DILAVER GOXHAJ: DËSHMI HISTORIKE NGA LUFTA E UҪK’së / EDHE KËSHTU NDODH NË LUFTË

Tiranë, 5. 7. 2016: Një prilli i vitit 1999 erdhi me eleminimin e rrethimit nga forcat serbe i forcave të Zonës së Parë e të Dytë Operative si dhe të popullsisë së zonës së Drenicës e të Podrimies, pa folur për ato të fshatrave Tërpezë, Arllat, Kishnarekë, Nekofc, Baicë, Shalë, Krojmir, Petrashticë, Lushicë, Bllacë, Temiçjanë, Gucat, Ladrovc, Bellanicë, Bajë, Kleçkë etj, të grumbulluara në malet e Drenicës së Poshtme e ata të Berishës. Gjithë ko popullsi, gati 100 mijëshe, ishte grumbulluar në një sipërfaqe gati 40 km2 e më shumë, në katërkëndëshin: Malishevë-Komaran-Cëralevë-Duhël. Mbrojtja e tërë kësaj sipërfaqe bëhej nga Br.121 e Zonës “Pashtriku” dhe tre brigada të Zonës “Drenica”, përhapur në një perimetër 40-43km, gjë që ishte e jashtzakonshme dhe e pamundur qëndrimi qoftë edhe një ditë më shumë në mbrojtje. Duhej sulmuar. Mirëpo deri atë ditë kishim përpara vetëm një model luftimi: luftë pozicionale, luftë në transhe; e cila ishte bërë si idol, duke u gjunjëzuar para saj si para altarit. Duhej krijuar bindja se mbrojtja më e mirë është sulmi.
Duhej sulmuar, pasi gratë, pleqtë dhe fëmijët e mjerë në ato male nuk e kishin jetën të shtruar me trëndafilë, edhe pse ndodheshin nën mbrojtjen tonë. Tërë lufta jonë mbështetej në supet e tyre. Sa të fortë paskan qenë supet e tyre të brishtë që nuk u përkulën nën një peshë të tillë kaq të madhe?! Kudo që binin predhat e artilerisë armike shkaktonin viktima. E tillë ishte dënduria e asaj popullsie në atë malësi; të gjithë nën mëshirën e shiut dhe borës, duke u strehuar poshtë degëve të lisave e aheve, pyje të mbuluar me veshjen e vet ende dimërore, të bukur si në tregime, por duke u ushqyer nga rezervat e logjistikës së UÇK-së, (një herë në ditë, popull e ushtri), e organizuar nga itendenti i shkathët i SHP, Idriz Hyseni. Falë atij organizimi, u mbajtëm!

S’ishte koha për fjalë. Duhej eleminuar me çdo mënyrë ai rrethim. Shpërthimi i këtij rrethimi u bë e mundur prej angazhimit intensiv të Shtabit të Përgjithshëm, i cili ishte pothuaj i gjithë brenda këtij rrethimi. U vendos dhe u organizua me urgjencë kalimi në fshehtësi i frontit prej gjithë forcave të Zonës II Operativë “Pashtriku” të komanduara nga Tahir Sinani, me përjashtim të Br.121, duke i dalë armikut në shpinë. Dhe u zgjodh kalimi i vijës së frontit Duhël-Malishevë, pasi armiku porsa e kishte zënë me ngutësi atë vijë dhe ende nuk e kish përforcuar e organizuar atë vijë. Nuk duhej lënë kohë. Pasi u kalua vija e frontit për gjithë natë nga gjashtë brigadat e zonës “Pashtriku”, duke u bërë kombinimi i sulmit të tyre me zjarrin e forcave të Br.121 dhe të një brigade të Zonës së Drenicës që mbroheshin në këtë vijë, u bë e mundur heqja e atij rrethimi.
Forcat e zonës “Pashtriku” pasi eleminuan atë vijë rrethimi, filluan menjëherë nga kontrolli dhe spastrimi i fshatrave të krahinës së Podrimies e Pagarushës nga mbeturinat e forcave serbe, pasi popullsia që kishte shpëtuar nga vdekja këmbëngulte të kthehej qysh atë ditë. Mirëpo forcat serbe, ngaqë kishin frikë nga bashkimi i njerëzve porsa kish hyrë nëpër fshatrat e zonës së Pagarushës po vijonin ende të digjinin sa qe e mundur prej këtij spastrimi, i cili zgjati katër ditë, duke i përzënë invaduesit nga 21 qendra të banuara, ndodhi ngjarja çka do ta tregoj më poshtë.
Një pjesë e SHP, me në krye Shefin e Shtabit, kolonel Bislim Zyrapi, menjëherë pas eleminimit të atij rrethimi, u zhvendosëm prej maleve të Berishës për në zonën e Nerodimes, për të gjetur një vend të përshtatshëm, për sistemimin e Qeverisë së Përkohëshme, e cila pritej të vinte nga Tirana. Ishte dita e katërt a e pestë që, bashkë me inxhinierin kimist ushtarak Kurtesh Fondaj dhe togën e rojeve, porsa kishim përfunduar rregullimin e një banese verore në bjeshkët e maleve të Jezercës, afër fshatit Devetak. Toga e rojeve të SHP, e komanduar nga Ejup Kryeziu, atë banesë një katëshe e patën ndarë në dy dhoma e një korridor me elementë drusorë, të prerë në pyll, për sistemimin e SHP dhe QPK, ndërsa korridori u sistemua për kuzhinë. Trarët e çatisë së një dhome i shtruan me drurë dhe atje sistemuan ushqimet; ndërsa një koçek misri, që ishte 20-30 metra më tej, e përshtatëm për fjetjen e togës së rojeve, me krevatë alla marinarçe, për 1/3 e tyre, pasi shumica e tyre do të jenë përherë roje ose të gatshëm. Nuk ngritëm çadra për të mos tërhequr vemendien e mjeteve ajrore.
Ndjeja një gëzim të madh që mundëm ta organizonim aq shpejt e aq mirë atë fushim, i cili rrethohej nga një pyll i dëndur e i lartë, në mes të të cilit ishte edhe një burim uji, edhe pse ndodheshim në gati 1500 m lartësi detare. Isha ulur mbi një trung lisi të prerë, pasi e kisha larguar borën prej tij dhe, bashkë me inxhinier Kurtesh Fondaj, ishim ulur mbi të e po pushonim, pasi në atë orë nuk kishim patur as luftime dhe as telefonata nga zonat luftarake. Shokët e tjerë të shtabit nuk ishin kthyer ende nga luftimet e Budakovës, ku patën shkuar dy-tri ditë më herët. Ishte qetësi e madhe, siç ndodh në vendet e pabanuara. Ngaqë atë ditë qielli ishte pastruar nga retë, ishte dita e parë që ndjeja disi ngrohtë pas atij dimri, edhe pse qëndroja jashtë i ulur.
Ndërkohë rojet na njoftuan se po vinin dy persona me uniformë të UÇK-së. I pamë kur dolën nga pylli dhe po afroheshin në drejtimin tonë. Njëri prej tyre ishte moshë e madhe, ndërsa tjetri shumë më i ri. Ecnin ngadalë, si të lodhur, për shkak të rrugës së gjatë që kishin bërë duke u ngjitur malit. Na u afruan dhe na përshëndetën, duke i dhënë fillmisht dorën Kurteshit. Ishin nga i njëjti fshat. Mua nuk më njihnin. Ata ishin luftëtari 50 vjeçar Zymer Arifaj dhe djaloshi Osman Fondaj, të dy efektivë të batalionit të tretë të Br.123
Ata i kish dërguar komandanti i zonës, Tahir Sinani, për të sjellë raportin me shkrim rreth luftimeve të zhvilluara nga focat e komanduara prej tij gjatë eleminimit të rrethimit nga ushtria serbe. Pasi u prezantova edhe unë, atëherë ai më i moshuari, Zymeri, nxorri nga gjoksi materialin e shkruar dhe ma dorzoi. Shkuam brenda, ku Mustafai bëri regjistrimin e tij, dhe pasi hëngrëm edhe drekë, u ulëm përsëri jashtë dhe po pinim cigare, duke biseduar rreth situatës së atjeshme.
Gjatë rrëfimit, në një moment filluan të na tregojnë se çfarë u kish ndodhur të dyve gjatë spastrimit të zonës së Pagarushës nga mbeturinat e forcave serbe, që ishin sistemuar nëpër fshatrat e boshatisura nga popullsia, duke bërë djegien e tyre me nge.
Ishte 3 prilli, filloi të tregonte Zymeri. Forcat e Brigadës 123, pasi kaluam në shpinë të forcave serbe, që po luftonin midis Bellanicës e Kërvaserisë, batalionit tonë iu ngarkua detyrë të bënte pastrimin nga forcat serbe të fshatrave Kastirc, Semetisht, Peçan e Sllapuzhan, ngaqë shumica e popullsisë së tyre ishte zhvendosur sa në malet e Cërnalevës, ca në atë të Berishës si dhe një pjesë në malin e Zatriçit dhe ishin plaçkitur e minuar më pas nga serbët. Unë dhe Osmani në mbrëmjen e asaj dite mbritën në fshatin Semetisht, ku çdo gjë kish rënë në heshtje. Me të hyrë në fshat gjetëm disa kufoma civilësh të vrarë, të cilët edhe i njohëm cilët ishin. Një prej atyre kufomave isht ajo e Enver B. Bytyçit nga fshati Peçan. Pasi bëmë varrosjen e të vrarëve të atij fshati, Semetishtit, kufomën e Enverit vendosën ta çonim të nesërmen në fshatin e vet, në Peçan, i cili është edhe fshati ynë. Për këtë arsye, vendosëm që varrimin e tij ta bënin të nesërmen, pasi të përfundonim kontrollin e Semetishtit. Me sa kuptuam, personat e vrarë nuk do të qenë larguar nga fshati, ndaj dhe forcat serbe i kishin gjetur e i kishin vrarë. Vrasja dukej se qe e freskët, ndoshta edhe e asaj dite. Kjo kuptohej nga sytë e tyre. A keni parë ndonjëherë ca sy të mbuluar si me hi, sy të kredhur në një pikëllim kaq të madh sa që të vjen zor t’i shikosh drejt? Ja, kështu ishin sytë e tyre. Na vinte keq, por s’kishim ç’të bënim tjetër. E mbuluam me çfarë mundëm kufomën e bashkëfshatarit tonë dhe në shtëpinë më të afërt ku ndodheshim, gjysëm e djegur, vendosëm të pushonim, pasi po errësohej. Dëgjuam ca krisma armësh, por menduam se ishin shokët tanë dhe qëndruam të qetë.
Në agim filluam nga kontrolli i shtëpive të tjera të fshatit. Pasi kontolluam tre-katër shtëpi dhe po i afroheshim anës tjetër të fshatit dëgjuam zëra njerëzish. Ndaluam dhe përqëndruam dëgjimin nga vinin zërat. Pas pak u bindëm se flisnin serbisht. Ishin ushtarë serbë dhe nuk ndodheshin larg. Për të mos u ndeshur me ta, u futëm me të shpejtë në oborrin e shtëpisë më të afërt, e cila rrethohej me një mur të lartë avllie dhe portë të lartë dykanatshe. Kati i dytë i saj dukej që qe djegur, pasi nxinin muret. Për dreq, doli se edhe atje ishin strehuar ushtarë serbë. Papritmas, në momentin kur u futëm në oborr, të dy palët shtangëm duke parë njëri-tjetrin. Ata ishin tre a katër vetë. “Plot pesë vetë”, plotësoi Osmani. Serbët menjëherë vrapuan tek armët. Osmani, i cili e kishte armën në dorë, ndërsa unë në krah, ju dha dhe hapi zjarr në drejtim të tyre dhe pashë që e vrau njërin nga ata. Ndërkohë një ushtar serb, ndoshta ishte më pas tyre, mbriti tek mitralozi dhe filloi të hapte zjarr në drejtimin tonë. Osmani largohet me shpejtësi, ngaqë është shumë më i ri se unë, del me vrap nga porta iku në drejtim të Kastircit. Unë, sikundër e shihni, duke qenë moshë e thyer, duke shfrytëzuar një qere që ishte para portës, në oborr dhe më fshihte nga sytë e serbëve për momentin, shpejtova të fshihem pas saj, dhe kur serbët dolën për të ndjekur Osmanin futem brenda në shtëpinë ku kishin qenë serbët, ndryshe isha i vrarë. Rastisi të mos më diktonin ngaqë serbët në ato momente ishin shumë të hutuar nga zjarri i Osmanit por edhe i mitralierit të tyre, të cilët gjithë vemendien dhe zjarrin e përqëndruan në drejtim të Osmanit. Shiko se si është njeriu: në atë çast nuk ndjeva as frikë, as të rrahura zemre. Të bëhet, ç’të bëhet, mendova me vete, mbase shpëtoj, dhe u ngjita me vrap në katin e dytë të shtëpisë.
Kur ushtarët serbë dolën në rrugë dhe po shtinin në drejtimin nga iku Osmani, u binda edhe më shumë se nuk më kishin diktuar. U qetësova disi. Ndërkohë, një ushtar tjetër serb, i cili në kohën që Osmani hapi zjarr, ndoshta do të ketë qenë në gjumë, filloi të shtinte me rafalla (breshëri) nga një dritare e katit përdhes në drejtim të portës nga ku dolën shokët e tij. Ata në atë moment po ktheheshin dhe dy të parët që u shfaqën tek porta u këputën e ranë të vdekur në tokë. Filluan të shtinin edhe ata që ishin pas atyre që u vranë. Atë kohë ndaloi dhe zjarri i serbit që vrau shokët e tij. U futën të gjithë në oborr, por tepër të hutuar, ngaqë nuk po e kuptonin se nga u qëlluan. Unë i shihja të gjitha këto ndodhi nga kati i dytë, por pa iu afruar shumë dritares, e cila ishte e djegur. Vendosa të fshihem pas derës, duke e mbajtur këtë automatikun në dorë, (dhe i ra me pëllëmbë), duke ia hequr edhe siguresën. Thuajse u ngjita pas murit. Pas pak aty ngjiten dy ushtarë serbë, të cilët bisedonin me njëri-tjetrin, duke qenë të bindur “se ishin dy terroristë”, dhe dyshonin se njëri prej tyre mund të ishte fshehur në atë ndërtesë. Dhe filluan të kontrollonin dhomat e atij kati me radhë. U futën edhe në dhomën që isha unë, por, për fatin tim, qëndruan tek pragu i derës, pasi gjithçka atje ishte e shkrumbuar, madje edhe dera, por jo që të ishte e tejdukshme. Me sa kuptova, për në atë dhomë nuk dyshuan fare. Unë nuk merrja as frymë. Pas disa çaste heshtjeje, nga këmbët e tyre kuptova se po zbrisnin poshtë, duke u bashkuar me ushtarët e tjerë. Kuptova se po grindeshin me njëri-tjetrin, ngaqë po e ngrinin zërin gjithnjë e më shumë. Përqëndrova dëgjimin, duke mos marrë as frymë. Gjithë debatet mes tyre ishte se kush i vrau tre shokët e tyre. Unë e kisha vendosur që, nëse më diktonin, do të hapja zjarr e do të vrisja sa të mundja prej tyre, pasi e llogarita veten të vrarë në mos tashti, pas pak minutash. Bazuar në zërat dhe shamatanë e tyre, nuk besoj se ishin më shumë se gjashtë vetë. Çuditërisht, pasi kaloi ndoshta një orë a më shumë, pasi mua më dukej minuti orë, tre ushtarë serbë ngjiten përsëri lart dhe kur mbrijnë në korridorin e katit të dytë filluan të diskutonin përsëri rreth ngjarjes se si e kush i vrau tre shokët të tyre. “Kush i vrau?!” Vijonin të pyesnin njëri-tjetrin se ku shkuan terrorisëtët? Nga hynë? Nga dolën? Ku u fshehën? Pasi nuk po u jepnin dot përgjigje këtyre pyetjeve dolën në përfundimin: në rast se na pyesin si u vranë këta të tre, do t’u themi se i vranë terroristët. “Dogovoreno?” “Dogovoreno!”. (Dakort? Dakort!). Me sa dukej, ai që e propzoi këtë duhej të ishte komandanti i tyre.

Sa filloi të bjerë muzgu, dëgjova që u ndez një motor i vogël. Paskishin edhe motor ndriçimi. Gjë që më bindi se drejtuesi i tyre duhej të ishte oficer. Ndjeva tym zjarri dhe përplasje gavetash, gjë që më bindi se filluan të merreshin me përgatitjen e darkës. Të gjitha veprimet i kryenin në katin e parë.
Duke përfituar nga zhurma e agregatit lëviza në majë të këmbëve dhe në një prej dhomave përballë asaj që isha fshehur, gjeta se një prej dritareve ishte plotësisht e shqyer, përfshi edhe muri i saj deri në dysheme, shkaktuar ndoshta nga predhat e artilleries së tyre gjatë ditëve të mëparshme. Për fat ajo dritare binte në anët e prapme të shtëpisë dhe zbrita duke u varur me duar, gjë që këmbët i kisha shumë afër tokës dhe u hodha pa rrezik e pa zhurmë, por më ndihmonte edhe zhurma e motorit. Kapërceva murin rrethues të oborrit, dola në rrugicë dhe shkova tek shtëpia ngjitur, pasi të ecja më gjatë, mund të ndeshesha me ndonjë patrullë tjetër ushtarësh serbë. Vendosa ta kaloja natën në këtë shtëpi. Isha shumë i lodhur. Mendoni gati dhjetë orë rresht ngjitur pas murit, në këmbë e pa marrë as frymë.
Ndërkohë ushtarët serbë filluan të shtinin kuturu, herë në ajër e herë në drejtim të shtëpive të ndryshme. Zakon ky i përditshëm prej forcave serbe, me të filluar errësira, ju e dini vetë. Ngaqë disa prej plumbave të armëve të tyre goditën edhe dritaret dhe muret e shtëpisë ku unë u fsheha, kujtova se mos më kishin diktuar, dhe vendosa të largohem edhe prej asaj shtëpie. Dola nga ajo shtëpi, në anën e kundër nga shtihej, dhe kalova në shtëpinë ngjitur me atë. Ku të pushoj, si të pushoj? Dhe papritur ndeshem me një shkallë metalike. Kjo ma ngacmoi mendimin. Vendosa të ngjitem në tavanin e katit të dytë të saj. Dhe ashtu bëra. Pasi u ngjita i tërhoqa edhe shkallët. Dhe prej plasaritjeve të tjegullave fillova të vrojtoj në drejtim nga shtinin herë pas here serbët. Këtu qëndrova derisa u bë errësirë e plotë. Ndërkohë pushuan edhe të shtënat e ushtarëve serbë. Mesnatë. Pasi përgjova mirë e mirë dhe nuk po dëgjohej asnjë lloj zhurme, zbrita ngadalë e me kujdes dhe u nisa për në shtëpinë time. Isha i uritur si ujk. Pas gjysëm ore arrita në Peçan, me qëllim që të nxirrja bagëtitë e mia jashtë, për të kullotur, të cilat kishin disa ditë mbyllur, pa ushqim; të haja edhe diçka vetë. Por, përderisa të vinte mëgjezi, vendosa të pushoja pak. Pasi u qetësova dhe e mora disi veten nga lodhja dhe tensioni që pata, nxorra bagëtitë në kullotë dhe nisem në drejtim të shokëve, për në Kastirc. Ata më dinin të vrarë, sipas thënieve të Osmanit, i cili ishte kujtuar për mua pasi kish dalë nga rrezja e zjarrit të armëve të ushtarëve serbë, apo jo Osman? “Po, po”, pranoi Osmani, duke bërë buzën në gas. Prandaj më rrethuan dhe filluan të më ngucnin. Ua tregova fill e për pé, gjithë ngjarjen që më kishte ndodhur. Pasi më dëgjuan mirë e mirë, filluan përsëri me më nguc: “Domethënë, ty Zymer i vrave dy serbë, ia hodhe Osmanit, edhe pse është djalë i ri!” “Jo, besa, nuk shkreha asnjë plumb, u thashë më në fund. Ata u vranë mes veti. Unë veç u shtina fesatin”.
***
Nëse arrijmë të jetojmë pas lufte, itendentit Idriz Hyseni i duhet ngritur një lapidar. Më ka befasuar me shpejtësinë e sigurimit, ruajtjes e fshehjes së furnizimeve me ushqime e municione. “Ku dhe si i gjen kaq shpejtë?”, e pyeta një ditë. “Sa të ketë popull, do të kemi gjithçka, o Bacë!” Më buzëqeshi dhe iku. Organizimi i mirë ekonomik në luftën guerile nevoitet si ajri që marrim frymë. Që të mund të kryhen luftime të sukseshme në mënyrë të vazhdueshme, që të vijnë ata duke u shtuar gjithmonë, duhet që të kemi mjaft municione dhe depozitime të tjera. Dhe kjo kërkon një njeri të pajisur me një durim tepër të rrallë, me një aftësi të jashtëzakonshme për t’i njohur njerëzit, për t’i bërë ata për vete. I tillë është Idrizi, prandaj ia del gjithçkaje. Nuk e kam parë asnjëherë të flerë gjumë atë njeri. Më thonë se ka qenë i burgosur politik bashkë me Adem Demaçin. Kjo ma shton edhe më shumë respektin.
(…)
________________
DILAVER GOXHAJ: KUR KOMANDANTËT GUXIMTARË TË UҪK’së E FITOJNË BETEJËN NË QAFË TË PAGARUSHËS (MARS 1999)
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=5382
***
DILAVER GOXHAJ: ROLI DHE VLERAT E USHTRISË ÇLIRIMTARE KOMBËTARE SHQIPTARE NË MAQEDONI
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=5423
***
DILAVER GOXHAJ: LUFTA E TOPILLËS (7 – 10 MAJ 1999) /FOTO+VIDEO/
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=5457

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura