DARIO REXHOLLLARI: ‘LOJA E FITUAR’ ËSHTË NJË PËRSIATJE NDAJ ҪDO GJËJE TË NDODHUR

Tiranë, 07. 11. 2014 – Dario Rexhollari i ka mahnitur të gjithë artëdashësit shqiptar. 18 vjeçari, duke kapërcyer vitet e tij me një të kapur të penës nxori në dritë romanin e parë. Nuk kishte lëvruar asgjë tjetër më herët dhe krijesa e tij e parë është “Loja e fituar”, një vepër letraro-filozofike. “Ndonëse në pamje të parë duket sikur diskutohen vetëm problemet sociale të një adoleshenti çapaçul, ajo çka përbën thelbin e vërtetë të problemit, fshihet në prapaskenë. Në brendësi të çdo ndodhie: rebelimi, sherri, mos kokëçarje, dashurie të nxituar, pjekurie, aspiratë, e dëshirë për të ecur para; problemi i vërtetë nuk gjendet në atë çka shihet, por në atë çka nuk shihet. Të shohësh të padukshmen, do të thotë se e njeh mirë të dukshmen, pasi e dukshmja mundëson të padukshmen. Unë nuk mund të ndalem e të shtjelloj çdo eksperiencë; duhet lexuar romani (Loja e fituar) për këtë; ama mund të them se këto eksperienca, ndihmuan në çeljen e siparit të njohjes së vetvetes.” – kështu është përgjigjur Dario Rexhollari në intervistën e zhvilluar me albanologen Dr.Rovena Vata.

– Shkrimtari Dario Rexhollari –

Pashtriku.org: Pse “Loja e Fituar”?
DARIO REXHOLLARI:
“Loja e Fituar” pasi është një përsiatje ndaj çdo gjëje të ndodhur, por kundra vullnetit, e cila finalizohet me fitimin. Nëse noton në thellësi, kupton sesi personazhit kryesor, çdo gjë i rrjedh në krah të kundërt me atë çka ai dëshiron. Çdo përpjekje për të qëndruar në vendin e zënë, çdo përpjekje për të mos u përshtatur, për të qëndruar larg nga ndotja, apo për të triumfuar ajo që është e drejtë, dështon, duke shkaktuar humbje të njëpasnjëshme në psikologjinë e personazhit, të cilat, në mënyrë paradoksale, e ndihmojnë për të fituar lojën e tij.
Një tjetër aspekt është përballja me gjyshin, një ateist i vetërealizuar i cili kundërshton çdo gjë jashtë racionales. Deinarti, ndonëse nuk ka dijen e mjaftueshme, vendos të fuqizojë besimin dhe të pranojë ekzistencën e një force mbinjerëzore. Njëtrajtësisht, edhe përballja me lojërat e shahut, të cilat humben të gjitha nga djaloshi, finalizohen në përfundim me fitore, pasi në debatin e krijuar mes tyre, gjenerali e pranon vetë se ekziston një forcë e tillë, e cila nuk mund të kërkohet askund tjetër veçse në vetvete.
Pashtriku.org: Problematika e romanit tuaj?
DARIO REXHOLLARI:
Ndonëse në pamje të parë duket sikur diskutohen vetëm problemet sociale të një adoleshenti çapaçul, ajo çka përbën thelbin e vërtetë të problemit, fshihet në prapaskenë. Në brendësi të çdo ndodhie: rebelimi, sherri, mos kokëçarje, dashurie të nxituar, pjekurie, aspiratë, e dëshirë për të ecur para; problemi i vërtetë nuk gjendet në atë çka shihet, por në atë çka nuk shihet. Të shohësh të padukshmen, do të thotë se e njeh mirë të dukshmen, pasi e dukshmja mundëson të padukshmen. Unë nuk mund të ndalem e të shtjelloj çdo eksperiencë; duhet lexuar romani për këtë; ama mund të them se këto eksperienca, ndihmuan në çeljen e siparit të njohjes së vetvetes. Problematika e vërtetë e romanit, është edhe një ndër pyetjet më madhore filozofike, të cilën e gjen në shumë përgjigje, dhe në asnjë të vërtetë, pasi nuk ka një të tillë. Duke zgjeruar atë çka është, me fundin e romanit, i jepet përgjigje edhe kësaj dileme, e cila shfaqet sipas botëkuptimit tim.
Pashtriku.org: Çfarë vlerësimi ke për krijuesit shqiptarë?
DARIO REXHOLLARI:
Nga të gjithë ‘zotat’ që unë njoh, shqiptarët janë ata më të paktit që jam në dijeni. Kuptohet, në këtë kategori, futen ata të klasifikuar si bashkëkohorë, pasi botohet shumë, dhe duke folur si një lexues, nuk di se çfarë të lexosh, pasi nuk bëhet dallimi midis të pastrës dhe të pistës.
Pashtriku.org: Si e sheh ti mungesën e kritikës në Shqipëri?
DARIO REXHOLLARI:
Absurde. Është si një trup pa tru, apo një tru pa trup. Ndjej një neveri të thellë, pasi nga kjo, rrjedhin mjaft të tjera, të cilat, kuptohet, janë personazhe antagonistë të njerëzimit. Është si një siluetë e ‘kanonizuar’ nga vetë frymorët, në të keqe të tyre. Për aq kohë sa nuk do të ndryshojë, Shqipëria nuk do të ketë letërsi të mirëfilltë.
Pashtriku.org: Po për mungesën e përkthimeve dhe njohjet e pakta jashtë?
DARIO REXHOLLARI:
E, natyrisht, përgjigja e kësaj pyetjeje, përmendet në ato të mëparshme. Nuk mund të pretendosh për zotërimin e të huajit, pa mbërthyer të njohurin, evlatin. Mungesa e kritikës, është ajo çka shkakton pjesën më të madhe të kësaj pasoje. E përsëris: Nuk mund të pretendosh për zotërimin e të huajit, pa mbërthyer të njohurin.
Pashtriku.org: Si mendoni, duhet të ekzistojë apo jo lidhja e shkrimtarëve?
DARIO REXHOLLARI
: Mendoj se bashkimi është frytdhënës, por nga ana tjetër, më avitet në mendje silogjizma: A mund të bëhet filozofi me barkun bosh?
Pashtriku.org: Cili është mendimi juaj për letërsinë e realizmit socialist?
DARIO REXHOLLARI:
Një pjesë autorëve të asaj kohe, kanë ’treguar duke mbuluar’ në letërsinë e tyre. Sipas mendimit tim, tregohet për të treguar, dhe jo për të fshehur. Natyrisht, disa prej përbërësve të kësaj rryme, janë shtyrë në hapa më të mëdha në krijimtari, duke kthyer disavantazhet në avantazhe, që kanë ’mbuluar duke treguar’; por për të mos devijuar nga pyetja…çfarë mendimi duhet të kem për një ushqim të përtypur?
Pashtriku.org: Si do ta komentoni debatin Qosja-Kadare?
DARIO REXHOLLARI:
Nuk do të ndalem në komentimin e debatit, por në idenë se ka ndodhur debat. Të ndodhin debate është trokitja drejt asaj porte, që të ndihmon në gërmimin e rrënjëve, në këtë rast të identitetit. Ndonëse mendimet janë krejt të kundërta, vlerat në formë dobie që ato përcjellin janë të mëdha. Di të them se ndryshe nga fushat e tjera, kur ky litar tërhiqet, nuk këputet, por forcohet, ndonëse nga ana e debatuesve mund të pretendohet ndryshe.


(Intervistën e realizoi: Dr.Rovena Vata, albanologe)

٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢

DR.ROVENA VATA (ALBANOLOGE): ‘NGA PREMTIMI PËR LIBËR TË HAPUR, PËR BASHKËKRIJIM AUTOR-LEXUES-ROMANCIER’ (STUDIM SHKENCOR DHE NARRATOLOGJIK I ROMANIT ‘LOJA E FITUAR’) – NGA SHKRIMTARI DARIO REXHOLLARI

HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=3279

٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢٢

SHTOJCË NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG

DARIO REXHOLLARI: FORMULA – SHKRUAJ LIBRIN QË DËSHIRON TË LEXOSH!

“Ngjarja i ka kthetrat të ngulitura thellë në një interval të vërtetë jetësor. Vendet dhe personazhet, janë krijuar dhe kombinuar së bashku, për të funksionuar si univers brenda universit. Gjithçka, në mënyrë lakonike, nga dikushi, shpërngulja, nisja nga hiçi, sherret, karriera artistike, ndodhitë në institucione, dialogjet, apo edhe vetë letrat e shkëmbyera, zënë vend në këtë interval. I takon lexuesit gjykimi për zbulimin e kësaj grimce…” – thotë shkrimtari i Ri, Dario Rexhollari.


KU MUND TA GJENI ROMANIN “LOJA E FITUAR”?

Romani ”Loja e Fituar” gjendet në çdo librari Adrion në Tiranë (tek ETC, TEG dhe Muzeu Kombetar) dhe Libri Universitar, ndërsa në Pogradec, tek libraria Pogradeci.
***

Dario Rexhollari autori i romanit ”Loja e Fituar” , ORA NEWS:

………………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura