ARDIAN RAMADANI: TË RINJTË DHE KULTURA

Kumanovë, 25. 07. 2014 – Motori lëvizës dhe shtylla kryesore e çdo shoqërie është rinia. Ajo me vullnetin, me elanin e saj, me vlerat dhe atributet e saja ka arritur të jetë jo vetëm artikuluese e ndryshimeve, por njëkohësisht edhe bartëse e ndryshimeve, transformimeve shoqërore, politike, njerëzore e kështu me radhë. Andaj detyra e elitave politike, shtetërore, akademike… udhëheqësve, shtetarëve, etj është krijimi i ambientit dhe klimës së volitshme, në mënyrë që kjo kategori e shoqërisë të ketë vendin e duhur, të marrë rolin e duhur, duke sublimuar dhe i dhënë kuptim vet lirisë.
Thënia e veprimtares së shquar franceze Marie Odete Larougnon që liria nuk jepet por merret, është më shumë se lajtmotiv, është një shtysë më tepër, që duhet ta bëjë rininë të reflektojë për të marrë hapin e guximshëm dhe fatin në duar të veta, edhe atë duke u sjellur si qenie njerëzore, duke dhënë kontributin e duhur në zgjidhjen e problemeve, ngase me të drejtë Xhon Kenedi, ish president amerikan do të shprehej që të gjitha problemet njerëzore janë të shkaktuara nga njeriu dhe mund të zgjidhen nga vet njeriu.

 Rinisë, si kategoria më universale e shoqërisë do t`i shkonte për shtati mesazhi shumë domethënës, që mos të bëhet si thnegla që vetëm mbledh, as si merimanga që vetëm thur, por të bëhet si bleta që merr nektarin dhe prodhon mjaltin. Mirëpo duhet pasur parasysh që rruga që të shpie kah suksesi nuk është e shtruar me lule. Andaj, përdora shembullin e bletës, e cila për 1 kg mjaltë përshkon 360-400 mijë km, e thithë nektarin e 12 milion luleve. Nëse imagjinojmë distancën, ajo është 11 herë më e madhe se gjatësia e ekuatorit në rruzullin tokësor.
Rruga të cilën duhet ndjekur rinia
Sfidat e sotshme, shoqëria pozitiviste dhe moderne, kibernetika dhe informatika, ndryshimet e shpejta marramendëse, kanë bërë që rinia jonë, në përgjithësi të ndjehet e sfiduar e shpesh herë edhe e papërgatitur për këtë evoluim. Si duhet t`i përgjigjet rinia këtyre ndryshimeve sa të shpejta, aq edhe sfiduese, sa të dobishme aq edhe të rrezikshme, sa emanente (të brendshme, përmbajtësore), po aq edhe transcendentale (të jashtëzakonshme) ? Fillimisht, Njihe veten, mu ashtu sikurse porosiste Sokrati, apo siç porosit edhe hadithi profetik, « Kush e njeh veten e vet, pa dyshim që njeh edhe Zotin e vet ». Kjo arrihet leximit, studimit, thellimit dhe nxënies. Rinise sonë i nevojitet gnoseoterapia, shërimi përmes dijes. Zaten është provuar që dija nuk është garantuesi qind për qind i shërimit, mirëpo është vërtetuar se shërimi nuk mund të behët në asnjë mënyrë tjetër përpos përmes dijes dhe diturisë. Krejt kjo ngase pak dituri është më mirë se shumë ibadet (lutje) pa dituri.
Rruga tjetër është depolitizimi dhe departizimi, shmangja nga instrumentalizimi dhe militantizmi, bërja vegël e qarqeve të caktuara politike. Ose thjesht shndërrimi në skllav. E aq më keq, shndërrimi në skllav të lumtur. Skllevërit e lumtur janë armiqtë më të ashpër të lirisë. E ai që mendon se është i lirë, duke mos qenë i tillë, qenëson kot.
Rinia jonë duhet shmangur nga rrymat ekstreme etnike apo fetare, nga nacionalizmi negativ i tepruar apo nga rënia në kurthin e shovinizmit. Me të drejtë Danilo Kish do të shprehej se nacionalizmi ekstrem u jep njerëzve me personalitet të pareformuar identitetin që u mungon. Që të arrihet kjo nevojitet edukimi i mirëfilltë, e mbi të gjitha edukimi i vullnetit, ashtu siç do të porosiste dhe Jules Payot. Burimi i shkencës është intelekti, ndërsa i veprimit është vullneti. Që të arrihet suksesi nevojitet një punë dhe angazhim frytdhënës, i cili do të kombinohej me dashuri ndaj punës, me vullnet të përkushtuar, me guxim dhe me përdorim të intelektit. Të kihet parasysh dhe të jemi koshient se asnjë sukses në botë dhe asnjë e arritur nuk është bërë rastësisht, por në saje të punës dhe angazhimit. Përderisa filozofi i madh anglez Spenser, i ka shkruar veprat e tija me një punë permanente dy orëshe në ditë, ndërsa Emilie Zola, shkrimtari i shquar francez çdo vit ka shkruar nga 1000-1200 faqe, me një punë intensive prej tre orësh në ditë, kjo dëshmon dhe flet se duhet vlerësuar kohën dhe shfrytëzuar atë në maksimum, ngase po nuk e shfrytëzuam dhe menaxhuam racionalist, do humbasim dhuratën më të çmuar.
Një pjesë tejet e rëndësishme, e cila ndikon direkt në edukim të rinisë është edhe sporti dhe aktivitetet e ndryshme sportive. Sporti i cili është një vetedukim dhe dëshmon shkallën e ngritjes kulturore të një populli, duhet të promovohet dhe praktikohet paralelisht, në sinkron me lejueshmërinë, ngase mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë. Kombinimi dituri-sport është garantuesi i suksesit të një rinie. Me të drejtë Jean Claude Perrin, atlet francez, do të shprehej se vlera e vërtetë e sportit është njeriu. Me rregullat sportive dhe me garat, sporti vë në pah cilësi dhe virtyte. Është një ringjallës i personalitetit dhe një mjet i rëndësishëm për edukim dhe ngritje kulturore.
Besoj së ndjekja e këtyre këshillave dhe propozimeve do të sigurojë sukses dhe progres. Beteja kundër mentalitetit të mbylljes hermetike, kundër viskozitetit-gjendjes statike, dialogimi në një klimë të dinjitetshme, përdorimi i kritereve të mirëfillta, , shmangja nga butaforia (kotësia), vlerësimi kohës … janë determinues të suksesit. Të dish të vetëvendosësh (në anglisht selfdetermination ose në frëngjisht disposé à soi-meme), duke arritur shkallën e autonomisë dhe kontributit individual, duke pasur parasysh që e gjithë kjo të realizohet në klimë të lirë, apo ashtu siç propozon Etienne Balibar në rrethana të një lirie të përcjellur me barazi (égaliberté).
Kësisoj do të kemi një rini të shëndoshë, të fuqishme, jo inaptokrate (të paaftë), një rini me kapacitete të duhura.
Këto kapacitete do të ndihmojnë në luftimin e marrisë, sepse ajo është armiku më i rrezikshëm se e liga, ngase kundër ligësisë mund të protestosh dhe ta parandalosh edhe me forcë, mirëpo kundër marrisë je i pafuqishëm, lypset tepët angazhim për çrrënjosje.
Porositë e dhëna shumë kohë më parë, vlejnë dhe më tej, për rininë tonë :
1. Ai që din dhe e din që din, është dijetar përcille !
2. Ai që din, por nuk e din që din, ai flenë zgjoje atë !
3. Ai që nuk din dhe e din që nuk din, ai duhet të udhëzohet, mësoje atë !
4. Ai që nuk din dhe nuk e din që nuk din, është injorant, i rrezikshëm, largoje atë.

Përfundoj këtë shkrim dhe analizë, me porositë e Laocit, filozofit kinez.
1. Kush i njeh të tjerët është i mençur!
2. Kush e njeh veten është i urtë!
3. Kush i mund të tjerët ka forcë!
4. Kush mund vetveten është i fuqishëm!
5. Kush arrin diçka me sukses ka vullnet!
6. Kush din të thotë boll, është i pasur!
7. Kush nuk e humb vendin e tij është i qëndrueshëm!
8. Kush nuk fundoset as pas vdekjes, ai jeton!

Kjo Mise en scène është e denjë për rininë kumanovare. Dhe atë shqiptare në përgjithësi.

***
(Punim i prezantuar në Konferencën “Të rinjtë dhe kultura në qytetin tonë”, mbajtur në Kumanovë me 22 korrik 2014, konferencë kjo e organizuar nga FRI.)
– Autori është përkthyes dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura