DEMONSTRATAT E VITIT 1981 DHE KUNDËRVËNIA SERBO-JUGOSLLAVE

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DEMONSTRATAT E VITIT 1981 DHE KUNDËRVËNIA SERBO-JUGOSLLAVE

Nga Prof. ass. dr. Skender Zhitia

Gjatë shekullit XX, shqiptarët e Kosovësnë vazhdimësi iu nënshtruan politikave shtetërore serbo-jugosllave të përndjekjes, mohimit dhe abuzimit me të drejtat elementare njerëzore dhe kombëtare të tyre. Andaj, populli shqiptar pothuajse pandërprerë dhe në forma të ndryshme iparaqiti pakënaqësitë e tij ndaj pushtimit dhe aneksimit në kuadër të pushtuesve serbo-jugosllavë. Në mesin e këtyre pakënaqësive, demonstratat e vitit 1981, pa dyshim shënojnë një ndër momentet dhe ngjarjet me rëndësi historike. Ato ishin simbiozë e pakënaqësive të vazhdueshme të popullit shqiptar kundër regjimit serbo-jugosllav, duke shpërfaqur në këtë mënyrë elementet e pabarazisë ekonomike dhe politike. Për të mbyllur epokën e rezistencës së heshtur e robëruese, demonstratat po shënonin kthesën më të madhe historike, duke denoncuar para opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar regjimin kolonialist serbo-jugosllav në Kosovë, reagimi i dhunshëm i të cilëve ishte shembulli më konkret i sistemit shtypës që ishte në fuqi.

Demonstratat e vitit 1981, popullit shqiptar i shfaqën pozitën në Jugosllavi, realitetin dhe të ardhmen e tij.Ato shënojnë fillimin e fundit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), pjesë e të cilit pa dashjen e tij ishte edhe populli shqiptar.

Kërkesat e demonstruesve ishin shumëdimensionale, si me karakter social dhe ekonomik, politik dhe ideologjik. Kërkesat me karakter social dhe ekonomik, ishin: “Duam Bukë”, “Duam Kushte”, “Dikush në kolltuk, dikush pa bukë”, “Deri kur në podrum”, “Duam kushte më të mira”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”.Kërkesat politike ishin: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Kosova e kosovarëve”, “I duam shokët e burgosur”, “Rroftë Adem Demaçi”, “Rroftë vëllazëria e popullit shqiptar”, “Bashkim i trojeve shqiptare” dhe kërkesat ideologjike që kryesisht lidheshin me shtetin amë Shqipërinë, ishin: “Rroftë marksizëm-leninizmi”, “Poshtë revizionizmi”, “S’ka bisedime me borgjezinë e kuqe”, “Rroftë klasa punëtore” dhe “Rroftë Enver Hoxha”.

Shikuar nga kriterilogjik, historik dhe rregullimi kushtetues, kërkesatkishin legjitimitetin e tyre. Mbi të gjitha, duke pasur parasysh se popullsia ishte aq e madhe dhe etnikisht homogjenesa edhe popullata e republikave tjera (Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia), atëherë Kosova duhej të kishte status të barabartë në  RSFJ.Mirëpo, qeveria e Beograditaludonte se çështja politike e Kosovës ishte e zgjidhur si është pjesë e integruar e Republikës së Serbisë dhe në Federatën e Jugosllavisë. Prandaj, kërkesave të shqiptarëve iu kundërvu nëpërmjet një strategjie gjithëpërfshirëse antishqiptare, duke akuzuar shqiptarët për nacionalizëm, irredentizëm, separatizëm, shovinizëm, anarkizëm, fashizëm, kriminalitet, racizëm, vandalizëm dhe si reaksionarë, kurse demonstratat i cilësoi si të paligjshme, antiserbe e antijugosllave, kundërrevolucionare dhe armiqësore.

Në emër të “parandalimit” të këtyre veprimeve “antiserbe e antijugosllave”, dhe në emër të “marrjes së masave” për “mbrojtje të serbëve” nga shqiptarët , Federata Jugosllave mobilizoi mekanizmat shtetërorë të sigurimit, duke vendosur disa herë gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë (administrimi i dhunshëm). Ajo shfrytëzoi gjykatat duke izoluar, burgosur dhe dënuar me mijëra të rinj e të reja. Vetëm gjatë viteve 1981-1984, nga 619 procedura të përfunduara janë dënuar 590 shqiptar. Për më tepër, shtyri nivelet e organizimeve politike për të bërë diferencime ideo-politike, me theks të veçantë në institucionet shkencore-akademike, siç ishin: Instituti i Historisë dhe Instituti Albanologjik e mbi të gjitha Universiteti i Prishtinës, i cili u cilësua si “Bastioni i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Përveç kësaj, ajo angazhoi nivelet diplomatike për të akuzuar shqiptarët mbi idenë e “Shqipërisë së Madhe”; përdori organizimin e arsimit, kulturës, shkencës, publicistikës, letërsisë, kinematografisë dhe forma të tjera, për të krijuar bindjen se “serbët ishin viktima” dhe se “serbët po sulmoheshin nga shqiptarët”.Prandaj, shteti po u dilte në mbrojtje serbëve dhe malazezëve nga shqiptarët. E gjithë kjo kundërvënie antishqiptare, përveç ringjalljeve të paragjykimeve të vjetra dhe krijimin e atyre të reja, gjithashtu ka nxitur mosbesimin dhe padurimin duke krijuar psikozë antishqiptare.

Me një intensitet, përbuzjeje dhe nënçmim kombëtar e fetar, në Serbi kishte filluar mobilizimi i shovinizmit kombëtar edhe përmes religjionit, me të cilin u forcua psikoza antishqiptare. Mbi këtë qëllim, në Kosovë kishin filluar vizita të ndryshme të klerikëve nivelesh të ndryshme, të cilët me ligjëratat dhe deklarimet e tyre po nxitnin urrejtjen ndaj shqiptarëve. Në zhvillimet në vazhdim ata do i shohim edhe në ballë të protestuesve (mitingjeve) të “Vëllazërim – bashkimit”, duke bartur parulla antishqiptare, si: “Kosova është vend i shenjët  i Serbisë”.  Psikozës antishqiptare i shërbyen inskenime të ndryshme të dhunës si rasti i GjorgjeMartinoviqit. Më 1 maj 1985, gazeta e përditshme “Rilindja” e datës 6 maj 1985, shkruante: “ Sulmi ndaj GjorgjeMartinoviqit është akt perfid e vandalist armiqësor i drejtuar kundër vëllazërim – bashkimit dhe bashkëjetesës së kombeve e kombësive tona”. Në këtë organ u botuan shumë shkrime të pavërteta, për të ashtuquajturat shkatërrime të varrezave dhe përmendoreve kulturore serbe në Kosovë, për “shpërnguljet me presion të serbëve dhe malazezëve” ose për “dhunimet e plakave serbe” e shkrime të tjera.  Sfera publike u përdor si medium për të përhapur propagandë antishqiptare dhe në këtë mënyrë për t’i vënë në gjendje paniku dhe për të ngjallur urrejtje tek qytetarët e thjeshtë.

Mes tjerash, struktura të larta shtetërore të Serbisë ngritën zërin e presionit dhe kundërshtisë mbiinformimin e opinionit me zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë mbi objektivitetin e gazetës “Rilindja”. Në mbledhjen e Kryesisë së Republikës së Serbisë kushtuar barazisë së kombeve dhe kombësive në Kosovë dhe shpërnguljeve, DushanÇkrebiq, kryetar i Kryesisë së Serbisë, në fjalimin e tij mes tjerash konstaton: “Kam përshtypje se “Rilindja” po ka shumë mirëkuptim dhe arsye për procesin e shpërnguljeve. Nuk po them se gjithë atë që po e shkruan ajo, nuk është e saktë, me siguri është e saktë, por në një luftë, në të cilën LK po bën përpjekje për ta shlyer një njollë nga hapësira ku vepron, atëherë të gjithë duhet të jemi në këtë funksion, e jo sot të jemi më të ashpër ndërsa nesër ta relativizojmë qëndrimin. Pra, gjithçka duhet të jetë e tendosur dhe e orientuar në atë drejtim, sepse dihet se “Rilindja”, përpos televizionit, është mjet më i fuqishëm propagandues, para së gjithash i forcës sonë, me të cilën po e zhvillojmë këtë betejë”.

Që të mohohet historia, kultura, gjuha dhe karakteristikat e tjera të kombit shqiptar, Qeveria e Beogradit, nëpërmjet simpoziumeve e konferencave shkencore madje edhe kongreseve politike, si ai i XIII i LKJ-së i mbajtur në korrik 1986 në Beograd, kishte filluar të bëjë devijim shkencor lidhur me të kaluarën historike, mbi origjinën e popullit shqiptar.

Para mbajtjes së kongresit të XIII-të LKJ-së, luftëtarët e Jugosllavisë, në maj 1986,mbajtën Kongresin e 10-të. Në Kongres me qëllim që të plotësohet edhe më shumë platforma shoviniste mbi Kosovën, e cila do të shtrohej në Kongresin e XIII të LKJ-së, u paraqitën kërkesat më të rrezikshme për Kosovën. Siç shkruante “Zëri i Kosovës”, më 5 qershor 1986: “Me zë të çjerrët e me lot për faqe akuzojnë shqiptarët “për presionin e madh” që po u bëkan serbëve dhe malazezëve, për të cilët rrugë tjetër përpos shpërnguljes nuk paska”. Edhe në këtë kongres, kërkesën e popullit shqiptar për Kosovën Republikë e vlerësuan “irredentiste”, “separatiste” e “armiqësore”. Diskutimin e përqendruan në parullën që e kishin shpikur vetë “Kosova e pastër etnike”, me qëllim të diskualifikimit të kërkesës së drejtë para opinionit jugosllav e atij botëror, për ta bërë të ligjshme politikën e tyre kolonizuese në të gjitha viset shqiptare.

Që të forcoheshin “shkencërisht” vendimet e rëndësishme antishqiptare që do merreshin në Kongresin e XIII të LKJ-së, në Beograd Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, më 20 maj 1986, organizoi tubimin me ligjërata në temën “Ilirët dhe shqiptarët”.  Në këtë tubim uparaqitën punime “shkencore”, të cilat njëanshëm dhe qëllimisht e trajtonin etnogjenezën ilire, i shtrembëruan shtresimet ndër shekuj, shtrembëruan rrjedhat e vazhdimësisë dhe mbi të gjitha tubimi kishte për qëllim të ngushtojë dhe të ndaj shtrirjen ilire, të nënçmojë kulturën dhe zhvillimin e shqiptarëve sidomos në kohën bizantine, të mesjetës dhe me vonë. Ndër “shkencëtarët” më të zëshëm ishin: MillutinGarashanin, arkeolog serb, i cili në fjalën e hyrjes tregoi hapur qëllimin, pra t’i kundërviheshin ligjëratave të mbajtura në Shqipëri, kundërshtimine origjinës së shqiptarëve nga ilirët, dhe BozhidarFernjanqiq me punimin “Shqiptarët në burimet bizantine”.  Mbi lidhshmërinë dhe identitetin e shqiptarëve të Kosovës me të Shqipërisë, në shkencën dhe letërsinë serbe, shqiptarët e Kosovës sërish filluan të quheshin “shiptari” në mënyrë pezhorative. Filluan  ndërhyrjen e ndryshimeve në simbolet kombëtare siç ishte vendimi për ndryshimin e formës së flamurit.  U veprua kështu, mbase që të lihej të nënkuptohej se ndjenjat, e kaluara dhe e tashmja e tyre (“shiptari”) kanë më pak vlerë! Për të ndërprerë dhe mohuar çfarëdo lidhshmërie, ndaj bashkëpunimit me Shqipërinë filloi të mbahet qëndrim negativ, dhe u bllokuan shkëmbimet e informimeve shkencore e kulturore, televizionit dhe radios, sepse autoritetet jugosllave e vlerësuan bashkëpunimin si faktor që ndikonte në krijimin e ndjenjave nacionaliste dhe irredentiste te shqiptarët në Jugosllavi.  Gazeta “Rilindja”, e datës 3 maj 1985, në artikullin me titull “Programet e televizionit të Shqipërisë”, mes tjerash citon një nga zyrtarët e pushtetit serb, OlgaNikoliqi, duke nënvizuar se “nga indoktrinimi i Televizionit të Shqipërisë duhet të mbrohemi me programet tona”.

Serbia në vazhdimësi, që nga viti 1981, u përpoq t’i kualifikonte dhe t’i përdorte demonstratat e popullit shqiptar në Kosovë, si veprimtari për rrënimin e Jugosllavisë, ndërsa në anën tjetër qëllim kishte që përmes rolit të saj “mbrojtës” t`i sigurojë vetes pozitë dhe rol hegjemonist në Federatën Jugosllave. Ngjarjet e vitit 1986, ndryshimet në strukturat politike të Serbisë, zgjedhja e SllobodanMillosheviqit kryetar i kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, mbajtja e Kongresit të XIII të LKJ-së (miratimi i platformës politike për Kosovën dhe shpallja e administrimit të dhunshëm) dhe hartimi i Memorandumit të mirëkuptimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Serbisë (ASHAS), ishin hapat konkretë mbi hegjemonizmin serb në RSFJ, e mbi të gjitha dhunënshoviniste serbe në Kosovë.

Në kuadër të kësaj klime, ASHAS më 1986 kishte hartuar Memorandumin e Mirëkuptimit, dokument strategjik i inteligjencës serbe, i cili përcaktonte drejtimin e “zgjidhjes” së çështjes serbe brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).  Në thelb, Memorandumi përmbante “ideologjinë e Serbisë së Madhe” në fundshekullin XX dhe ishte platformë shoviniste mbi Kosovën.  Ky memorandum, nga fundi i vitit 1987 e deri në vitin 1989 prodhoi debate për fillimin e ndryshimeve kushtetuese në RSFJ. Gjatë këtyre debateve kishte thirrje dhe aktivitete antishqiptare nga më të ndryshmet, të cilat u organizuan si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, ku parullat kryesore ishin: S(llobodan), R(adosh), B(ogdan), I(stina), J(oviq), A(leksandër), “Oj Serbi prej ari”, “Sllobodan emër mburrës ty mirë të ka mësuar Tito”, “Vetëm përpara Sllobodan që të mos humbim asnjë ditë”, “Kushtetuta shkruhet e shlyhet, Serbia mbetet” “Azemi e Bujari jo, Husamedin Azemi po”, “Qosiqi ka pasur të drejtë”, “Serbia nuk mund të vdes”, “ Flamujt me shqiponja jashtë, nuk e pranojmë hoxhizmin”, “Në vend të faleminderit për Universitet nga pakica shqiptare-kemi fituar indoktriminimin dhe majorizimin e tmerrshëm”, “Nuk duam albanizimin-po financojmë eksplozimin demografik”, “Verbësinë politike të ish – karrieristëve, po presim ta rregullojë Sllobodani”, “Kosova, Metohija e Vojvodina janë Serbi”, “Oj Serbinga tri pjesë, do të jesh serish e tërësishme”, “Kosovën do ta zgjidhim”,“Të mos u frikësojnë ato dy shqiponja, se Kosova ka qenë dhe do mbetët e jona”,“Shqiptarët duhet vrarë“, “Me shqiptarët nuk mund të jetohet”, “Të gjithë shqiptarët janë armiq të Jugosllavisë”, “Duam armë”, “Duam administratë ushtarake”, “Kosova Serbi”, “Kosova është serbe e jo shqiptare”, “Shqiptarët në Shqipëri, serbët në Serbi, turqit në Turqi”, “Duam liri”, “Qe 40 vjet nuk kemi liri” etj.  Për t’i dhënë një ton të veçantë, më “prekës”, e më “sentimental” gjithë “vuajtjeve nga presioni i shqiptarëve”, Beogradi organizoi edhe një seri demonstratash të zhvilluara nga gratë serbe e malazeze në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Lipjan, Suhadoll, Vitomiricë, Çagllavicë, Babimoc, Gjilan dhe Prelluzhë.

Veprimet e kundërvënies jugosllave ndaj popullit shqiptar gjatë këtyre viteve dhe të diskutimeve kushtetuese, nga populli shqiptar u kundërshtuan në format nga më të ndryshme, si:protesta, demonstrata e vet ngujime si rasti i minatorëve.

Më 17, 18, 19, 20 dhe 21 nëntor të vitit 1988 i gjithë populli i Kosovës u hodh në demonstrata të përgjithshme, në të cilat morën pjesë mbi 500 mijë vetë.Shkas për fillimin e shprehjes së pakënaqësisë dhe dalja në protesta e demonstrata ishte presioni i Serbisë mbi organet e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës për lirime nga detyra të Kaqusha Jasharit, kryesuese e kryesisë së KK dhe lirimin e AzemVllasit nga funksioni i anëtarit të kryesisë. Përkundrazi, siç shkruan “Zëri i Kosovës”, më 11-12 nëntor -dhjetor 1988: “… Shkaku i vërtetë i demonstratave kaq masive të popullit shqiptar në Jugosllavi dihet: pushtimi Kosovës dhe viseve të saj nga shovinistët serbo-maqedonaso-malazezomedhenjë; shkaqet e vërteta të pakënaqësisë sëpopullit të Kosovës dhe viseve të saja duhet kërkuar në politikën antishqiptare që po ndjek Serbia në Kosovë, terrorin, burgosjet, shpërnguljet, maltretimet, varfërinë e vazhdueshme të masave popullore, papunësinë, diskriminimin e kulturës, historisë, gjuhës shqipe si dhe në procesin e marrjes së autonomisë së Krahinës, nga ana e regjimit shovinist të Beogradit, në mohimin dhe shkeljen flagrante të të drejtave të popullit tonë, i cili i fitoj me gjak dhe sakrifica: të drejta të cilat u sanksionuan në Kushtetutën e vitit 1974; pakënaqësinë e popullit tonë duhet kërkuar në mohimin e papresedan të sovranitetit të tij kombëtar, mohimin e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë”. Në këto demonstrata populli u shpreh për autonominë dhe mbrojtjen e saj, duke brohoritur me parullat, si: “Rroftë kushtetuta e vitit 1974”, “Nuk pranojmë dorëheqje me presion”, “Kosovë po, Metohi jo”, “Rroftë Universitetii Prishtinës”,“Rroftë Instituti Albanologjik”, etj., ndërsa në ditët vijuese u brohorit edhe me parullën “Kosova Republikë”.

Derisa shqiptarët po protestonin për të drejtat e tyre, në Beograd, më 19 nëntor 1988, u organizua mitingu “Vëllazërim-Bashkim”, ku SllobodanMillosheviqi para të pranishmëve pos tjerash kërkoi:“Askush  të mos habitet që kësaj vere e tërë Serbia u çua në këmbë për shkak të Kosovës, sepse ajo është qendra e historisë, e kulturës dhe kujtesës së saj”.  Kështu, Millosheviqi, popullit serb dhe popujve të RSFJ iu ofroi hapur luftën, mjerimin dhe varfërinë për të arritur qëllimet ekspansioniste.

Shpallja e amendamenteve kushtetuese të RSFJ-së (ndryshimi i 39 amendamenteve), më 25 nëntor 1988, ishte rrugëtimi që po dërgonte popullin shqiptar drejt një përcaktimi përfundimtar politik në qëllimin e tij drejt shtetformimit. Mbi të gjitha, e drejta për Republikën e Kosovës nuk mund të mohohej me ndryshime kushtetuese dhe me asnjë padrejtësi.

Populli shqiptar edhe në vazhdim, si në protestat njëjavëshe të vitit 1988, edhe në grevën gjenerale, tetëditëshe(20-28.02.1989) të minatorëve (vet ngujimi), të studentëve dhe gjitha shtresave të gjera, edhe në grevat dhe bojkotimet gjatë tërë marsit 1989, u deklarua kundër heqjes së autonomisë.Mirëpo, vullneti i popullit, nuk u përfill, madje u etiketua si nacionalist, separatist e kundërrevolucionar. Kur Kuvendi i Krahinës, më 23 mars 1989, nën diktatin ushtarako-policor, aprovoi heqjen e autonomisë, revolta u rrit edhe më shumë dhe shpërthyen demonstrata nga 23 deri më 29 mars 1989, së pari në Ferizaj e pastaj edhe në çdo qytet e në disa fshatra të Kosovës.

Pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, më 23 mars 1989, të projekt-amendamenteve të propozuara nga Serbia, më 28 mars 1989 në Beograd, Kuvendi Federativ i Jugosllavisë, në një seancë të jashtëzakonshme dhe solemne miratoi projekt-amendamentet, ku amendamenti i 47-të suprimoi autonominë e Kosovës, e cila ishte e siguruar nga Kushtetuta e vitit 1974.

Sipas Akademik EsatStavileci:“Kushtetuta e vitit 1974 padyshim shënonte shkallën më të lartë të mëvetësisë së Kosovës, me gjithë pozitën e saj hibride, sepse Kosova përveçse ishte “në kuadër të Jugosllavisë”, ishte dhe “në kuadër të një njësie federale”, por jo dhe “pjesë përbërëse e saj”. Kosova sipas dokumentit kushtetues të vitit 1974 nuk ka qenë “pjesë integrale e Serbisë nën sovranitetin e kësaj njësie federale”. Kjo ishte arsyeja që Serbia shprehte kundërshtimin e zgjidhjeve kushtetuese të vitit 1974, sepse pretendonte “t’i mbërthente” brenda saj të dy krahinat autonome. Me amendamentet në Kushtetutën e saj, në vitin 1989, degradoi në rënie pozitën kushtetuese-juridike të krahinave autonome, pra edhe autonomisë së Kosovës. Në udhë jokushtetuese, Kosovës iu morën kompetencat dhe iu dhanë organeve shtetërore të Serbisë. Me këtë goditje “u rrit supremacioni strukturor i Republikës së Serbisë në Federatë, përballë njësive të tjera federale”. Ambiciet serbe për “ta dominuar Jugosllavinë” qenë pikënisje e krizës kushtetuese në Jugosllavinë e atëhershme”. Millosheviqi me politikën nacionaliste serbe çoi përfundimisht në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftërat pasuese të viteve 1990-1998.

Nga sa u tha më sipër, e gjithë kundërvënia serbo-jugosllave është produkt i doktrinës së shenjtë serbe, e cila sipas interesit edhe po vepronte. Gjatë periudhës 1981-1990, si rrjedhë e zinxhirit të demonstratave janë vrarë 183 civilë dhe 63 ushtarë shqiptarë në armatën Jugosllave. Janë dënuar 1346 ushtarë dhe rreth 10000 civilë për kundërvajtje politike. 3500 persona kanë vuajtur dënimin mesatar me burg prej 7,1 vjetëve dhe çdo i treti shqiptar në Kosovë është keqtrajtuar nga policia.

Pavarësisht kundërvënies serbo-jugosllave, demonstratat e vitit 1981 dhe ato në vazhdim, ishin dhe mbeten ngjarje me rëndësi historike e kombëtare të shqiptarëve deri te projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shek. XX, siç ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me luftën e drejt çlirimtare dhe mbështetjen diplomatike e ushtarake ndërkombëtare, përfundimisht hapi mundësinë e zgjidhjes së statusit politik e juridik të Kosovës, i cili i ka hapur rrugë perspektivës drejt bashkimit kombëtar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura