DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (ADEM DEMÇI – UÇK-ja NUK DO TË KAPITULLOI!) (7)

Pashtriku, 28 shkurt 2019:
Pse Adem Demaçi nuk pëlqehej nga shumë diplomat të huaj 1)?
Filozofi, poeti dhe dramaturgu gjerman Emanuel von Gaibel, thotë se, “Diplomacia përpiqet ta ndryshojë historinë e re me një gomë, që me ndihmën e saj të fshijë revolucionin”. Kjo ka dash të ndodhë edhe për rastin tonë: një pjesë e mirë e diplomatëve europianë, të angazhuar me luftën në Kosovë, kërkonin ta fshinin nga kujtesa e historisë gjithë luftën e bërë nga UÇK-ja dhe ta dënonin atë me vdekje. Mjafton të sjellim në kujtesë përpjekjen që po bëhet me ngulm gjatë vitit 2014 nga Brukseli dhe EULEX-i për ngritjen e Tribunalit të Posaçëm për “krimet” e UÇK-së, bindesh që diplomacia europiane e ka pasur dhe e ka ende atë qëllim. Dhe, të ishe kundër dënimit me vdekje të UÇK-së, natyrisht që do të viheshe në shënjestrën e tyre; dhe shembulli më i mirë ndaj këtij qëndrimi kundër dënimit me vdekje të UÇK-së ishte Demaçi, i cili luftoi kundër atij absurditeti. Dhe këtë luftë ai e luante pa prapaskena. Ai nuk i pëlqente këto mjete të diplomacisë. Duhet të jesh më trim nga ç’pandehet që ta thërrasësh veten me emërin tënd të vërtetë. Nuk mund të merret me mend se sa ka vuajtur Adem Demaçi deri sa ka arritur në këtë stad njerëzor.

Diplomatët e ndjenin se Demaçi simbolizonte mendjen e kërkuesit të fitores me çdo kusht, teknologjinë e orientuar drejt ndryshimit të strategjisë së luftës, për ta transformuar atë dhe historinë si favorit i përhershëm për Kosovën. Qëndrimi, pamja dhe fjala e tij u jepte diplomatëve të huaj idenë e një qëndrimi prej aristokrati të natyrshëm. Si i tillë, ai s’kish si të pëlqehej prej tyre.
Por ja që puna ia desh që Demaçi të përplasej me diplomacinë dhe prapaskenat e saj. Diplomatët e huaj kërkonin që ta detyronin atë të hiqte dorë nga vijimësia e mëtejshme e UÇK-së dhe të pranonte bisedimet për këtë problem. Pikërisht këto ishin kërkesat kryesore të tyre. Dhe, kur Demaçi i kundërshtonte u dukej interesant. Kjo ndodhte se ata nuk mund ta merrnin me mend se ai kish jetuar në kohëra interesante; nuk mund ta kuptonin vendosmërinë e tij si shkëmb graniti, ngaqë ishte më mirë i informuar se autorët e komunikimit diplomatik, si dhe nuk e kuptonin atë nevojë që ndjente ai: ndreqës i çdo padrejtësie për popullin e tij, mbrojtës i popullit të nëpërkëmbur.

Edhe Adem Demaçi, sikundër thamë, ishte për bisedime ndërkombëtare. Edhe ai ishte i bindur se momenti përfundimtar për largimin e Serbisë kolonizuese nga Kosova ishin bisedimet. Por ai këmbëngulte që bisedimet të kryheshin pa i ndërprerë UÇK-ja luftimet, ose bisedimet të zhvilloheshin në fund të luftës. Gjithashtu, në këto bisedime ai nuk pranonte 10 parakushtet e panegociueshme të projekt-marrëveshjes të hartuar nga ata diplomatë 2), ndaj dhe këmbëngulte të hiqej mosnegocimi i tyre; dhe kjo të bëhej para se delegacioni të nisej për bisedime. Është më se e vërtetë dhe më se e provuar që edhe negocjimi më i keq për pushimin e një lufte është më i mirë se lufta më e mirë. Por ja që “Propozimet e Rambujesë nuk lanë zgjidhje tjetër përveç luftës” 3), sikundër konkludon pas asaj konference, diplomati i shquar amerikan Henry Kissinger, gjë që i jep të drejtë Demaçit në parashikimet e tij.
Dhe, ajo që vlen të theksohet, Demaçi nuk fliste në emër të tij, por në emër të popullit të Kosovës, që pritej ta thoshte fjalën e vet deri në 10 Shkurt. Për këto arsye ai u shprehej ndërkombëtarëve pse nuk ishte dakort për prezencën e LDK-së e të Rugovës, pasi prezenca e tyre në tavolinën e bisedimeve e inkurajonte Serbinë të këmbëngulte edhe më me forcë në kërkesën e saj për ta mbytur UÇK-në pa luftë. Kjo këmbëngulje e tij ishte një arsye më shumë pse diplomatët shprehnin pakënaqësi ndaj Demaçit.
Diplomatëve nuk u pëlqente të debatonin me njerëz këmbëngulës si Demaçi. Prandaj në rrugë të tjera po mundoheshin të bindnin udhëheqjen e ngushtë politike të UÇK-së, Drejtorinë Politike, që të pranonte shkuarjen në Rambuje. Dhe se si u arrit ajo, këtë na e sqaron Ministri i Jashtëm i Francës i asaj kohe, Hubert Vedrin, duke i deklaruar Agjensisë AFP të nesërmen e fillimit të bisedimeve në Rambuje, më 7 Shkurt 1999: “Ajo që për diplomacinë franceze është me rëndësi, është fakti se ishim ne ata, që i tejkaluam divergjencat në grupin e shqiptarëve. Na u desht mund dhe aftësi që t’i bindnim ata, se nuk ka rëndësi as emri as numri i anëtarëve, as kush do të jetë kryesuesi i grupit, por me rëndësi është që Kosova të fitojë një status të autonomisë substanciale në kuadër të Serbisë-Jugosllavisë” 4) Dhe ia arritën qëllimit! Ata e ndoqën atë rrugë, pasi u bindën se Demaçin nuk mund ta gënjenin; ai u dukej si një dijetar i rreptë, i cili shpesh herë u thoshte: “Nuk duam as të na lavdëroni as të na shani. Mbështetuni vetëm në faktet që duken sheshit dhe jo në fjalët që përhapen nga dashakeqët e UÇK-së”.
“Përfaqësuesit e OSBE-së kanë bërë një presion jashtzakonisht të madh ndaj Demaçit” 5), – tregon komandanti i zonës së pestë operative, Rrustem Mustafa, por shumë shpejt u bindën se Demaçit ata nuk ia delnin dot as edhe me anë kërcënimesh indirekte për UÇK-në, ndaj dhe hoqën dorë shpejt nga ajo metodë.
Adem Demaçi nuk ishte vetëm përfaqësuesi politik i UÇK-së, por edhe diçka tjetër. Ai ishte për UÇK-në dhe gjithë Kosovën edhe një kujtim i vyer dhe i paprekshëm i një të kaluare legjendare, prandaj dhe thirret: simboli i rezistencës. Reagimet e tij nervore ishin tepër të shpeshta, pasi distanca midis mendimit dhe veprimit tek ky njeri është shumë e shkurtër. E megjithatë, përsëri atij i mbetej kohë për të menduar çdo fjalë kur bisedonte me diplomatët, por edhe me antarët e Dr.P dhe të ShP të UÇK-së. Demaçi, duke shprehur të vërtetën ashtu si e ndjente, e kishte gjuhën shumë të mprehtë, shumë i fortë në diskutime; qëndrimin e tij ai e shprehte shumë qartë, duke e shpjeguar haptazi, pa bërë asnjë dredhi dhe pa dhënë shkas që ata të bënin supozime. Mëndjemprehtësia me të cilën Demaçi i thoshte të vërtetat, ata i bënte që të mos e ndjenin veten të qetë përpara tij.
Adem Demaçi kish arritur në këto vlera përmes një rruge të natyrshme, duke u mbështetur në përvojën e tij dhe jo në arsyetime metafizike të kota dhe në përuljen morale përpara ndonjë personaliteti ideal.
Është e vërtetë që Demaçi nuk jepej edhe aq pas ceremonialit diplomatik, mirëpo, po t’u referohemi bisedave të tij, duket që në çdo frazë të tij fshihej një ironi e hollë e thumbuese, gjë që, një gjë e tillë nuk u pëlqen aspak diplomatëve. Mirëpo ata nuk mund t’i duronin fjalët e tij thumbuese, edhe pse ishin mendime të çiltra dhe të hapta, sepse i merrnin për fyerje edhe pse ato nuk ishin fyerje. Ndaj dhe ata shpesh herë i shmangeshin Demaçit, duke u konsultuar me Rugovën, por edhe me “të pavarurit”, të cilët përfaqësonin shoqërinë civile, edhe pse ajo vijonte të funksiononte nën regjimin e Millosheviçit.
Diplomatët nuk e duronin Demaçin sepse ai jo vetëm që i kundërshtonte ata, por edhe i korigjonte në çështjet ku kish mundësi t’ua delte atyre. Mirëpo diplomatët s’e durojnë dot një gjë të tillë. Ndaj dhe ata gradualisht filluan të ndjenin një urrejtje të përmbajtur ndaj tij, ngaqë u vinte edhe maraz nga besimi që ai kish tek forcat e UÇK-së dhe tek vetja e tij, si dhe u vinte plasja që ai nuk i frigohej asgjëje. E vërteta i ka këto të këqija, që për fat të mirë a të keq, nuk dimë se si ta themi, ajo ndodhet gjithmonë në duart e të vuajturve dhe të vegjëlve.
Demaçi u bënte diplomatëve, si të thuash, një provim mbi qëndrimin e tyre kundrejt UÇK-së dhe përfaqësuesit të saj. Që të kalonin këtë provim ata duhej të çmonon Demaçin, sikurse i çmonte edhe ai; të mësoheshin me të, siç u mësua edhe ai; të ndjenin forcën e personalitetit të tij, ta pikasnin çdo gjë që kish ndodhur e ndodhte në Kosovë si dhe ai; të kishin besim në luftën e popullit shqiptar në Kosovë si dhe ai dhe, më së fundi, të tregoheshin në diskutim po aq të durueshëm sa edhe ky martir i gjallë e i pamposhtur, që qëllonte aq lehtë me shigjetat e satirës së tij çdo “nishan”.
Po të dëshironin ata diplomatë ta shtronin problemin e UÇK-së dhe të ardhmen e Kosovës vetëm me Demaçin, duke u shkëputur nga Rugova dhe të “pavarurit”, kish të ngjarë që bisedimet dhe ngjarjet të merrnin shumë shpejt rrugën e zgjidhjes dhe nuk do të kishin ndodhur gjithë këto ngjarje që ndodhën e po ndodhin pas luftës. Por, me sa u duk në Rambuje, pengesë për ata ishte ekzistenca e UÇK-së dhe qënia e Demaçit në krye të saj.
Diplomatët e huaj ndiheshin gushtë kur Demaçi thoshte se Lufta Çlirimtare në Kosovë ishte një revolucion historik për Kosovën, një lëvizje që lindi vetvetiu, ndaj dhe shpifjet se gjoja ishte një lëvizje me tendenca komuniste as që duhej të merreshin fare në konsideratë. Për Demaçin, ajo luftë ishte një vepër historike e ligjshme, ndaj dhe duhej të njihej e të pranohej për bisedime vetëm UÇK-ja. Nuk ishin të pakta rastet që Demaçi diskutimin me diplomatët e kalonte në shpjegimin e ligjeve të historisë, duke ua përsëritur se ligji themelor i saj janë ndryshimet e pandërprera që përmirësojnë gjendjen e popujve. Ndaj dhe ata e etiketonin atë dhe UÇK-në si shumë radikalë, pasi harronin që radikalizmi i saj ishte inversi i radikalizmit serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë, por me një ndryshim rrënjësor: UÇK-ja nuk hakmerrej ndaj popullsisë serbe në Kosovë. Radikalizmi i UÇK-së, argumentonte Demaçi, do të qetësohej shumë shpejt nëse Serbia pranonte të tërhiqej pa kushte nga Kosova. Nëse UÇK-ja nuk do të kish treguar ndaj policisë dhe ushtrisë serbe të njëjtën ashpërsi që tregonin serbët kundër popullit shqiptar, Kosova sot do të ishte e boshatisur nga shqiptarët dhe ne nuk do të ishim duke biseduar së bashku, ngulte këmbë Demaçi.
Diplomatët, gjithashtu, nuk donin ta pranonin se UÇK-ja kish lindur në gjirin e popullit të shumëvuajtur shqiptar në Kosovë, si një forcë e armatosur që kish për qëllim largimin e kolonializmit serb prej saj dhe të krijonte kushtet për vetëvendosjen e popullit të Kosovës, por e quanin atë si një nxitje nga Shqipëria, pasi ashtu fliste edhe Rugova e dashamirët e tij në Tiranë dhe satelitët e tyre. Me argumentat e faktuar të tij, Demaçi ua bënte të qartë diplomatëve se Serbisë i kish ngelur sharra në gozhdë gjatë përpjekjeve për ta shpopulluar Kosovën dhe kjo nga shkaku i UÇK-së. “Kjo ndodh se luftëtarët e saj nuk e kanë zakon ta shohin luftën si një zbavitje xhentëllmenësh, sikundër e shohin “patriotët” tanë nga Tirana e Zvicra”, shprehej tërë nënkuptim Demaçi. Luftëtarët e saj, thoshte shpesh ai, janë njerëz të qytetërur, shumica intelektualë dhe të ardhur nga Perëndimi dhe, si çdo njeri i qytetëruar, natyrisht që ata janë të pamëshirshëm në luftë ndaj armikut për të mbrojtur popullin e tyre, dhe si të tillë kurrë nuk mund të bëjnë masakra ndaj civilëve sikundër bëjnë serbët.
Këto arsyetime e kishin shndërruar Demaçin në “grindavec” për diplomatët. Kështu ndodh ngahera kur njeriu kërkon një zgjidhje përfundimtare në çdo fjalë. Mirëpo diplomatët që bashkëbisedonin me Demaçin e shikonin çështjen e Kosovës dhe të UÇK-së nga pikpamja e interesave të qeverive të tyre me Serbinë 6). Ç’punë pa shpresë!
Gjithashtu shumë diplomatë europianë dhe ai i Rusisë as që pranonin ta diskutonin që Kosova mund t’i shkëputej Serbisë dhe “një grusht aventurierësh ta shpallnin atë shtet më vete”. Edhe për këtë pikë Demaçi pat kundërshtuar qysh në momentin që i dorëzuan në Shkup projekt-marrëveshjen, duke argumentuar se Kosova ka të drejtën të vërë në jetë të drejtën e saj për vetëvendosje, të cilën vetë Fuqitë e Mëdha e njohën dhe e nxitën qysh pas Luftës së Parë Botërore dhe e ritheksuan kur filloi Lufta e Dytë Botërore. Nëse Kosova i bashkangjitet shtetit amë, këmbngulte Demaçi, zhduket varfëria dhe prapambetja e saj, si dhe ndikimi i klikave politike që ruanin interesat e kapitalit të huaj dhe të politikanëve të korruptuar të Kosovës.
A mundej Demaçi të ndikonte mbi zhvillimin e historisë, ta detyronte i vetëm diplomacinë euro-atllantike të bënte një politikë qindpërqind në favor të Kosovës dhe UÇK-së, kur ajo diplomaci, me përjashtime të vogla, kish zhvilluar kurdoherë një lodër në favor të Serbisë?
Jo! Edhe Demaçi e kish të qartë se i vetëm nuk mund ta realizonte një gjë të tillë, të ndryshonte mendimet e diplomatëve ndërkombëtarë, të cilat ishin vendimet e padukshme të qeverive të tyre. Por Demaçin e ngushëllonte fakti se kish edhe qindra e mijëra të tjerë në Kosovë që luftonin për ato ideale që luftonte edhe vetë Demaçi. Dhe të tillë ishin shumica e atyre që kishin rrëmbyer armët dhe që ishin të arsimuar, duke patur mbështetje edhe familjet e tyre.
Adem Demaçi ishte i bindur se fitorja vjen pas shumë betejash, pas shumë disfatash dhe fitoresh të panumërta. Secila fitore dhe secila disfatë ta mprehin shkathtësinë dhe të rrisin fuqitë, guximin, qëndrueshmërinë, aftësitë dhe vetëmohimin, ndaj dhe çdo pengesë trajtohet si rast për të shkuar përpara. Nëse në luftë u kthen shpinën pengesave, atëherë i ke ikur ardhmërisë së Atdheut. Prandaj dhe Demaçi e përsëriste shpesh: “UÇK-ja nuk do të kapitulloi dhe do të vazhdojë të luftojë forcat serbe ndoshta gjatë dy apo tre vjetëve të ardhshëm. Kam frikë se gjakderdhja do të vazhdojë. Ne do të praktikojmë format guerile në vend të një lufte frontale. Sigurisht popullsia do ta paguaj çmimin. Ne u shprehëm për pavarësinë dhe kjo ka çmimin e saj.” 7)
Por e rëndësishme është që Demaçi qëndroi i patundur në pikëpamjet e tij, sikur të ishte një hero i kohrave të Skëndërbeut, i papërkulshëm, i pathyeshëm.
Vërtet që gazetat tona pacifiste e ato “të djathta” e bënë Demaçin copë e thërrime, por ajo nuk do të thoshte aspak se ai nuk arriti asgjë. Demaçi ishte ai që i dha gjallëri UÇK-së dhe gjithë popullit shqiptar që e donte Kosovën si ai. Dhe kjo mjaftonte. Në Kosovë dhe në gjithë trevat shqiptare shumëkush e çmonte qëndrimin dhe inisiativën e tij dhe ishin gati të merrnin atë qëndrim politik, pa pasur frikë nga pasojat. Dhe ashtu rezultoi. Radhët e UÇK-së u shtuan edhe më shumë, me pjesmarrës nga i gjithë kombi shqiptar.
Adem Demaçi bën pjesë në atë kategori njerëzore që nuk merr parasysh sesa të lartë janë muret që duhet të kapërcehen kur bëhet fjalë për transformime njerëzore. Ai tregoi se ishte një kërkues i rreptë i së vërtetës, herë naiv që u beson verbërisht anëtarëve të Drejtorisë Politike, shumë herë zgalem i pamposhtur, e në të njëjtën kohë i ndjeshëm, kokfortë, shpirtmirë, gjakftohtë, i rrëmbyer, i duruar e mbi të gjitha i vendosur, si në politikë ashtu edhe në jetën vetjake.
Nëse Kosova do të heq dorë nga revolucionarë si Adem Demaçi, të cilët përpiqen në mënyrën më të vërtetë, të çiltër e të ndershme duke i treguar popullit udhën e drejtë, atëherë kemi për të hedhur poshtë haptazi gjënë më të shtrenjtë: lirinë dinjitoze, dhe vendin do ta drejtojnë ata që e shesin atdheun me mendjelehtësi si dhe vetveten për një grimë pushtet, për kundërmimin e pasurisë.

VIJON…

_______________________________
1) “E di mirë që Adem Demaçi është përfaqësues i UÇK-së këtu, në Prishtinë, por as unë, as ambasadori Hill, nuk mund të merremi vesh me të për asgjë. – u shpreh z. Hollbruk”. (Blerim Shala: “Vitet e Kosovës”, Prishtinë 2000. F.149)
2) Adem Demaçi: “Liria dhe joliria”, f. 30-31
3) Henry Kissinger “”A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme?”, Tiranë, 2004, f. 409
4) Fehmi Baftiu “Kosova krizë ndërkombëtare”, Prishtinë, 2004, f. 324
5) Safet Zejnullahu “Lufta për Kosovën”, Prishtinë, 2000, f. 85
6) Dhe kjo u duk qartë në vendimet e marrëveshjes së Kumanovës, më 10 Qershor 1999, ku u ruajtën të paprekura njësitë ushtarake serbe të mëdha e të vogla dhe më pas u lejuan edhe të armatosen, duke përqëndruar më pas një njësi të madhe në Vranjë, në vend që të shpërndaheshin,pa folur për faktin që si ushtri e mundur ajo duhej t’i dorzonte palës fituese (ta zemë NATO-n) gjithë armatimin që Forcat e Armatosura Serbe kishin në Kosovë.
7) Revistën Periodike “Diaspora Shqiptare”, nr.1, Shtator 1998, f. 29

***
___________________
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (PSE U ORGANIZUA ME URGJENCË RAMBUJEJA? PËR TA SABOTUAR ASAMBLENË KOMBËTARE TË KOSOVËS!) (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8500
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT ( DEMAÇI, RUGOVA DHE QEVERIA BUKOSHI!(6)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8501

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura