia_Delle_Religioni_Mircea_Eliade.pdf)

(VIJON…)

…………………………………………………………………………

– PJESA E DYTË –
DR.SC.ILMI VELIU: SIMBOLET E BESIMIT PELLAZGO-ILIR MBI VARRET E SHQIPTARËVE TË KRISHTERË E MYSLIMANË (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=3415

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura