Pashtriku, 25 shkurt 2019: Kush e propozoi Konferencën e Rambujesë dhe kur?
Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep vetë ambasadori amerikan i asaj periudhe në Shkup, dhe i ngarkuari nga Departamenti i Shtetit për bisedimet me përfaqësuesin politik të UÇK-së, zoti Kristofer Hill: “Francezët ishin tejet të interesuar që të ishin nikoqirë të takimit dhe ne, në anën tjetër, nuk ishim aspak të interesuar. Organizimi i bisedimeve paqësore kurrë nuk ka qenë inisiativë e SHBA-ve”1 Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi historikisht dihet se çfarëdo plani që mund të ketë dëshirë ta propozoi Rusia, duhet së pari të shqyrtohet nga Franca dhe Anglia, -shkruan ish ministri i jashtëm i Anglisë Eduard Grey -, dhe, në rast se ata pajtohen, atëherë u paraqitet nga këto të tria Fuqive të tjera2.
Dhe kjo nismë franceze u nxit ngaqë ngjarjet e Dhetorit 1998 dhe të fillim-Janarit 1999 në Kosovë ishin të tilla, që ia rritën shumë prestigjin UÇK-së e në mënyrë të veçantë Adem Demaçit, i cili po shkonte drejt bashkimit të të gjithë faktorit politik në Kosovë. Prandaj, duhej bërë diçka urgjente që t’i ulej rejtingu Adem Demaçit, duke mos e lënë të arrinte atë objektiv, i cili do të bëhej i mundur përmes Asamblesë Qytetare, pasi ishin bindur se Demaçi ishte i aftë të vinte në lëvizje shtresa të gjera të shoqërisë. Dhe për këtë zgjodhën metodën e përdorimit të mjeteve të zakonshme: Realizimin e Konferencës së Rambujesë para se të mblidhej Asamblea Qytetare e Kosovës.
Mirëpo, francezëve u duhej edhe mbështetja e amerikanëve. Prandaj ata qysh herët kishin marrë masa që të bënin për vete Anglinë, një nga shtetet partnerë të përhershëm të SHBA. Për këtë qëllim diplomacia franceze pat afruar Veton Surroin, të katapultuarin e Anglisë prej studios së BBC në Londër drejt e në Prishtinë, me ndihmën e së cilës arriti të prezantohej si intelektuali më me zë në Prishtinë dhe poligloti më i preferuar nga diplomatët e huaj. Paralel me këtë, Franca afroi edhe Austrinë, përmes ambasadorit Petriç.
Dhe qëllimi iu arrit. G-8, porsa u njoh me atë projekt-marrëveshje e paraqiti planin me një shpejtësi marramendëse, si kurrë më parë, duke e rrethuar të ardhmen e Kosovës me një aureolë, në sajë të së cilës edhe përbërja e delegacionit të Kosovës u duk me të vërtetë si thelbi i vullnetit të mirë dhe i arsyes së shëndoshë. Të gjithë argumentat e asaj projekt–marrëveshjeje kishin një logjikë aq të thellë, saqë dukej sikur po të mos i pranoje, do të bëje një gjë të paarsyeshme.
Lind pyetja: Përderisa amerikanët edhe pse “nuk ishin aspak të interesuar për organizimin e bisedimeve paqësore” në ato momente, atëherë përsëri e pranuan atë propozim francez?
Kosova, në ato momente ishte një pikë gjeografike sa e rrezikshme aq dhe e lakmueshme, jo vetëm prej rusëve e sllavët në tërësi, por edhe prej amerikanëve, pse jo edhe për vendet e fuqishme islamike, por sidomos prej gjermanve, të cilët ishin i vetmi shtet që e kish ndihmuar dhe po e ndihmonte materialisht UÇK-në, duke i siguruar gjithë mjetet e nevojshme të komunikimit modern (ndërlidhjen) të papërgjueshëm, por edhe shpenzimet që bëheshin me ato mjete, ku vetëm këto të fundit arrinin në 1 (një) milionë e 200 mijë marka gjermane 3. Amerika e kuptoi se po të vonohej do ta merrnin atë çështje në dorë ose gjermanët ose rusët, ndaj ajo ishte e detyruar të kapej me thonj. Megjithatë, nëse amerikanët do të formulonin rezervat e tyre në ato momente, për atë konferencë, atëherë do të ishte një prishje e asnjanësisë dhe një ndërhyrje në të drejtat e palëve. Vetëm kur të bisedohej për kushtet e paqes, atëherë Amerika do të formulonte kërkesat e saj. Kjo duhet të jetë arsyeja që amerikanët pranuan të ishin dakort për pavarësinë e Kosovës, por jo për bashkimin e saj me Shqipërinë, sikundër ishte programi politik i UÇK-së. Ndërsa mosbashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një program politik e diplomatik ndërkombëtar i caktuar.
Demaçi ishte i vetmi që e kuptoi se në ato momente çështja e Kosovës kishte rëndësi jo vetëm për amerikanët dhe Ballkanin, por për të gjitha fuqitë e tjera europiane. Ndaj dhe ai ato ditë Janari 1999, pas shkëmbimit të robërve midis UÇK-së dhe Ushtrisë Serbe, (e cila u shoqërua me masakrën e Reçakut), mori urgjentisht rrugën drejt Tiranës, duke e vlerësuar si momentin më deçiziv që të mund të hynte në lojë Tirana, me qëllim që diskutimi të bëhej midis përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë. Ky hap diplomatik i Demaçit kërkonte t’i thoshte diplomacisë botërore se Kosova është Shqipëri dhe, si e tillë, vetëm asaj i takon të bisedojë për bijën e saj. Dhe, nëse nuk pranohej ky kusht, Shqipëria të ishte pa tjetër e pranishme në bisedime. Mirëpo faktet treguan se Tirana nuk i kishte ato lloj mendësi, aftësi dhe ato këllqe. Si rrjedhojë, Demaçi u kthye nga Tirana ashtu si Skëndërbeu 532 vite më herët nga Papa Pali II i Vatikanit, në Janarin e vitit 1467. Një koinçidencë interesante: të dy shkuan për të kërkuar ndihmë në të njëjtin muaj e në të njëjtën moshë gjashtëdhjetëvjeçare tek të vetmit ku kishin shpresë se do të ndihmoheshin dhe, çuditërishtë, të dy u kthyen po njësoj, të zhgënjyer!
Kur e pa se ky varjant ishte i pamundur për Tiranën, atëherë Adem Demaçi kërkoi që problemi i Kosovës të shtrohej me ndërkombëtarët më vete, i shkëputur nga çështja serbe, pasi vetëm kështu kishte të ngjarë që çështja e bashkimit me Shqipërinë mund të zgjidhej përfundimisht. Ai e bëri këtë propozim ngaqë zgjidhja që jepte projekt-marrëveshja e Rambujesë ishte një zgjidhje që i imponohej Kosovës, duke e lënë në dorën e politikanëve kosovarë të joshur për pushtet, përderisa ata i pranuan ato kushte.
Edhe në këtë pikë dështuan bisedimet e Demaçit me diplomatët amerikanë dhe kjo për shkak të mosmirëkuptimit midis tyre. Por Demaçi përsëri nuk dekurajohet. Ai, duke shfrytëzuar faktin që UÇK-ja “ishte faktor më i fuqishëm luftarak sesa kur kishte hyrë në luftë”, e që kulmoi me shkëmbimin e robërve midis asaj dhe ushtrisë serbe, si dhe i entusiazmuar edhe në ecurinë për realizimin e Asamblesë Qytetare, e ndjente veten më të sigurtë, ndaj dhe po bënte të pamundurën që të shtyhej në kohë ajo konferencë ndërkombëtare dhe nuk bëri të kundërtën: të afronte mbledhjen e Asamblesë Qytetare dhe të mos e linte atë për në afatin e fundit, në 10 Shkurt. Duke qenë se Demaçi nuk e kish atë forcë që të shtynte Mbledhjen e Rambujesë, ai nuk duhej të harxhonte kohë duke shkuar në Tiranë, pasi e njihte politikën e saj, por të shkonte në SHP dhe tek Rexhep Qosja, dhe më pas tek forcat e tjera politike në Prishtinë, për të realizuar sa më shpejtë mbledhjen e Asamblesë Qytetare.
Edhe në këtë pikë francezët u treguan më të shkathët se Demaçi. Ishin ata që kishin menduar që t’ia hiqnin Demaçit mbështetjen e Shtabit të Përgjithshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë realizohej plotësishtë ideja e sabotimit të Asamblesë Qytetare. Dhe kjo u bë e mundur prej tyre, duke bërë për vete zëdhënësin e atij shtabi, Jakup Krasniqin. Nëse shkëputej Jakup Krasniqi nga Demaçi, shkëputej edhe Shtabi i Përgjithshëm, pasi Jakupi ishte figura më autoritare e UÇK-së, si për UÇK-në edhe për Demaçin. Nëse nuk shkëputej Jakupi nga Demaçi, realizohej Asamblea Qytetare.
Bazuar në ecurinë e ngjarjeve, kuptohet se kjo detyrë duhet t’u jetë ngarkuar z.z.Hashim Thaçit, Xhavit Halitit dhe Kadri Veselit, të cilët ato ditë ndodheshin në Tiranë 4. Bindja e Jakupit nga Hashimi dhe kthesa prej 180 gradësh e Jakupit, lidhur me Asamblenë Qytetare, duhet të jetë rrjedhojë e ndonjë premtimi tepër tundues, duke shfrytëzuar paqartësinë e programit politik të UÇK-së, të cilin nuk pati kohë ta korigjonte as Adem Demaçi. Mirëpo edhe Jakupit i duhej një “arsye” e fortë për ta bërë atë kthesë që të mund të ishte i besueshëm për masën e UÇK-së dhe për publikun. Dhe ajo u gjet: Anullojmë Asamblenë, pasi “me potencialin dhe organizimin e tashëm ushtarak, UÇK-ja nuk mundet të ngadhënjei në luftë” 5. sikundër i janë shprehur z.Jakup e z.Ramë Buja në Rambuje z.Blerim Shala. Jo më kot ekziston parimi: Nëse lufton, duhet të kesh besim në fitore; në të kundërt…, kapitullon shpejt.
Lind pyetja tjetër:
Pse nuk i pranuan amerikanët kërkesat e Demaçit?
Së pari, ngaqë amerikanët kishin dhe kanë opsione krejt të ndryshme për çështjen e Kosovës. Amerikanët janë për statukuonë e tashme të pozitës së shqiptarëve në Ballkan, sepse interesi dhe nevoja e tyre është që në këtë pjesë të Evropës të kenë një popullsi që të ushqejë ndjenja sa më të larta miqësore ndaj SHBA; për një popullsi që të mos bjerë as nën ndikimmin rus (sllav), as nën ndikimin grek, as atë Italian apo turk, as frances dhe sidomos as nën atë gjerman. Dhe rasti më i mirë për ta realizuar këtë qëllim ishte duke angazhuar NATO-n në luftë kundër Serbisë, por jo të thellohej më tej, me vetvendosjen e shqiptarëve. Largimin e Serbisë nga Kosova, propaganda pan-shqiptare ia njeh për faleminderit vetëm SHBA. Kështu që i gjithë kombi shqiptar në Ballkan, edhe pse i ndarë në 6 shtete, kanë të njëjtën ndjenjë: pro amerikan, në lartësinë më të madhe, si asnjë popull tjetër në Evropë. Nëse qëndrojmë kështu, të ndarë në 6 shtete, ndjenja pro-amerikane do të vijë gjithnjë duke u forcuar. Në të kundërt, po qe se lejohet vetvendosja dhe bashkimi i trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, atëherë për amerikanët nuk është më e sigurtë që të jetë e përjetshme ndjenja e fuqishme proamerikane e shtetit të fuqishëm shqiptar të ardhshëm, pasi ai do të ishte i aftë t’i përballoi vetë fqinjët edhe sikur ata të veprojnë së bashku. Kështu që, bashkimi i gjithë shqiptarëve në Ballkan në një shtet të vetëm do të thotë rënie graduale e ndjenjës së fuqishme pro-amerikane edhe tek shqiptarët. Kjo është edhe njëra nga arsyet pse amerikanët pranuan që të çarmatosej UÇK-ja dhe po përpiqen të zgjasi pa mbarim konsolidimi i pavarësisë së Kosovës. Kjo është edhe arsyeja kryesore që i vetmi popull që është çarmatosur e çarmatoset në Ballkan janë shqiptarët, ndërkohë që shtetet e tjera fqinje armatosen.
Ka gjasa që amerikanët ua shpjeguan politikanëve shqiptarë të Kosovës, pjesmarrës në Rambuje, me mënyra të tjera këtë strategji të tyre, sikundër ishte, p.sh., afati trevjeçar për referendum, si dhe ajo e një konference tjetër ndërkombëtare për Kosovën, (qëllimisht u dhanë dy varjante), si dhe duke u premtuar garanci në marrjen dhe mbajtjen bashkarisht të pushtetit, UÇK dhe LDK. Dhe, nuk është rastësi që Hashim Thaçi pranoi qysh në zgjedhjet e para parlamentare, pas lufte, të bënte koalicion me LDK-në, si dhe pse është shumë i bindur ndaj ambasadorëve të tyre në Prishtinë. Kush nuk e beson këtë lloj strategjie le të lexoi dokumentat e kabllogrameve amerikane të Uikilix-it për Kosovën, të ekspozuara nga mediat gjatë muajve Korrik – Gusht – Shtator 2011.
Vendet e Evropës Perëndimore, kur u bindën për këtë pozicionim të amerikanëve, duke mos pranuar që shqiptarët të bashkohen në një shtet të vetëm, gjë që u konvenonte, e pranuan vendimin e SHBA për ndëshkimin e Serbisë.
Një arsye tjetër, pse amerikanët ishin për çmobilizimin e UÇK-së, që parashihej në atë projekt-marrëveshje, është nga që ata druheshin se mos vallë fitorja e UÇK-së trajtohej si një fitore islamike kundër një force jo-islamike, sikundër ishte ushtria e Sërbisë. E themi këtë pasi edhe humbja e ish-Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitet ’80 të shekullit të XX, nga historianët ushtarakë perëndimorë nuk është konsideruar si fitore afgane, por si një fitore islamike kundër një supërfuqie jo-islamike, e për më tepër kundër një ushtrie ateiste, për mos të thënë si fitore islamike kundër krishtërimit. Ja se si e komenton historiani amerikan i luftrave dhe konflikteve të ndryshme ushtarake, Xhorxh Fridman: “Eksperienca në Afganistan do të shihej si një ngjarje kyçe në historinë e Islamit… Lufta e Afganistanit ishte e para luftë në shekuj, ku një forcë islamike kish mundur një forcë jo-islamike. Forca sovjetike nuk ishte vetëm jo-islamike por edhe ateiste… Më e rëndësishmja është se kjo u pa si një fitore islamike më tepër se një fitore afgane. Ushtarët që mundën Bashkimin Sovjetik ishin forca multinacionale të luftëtarëve islamikë, të paktën pjesërishtë, dhe sigurisht u bë një legjendë islamike. Paratë që u paguan për luftën ishin tërhequr prej vendeve islamike. Ideja u shndërrua se luftëtarët islamikë i dhanë fitoren e tyre Amerikës kundër Sovjetikëve”6, pavarësishtë se amerikanët nuk ishin pjesmarrës të drejtëpërdrejtë në atë luftë.
Por edhe “aksioni në Ballkan – vijon më tej Xhorxh Fridman – u përceptua si një ndërhyrje në një luftë midis Islamit dhe Kristianizmit Ortodoks. Kristianët në Bosnjë dhe në Kosovë i panë SHBA-të duke vepruar në emër të Muslimanëve” 7. Të gjitha këto e trembën Evropën, por edhe Amerikën, se mos edhe lufta e jonë në Kosovë merrte ngjyrimet e një fitoreje të islamikve kundër të krishterëve, edhe pse Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së qysh në fillim të luftës nuk i kish pranuar një grup luftëtarësh vullnetarë nga vendet islamike, të cilët patën marrë pjesë në luftën e Bosnjës, dhe këtë NATO-ja e dinte shumë mirë. Kësaj imagjinate të pabazë i vinte në ndihmë edhe propaganda e Rugovës dhe e partisë së tij, me qëllimin e vetëm që bota demokratike të mos e përkrahte UÇK-në, duke botuar madje në gazetën e tyre “Rilindja” edhe një emblemë të rreme të UÇK-së me betim ndaj Allahut.
Këto janë arsyet që “Për Uashingtonin, pranimi i marrëveshjes nga ana e UÇK-së duhej ta theksonte izolimin e Millosheviçit; ata ishin të bindur se do të tërhiqej vetëm “duke i treguar muskujt”. Kurse Evropa u përpoq deri në fund që serbët ta nënshkruanin marrëveshjen. Pra, midis dy brigjeve të Atlantikut, kishte një qëndrim jo gjithmonë homogjen” 8, sqaron Kryeministri i atëhershëm i Italisë Massimo D’Alema.
Cila ishte arsyeja tjetër që diplomacia ndërkombëtare u ngut që Konferenca e Rambujesë të realizohej para se shqiptarët të mblidhnin Asamblenë Qytetare?
Së pari, amerikanët, duke e njohur nga afër Demaçin, duhet të kenë mbritur në përfundimin se po të arrinte Demaçi të mblidhte Asamblenë Qytetare, nga e cila do të delte Qeveria e Koalicionit, natyrisht që në krye të saj do të vendosej “nacionalisti kokfortë Adem Demaçi”. Mirëpo amerikanët s’para i kanë qejf nacionalistët e tillë që shprehen si Demaçi: Unë e dua Amerikën, por më shumë dua Kosovën. Këtë e bazojmë në deklaratën e ish Presidenti Xhorxh Bush (i vjetri) në vitin 1991 në Ukrainë, i cili tha: “Liria nuk është e njëjta gjë si pavarësia. Amerikanët nuk do të mbështesin ata që kërkojnë pavarësi, …amerikanët nuk do të mbështesin ata që kërkojnë njënacionalizëm…”. Kjo është një arsye më shumë që shpjegon pse amerikanët e pranuan propozimin frances.
Një arsye tjetër është se ndërkombëtarët nuk i linte paragjykimi që kishin krijuar për UÇK-në si ushtri “komunistësh” e “enveristësh”, i ushqyer ai paragjykim edhe nga LDK-ja, me qëllim që amerikanët të mos e pranonin UÇK-në as si ushtri, as si luftë, si dhe të mos e njihnin Demaçin si përfaqësues të saj politik. Dhe kjo vihej re në faktin që Rugova nuk e thirri asnjëherë Demaçin edhe pse e quante veten President të Kosovës dhe Komandant të Forcave të saj të Armatosura! As Serbia dhe as Rugova nuk donin ta njihnin Demaçin si Komisar Politik i UÇK-së!
Dhe këto përfundime logjike na i përforcon edhe këshilltari kryesor i atëhershëm i Ibrahim Rugovës, Xhemail Mustafa: “ndërmjetësit Hill dhe Petriç, ndërkaq, kishin informacione se shqiptarët do të mund të bashkoheshin pikërisht rreth Asamblesë Qytetare. Duket se kjo ishte arsyeja pse ata e shpejtuan fuqishëm idenë e Konferencës së Rambujesë, në një situatë kur kishte angazhime serioze për krijimin e kësaj asambleje.”9. Gjithashtu, për ndërkombëtarët nuk dihej se cilat do të ishin vendimet e asaj Asmableje të drejtuar nga i paparashikueshmi Adem Demaçi.
SHBA e pranuan propozimin frances për Rambujenë edhe për faktin që të mos e linin Francën të kishte monopolin në ato bisedime. Dhe këtë na e shpreh qartë sekretarja amerikane e shtetit, zonja Medlin Ollbrajt kur thotë: “Unë rashë dakord, dhe shkova të merrja pjesë në bisedime për dy qëllime kryesore: së pari, të bindja serbët se marrëveshja do të ishte në interesin e tyre, çka e besoja edhe vetë; së dyti, të bindja shqiptarët të pranonin marrëveshjen-kornizë që kishte propozuar Grupi i Kontaktit”10, (i cili përbëhej nga SHBA, Anglija, Franca, Kanadaja, Rusia, Gjermania, dhe Italia. Amerikanët e pranuan atë propozim), pasi “pa mbështetjen e Evropës nuk mund t’i realizonim qëllimet tona në Kosovë.”11
Njëkohësisht amerikanët pranuan të ishin të pranishëm në atë konferencë, edhe për faktin tjetër se ata e patën “zbuluar planin e përgjithshëm strategjik të Millosheviçit për të “zgjidhur” problemin shqiptar, i njohur si Operacioni Patkoi i Kalit”12, për të dhënë një shembull kuptimplotë sesi duhej dhe si mbroheshin parimet e tyre humane. Dhe, për realizimin në ato momente të Operacionit “Patkoi”, serbëve u erdhi në takim jo vetëm vendimi i Dr.P, për të shkuar në Rambuje, por edhe urdhëri i H. Thaçit për ndalimin e luftimeve dhe zgjerimin e mëtejshëm të UÇK-së. Po të ishte zgjeruar UÇK-ja sipas strategjisë së Demaçit, për kalimin e saj në sulme të shpeshta në tërë territorin e Kosovës, “Patkoi” nuk do të kishte sjellë aq masakra dhe përdhunime sa solli në kushtet e “strategjisë” së Drejtorisë Politike.
Duke ndjekur rrugën deri te Konferenca, mund të thuhet se thirrja me urgjencë e saj plotësoi atë që shumë diplomatë europianë nuk e arritën dot përmes bisedimeve që bënë paraprakisht me Adem Demaçin në Prishtinë. Dhe këtë na e tregon vetë ambasadori britanik në Beograd, Brajan O’Donel, në datë 4 Shkurt 1999, kur doli në TV Beograd: “Bashkësia ndërkombëtare respekton sovranitetin territorial të RFJ-së. Kërkesat për pavarësinë e Kosovës ose, siç e quajnë disa, Republika e Kosovës, as që mund të vijnë në konsiderim”13. Por edhe “Franca dhe Gjermania thuajse nuk ishin kurrë të gatshëm të përballeshin me Moskën. Italianët bënin mjaft biznes me serbët dhe nuk i donin sanksionet”14, na e plotëson përgjigjen e pyetjes zonja Medlin Ollbrajt.
Parë në këtë kontekst, në gjykimkin tonë, amerikanët, sikundër treguan edhe ngjarjet, ishin mbështetësit më të mëdhej të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke e përligjur pranimin e thirrjes së Konferencës së Rambujesë me justifikimin për të ndërprerë sa më shpejt vrasjet dhe masakrat në Kosovë 15, por kjo më së shumti ngaqë insistonin francezët dhe anglezët.
Edhe sot qëndrimi angles ka ngelur i pandryshuar. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jan Klif, në datën 5 Maj 2014 shprehu frikë nëse në zgjedhjet e përgjithshme Lëvizja Vetëvendosje do të fitonte shumicën në Kuvendin e Kosovës, (ngaqë këmbëngul në bashkimin e Kosovës më Shqipërinë dhe trajtohet si pasuese e UÇK), ndërkohë që nuk ka reaguar me rastin e fitores së radikalëve apo socialistëve të Millosheviçit në Serbi, si dhe ka përkrahur themelimin e Gjykatës së Veçantë Njëetnike kundër luftës 16, e cila ka për t’i sjellë dëme Kosovës në imazhin ndërkombëtar.
Pavarësisht se Adem Demaçi nuk u bë pjesë e asaj Konference Ndërkombëtare, (rasti i parë ku përfaqësohej Kosova në një forum të tillë ndërkombëtar), ai porsa e lexoi projekt-marrëveshjen desh ta shfrytëzonte atë angazhim ndërkombëtar si rastin më të volitshëm për të njohur ndërkombtarisht UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë, prandaj, qysh të nesërmen këmbënguli që çështja e UÇK-së dhe 9 (nëntë) çështjet e tjera të panegociueshme, të ishin të negociueshme, ndryshe…(!)
Kurse Drejtoria Politike, (dhe më pas një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së), e pranuan propozimin e Francës! Kur Dr.P e pranoi propozimin frances, atëherë Demaçi pyeste dhe përgjigjej po vetë: “Përse u angazhuan, pikërisht, francezët? Sepse francezët ishin të parët që “nuhatën” se forcat serbe nuk do të ishin të zonjat ta shuanin kryengritjen shqiptare pa rënë në kurthin e pafalshëm të gjenocidit mbi popullin shqiptar. Dhe në atë rast mekanizmat ndërkombëtare nuk do të kishin qare pa reaguar dhe Serbia për pasojë do të humbte çdo atu për të mënjanur më tutje Kosovën”17.
Përsa i përket Kryetarit të LBD, akademikut poliedrik të kulturës shqiptare, zotit Rexhep Qosja, edhe dy vjet pas asaj konference, ai nuk është ende i qartë se pse kish shkuar në Rambuje. Dhe këtë e shohim tek përgjigjia e tij dykuptimshe (ambiguitive) ndaj një pyetjeje që i është bërë në Vlorë, në 21 Maj 2001, nëse kosovarët ishin detyruar apo jo diplomatikisht për ta nënshkruar Rambujenë, ku thotë: “Ajo konferencë është bërë për të ndëruar fatin e Kosovës, jo për ta lënë ashtu siç ishte. Natyrisht në Marrëveshjen e Rambujesë, Kosovës i parashikohej statusi i autonomsë, si e quajnë ndërkombëtarët “substanciale”. Këtë autonomi substanciale ata nuk e kanë shpjeguar asnjëherë. Asnjëherë nuk kanë thënë dhe s’kanë arritur të na thonë edhe sot e kësaj dite se çfarë nënkupton “substanciale.” 18″!
Ndërsa, për atë “ngutje të francezëve”, Ibrahim Kelmendi na jep të dhëna se ka pasur bashkpunim të më hershëm midis zbulimit ushtarak frances dhe Hashim Thaçit, qysh prej viteve 1994-1998. Ai shpjegon se në ato vite Thaçi dhe Kadri Veseli, edhe pse ishin në Zvicër, nuk qenë aktivizuar në LPK, por shfaqen papritmas në mbledhjen e përgjithshme të jashtëzakonshme të saj, në Tiranë (Zvicër -shën.SHB), në Maj 1998, edhe pse nuk ishin delegatë të asnjë nëndege të LPK-së.19
Madje Ibrahim Kelmendi jep edhe të dhëna të tjera, ku përforcon lidhjet e Hashim Thaçit me zbulimet franceze, kur thotë: “Po atë ditë (23 Shkurt 1999, D.G) më takon një bashkpuntor i stafit të ministrit të jashtëm gjerman, Joshka Fisher. M’u lut të shkoja në konferencën e shtypit që do të mbante ai, “meqë do të bisedojë me ju.” Shkova. Sapo mbaroi konferencën e shtypit, ju afrova Fisherit: “Je ti Ibrahim Kelmendi?”, më pyeti. M’u drejtua kështu për të dëshmuar se më njihte si koleg të të njëjtës parti, meqë unë isha i angazhuar në partinë e tij, “Të Gjelbërtit”.… “Situata është serioze. Këshilltarët më thonë se ti je pengesa kryesore që Zoti Thaçi nuk pranon të nënshkruajë marrëveshjen. Ma bëj këtë nder, dhe i thuaj zotit Thaçi të nënshkruajë”…. I zënë ngushtë, i thashë: Nuk jam unë penguesi, për më tepër nuk kam as si të jem, megjithatë po ua them dyshimin tim se kush në të vërtetë po pengon. Jo unë, as komandantët e zonave të Ushtrisë sonë, por po e pengon Shërbimi Informativ Ushtarak Francez. Këtu në Konferencë ndodhet edhe një oficer i atij Shërbimi, të cilin zotëri Thaçi e paraqet si “shok personal”. Kam drojën se Zotëri Thaçi ndikohet nga ai, ose ai ka gjetur mënyrën për të bërë presion ndaj tij. Duhet të intervenoni përmes Qeverisë Franceze, që “shoku personal” të mos bëjë presion ndaj Thaçit dhe më pas, besoj unë, edhe Thaçi do pranojë”.20
Dhe më pas Ibrahim Kelmendi vijon: “Hashimi erdhi në Aeroport të Këln/Bonit… Me Hashimin ishte Bilall Sherifi… Hashimi dhe Bilalli u ngjitën në dhomë, në hotel, për të lënë valixhet, unë po prisja te holli. Duke qenë aty m’u afrua një zotëri dhe më përshëndeti me një gjermanishte, në të cilën dallohej aksenti francez: “Mirëdita, Zotëri Kelmendi. Jam shoku i Hashim Thaçit..”. U ulëm dhe deri sa prisnim po bisedonim. E pyeta, që kur ishte shok me Hashimin dhe ku ishin takuar për herë të parë. Më tha se e kishte takuar në kursin e gjermanishtes në Cyrih, ku e kishte dërguar Shtabi i Ushtrisë së tij për të mësuar gjermanishten. Me atë rast ma zgjati kartvizitën. E pyeta paksa me nëntekst: “Nuk kishte Shtabi juaj një kurs të gjuhës gjermane në Paris, ose në Gjermani, diku më afër se sa në Cyrih? Përse pikërisht në Cyrih, ku qytetarët nuk e flasin gjermanishten standarte?” Pyetja ia thartoi ca paraqitjen e fytyrës dhe zuri të arsyetohej se në Cyrih ai kishte pasur dëshirë të mësonte gjermanishten, se ishte koinçidencë që aty e njohu dhe u shoqërua me Hashimin… Disa muaj pas Çlirimit të Kosovës, në Hotel Grand në Prishtinë, më rastisi të asistoja në një fjalosje të rreptë midis Bardhylit (Mahmudi) dhe “shokut personal” të Hashimit. Ndërhyra që Bardhyli të përmbahej. “Mos ndërhyj, ky nuk është mik, por një spiun i fëlliqur proserb…” – më foli Bardhyli” 21.
Dhe ky “shoku personal” erdhi pas Rambujesë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK!
Ardhjen e oficerave të zbulimit frances pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së është vetë Hashim Thaçi që ia ka pohuar Bernard Kushnerit, Përfaqësuesit Special të OKB në Kosovë, (shefi i UNMIK-ut), duke i thënë: “Në Shtabin tonë të Përgjithshëm erdhën disa punonjës të shërbimeve të fshehta franceze”22; ndërkohë që oficerat zbulues amerikanë u refuzuan të vinin pranë SHP të UÇK-së!
Këto të dhëna prej Ibrahim Kelmendit i përforcon edhe ish-Shefi i Shërbimit Inteligjent Frances në vitet ’90, Pjer Sirami, si dhe informatori specialist për Ballkanin i atij shërbimi, Arno Donzhou, treguar në emisionin televiziv “Zonë e ndaluar”, në “Vizion Plus”, datë 10 Tetor 2011, me temën: “Hije mbi Hashim Thaçin”, i drejtuar nga gazetari Paskal Henri, në përgjigje të pyetjes: “A ka qenë Hashim Thaçi person i shërbimeve sekrete franceze?”. Të dy zbuluesit francezë e pohuan se “ai është kontaktuar nga njeriu ynë në Kosovë për pranimin e shkuarjes në Rambuje. Deri atëherë, – theksuan ata, – Franca përkrahte Rugovën, ngaqë ishte frankofon. Gjithçka luhej në prapaskenë. Thaçi, është njeriu ynë edhe si kryeministër, ai është një këmbëz e Francës për Ballkanin, ndaj dhe e quanim një sukses lidhjen me Thaçin”23.
Për Adem Demaçin nuk ishte argument bindës pretendimi i zotit Jakup Krasniqi se UÇK-ja “po sabotohej nga qeveria Bukoshi si dhe po mbylleshin rrugët e furnizimit”, si dhe “me potencialin dhe organizimin e tashëm ushtarak, UÇK-ja nuk mundet të ngadhënjei në luftë”, argumenta që u përdorën praktikisht për të ndërprerë luftën dhe për të shkuar në Rambuje. Këto “argumenta” delegatët e UÇK-së i shprehën edhe para diplomatëve të huaj, me të mbërritur në Rambuje. Ndërkohë Adem Demaçi këmbëngulte në vendimin e tij të kthjellët, pasi, përveç fakteve optimistë që numëronte zoti Jakup Krasniqi, shihte se në radhët e UÇK-së kishte mbi 400 vajza luftëtare. “Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme”, thotë Sami Frashëri. Duke patur parasysh Kosovën patriarkale, ky fakt vlen të nënvizohet sepse është shprehja më e plotë që tregon se masivisht populli ishte me trimat, me rrugën e luftës që ata kishin zgjedhur, dhe për pasojë, zemërimi për shtypjen dhe urrejtja e tij ndaj armikut kish gjetur rrugëdaljen e drejtë, por priste që dikush t’i thoshte: Merr armën dhe dil!
Bazuar në këto fakte, Adem Demaçi e ndjente se delegatët e UÇK-së jo vetëm që e braktisën ëndërrën e UÇK-së, por ishin ata që çonin në Paris “fermanin”, edhe pse ajo ishte faktori kryesor për ndërtimin e Kosovës së re, por që me atë ferman ata do të sillnin çarmatosjen pa kushte të saj. Këtë e kuptoi shumë shpejt edhe Veton Surroi ndaj dhe shpejtonte dhe bënte çmos të nënshkruhej sa më shpejt Marrëveshja, duke u shprehur: “dorëzimi i armëve është njëri prej më simbolikave për konstatimin, se UÇK-ja nuk ka qenë çlirimtare.”24
Është me interes të analizohet, me aq sa kemi mundësi, edhe ky fakt: këto parakushte të projekt-marrëveshjes ishin refuzuar disa ditë më herët edhe prej vetë Shtabit të Përgjithshëm, përmes zëdhënësit të tij politik, z.Jakup Krasniqi, para se ai shtab të deklaronte të kundërtën 25.
Kur Jakup Krasniqi, me deklaratën e 3 Shkurtit 1999 komunikoi vendimin se antarët e Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe të Shtabit të Pergjithshëm do të shkonin në Rambuje 26, deklaratë e cila binte ndesh me atë të 30 Janarit 1999, ai u shndërrua nga sulltan në skllav.
Delegatët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në këtë rrugë, duke vendosur me veton e tyre pjesëmarrjen, pa u konsultuar aspak me Demaçin, të cilin e kishin zgjedhur vetë në krye të politikës së luftës dhe të UÇK-së! Konsultimi i Dr.P me Demaçin ishte i detyrueshëm, detyrim, i cili buronte nga marrëveshja e tyre me Demaçin në 13 Gusht 1998. Madje, të paktën, dy anëtarët e asaj drejtorie politike, Xh. Haliti dhe A. Syla, të cilët e thirrën dhe i propozuan atë funksion Demaçit në emër të Dr.P, ishin të detyruar të kontaktonin me të dhe ta sqaronin pse ata po e shkarkonin de fakto nga ajo detyrë që ia patën propozuar vetë; por, për fat të keq, deri sot ata nuk e kanë marrë mundimin të japin qoftë edhe një spjegim sado formal, apo t’i kërkojnë falje! Për këto arsye e themi me bindje se ai vendim i Drejtorisë Politike s’ishte gjë tjetër, veçse për t’u vetëlidhur me zinxhirët e Serbisë dhe të aleatëve të saj.
Adem Demaçi, nga këto zhvillime thuajse krejtësisht të papritura, bluante në mendje të njëjtat dyshime që ka në kokë një luan i tmerruar, kur gjendet mes një mizërie njerëzish, që e rrethojnë dinakërisht, ndaj dhe do t’i jenë shtruar përpara një varg pyetjesh pa përgjigje, por mbi të gjitha: Mos vallë çështja e luftës u tradhëtua?
Deri në ato momente, fundi i Janarit 1999, kishin dështuar të gjitha përpjekjet e diplomacisë së huaj për ndërprerjen e luftës çlirimtare nga ana e UÇK-së. Me propozimin urgjent për çeljen e një konference në Paris dhe pranimi i beftë i saj prej Dr.P, u hap një hendek midis asaj dhe Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, por edhe një perspektivë e zymtë për UÇK-në.
Kthesa e papritur që morën antarët e Dr.P dhe SHP në ato katër ditë, (fundi i Janarit dhe fillimi i Shkurtit 1999), nuk është krejtësisht e papritur. Ajo e ka bazën që në marrjen e vendimit e atyre pak përfaqesuesve të UÇK-së, pa autorizimet përkatëse e pa miratim sa më të gjerë prej atyre që po bënin luftën, që ata të shkonin në atë Konferencë.
Duke e shtruar kështu problemin, kjo nuk do të thotë se Adem Demaçi ishte kundër çdo lloj tryeze bisedimesh, për të arritur në përfundimin që Rambujenë ta quajmë apo ta vleresojmë si një “aksident të rëndë” në rrugën e Kosovës për liri e pavarësi. Kur Demaçi është pyetur për këtë problem nga gazetari Shkëlzen Gashi, në vitin 2004, ai është shprehur: “Të gjithë draftet e Hillit ne i kemi pranuar, duke përjashtuar sovranitetin dhe integritetin e Jugosllavisë. Kjo ka qenë pika në të cilën ne kemi insistuar dhe nga e cila nuk kemi hequr dorë kurrë”27.
Mbi këtë bazë gjykojmë që për një varg interesash komplekse, kryesisht të huaja, grupi i delegatëve shqiptarë në Konferencë ka qenë nën presion, e në mënyrë të vaçantë përfaqësuesit e njohur e të vetëzgjedhur të UÇK-së.
Nga ana tjetër, ata u gjendën në këtë Konferencë pa përvojën e duhur politike që të angazhohen në bisedime të vështira ndërkombëtare, ku diskutohej e ardhmja e Kosovës, ku “luftohet” edhe për një fjalë e për një rrjesht në dokumentat që nënshkruhen. Ata nuk kishin as njohuritë fillestare se si vepron “diplomacia”, të cilën po e quajmë në këtë rast – pse jo! – diplomaci e “rrahjes së shpatullave”, e “buzëqeshjeve lajkatuese”, për të mos folur për premtime ndaj të cilave janë joshur, (si p.sh. ai i referendumit), fatkeqësisht të pushtuar nga etja për pushtet. Ja, në këtë terren gjeti kushte dhe u mboll ajo farë që zhbëri faktikisht UÇK-në.
Ky vendim i befasishëm i Shtabit të Përgjithshëm, shpallur përmes Jakup Krasniqit, kishte si rrjedhojë logjike mosnjohjen më tej të Adem Demaçit si Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, duke na detyruar të mendojmë se jemi në konturet e një puçi të mirëfilltë ushtarak, pasi SHP i UÇK-së, me të tilla hapa që u hodhën për shkuarjen në Rambuje, vihej mbi politikën, dhe kjo ndodhte në udhëheqjen më të lartë të UÇK-së! “Puçi nuk është një sulm nga jashtë. Puçi është një fenomen i kohës së luftës që bëhet nga një pjesë e trupës së forcave të armatosura nën udhëheqjen e lidershipit të vet”28.
Për Adem Demaçin, ai vendim i Drejtorisë Politike dhe i SHP, e thënë më ashpër: a cope, tregonte “gatishmëri për ta pranuar sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ”29; dhe, për pasojë, nënkuptonte shndërrimin e UÇK-së në një qengj i bërë kurban dhe që më pas ajo ushtri nuk do t’i shërbente popullit që e lindi, që e mbështeti dhe që e mbajti në këmbë, pasi nuk zgjidhi asgjë nga synimi kryesor që e kish deklaruar publikisht më herët. Si rrjedhojë, ajo ushtri nuk duhej të ekzistonte më pas mbarimit të luftës, ndaj dhe nuk ia përmendën as emërin në atë Marrëveshje, ashtu edhe në Rezolutën 1244; të paktën delegatët e UÇK-së të insistonin që t’i shkruhej emëri UÇK në atë marrëveshje, por as atë nuk mundën. Ja se ç’do të thotë të nënshtrohesh e të nënshkruash pa kushte. Dhe kjo nuk u bë pa qëllim nga ndërkombëtarët: UÇK-së nuk duhej t’i jepej mundësia të merrte pushtetin në Kosovë, as edhe mundësia të ekzistonte qoftë edhe si një ushtri e çarmatosur (si TMK-ja) 30.
Për ta vënë në jetë këtë vendim të parashikuar qysh në projekt-marrëveshjen e Rambujesë, pra “vdekjen klinike” të UÇK-së, menjëherë pas nënshkrimit të asaj Marrëveshjeje, së bashku me delegacionin e UÇK-së, u nis nga Parisi dhe erdhi në Kosovë edhe njeriu i posaçëm, që do ta zbatonte pikë për pikë atë vendim fatal, Agim Çeku. Dhe ai e nisi misionin e tij qysh në pamfletin e KFOR-it, të emërtuar “Ndërmarrja e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së”, i shpërndarë nga ajri dhe toka nëpër të gjitha qendrat e banuara të Kosovës, gjatë muajve Korrik e Gusht 1999. Në pikën nr.2 të atij pamfleti-trakt shkruhet: “Sipas kësaj ndërmarrjeje duhet që të gjithë ata që s’janë nga Kosova të largohen: e sidomos duhet të largohen këshilltarët, luftëtarët e lirisë, ekspertët, vullnetarët dhe antarët e tjerë të ardhur nga vendet fqinjë”. Ndërsa në pikën nr.3 të saj thuhet: “Demilitarizimin dhe integrimin e UÇK-së në jetën e përditshme të Kosovës e ka nënshkruar dhe verifikuar komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, dhe është aprovuar nga komandanti i KFOR-it”.
Këto dy pika, edhe pse u hoqën nga Marrëveshja gjat bisedimeve në malet e Berishës, (Katundi i Ri), midis UÇK-së dhe Komandantit të KFOR-it, Gjeneralit Xhekson, (në datat 18-20 Qershor 1999), përsëri del se janë pranuar nga zotërinjtë Thaçi e Çeku, pas shpinës së SHP, kur shkuan me helikopter në Prishtinë për ta nënshkruar atë, në pasditen e datës 21 Qershor!
Një kopje të protokollit të këtyre bisedimeve dhe të marrëveshjes që u pranua në ato bisedime nga të dy palët, i posedon autori i këtij libri, i cili ishte edhe personi që mbajti atë protokoll. Dhe, çuditërisht, edhe pse në atë pamflet-trakt thuhej se “të gjithë ata luftëtarë që s’janë nga Kosova të largohen”, pasi u larguan të gjithë luftëtarët vullnetarë jo banorë të Kosovës, në radhët e TMK-së u pranuan oficerë nga shteti amë, edhe pse nuk kishin marrë pjesë në luftë! Dhe sot ata marrin pension me mbi 300 Euro në muaj, ndërsa ndaj ish-luftëtarëve vijohet të mbahet qëndrim armiqësor nga të gjitha institucionet e Kosovës. Për ta bërë edhe më bindës këtë diskreditim që u bëhet atyre që ikën nga liria dhe shkuan të jepnin edhe jetën për Kosovën, boll të krahasohet madhësia e pensionit që parashikohet prej Parlamentit të Kosovës për veteranët e luftës, i cili është 120 Euro, tre herë më pak se i atyre që nuk guxuan të rrëmbenin armërt dhe të rreshtoheshin në radhët e formacioneve të UÇK-së apo që e anatemuan këtë të fundit ose që u mjaftuan me veshjn e uniformës së saj duke u kapardisur në Shqipëri, dhe pas lufte u rreshtuan në radhët e TMK-së. Kush nuk e sheh këtë diskriminim në trajtimin e ish-luftëtarëve, të propozuar nga PDK-ja, (e cila pretendon se ka dalë nga radhët e UÇK-së, ku gjatë këtyre 15 viteve i ka braktisur totalisht këta luftëtarë), ose është qorr ose është injorant. Gjeneral Agim Çeku kaloi në politikë dhe u bë ministër i qeverisë së PDK-së pasi largoi nga radhët e TMK-së e të FSK-së edhe ish-luftëtarin e fundit të UÇK-së.
Për marrjen përsipër nga Çeku të atyre detyrave, i dërguari Special i OKB, të nesërmen e çarmatosjes së plotë të UÇK-së e shpërbleu atë me gradën e Gjeneralit, edhe pse TMK-ja nuk ishte asnjë lloj ushtrie, por thjeshtë një lloj shërbimi komunal me uniformë, e cila shprehet qartë në marrëveshjen midis zotërinjve Hashim Thaçi e Agim Çeku me KFOR-in, më 18 Shtator 1999, si dhe në regulloren e UNMIK-ut: “Trupat Mbrojtëse të Kosovës themelohen si agjensi civile e shërbimit emërgjent, detyra e të cilave do të jetë: (a).Të sigurojnë shërbime në raste të fatkeqësive natyrore; (b). Të bëjnë kërkimin dhe shpëtimin e të rrezikuarve; (c). Të ofrojnë mundësitë e veta për ndihma humanitare në zonat e izoluara; (d). Të ndihmojnë për çminimin e zonave të minuara; dhe (e). Të kontribojnë në rindërtimin e infrastrukturës dhe të komuniteteve”.31
VIJON…
______________
1) Blerim Shala, “Lufta diplomatike për Kosovën”, Zëri, Prishtinë 2003, f. 98
2) “Dokumentet Britanike për Çështjen Shqiptare 1912-1913”, Tiranë, 2012, f. 80, marrë nga dorëshkrimet e Eduard Grey-it, vëll. 14.
3) Bedri Islami “Lëvizja-lindje e përgjakur”, Tetovë 2012, f. 445-446 dhe 478-480
4) Pr.Dr Paskal Milo “Ditari i një ministri të jashtëm”, Tiranë, 2009, f. 180
5) B. Shala “Vitet e Kosovës”, f. 281
6) George Friedman “America’s Secret Wars”, USA, 2007, f. 16
7) George Friedman, Po aty, f. 52
8) Massimo D’Alema, “Kosova, Italianët dhe lufta”, Tiranë, 2004, f. 20
9) Xhemail Mustafa “Një lutje për Prishtinën”, Prishtinë, 2000, f. 200-201
10) Madeleine Albright, “Zonja sekretare”, Dudaj, Tiranë, 2003, f. 464
11) Po aty, f.449
12) Pr.Dr John G. Stoessinger “Pse kombet shkojnë në luftë”, Tiranë 2009, f. 154
13) Fehmi Baftiu: “Kosova krizë ndërkombëtare”, Prishtine, 2004, f.320
14) Madelein Olbright: “Zonja sekretare”, f. 446
15) Noam Chomsky “Failed States”, Pinguin Books, London, England, 2006, f.95
16) Shih www.radiokosovaelire.com, datë 5 Maj 2014
17) Adem Demaçi: “Liria dhe joliria”, Prishtinë, Tetor 2002, f. 38
18) Servet Tartari “Labëria në kuvende”, Tiranë 2014, f. 74-75
19) Bedri Islami: “Lëvizja-lindje e përgjakur”, Tetovë 2012, f.245-246 dhe 464-465
20) Bedri Islami”Lëvizja”, f.464-465).
21) B. Islami “Lëvizja-lindje e përgjakur”, f. 466-468
22) Bernard Kushner: “Luftëtarët e paqes”, Mësonjëtoria”, 2004, f.119
23) TV “Vizion Plus”,emisioni “Zonë e ndaluar”, 10 Tetor 2011
24) Veton Surroi “Këmbët e gjarpërit”, Prishtinë, Qershor 2014, f. 79
25) Shih Deklaratën e z. Jakup Krasniqi, në cilësinë e zëdhënësit dhe përfaqësuesit politik i UÇK-së, dhënë Radios Kosova e Lirë, datë 30 Janar 1999. (Arkivi i RKL, vëll.1, f.135-136)
26) Shih Arkivi RKL, v.1, f.164
27) Shkëlzen Gashi: “Marrëveshja për paqe të përkohëshme”, f. 18
28) Edward Luttwak “Coup d’Etat”,USA, N.Y., October 1969, f. 10
29) Arkivi i RKL, v.1, f.158
30) TMK: në origjinalin anglisht thuhet: Kosovo Protect Corps, (dhe jo Defence Corps), por qëllimisht është përkthyer “Trupat Mbrojtëse të Kosovës”, që populli të mos dyshonte se UÇK-ja ishte eleminuarr totalisht.
31) Shpëtim Golemi:“Romantika e luftës së UÇK” Tiranë-Prishtinë, 2012, f. 168-169.