DILAVER GOXHAJ: MBURRJA E GO3-shit ME NJË LUFTIM DY MUJOR NË KOSHARE (2)

Tiranë, 21 Prill 2020: Në intervistën e datës 10 tetor 2018, dhënë gazetarit Ermal Panduri, për luftën në Koshare, midis të tjerave unë pata thënë: “Ata luftuan. Luftuan me heroizëm. Nuk u turpëruan.” Dhe kjo është më se e vërtetë. Trimëria e forcave të njësisë taktike GO-3 (Br.138“Agim Ramadani”), në këtë luftë dymujore, është admiruar edhe prej vetë kundërshtarëve. Fakti që forcat tona në Koshare shkaktuan surprizë për forcat serbe, përbën të vetmen meritë shumë të madhe për forcat tona. Dhe me rastin e 20 vjetorit të asaj beteje mbrojtëse këtë gjë e pranon me plot gojën edhe gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviç, i cili ishte komandant i Korpusit të Prishtinës gjatë kohës së luftës në Kosovë, i cili edhe sot kujton se forcat që sulmuan në Koshare nuk ishin vullnetarë të stërvitur vetëm një muaj, por kanë kujtuar se ishin forcat më speciale të NATO-s, prandaj thotë: “Sulmi ishte i tmerrshëm, dhe armiku ishte shumë i armatosur mirë, me mbështetje të mirë ajrore dhe instruktorët më të mirë të NATO-s … Ishte një Vietnam në miniaturë. Nuk ishte beteja vetëm e Karakollit të Koshares, ishte një front prej 15 kilometrash….Unë madje kam qarë.”(Gazeta EXPRESS, e Shtune, 11 Nentor 2017)
Nga ana tjetër, edhe presidenti i Serbisë Vuçiç, po me rastin e këtij 20 vjetori, e quajti sulmin e dy ditëve të para të forcave të GO-3: “Termopilet serbe”( “Politika”, 9 prill 2017). Gjë që pranohet pa hezitim morali, devotshmëria dhe trimëria e luftëtarëve tanë. Por këta zotërinj “profesionitë” nuk kanë ditur ta shfrytëzonin atë trimëri e vetësakrifikim të vullnetarëve shqiptarë ardhur nga të gjitha anët e rruzullit tokësor. Uroj që kjo të ketë qenë vetëm paaftësi e këtij kontigjenti oficerash.
***
Në krerë të veçantë të këtij libri do të tregohet me hollësi se raporti i forcave në Koshare ka qenë përherë në favor të forcave tona. Këtë e tregoi vetë fakti që forcat serbe nuk mundën të përparonin asnjë hap në drejtim të pozicioneve të kapura nga forcat tona. Por e tregon edhe fakti tjetër që, kundër 2600 forcave tona vepruan repartet e mëposhtme serbe, të cilat na i jep jo vetëm pala armike, por edhe një oficer prej anëtarëve të shtabit të GO-3:
1- batalioni kufitar 53 i Brigadës 125 të Ushtrisë jugosllave, e përkrahur nga policia serbe
2- batalioni i II i Brigadës 125 të motorizuar, pjesë e Brigadës së parashutistëve;
3- një pjesë e njësiteve special të Brigadës 72 ;
4- njësitet e policisë së Korpusit të Pristinës;
5- njësitet e policisë së korpusit të 2 beogradase të përforcuara me policë nga ish vendet jugosllave;
6- detashmenti i huaj me forca vullnetare e mercenarë;
7- detashmenti “Kozak” i ardhur nga Rusia, pjesëmarës nga lufta në Çeçeni;
8- mbeshtetja nga skuadrilia e aviacionit sulmuese-bombarduese të armatës jugosllave.
Gjithsej: 2332 forca
Këtë sasi forcash na e konfirmon edhe pala serbe përmes organit “The Srpska Times”, datë 09.04.2019:
“The Srpska Times”, datë 09.04.2019: “Rreth 12,000 trupa të NATO-s ishin në anën shqiptare, ndërsa vetëm rreth 2,000 ushtarë serbë e mbrojtën kufirin serb, kryesisht pjesëtarë të Brigadës Motorike të 125-të dhe 549-të, pjesët e Batalionit të 63-të të parashutëve dhe të Brigadës së Posaçme 72 dhe vullnetarëve rusë. Beteja e Koshares mori shumë jetë nga të dy anët.”

Të gjitha këto forca serbe muarën kontakt me forcat tona, pavarësishtë se armiku kishte mundësi të afronte edhe forca të tjera të Korpusit të Prishtinës. Por, mos afrimi i forcave të tjera nga pala serbe tregon, se ajo komandë e pat bindur veten se forcat tona kishin vendosur të bënin vetëm betejë mbrojtëse. Kjo lloj beteje mbrojtëse e forcave tona, nuk ishte në interes të nivelit strategjik e operativ të UÇK-së, por në interes të forcave serbe, pasi kundërshtari u bind se forcat tona që luftonin në Koshare kishin hequr dorë nga hapja e korridorit të furnizimit për UÇK-në. Dhe mos të harrojmë edhe faktin që forcat tona ishin të përforcuara edhe me një sasi repartesh artilerie të Divizonit të Kuksit të Ushtrisë Shqiptare, që llogariten në 4-5 grupe artilerie me larghedhje të madhe.
Në të vetmen gjë, që nuk patën dallime këto dy pale kundërshtare, ishte se asnjëra prej tyre nuk pati asnjë periudhë pushimi gjat gjithë luftës dymujore.
***
Nga ana tjetër, thirrjes së QPK-së dhe SHP të UÇK-së për mobilizim të përgjithshëm iu përgjigjën mijëra vullnetarë nga e gjithë diaspora dhe trevat e banuara me shqiptarë. Deri në datën 8 prill 1999, vetëm në Qendrën Stërvitore në Helshan (Kukës), sikundër tregon komandanti i asaj qendre stërvitore, Agim Haziri, ishin duke u stërvitur 1200 luftëtarë vullnetarë. Merret me mend se, sikur kjo masë kaq e madhe të ishte përqëndruar për zhvillimn e mësymjes në Koshare, ajo betejë kishte për t’u fituar ndoshta pa pasur nevojë fare për t’u përleshur. Pasi, serbët, të kapur në befasi nga ajo dyndje e madhe njerëzish të armatosur e të mbështetur me zjarr të shumtë artilerie, do ta kishin lënë vetë korridorin të lirë qysh në ditën e parë të sulmit. Korpusi i Prishtinës, çfarëdo mase që të merrte, nuk do të mund ta shmangte dot disfatën brenda asaj dite, për mos të thenë brenda disa orëve.
Kësaj zhurme të madhe propagandistike, të inicuar prej kuadrit komandues të GO-3 dhe iluzioneve të tyre, ka gjasa t’i ulet kjo eufori fallco pasi ta lexojnë me gjakftohtësi këtë analizë të hollësishme ushtarake, me besimin se kanë për t’u bindur përfundimisht se nuk është GO-3 që çliroi Kosovën, por është bashkveprimi luftarak midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s. Dhe këtë bashkëveprim e mbajti SHP i UÇK-së, për të cilin Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, Uesli Klark, u shpreh: Bashkveprimi më i mirë luftarak në historinë 50 vjeçare të NATO-s.
***
Konkluzioni i bërë prej meje në intervistën e 10 tetorit 2018, për “Betejën e Koshares”, sikundër u shpreha më lartë, inicoi një reagim tepër të ashpër dhe mospranues si nga një pjesë e kontigjentit oficer që luftoi në Koshare, por edhe nga luftëtarë të thjeshtë të atij formacioni luftarak, bashkë me disa analistë profanë nga ana ushtarake, nëpër televizorë të ndryshëm ashtu edhe në mediat me shkrim. Kuptohet, se konkluzioni që unë deklarova për atë “betejë” tingëlloi si e papritur për opinionin në Kosovë, dhe kjo ngaqë gjatë 20 viteve, 1999-2019, pothuajse për ditë, populli është bombarduar me të kundërtën e asaj që unë shpreha. Prandaj dhe reagimet e pjesmarrësve në atë formacion ishin dhe vijojnë të jenë fyerje e aspak analitikë, të cilat, sikundër thashë, janë pjesë e veçantë e këtij libri.
Dhe gjithë ky agresivitet i tyre e ka burimin te fakti, se këta zotërinj të “Betejës së Koshares” mburren dhe fyejnë ngaqë nuk e njohin mirë artin e luftës. Duke qenë se mjeshtërinë e të luftuarit ata e quajnë shkencë prandaj, kujtojnë se bëjnë mirë që luftën e tyre dy mujore në Koshare e quajnë betejë; ata nuk e dinë se të organizosh një betejë është mundësi dhe jo dije statike; ata nuk e dinë se beteja nuk është diçka e bazuar mbi ligje dhe rregulla fikse që mund të zbatohen në mënyrë skematike, por është një lloj aftësie për t’iu kundërvënë një objekti që jeton dhe kundërvepron, është një gjykim i shpejtë në një moment të caktuar se si ta mposhtësh kundërveprimin e tjetrit, si ta rrethosh e ta asgjësosh atë në atë moment. Me një fjalë, ata e kanë ende të paqartë se lufta është kryesisht art i gjykimit të shëndoshë, sikundër thotë Napoleoni. Por që më saktë e shpreh një proverb spanjoll: “Udhëtar, rrugë nuk ka. Rrugët janë bërë duke ecur”.
Gjithashtu, ata ende nuk e kanë të qartë se ka betejë mbrojtëse dhe betejë sulmuese. Këtë përcaktim e bën Klauzeviçi. Duke mos e pasur shumë të qartë këtë gjë, prandaj z.Hysen Berisha në intervistën e dhënë në 16 prill 2019 te TV Dukagini thotë: “Përgatitja për vendimmarrje të betejës ka ndodhur 5-6 muaj përpara.”!
Nga ana tjetër, në një moment të caktuar, z.Hysen Berisha, gjatë intervistës së datës 16 prill 2019 në TV Dukagjini, na la të kuptojmë se ata quajnë “Betejë e Koshares” momentin e marrjes së karakollit të postës kufitare serbe “7 Korriku”, në Koshare, duke na thënë qartë: “Një ushtri thyhet nëse i merret kazerma.” Çfarë kërkon të na thotë ky zotëri më ketë shprehje? Mos vallë kujton se jemi në mesjetë? Vetëm në luftërat e mesjetës ekzistonte kjo aksiomë: po të merrej kështjella lufta ishte e fituar. Dhe me kaq e quajnë të realizuar detyrën ndaj Atdheut, e quajnë të çliruar Kosovën, e quajnë të realizuar strategjinë e luftës në Kosovë, e quajnë të kryer detyrën e dhënë nga SH.P i UÇK! Madje, pse morën karakollin e postës kufitare, “Betejën e Koshares” e quajnë “epopeja e madhe e UÇK-së”! (M.Çetta, vepër e cituar, v.2,f.260), edhe pse EPOPE thuhet për një ngjarje të madhe historike që ka të bëjë me fatet e një populli a kombi të tërë, sikundër është lufta e Jasharajve, që ngriti në këmbë një komb të tërë. Por këta zotërinj, nuk mund ta pranojnë luftën në Prekaz si betejë, ndryshe do të pranonin për Komandant të Përgjithshëm Adem Jasharin, gjë që do t’i akuzonin për shkarkim nga detyra të Rugovës. Pse, e hanë atë teke ata?
***
Këta zotërinj e kanë më se të qartë se gjatë dy muajve luftë, duke luftuar vetëm në mbrojtje, ranë 114 dëshmorë dhe u gjymtuan 350 të tjerë. Kjo do të thotë se çdo ditë delnin jashtë luftimit 7-8 luftëtarë, që përbëjnë gati një batalion, duke mos llogaritur ata që shoqëronin të plagosurit në spital e që shumë prej tyre nuk u kthyen, (sikundër mësojmë nga dëshmitari Muhamet Çetta). Thua të mos jetë kjo një prej shkaqeve pse nuk u arrit realizimi i detyrës, e që gjeneralët tanë bëjnë sikur nuk e kuptojnë këtë gjë?!
Nëse do të qe arritur fitorja, hapja e korridorit të furnizimit, dhe do të kishin ardhur furnizimet nga Shqipëria, fitorja do të kishte të atillë çmim sa të mos vihej në llogari sasia e forcave të humbura e të gjymtuara, dhe s’do të kishte pasojë tjetër veç keqardhjes për forcat e sakrifikuara. E kështu magjia e fitores dhe mënxyra e humbjeve do të ndërronin peshën specifike të këtyre elementëve.
Boll që t’u kujtojmë këtyre zotërinjve se SHBA e ndërprenë luftën në Vietnam kur filluan të pësonin humbjen e 6 ushtarëve në ditë. Dhe të mos harrojmë që ata ishin një shtet me 260 milionë banorë, ndërsa ne as 1,5 milionë! Sa mirë këta gjeneralët tanë mburren kur gjeneralët serbë thonë “Kosharja për ne ishte një Vietnam amerikan”, dhe për atë pse amerikanët ndaluan luftën në Vietnam bëjnë sikur nuk e dinë?! Kur këta gjeneralët tanë e shihnin se humbjet i kishin me të tilla shifra, 7-8 luftëtarë në ditë largoheshin nga fronti, dhe hapja e korridorit po bëhej çdo ditë e më e pamundur, sikundër edhe rezultoi, pse nuk u tërhoqën? Gjeneralët tanë profesionistë, nëse do të pranojmë se janë profesionstë të mirëfilltë, duhej të ndërgjegjësoheshin për një tërheqje në kohë me formacione të rregullta, e nuk do ta kishim këtë humbje që këta e festojnë si fitore.
Dhe ky lloj veprimi i tyre, duke folur vetëm për fitore, mendoj se ka brenda djallëzinë, që t’ia prishin mendjen popullit e të mos japin llogari për ato humbje. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk kanë pushuar së deklaruari se janë ata që kanë çliruar Kosovën dhe jo UÇK –ja. Ndërsa për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së nuk rreshtin së thëni: “Ai ishte shtab jo profesionistësh”, propagandë e cila ka për qëllim ta nxjerrë gjithë UÇK-në të paaftë dhe veten e tyre strategë të shquar.
***
Bazuar në çfarë është shkruar e thënë nëpër intervista, e veçanërisht në kronikat e luftimeve të përshkruara nga z.Muhamet Cetta, bëhet e ditur se prej kur sulmi i Br.138 pushoi duke u transformuar në mbrojtje për më shumë se dy muaj rresht, nuk na rezulton që armiku të ketë sulmuar me forcat kryesore për të rrethuar dhe asgjësuar forcat tona në Koshare. Gjithashtu na është thënë e stërthënë se serbët sulmonin çdo ditë, por jo me forca më të shumta se me kompani.
Ç’farë tregojnë këto fakte?
Këto tregojnë se pala e jonë gjatë gjithë ditëve që luftoi në mbrojtje bënte të njëjtat veprime luftarake: zjarr artilerie dhe sulme me grupe të vegjël e të veçuar. Me këtë lloj taktike apo edhe strategjie kundër të njëjtit armik, oficerat tanë kanë bërë që armiku të kalitej për një mbrojtje të vazhdueshme. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga arsyet pse mbrojtja e armikut nuk u thye. Sepse me llojin e luftimit tone, vetëm me zjarr artilerie të njëjtë e të përditshëm, i bënë serbët kundërshtarë të denjë të forcave tona, pasi janë vetë këta tanët që u treguan qëllimin e luftimit të tyre. Prandaj dhe armiku nuk ka bërë përpjekje të sulmonte me forca të shumta, pasi duke i mbajtur forcat tona në mbrojtje, ai e arriti qëllimin: nuk lejoi të hapej korridori furnizimit nga ana e jonë.
Prandaj është e pabesueshme shifra e deklaruar nga komandantët e GO-3 se armikut i janë vrarë 1600 forca. (Sipas Radio”Europa e Lirë” (që financohet nga Kongresi amerikan), datë 8 Maj 2018, jep këto të dhëna konkrete për sasinë e njerëzve të vrarë gjatë lufte në Kosovë: gjithsej 13.518. ). Kjo edhe për faktin tjetër, se po t’i qenë asgjësuar armikut 1600 ushtarë, forcat tona nuk kish pse të prisnin në transhe deri në 19 qershorin e vitit 1999, por brenda 2-3 ore do ta kishin kapërcyer lumin Erenik e do të kishin dalë në brigjet e lumit Drini i Bardhë.
***
Por le të ndalemi pak e të shpjegojmë për lexuesin, se çfarë duhet të kuptojmë me BETEJË, dhe pse e kanë emërtuar të tillë këta zotërinj luftën në Koshare.
Së pari, duhet theksuar se: qëllimi i betejës, sipas klauzeviçit, ka për objektiv “të shkatërrojë forca të shumta të kundërshtarit, duke përdorur një pjesë të vogël të forcave të veta”, sikundër thotë Klauzeviçi
Dhe, sikundër thamë më lartë, ka dy lloj betejash, betejë mbrojtëse dhe betejë sulmuese. Parë nga pikëpamja taktike, beteja është krejtësishtë sulmuese, nëse ti e kërkon kundërshtarin dhe e sulmon atë porsa hyn në teatrin e luftës. Në këtë rast beteja është gjithmonë taktikisht sulmuese, e cila realizohet kur sulmuesi do të ketë vënë në jetë krejt planin e vet dhe do të ketë përdorur pjesën më të madhe të forcave të tij. Palës sonë, edhe pse pat kaluar në mbrojtje duke pritur sulmin e serbëve në pozicionin e saj, pjesa sulmuese e betejës nuk duhej t’i kishte munguar kurrë. Dhe nëse pala jonë mbrojtëse do të ishte fitimtare, atëherë do të kishim të drejtën të thoshnim se pala sulmuese serbe ishte shpartalluar, i ishin vrarë 1600 forca, (thënë ndryshe 70% e forcave të tij), që do të thotë, se pala serbe kishte përfunduar në një zhbërje të vërtetë.
Por historia ushtarake rrallë paraqet raste suksesesh të mëdha të arritura nëpërmjet betejës mbrojtëse. Por pala serbe, duke parë që pala jonë ishte e kënaqur me qëndrimin në mbrojtje, ajo e largoi rrezikun dhe ka shpëtuar nderin e armëve të veta. Me një fjalë, pala serbe me sulmet e saj të vazhdueshme me pak forca dhe me forcat kryesore qëndronte në mbrojtje, ka synuar vetëm të sprapste sulmin e palës sonë dhe jo në shkatërrimin e saj, për të mos pasur shumë humbje. Dhe faktikisht ajo pati më pak humbje se ne.
Bazuar në këtë analizë, duke u bazuar te Klauzeviçi, pala jonë (GO-3), duke qenë se e filloi luftën duke kaluar në sulm, atëherë beteja e saj duhej të ishte betejë sulmuese, për vet faktin, sikundër na thotë gjeneral Hysen Berisha, se “Përgatitja për vendimmarrje të betejës ka ndodhur 5-6 muaj përpara.”
Në këto kushte, cila duhej të ishte atëherë karakteristika kryesore e betejës sulmuese e Br.138? Përgjigjen për këtë pyetje na i jep përsëri Klauzeviçi, i cili thotë:
“Karakteristika kryesore e betejës sulmuese është krahmarrja ose rrethimi dhe, për rrjedhojë, fakti që është sulmuesi ai që e ofron betejën. Luftimi nëpërmjet vijave krahmarrëse ka në thelb epërsi të mëdha. Për këtë arsye ai është problem me karakter taktik. Sulmuesi nuk duhet të heq dorë nga të tilla epërsi në mënyrë që mbrojtësi të mos ketë asnjë mjet për të kundërvepruar.”
Po t’u referohemi intervistave dhe shkrimeve të bëra nga vetë kuadrot e kësaj brigade, mësojmë se sulmi i saj është bërë ballor në tre drejtime, (DO, sikundër na thotë vetë z.Hysen Berisha), dhe duke qenë se armiku ishte tërhequr prej pozicioneve të para të tij, ai duhet ta ketë ditur që do të sulmohej, ndoshta dhe orën e saktë. Për këtë bindemi, se të gjithë thonë se e dinin orën e sulmit një ditë më herët!
Duke qenë se Br.138 nuk arriti të bashkohej me forcat e tjera të Z III Op. Dukagjini, tregon se ajo pat kaluar në një mbrojtje të shartuar, nga një ndërmarrje sulmuese. Dhe, duke mos mundur më të ruajë epërsinë e sulmit që pati dy ditët e para të luftimit, sulmi u shndërrua në mbrojtje. Përderisa sulmi i kësaj brigade nuk vijoi pas dy ditëve të para, deri në arritjen e hapjes së korridorit të furnizimit, natyrisht që do të përfundonte medoemos me një mbrojtje të shartuar, sikundër edhe përfundoi.
Çdo betejë nuk zhvillohet kurrë ashtu si e kanë parashikuar ata që e drejtojnë. Ky është një kusht kryesor në luftë. Edhe në rastin tonë, luftimet vijuan të zhvilloheshin pa përkuar kurrë me ato që kishin paramenduar ata që e planifikuan atë sulm 5-6 muaj resht. Në vend që të vijonin e fuqizonin sulmin, ata i dhanë atij formë mbrojtëse. Prandaj Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, duke e ndjerë se orvatja për hapjen e korridorit në Koshare dështoi, vendosi që në 12 prill të fillonte planizimin për një operacion sulmues në mal të Pashtrikut.
Pa dyshim që kalimi në mbrojtje i forcave në Koshare ishte një fitore për serbët, gjersa fusha e betejës mbeti në duart e serbëve. Na rezulton se forcat tona gjatë atyre dy muajve nuk bënë as edhe një orvatje të vetme për sulm vendimtar, për betejë, sikundër duan të thonë. Ata zgjodhën rrugën e mesme: duel artilerie. Në ato kushte forcave serbe nuk u duhej ndonjë gjenialitet i veçantë. Për këtë ata u mjaftuan të bënin gjënë më të thjeshtë e më të lehtë: të mos i lejonin forcat tona të ngrinin kokën nga transheja, duke i goditur metodikisht me artileri dhe snaiperistë; ku vetëm një togë mortajash artilerie serbe ka hedhur gjatë atyre dy muajve luftë në Koshare 45 mijë predha.”Rrefime lufte nga Kosharja” klankosova.tv, datë 2 maj 2019). Po gjithë artileria serbe e përqëndruar në Koshare, sa predha artilerie ka hedhur?!
Asgjë nuk ishte më pa mend nga ajo që bëri udhëheqja e GO-3: qëndruan në mbrojtje deri në fund të luftës pa zhvilluar betejë, pa u orvatur fare të sulmonin.
Gjithashtu, nuk është aspak e vërtetë se gjoja serbët sollën në Koshare 30% të gjithë forcave që kishin në Kosovë, kur dihet se prej 1 prillit 1999, kur u thye Operacioni “Patkoi” në malet e Berishës, ajo mbarte në vetvete, si të thuash, kushtet kimike të dekompozimit të saj.
Por, edhe forcat tona u përforcuan duke arritur 2600 forca, pse nuk kaluan edhe në atë moment në sulm, nëse do të pranojmë se i kishin asgjësuar armikut 70% të forcave të tij?
Po ne nuk kemi asnjë nevojë të fryjmë sasinë e forcave serbe në Koshare për të fshehur turpin tonë. Ne kemi paguar me gjak për të pasur të dretën t’i shikojmë gjerat ashtu siç janë, dhe nuk heqim dorë nga kjo e drejtë. Këtyre kuadrove të GO-3 u duket se, kur kanë ndërmarrë dy-tre raste sulmi (kur kanë depërtuar me grupe shumë të vogla në shpinë të mbrojtjes serbe), i kanë parashikuar të gjitha. Mirëpo ato s’kanë fund.
Plaga që i kishin dhënë armikut, duke i marrë karakollin, tregoi se nuk ishte aspak vdekjeprurëse për të. Këta tanët, duke dëshiruar diçka, janë të aftë të mbledhin gjithë lajmet serbe e shqiptare në mënyrë që këto të duken sikur vërtetojnë gjënë e dëshiruar, fitoren, duke lënë në harresë me dashje gjithçka është në kundërshtim me dëshirën e tyre. Prandaj zotërinjtë e këtij formacioni është mirë t’i gjejnë një emërtim tjetër kësaj luftës së tyre në Koshare, se betejë ajo nuk ka qenë dhe nuk mund të quhet si e tillë.
***
Nëpërmjet këtij ballafaqimi mediatik jam munduar t’u provoj të dy palëve “avukatë mbrojtës” pjesën e tyre të vërtetë se deri në çfatë mase kanë të drejtë për “fitoren” prej tyre të Luftës në Koshare. Dhe këtë jam munduar të realizoj duke ndërtuar një pamje të tretë të së vërtetës së asaj “fitoreje” prej secilës palë, duke përfshirë në këtë pamje të tretë edhe dy pamjet e së vërtetës të prezantuar nga secila palë mbrojtëse kundërshtare.
Të dy palët mbrojtëse të asaj “fitoreje”, me argumenta që kanë hedhur në këta 20 vjet në trajtën e tyre ekstreme, kemi konstatuar se nuk kanë mundur ta bindin gjithë opinionin e gjerë. Kjo është arsyeja pse ata po mundohen t’i japin asaj “fitoreje” pamjen e një sinteze, me qëllim që ajo “betejë” të përgjithësohet si fitoria më vendimtare e gjithë luftës në Kosovë nga secila palë.
Duke u nisur nga një pozitë e mesme, mendoj se përmes këtyre analizave dhe krahasimeve kam bindjen se kam arritur t’i tregoj opinionit të gjerë dhe vetë këtyre “avukatëve mbrojtës” rrjedhën e natyrshme të së vërtetës së plotë se si është zhvilluar faktikisht Lufta e Koshares.
Dhe këtë jam munduar ta arrij duke përvetësuar të dy pamjet e asaj “fitoreje” të shprehura prej “avukatëve mbrojtës” të secilës palë, duke realizuar shkallë-shkallë shprehjen më konseguente të së vërtetës së asaj luftë në Koshare. Dhe kam bindjen se ky libër ka për të shërbyer si urë midis dy palëve “avukatë mbojtës”, me qëllimin e mirë që secila palë të bëhet e vetëdijshme për shkallën e realizimit të detyrës së ngarkuar. Këtu mendoj se qëndron kuptimi i gjithë këtij debati mediatik për Luftën në Koshare.

FUND 
____________
Shënim: Marrë prej parathënies së librit “Lufta e Koshares”, i cili është në botim e sipër. Tiranë, 19 prill 2020

______________________

DILAVER GOXHAJ: MBURRJA E GO3-shit ME NJË LUFTIM DY MUJOR NË KOSHARE (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9951
***
DILAVER GOXHAJ: MBURRJA E GO3-shit ME NJË LUFTIM DY MUJOR NË KOSHARE (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9952

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura