Francë, 2 prill 2017: Revista ndërkombëtare britanike, nëpërmjet korrespondentit të saj në Lindje, Pierre Guerraz, – (Correspondance d’Orient – Constantinople, 14 mai 1880) – trajton çështjen shqiptare, më saktësisht dëshirën e bashkombasve tanë për liri. Shkrimi, i publikuar në gjuhën frënge, vë në dukje fillimisht interesat dhe strategjinë italiane – në konkurrencë me Austrinë e cila kishte marrë asokohe Bosnjen dhe Hercegovinën – për të sunduar trojet shqiptare.
Pavarësisht qëllimeve italiane, revista shkruan se shpallja përfundimtare e pavarësisë shqiptare nuk mund të shmangej më, sepse dëshira për liri ekzistonte prej kohësh. Madje, ajo shkruan se Lidhja Shqiptare (Bëhet fjalë për Lidhjen e Prizrenit, megjithëse revista nuk e citon) kishte vendosur të mos lëshonte qoftë edhe një pjesë të vogël toke Malit të Zi.
Gjithashtu, Lidhja kishte marrë vendimin të punësonte vetëm shqiptarë në funksionet administrative dhe juridike. Si arsye, ajo kishte pushuar katër funksionarë të lartë turq, të cilët ia dërgoi Muktar Pashës. Ky i fundit nuk guxoi të ndërhyjë në favor të bashkombasve të tij dhe si rrjedhim i riatdhesoi.
Në vijim të këtyre veprimeve për pavarësi, Shqiptarët publikuan thirrjen patriotike, e cila nuk lë asnjë dyshim mbi qëllimet e mëparshme për liri :
«Shqiptarë!
Evropa ka krijuar një principatë për Bullgarët.
Bosnja dhe Hercegovina i janë dorëzuar Austrisë.
Serbia dhe Mali i Zi kanë fituar pavarësinë dhe disa territore më shumë, ndërsa Rumelia autonominë;
po ne, çfarë kemi marrë?
Ne, Shqiptarët, ne nuk jemi imigrantë, por banorët e hershëm të këtij vendi;
ne kemi qenë të lirë e të pavarur disa shekuj më parë dhe ne mund të pretendojmë me plot fjalën të drejtën për të krijuar një Shtet.
Thesalia, Epiri, Shqipëria aktuale, ja pra trashëgimia e kombit shiptar, i cili numëron tri milion shpirtra. Atdheu ynë duhet të jetë i lirë, i pavarur dhe i qeverisur nga një princ i zgjedhur nga ne. Pra, këtë duam ne, ose në të kundërt vdekjen. Duhet të marrë fund kjo ekzistencë e turpshme.»
– Aurenc Bebja, Paris – Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania.