PËRJETËSIA E ADEM JASHARIT DHE KOSOVA

Në përvjetorin e 25 të Epopesë së Lavdishme të UÇK-së

PËRJETËSIA E ADEM JASHARIT DHE KOSOVA

Prof. dr. Emin KabashiKëshilltar shkencor / Instituti Albanologjik i Prishtinës

Përjetësia e Adem Jasharit dhe Kosova

(Sikur të ishte gjallë Adem Jashari, ku do të ishte?)

Hyrje

Në përvjetorin e 25 të Epopesë së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdia u takon vetëm atyre që kanë rënë për lirinë e atdheut.

1.

Ti nuk ishe Komandant, as legjendar nuk ishe. Ti nuk kishe shumë fjalë, por kishe veprim. Në histori, lufta është veprim që ndryshon realitetet historike. Nuk e di sa kemi pritur për të ardhur veprimi yt historik, që të ndryshonte realiteti ynë shoqëror, që të hapej procesi i madh historik i bashkimit kombëtar, që të ishim një komb e një shtet, ashtu siç luftuan brezat e shqiptarëve nëpër shekuj.

Kishim shumë dëshirë, kur të dëgjonim ty, kur thoshe se jo vetëm të çlirohemi nga pushtuesi sllav, por edhe të bashkohemi si komb. Ti nuk e ke dëgjuar, se kishe kaluar në përjetësi, atje ku mban edhe emrin e madh Komandant Legjendar i UÇK-së, por kur doli zëdhënësi i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai tha se do të luftojmë për çlirimin e të gjitha tokave shqiptare të pushtuara nga ish-Jugosllavia.

Nuk e di se çka ke pasur në kokë, kur ke shkuar në ushtrime ushtarake në Shqipëri, në atë kazermën e Surrelit, siç nuk e di se çka ke biseduar me eprorët e ushtrisë shqiptare që mbanin ushtrimet ushtarake me ju. Ndoshta edhe atëherë e kishe në mendje çlirimin e të gjitha trojeve të pushtuara shqiptare, të cilat në vitin 1913, Evropa ju dha fqinjëve tanë.

Merre me mend, kur shkove në përjetësi, vetëm t’i dëgjoje se sa zhurmë fjalësh është bërë, jo i kemi dërguar ne në Shqipëri, jo i ka thirrur, Ramiz Alia, si president i Shqipërisë, jo i kanë nisur nga shtete të ndryshme të Evropës, thuajse kjo ishte ngjarja kryesore historike, e jo Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila hoqi robërinë nga kjo pjesë e tokës së atdheut.

Gati harrova, kur i mbaroi stërvitjet grupi i dytë i luftëtarëve të ardhshëm të UÇK-së, atje në Shqipëri, grupi i tretë nuk shkoi kurrë.

Flitej se ishte zbuluar qëllimi, flitej se ishin burgosur dhe ishin ndjekur shumë nga anëtarët e grupit tënd. Kurse disa kishin dalë në shtetet e perëndimit.

Ti, Komandant Adem Jashari, nuk fole kurrë për këto punë, apo ndoshta kishe detyra më të mëdha se sa fjalët e botës. Por, megjithatë, a të është përplasur nëpër kokë ndonjëherë mendimi se kush ka mundur të zbuloi atë veprimtari, që ishte shumë e dobishme për luftën çlirimtare.

E di që ka gojëkëqij në çdo kohë, e di se kishte dhe ka, argatë të dreqit, siç u thoshte simboli ynë i qëndresës kombëtare, Adem Demaçi, atyre që bëheshin me armikun, por mos shkuarja e grupit të tretë dhe grupeve të tjera në ushtrimet ushtarake në Tiranë, jo vetëm e la në gjysmë të udhës një punë të madhe e të ndershme të shtetit amë, Shqipërisë, por la zbrazëtirë për njohuritë e domosdoshme për luftën, që ishin të domosdoshme.

Sikur të ishe gjallë, Adem Jashari, nuk e di a do të kishin quajtur Komandant Legjendar. Me siguri jo! Edhe sikur të kishe pasur krahë e të fluturoje, do të bënim si të bënim, së paku krahët do t’i kishim prerë, që të mos fluturosh. Por, e di, nëse do të kishe bërë përpjekje të dilje përtej Prekazit tënd, me siguri sot do të ishe në ndonjërin nga burgjet e Kosovës, apo në burgun e Gjykatës Speciale në Hagë, ku janë edhe disa bashkëluftëtarë tu, luftëtarë të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  

2.

I dashur Komandant! Asnjëherë nuk na ke folur, kur je bërë ushtar i lirisë dhe a ke pasur shumë ushtarë me vete. Se e ke pasur vëllanë Hamzën afër, se i ke pasur edhe anëtarët e tjerë të familjes ushtarë, këtë e kemi mësuar pasi kanë rënë për lirinë tonë.

Por, asnjëherë nuk na ke folur as si e kishe ndërmend të luftosh kundër tërë atij shteti, siç ishte ish-Jugosllavia. Mirë, që nuk na ke folur ne, që jemi mësuar të të thërrasim Komandant Legjendar, por si nuk ke treguar asnjëherë se kishin ardhur te ti gjithë ata veprimtarë të politikës së ditës, që në atë kohë bëhej në Kosovë dhe gati ishim mësuar ta quanim Kosovën shtet paralel.

Pasi ke kaluar në përjetësi dhe pasi erdhi çlirimi i Kosovës nga ushtria që kishe ngritur ti, Komandant i dashur, ne njerëzit poshtë politikës së ditës në Prishtinë, e kuptuam se te ti kishin ardhur thuajse të gjithë politikanët e asaj kohe, se të kishin lutur të mos luftosh kundër Serbisë, se të kishin thënë a e merr me mend sa e fortë është Serbia dhe çfarë ushtrie të armatosur ka, se të kishin thënë largoi anëtarët e familjes nga shtëpia, se armiku shekullor i shqiptarëve i vret, se të kishin thënë edhe shumë çka tjetër.

Por, vërtet, si nuk ke folur asnjëherë për tërë ato vizita që të kishin bërë njerëzit e politikës së ditës, të asaj kohe në Kosovë. Pasi nuk fole Ti, ne menduam se të gjithë qytetarët e Kosovës kishin qenë pjesë e luftës për liri, edhe politika e ditës kishte qenë, edhe ata që kishin ikur kishin qenë, edhe ata që e shanin luftën, kishin qenë, edhe ata që bëheshin me armikun, në të gjitha mënyrat e mundshme, kishin qenë.

Po ti, nuk kishe folur asnjëherë për gjithë këta njerëz. E dimë që ju kishe shkruar një letër atyre të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Dega Jashtë Vendit,  dhe ju kishe kërkuar armë dhe mjete të tjera, si dhe u kishe thënë se lufta bëhet këtu brenda, jo jashtë tokave të Kosovës.

Mirë që nuk na ke folur asnjëherë për këto dhe shumë çështje të tjera, nuk na mbetet hatri, as nuk ta kemi inat. Por, sikur të ishe gjallë, Komandant i dashur, si mendon a do të kishin thënë se kanë ardhur te ti dhe në familjen tënde në Prekaz dhe të kanë thënë aq shumë gjera, që lidhen me lirinë e Kosovës.

Nuk besoj se do të ishe marrë me politikë, por ku do të ishe sikur të ishe gjallë, me të njëjtën mendje, pa folur me askënd, në ndonjë burg të Kosovës, apo në Gjykatën Speciale të Kosovës, por nuk është në Prishtinë, as në Prekaz, është në Hagë, ku do të akuzoheshe për kriminel të luftës. Punë e madhe, se ti ke luftuar për lirinë e Kosovës.

E për të qenë absurdi edhe më i madh i të ashtuquajturës drejtësi ndërkombëtare, që vetëm për shqiptarët nuk treguan drejtësi, sigurisht do të të akuzonin edhe për vrasjen e 1392 fëmijëve shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë, gjatë viteve 1998/1999 dhe vrasjen e 40 fëmijëve tanë në periudhën e viteve 1981/1997, që bëjnë 1432 fëmijë të vrarë shqiptarë, 13 prej të cilëve janë të familjes tënde, Komandant i dashur, për vrasjen e të cilëve, udhëheqës të politikës sonë të ditës, nga qeveria e deri te presidenca, qe 24 vjet rresht, asnjëherë të vetme nuk e kishin guximin politik, moral e intelektual ta thonë botërisht numrin e vërtetë të vrasjes së tyre, edhe pse i kanë faktet e pamohueshme në disa gjuhë botërore, aq më shumë, edhe në gjuhën e armikut, i cili i ka vrarë engjëjt tanë. Ndonjëherë, kjo politikë e ditës, më shumë u beson të dhënave që boton Beogradi, se sa ato që kanë botuar studiues shqiptarë dhe i harrojnë afro treqind fëmijë, sikur të bëhej fjalë për treqind topa lojërash, e jo për treqind njerëz të ardhmërisë sonë.

Komandant i dashur, mirë që ke luftuar, edhe pse ne ishim kundër luftës, nëse do ta dish ishim edhe kundër luftës tënde, por ti ke bërë krime kundër njerëzimit se ke vrarë qytetarë serb. Ndoshta ke vrarë edhe ndonjë qytetar shqiptar, andaj ata u hidhëruan me ty dhe të vranë me tërë familjen, të vranë edhe me disa nga shokët tu, se askush asnjëherë nuk është akuzuar për vrasjen tënde, as të fëmijëve të familjes tënde, as për vrasjen e pleqve dhe plakave, të nuseve dhe të motrave, të djemve dhe të nipave tu.

Prandaj, sikur të ishe gjallë, Komandant i dashur, me siguri do të ishe në ndonjë burg në Kosovë, si qindra e mijëra ushtarë të ushtrisë tënde, ose në Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, për krime kundër njerëzimit.

3.

Komandant Adem Jashari! Që kur ke rënë në altarin e lirisë sonë, që e gëzojmë të gjithë njësoj, bile dikush më mirë, edhe ata që ishin me ty e janë gjallë, edhe ata që ishin kundër luftës tënde, e asnjëherë nuk hoqën dorë nga pushteti i ditës në këtë Kosovën tonë, lirinë e së cilës e solli lufta jote. Ata që ishin me ty, kanë ndonjëherë ndonjë telashe, ndonjë mosmarrëveshje, edhe me pushtetin e ndërkombëtarëve kur erdhën në Kosovë.

Për këtë, mund të të kishin treguar gjithë ata luftëtarë të lirisë që mbushen burgjet e Kosovës, që mbaheshin me vjet të tëra, pa asnjë letër në xhep, e kurrë nuk dihej a ishin fajtorë, apo mbaheshin ashtu, sepse ata ndërkombëtarët mendonin se disiplinohej më mirë ajo radhë e atyre që kishin luftuar për lirinë dhe çlirimin e kësaj pjese të atdheut që quhet Kosovë.  

Por luftëtarët tu, kishin mosmarrëveshje edhe me pushtetin tonë, pasi është shpallur Pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

Luftëtarët e Ushtrisë tënde, kanë disa mosmarrëveshje me politikën e ditës, se janë lajmëruar më shumë se sa duhej që paskan qenë luftëtarë. Politika e ditës po ju thotë se nuk keni qenë as gjashtëdhjetë mijë, as dyzet mijë, as njëzet mijë.

Keni qenë shumë më pak. Këta, si edhe atëherë kur i thirre ti në luftë, nuk e pyetën askënd përveç zemrën dhe kokën e vet, po thonë se kemi qenë edhe më shumë. Atëherë, politika e ditës, i ka hequr nga lista e pagesave, apo ia ka dorëzuar lëndën e tyre gjykatave tona. Kështu që kur të vendos Gjykata sa ushtarë ka pasur ushtria jote, atëherë edhe mund të paguhen, sa për ta mbajtur shpirtin gjallë.

Por ama, gjykatat kanë shumë punë e një zot e di kur tregojnë ato gjykata për numrin e ushtarëve, që kishin ardhur në luftë kur i thirre ti.

Nuk e di a të është hidhëruar kush nga ata luftëtarë për padrejtësitë që po ju bëhen, se ti, Komandant ke kaluar në përjetësi e ndoshta nuk merresh me jetën e përditshme të luftëtarëve tu, por e di se aq shumë janë hidhëruar me Kosovën, sa një pjesë e tyre, as vetë, as fëmijët e tyre nuk i lënë më në Kosovë, i kanë marrë me vete nëpër shtete të ndryshme të Evropës, sa njeriut i mbushet mendja se më shumë ka shqiptarë në shtetet e tjera të Evropës dhe në Amerikë, se sa ka në Kosovë dhe në Shqipëri.

Pasi ata e kanë lënë Kosovën, tashti politika e ditës po i kthen në Kosovë djemtë dhe vajzat e atyre që kishin dalë në Evropë, jo si ikanakë, por me pasaporta të ish-Jugosllavisë, kishin pasur mundësi të bëjnë shkolla e të hapin punë të ndryshme, kështu që pasi ata kanë kryer shkolla të Evropës, po i kthejnë se ndoshta edhe Kosovën e bëjnë Evropë.

Sinqerisht, këtu nuk ka asgjë të keqe. Por kur i thirre ti në frontet e luftës, ata nuk ishin këtu, nuk i kishin as baballarët e nënat.

Sikur të ishe gjallë, Komandant Adem Jashari, a do të ishe hidhëruar me shokët e tu, që e kanë lënë Kosovën familjarisht, apo do të ishe përplasur me politikën e ditës në Kosovë, së cilës i plasi zemra duke punuar për njerëzit, se nuk desha ta përdor fjalën popull, sepse përherë keqpërdoret, e sidomos kur ka zgjedhje, por për çudi këta njerëz, ose nuk dëgjojnë mirë nga veshët, ose janë lodhur me atdhetarizmin fjalaman të politikës dhe i kanë marrë në sy rrugët e Evropës dhe të Amerikës.

Por, pra, nëse do të kishe reaguar, qoftë edhe në mënyrë demokratike, siç bëjnë edhe sot e gjithë ditën kudo në Kosovë, ose do të ishe në ndonjë burg të Kosovës, ose do të ndiqeshe si kriminel për krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale e Kosovës, e cila e ka selinë në Hagë.

4.

Sa herë na bie ndërmend për ty, dije se të përmendim, ose në ditë festash, ose në ditë kujtimi për të rënët. Por, dije se kurrë nuk të përmendim vetëm, i radhisim edhe nja dy-tri figura të mëdha historike, edhe pse nuk kanë bërë asgjë as për lirinë e Kosovës, as për Çlirimin e saj, përkundrazi kanë qenë kundër luftës tënde, por i zëmë në gojë dhe i përmendim, sepse pa ta nuk do të bënte historia, sepse pa ta, Tomorri i historisë sonë, nuk do të ishte i plotësuar si dhe sa duhet dhe nuk do të ishte më asnjëherë vend i shenjtë. Mirëpo, edhe kur të përmendim ty, Komandant Adem Jashari, këtu në Prishtinë nuk kemi ku vëmë kurora lulesh, ngase kryeqyteti i Kosovës së pavarur dhe demokratike nuk ka një shtatore të Adem Jasharit.

Nuk ka se, një zot e di çka ka ndodhur, ose nuk kemi pasur para, ose na ke penguar të jesh në Prishtinë, edhe kur kishe kaluar në përjetësi, ose më mirë të jesh atje në Prekaz dhe në Skënderaj. Nuk lodhemi e vijmë atje, vëmë kurora lulesh, të përshëndesim ty dhe të gjithë të rënët, gati sa nuk derdhim lot, por ama në Prishtinë, ende nuk ke ardhur.

Nuk e di pse nuk ke ardhur ende, ndoshta se partitë tona politike nuk kanë pasur kohë të merren vesh, nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët, jemi mësuar të themi, ose në fund të fundit, edhe nëse ndonjë parti ka bërë zhurmë që të jesh edhe ti në Prishtinë, se dreqi e mori, është kryeqyteti i republikës së Kosovës, të tjerët nuk kanë pasur mundësi të gjejnë vendin ku do të duhej të vendosej shtatorja jote, sepse do të duhej të prisheshin shenjat e vëllazërimit dhe bashkimit të socializmit jugosllav.

Unë e di se për së gjalli nuk do të kishim ngritur shtatore në Prishtinë, se as që jemi lodhur t’ia bëjmë një të tillë Adem Demaçit, simbolit të qëndresës sonë kombëtare, që besoj edhe ti ke mësuar nga ai rrugën e bërjes së lirisë përmes grykës së pushkës, edhe pse nuk jemi marrë vesh asnjëherë që ai së paku të bëhet President i Kosovës.

Ne i kemi treguar disa herë se vendi i presidentit ishte i zënë, kurse ai, siç e kishte zakon, vetëm buzëqeshte me budallallëkun tonë, që sa duket kishim harruar se edhe të bëheshe president i Kosovës, nuk do të thotë, se të merrte brenda historia për ta ruajtur veprën tënde në shërbim të atdheut.

Ti ndoshta do të kishe reaguar që Adem Demaçit t’i jepej vendi i presidentit, edhe pse ai nuk e kishte kërkuar kurrë, kurse ne nuk na mbushej mendja pa i dëgjuar dhe pa i marrë parasysh kushtet tona që ia diktonim, qoftë si subjekt politik parlamentar, qoftë jashtë parlamentit të Kosovës.

Por, sikur të ishe gjallë, Komandant Adem Jashari ku do të ishe, në ndonjë burg të Kosovës, ku ishin aq shumë luftëtarë të lirisë, të cilët të quanin Komandant Legjendar, apo në burgun e Gjykatës Speciale të Kosovës, por që e ka selinë në Hagë, se këtu nuk kishte vend për të.

5.

Ti i dashur Komandant, o Burrë i Dheut, kur e fillove luftën, e more me vete Flamurin kombëtar, i cili ka qenë pjesë e të gjitha ngjarjeve të mëdha të historisë sonë, që nga koha e Skënderbeut e këndej. Mirë shumë. Ty të lumtë, Komandant Adem Jashari, që e bëre pjesë të luftës tënde për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, por kur kalove Ti në përjetësi, ne nuk e përdorëm më. Njëherë, nuk kishin fort dëshirë ndërkombëtarët, pastaj kur flitej për Pavarësinë e Kosovës, shkuan aq larg, sa nuk deshën të përdoren as ngjyrat e Kuqja dhe e Zeza.

Kështu që, pranuam ta heqim Flamurin kombëtar nga përdorimi zyrtarë, thoshin, thuajse të gjitha partitë politike këtu në Kosovë. Mirëpo, në anën tjetër, për çudi, në ato tokat shqiptare që Evropa ia kishte dhënë ish-Jugosllavisë, ku ishte edhe Maqedonia, pjesë e saj, Flamuri kombëtar pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, përdoret zyrtarisht.

Punë e madhe që në Manastirin tonë historik, mezi ka mbetur në këmbë ndërtesa e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, të këtij alfabeti që e përdorim edhe sot, kudo ku ka shqiptarë, por dorën në zemër, Flamurin kombëtar e përdorin zyrtarisht, pra është rregulluar me ligj përdorimi i tij.

Kishte një periudhë kohe, Komandant i dashur, këtu në Prishtinë kishte përplasje të mëdha rreth përdorimit të Flamurit kombëtar.

Disa parti politike e përkrahnin, disa jo. Disa qytetarë e mbështesnin flamurin e shtetit të Kosovës, disa jo, sa edhe nuk ngriheshin në këmbë, kur luhej Himni i shtetit të Kosovës. Atëherë, kishte ndonjë parti që ngulte këmbë, së paku në ditë festash, që Prishtina të stolisej edhe me Flamurin kombëtar. Erdhi një kohë, kur në xhaketat e shumë të rinjve, edhe të ndonjë plaku aty-këtu, shihnim shenjën e Flamurit kombëtar të vënë në krahun e xhaketës.

Disa nga këta të rinj, shumë aktivë, kur u zgjodhën në parlamentin e Kosovës, në tavolinat ku rrinin ulur, sipas radhës në parlament, vinin përpara nga një Flamur të vogël kombëtar, edhe pse flamuri i shtetit të Kosovës ishte në ballë të sallës. Punë e madhe që ishte, ne që kishim fituar votat, edhe me kërkesën e drejtë si shenjë kombëtare, për përdorimin e  Flamurit kombëtar, në tavolinat tona mbanim Flamurin kombëtar.

Kështu që, në Kosovë, jo vetëm në ditë kremtesh, kishim dy flamuj të shqiptarëve, një që quhej Flamuri kombëtar dhe tjetri që quhej flamuri i shtetit të Kosovës.

Dorën në zemër, Komandant Adem Jashari, nuk u mërzitem shumë për këtë lojë me flamujt, se ndoshta edhe ishim mësuar gjatë kohërave të okupimit, apo luteshim që të mos bëhen më shumë, nuk di ta shpjegojë mirë.

Mirëpo, i dashur Komandant, kjo politika e ditës ishte jo vetëm shkollë me vete, shumë e vështirë për ta mësuar, por edhe më e vështirë për ta zbatuar në jetë. Kjo na ndodhi deri sa politikën e ditës në Kosovë e mori në dorë një parti politike që e kishte mbrojtur përdorimin e Flamurit kombëtar me të gjitha mënyrat dhe me të gjitha mjetet.

Në u gëzuam, dua të them, u gëzuam ne nostalgjikët historik, që shihnim ëndërr me sy hapur për bashkimin kombëtar, se tashti e tutje Flamuri kombëtar do të ketë përdorim zyrtar, pra do të jetë i mbrojtur me ligj.

Nejse komandant Adem Jashari, nuk ndodhi kështu. Na erdhi shumë inat, por nuk kishim çka të bënim, se ishin fëmijët, vëllezërit, baballarët, nënat tona, kështu që heshtëm. Po heshtim edhe sot.

Mirëpo, në Kosovë tashti janë në përdorim tre flamuj. Një Flamur kombëtar që përdoret vetëm në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Sa duket, atje ku ke luftuar Ti, i dashur Komandant dhe luftëtarët tu, e  luftëtaret tua, ata që kanë rënë për lirinë tonë, nuk ia mori mendja as politikës së ditës që të prekej Flamuri kombëtar.

Më beso, komandant, ndonjëherë po na merr malli, jo vetëm për ngjyrat kuq e zi, por edhe për historinë e Flamurit Kombëtar, se nxënësit tanë nuk e mësojnë kurrë, në asnjë vit shkollor, që nga çerdhet e fëmijëve e deri në universitet, sepse nuk e ka paraparë në programet e tyre shkollore Ministria e arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Flamuri i dytë në përdorim zyrtar është flamuri i shteti të Kosovës. Ai është kudo, edhe në sallën e kuvendit, edhe në të gjitha ministritë, si dhe njësitë e tjera të qeverisë së Kosovës, se e kanë të rregulluar me ligj, përdorimin e këtij flamuri.

Nëse, Komandant Adem Jashari, nëse rastësisht, vjen edhe ndonjë i njohur yti, që rastësisht është gjallë dhe ka dëshirë ta vizitojë presidencën e Kosovës, në lokalet e saj janë dy flamuj, ai i shtetit të Kosovës dhe Flamuri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ju ka lënë amanet kryetari i saj, Ibrahim Rugova. Ai vizitori, qoftë edhe i njohur yti, nuk ka pse çuditet, sepse presidencën e mban një nga adhuruesit më të mëdhenj të kryetarit historik të kësaj partie. Së paku kështu thonë, andaj dhe kështu kuptohet, ku vizitori e sheh atë flamur, edhe pse ajo që ka fituar votat për presidente të Kosovës, tashti është e një subjekti tjetër politik. Dhëntë zoti e nuk i mbushet mendja të përdorë edhe një flamur të subjektit politik që i përket, se do të bëheshin katër flamuj që përdorën në Kosovë.

Nuk e di, sikur të ishe gjallë, a do të kishe reaguar për këto ngjarje që na janë bërë pjesë e jetës. Po ashtu, nuk e di, sikur të ishe gjallë, ku do të ishe, në ndonjë burg të Kosovës, edhe pse kanë shkuar ndërkombëtarët që na qeverisnin, burgjet serish janë plotë, edhe me luftëtarë të ushtrisë tënde, apo do të ishe në burgun e Gjykatës Speciale me seli në Hagë, ku do të akuzoheshe, përveç të tjerash, se si ke pasur guxim të luftosh kundër pushtuesit të atdheut tënd, që mund të kualifikohej edhe si krim kundër njerëzimit.

Përfundim

Por, Komandant Adem Jashari, përjetësia jote është më e madhe se politika shqiptare kudo që ajo bëhet, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, apo gjetiu. Përjetësia jote është edhe më e madhe se çlirimi dhe liria vetëm e Kosovës. Përjetësia Jote ka përmasë historike dhe ka përmasë kombëtare për historinë moderne shqiptare.

Prishtinë, më 2, 3 e 4 mars 2023

_________________________

DEMONSTRATA E DY MARSIT 1998 DHE LUFTA E UÇK-së

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura