DR.JAKUP KRASNIQI: ҪKA TË THEMI PËR RAPORTIN KONFIDENCIAL TË EULEX’it?!

Prishtinë, 05. 06. 2015 – Raporti konfidencial i hartuar nga një Komision hetues i Brukselit për EULEX-in ka hapur shumë dilema, si për politikën e mirëfilltë shqiptare ashtu edhe për BE-në si themeluese e misionit te EULEX-it. Për qytetarët e Kosovës, është mirë që në shesh ka dal një e vërtetë, ndonëse ajo është goxha e hidhur, është e hidhur se askush në Kosovë nuk e ka dëshiruar ketë degradim institucional e politik që është duke ndodhur në shoqërinë shqiptare të pas luftës çlirimtare.
Nuk ka asnjë fije dyshimi se ky raport nuk ishte për publikun, por ndonjë njeri që e deshi të vërtetën e mori guximin njerëzor dhe intelektual për të publikuar një të vërtetë jo pak të hidhur edhe për BE-në.
– Çka mund të themi ne pas këtij Raporti, një pjesë e të cilit në formë konkluzash u bë publik?
Ne, duhet të themi: “Mos na lashtë zoti pa njerëz të tillë, të cilët guxojnë të zbulojnë e rrënojnë plane misterioze e ogurzeza”.
Raporti kështu si na është ofruar na tregon se zyrtarë të lartë të shtetit tonë, me zyrtarë të lartë të EULEX-it në Kosovë, uroj vetëm në Kosovë, kanë hyrë në allishverishe për të planifikuar ndërhyrjen në Sistemin e Drejtësisë edhe në Gjykatën Speciale, pasi ketë më parë e kanë bërë në Sistemin tonë të drejtësisë dhe në EULEX. Ky raport po tregon më se miri sesi ka funksionuar e po funksionon Sistemi ynë i Drejtësisë dhe EULEX-i në Kosovë gjatë viteve të pavarësisë. Këtu natyrshëm njeriu mund të shtron edhe një pyetje:
– Sa kanë qenë të ndikueshme këto plane në bisedimet e zhvilluara në Bruksel në mes qeveritarëve tanë dhe atyre të Beogradit?!

Një gjë po dihet, këto bisedime e kanë defunksionalizuar e parcializuar shtetin e Kosovës.
Në një situatë të tillë, një vend me politikë normale, me parime e përgjegjësi politike do të duhej të gjenin një rrugë apo mënyrë që gjerat e tilla mos të përsëriteshin kurrë më. Sa do që mund të na vjen mirë që është ndriçuar ky plan i pa njerëzishëm dhe gjithsesi i dëmshëm për zhvillimet e ardhshme politike, por e mira e tij është tepër e vogël në krahasim me atë që na vije keq, madje tepër keq që shumë njerëz janë zhveshur nga dinjiteti njerëzor e kombëtar. Të cilëve i vetmi angazhim që u ka mbetur është mbrojtja e vetvetes dhe këtu mbaron çdo gjë..
E keqja e parë e madhe është, pse pas kaq shumë përpjekjeve e flijimeve të shumta të kombit tonë për liri e pavarësi, për shtet e drejtësi, për zhvillim e punësim, për arsim e drejtësi sociale, nuk po e gjejnë hapësirën dhe realizimin e aspiratës se shekujve – shtetin e së drejtës. Ne, që të gjithë në fillimin e këtij viti e pamë sesi njerëzit me shpresat e thyera, morën rrugën e dhimbshme për të ikur nga atdheu. Ata njerëz i ka shtyrë një hall i madh për të marrë atë rrugëtim të rrezikshëm e të mundimshëm. Pa dyshim që ishin shpresat e thyera të keqqeverisjes pas pavarësisë që i shtyri njerëzit, “kah sytë këmbët”.
E keqja e dytë e madhe është, pse qytetarët tanë e humbën shpresën dhe besimin në ata që i priten dhe i vlerësuan si çlirimtarë dhe me të drejtë pritën shumë nga ata dhe besuan se pas lirisë e pavarësisë do ta sillnin perspektivën e zhvillimin, ndërsa tani po i akuzojnë për hajni, për njerëz të pa parim dhe i konsiderojnë si uzurpator të shtetit dhe të pasurisë publike e kombëtare. Kjo është më shumë se e dhimbshme.
E keqja e tretë, është se këta qeveritarë që kanë bërë allishverishe të ndryshme, paskan bërë plane për t’i ndjekur e përndjekur bashkëluftëtarët e tyre, ata që ua krijuan kushtet për tu bërë të gjithëfuqishëm, për të kontrolluar gjithçka në jetën tonë publike e private. Kjo është edhe një arsye shtesë, që dikush sot të merr shkas për të mohuar idealizmin e brezave për liri, pavarësi e demokraci, kjo nuk është dashur që të ndodhte.
E keqja e katërt, është se në këto prapaskena u gjeten edhe drejtues e “ekspertë” të EULEX-it, pra njerëz që kishin ardhur për të sjellë e vendosur standarde evropiane në Sistemin tonë të Drejtësisë?! Aty ku njeriu ynë e kishin besimin e madh. Ai madje edhe sot, shpresat e çlirimit nga pushtetarët e sotëm, nga krimi e korrupsioni i shohin te Gjykata Speciale?! Kjo që thuhet në raportin në fjalë e rrënon me të drejtë besimin dhe shpresën e njerëzve tanë te kjo trupë evropiane.
E keqja e pestë, është heshtja e zyrtarëve të lartë, sidomos te BE-së e pse jo edhe të SHBA-së (diplomatët), të cilët nuk kanë hezituar të reagojnë edhe për çështje më minore. Është koha që edhe ata ta thonë fjalën e duhur.
Dhe e keqja e gjashtë, është mungesa e ndjesisë qytetare, shoqërore e intelektuale për reagim ndaj një plani, i cili po të realizohej, do t’i shkelte të drejtat dhe liritë më univerziale të njeriut, pra do të shkelte në ato vlera, siç është e drejta e individuale e njeriut, si vlerë kryesore e proklamuar me bujë nga sistemi demokratik euroatlantik si edhe në të drejtën ndërkombëtare.
Të përfundojmë.
Është momenti, mbase i fundit për një bashkim e ribashkim te idealistëve të ri e të vjetër (nëse nga këta të fundit ka mbetur ndonjë) me njerëzit që udhëhiqen nga politika parimore, që së bashku të marrin përgjegjësinë për ta quar tutje aspiratën e brezave për shtet që ligjëson lirinë e demokracinë. Përndryshe, njerëzit që e krijuan ketë kaos, nuk mund ta gjejnë daljen nga kjo gjendje! Pasi këta që janë në krye të vendit “kaq ditën e kaq mundën”! Gjendjen nuk mund ta ndryshojnë ata që udhëhiqen e udhëheqin politika të mashtrimit e të nënshtrimit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura