Tiranë, 26 mars 2019: Bazuar në informacionin e gazetës “Rilidnja”, datë 26.07.1998, mësohet se deri në orët e para të datës 25.07.1998 ushtria, policia dhe forcat speciale sërbe kanë ndërmarrë goditje shpopulluese të njëkohësishme në 7 (shtatë) pika: Gryka e Caralevës, Gryka e Llapashnikut, Klinë, Kievë, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec. Qëllimi i armikut mund të jetë që të mbajë nën kontroll të gjithë zonën që përfshihet në pesëkëndëshin: Prizren, Gjakovë, Klinë, Llapushnik, Shtimje, nga ku të mos shkojë asnjë lloj furnizimi në thellësi të kësaj zone, bazë e UÇK-së, si dhe të ndërpresë komunikimin e këtyre forcave dhe të popullsisë me pjesët e tjera të Kosovës; të marri nën kontroll rrugën Llapushnik – Klinë,etj.
Nëpërmjet këtyre pikave kalojnë, pothuaj, të gjitha nyjet rrugore që të çojnë në këtë zonë, prandaj dhe rrugët Klinë-Gjakovë dhe Gjakovë-Prizren ushtria sërbe po mundohet t’i mbaj vazhdimisht nën kontrollin e vetë.
Nuk përjashtohet që armiku të ketë për qëllim jo vetëm për të bërë spastrime etnike në rajone sa më larg vëmendjes së opinionit ndërkombëtar, por edhe të ndërmarri operacion spastrimi fshirës me qëllim asgjësimin e forcave të UÇK-së. Prandaj dhe bllokoi të gjitha daljet rrugore, me qëllim që të izoloi e të bllokoi UÇK-në, por dhe të fitojë kohë për afrimin e përqëndrimin e forcave dhe organizimin e këtij operacioni. Në një rast të tillë, më shumë gjasa ka që armiku të veprojë sipas kësaj ideje: me forca të këmbësorisë, të shoqëruara nga tanke dhe autoblinda (pasi deri tash janë përqëndruar rreth 50 të tilla, në tre pika), të japë goditje bashkëqëndrore të njëkohëshme, duke shfrytëzuar drejtimet rrugore Kievë – Malishevë; Llapashnikë – Orllat – Malishevë, dhe Xërxë – Rahovec dhe, pasi të bëjë shtyrjen dhe grumbullimin e forcave kryesore të UÇK-së në rrethinat e Malishevës e Rahovecit, të bëjë rrethimin dhe asgjësimin e tyre, duke aktivizuar edhe forcat që ka aktualisht në Rahovec. Në rast të realizimit me sukses të këtij sulmi i jep goditje dërrmuese UÇK-së në këtë zonë, gjë që mund të ketë rrjedhoja edhe më të këqia për tërë Kosovën.
Për të qënë të gatshëm të mos biem viktimë e ndonjë operacioni të tillë, forcat e UÇK-së duhet të parashikojnë mënyrën e dështimit të kësaj ideje të mundshme të armikut. Për këtë qëllim të parashikojnë shpërndarjen e forcave të tyre në formacione jo më të mëdha se kompani;
– të shpërthejnë rrethimin në intervalet e këtyre drejtimeve;
– të grumbullohen pasi të kenë dalë nga perimetri i rrethimit dhe, në fshehtësi, t’i marrin shpinën armikut, duke dhënë goditje të befasishme e asgjësuese, duke manovruar sipas parimeve të luftës guerile;
– të njoftohet popullsia për një mundësi të tillë dhe të organizohet rrjeti i vëzhgimit dhe lajmërimit (zbulimit) me qëllim që të mos kapen në befasi as popullsia dhe as forcat tona luftarake.
Për realizimin e këtyre detyrave të shfrytëzohet njohja e terrenit dhe të ruhet sekreti i veprimeve, duke ua treguar forcave guerile pasi ato të kenë dalë nga rrethimi. Lëvizja të bëhet me masa të rrepta sigurimi, duke organizuar pararojë dhe anërojë, për të mos rënë në prita të armikut.
Në rast se armiku do të arrijë të ndeshet me forcat e UÇK-së duhet të organizohet qëndresë e përkohëshme, me qëllim tërheqjeje të organizuar dhe kontakti me armikun të shkëputet gjatë natës. Nata të jetë aleati i të gjitha veprimeve tona manovruese e sulmuese.
Me forcat që janë jashtë kësaj zone është mirë të organizohen sulme në nyjet rrugore, ku armiku është përqëndruar, si dhe në bazat mbështetëse të tij, si te Ferronikeli i Gllogovcit, Magura e Lipjanit, postblloku i Dolcit të Kievës dhe Uzina e Municionit në Skënderaj. Paralel me këto duhet të ndërrohet vëndqëndresa drejtuese e UÇK-së në afërsi të Malishevës si dhe të merren masa që armatimi rezervë dhe rezervat e tjera të mos bien në dorë të armikut.
“Rilindja”, 28 Korrik1998
*/ Titulli në libër: “MUND TE PRITET GODITJE SHPOPULLUESE DHE E NJËKOHËSHME NË ZONËN E MALISHEVES DHE E RAHOVECIT NGA SHTATE DREJTIME”
Agim Binak Çelaj (6.12.1961 – 19.07.1998) ra dëshmor në Betejën e Rahovecit, më 19 korrik 1998, në krye me bashkëluftëtarët: Sadik Shala, Liman Gegaj, Faik Rama, Gëzim Hamza e Abdullah Bugari, ndërsa në vazhdën e këtyre luftimeve përreth Rahavecit përjetësohen edhe Gani Paçarizi, Hamdi Berisha, Afrim Krasniqi, Agim Kelmendi, Skender Jahë Kastrati, Tafil Zyberaj, Mizahir Isma, Arian Brahimi, Bekim Isma, Eshrafedin kastrati, Remzi Ukshini, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Habit Berisha, Ramadan Morina e Ruzhdi Xhuliqi. / Ilustrimi © Pashtriku.org