DAUT DAUTI: ҪËSHTJA SHQIPTARE NË DIPLOMACINË BRITANIKE (1877 – 1880)

(Pashtriku.org, 25. 02. 2013) – Angazhimi britanik për të bindur Portën dhe Shqiptarët për zbatim të vendimeve të Konferencës së Berlinit… Nga janari e deri në verë të vitit 1880 qeveria britanike, në disa raste, e kishte njoftuar qeverinë greke se duhej respektuar një sërë të drejtash të popullatës shqiptare, e cila do të gjendej brenda kufirit të saj. Trikupi, nga mesi i muajit korrik, e lajmëroi qeverinë britanike se qeveria greke do të angazhohej që popullatës, e cila do të përfshihej brenda kufijve të rinj, do t’ua siguronte të drejtat religjioze që dilnin si të domosdoshme nga Traktati i Berlinit. Ai theksoi se qeveria greke, me dëshirë të saj, do të merrte iniciativë të siguronte edhe të drejtat pronësore të popullatës dhe do të respektonte pasuritë apo vakëfet me të njëjtat kushte dhe procedura që ishin bërë në Serbi, në Rumani dhe në Mal të Zi. Do të lejohej që, personave të përfshirë brenda kufirit të ri, nëse largoheshin më pas nga Greqia, t’u ruheshin pasuritë, të cilat mund të administroheshin nga ndërmjetësit. Trikupi paralajmëroi sigurimin e një vargu të drejtash, por shqiptarët nuk besonin në premtimet greke.
Ambasadori Goschen, më 19 korrik, u takua me Abedin Pashën për të biseduar përkitazi me mbrojtjen e të drejtave të popullatës që do të kalonte në Greqi. Goscheni ia përkujtoi pashës se sekretari britanik kishte kërkuar nga qeveria greke garanci për të cilat Trikupi ishte shprehur pozitivisht. Këto të drejta mund t’i shtoheshin Traktatit në rregullimin final të çështjes. Abedin Pasha e kishte pyetur ambasadorin nëse këto të drejta nënkuptoheshin pa pasur nevojë të ofroheshin garanci dhe pa bërë marrëveshje, pasi prona private duhej konsideruar e shenjtë. Otomanët e kishin konsideruar pronën kështu, kudo që kishin marrë territore të reja. Nga kjo, a do të thoshte se Greqia do t’ua garantonte shqiptarëve të drejtën e pronës?, e kishte pyetur Pasha ambasadorin. Goscheni i tha se ai mund t’i përgjigjej vetë kësaj pyetje, duke u bazuar në eksperiencën e tij gjatë historisë së re. Duke u përgjigjur, Abedin Pasha theksoi se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në Serbi, në Mal të Zi dhe në Rumani, ku të drejtat e pronarëve nuk ishin respektuar, edhe pse kishin ekzistuar garanci nga shtetet në fjalë. Duke u bazuar në këtë përvojë, Pasha theksoi se nuk ishte e rëndësishme nëse shqiptarët rezistonin, apo kalonin të qetë nën pushtetin grek, pasi që të gjithë e dinin se pronat do t’u konfiskoheshin. Ambasadori Goschen u mundua që me diplomaci të përgjigjej në këtë pyetje, por nuk pati sukses, pasi që edhe ai e dinte se Greqia, sikur edhe shtetet e përmendura më lart, nuk do të përmbushnin kurrfarë premtimi.

Sekretari i jashtëm britanik e kishte porositur ambasadorin Goschen që ta njoftonte qeverinë otomane se qeveria greke do të obligohej t’i respektonte të gjitha të drejtat e shqiptarëve, të cilët do të përfshiheshin brenda territorit të ri grek. Garantimin e këtyre të drejtave, Sekretari britanik, e kishte bërë duke i numëruar ato në këtë mënyrë:
– Të sigurohej liria fetare sipas Traktatit të Berlinit;
– Të siguroheshin të drejtat pronësore;
– Të sigurohej në mënyrë Bona Fide pasuria shtetërore otomane dhe pasuria religjioze sipas Traktatit të Berlinit;
– Të lejohej kohë e mjaftueshme për personat që dëshironin të mbanin shtetësinë otomane dhe të largoheshin dhe këtyre personave t’u mundësohej shitja e pasurive apo, nëse nuk dëshironin ta shisnin, të sigurohej mundësia e administrimit me anë të përfaqësuesve;
– Të mos shqetësoheshin personat për pasuritë e tyre për shkaqe politike, apo për aktiviteteve të mëparshme që kishin bërë gjatë kohës kur territori ishte nën sundim otoman;
– Të gjithë myslimanët të kenë të drejta të plota që t’i gëzojnë të gjitha të drejtat civile dhe politike dhe përfshirjen e plotë në jetën politike, të përfshihen në pozita publike dhe profesionale; dhe,
– Greqia do të merrte përsipër pjesën e borxheve otomane për Epirin dhe Thesalinë.
Pas dorëzimit të vendimit të Konferencës së Berlinit, i cili dorëzim qe bërë në mënyrë kolektive nga të gjithë ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Konstantinopojë, Porta, më 27 korrik, i ktheu përgjigje ambasadorit britanik. Otomanët theksonin se, kur ishte nënshkruar Traktati i Berlinit, Porta nuk kishte pritur ndonjë propozim të këtillë nga Fuqitë ndërmjetësuese. Me anë të këtij ndërmjetësimi, Greqisë po i jepej territori që i takonte Shqipërisë, sikur edhe tërë Thesalia, që së bashku përbënin territor më të madh nga ai sa kishte Greqia, konkludoi Porta. Me këtë rast, nuk ishte respektuar aspak kriteri strategjik, pasi Mecova, e cila kishte rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë e Jugut, i ishte dhënë Greqisë. Ankesat e Portës ishin të mëdha dhe të drejta. Porta, për të satën herë, deklaroi se një vendim i këtillë ishte aq shumë dëmtues, politikisht dhe ekonomikisht, sa që ishte tejet vështirë të zbatohej. “Si ta dorëzojmë Janinën dhe pastaj të mendojmë se jemi mirë me shqiptarët”?, e kishte pyetur Abedin Pasha ambasadorin Goschen.
Përcaktimi i shqiptarëve për t’i rezistuar aneksimit grek, ishte i pamohueshëm. Megjithatë, nënkonsulli Onofrio theksonte se, brenda udhëheqësve dhe aktivistëve të Lidhjes Shqiptare (Prizrenit), ekzistonte një grup që besonte se konflikti ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve mund të evitohej. Ky grup mendonte se duhej shtyrë Greqinë të bënte kompromis sa i përkiste Epirit. Këta shqiptarë ishin të vetëdijshëm se, me anë të aneksimit, do të absorboheshin dhe do të shkriheshin shpejt në Greqi, duke e humbur identitetin dhe trashëgiminë kulturore që kishin. Shikuar edhe disa fakte historike, Onofrio, theksonte se, shqiptarët dhe grekët mund të bashkëjetonin, nëse në kushtetutën greke bëheshin ndryshime. Por, mënyra më e mirë, sipas Onofrios, që sugjeronte një grup i shqiptarëve aktivistë të Lidhjes, ishte krijimi i Konfederatës shqiptaro-greke. Në këtë konfederatë, të udhëhequr nga mbreti i Greqisë, mund të hynte edhe veriu i Shqipërisë.
Onofrio theksonte që ky grup argumentonte se një skemë e tillë politike do të ishte në interes të shqiptarëve dhe të grekëve, do të ruante dinjitetin e të dy kombeve, dhe do të ishte në gjendje që të zmbrapste agresionet nga jashtë. Onofrio shihte edhe një përparësi që mund të ofronte kjo skemë. Sipas tij, kjo konfederatë, gjatë procesit dhe brenda një kohe jo të gjatë, do t’i helenizonte shqiptarët me anë të administratës, e cila do të ishte greke në karakter. Mbi të gjitha, sipas kalkulimeve të nënkonsullit, kjo konfederatë do t’u jepte fund tendencave sllave, por edhe atyre austro-hungareze dhe italiane, për aneksimin e Shqipërisë.
Duke i raportuar sekretarit të jashtëm, këtë paraqitje të Onforios e përkrahu edhe konsulli Reade nga Korfuzi. Reade shtonte se grekët nuk do të duhej të armiqësoheshin me shqiptarët, pasi që, në një të ardhme të afërt, mund të ishin aleatë të njëri-tjetrit kundër tendencave ekspansioniste sllave. Konsulli Reade besonte se numri i shqiptarëve me influencë, që ishin në favor të “skemës Onofrio”, ishte i konsiderueshëm. Problemi ishte se kjo ishte vetëm një ide që duhej zhvilluar më tej. Në fakt, kishte mbetur pak kohë që ideja e kësaj “skeme” të zhvillohej, pasi që të dy palët (shqiptarët dhe grekët) planifikonin të shiheshin vetëm nëpërmjet tytave të pushkëve. Të gjithë mendonin se grekët nuk dëshironin ta pranonin këtë ide. Konsulli Reade theksonte se, më së miri do t’i binte Greqisë, nëse e përqafonte një plan të këtillë, pasi dihej që numri i të rinjve grekë që ikte nga mobilizimi ushtarak ishte i madh. Të paktë ishin grekët që besonin se mund të luftonin kundër shqiptarëve, sidomos nëse shqiptarët përkraheshin nga Porta.
– (Pjesë e shkëputur nga libri “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880″ i autorit Daut Dauti)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura