DILAVER GOXHAJ: SIHARIQ I MADH PËR SHKENCËN E ETNOMUZIKOLOGJISË

Tiranë, 29 gusht 2020: Sikundër dihet, para disa vitesh, trashëgimisë sonë kulturore kombëtare iu bë një tradhëti e madhe: POLIFONIA shqiptare u regjistrua në UNESK-o për ISO-POLIFONI, duke u argumentuar se gjoja populli ynë “e ka huazuar nga sirenat greke”. Dhe këtë “nder” kaq të madh ia bëri kulturës sonë kombëtare prof.Vasil Tole, i cili për dekada të tëra ka qenë e është sekretar i përgjithshëm dhe nën/kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dhe për këtë “studim të madh shkencor”, me sa dimë, ky zotëri fitoi jo vetëm gradën shkencore, por qeveritë e njëpasnjëshme të Tiranës e kanë shpërblyer edhe emërimin nënkryetar të përhershëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Mirëpo, këto ditë ka ndodhur çudia! Zoti Vasil Tole, në cilësinë e nën/kryetarit të Akademisë sonë të Shkencave, në intervistën dhënë gazetës Panorama, të datës 21 gusht 2020, del kundër vetes së tij, pse mos themi që mohon edhe gradën e tij shkencore të marrë për atë “studim”, dhe e quan me emërtimin e saj origjinal POLIFONI shqiptare (!), kur flet për trashëgiminë kulturore të Tiranës, duke thënë: “Është e mundur që muzika e Tiranës, të reflektoj këtë origjinalitet, që ka të bëjë me mosndikimin nga një kulturë tjetër dhe ajo është njësoj e pastër, siç është polifonia e Jugut apo eposi i kreshnikëve.”
Do ta uronim akademikun tonë për këtë ndërgjegjësim dhe korigjim të vetvetes, por a do të jetë kjo një kthesë e ndëgjegjshme, apo një manovër djallëzore për t’u prezantuar si “shkencëtar” që mbron vlerat kombëtare të kulturës tonë, duke shpresuar se do të mbetet në heshtje shitja e polifonisë shqiptare tek fqinjët tanë jugorë?
Në vitin 2002, z.Vasil Tol, pa asnjë konsultim me institucionet shkencore të Republikës së Shqipërisë, e futi Polifoninë shqiptare në UNESKO, me emrin “iso-polifoni”, duke përcaktuar arbitrarisht edhe djepin e lindjes së saj: “…është tjetër dëshmi e lidhjes që kanë Sirenat dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë.” (“Odisea dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”…f.14)

Vasil Tole

Sikundër shihet, shtrati i vërtetë dhe prejardhja e “iso-polifonisë” të z.Tole dhe të UNESKO-s, na qenka vendi i helenëve, të cilët kanë në pronësi të tyre qeniet mitologjike që quhen Sirena, librin e të cilave, Tole e ka futur në dosjen dëguar UNESKO-s. Nga verbëria e tij apo nga urdhëra a qëllime të tjera, prof. Tole përfundon në konkluzione komike: ”Zëri i Sirenave nuk ishte i veçantë thjeshtë për shkak të bukurisë së tij në vetvete, por, më e rëndësishme, ai ishte i veçantë për shkak të teksturës vajtimore, iso-polifonike të tyre, veçori të cilën ende sot e gjejmë tek iso-polifonia labe.”(Odisea…f. 25). Me këtë, prof. Tole ka dash të na thotë se labët, banorët e parë të Epirit, sikundër na thotë edhe Naim Frashëri: “Që kur bota është zënë, Shqipëria gjallë ka qënë”, janë mahnitur nga sirenat greke dhe menjëherë kanë filluar të këndojnë iso-polifoninë, se deri atëhere, të shkretët, nuk kanë ditur as të këndonin e as të vajtonin. Por, më mirë vonë se kurrë. Me këtë deklaratë të bërë këto ditë, prof.Vasil Tole duhet t’i ketë thirrur ndërgjegjes ose, ndoshta nën kërcënimin e Kryetarit të Akademisë që është edhe interpretues i polifonisë labe, dhe gëlltit atë që ka vjellë kundër polifonisë labe, duke e konsideruar atë siç është e vërteta historikë: kulturë të pastër shqiptare, të pandikuar nga kultura të tjera! Të mos e ka ditur më herët, vallë, z.Tole se Sirenat janë qenie mitologjike dhe jo qenie njerëzore që mund të përcjellin një traditë artistike nëpër breza gjatë historisë njerëzore?! Por, ndoshta gabojmë, se ndoshta Vasil Tole duhet të jetë e vetmia qenie njerëzore në rruzullin tokësor, që i ka dëgjuar sirenat dhe ka shijuar vajtimet e tyre!
Nëse Tole ka bërë një kthesë të ndershme në lidhje me polifoninë shqiptare, para së gjithash duhet të marrë guximin e t’u kërkojë falje publike studiuesve, etnomuzikologëve dhe muzikantëve shqiptarë me Limos Dizdarin në krye, të cilët e ftuan në simpoziumin shkencor për polifoninë, në nëntorin e vitit 2015, por ai i fyejti ata, duke e refuzuar pjesëmarrjen në të. Ai simpozium miratoi Rezolutën: “Nuk e njohim “iso-polifoninë”!” Dhe këtë Rezolutë ia përcollën Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Ministres së Kulturës dhe Kryetarit të Akademisë së Shkencave të atëhershëm e të sotëm, por ata bënë veshin e shurdhër. Kjo duket ashiqare që z.Tole ka pas dhe ka mbështetjen e këtyre institucioneve dhe të politikës shqiptare për atë “zbulim” shkencor.
Së dyti, nëse kthesa e tij ndaj polifonisë shqiptare është e sinqertë, ai duhet të propozojë një simpozium shkencor të Akademisë së Shkencave, për ta diskutuar Polifoninë shqiptare, sikundër është diskutuar edhe në Simpoziumin Ballkanik të organizuar në Tiranë në tetor 1989, dhe pas kësaj t’i kërkohet UNESKO-s të ndërohet emri nga “iso-polifoni” e sirenave greke, në POLIFONI SHQIPTARE. Në të kundërt, krahas z.Vasil Tole, edhe kryetari dhe gjithë anëtarësia aktuale e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të mbeten njolla e kulturës shqiptare.
Duke qenë një lexues i apasionuar për trashëgiminë kulturore, vendosa t’i përgjigjem si më poshtë z.Vasil Tole. Dhe është rasti t’ia kujtojmë akademikut Tole, pasi e dimë që e di shumë mirë, se Polifonia shqitare nuk i përket vetëm Jugut të Shqipërisë, por është mbarë kombëtare. Në tërë botimet e tij ai i qëndron konceptit të cunguar: “E konsideruar si forma më e thjeshtë e polifonisë shqiptare, iso-polifonia dy zërëshe është e përhapur në të gjithë Jugun e Shqipërisë.”(V. Tole –“Folklori muzikor-1”,f. 92). Kjo formë muzikore – dyzërëshi – nuk është përhapur vetëm në Jugun e Shqipërisë, ka ekzistur edhe në Veri të Shqipërisë, si një unitet shpirtëror. Studiuesi i njohur boshnjak, Cvjetko-Rihtman, në vitin 1952, ka shkruar: “prania e polifonisë dyzërëshe në këto zona mund të shpjegohet si një trashëgimi e huazuar nga fiset e lashta ilire, ose e kanë ruajtur ilirët e sllavizuar në këto treva” (Cvjetko Rihtman.-O ilirskom porjeklu polifionia oblika narodne muzike, Bosne i Hercegovine. Rad Kongresa Folkorista Jugoslavije. Na Bjelalnici, 1955. I u Puli 1952. Zagreb. 1958, f. 99).
Dyzërëshi ka ekzistuar edhe në vende të Ballkanit, pikërisht në ato zona ku kanë banuar Ilirët. Kjo është dëshmuar nga shumë studiues. Veçanërisht do të përmendim kompozitorin e mirënjohur “Nderi i Kombit”, Përparim Tomçini, i cili, në konferencën e Dibrës së Madhe në Maqedoni, në vitin 2018, e arguemtoi mjaft mirë prezencën e polifonisë dy zërëshe në zonën e Veriut të Shqipërisë, si një formë muzikore tepër e lashtë. Ndërsa z.Vasil Tole e mohon këtë lashtësi, duke u përpjekur të na bindi se polifonia jonë shqiptare na qenka një kopje e keqe e këngëve të sirenave greke: ”Në lidhje me këtë veçori tingullore të sirenave na vjen mirë të pohojmë se ka një përqasje me mendimet më të përhapura mbi veçoritë e zërave këngëtorë të iso-polifonisë së shqiptarëve“(Odisea…f. 15).
Ky pohim i prof. Toles krijon mendimin, sikur zërat “iso-polifonikë” të sirenave, janë krijuar në një territor tjetër, nga një popull tjetër, por që s’janë origjinale, por përqasje të këngëve që ndodhin në një territor tjetër! Por të mos e marrim këtë “zbulim” të tij si një lajthitje të tij. Lepuri flen gjetkë. Me këtë “zbulim” ky zotëri kërkon t’u thotë historianëve dhe gjithë studjuesve të Ballkanit se gjoja Epiri është Greqi, ndërkohë që Epiri i ka kaluar Greqisë me vendim të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit më 1878 dhe përfundimksht në Konferencn e Ambasadorëve të Londrës, më 1913, të cilat asnjë qeveri shqiptare nuk i ka njohur kurrë deri sot.
Njëqind vjet përpara, Maksimilian Lambertzi, theksonte se “në epet e Homerit gjenden forma të njëjta vajtimi, të cilat edhe sot ekzistojnë në Shqipëri”(Lambertz M.”Die Volkspoesie der Albaner “Sarajevo, 1917, f. 65).
Lambertzi ka theksuar jo “përqasje”, por forma identike, forma të njëjta vajtimi me epet homerike që kanë ekzistuar në Shqipëri, e që dihet se nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë në Greqi.
Në këtë linjë, Lamartzi, gjatë udhëtimit të tij në Orient, ka lënë këtë dëshmi: ”Për të kuptuar këngët e palikarëve grekë, duhet të njihen këngët popullore të Shqipërisë së Jugut”(Lamartine (de) A.Souvanirs, impressione, pensses et paysages, pendant un vuage en Orient (1832-1833) Paris char les Gosselin, Libr.Furne, 1835.) Edhe çifti i etnomuzikologëve gjermanë, Doris dhe Erich Stockman, që kishin kryer ekspeditë studimore në maj-gusht 1957 në Shqipëri, kishin konstatuar praktika këndimi polifonik te grekët e Epirit të Veriut, që kufizohet me Shqipërinë, të afërta me ato të Shqipërisë së Jugut. (Ethnomusicologie III, Paris 1964,fq.86. Doris dhe Erich Stockman:“Polifonia vokale burbonale në Shqipërinë e Jugut”).
Ky konstatim provon tërësisht, se praktika këndimi polifonik, etnomuzikologët gjermanë kan gjetur vetëm tek Epiri i Veriut, pra tek popullsia çame e labe, e cila ka populluar atë territor “që kur bota është zënë”. Dokumenti më shterues për këtë të vërtetë historike është kryevepra e albanologjisë shqiptare e prof. Pëllumb Xhufit – “Arbërit e Jonit”.
Profesori bullgar Kaufman, në kumtesën e tij në Simpoziumin “Polifonia e popujve të ballkanit”, organizuar në Tiranë në 7-10 tetor 1989, ka theksuar:”Nga pikëpamëa strukturore vajtimi përngjan shumë me këngët folklorike dyzërëshe të zonës, por ai ka një melodi të vetën e cila nuk i përsërit meloditë e këngëve folklorike të zonës…Vajtimin shumëzërësh që realizohet nga gratë vajtuese në zonën e Pirinit ne e kemi gjetur vetëm në fshatrat ku këndohen edhe këngë shumëzërëshe folklorike.” (Kultura popullore -1/1990, f.66). Ky është një konstatim tepër i rëndësishëm, sepse vajtimi dyzërësh dhe kënga polifonike dyzërëshe me një melodi të ndryshme nga këngët e zonës, ndodh vetëm në zonën e Pirinit, pra në zonën ku shtrihej brezi i pellazgëve, ku dikur banonin thrako-ilirët: Thesproti – Mollosi – Traki. Nuk është e rastësishme teza e prejardhjes së shqipes nga Trako-ilirishtja, me rrënjë pellazgjishten.
Prof. Ramadan Sokoli në përfundim të studimeve të tij ka konkluduar: ”vetë emërtimi i polifonisë sonë popullore, ashtu si edhe tiparet e saj origjinale, na dëshmojnë se ajo është trashëgim i një kulture të lashtë, që ka lindë këtu në vend, nga puna e sa e sa brezave”(Ramadan Sokloli “Disa veçanti të muzikës sonë popullore”, Konferenca e parë e studimeve albanologjike ,T. 1965, f. 335).
Duke e uruar edhe një herë akademikun Vasil Tole për kthesën, shpresojmë që të ndërmarrë hapa të tjerë më racionalë, të cilët i theksuam më lartë, për ta korrigjuar fajin e bërë në regjistrimin e saj në UNESK-o me emërin e vërtetë: polifonia shqiptare dhe jo iso-polifonia shqiptare sikundër vetë ky person e ka bërë këtë maskaradë.
Tiranë, 24 gusht 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura