DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK’së, 12 DHJETOR 1998 (Pjesa 5)

Pashtriku.org, 16. 03. 2016: »Unë do të diskutoj më gjatë, i përgatitur me shkrim, për shkak të një momenti kritik dhe për shkak të rendit të ditës, pra të një vendimi i ndërvarur me ca dukuri të tjera, vendimit për tjetërsim të Fondit “Vendlindja thërret”. Është kohë e përgjegjësive dhe e vendimeve të mëdha. Dhe mirë që ka ardhur kjo kohë. Për këtë kohë është punuar shumë, është sakrifikuar shumë. Deri tek kjo kohë nuk kemi ardhur në mënyrë drejtvizore. Siç është e rëndomtë, nuk kemi kontribuar të gjithë njësoj, por gati të gjithë kemi kontribuar si kemi ditur dhe sa kemi mundur. Jo të gjithë kemi vepruar në mënyrë konstruktive, kush pse nuk ka ditur e kush pse e ka pasur me hile.
(…)
Gjithsesi, nuk kemi pse të heshtim, aq më keq, edhe ta fshehim, të paktën jo këtu, qoftë edhe për shkak të modestisë, apo për ndonjë arsye a pseudo arsye tjetër, se kontributin më të madh për të ardhur deri këtu e ka dhënë Lëvizja Popullore e Kosovës. Prandaj, pikërisht për këtë, kërkohet përgjegjësi edhe më e madhe, njëherësh edhe angazhime konstruktive, po nga anëtarët e Lëvizjes. Në këtë moment unë Lëvizjen nuk e mendoj të ngushtuar, vetëm të anëtarëve të tanishëm statutor. Lëvizje janë edhe organizatat e grupimet pararendëse, të viteve 50-ta, 60-ta e të viteve 70-ta. Pse mendoj kështu? Sepse, sukseset, por edhe dështimet e Organizatave dhe grupimeve pararendëse, kanë nxjerrë organizatat e grupimet pasuese, për të ardhur deri tek Lëvizja jonë.

Ibrahim Kelmendi dhe “katërshja”: Kadri Veseli, Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi

(…)
I thashë këto për të rikujtuar se Lëvizja jonë është shumë më e gjerë e shumë më e shtrirë, në kuptimin pozitiv, por herë here, edhe në kuptimin negativ, se sa ka ajo tani anëtarë të rregullt, në kuptimin statutor; por edhe të parregullt, shumë herë jo për fajin e tyre, sidomos kur është fjala për anëtarët në Kosovë. Kjo ka ndodhur si rrjedhojë e pamundësive, e paaftësive dhe e defekteve të ndryshme organizative, në përgjithësi, por edhe të strukturave të saj udhëheqëse, në veçanti, pa harruar këtu edhe luftimet nga pushtuesit, që është dashur t’i përballojmë. Të gjitha këto Lëvizjes i kanë ndodhur për shumë arsye, por më së paku për arsye përmbajtjesore ideologjike e politike, pasi, pavarësisht mënyrës së bashkimit të organizatave e grupimeve, Lëvizja ka qenë gjithnjë dhe gjithherë e hapur, shumë e hapur, me një fjalë vetëm lëvizje kombëtare, gjithsesi demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ka pasur defekte e keqkuptime, por ato nuk kanë mundur të ndryshojnë karakterin përmbajtjesor.
(…)
Dikujt edhe mund t’i duken të parëndësishme dhe të pavend këto që thashë, por unë mendoj se janë me vend, sidomos në momentet kur ka individë dhe struktura, edhe brenda Lëvizjes, që po mendojnë e po sillen, sikur Lëvizja e ka përfunduar rolin e vet, se ajo duhet t’i takojë historisë. Edhe më të ashpra janë mendimet e vlerësimet e individëve apo të strukturave pranë Lëvizjes, të cilët dhe të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë qenë në Lëvizje, ose kanë qenë të lidhura me Lëvizjen. Të tillëve, grupit të parë e të dytë, Lëvizja dhe anëtarët e saj, tani mund t’u duken dhe t’u duhen njëanshmërisht, e shumta, vetëm si servis financiar e kadrovik. Tani do të mundohem të konkretizohem për çështjen që është thirrur mbledhja. Shkresën që po shqyrtojmë sot, e shqyrtuam paraprakisht në mbledhjen e Kryesisë. Vetëm se shkëmbyen mendime, përplot shqetësime nervoze, do të thosha, së paku nga ana ime. Vendim nuk morëm, pasi letra, që i ngjan më shumë një urdhri, i ishte drejtuar njëherësh Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm. E kam thënë atëherë, po e them edhe tani, një vendim të tillë, kështu si është marrë, në formë e në përmbajtje, nuk e miratoj. Fillimisht arsyetimi sa i përket anës formale. Me cilën të drejtë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i një subjekti ushtarak, të them në këtë rast, krejt sovran, merr vendim të kësaj përmbajtje ndaj një Fondacioni që e ka themeluar një subjekt tjetër, gjithashtu krejt i mëvetësishëm – Lëvizja Popullore e Kosovës?
Ta zëmë se këto relacione janë kështu. Atëherë kjo do të ndodhte vetëm po qe se Shtabi i Përgjithshëm do të kishte shpallur pushtetin ushtarak. Thënë të drejtën, aktualisht edhe unë, do të kisha dëshiruar që UÇK-ja të ishte në gjendje ta bënte këtë, po të mos e bënte pa i provuar të gjitha mundësitë politike e civile. Protagonistët e letrës dhe të vendimit ende të pakomunikuar, argumentojnë se Fondi “Vendlindja thërret” është fond i UÇK-së, prandaj vetëm Shtabi i Përgjithshëm, pas të cilët fshihen këta protagonistë, ka të drejtën sovrane të vendosë për të. Atyre nuk u intereson se kush, kur e për çka e ka themeluar dhe se vetë ata, në ato përgjegjësi, janë dërguar nga Lëvizja ose janë vetemëruar si të Lëvizjes. Në mbledhjen e Kryesisë, nga Bardhyli (Mahmuti – sh.b) u informuam se drejtor i Drejtorisë Financiare të UÇK-së është “emëruar” Azem Syla, anëtar i këtij organi. Për ata që mund të kenë harruar, këtij Organi i thonë Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Edhe protagonistët që e kanë iniciuar këtë vendim, për të mos thënë se e kanë marrë në mënyrë vetjake, janë gjithashtu anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e ndonjëri edhe anëtar i këtij organi. Ky emër, i Azem Sylës, më ka provokuar emocionet e shqetësimet në mbledhjen e Kryesisë, por jo në ato përmasa që m’i provokoi vetë vendimi apo letra. E them këtë, për të mos kujtuar e menduar ndokush se janë në pyetje vetëm inatet personale, dhe jo përmbajtja e letrës, gjegjësisht vendimi. Sa për dëshmi, po sjell një sqarim të përmbledhur.
Tre apo katër ditë para se të merrnim me shkrim këtë letër apo vendim, gojarisht e pata marrë vesh nga Bardhyli, në Tiranë, në praninë edhe të Ramiz Lladrovcit, Bilall Sherifit dhe Halil Selimit, se një vendim i tillë do të merrej. Ishte një takim i shkurtër, ku mendohej të jepej incizimi i pjesës përkatëse të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, pasi përmbajtja e vendimit me shkrim, hartuar nga Kryetari, Bedri Islami, ishte polemizuar, jo se nuk ishte i saktë, por sepse ishte halli diku tjetër. Ai polemizim ishte rrjedhojë e njerëzve të zgjedhur, të padëshirueshëm për Azem Sylën. Sikur Këshilli i Përgjithshëm të kishte pyetur përpara Azem Sylën se, cilin e preferon ai në atë detyrë dhe të zgjidhej sipas preferencës së tij, atëherë nuk do të na kishin ndodhur, as mosaprovimi i të zgjedhurve, as spekulimet rreth atij vendimi me shkrim, dhe as marrja e një vendimi tjetër, që mendohet të na imponohet.
(…)
As që më shkonte ndër mend se Azem Syla mund të ishte ose do të mund të bëhej drejtor i Drejtorisë Financiare, pasi e dija se ai ishte drejtor i Drejtorisë së Logjistikës. Nuk është e tepërt të shtrohet pyetja:
Përse na janë krijuar këto raporte ndërnjerëzore?
Paksa e ngatërruar për t’u përgjigjur. Gjithsesi nuk janë fërkime të natyrës personale. Tashmë është bërë e qartë se unë kundërshtoj dhe kontestoj kryesisht veprimtarinë dhe sjelljet e katër personave. Këta janë Xhavit Haliti “Zeka”, Azem Syla, “Daja i vogël”, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që të gjithë anëtarë të Lëvizjes. Dy të parët, Xhaviti dhe Azemi, janë anëtarë të këtij Këshilli të Përgjithshëm, kurse dy të tjerët, Hashimi e Kadriu, thonë se janë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, në Kosovë, por që ende nuk e kanë dëshmuar me ndonjë provë konkrete. Kjo katërshe, fatkeqësisht, i është imponuar ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “drejtuese” e “komanduese” autokratike, si “Shtab i Përgjithshëm” i saj. Tani, kjo katërshe, po ndjehet e penguar në formën e drejtimit e të komandimit nga ana e Lëvizjes, gjegjësisht organeve të saj drejtuese, Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së saj. Meqenëse iu dështuan spekulimet për të zgjedhur në organet drejtuese të preferuarit e tyre, ata duan që Lëvizjen ta shndërrojnë në një servis financiar e kadrovik, ose ta mënjanojnë fare.
(…)
Mirë do të ishte sikur këto vlerësime e parashikime të miat të mos ishin të vërteta. Fatmirësisht, kam të drejtë të mendoj, bile edhe të them atë që mendoj. Ky është shqetësimi im kryesor, prandaj nuk dua ta pranoj, as formën dhe as përmbajtjen e këtij vendimi. E di se Lëvizja Popullore e Kosovës e ka themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht se po bëhen përpjekje për ta mjegulluar mënyrën, datën e vendin e themelimit. Mendoj se kjo po ndodh më shumë si rrjedhojë, se kujt, cilit individ, duhet t’i takojë të zërë vendin në histori si themelues i UÇK-së. Mua, nuk do të më prishte fare punë që të ishin dhe të thuhej se kjo katërshe e ka themeluar, pasi edhe kjo katërshe ishin dhe janë anëtarë të Lëvizjes. Me rëndësi është se dihet se kush e ka themeluar. Gjithashtu e di se, të paktën Xhaviti, Azemi, Abazi, tashmë i mënjanuar dhe Jashari, tashmë i anashkaluar, janë emëruar anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm nga Lëvizja, gjegjësisht nga ky Organ i saj, duke e fshehur emrin për shkaqe sigurie si Sektor i Rëndësisë së veçantë.
(…)
Shqetësimi duhet të ketë qenë, ta zëmë, kërkesa e heroit Fehmi Lladrovci (Lavdi pastë!), për t’i dërguar ndihmë financiare disa “djemve të Drenicës”, qysh në vitin 1994. Ai, në kryesinë e KP të Nëndegës së Gjermanisë, kërkoi një ndihmë modeste prej 1.000./DM për ta. Jo më shumë. E arsyetoi kërkesën e tij se, “djemtë në Drenicë”, nuk po ndihmoheshin nga asnjë fond i yni dhe se e kishin gjendjen shumë të rëndë. Më vonë mësova se ata, “djemtë e Drenicës”, ishin Heroi Adem Jashari me shokë. Për këtë mund të konsultohet procesverbali i atëhershëm. Kërkesa u miratua. Nuk e di se cilit nga anëtarët “e katërshes” nuk i ka pëlqyer ai vendim. Fehmiu, herë pas here, është ankuar edhe në mbledhjet e KP, dhe tek anëtarët e Kryesisë. Nuk ka gjetur mirëkuptim.
(…)
E kam thënë edhe në një rast tjetër, por kur gjërat për arsye të ndryshme nuk kuptohen, duhet të përsëriten: Në mars ose në prillin e vitit të kaluar (1997 – sh.b), Kryesia e atëhershme e KP, më thirri të jepja llogari për dërgimin e të hollave disa njësiteve të UÇK-së, në disa rrethe të saj. U akuzova për decentralizim. Kjo akuzë u fshi, meqë në pyetjen time, a janë fajtorë ata që po i kërkojnë, a janë fajtorë ata të Shtabit të Përgjithshëm që nuk po u dërgojnë, apo ne (unë dhe shokët e tjerë) që po ua plotësojmë kërkesat. Xhaviti (Zeka) pranoi se ishin shkëputur lidhjet, por ndërkohë ishin vendosur përsëri. Prandaj, unë duhej të ndërprisja dërgimin. Pranova, por me një kusht, që nga brenda të mos na kërkonin më. Nëse nuk do të na kërkonin, kjo do të thoshte se ishin rregulluar vërtet lidhjet dhe një provë se kishte filluar financimi i centralizuar në mënyrë të rregullt. Zotimi i Xhavitit nuk doli i vërtetë. Ndërkohë shtabi i Llapit dërgoi vendimin me shkrim, se duhej t’i dërgoheshin 4 mijë DM në muaj. Pra, shtrohej pyetja për ndihmesën e UÇK-së në Llap, në Prishtinë, në Dukagjin dhe në një hapësirë të caktuar të Drenicës, dhe këto, ishin thuajse të gjitha radhët e atëhershme të UÇK-së. Kjo mënyrë vazhdoi deri në mars të këtij viti, kur ndodhi Epopeja e Prekazit. Nuk do të ishte pavend pyetja:
– cilit shtab rajonal, ose më thjeshtë, cilave njësi të UÇK-së në rrethe, iu kanë dërguar furnizim në logjistikë ose në të holla, kjo katërshe, që në fakt ishte vetë Shtabi i Përgjithshëm?
Të këtij planeti jemi edhe ne, prandaj nuk duhet spekuluar me ndonjë dezinformatë, ta zëmë se, janë furnizuar e ndihmuar radhë të tjera të UÇK-së, jashtë zonave që përmenda, atje ku nuk kishte, pasi as aksione nuk ndodhnin. Ndodhi Epopeja e Prekazit! Shpërtheu populli i Drenicës dhe i Dukagjinit, u shkund nga shpërfytyrimi rugovian. Gufoi vetorganizimi i hovshëm i UÇK-së, me karakteristikat e theksuara të kryengritjes popullore, por, fillimisht, e përkufizuar në ato rrethina ku kishte pasur më parë struktura e aksione të UÇK-së. Ato ngjarje më gjetën në Tiranë. Andej pari i shihja anëtarët e katërshes, sidomos Xhavitin dhe Azemin, ndonjëherë edhe Hashimin e Kadriun. Nuk kishe se si të bindeshe për funksionalitetin e Shtabit të Përgjithshëm, sidomos në terren. Edhe në Shqipëri, hutim e kaos tek ushtarët e UÇK-së. Erdhi në Tiranë Kryesia e atëhershme e KP, për të marrë në dorë drejtimin e situatës. Improvizuan një si shtab. Por shumë shpejt degradoi, pasi Xhaviti dhe Azemi as që donin t’ia dinin se ishin edhe anëtarë të asaj Kryesie, e cila kishte kohë që e kishte humbur funksionalitetin, e cila, në fakt, i kishte emëruar të dy ata, në këtë detyrë, si anëtarë të Sektorit të rëndësisë se veçantë, rrjedhimisht të Shtabit, bile Xhavitin si Kryesues të Sektorit. Kaos organizativ në Kosovë, kaos në Shqipëri, kaos në emigracion. Katërshja, d.m.th. bërthama e Shtabit të Përgjithshëm, as nuk ishte në gjendje të komandonte, ose, të paktën të drejtonte, apo të kërkonte ndihmë. Ajo ishte zënë e befasuar dhe, njësoj si Kryesia, po improvizonin shtab të përgjithshëm.
(…)
Të dëgjosh se Heroit Fehmi Lladrovci, që kur ka hyrë në Kosovë, në mars (1998), e deri kur ka rënë heroikisht, në shtator, nga mekanizmat e shtabit i janë dhënë vetëm një mijë DM, e përsëris, një mijë DM, për shpenzimet e të gjithë njësisë që komandonte, siç u mor vesh, Brigada 114, është më tepër se skandaloze, për të mos thënë siç e ndjej, se është armiqësore. Të dëgjosh të ankohet njëri ndër komandantët e Shalës, Mensur Kasumi, se që kur është zgjedhur komandant, nuk i ka shkuar asnjë urdhër, asnjë udhëzim, asnjë ndihmë financiare, kjo nuk ka se si të mos shqetësojë. Gjithandej ankohen, kërkojnë armë, municion, kërkojnë të holla për nevoja elementare, teknikë komunikacioni, rroba. Përse ndodh kjo? Sepse ata nuk kanë lidhje me Shtabin e Përgjithshëm, me katërshen, dhe, as Shtabi i Përgjithshëm dhe as katërshja, nuk mban lidhje me ata. Me ndihmën që dha Kryesia e tanishme, u bë bashkimi i “pikave” furnizuese. Ata u vunë nën komandën e Drejtorisë së Logjistikës, drejtor i së cilës u “emërua” Azemi. Vërtet duhej emëruar ai njeri, i cili kishte kontribuar më së shumti në përçarje e ndasi? Unë vazhdoj të dyshoj në funksionimin e mirëfilltë dhe me përbërjen e kompletuar të Shtabit të Përgjithshëm. Bile, as bërthama e këtij shtabi, katërshja, nuk e ka funksionalitetin, siç mund të mendohet. Kjo shihet nga vendqëndrimi i tyre, nga përmbajtja e komunikatave dhe e deklaratave politike. Ta zëmë, Xhaviti nuk shkon asnjëherë në Kosovë, Azemi bëhet sikur shkon, ose shkon shumë rrallë, Hashimi e Kadriu shkojnë më shpesh, por edhe atje lëvizin ndaras, për të kryer detyrat e terrenit. Të gjithë merren me gjëra që nuk i takojnë të merren anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm. Përmasat që ka marrë UÇK-ja kërkojnë një Shtab të Përgjithshëm që komandon UÇK-në në mënyrë kabinetike, ashtu siç vetëkuptohet Shtabi i Përgjithshëm. Dhe ai Shtab duhej të ishte sa më pranë fronteve, por në vend të sigurt. Pra, kur dimë se pjesëtarë të katërshes gjenden në Kosovë, në Shqipëri dhe herë here edhe në Evropë, nuk ke ku e gjen kohën, qoftë edhe për mbledhje të rralla të Shtabit.
(…)
Unë vazhdoj të dyshoj tek përdorimi i mirë i mjeteve që u janë dorëzuar atyre. Me të hollat që i kemi dorëzuar “shtabit” të “pikës” logjistike furnizuese në Hoxhaj të Tropojës, janë blerë në Shqipëri, thuajse tri herë më shumë armë se sa ka blerë ky grup, bashkë me “pikat” që ka ngritur e komandon Azemi. Me mjetet financiare që kemi dërguar në Bosnje e Kroaci janë blerë thuajse të gjitha armët e sofistikuara që në Kosovë kanë hyrë nga jashtë. Me mjetet që kemi dhënë për uniforma, mjetet elektronike, emblema, etj., kapin tre të katërtat e volumit të përgjithshëm të logjistikës që ka mundur të blejë ky grup i katërshes, së bashku me shokët e Këshillit Qendror të Fondit në Zvicër. Më kuptoni, me këtë katërshe kam pasur raporte të mira shoqërore, i respektoja dhe i admiroja paksa më theksueshëm se të tjerët, edhe më donin e më respektonin. Nuk kam pasur asnjë arsye private të krijoj këtë mendim kritikues kundrejt tyre.
(…)
Është e kuptueshme, më shumë i dua Kosovën, UÇK-në dhe LPK-në, se sa të katërtit bashkë e cilindo qoftë tjetër. Unë mendoj se veprimtaria e tyre, sjelljet e tyre, e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë UÇK-në, gjithsesi edhe LPK-në. Prandaj do t’i lusja si vëllezër, që të reflektojnë.
(…)
Edhe dy arsye, pse nuk do ta pranoja një vendim të tillë, të njëanshëm: E para, sepse nuk besoj se Azem Syla do të shpërndante financat drejtësisht, sipas nevojave ushtarake. Për këtë, besoj se solla argumente të mjaftueshëm, për ata që duan të marrin vesh. Në këtë gjendje, atij nuk do duhej t’i besohej as kuleta familjare. E dyta; një komunikim publik i Vendimit, si është paralajmëruar, do të sjellë ndalimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ndokujt mbase mund t’i jetë mbushur mendja se shtetet ku grumbullohen ndihmat në Fond, nuk mund ta ndalojnë aq rreptësisht veprimtarinë e tij. Mashtrohen.
(…)
Mund që keqkuptohem si sektar, si fanatik i Lëvizjes, se jam kundër përfshirjes së subjekteve të tjera në Këshillin Qendror të Fondit, se jam që UÇK-ja të jetë monopol i Lëvizjes, nëse mund të shprehem kështu. Përkundrazi, jo pak herë e kam theksuar se, do të duhet të gjejmë personalitete të subjekteve të tjera, t’i bëjmë anëtarë të Fondit, t’i vendosim në drejtim ku e meritojnë. Për bazë ne kemi një kriter të vetëm, përcaktimin patriotik, pranimin e UÇK-së si Ushtri e vetme e Kosovës. (…)«
(Ilustrimi është i pashtriku.org)
__________________
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Kapitulli IX. Dy mendime të ndryshme”, faqe 323 – 331)

=============================================

Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 1)
IBRAHIM KELMENDI: “FEHMI LLADROVCI PARASHIKONTE FILLIMIN E LUFTËS” & BEDRI ISLAMI: “NUK E KAM KUPTUAR KU QËNDRON KOMPLOTI I XHAVIT HALITIT”
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5109
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 2)
BEDRI ISLAMI: KRYESIA E LPK’së NDËRTOI SEKTORIN E RËNDËSISË SË VEҪANTË & IBRAHIM KELMENDI: XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA NUK U DËRGONIN FINANCA ZONËS SË DRENICËS, DUKAGJINIT DHE TË LLAPIT!
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5112

***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 3)
BEDRI ISLAMI: ILIR KONUSHEVCI DHE ARDIAN KRASNIQI SË BASHKU ME TË TJERË, I VUNË THEMELET UҪK’së. IBRAHIM KELMENDI: ILIRI KISHTE GOXHA ANKIME KUNDËR XHAVIT HALITIT DHE AZEM SYLËS! (FOTO ARKIVORE/
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5115
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin: (Pjesa 4)
DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK’së, 23 MAJ 1998
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5119

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura