PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE (2)

Prishtinë, 01. 07. 2015 – Proqesverbalet e organizatës, por edhe ato të mëhershmet i kishte marr në ruajtje Sherifi, ku më rastin e zbulimit të tyre kishte deklarua se ato i kishte fshehur në arkën, ku gruaja e tij kishte futur çejzin e nusërisë. Por kur merret vesh se ishte zbuluar veprimtaria e organizatës, Sherifi me 14 prill të vitit 1959, para se të lindte dielli i kishte djegur duke i hedhur në oxhakun e shtëpisë që të gjitha. Ai ishte frikua se hetuesit do i zbulonin materialet dhe do të zbulohen shumë persona. Hetuesia e Sherif Muslijës kishte përfundua në ora 22’30 minuta.
Marrja në pyetje e anëtarëve të organizatës ilegale “Vuajtja”
Të arrestuarit, anëtarët e organizatave ilegale atdhetare në Kosovë, zakonisht nuk merreshin vetëm një herë në pyetje. Anëtarët e arrestuar me ditë të tëra torturoheshin e pastaj ishin të pyetur mos rastësisht kanë harruar diçka për të treguar. Kur ata vinin buzë vdekjes nga rrahjet e vazhdueshme ishte krejt e natyrshme që të dilte ndoshta edhe ndonjë fjalë që nuk e kishte vendin që të thuhej. Por e vërteta është kjo se, maltretimet ndaj të burgosurve politik, veçantë ndaj atyre që tregoheshin më të qëndrueshëm, torturat ishin shtazarake.
Në një deklaratë të Sherif Muslis, tregohet në detaje se si punohej me njerëzit kur donin që ti anëtarësonin në organizatë. Vëmendja e personit kryesisht përqendrohej në qëndrueshmërinë e personit, në besnikërinë e tij ndaj fjalës së dhënë, dhe parimisht anëtarësonin personat që kishin lidhje familjare (miqtë, shokët dhe familjaret, rrethi më i gjerë). Fillimisht fillonin me takime të zakonshme, pastaj ato shpeshtoheshin, diskutonin lidhur me probleme familjare, pastaj kalonin në biseda pak më të zgjeruara dhe krejt në fund matej pulsi për pakënaqësinë apo kënaqësinë ndaj sistemit dhe situatës politike në vend, me theks të veçantë në Kosovë. Kjo ishte edhe parimi kryesor që çdo anëtar i përmbahej kësaj.

Sherif Muslija kishte dashur ta anëtarësonte kunatin e motrës së tij. Duke e ditur se familja e dhëndrit ishte një familje me tradita patriotike, ai kishte vendosur që të bisedonte shtruar me Sadri Sali Shoshollin nga fshati Kqiq i Madh. Me sa i kujtohet Sherifit, se, me të kishte pasur tri takime. Takimin e parë e kishte zhvillua gjatë kohës së ramazanit. Kryesisht bisedat ishin zhvilluar të shtunave ngase të premteve ai kishte shkua me e vizitua motrën Rabë në Kqiqin e Madh, e të shtunën bashkë me Sadrijen kishin shkua në pazarin e Mitrovicës. Dhe, zakonisht duke shkuar rrugës, Sherifi e kishte pyetur Sadrijen se a e di se çfarë është Besa, dhe çka është jo besa. Ai ishte përgjigjur se besnik është ai person i cili flet dhe e mban fjalën e dhënë, dhe jo besa është ajo kur njeriu të jep fjalën, por nuk e mban atë, nuk i përmbush premtimet e dhëna.
Pas këtij takimi, ai ishte takua përsëri me Sadrien. Në këtë takimi i kishte tregua se ishte anëtar i një organizate ilegale, e cila ka për qëllim që të angazhohej dhe të luftojë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. “Kisha bisedua me të se është mirë që edhe ai të angazhohej dhe të bind njerëzit që të anëtarësohen në këtë organizatë, por fillimisht ata persona duhet të jenë të besueshëm” kishte thënë Sherifi. Por, kur e kishte pyetur më vonë për këtë ai i kishte thënë se nuk kishte njohuri të mjaftueshme për organizatën. Në takimin e tretë, kur e kishte pyetur se çfarë mendon, ai i kishte thënë se çfarëdo i propozon ai, ai është i gatshëm të punoi dhe të veproi. Po ashtu në ndërkohë kishte bisedua me një shokë i cili ishte i gatshëm që të anëtarësohej në organizatë, por emrin e atij personi nuk ia kishte tregua .
Në organizatë ishte bisedua, një javë para se të zbulohej ajo, se nga shkolla fillore e Prekazit të Epërm ishte grabitur një pushkë për nevoja të organizatës. Kështu do të vazhdohet edhe në të ardhmen, në grumbullimin e armatimit dhe me këto do të bëjmë rrënimin e sistemit politik në Kosovë dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Në këtë mbledhje kishte marr pjesë edhe Istref Osmani nga Prekazi i Epërm. Po në këtë mbledhje ishin njoftuar se edhe Istrefi ishte anëtar i organizatës.
Të akuzuarin në pyetje e kishte marr hetuesi Gjoko Mijanoviq, ndërsa procesverbalin e kishte mbajtur Milorad Milojeviqi. Sipas të dhënave që ekzistojnë në dosjen e kësaj organizate, duket qart se të gjithë hetuesit që i merrnin në pyetje të akuzuarit zakonisht ishin serb, procesmbajtësit ishin serbë dhe personi zyrtar ishte serb. Dhe, çka mund të pritet nga një gjykatës serb dhe me prokuror serb, kur nga këto procese gjyqësore shqiptoheshin dënime me vite të larta burgu.

Deklarata e Beqir Nebih Mejës
Beqir Nebi Meha i lindur me 1936, në Prekazin e Ulët, nga babai Nebi e nëna Hanife, e lindur Vojvoda. Shqiptarë. Me profesion bujk. I martuar, analfabet. Gjendja ekonomike, i varfër. I pa dënuar, i pa dekoruar dhe i pa ndëshkuar ndonjëherë nga ana e organeve shtetërore. Letërnjoftimin e ka të marr me datë 26.09.1952 në Serbicë.
Beqir Meha me dëshirën e tij, pa presion e kërcënim ishte anëtarësuar në organizatën ilegale atdhetare “Vuajtja” në Prekazin e Epërm. Beqiri, fillimisht nuk kishte pasur njohuri se në Prekazin e Epërm ishte formua organizata, por gjatë tërë kohës pas Luftës së Dytë Botërore, ai haptas kishte shprehur pakënaqësinë e tij që Kosova pa dashjen e saj kishte ngelur e okupuar nga Serbia e Jugosllavia. Gjenerata e gjenerata të familjes Mehaj kishin luftuar për një Shqipëri etnike e të plotë. Andaj, atdhetaret kudo që ishin dhe punonin për çështjen kombëtare i dinin dhe i përcillnin ngjarjet dhe njerëzit që punonin për të njëjtën kauzë.

Bislim Bislimi, udhëheqës i organizatës, e dinte se Beqir Meha ishte një burrë trim dhe atdhetar i devotshëm. E dinte se gjysh e stërgjysh kishin luftua për Shqipërinë dhe mbrojtjen e tokave shqiptare por, me padurim priste që të vije momenti për ta informua për ekzistimin dhe për formimin e organizatës ilegale.
Beqir Meha në deklaratën e tij thotë se nuk i kujtohet saktë dita, por diku në muajin janar e kishte thirr Bislimi ne shtëpi se kishte diçka me bisedua. I kujtohej edhe kjo se dita ishte e hënë dhe ishte ditë tregu në Serbicë, “Kur u takova me të, pran hotelit, nën transformator, pas shumë bisedave Bislimi e kishte pyetur se a dëshiron të jetë anëtar i një organizate ilegale ku e udhëheqë vet ai”. Çka ishte e vërteta ai nuk e dinte se çfarë organizate ishte ajo dhe nga ai kërkoi që shkurtimisht ta informonte se çfarë programi ka dhe kush janë anëtarët e saj, qëllimet dhe objektivat e saja. Bislimi pas një prezantimi të shkurtër të organizatës që i kishte tregua se organizatën e kishin pagëzua me emrin “Vuajtja”, që do të thotë, populli shqiptarë nën pushtetin jugosllav nuk ka përjetua tjetër gjë përveç vuajtjeve të vazhdueshme. Andaj, i kishte thënë se qëllimi i saj është lufta e vazhdueshme që Kosova të bashkohet me Shqipërinë. Po ashtu duhet luftua që të rrënojnë këtë vëllazërim e bashkim të shpifur, që në të vërtet është fals dhe nuk ka kurrfarë të drejtash për popullin shqiptarë.
Beqir Meha kur kishte kuptua se organizata po angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pa hezituar kishte pranua që të jetë anëtar i saj. Po aty dhe po atë ditë kishte marrë edhe detyrat e para nga organizata. Ai i kishte thënë vetes se duhej në mënyrë të vazhdueshme të angazhohej për masivizimin e saj në rajonin e Drenicës dhe në mënyrë konsekuent të përcjellin të gjitha direktivat që merreshin nga udhëheqësi i saj. Të përhapshin të vërtetën në popull se si shqiptarët në Jugosllavi nuk kanë kurrfarë të drejtash dhe janë të shtypur si pakicë nacionale, do të shembnin urat që të kuptoj pushteti që populli shqiptar është i pakënaqur dhe se ekziston dikush që po punon dhe po lufton për të drejtat e tij. Njëra ndër detyrat primare ishte grumbullimi i armatimit për nevoja të organizatës, të grabiten ato kudo që ka mundësi në sektorin shtetëror por edhe brenda mundësive edhe të blihen me parat e anëtarëve të saj. Me marrjen e detyrave e obligimeve, Beqiri thotë se “e mora shumë seriozisht dhe në të ardhmen kam qenë anëtar i devotshëm i saj duke mos kursye as jetën për të”.

Në foto duken Beqir Meha (tek dritarja e shkollës) dhe Tahir Meha ( duke bërë roje tek qoshi i shkollës fillore, në Prekazin e Epërm).

Takimet e Beqirit me Bislimin në të ardhmen kishin qenë të vazhdueshme. Takoheshin shpesh dhe bisedonin shtruar për situatën politike e gjendjen ekonomike në Kosovë. Takimet (mbledhjet) siç i quan Beqiri, mbaheshin edhe me dy vet, ngase ishte më praktike se qëndrimet pastaj përcilleshin tek të tjerët e kështu me radhë. Ndodhte që takimet mbaheshin në rrugë, në ara, në treg, në ndeja të zakonshme ,e më së shpeshti mbaheshin në familje. Shpesh ndodhte kur njëri anëtar i thërriste disa shokë në drekë apo darkë tek tjetri dhe kështu zhvilloheshin edhe biseda e debate të shumta lidhur me veprimtarin dhe detyrat e organizatës.
Bislim Bislimi, si udhëheqës që ishte, në fund të marsit, ishte ditë e hënë, e kishte thirrur në një drekë në shtëpinë e tij. Në familjen e tij ishin që të gjithë familjarët, andaj biseda rreth organizatës ishte e pamundur. Kur isha nisur për të dal, ai e kishte përcjell gjatë mysafirin, por duke kaluar pran shkollës së Prekazit të Epërm, Bislimi i kishte tregua se po atë natë ata kishin një mbledhje të Partisë Komuniste, dhe në atë mbledhje do të jenë të gjithë, kështu që në shkollë nuk do të jetë askush, dhe tërthorazi i kishte propozuar që ishte mirë që sonte nga shkolla të grabitet pushka për nevoja të organizatës. “Pas kësaj bisede” kishte thënë Beqiri se vazhdimisht kishte mendua se si do ta realizonte këtë planë. Në shtëpi, kishte bisedua me vëllanë më të vogël- Tahirin dhe tek ai kishte gjet përkrahje të plotë. Nga ai kërkova që të më ndihmojë lidhur me grabitjen. Tahir Meha edhe pse asnjëherë nuk ishte dëshmua se ishte anëtar i organizatë, por vetvetiu kuptohej ngase ata që nuk ishin anëtarë nuk kishin as njohuri lidhur me veprimtarin dhe detyrat e saja. Tahir Meha bashkë me vëllanë kishte marrë pjesë në grabitje duke bërë roje dhe duke u kujdesur që mos të ndodhë ndonjë e papritur.
Nga dhoma e fjetjes së drejtorit, Beqir Meha kishte marr pushkën, 30 fishek dhe një çarçaf që e kishte marr nga dhoma vetëm për të mbështjell pushkën që më lehtë për ta bartur deri në shtëpi. Lajmi ishte përhapur shumë shpejt se dikush e kishte grabitur pushkën nga lokalet e shkollës. Bislimi e kishte marr me mend se këtë detyrë e kishte krye vet Beqiri, dhe pas tri dite ishin takuar me të. Ai kishte kërkua nga Beqiri që ta dorëzonte pushkën në organizatë, ngase ajo ishte marr për nevoja të organizatës. Fillimisht ai nuk kishte pranua, por më vonë ishte bindur dhe në ndërkohë me pushkë në dorë kishte shkua tek Bislimi për ta dorëzuar pushkën. Pasi se e kishin sheshua mirë e mirë problemin, vendoset që pushka edhe më tej të qëndroj në shtëpinë e Beqirit dhe për çdo rast që ka nevojë organizata ajo do të dorëzohet. Anëtarët e organizatës që të gjithë e dinin se pushka ishte marr nga shkolla dhe ishte në vend të sigurt. Dhe duhet përmendur këtë, se, ka qenë rregull e vendim i pashkruar që anëtarët e organizatës të cilët tregojnë e tradhtojnë organizatën, ndaj tyre do të merren masa të menjëhershme me likuidim. Në organizatë ishte marr edhe ky vendim se poçes ndodhë që të zbulohet organizata, të gjithë anëtarët do të ikim në Shqipëri. Të gjithë anëtarët e organizatës njëzëri e kishin miratua këtë propozim duke e ngritur në obligim të anëtarëve.
Ka qenë rregull i pa shkruar se, edhe në organet e hetuesisë në Jugosllavi, zakonisht të burgosurit në burgun hetues merreshin në pyetje në orët e vona të mbrëmjes ose në orët e hershme të mëngjesit. Hetuesit llogaritnin që në ato orë të ima të natës apo të mëngjesit të burgosurit janë të lodhur, të përgjumur dhe të papërgatitur për t’i rezistuar torturave. Këtë dukuri të hetuesisë, organet kompetente të SPB-së, e kishin manifestua edhe ndaj anëtarëve të kësaj organizate. Ta zëmë, Beqir Mehën e kishin marr në pyetje pa paralajmërim në orën 20, dhe hetuesia kishte zgjatë deri në ora 21, kuptohej se gjatë marrjes në hetuesi, ishte e lejueshme çdo lloj torture, ama pa pranin e ndonjë dëshmitari. Shpesh ka ndodhur që personat që merreshin në hetuesi, nga atje në qelit e tyre silleshin pa vetëdije, të gjakosur, me dhëmbë e gjymtyrë të thyera e çka jo tjetër.


Beqir Meha pasi e kishte marrë pushkën.

Hetuesit apo personi zyrtar që i merrte në pyetje të burgosurit, zakonisht nuk ishin të njëjtë. Kështu ekzistonte frika që ata do të zbulohen se kush janë dhe frika ekzistonte nga ndonjë hakmarrje. Në të shumtën e rasteve hetuesit ishin serbë, dhe që nuk kishin fare ndjeshmëri ndaj personave që merrnin në pyetje.
Deklarata e Ali Gjemë Ademit
Ali Ademi ishte anëtar i organizatës ilegale “Vuajtja”. Qysh nga fillimi ishte i angazhuar që të përcjelli dhe të dëgjojë me kujdesin më të madh radio Tiranën dhe emisionet më interesante të cilat bënin fjalë për situatën politike në Kosovë, Shqipëri dhe për politikën ndërkombëtare ndaj Jugosllavisë. Ai kishte për obligim që në takimet e radhës t’iu prezantojë anëtarëve të organizatës të gjitha informatat që i merrte. Në ndërkohë, materialisht e kishte ndihmua organizatën duke e furnizuar me letra e lapsa kur shkruanin procesverbalet dhe dërgonin letra në mes tyre. Ai ishte personi që kishte propozuar që takimet të mbahen në grupe të vogla 2- e 3 veta për shkak të sigurisë. Po ashtu, kishte dhënë besën se poçes arrestohet në asnjë mënyrë nuk do t’i zbulojë shokët.

Ishte i gatshëm që në rast se zbulohej veprimtaria e organizatës dhe anëtarët e saj, edhe ai ishte i gatshëm që të arratisej për Shqipëri. Gjatë aktivitetit të tij me të madhe propagandonte angazhimin e Shqipërisë për çështjen e Kosovë etj.
Hetuesit Ademin e kishin marr dy herë në pyetje. Për herë të parë e morën në pyetje nga ora 0.15 (në mesnatë), por nuk shkruan se kur përfundoi. Në pyetje e kishte marr hetuesi serb Gjoko Mijanoviq.
Deklarata e Tahir Mehës dhënë në hetuesi me datë 16 prill 1959 në orën 10, paradite.
Tahir Meha nuk ishte i arrestuar, por organet e hetuesisë e morën edhe atë në pyetje. Është e ditur se edhe pse nuk thuhej askund, por edhe shokët nuk e kishin zbulua asnjëherë, është e ditur se Tahir Meha si 15 vjeçar ishte bërë anëtarë i organizatës ilegale në Prekazin e Epërm. Pas arrestimit të Beqir Mehës, vëllait të tij, nga organet e hetuesisë u mor në pyetje edhe Tahir Meha. Është befasuese se çfarë deklaratash kishin dhënë anëtarët e organizatës para hetuesisë. Ato ishin që të gjitha identike dhe shumë të sakta njëra me tjetrën. Të arrestuarit nga vet deklaratat del se nuk fshihnin asgjë dhe ishin shumë të sinqertë në deklarimet e tyre. Andaj edhe akuzat që iu bënin të arrestuarve nuk kishin kurrfarë bazamenti për shqetësim.
Në deklaratën e vet Tahir Meha edhe pse ishte i ri, ato plotësisht përputheshin me deklaratën e të vëllait dhe të udhëheqësit të organizatës dhe të shokëve. Tahiri rrëfen se si kishte bërë roje me rastin e marrjes së pushkës nga shkolla. Por, gjatë dhënies së deklaratës së Tahir Mehës në mënyrë indirekte zbulohet se organizata me rastin e zbulimit kishte mbi 25 anëtar, por që shumica nga ata nuk u zbuluan kurrë. Tahir Meha rrëfen se si vëllai fillimisht nuk ka dashur të dorëzoi pushkën udhëheqësit të organizatës. Por, në momentin kur ai i ka thënë se : “ti nuk po ma jep mua pushkën, por po i jep organizatës e cila numrin mbi 25 veta, atëherë Beqiri pa hezituar i ka dhënë pushkën Bislimit”. Në pyetjen e hetuesit se kush janë ata persona, Tahiri është përgjigjur se as Bislimi nuk i ka tregua emrat edhe pse Beqiri e kishte pyetur për emrat e tyre. Biseda kishte zgjatur gjithsej 45 minuta. Në deklaratë qëndron nënshkrimi i hetuesit Milorad Milivojeviq. Zyrtar i autorizuar për të marr në pyetje të dyshuarin.

Deklarata e Adem Alijes e dhënë në organet e hetuesisë në Mitrovicë të Kosovës
Më 16 prill të vitit 1959, në ora 8 të mëngjesit merret në pyetje i akuzuari i radhës, Adem Alia i cili akuzohej për veprimtari armiqësore nga neni 117, alineja 1, të Ligjit Penal të Jugosllavisë. Hetuesin e kishte zhvillua Milorad Milivojeviq, ndërsa procesmbajtëse kishte qenë Olga Vojqiq.
Adem Alija kishte lindur më 7.02. 1926 në fshatin Klinë e Ulët, Mitrovicë e Kosovës, Shqiptarë, me nënshtetësi jugosllave. Ishte nëpunës. I martuar me Mihanen. Baba i një fëmije- Zades (1956). Dinte shkrim-lexim, kishte të mbaruara dy vite gjimnaz. Shërbimin ushtarak e kishte të përfunduar në Suboticë gjatë viteve 1944-1948. Vjen nga një familje e varfër fshatare. Nuk ishte i dënuar. Letërnjoftimin e kishte të lëshuar nga Sërbica me numër 603.
Deklaratën e tij Adem Alia para organeve të hetuesisë e kishte fillua kështu ”Në punë ndodhem që nga 1 qershori i vitit 1948, me disa shkëputje të vogla. Paraprakisht kam punuar në sektorin e bujqësisë e më vonë kam kalua në komisionin për fshat pran komitetit të Rrethit. Nga ana e komitetit të rrethit në Serbicë, isha i caktuar për të ndjekur shkollën e Partisë në Gërmi, në vitin shkollor 1950/51. Pasi përfundova këtë shkollë, më zgjodhën anëtar të Komitetit të Rrethit në Serbicë, si dhe drejtor të Fondit të Mekanikës. Veç kësaj, kam pasur edhe funksione tjera në pushtet dhe në organet partiake. Për hir të disa lëshimeve që kam pasur në aspektin ideologjik, organizata partiake e Sërbicës më 1955 më përjashtoi nga radhët e veta dhe më larguan nga të gjitha funksionet shtetërore dhe partiake” kishte deklarua Ademi.
Ademi kishte deklaruar se gjatë punës disavjeçare dhe jete të kaluar në fshat- Klina e Poshtme ai tregon se kishte pasur shumë kontakte me shumë njerëz të ndryshëm. Pastaj rrethi i tij familjar ishte shumë i gjerë dhe kishte akraba të shumtë në çdo këndë të Kosovës. Andaj pyetja e hetuesit se a e njihte Bislim Tahirin, ai ishte përgjigjur lirisht se me të njihej shumë mirë ngase ishin kaherë edhe miq të mirë. “Bislimi nuk ka qenë asnjëherë ke unë në shtëpi, por unë me sa më kujtohet kam qenë dy herë tek ai. Këto tre muajt e fundit jemi takuar shumë shpesh por jo në shtëpi por në kooperativë, në Klinën e Poshtme, në të cilën unë punoja si nëpunës. Ai tek unë vinte ngase kishte punë të ndryshme” kishte thënë Ademi.
Adem Alia në deklaratën e parë të dhënë me 16 prill 1959, nga të gjitha akuzat që i bëhen nga organet e hetuesisë, asgjë nuk kishte pranua. Kishte mohua se kishte ditur për formimin e organizatës, nuk kishte qenë kurrë anëtarë i ndonjë organizate ilegale dhe se nuk kishte pranua se ndonjëherë Bislimit i kishte folur për ndonjë veprimtari ilegale. Nuk pranonte se njihte anëtarët e tjerë të organizatës. Në pyetje ishte marr në ora 8 të mëngjesit ndërsa biseda ishte kryer në ora 10, të paradites.
Pas kësaj deklarate, Adem Alia nga organet e hetuesisë kishte pasur tortura të vazhdueshme nga ato më të butet e deri tek ato më barbare. Por ai nuk kishte folur dhe nuk kishte pranua asgjë që dinte lidhur me personat dhe veprimtarin e organizatës.
Më 23 prill, po të njëjtit vit (1959), Ademin përsëri e marrin në pyetje duke filluar që nga ora 8 e mëngjesit. Tani merret në pyetje nga hetuesi Gjoko Mijanoviq. Edhe kësaj radhe nuk akuzon askënd, nuk tregon për veprimtarin e organizatës, nuk i zbulon shokët ngase kështu ishte betua para shokëve të grupit. Ai pranon se kishte dëgjua për organizatën, por fillimisht kishte mendua se dikush po e provokonte. Pastaj duke e ditur se sa shakaxhi ishte Bislimi kishte mendua se ai bënte shaka me të e kështu me radhë. Nuk kishte pranua se i kishte huazuar letra për të mbajtur procesverbalin, ngase ai në kutin e tij e kishte faturën që e kishte paguar vet Bislimi.
Lidhur me mendimin se ai do të ikte për Shqipëri, Ademi kishte tregua se është një keqkuptim, ngase ai në vitin 1956, kishte dashur që të shpërngulet për Turqi me familjen dhe kishte shkua me një shokë në Maqedoni për të par se si sigurohen “vezikat”. Duke kaluar në fushat e rajonit të Bitolit kishte thënë dhe e kishte vërejtur se sa afër kishte qenë kufiri me Greqinë, në atë kohë i kishte thënë shokut të tij se “shihe sa afër që qenka kufiri”. Por, shumë më vonë kur kishin prashitur fushën me misër me shok ai kishte tregua se sa afër ishte kufiri me Greqinë. Shokët e tij kishin qesh dhe e kishin pyetur se pse nuk ka ikur. Ai iu ishte përgjigjur se nuk kishte kuptim me shkua, se me mua ishte Ali Beli- qel, dhe nuk doja që në vendin ku shkoja të koritem me të. Por e vërteta ishte se ai –Ademi asnjëherë nuk kishte dashur që të largohej nga Klina e tij e dashur.
Duhet theksuar se në këtë deklaratë, në vendin e procesmbajtësit është shënuar emri i Milorad Milivojeviqit, që në deklaratën e Tahir Mehës ekzistonte si hetues dhe për sistemin e pushtetin e atëhershëm nuk ishte fare e rëndësishme se kush ishte procesmbajtës e kush ishte hetues, se, e rëndësishme ishte që të torturohen shqiptarët për të ardhur deri te qëllimi i tyre.
Duhet përmendur se nga të gjithë të akuzuarit që kishin dhënë deklarata para organeve hetuese në zyrat e sekretariatit të Punëve të Brendshme , menjëherë pas dhënies së deklaratave ishin ankua te organet më të larta gjyqësore.

Vendimi nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Gjykata e Qarkut në Prishtinë, pas pranimit të ankesave të të akuzuarve, kishte lëshua vendim në bazë të veprës penale nga neni 117, alineja 1, të Ligjit Penal të Jugosllavisë, në datën 17 prill 1959. Merret vendimi që:
1. Bislim Bislimi, i lindur më 1934 në fshatin Prekazi i Epërm, në të cilën jeton, nga babai Tahir dhe nënës Hanife… , bujk.
2. Adem Alia, i lindur më 1926, në fshatin Klinë e Epërm, në të cilën jeton. Nga babai Xhemë dhe nëna Zade e lindur Velia. Nëpunës.
3. Sherif Muslia, i lindur më 1924, në Prekazin e Epërm, në të cilën jetonte. Nga babai Sejdi dhe nënës Ajmone e lindur Loshaj. Me profesion punëtor.
4. Beqir Mehaj, i lindur më 1936, në Prekazin e Ulët. Nga babai Nebi dhe nëna Hanife e lindur Vojvoda. Bujk.
Të gjithë këta, akuzohen për veprimtari armiqësore nga neni 117, alineja 1. të Ligjit Penal të Jugosllavisë. Burgu hetues të akuzuarit Bislim Bislimit i llogaritet nga data 14 prill 1959; Të akuzuarit Adem Alijes nga data 16 prill 1959; të akuzuarit Sherif Muslijes dhe Beqir Mehës nga data 15 prill 1959. Për të gjithë këta është caktuar arrestimi në kohëzgjatje për tri ditë
Arsyetimi
Në bazë të të dhënave që ekzistojnë, lind dyshimi se i akuzuari Bislim Bislimi nga fshati Prekaz i Epërm në fillim të vitit 1958 e ka formuar grupin e njerëzve, e cila vetes i ka vu për qëllim që me përdorimin e forcës të shkëput Kosovën nga shteti i Jugosllavisë për ta bashkuar me Shqipërinë, me këtë rast kuptohet se është kryer vepër penale nga neni 101, me të cilën ka kryer vepër penale -bashkim kundër popullit dhe shtetit nga neni 117, alineja 1. të Ligjit Penal.
Po ashtu ekziston dyshimi i bazuar se edhe i akuzuari Adem Alia, Sherif Musliu dhe Beqir Mehaj kanë qenë anëtar të organizatës, në të cilën ishte organizator udhëheqësi Bislim Bislimi, me qëllim kanë kryer vepër penale nga neni 101 të Ligjit Penal, me të cilën kanë kryer vepër penale nga neni 117, aline 2. Të L.P.
Ishte marr qëndrim që gjatë seancave që do të mbaheshin, do të thirreshin edhe një numër i caktuar i dëshmitarëve, po ashtu përsëri do të merren në pyetje edhe të akuzuarit.
Hetuesia u caktua në bazë të nenit 156, alineja 2 të LPJ., çka do të thotë se në bazë të ligjit ishte e obligueshme se në bazë të veprimtarisë armiqësore që kishte zhvillua i akuzuarit Bislim Bislimi, mund të shqiptohej dënimi edhe me vdekje e për të tjerët mund të shqipëtohej edhe dënimi i rëndë deri në 20 vjet burg.
Burgu hetues u caktua në bazë të veprimtarisë armiqësore të Bislim Bislimit në bazë të ligjit 190, alineja 1 të LP, çka do të thotë se në bazë të ligjit është e obligueshme nga këto arsye dhe në bazë të hetuesisë, ndërsa për të akuzuarit e tjerë është e obligueshme se ekzistojnë arsyet nga neni 190 alineja 2 të LP. Në bazë të të dhënave ekziston frika se në rast se të akuzuarit do të ndodheshin në liri, kanë mundësi të pengojnë zhvillimin e hetuesisë duke ndikuar tek dëshmitarët.
Vendimin e kishte sjell gjykatësi hetues Zhivorad Boshkoviq. Në bazë të këtij vendimi të akuzuarit kishin të drejt që tani të angazhonin avokatët e tyre për mbrojtje.
Vendimet me kohë iu kishin dorëzua të akuzuarve: Bislim Tahir Bislimit; Adem Xhemë Alijes; Beqir Nebih Mehës; dhe Sherif Muslijes. Vendimin e kishin nënshkruar të gjithë të akuzuarit me datën 23 prill 1959, në orën 8 të mëngjesit, në Prishtinë me nr. Kio 34/ 59, nga 17 prilli , 1959. Vendimet i kishte dorëzua zyrtari i autorizuar i SPB-së Gjoko Mijanoviqi.

(VIJON…)

 _____________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4244
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4245
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4247
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4248

* * *
LEXONI NE FORMATIN ‘PDF’:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-kecmezi-basha-vuajtja.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura