DILAVER GOXHAJ: ZHVILLIMET E SOTME NË KOSOVË

Tiranë, 12 Dhjetor 2019: Jeta shoqërore në Kosovë, si në çdo shoqëri, ka qenë dhe është gjithë kontradita brenda saj. Këto kontradita i shohim edhe këto ditë në ‘luftën’ që bëhet mes LDK dhe LVV për formimin e qeverisë. Dhe kjo ndodh, se shoqëria në Kosovë që doli nga gjiri i shoqërisë së përmbysur jugosllave, solli ndarje të reja shtresash shoqërore dhe forma të reja kontraditash të brendshme në vend të të vjetrave. Si rrjedhojë, synimet e disa anëtarëve të caktuar të kësaj shoqërie, sikundër është në këto moment LDK, janë në kundështim me synimet e anëtarëve të LVV. Kjo ndeshje shtresash shoqërore është çelsi i nevojshëm për të kuptuar mosdakordimin LDK-LVV si dhe gjithë historinë e ngjarjeve të 30 viteve të fundit në Kosovë, 1990-2020. Këtë fakt e tregoi qartë si Lufta për Òªlirimin e Kosovës, edhe periudha e pas-luftës, por edhe kjo e koalicionit LVV-LDK që ka dy muaj që nuk po realizohet.
Aktualisht, nga të gjitha partitë e sotme në Kosovë, vetëm LVV na jep shenjat e një force politike progresiste e me tipare revolucionare, prandaj dhe sulmohet si nga jashtë edhe nga brenda. Këtë përfundim e nxjerrim nga fakti, ku LVV ka dy zgjedhjet e fundit që po votohet më shumë nga populli pjesmarrës në votime; dhe kjo ngaqë ajo tregon se ajo nuk lufton të mbrojë interesat e tashme të klasës së re shfrytëzuese të Kosovës, të përfaqësuara nga LDK, PDK, AAK dhe Nisma etj., por interest e ardhshme të popullit shumicë.

Forcat e brendshme që e sulmojnë LVV, e luftojnë për të shpëtuar egzistencën e tyre, e që janë LDK, PDK, AAK, Nisma etj. Kjo na tregon se sa e ndërlikuar është rrjeta e marrëdhënieve shoqërore dhe e shkallëve të ndërmjetme midis këtyre forcave politike që përfaqësojnë klasa a shtresa të ndryshme në Kosovë, që nuk është gjë tjetër, veçse midis të kaluarës e të ardhmes së Kosovës.
Një arsye tjetër pse sulmohet LVV është se ajo lufton në emër të qëllimeve dhe interesave aktuale të masës më të madhe të popullit të thjeshtë, por në të njëjtën kohë LVV mbron edhe të ardhmen e saj dhe të Kosovës.
Prandaj shtrohet pyetja: Edhe nëse formohet qeveria e koalicionit LDK-LVV, a do të ketë jetëgjatësi edhe pse thonë se i harmonizuan programet ekonomike mes tyre?
Këtë pyetje e shtrojmë duke pasur parasysh këmbëngujen e LDK që të zgjedhi dy vite më herët Presidentin e Kosovës!, e cila s’është gjë tjetër veçse pretekst për mosrealizimimin e koalicionit bashkëqeverisës, koalicion që e kërkon edhe një pjesë e madhe e anëtarësisë së LDK, por që nuk i interesoj shtresës së privilegjuar të LDK.
Pse unë shpreh skepticizëm për realizimin apo mos jetëgjatësinë e këtij koalicioni?
Sepse, si anëtarësia e LVV ashtu edhe shumica e anëtarësisë së PDK, AAK dhe Nismës e kanë parë me të drejtë LDK, qysh në fillimet e saj, veçanërisht kur shpërtheu Lufta Çlirimtare, se po anonte drejt një tradhëtie ndaj popullit. Dhe faktikisht shumica popullore nuk gaboi në atë dyshim, pasi LDK e sulmoi dhe e anatemoi, po e anatemon edhe sot Ushtrinë Çlirimmtare të Kosovës, duke arritur deri atje sa bindi edhe udhëheqjen e PDK, AAK dhe Nismës në masën 80 % të tyre të binin në kompromis e të miratonin ngritjen e një Gjykate Speciale Ndërkombëtare me synimin si e si të shpallet UÇK-ja ushtri terroriste, ashtu sikundër LDK e cilësoi që në aksionet e para të saj.
Për LDK-në, nuk kemi fakte konkrete të qenit bashkëpunëtore me ushtrinë serbë kundër UÇK-së që ta akuzojmë si forcë politike kolaboracioniste të Serbisë, por pozicionimi indiferent që udhëheqja dhe shumica e anëtarësisë së rregullt e saj mbajti ndaj Luftës Çlirimtare, si dhe faktin që thamë më lart, anatemimin e UÇK-së, të detyron t’i japësh një përcaktim specifik atij qëndrimi, sikundër edhe është.
UÇK-ja ishte pakica përkushtuese për çlirimin e Kosovës. Kjo s’është ndonjë gjë e re. Po t’i referohemi historisë së luftrave çlirimtare në të gjithë botën, zakonisht deri në 6 % e popullsisë ka rrëmbyer armët, pavarësisht se në Shqipëri gjatë LANÇ-it rrëmbeu armët gati 10 % e popullsisë.
Ndërsa LDK ishte shumica indiferente ndaj luftës, duke i qëndruar deri në fund besnike parimit të pacifizmit absolut. Nëse i referohemi Martin Luterit, i cili ka thënë: “Pothuajse gjithmonë pakica krijuese e përkushtuar e ka bërë botën më të mirë. Ai që pasivisht e pranon të keqen është po aq i përfshirë në të, sa dhe ai që ndihmon realizimin e saj. Ai që pranon të keqen pa protestuar kundër saj, në të vërtetë është duke bashkëpunuar me të.”
Atëherë, sipas M. Luterit, del se pacifizmi i LDK-së i ngjan një lloj kolaboracionizmi. Këtë lloj kolaboracionizmi e përforcon edhe votimi 100 % prej LDK i Gjykatës Speciale monoetnike kundër UÇK-së, e cila po vërtetohet çdo ditë se nuk është gjë tjetër, veçse një gjykatë serbe por me autorë të tjerë dhe emërtim tjetër.
Ky lloj “pranimi të së keqes”, që thotë Martin Luter, në kushtet e një luftë çlirimtare kombëtare, sikundër ishte lufta e UÇK-së, ndryshe quhet indiferentizëm. Dhe për këtë na vjen në ndihmë Gjenerali anglez Devis, i cili i njëson indiferentët me kolaboracionistët në letrën që i dërgon Forien Ofisit, në 17 dhjetor 1943, në pikën nr.7 të saj, duke i vënë në të njëjtin përcaktim me ballistët e zogistët në Shqipëri që rrinin indiferentë dhe nuk i bënin rezistencë gjermanëve gjatë LANÇ-it: “Unë mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet i njohur publikisht menjeherë, duke theksuar se kuislingët, tradhëtarët dhe ata që nuk u rezistojnë gjermanëve do të marrin dënimin e merituar nga aleatët kur të vijë koha.” (PRO-FO/371 File nr.37145).
A u rezistoi me armë LDK-ja masakrave të Serbisë? Unë e di se,Jo.
Mirëpo, gjithkush mund të më shtroi pyetjen: “Ju thatë se edhe PDK, AAK dhe Nisma në masën 80 % të tyre e votuan Gjykatën Speciale, në këto kushte edhe ata duhet të llogariten si kolaboracionistë, apo jo?”
Pyetja është më se e drejtë dhe përgjigjen e saj na e ka dhënë në një analizë të thukët, analisti i pavarur Afrim Morina, i cili në shpjegimin që bën për dallimin midis tradhëtarit dhe kolaboracionistit, na thotë: “Tradhëti mund të bëjë individi apo disa njerëz, por që ata, deri në këtë akt, kanë qënë veprimtar të çështjes kombëtare… Ndërsa, kolaboricionistët janë kategori tjetër e njërëzve. Këta janë të pasur, të shkolluar, kanë tituj pasanikësh, ushtarakësh, janë pushtetarë, etj., të cilët, për të mos i humbur privilegjet e veta, lidhen me djallin e të birin, për të mbrojtur “sedren” e vet të trashëguar nga baballarët, apo të fituar gjatë jetës së vet; këta nuk janë të lidhur vetëm me çlirimtarët, ndërsa me këdo tjetër, po.”
Bazuar në analizën e Afrimit, mund të dalim në përfundimin se deputëtët e PDK, AAK dhe Nismës që votuan Gjykatën Speciale kanë kryer akt tradhëtie ndaj UÇK-së dhe ndaj luftës së saj, si të tillë kanë rënë në pozitat e kolaboracionizmit, ngaqë votuan Gjykatën Speciale, e cila,sikundër thamë, s’është gjë tjetër veçse gjykatë serbe me emër tjetër dhe këtë e kanë bërë “për të mos i humbur privilegjet e veta”, sikundër kolaboracionisti.
Në këto kushte më pak të dëmshëm për LVV del LDK-ja, e cila nuk e ka tradhëtuar veten, por i ka qëndruar besnike ati lloj “kolaboracionizmit” të saj. Prandaj besoj pse LVV, midis dy të këqijave zgjodhi të keqen më të vogël dhe vendosi vijën e kuqe me PDK, AAK dhe Nismën, derisa këto forca të udhëhiqen nga këta udhëheqës që tradhëtuan UÇK-në. Nëse nesër anëtarësia e këtyre forca politike do ta zëvendësoi ushëheqjen e tyre, tash me ngjyrë kolaboracioniste, me idealistë, sikundër është vetë ajo anëtarësi në shumicën e saj, atëhere natyrisht që LVV ka me e heq vijën e kuqe.
Mirëpo, nëse LDK-ja i qëndron besnike deri në fund këtij kolaboracionizmit specifik të saj, me pretekstin e mospranimit të Isa Mustafës President nga ana e LVV, atëherë natyrisht që do të kalohet në zgjedhje të reja.
Tiranë, 12. 12. 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura