ÇLIRIM HOXHA: QYTETËRIMI PELLAZGO-ILIRO-SHQIPTAR

(Pashtriku.org, 26. 07. 2012) – Këto ditë (më 21 – 22 tetor 2011) u mbajt në Tiranë Konferenca e parë në botë mbi Qytetërimin Pellazg. Kjo konferencë u organizua nga Qendra e Studimeve Pellazgjike në bashkëpunim me universitetin “Vitrina”. Punëtori kryesor për organizimin e kësaj konference ishte Prof. Dr. Luftulla Peza dhe bashkëshortja e tij, studiuesja e apasionuar zonja Liljana Peza. Në këtë konferencë të suksesshme u mbajtën 17 kumtesa nga studiues të antikitetit pellazgo-iliro-shqiptar, të cilët hodhën dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve, vjetërsinë e gjuhës shqipe, mitologjinë, historinë, arkeologjinë, perëndit dhe heronjtë e racës tonë të vjetër.

Prof.Dr.Luftulla dhe Liljana Peza.

………………………………………..

Konferenca dëshmoi edhe një herë me fakte dhe argumente origjinën e shqiptarëve, qytetërimin e pellazgëve në Mesdhe dhe Europë qysh në agimet e epokës njerëzore. Ajo që u ra në sy të gjithëve në këtë konferencë, ishte mungesa e përfaqësuesve nga institucionet akademike të shtetit, si Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës etj. Këto institucione ishin të ftuara në këtë konferencë, por nuk denjuan të merrnin pjesë. Kuptohet, dy mund të jenë arsyet e kësaj indiference. E para është frika për t’u përballur me të vërtetat historike të qytetërimit pellazg, gjuhën pellazgo-ilire si rrënja e gjuhëve europiane të këtij kontinenti. Dhe e dyta, është xhelozia e bashkëpunimit të Qendrës së Studimeve Pellazgjike me një universitet privat?!
Le të ndalemi tek meraku i parë. Kanë kaluar 20 vjet pas përmbysjes së sistemit komunist në Shqipëri dhe liria e fituar na ka bërë që të mos kemi frikë të studiojmë në detaje dhe me fakte të vërtetat e racës sonë. Për fat të keq ka 20 vjet që nga Akademia e shkencave, Instituti i Historisë, dhe dikasteret e arsimit dhe kulturës, nuk është bërë, mund të them asgjë, për të hedhur dritë mbi tezat e shumë studiuesve dhe historianëve të huaj dhe shqiptarë mbi prejardhjen pellazgo-ilire të shqiptarëve, vjetërsinë e gjuhës shqipe, rrënjët e kësaj gjuhe në formimin e gjuhëve europiane, etj.
Ka një frikë për t’u përplasur me falsifikimet e studiuesve dhe historianëve të huaj, që shumicën e bëmave të qytetërimit pellazg ua kanë veshur grekëve?! Kjo tregon se, studiuesit tanë të institucioneve nuk kanë kurajo të thellohen në studimet e tyre dhe ti tregojnë botës të vërtetat e pamohueshme të rrënjëve të qytetërimit pellazgo-ilir. Për çudinë tonë, këto të vërteta po na i thonë dhe tregojnë studiuesit e huaj, apo studiues me origjinë shqiptare, por që jetojnë apo kanë jetuar në vendet e huaja.
Me dhjetëra botime kanë dalë gjatë këtyre 10 viteve të fundit në lidhje me të vërtetat e qytetërimit pellazgo-ilir, por në librat e historisë në shkollat tona të të gjitha cikleve nuk është pasqyruar asgjë nga këto. Këto libra mbeten me ato pak njohuri për pellazgo-ilirët që kanë referuar disa profesorë dhe akademikë, të cilët për fat të keq, nuk guxojnë për më tej?! Të mbash peng të vërtetat historike, mitologjike, arkeologjike, perëndike, heroike apo gjuhësore të racës më të parë të vendosur në shtratin e formimit njerëzor, kulturor dhe gjuhësor të Europës, është një dështim i turpshëm dhe një mungesë kapaciteti intelektual për t’u përballur me argumentet e falsifikuara të botës.
Sot e gjithë bota e di dhe e mëson nëpër shkolla se, fëmijëria e kulturuar e Europës ka qenë Greqia?! Këtij falsifikimi të madh të historisë iu dha përgjigje me kurajo intelektuale nga rreth 20 studiues, historianë, shkrimtarë dhe gazetarë gjatë Konferencës së I-rë Shkencore në botë mbi Qytetërimin Pellazg, organizuar këto ditë në sallën e Akademisë së Shkencës nga Qendra e Studimeve Pellazgjike drejtuar nga Prof. Dr. Luftulla Peza.

Tiranë, 21 – 22 tetor 2011: Konferenca e parë mbi qytetërimin pellazg

…………………………………..

Në kumtesat e tyre studiuesit e pranishëm që e morën fjalën, dëshmuan me fakte lidhjen e pazgjidhshme midis gjuhës pellazge dhe asaj shqipe. Kjo gjuhë nga forma më e lashtë pellazge ka evoluar në formën më të re, në gjuhën e sotme shqipe. Studiuesja e parahistorisë në Pragë, Prof. Dr. Liljana Peza theksoi gjatë kumtesës së saj se, zëri dhe provat e tyre të shumta dhe të sigurta, shpesh i janë nënshtruar dhe i nënshtrohen edhe sot “sulmeve bajate” të konservatorëve dhe dogmatikëve, që mbështeten mbi dogma të vjetruara dhe të prapambetura në fushën e dijes ose e bëjnë këtë për qëllime politike dhe vetjake. Lexoni sot të rejat më të fundit mbi pellazgo-ilirët, por që fatkeqësisht këto të reja ende nuk po merren në konsideratë nga Akademia e shkencave, Instituti i Historisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës apo Ministria e Turizmit, Kulturës etj.
Profesoreshë Liljana Peza na dëshmoi me fakte se, Hans E. Tunman (1746-1778) i pari studiues, që ju kushtohet pellazgëve në kohën moderne, i njeh ata si popull autokton para helen në rajonin e Egjeut, dhe shqiptarët pasardhës të tyre. Nikoll Keta (1741-1803) i pari studiues i racës shqiptare, që është marrë me historinë e shqiptarëve dhe gjuhën shqipe. Këta nënvizojnë se: “Pellazgët janë stërgjyshët e lashtë të maqedonasve, epirotëve dhe shqiptarëve dhe për rrjedhim edhe gjuha shqipe rrjedh nga ajo pellazge”. Gjeografi francez Konrad Maltebrun (1755-1826) shkruan se gjuha shqipe ka karakter pellazgjik, sepse sipas Herodotit emrat e shumë perëndive vijnë nga gjuha pellazge.
Johan Georg von Han (1811-1869) mbështet pranin e qytetërimit pellazg para helen dhe lidhjet e pellazgëve me shqiptarët, identifikoi gjuhën pellazge me gjuhën shqipe. Epirotët, maqedonët dhe ilirët janë farefis, me gjuhë dhe histori të përbashkët, përfaqësues të pellazgëve të lasht.
Studiuesi francez Eduart Shnajder midis të tjerave ka theksuar: “Gjuha pellazge është monumenti që flet për origjinën e gjuhëve europiane”.

………………………………………….

Pelasgian Inspirations, Life Before Greece.

………………………………….

Luis Benlou (1818-1900) është marrë gjerësisht me qytetërimin pellazg. “Studimi i vëmendshëm i antikitetit grek, i emrave të qyteteve më të lashta të tij, maleve dhe popullsive, të një pjese të zotave të tij, të çon të rezultat të njëjtë. Shumë nga këto qytete thuhet shprehimisht se i përkasin pellazgëve, lelegëve, kaukonëve dhe dardanëve. Deri më sot një gjuhë e vetme duket se arrin të bëjë të kuptueshëm emrat e këtyre viseve: kjo është gjuha shqipe”. Zaharia Majani, historian francez, i pari studiues, që etruskët i quan farefis me pellazgët, që kanë folur gjuhën e Aleksandrit të Madh dhe Pirros së Epirit. Gjuha shqipe është gjuha çelës për etruskët, duke u dhënë drejtim të ri studimit të etruskëve.
Robert d’Angely (1893-1966) studiues francez, që gjuhën pellazge e lidh me shqipen, epikat e Homerit fillimisht janë shkruar në gjuhën pellazge, më pas u transkriptuan në gjuhën helene. “Shqipja si gjuhë është gjeniale dhe është për të ardhur keq, që shqiptarët e sotëm ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e saj gjuhësore universale. Deri tani asnjëri prej tyre nuk ka ditur ta studiojë dhe ta thellojë siç e meriton në këtë kuptim gjuhësor.
Dijetarët shqiptarë gjithmonë kanë shkuar tepër pas gjuhëtarëve perëndimor dhe në veçanti të atyre që quhen albanologë”. Edvin Zhak (1909-1996) historian amerikan, i njohur me librin mbi historinë e Shqipërisë. Shqiptarët i quan pasardhës të pellazgëve. Më të spikaturit e racës shqiptare ai përmend heronjtë e Trojës dhe të Mikenës, Homerin, Hesiodin, Aristotelin, Aleksandrin e Madh, Pirron e Epirit, Konstandinin e Madh, Justinianin e Madh, disa papë të Vatikanit, Skënderbeu etj.
Martin Bernal në librin e tij “Athina e Zezë”, hedh dritë mbi rrënjët afro-aziatike të qytetërimit klasik dhe fabrikimin e Greqisë Antike (1785-1985). Lista e studiuesve shqiptar dhe të huaj vazhdon me argumente dhe fakte mbi prejardhjen pellazge të shqiptarëve, gjuhën dhe qytetërimin e tyre. Që nga Pashko Vasa, Sami Frashri, Spiro Konda, Nermin Vlora Falaski, Xhuzepe Katapano, Aristidh Kola, Dhimitër Pilika, Mati Aref, Luftulla dhe Liljana Peza, Ali Eltari, Çlirim Xhunga, Elena Kocaqi, Petro Xhej, Niko Stillo, Arsim Spahiu, Lirim Muhaj, Sazan Guri, Leonard Prifti, Shpresa Musaj, Anastas Shuke, Asqeri Boçi, Rexhep Doçi, Petrit Belliu, Agim Çadri, Miti Koçi, Pavllo Shkarpa, Sokrat Hanaj, Stavri Trako etj. Të gjithë këta dhe ata që cituam më sipër, na sjellin fakte dhe argumente shkencor se, shtrati mbi të cilin u ngrit qytetërimi europian i përket pellazgëve, ilirëve dhe shqiptarëve.
Luftërat e gjata dhe konfliktet brenda llojit na kanë bërë që të mos merremi me të vërtetat e racës sonë, por ti lejojmë fqinjët dhe historianët e tyre që ta falsifikojnë, ta denigrojnë, ta përvetësojnë dhe ta shesin historinë, mitologjinë, arkeologjinë, arkitekturën, perënditë, heronjtë dhe të gjitha bëmat e racës tonë si të tyren.
Dihet botërisht se grekët janë mjeshtër të falsifikimit të historisë në favor të tyre. Ata janë vjedhës të gjithçkaje që u përket të tjerëve, janë manipulatorë të regjur të bëmave dhe perëndive të mitologjisë pellazgo-ilire. Për ta argumentuar këtë do të sillja një shembull të disa ditëve më parë. Gjatë samitit të BE në Bruksel, ku po diskutohej mbi krizën e eurozonës dhe krizën greke në veçanti, Presidenti i Francës Nikola Sarkozi i pyetur për faljen e një pjese të borxhit grek, u përgjigj: “Me Greqinë është bërë gabim që në fillim. U pranua në eurozonë me falsifikimin e dokumenteve të saj”. Kjo deklaratë nuk ka nevojë për koment. Grekët nuk e kanë të ri vesin e falsifikimit. Po të njëjtën gjë mund të themi për serbët dhe sllavët e jugut në përgjithësi. Ata i shiten botës si shumë të vjetër, por me zjarr dhe hekur janë përpjekur të zhbëjnë kulturën dhe qytetërimin pellazgo-ilir në shekuj. Pavarësisht të gjitha këtyre fakteve, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Institutit të Historisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk do t’u mjaftonte për tu bindur se, historia e antikitetit shqiptar duhet ndryshuar.
Të dhënat e shumta historike në dritën e studimeve dhe zbulimeve të reja dhe të vjetra duhen përfshirë në tekstet e historisë në të gjitha nivelet e shkollave tona. Brezat e shqiptarëve duhet të rriten me krenarinë e racës së parë autoktone që u krijua në Europë dhe në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe. Duhet të rriten me krenarinë e gjuhës së bukur pellazgo-iliro-shqipe, nënës së të gjithë gjuhëve të Europës. Ja, këto të vërteta të historisë antike duhet të mësohen në të gjitha ciklet e shkollave në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo ku ka shqiptar. Me këtë rast, krijimi i Qendrës së Studimeve Pellazgjike dhe mbajtja e Konferencës së Parë në botë për Pellazgët, duhet përshëndetur. Duhet përshëndetur së bashku me Prof. Dr. Luftulla dhe Liljana Pezën dhe gjithë grupin nismëtar dhe anëtarët e saj, si një arritje dhe një objektivë për ndriçimin e së vërtetës pellazge përmes studimeve dhe botimeve të vazhdueshme ndër vite. Të bashkuar, shprehet studiuesi Lirim Muhaj, mund të bëjmë të vërtetë idenë e Hanit: “Shqiptarët ende s’e kanë thënë fjalën e tyre, kur ta thonë do të çudisin botën”.

………………………………………………….

Në vijim shikoni pamje nga – Konferenca e parë shkencore mbi qytetërimin pellazg, oganizuar nga Universiteti Vitrina dhe Qendra për Studime Pellazgjike.

………………………………………………

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura