DEFTERI OSMAN PËR KAZANË E GORËS 1833…, NË OPUSIN E STUDIMEVE TË DR. SADIK MEHMETIT (VIDEO)
Nga Demir Reshiti, Bresanë, 15 mars 2024
Historiani opojan dr. Sadik Mehmeti është njëri nga studiuesit aktual më produktiv në Kosovë dhe më gjerë. Në opusin e studimeve të tij hyjnë edhe një pjesë e konsideruar e librave dhe kontributeve të tjera për të kaluarën e Opojës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Ditë më parë, dr. Sadiku botoi librin e tij më të ri me titull “Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (1833) Luma, Opoja, Gora”. Përtej vlerave të përgjithshme që ka ky defter osman për ndriçimin e të kaluarës së trevës së Lumës, Opojës dhe Gorës, është i rëndësishëm edhe për hartimin e gjenaologjive familjare të banorëve të sotshëm të këtyre trevave. Ky defter njëherësh paraqet edhe regjistrimin e parë modern (censuzin) e popullsisë së këtyre fshatrave, përkatësisht të popullsisë mashkullore.
Botimi i këtij libri ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm jo vetëm në qarqet intelektuale por edhe te lexuesit e thjeshtë sidomos në krahinat e Lumës, Opojës e Gorës. Jehona që pati botimi i këtij libri ka zgjuar edhe interesimin e mediave të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj, të cilat i kanë dhënë hapësirë të konsideruar mediale.
Vlen të veçohet këtu emisioni “Gjurmë” i RTK-së përkatësisht gazetari i mirënjohur, Ilaz Thaçi i cili në kuadër të këtij emisioni ka realizuar një reportazh tridhjetëminutësh të titulluar “Defterët e Tanzimatit – Mustaqehollët”, që për tematikë ka pikërisht librin më të ri të dr. Sadikut. Reportazhi është realizuar në Prishtinë dhe në Opojë, përkatësisht në fshatin Kuk, vendlindjen e autorit të librit.
Për ta ndjekur këtë emision, ju ftojmë të klikoni në vegëzen:
Mua më pëlqeu e shpresoj t’ju pëlqejë edhe juve, të dashur miq!
Sadik Mehmeti është doktor i shkencave të historisë dhe bashkëpunëtor shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka punuar në Arkivin e Kosovës (1999-2018); pedagog i jashtëm në Fakultetin e Filologjisë (2017-2019), në Fakultetin Filozofik (2016-2018) të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë (2007-2019).
Është autor i një mori punimeve shkencore të botuara në revistat shkencore brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe autor e bashkautorë i disa monografive nga fusha e historiografisë dhe e arkivistikës.
Dr. Sadikut i dëshirojmë shëndet dhe suksese të mëtejshme në punën e tij shkencore!