GJOKË DABAJ: ORGANIZIMI I INSTITUCIONIT TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE (ASKUSH TË MOS MENDOJË SE ËSHTË I LEHTË)

(Durrës, 17. 05. 2012) – Para disa ditësh u publikua te “Pashtriku” një shkrim i imi lidhur me domosdonë e krijimit të INSTITUTIT TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE. (Lexoni: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=332 ) Është e njëjta ide që e kam shtjelluar edhe në librin “Strategjia e shqiptarëvet”. Sipas informimit që më erdhi prej kryeredaktorit të portalit “Pashtriku”, z.Sheradin Berisha, një numër jo i vogël lexuesish është shprehur se shqiptarëvet vërtet u duhet një i tillë organizim dhe unë tani po shpresoj që kjo nismë një ditë edhe mund të sendërtohet. Natyrisht, nëse ekziston vullneti i pjesës më të vetëdijshme dhe më pozitive të Kombit tonë.
Për të kuptuar sa i nevojshëm është ky institucion i yni, po edhe çfarë sakrificash këkohen, unë po rendit këtu edhe disa sqarime, të cilët, me këtë rast, njerëzit tanë vullnetmirë duhet t’i kenë në vëmendje. Askush nuk duhet të mendojë se krijimi dhe sidomos funksionimi i asaj që unë e kam quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE, është një punë e lehtë. Naum Veqilharxhin e kanë helmuar, se deshi të shkruhej gjuha shqipe. Papa Kristo Negovanin e masakruan, se hapi shkollë shqipe. Petro Nini Luarasin e helmuan. Atë Shtjefën Gjeçovin e vranë, jo se ishte prift, por sepse kish hapur shkollë shqipe. Ndrecë Ndue Gjokën e vranë, jo sepse ishte komunist (Ai nuk qe komunist.), por sepse hapi shkolla në Mirditë. Autorin e këtyre radhëve, shqiptarët e Tivarit nuk do ta kishin lejuar kurrë të hapë shkollë shqipe në Tivar. Prandaj dhe u detyrua të kërkojë rrugë të tjera.

___________________________________

S’ka shumë kohë që, një ish-meshtar të dioqezës së Tivarit, Dom Nikson Shabanin (sipas dëshmisë së atij vetë), e kanë keqtrajtuar, sepse donte t’ua mësonte fëmijëvet shqiptarë lutjet Ati ynë etj., në gjuhën shqipe. Janë mbledhur 200 shqiptarë dhe i kanë thënë: “Na nuk duom qi ti me u msuo thmivet tonë uratat n’giuhën shqype.” Mbledhja ka zgjatur shumë. Është bërë zhurmë e madhe. Por, në fund, “arsyetimi” ka qenë ky: “Pse nuk doni që fëmijët tuaj t’i thonë shqip lutjet, ashtu siç i kanë thënë edhe gjyshet e tyre?” Shqiptarët e Tivarit janë përgjigjur kështu: “Se ti kshtu po do me na pru Sqypninë e Malle ktu n’Tivar.” Shtyrë nga të këtillë “incidente”, janë detyruar, me sa duket, autoritetet e kishës, e kanë hequr Dom Niksonin prej Tivarit dhe e kanë çuar në Prizren. Aty, të paktën besimtarët nuk i thonë: “Po do me na pru Shqipninë e Madhe”. Mirëpo, pa të provojë dikush me i ngritë në qendër të Prizrenit, te Shatërvani, një monument Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ashtu siç e ka Vlora në qendër të vet Monumentin e Pavarësisë! Ose një monument të UÇK-së. A do t’i lejojë kush?! Në periferi e nëpër qoshe mundet, por në qendër, jo, sepse aty, “me ligj” nuk lejon Sërbia. A ka më zi e më keq?!
Pikërisht këto, e shumë e shumë të tjera, janë arsyet që na shtyjnë të mendojmë se shqiptarëvet u duhet INSTITUCIONI I PËRKUJDESJES, sado sakrifica të kërkojë ai INSTITUCION. Organizimi i INSTITUCIONIT TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE është, pra, i kushtëzuar nga gjendja faktike, reale, e sotme, e Kombit Shqiptar. Por, edhe sikur të mos e kishim këtë gjendje, në përgjithësi përkujdesja kombëtare e cilitdo komb, sidomos në kushtet aktuale të globalizmit, është kërkesë e kohës.
PARAKUSHTET… PARASHTRIM I SHKURTËR
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë SHTETËRORE

I. Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë SHTETËRORE, ndonëse pushtetarët, drejtuesit e shtetit të të gjithë nivelevet, duhet të jenë anëtarë të Përkujdesjes dhe ta ndihmojnë atë, edhe personalisht, edhe shtetërisht (sidomos financiarisht), me të gjitha mënyrat. Përkujdesja nuk mund të jetë shtetërore, midis tjerash, edhe sepse Kombi ynë jeton në shumë shtete. Madje, ai jeton në një numër të madh shtetesh, sepse, përveç Atdheut, që e kemi të copëzuar në 6 shtete, Kombi ynë ka edhe një mërgatë aq të madhe, sa ajo e kalon disa herë numrin e shqiptarëvet që jetojnë në Atdhe. Rrjedhimisht, cilido pushtetar, i çfarëdo niveli qoftë, sado që të dëshirojë për të kontribuar në mbarëvajtjen e Kombit të vet, ai prapëseprapë e ka të lidhur punën e vet me një shtet të caktuar. Psh. një kryeministër i Rep.së Shqipërisë, mund dhe duhet të interesohet për mbarëvajtjen e shqiptarëvet në Çamëri. Por ai kurrsesi nuk mund t’i ketë në fokusin e punës së vet, as juridikisht, as financiarisht, njësoj, si Delvinën që është pjesë e Çamërisë brenda Rep.së Shqipërisë, si Filatin, që gjendet jashtë Rep.së Shqipërisë. Një pushtetar shqiptar në shtetin turk, nëse është i formuar kombëtarisht, doemos që duhet të punojë në të mirë të shqiptarëvet, por funksionalisht ai është në shërbim të shtetit turk dhe kjo s’ka si t’i mohohet. Një të tillë shqiptari, psh, kryebashkiakut të një njësie administrative të Stambollit, nuk mund t’i kërkohet që në programin e vet të punës të ketë edhe zhvillimin e arsimit midis arbëreshëvet të Italisë. Një pushtetari shqiptar në Rep.e Malit të Zi, natyrisht, i takon të punojë për mbarëvajtjen e jetës së shqiptarëvet në atë shtet, por atij nuk mund t’i kërkohet që, në programin e punës së vet, të ketë përfshirë, ta zëmë, edhe urbanistikën e Elbasanit apo të Ferizajit. Në këtë kuptim, pa qenë nevoja të rendisim tani edhe qindra shembuj të tjerë, po themi që Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë ekskluzivisht në dorën e ndonjë shteti, qoftë edhe të të quajturit shteti amë. Përkujdesja Gjithshqiptare, pra, duke qenë ekstrashtetërore, jashtështetërore, duhet të përfshijë brenda përkujdesjes së vet çdo shqiptar, në cilindo shtet që të ndodhet. Asnjë organizëm tjetër nuk do të mund ta bënte një punë të këtillë, përveç nëse shqiptarët do të kishin një fe të vetme dhe ajo të ishte rigorozisht e pavarur dhe rigorozisht autoqefale shqiptare (gjë që, për fat të keq, nuk ka ndodhur asnjëherë).

____________________________________

Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë PARTIAKE
II
. Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë PARTIAKE, ndonëse çdo anëtar i cilësdo parti shqiptare, por edhe çdo shqiptar që është anëtar i ndonjë partie joshqiptare, duhet të jetë pjesëtar i Përkujdesjes dhe ta ndihmojë atë me të gjitha mënyrat. Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë partiake, sepse në Kombin tonë ka shumë parti, të cilat nuk e unifikojnë Kombin, përkundrazi, e parcializojnë atë. Kjo nuk do të thotë që ideatorët e Përkujdesjes janë kundër ekzistencës së partive. Ato le të ekzistojnë, ato le të punojnë për interesat dhe qëllimet që i kanë në programet e vet, sigurisht, edhe për interesat e kombit, të cilit i përkasin, por, duke qenë jo TËRËSI, por PJESË (Krahaso lat. PARS, PARTIS, pjesë.), kujdesin për krejt Kombin tonë asnjëra prej tyre nuk mund dhe nuk ka të drejtë ta marrë përsipër. Shembuj: Në Rep.e Kosovës, asnjëra nga partitë e atjeshme nuk mund të bëjë fushatë elektorale mbi premtimet se çfarë do të bëjë, ta zëmë, lidhur me zhvillimin e bujqësisë në Myzeqe. BDIU-ja (Partia për Bashkim, Drejtësi, Integrim e Unitet), sado që programin e vet e ka nacional, ajo nuk mund të marrë as edhe një çerek deputeti, ta zëmë, prej çamëvet të Izmirit, të cilët në numër janë disa herë më shumë se çamët e Tiranës. E le të mos flasim për votuesit e Preshevës. BDIU-ja atje nuk ka mundësi juridike për të marrë votat. Të njëjtën gjë mund të themi për AK-në (Aleancën Kuqezi), të cilën mendojmë se e kemi përkrahur me të drejtë. Flamurin e Kombit tonë ajo mund ta çojë në Tetovë (dhe mirë bën), mund të arrijë një ditë ta shpalosë edhe në Artë. Mund të bëjë shumë gjëra dhe duhet të bëjë, por vendet në parlament ajo do t’i sigurojë vetëm nga elektorati i Rep.së Shqipërisë. PSSH-ja (Partia Socialiste e Shqipërisë) ka shpallur një program të vetin të quajtur “Rilindja Kombëtare”. E ka shpallur këtë program dhe, me këtë sllogan, ka organizuar një numër takimesh e diskutimesh. Mirëpo, vihen re, dalin gjëra që as përafërsisht nuk përputhen me Kombin tonë si tërësi. Diskutohet për ekonominë, por nuk zihen fare në gojë psh. minierat e Trepçës, ndonëse edhe ato janë pjesë e pasurisë sonë kombëtare. Shtrohet platforma e taksavet, por nuk flitet aspak për taksat që arvanitët tanë i paguajnë shtetit grek. Debatohet për sistemin e drejtësisë, por nuk përmendet gjëkundi EULEX-i, i cili ka të bëjë drejtpësëdrejti me drejtësinë në Kombin tonë. U mblodh tryezë për mediat dhe nuk u tha asnjë fjalë lidhur me të drejtat e gazetarëvet në Rep.e Kosovës. U mblodh gjithashtu tryezë për sportin, u fol shumë për një deputet dhe për një pistoletë, por nuk u tha asgjë për gjendjen dhe perspektivat e sportit në Ulqin apo në Prevezë. Vetëkuptohet që një e tillë “Rilindje Kombëtare”, në rastin më optimal, mund të “rilindë” vetëm 1/20 (1 të 20-n) e Kombit Shqiptar. Nuk është keq as kaq, në qoftë se arrihet. Por emërtimi, duke qenë drastikisht i pasaktë, është sa qesharak, aq edhe cinik e sarkastik.
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë barrë e konfesionevet FETARË
III.
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund t’i vihet barrë asnjërit prej konfesionevet tanë FETARË, për arsye se Kombi ynë ka praktikuar dhe praktikon disa religjone. Kryeklerikët shqiptarë, klerikët shqiptarë, si dhe të gjithë besimtarët shqiptarë, të cilitdo besim qofshin, mund dhe duhet të jenë pjesëtarë të Përkujdesjes, pra, mund dhe duhet të jenë patriotë, ashtu siç edhe e kanë dëshmuar në të shkuarën. Ata kanë detyrë madje të punojnë, në emër të Atdheut e të Kombit, që brenda institucionevet të tyre të mos infiltrohen persona, grupe personash, apo edhe ide perfide antishqiptare, siç ka ndodhur e po ndodh me Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare ose edhe në ndonjë rast tjetër. Përfundimisht, Përkujdesja Gjithshqiptare i ka në gjirin e vet shqiptarët e të gjithë besimeve, por udhëheqja e këtij organizmi panshqiptar nuk mund t’i lihet barrë asnjërit prej përfaqësuesvet të tyre, sepse, po iu la myslimanëvet, të krishterët mbeten jashtë kësaj Përkujdesjeje, e po iu la psh. katolikëvet, myslimanët dhe ortodoksët mbeten përsëri jashtë Përkujdesjes. Rilindësit e kanë pasë zgjidhur më së miri këtë problem tonin jo të vogël.
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë USHTARAKE
IV.
Përkujdesja Gjithshqiptare kurrsesi nuk mund të jetë USHTARAKE, në radhë të parë, sepse ky Institucion i yni synon t’i zgjidhë problemet që ka Kombi ynë me rrugë të tjera, jo me rrugën e luftës së armatosur. Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë usharake, edhe për arsyen se ushtritë u takojnë shtetevet dhe ne e kemi parë që në pikën e parë, që kjo formë e organizimit gjithshqiptar nuk mund të jetë shtetërore. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ushtarakët shqiptarë, kudo që të ndodhen, të mos jenë pjesëtarë të Përkujdesjes. Për forcat e armatosura të 2 shtetevet tanë shqiptarë as që bëhet fjalë, sepse ato e kanë në themel të ekzistencës së vet pikërisht mbrojtjen e Atdheut. Pra, ushtarakët shqiptarë janë vetëvetiu përkujdesës për Kombin tonë. Mirëpo, Përkujdesja Gjithshqiptare ka për synim ta shtrijë influencën atdhedashëse edhe te ushtarakë shqiptarë që gjenden në shërbim të shtetevet joshqiptarë. Ne duhet të arrijmë që asnjë ushtarak me kombësi shqiptare të mos pranojë për të sulmuar Atdheun e Shqiptarëvet, siç ka ndodhur në jo pak raste në të kaluarën. Ç’u tha për ushtrinë, është thënë edhe për policinë.
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë KRAHINORE
V.
Përkujdesja Gjithshqiptare nuk mund të jetë KRAHINORE, sepse, duke qenë krahinore, ajo do ta prishte unitetin, i cili është më shumë se i domosdoshëm në jetën e një kombi. Përkujdesja Gjithshqiptare vërtet duhet të organizohet në bazë vendbanimesh, por parimi i saj themelor duhet të jetë: Bashkim e jo përçarje. Aty duhet të bëhet kujdes edhe për gjëra që duken të vogla, psh barcoletat e ndryshme. Aty nuk duhet të lejohen dofarë grindjesh apo debatesh të pabukë, që ne shqiptarët i kemi me tepricë: Kush është më trim e kush më pak trim, kush është i ndershëm e kush mashtrues, kush kështu e kush ashtu. Në ambientet ku do të tubohen njerëzit e Përkujdesjes, duhet punuar me këmbëngulje që, si këngët, ashtu edhe veçantitë e tjera të krahinavet të ndryshme të pëlqehen prej të gjithëvet.

_____________________________________

Përkujdesja Gjithshqiptare është NACIONALE,…
VI.
Përkujdesja Gjithshqiptare është NACIONALE, por jo shoviniste. Ajo, jo vetëm nuk e ndjek shembullin e N.Shovenit (N.Chauvin), por është kategorisht kundër një të tillë mentaliteti. Në vend të shovinizmit, nacionalizmi i shqiptarëvet ka tiparet që ia kanë përcaktuar me kohë rilindësit tanë, që në zanafillë të kompaktësimit tonë si komb. Mjafton të lexojmë poemën e N.Frashërit “Dëshira e vërtetë shqiptarëvet” (shkruar greqisht). Në këtë mënyrë, nacionalizmi ynë predikon shkuarjen mirë me të gjithë kombet, duke mbrojtur e kultivuar me përkushtim të gjitha veçoritë tona pozitive. Kjo do të thotë: Të shkojmë mirë me kombet e tjerë, por jo t’u biem në gjunjë atyre, sepse nuk ka arsye. Nacionalizmi ynë duhet të kultivojë te pjesëtarët e Kombit tonë krenarinë, madje të ndjerit i lumtur që është i këtij gjaku, i këtij geni, i kësaj race dhe ta dojë e ta propagandojë kudo që të jetë e mundur gjuhën shqipe, një gjuhë me mundësi të jashtzakonshme shprehjeje dhe, së cilës, për nga lashtësia, shumë gjuhë të tjera as që mund t’i afrohen.
MËNYRA E ORGANIZIMIT
Baza e Përkujdesjes Gjithshqiptare është njësia vendore e Përkujdesjes. Aty ka një ambient grumbullimi dhe një person përkujdesës, të cilin unë e kam quajtur PROFESOR. Në të vërtetë, ai duhet të zotërojë, të ketë, tiparet e një MISIONARI të Kombit të vet. Është organizuesi, ligjëruesi, predikuesi, i cili ka për detyrë të mbledhë njerëzit 1 herë në javë, zakonisht të shtunavet, si dhe në ditë të shënuara. Ambienti në lokalin e tubimit u ngjan lokalevet që i kanë shoqatat tona patriotike nëpër botë. (Atje ku shihet e nevojshme, mund të fillohet puna edhe me 5 njerëz.) Ka në ballë një flamur kombëtar. Ka harta të Shqipërisë dhe të botës, ku tregohen vendndodhjet e shqiptarëvet. Ka fotografi e portrete (vepra piktorësh) të personalitetevet më të shquar të Kombit tonë. Pamje qytetesh, pamje malesh, pamje lumenjsh, pamje bregdetesh. Natyrisht, ka edhe një bibliotekë me librat më të domosdoshëm që përmbajnë njohuri për Kombin e për Atdheun e shqiptarëvet. Ka doemos edhe një ekran dhe një komplet pajisjesh elektronike dëgjimore-pamore, (audiovizive).
Në ditën dhe orarin e tubimit, orar i cili duhet të jetë i stabilizuar, jo shumë i ndyshueshëm (sepse kjo ka të bëjë me psikologjinë e frekuentuesvet), fillimisht intonohet himni ynë kombëtar. Pas himnit, ligjëruesi, përkujdesësi, mban një ligjëratë që ka lidhje me njohjen e historisë, gjeografisë, gjuhës, folklorit etj. të Shqipërisë e të Shqiptarëvet. Bëhet një interval muzikor me këngë të përzgjedhura mirë. Pjesa e dytë e ligjëratës duhet të bëjë fjalë për problemet aktualë të Kombit tonë dhe për qëndrimin që duhet të mbajnë shqiptarët ndaj njërës apo tjetrës ngjarje. Prapë muzikë, sekuenca filmike etj. Nëse janë mundësitë, mirë është të ketë edhe një ambient sportiv, ku të rinjtë dhe fëmijët të mund të bëjnë ndeshje. Nëse ka mundësi, po në atë vend, bëhen edhe përgatitje grupesh artistikë. Ndërkaq, të rriturit dhe më të moshuarit, bisedojnë, të mbledhur rreth përkujdesësit, për problemet që i ka komuniteti i atyshëm.
Të gjithë ne e dimë që problemet dhe hallet e shqiptarëvet janë aq të shumtë, sa nuk do të mjaftonte 1 ditë në javë për t’i shqyrtuar e për t’u gjetur zgjidhjet. Ambienti, ekonomia, tregtia, punësimi, shkollimi, shëndeti, ndërtimet, dritat, ujësjellësi, veprimtaritë artistike, veprimtaritë sportive, marrëdhëniet me pushtetin, padrejtësitë që u bëhen, sjelljet e njerëzvet, thashethemet, vjedhjet, gjaqet, droga, parandalimi i konfliktevet, brenda familjevet dhe midis familjevet, parandalimi i tragjedivet. Prapë ekonomia, prapë parandalimi i tragjedivet, parandalimi i të atillë mordeve e gjëmave që po ua mbyllin derën me ferrë qindra familjeve tona, përballja me gjakmarrjet, ngujimet.
Përkujdesësi bisedon me më të mençurit.
Shtrohen pyetjet:
Çfarë mund të zgjidhim vetë?
Çfarë t’u relatohet organevet të pushtetit?
Për çfarë të kërkohet ndihmë nga qendra e Përkujdesjes?
Për çfarë del e domosdoshme për t’iu drejtuar organevet gjyqësorë?
Si të ndihmohet një pjesëtar i yni që ka rënë në burg?
Çfarë të bëhet me 1 apo 5 familje që s’kanë bukë të hanë?
Ekzistojnë e do të ekzistojnë përjetësisht probleme nga më të ndryshmit, të cilët, po nuk u zgjidhën në mënyrë të organizuar, me metoda të mençura e dashamirëse dhe me drejtësi, u mbeten për t’i “zgjidhur” anarkisë, spontanitetit dhe dhunës.
Cilësitë e MISIONARIT TË KOMBIT SHQIPTAR, që mund të emërtohet modestisht edhe përkujdesës, duhet të jenë TË DALLUESHME. Cilësia e parë e një përkujdesësi të kohës sonë, i cili, mendojmë ne, duhet të jetë udhëheqësi modern i shpirtit tonë kombëtar, është erudicioni i tij. Ai duhet të ketë lexuar dhe të lexojë, në vazhdimësi të pandërprerë, libra të të gjitha sferave, në mënyrë që askush të mos mund ta cilësojë si injorant. Në mënyrë të veçantë duhet të njohë Kombin e vet, në të gjitha fushat: gjuhën shqipe, historinë e ilirëvet, historinë tonë të Mesjetës, kur u quajtëm arbër dhe historinë tonë të kohëvet më të reja, që kur kemi filluar të quhemi shqiptarë. Duhet të njohë mirë gjeografinë e Shqipërisë, sidomos terminologjinë, e cila është sakatosur më keq se vetë Atdheu ynë. Duhet të njohë historinë dhe gjeografinë e kombevet dhe shtetevet të Ballkanit. Të njohë arkeologjinë e Ballkanit. Të njohë folklorin, vallet e vendit, veshjet, mitologjinë. Si predikues dhe si përhapës i dijevet shqiptare, përkujdesësi duhet të dijë të flasë bukur, të jetë orator. Duhet të dijë të punojë edhe individualisht me njerëzit, të jetë i afrueshëm. Të dijë të komunikojë me njerëz që kanë nivel të ulët, por edhe me personalitete. Të jetë i guximshëm, por edhe diplomat. Të dijë kur duhet folur e kur duhet heshtur. Të jetë i zgjuar, që të mos bjerë pre e provokacionevet.

_____________________________________

Nuk duhet të jetë anëtar i asnjë partie, por kjo nuk do të thotë që ai nuk di ç’janë partitë dhe të mos ketë bindje të caktuara. Është e ditur që çdokush ka bindjet dhe orientimet e vet politikë, ideologjikë, fetarë, por pëkujdesësit tonë kombëtar nuk i lejohet të propagandojë në mënyrë të njëanshme bindjet e veta, sepse ashtu mund të krijojë antipati me njerëzit që kanë bindje të tjera, rrjedhimisht largim njerëzish nga qendra e Përkujdesjes. Nëse ka qenë anëtar i ndonjë partie, ditën kur merr detyrën e përkujdesësit, ai duhet të jetë çantarësuar prej saj. Në këtë mënyrë, në ambientet ku ai punon, nuk duhet të lejohet që dikush të bëjë këmbëngulshëm ndonjë propagandë që sjell përndarje apo përçarje, qoftë partiake, qoftë krahinore apo fetare. Në ambientet e Përkujdesjes Gjithshqiptare duhet të zotërojë vetëm osmoza e shkuarjes mirë me njëri – tjetrin.
Duke qenë se organizimi i Përkujdesjes duhet të bëhet mbi bazën e habitacionit, të vendit ku banojnë njerëzit, e jo të vendit ku punojnë, do të ketë raste kur një pëkujdesës të ketë në juridikcionin e vet psh. kryeministra, ministra, kryetarë partish, kryeklerikë, deputetë, akademikë, ministra, pushtetarë lokalë të të gjithë llojevet. Me të gjithë këta njerëz përkujdesësi, që, në funksionin e vet, është një MISIONAR KOMBËTAR me përgjegësi të mëdha, duhet të jetë i aftë të kontaktojë e të punojë personalisht me secilin prej njerëzve që i përmendëm ma lart. Mbarëvajtja e Kombit varet shumë prej funksinarëvet, kurse sjellja e funksionarëvet varet shumë prej zotësisë së përkujdesësit që merret drejtpësëdrejti me secilin funksionar. E, kur themi kështu, nuk e kemi fjalën vetëm për politikëbërësit në Tiranë apo në Prishtinë. Aty po se po, por fjala është për secilin shqiptar që ka diçka në dorë, në Ankara, në Stamboll, në Athinë, në Njujork, në Londër, në Podgoricë, në Shkup.
Rrjedhimisht, një veprimtar i yni përkujdesës duhet të ketë kryer, si rregull, një shkollë të lartë. Më të përshtatshmet, si degë, do të ishin gjuha shqipe dhe drejtësia. Një përkujdesësi që ka diplomuar në degën e gjuhës shqipe, do t’i duhej t’i plotësonte njohuritë e veta edhe në jurisprudencë, kurse një juristi do t’i duhej të punonte shumë për të njohur mirë gjuhën shqipe. Por kjo nuk do të thotë që funksionin e një përkujdesësi nuk do të mund ta kryente një që ka mbaruar shkencat sociale, gazetarinë, inxhinierinë, mjekësinë etj. Mjafton që shpirti i tij të rrahë për Kombin e për Atdheun dhe përgjegjësinë e predikuesit të Kombit ta marrë me përkushtimin e duhur, që do të thotë, me përkushtimin e një apostulli.
E kemi thënë që në titull: Askush nuk duhet të mendojë se është punë e lehtë të jesh MISIONAR I KOMBIT tënd, sidomos në këto kohë jashtëzakonisht kritike për fatet e kombevet të vegjël. Për ne, nuk ka qenë e lehtë në kohën e Pushtimit Osman, nuk ka qenë e lehtë nën sllavët e nën grekët e mëparshëm, nuk do të jetë as tash e lehtë.
Po sjellim edhe njëherë në mendje rastin e meshtarit Dom Nikson Shabani në Tivar. U mblodhën 200 shqiptarë për të ndaluar priftin që të mos u mësonte fëmijëvet të tyre uratët shqip. Ngrihen shqiptarët kundër shqipes, sepse kanë frikë të quajturën, jashtë çdo logjike, “Shqipëri e Madhe”! Ndërkaq, po në atë Tivar, sërbët ndërtojnë përditë vila e vikendica, rusët ngrejnë hotele nga më atraktivët mu në bregdetin e po atyre shqiptarëve, e nuk kujtohet askush t’i mbledhë ata shqiptarë, që të protestojnë kundër Sërbisë së Madhe dhe kundër një Rusie më shumë se të madhe. A nuk është ky episod, vetëm ky episod, për të mos renditur këtu nja 150, i mjaftueshëm për t’i shqetësuar shumë 2 presidentët e 2 shtetevet tanë?! A nuk mjafton ky episod për t’i shqetësuar shumë, për t’i lënë pa gjumë, kryetarët e partivet politike shqiptare në Mal të Zi?! Dhe, a nuk mjafton ky episod për t’ua bërë shqiptarëvet të domosdoshëm krijimin e INSTITUCIONIT të vet TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE, programin e të cilit do të mund ta përçonin në terren konkret pikërisht dhe vetëm ata që ne po quajmë MISIONARË TË KOMBIT SHQIPTAR?!
Një i tillë MISIONAR duhet të jetë në radhë të parë i mirëpërgatitur për të përballuar format e diskriminimit nga ana e shovinistëvet, të cilët ende, edhe përkundër frazavet demokratike, nuk kanë hequr dorë prej mentalitetevet të tyre tradicionalë. Ato forma diskriminimi janë në gjendje të marrin përmasa të përbindshme. Kështu, një misionar i yni, një profesor i idevet tona kombëtare, ta zëmë, në Anamoravë, do ta ketë shumë më vështirë se sa një deputet shqiptar i po asaj ane. E njëjta situatë, madje edhe më e rëndë, është midis ortodoksëvet shqiptarë, ta zëmë, në Çamëri apo në Konicë, në Follorinë e në Negovan, në vendin ku para 100 vjetësh Papa Kristo Negovani ia pat arritur të ketë 100 nxënës që u mësonte gjuhën shqipe. Shko dhe fol sot me negovanasit! Ashtu si u vra atëherë Papa Kristo Negovani, ashtu do të vritet edhe tash një pasardhës i tiji! Megjithatë, ne jemi të detyruar të çojmë pikërisht atje mësues e predikues të shqipes, po nuk deshëm që mbas 100 vjetësh të tjerë të mos flitet shqip as në Korçë. (Të gjithë e pamë ç’ndodhi me varrezat e Boboshticës dhe me konsullin grek të Korçës.)
Të jesh MISIONAR I KOMBIT nuk është vështirë vetëm jashtë kufijvet të 2 shtetevet tanë, por është tepër vështirë edhe brenda Rep.së Shqipërisë dhe Rep.së Kosovës. Mjafton të përfytyrojmë vetëm njërin prej qindra shembujsh: Ka ardhur PROFESORI, në një lagje qyteti ose në një fshat, emëruar prej Qendrës (Sepse duhet ta dimë që kandidatin mund ta propozojë baza, por emërimin e bën gjithmonë Qendra e Përkujdesjes), i ka mbledhur njerëzit dhe u ka thënë: “Duam të bëhemi shembull i mirë. Nuk duam përjetësisht të radhitemi ndër të fundit. Për t’ia arritur këtij qëllimi, na duhet në radhë të parë ne vetë të pastrohemi prej çdo gjëje të keqe. Prandaj” u thotë ai të pranishmëvet, “le ta dimë qysh ditën e parë: Çdo lloj korrupsioni do ta denoncojmë, çdo vjedhje do ta denoncojmë, drogën, kultivim, shpërndarje, përdorim, do t’i shpallim armiq të komunitetit tonë dhe do t’i denoncojmë, prostitucionin do ta denoncojmë, grindjet, zëniet, mëritë, papastërtitë, të gjithavet do t’u shpallim mospajtimin tonë.” A mund ta përfytyrojmë të lehtë punën e një të tillë përkujdesësi?! Jo. Dhe pikërisht kjo duhet të jetë arsyeja që ne të këmbëngulim për ta krijuar këtë organizëm gjithshqiptar. Ne praktikisht nuk mund të shpresojmë në kurrfarë prosperiteti pa një të këtillë organizëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura