CILA ËSHTË GJUHA E PARAANTIKITETIT?

Nga Agron Dalipaj 

Njeriu është gjithmonë në kërkim. Gjetja e origjinës së gjërave përbën thelbin e njohjes shkencore. Përpjekja për të arritur te njohja e origjinës së universit, specieve, dukurive natyrore, bakterieve, viruseve etj., ka lindur e zhvilluar shkencat përkatëse. Porse gjetja e origjinës së gjuhëve është ende e shtruar për zgjidhje edhe pse njihen disa disiplina të shkencave gjuhësore. Gjuha është fjalë. Shumë fjalë. Dhe ende të gjitha shkencat e gjuhës nuk kanë një përkufizim se ç’ka është fjala dhe deklarojnë se ende nuk dinë se si është krijuar ajo.  

Fjala (morfema), në gjuhësinë konvencionale, studiohet si një klishe apo si një atom gjuhësor i pandashëm në kuptime më minimale. Njeriu nuk dinte as se atomi mund të zbërthehej në lëndë të tjera e as se çka ai kishte brenda tij dhe sa energji do çlironte ndarja e tij. Nga fizika dimë se si është grimca është dhe e tëra dhe natyra përsërit veten. Ka dy qasje ndaj studimit të fjalës. E para është ajo që nuk e prek morfemën, sepse e pranon si të pandashme dhe vetëm sa e krahason atë me të tjera të ngjashme brenda e jashtgjuhësore dhe qasja e dytë është ajo që e ndan morfemën njësoj si atomi në pjesë më minimale e që i quajmë embriomorfema.

I pari që i dalloi një pjesë të embriomorfemave ishte Petro Zheji dhe i quante ato si simbole gjuhësore, por njihte vetëm një sasi të vogël të tyre dhe operoi vetëm me to. 

Njohja e gjithë tabelës së embriomorfemave ngjan me njohjen në kimi të të gjithë tabelës së elementëve kimikë të Mendelejevit dhe kjo njohje e plotë e kthen tabelën e embriomorfemave në një gjuhë miniature dhe bërthamë e të gjitha gjuhëve i.e. dhe këtu fillon Shkenca e Re e Etimologjisë. 

Rezultatet për kërkimet në gjetjen e origjinës së fjalëve dhe gjuhëve në masën më të madhe varen nga shkenca e Etimologjisë së Re e sipas TEORISË së EMBRIOMORFEMAVE. 

Gjermanët thonë se: duke u ushtruar, bëhesh mjeshtër. Në përpjekjen time për zbulimin e misteri të krijimit të fjalës konstatova se gjuha emërton funksionin në veprim ose në mungesë të shfaqjes së një funksioni, gjuha emërton karakteristikën më të veçantë të reales që shfaq te emërtuesi. 

Mbështetur kryesisht te dy parimet etimologjike të mësipërme të zbuluara nga unë, arrita të hartoj e botoj tetë vëllime fjalorësh etimologjikë dhe disa mijëra fjalë të motivuara etimologjikisht dhe ku asnjë prej tyre nuk është rrëzuar prej kritikës.

Më duhet të pohoj se “teoria e embriomorfemave” është e vetmja teori, që sjell një metodë etimologjike ekstremisht efikase, aq sa disa akademikë të gjuhes shqipe jo pa pezëm, duke konstatuar se sa lehtësisht etimologohen fjalët, e quajnë turboetimologji. 

Nëse një gjuhë është më e vjetra nga gjithë të tjerat të familjes së saj, apo edhe protogjuhë, ajo doemos do të ketë lënë shenjat e saj në historinë e toponiminë e paraantikitetit ose, siç mund ta themi ndryshe, në kohën para se njerëzimi filloi të përdorë shkrimin si dokument i vërtetësisë kronologjike. 

Nëse vërtetë ka patur një protogjuhë të përbashkët për gjithë popullin preindoeuropian dhe ajo ekziston ende, doemos ajo do të jetë e zonja edhe sot të etimologojë emrat e personazheve mitologjike dhe emrat e vendeve më të vjetra të asaj e kësaj bote. Njerëzimi njeh si “mitologji greke” gjithë trashëgiminë mitike të krijuar në brigjet e Mesdheut dhe të Detit të Zi, por greqishtja është krejt e paaftë të etimologojë qoftë edhe një fjalë të leksikut që ka në përdorim e jo më edhe të sfidojë veten për të dhënë etimologjinë e ndonjë personazhi mitik. Si për ta aprovuar këtë konstatim, gjuhëtari më i madh grek i të gjitha kohrave Jorgos Babinjiotis nuk pranon si greke asnjë mitologji në fjalorin e tij etimologjik “ΕΤΥΜΟΛΟΓΙΚΟ ΛΕΞΙΚΟ ΤΗΣ ΝΕΑΣ ΕΛΛΗΝΙΚΙΣ ΓΛΟΣΣΑΣ”. At’herë, a ekziston një gjuhë e vetme e cila mund të motivojë etimologjikisht mitet e paraantikitetit dhe gjuhët e antikitetit të njohur?! Nëse po, cila është dhe si e dëshmon ajo vetvehten si të tillë? Çfarë kushte duhet të plotësojë një gjuhë që të quhet origjina e gjithë familjes së saj gjuhësore? Sigurisht se një gjuhë e pretenduar si origjina e familjes së saj gjuhësore duhet së pari të etimologojë me lehtësi leksikun e saj dhe po me të njëjtën lehtësi të motivojë leksikun e gjuhëve të tjera të familjes së saj të gjuhëve. A kemi dëshmi se një gjuhë e tillë ekziston? Sigurisht gjuha që përmbush kushtet për të qenë origjina e gjuhëve ekziston dhe tashmë ajo vetdëshmohet shkencërisht se është origjina e hamendësuar e familjes i.e. të gjuhëve dhe i tejkalon profetizimet të bëra nga personalitete të së shkuarës në historinë e shkencës, që nuk po zgjatemi këtu për t’i përmendur. 

Filozofikisht e shkencërisht në vitet 70 të shekullit të shkuar, gjeniu kombëtar Petro Zheji vërtetoi se gjuha më e vjetër në botë e dokumentuar me shkrim, ajo sanskritishte, motivohej etimologjikisht nëpërmjet shqipes. Fillimisht vepra e tij e gatshme për t’u botuar në vitin 1975 u prit ngrohtë në KQ të PPSH-së, por situata ndryshoi 180° dhe Zheji u përndoq si rrallë të tjerë në historinë e shkencës botërore dhe u kërcënua edhe me prerje koke nëse do vazhdonte të merrej edhe më me studime gjuhësore dhe kështu vepra e tij u botua pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Çuditërisht edhe sot nuk gjendet në tregun e librit asnjë kopje nga tri veprat monumentale filologjike të Zhejit, si për të dëshmuar se absurdi ndaj tij vazhdon…

Porse dokumentimi shkencor se shqipja është origjina e saktë dhe e vetme e familjes i.e. të gjuhëve kërkon dëshmi edhe më të shumta e të drejtpërdrejta. Ndaj, pas Zhejit duheshin fjalorë etimologjikë të mirfilltë e të pakundërshtueshëm shkencërisht se shqipja mund të motivonte gjuhët e tjera i.e. dhe në këtë vazhdë dolën dy vëllime të etimologjisë së latinishtes e italishtes nëpërmjet embriomorfemave të shqipes si dhe dy vëllime për etimologjinë e greqishtes nëpërmjet embriomorfemave të shqipes dhe të gjithë këta fjalorë etimologjikë presin oponencë shkencore në ASH të Tiranës. Por vjetërsira sllavokomuniste nuk e konfirmon të renë shkencore në albanologji dhe as pritet që ASH e Tiranës të bëjë detyrën sipas ligjit e të konfirmojë shkencërisht nëse fjalorët, që presin oponencë, vlejnë ose nuk vlejnë…

Etimologjia e saktë e fjalëve, që kapërcen provën e pakundështueshmërisë shkencore, është prova më dominante e absolute se gjuha, që mund të etimologojë fjalët e saj dhe fjalët e gjuhëve të tjera është gjuha e qendrës dhe PROTOGJUHA. 

Ajo, për të cilën jemi të sigurt se i përket paraantikitetit, është emërtimi i personazheve mitikë. Sprova, që duhej kaluar se në cilën gjuhë janë krijuar mitet, u kapërcye. Mitet tashmë tregojnë se referojnë te gjuha shqipe e janë krijuar në gjuhën e përbashkët e të përbotshme të paraantikitetit e që përkon të jetë shqipja. Shembujt në trajtë dëshmie shkencore janë pafud! Etimologjia është dëshmia më e fortë shkencore dhe për nga rëndësia e saktësia tejkalon edhe dokumentin e shkruar. 

Për kënaqësinë e kësaj konference dhe për ata që na ndjekin, kam përzgjedhur të jap etimologjinë e ca personazheve mitologjikë. Shtoj këtu, se të gjithë emrat e miteve nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë emër të lindjes së tyre. Asnjërit prej personazheve të mitologjisë nuk i njihet emri i tij i lindjes. Ata njihen nga emrat që burojnë nga bëmat e tyre dhe në emrat e tyre gjuha ka fiksuar karakteristikën më dalluese të tyre a bëmën e tyre më të madhe të emërtuar në formën më lakonike të mundshme. 

MENELAU. Të gjithë e dimë se Lufta e Trojës nisi ngaqë princi trojan PARISI, rrëmbeu gruan MENELAU të mbretit të Spartës. 

Troja ra pas 10 viteve luftë dhe mbreti i Spartës e LAU EMËRin e tij dhe e rimori ELENËN për ta shpënë në Spartë. 

Ndaj te emri i mbretit të Spartës gjejmë shkakun e Luftës së Trojës: larjen e emrit nga turpi që i rrëmbeu gruan PARISI.

Kështu Menelau pozon etimologjikisht prej shqipes:

MENELAU =

 EMEN’E’LAU =

 EMËN E LAU =

 EMËR E LAU = E LAU EMËR(in).

PARISI ishte rrëmbyesi i mbretëreshës së Spartës, ndaj me rotacionin e buzoreve p:m (si te “pas pune”: “mas pune”) kemi:

  PARISI = MARISI < MARRISI < MARRËSI = RRËMBYESI.

Ishte e motra e Parisit e cila ishte e adhuruara e Apollonit i cili i kishte dhënë asaj aftësinë të parashihte saktë fatet e njerëzve dhe të bëhej profete. Megjithatë Kasandra nuk iu dha Apollonit e ky u zemërua dhe vendosi t’i jepte një mallkim të përjetshëm. E luti vetëm për një puthje dhe nëpërmjet puthjes i transmentoi mallkimin që Kasandra edhe pse do të profetizonte saktë të ardhmen, nuk do besohej nga njerëzit. Dhe kështu ndodhi. 

 Kasandra, kur u lind Parisi, iu lut të atit, Priamit, që ta vriste foshnjën se ai kur të rritej do i shkaktonte gjëmën Trojës. Por i jati nuk i besoi. Edhe kur Parisi u nis për një lundrim qejfi me anije, Kasandra lajmëroi se ai lundrim do sillte shkatërrimin e Trojës, por askush nuk e besoi. Të gjithë mendonin se ajo shihte ëndrra. Ndaj emri i saj pozon etimologjikisht në shqip:

 KASANDRA =KASHANDRA = KA’SHe’ANDRrA që sheh ëndrra. 

AKILI. Në gr. e vjetër e gjejmë me emrin AHILEU. Ahileu kishte vendosur të largohej nga Lufta e Trojës, por vrasja e mikut të tij të shtrenjë, Patroklit, e ktheu sërisht në luftë për AH-marrje. Në shqip themi shpesh “ka [ah] për të marrë”. Edhe fjala HAK e shqipes vjen si anagramë KAH = KAAH = KA-AH e ku AH është dhimbja e padrejtë që i ka shkaktuar dikush dikujt tjetër. 

Ndaj, AKILit, pas vrasjes së mikut tij të shtrenjtë, i lindi AH-marrja = [i LEU AH]marrja = AH i LEU > AHILEU > AKILEU = AKILE =AKILI.

Më shqip nuk mund të bëhet.

HEKTORI. Princi i Trojës që u vra prej Ahileut. Hektori, që në gr. e vjetër njihet si HEKTORAS, i kërkoi Ahileut para dyluftimit, që ai që do mbetej gjallë prej dyluftimit, të mos e shpërfytyronte trupin e të vrarit. Ahileu nuk pranoi dhe pasi e vrau princin HEKTORAS e lidhi pas karrocës dhe e tërhoqi zvarrë posht mureve të Trojës e nën sytë e përlotur të trojanëve që shihnin princin e tyre më të dashur të shpërfytyrohej prej Akilit. 

Kështu, princi HEKTORAS ishte i tërhekuni zvarrë dhe pamja më e dhimbëshme që mund të shihnin admironjësit e tij. Ndaj ajo ngjarje i dha atij emrin me të cilin e njohim në mitologji:

HEKTORAS = HEK TOR AS =

                         TOR HEK AS =

                           TORHEKAS =

                           TËRHEK’AS = asht i tërhekuni. 

 A mund të jetë motivimi etimologjik i personazheve mitikë të mësipërm një truk i autorit shqiptar për ta nxjerrë shqipen si gjuha e paraantikitetit?! Nëse po, cila është etimologjia tjetër më e saktë për emrat e këtyre personazheve mitologjikë?! Nëse po, a mundet një etimolog grek, italian a një tjetër etimolog i një kombësie tjetër të sjellë motivime etimologjike më bindëse e më të argumentuara se këto që jep shqipja nëpërmjet embriomorfeve të saj? Sigurisht JO! Autori i këtyre etimologjive nuk është as prestigjator e as pehlivan, sikurse e etiketojnë ca akademikë, që nuk kanë qullosur në jetën e tyre asnjë motivim etimologjik e asnjë prurje të shënuar shkencore. 

Arritja e etimologjive të mësipërme është rezultante e metodës së drejtë në etimologim me anë të embriomorfeve. Kështu, etimologimi i emrave të personazheve mitikë me anë të shqipes e konfirmon këtë të fundit si origjinë e gjuhës së përbashkët dhe të përbotshme të paraantikitetit në atë hapësirë, ku shumë autorë e quajnë PELLAZGJI. 

Pamundësia e gjuhësisë krahasuese për të hedhur poshtë etimologjitë e miteve me anë të embriomorfemave, tregon se TEORIA E EMBRIOMORFEMAVE është e vetmja teori shkencore që arrin në rezultat etimologjik të pakundërshtueshëm. 

Pas njohjes zyrtarisht të kësaj teorie, që një ditë do të ndodhë medoemos, gjuha shqipe e shqiptarët do të shihen shumë më ndryshe nga bota shkencore e nga gjithë njerëzimi. 

“Lum kush të rrojë e ta shohë ZOJË!”.

—————————–

Agron Dalipaj shpjegon në tabelë pse fjalët kanë prejardhje nga shqipja

Agron Dalipaj – etimolog ,studiues – Mirëmëngjesi Kosovë 12.12.2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura