KSENOFON KRISAFI: MOIKOMI DHE HISTORIA

Tiranë, 8 shkurt 2019: Në 5 Tetor të vitit 2004, në qytetin tim të lindjes, Gjirokastër, zhvilloheshin veprimtaritë përmbyllëse të festivalit folklorik kombëtar.
Ai kishte nisur më 29 shtator, me pjesëmarrjen e grupeve folklorike nga gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Çamërisë, arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë, shqiptarët e Turqisë, grupe nga shoqatat e emigracionit, ShBA-së, Zvicrës, Suedisë, RFGJ-së etj.
Krahas disa mijëra njerëzve, u gjendëm aty edhe unë me Moikom Zeqon. Ky, si gjirokastrit, ish ministër i Kulturës dhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, kurse unë si Sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Në Pallatin e Kulturës së qytetit u mbajt një konferencë me pjesëmarrjen e funksionarëve nga institucione qendrore e vendore, këngëtarë, instrumentistë, valltarë, regjizorë etj.
Aty foli edhe Moikomi.
Fjala e tij, krejt e ndryshme nga të tjerët, karakterizohej nga përmbajtja e thellë për kulturën, artin, folklorin dhe mbi të gjitha për historinë në përgjithësi dhe atë të Gjirokastrës në veçanti, nga oratoria, pasuria leksikore, eleganca dhe finesa e të shprehurit. Kjo ngjarje me rëndësi të veçantë u bë shkak edhe për nisjen e miqësisë sonë, e cila do të forcohej përherë, aq sa tashmë në çdo dy-tre ditë jemi bashkë në kafe, në biseda të pafundme.
Si autor Moikomin e kam ndeshur që në hapat e para të krijimtarisë së tij, kur më kishte rënë në dorë libri i tij i parë Vegime të vendlindjes. Gjimnazisti durrsak të befasonte me substancën lëndore mjaft kurioze, të trajtuar me stil, rrjedhshmëri dhe freski rinore.

Kaluan dekada dhe Moikomi përmes një pune të palodhur, përkushtimit, dhuntive të jashtëzakonshme ka shkruar mbi njëqind libra dhe disa qindra artikuj nga shumë fusha të dijes njerëzore. Ai është një personalitet gjerësisht i njohur, jashtëzakonisht i pëlqyer në botën shqiptare dhe në rrafsh ndërkombëtar, një erudit poliedrik. Moikomi është një luftëtar i paepur për triumfin e drejtësisë dhe mbretërimin e fjalës së lirë.
Është mik i dashur, i adhuruar, i vlerësuar dhe i respektuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.
Por kurajua e tij edhe pse e shfaqur me shumë urtësi dhe moderacion, nuk është pëlqyer nga shumica e qeverive shqiptare të tranzicionit.
Për paradoks intelektuali Moikom Zeqo, që e ka monumentin të ngritur në zemrat e gjithë shqiptarëve, i pashembullt në vëmendjen dhe kujdesin ndaj miqve, por edhe në respektimin korrekt të institucioneve shtetërore, është penalizuar nga shteti me shpërfillje dhe papunësi për gati dy dekada.
***
Kërshëria mendore e Moikomit është e jashtëzakonshme: letërsi, mitologji, pikturë, histori, arkeologji, politikë, gjuhësi. Është eseist me dhunti të gjithanshme, erudit i madh.
Di shumë dhe shkruan shumë.
Di shumë dhe dijen e përhap dhe gjatë bisedës e jo vetëm në libra. Këto fjalë i shkruan një mendje shumë e mençur e botës shqiptare, rilindasi dhe akademiku i madh Rexhep Qosja.
Duket sikur ai ka bërë përkufizimin e saktë dhe të plotë të fushave të dijes dhe të krijimtarisë së Moikomit. Të tjerë studiues të krijimtarisë së tij, vendas e të huaj, kanë folur me vlerësime superlative për leximet, përkthimet, kontaktin me poezinë, për sprovat krijuese, interesimin mbi arkeologjinë tokësore dhe detare, hobin për muzikën etj.
E kanë vlerësuar si poet, shkrimtar, gazetar, filolog, mjeshtër të fjalës së lirë, forcës së mendimit dhe të të shprehurit, zotërues të përmasave të shumëfishta që arrin në caqet e tyre më të skajshme, enciklopedist, poliedrik.
E kanë quajtur dukuri intelektuale të veçantë dhe të rrallë në botën e letrave dhe në kulturologjinë shqiptare, libër fletëshumë, voluminoz, galaktikë shkronjash mbi fletën e bardhë a mbi ekranin e kompjuterit, mistik, orakull, magjik, hyjnor, romantik të lindur, lëndor dhe iracional, imponues si diktator, fantastik dhe absurd si Bibël e panjohur e Kuran i palexuar etj.
Ai nuk ka lënë pa sfiduar pothuajse asnjë prej fushave të dijes. Për to ka hulumtuar, studiuar dhe ka shkruar me pasion, duke sjellë kontribute të vyera.
Midis tyre bëjnë pjesë edhe historia dhe arkeologjia, ku, si kudo, ai është sërish ndër më të shquarit.
Moikomi shkruan disi çuditshëm, duke shpërfillur rregullat klasike, tradicionale të historisë formale, por gjithësesi shumë bukur, me mendim të thellë e të fuqishëm, shprehur me stil të zhdërvjellët dhe mjaft të këndshëm.
***
Pasioni i Moikom Zeqos për arkeologjinë nis që nga vitet e adoleshencës dhe rinisë së tij të hershme, kohë, kur, së bashku me disa bashkëmoshatarë, ndërmorën një aventurë të çuditshme. Ndërtuan vetë një batiskaf, me të cilin u zhytën në thellësitë detare, për të parë, xhiruar, fotografuar dhe sjellë në sipërfaqe për studiuesit dhe publikun e gjerë, zbulime befasuese, unikale, pasuri arkeologjike të fshehura prej shekujsh dhjetra metra poshtë detit në zonën e Durrësit, Karaburunit, Himarës etj.
Mund të thuhet se ishte Moikomi ai që inaguroi kërkimet arkeologjike nënujore në Shqipëri.
Atij i përket gjithashtu merita e zhytjes në ujrat e Seferanit, një prej liqeneve të Belshit, ku gjeti disa terrakota me rëndësi të veçantë historike, më pas në ujrat e liqenit të Ohrit, ku zbuloi një stacion palafit prehistorik.
Përveç zhytjeve për qëllime arkeologjike e historike, shumë vjet më parë, Moikomi është zhytur edhe në ujrat e liqenit të Ulzës, për të kontribuar në riparimin e një defekti në portat e shkarkimit të hidrocentralit.
Vepra e tij në fushën e historisë është një sukses i padiskutueshëm. Mund të thuhet se ai ka shkruar një histori alternative me gjuhë artistike, gjithësesi të argumentuar me prova, dëshmi të autorëve antikë, greko-romakë, rezultate të gërmimeve arkeologjike, interpretime të numizmatikës, analizës së qindra monografive të autorëve shqiptarë e të huaj etj.
Moikomi edhe për historinë shkruan disi çuditshëm, duke shpërfillur rregullat klasike, formale, tradicionale, por gjithësesi shumë bukur, me mendim të thellë e të fuqishëm, shprehur me stil të zhdërvjellët dhe mjaft të këndshëm.
Është tepër e vështirë të vesh në dukje arritje specifike të Moikomit në histori dhe arkeologji, sepse ai ka shkruar aq shumë sa kudo që të qëndrohet nuk do të jetë e mundur që të thuhen të gjitha sa e siç e meriton.
E ka nisur nga parahistoria, është ndalur në antikitetin ilir. Pararendësit e shqiptarëve, ilirët dhe zhvillimet e tyre interesante i gjurmon kudo ku janë shfaqur, i zbulon, i vlerëson dhe ve në dukje detaje që shërbejnë për rindërtimin e historisë së tyre të bujshme. Vlerat e studimeve të tij ilirologjike shtohen së tepërmi nga këndvështrimi shumëdimensional krahasues me historinë e qytetërimeve greko-romake dhe tëpopujve të tjerë.
Në një shkrim kushtuar kontributeve të Vittorio Pizanit për ngulmimet ilire në Itali, 30 vjet më parë, Moikomi shkruante pothuajse i ngazëllyer se ai, bën përpjekje të jashtëzakonshme dhe të stërholluara për rëndësinë e pranisë së ilirëve në Italinë e Jugut duke përdorur intrumentet gjuhësorë.
Por studimi lingusitik, leksikor, morfologjik dhe sintaktik, do të ishte i mangët pa studimin material arkeologjik. Në këtë rafsh zbulimet dhe studimet e arkeologut italian Francesco D’Andria për kulturën nekropolitike të mesapëve dhe japigëve në Italinë e Jugut, janë për tëtë një rëndësie substanciale, bazike dhe njëkohësisht një plotësim i domosdoshëm.
Fjala vjen qarku i dallueshëm i mënyrave dhe dekoracionit të qeramikës mesape dhe japige flet në favor të një popullsie ilire që konservon dhe e shtjellon traditën e vet në procesin e hapur të integrimit shekullor italik me popullsi të tjera etnike.
Shkrimet e shumta të Moikomit për ilirët janë cilësorë, impresionues.
Ata sjellin kontribute për pasqyrimin e saktë të historisë iliro-shqiptare.
Janë të tillë sepse ai operon me konceptet dhe të dhënat historike, arkeologjike, numizmatike, gjuhësore etj.,të cilat i njeh më së miri dhe i përdor me zhdërvjelltësi perfekte.
Përmes gjetjeve dhe konkluzioneve që sjell ai riafirmon disa të vërteta të fshehura ose të mohura dhe hedh poshtë një propagandë të institucionalizuar, tradicionale, nihiliste, që pretendon dhe propagandon mungesën e aftësive politike, organizative dhe shtetformuese të ilirëve.
Moikomi ka shumë shkrime edhe për historinë e Mesjetës shqiptare, ku një interes të dukshëm paraqesin ato për statutet e Shkodrës.
Ai i referohet zbulimit të studiueses italiane Luçia Nadin, të cilin e cilëson si një bosht të pazëvendësueshëm konceptual për shkencën moderne historike për Arbërinë veriore mesjetare në suazën europiane, por edhe ballkanike të kontekstit perandorak të Venedikut në Mesjetë.
Zbulimi i Nadinit e ngacmon Moikomin për të qëndruar disi më gjatë dhe për të sikcuar disa ide dhe mendime lapidare, që janë teza të rëndësishme për studime të mëtejshme për ndriçimin e historisë së asaj epoke. Me kulturën e jashtëzakonshme, dijet poliedrike, talentin dhe aftësitë analizuese e përgjithësuese, Moikomi e ka ndërtuar skeletin e plotë të saj, që pret vetëm të plotësohet me më tepër lëndë dhe të makiazhohet.
Moikomi thotë shumë saktë se “Forma krijuese e Arbërisë Venedike është ajo e një domeni kolonial ballkanik nga brigjet italike… Revolucioni i kolonizimit grek në epokën arkaike dhe klasike (shekujt VII-V para Krishtit) në brigjet lindore po të Adriatikut është një shembulltyrë paraprijëse nga Jugu Mesdhetar e një lloj bote të globalizimit antik me konceptin e përparuar dhe modern të “polisit”… Modeli substancial i këtij kolonializimi sui generis, lidhet me strukturën e Komunës Qytetare, konceptualisht shumë e përparuar për Europën monarkike mesjetare… ku kultura juridike unifikon, por nuk e prek multikulturalizmin ose entitetet etnike…”
Pas një vështrimi këmbëngulës, befasues, vertikalisht dhe horizontalisht, Moikomi bën një deklarim të fuqishëm dhe njëkohësisht elegant, duke deklaruar se “Statutet e Shkodrës janë kodi i vetqeverisjes së qytetit dhe hinterlandit arbëror në shekujt XIV-XV, ku realiteti është arbëror në postulatin gjeografik, por edhe një modul ngjashmërie me Kotorin, Drishtin, Budvan, pra arbërorja është jo thjesht forma, por përmbajtja ekonomike e pronës, e njerëzve etnikisht të ndryshëm nga venedikasit..”
Në trajtimin e substancës historike ai nuk priret nga naracioni, përshkrimet e thata e të mërzitshme, por nga vështrime të thella konceptuale, që ngacmojnë, trondisin dhe të shtien në mendime.
Ai nuk rend nga ngjarja në ngjarje, nga personazhi në personazh, por qëndron e hulumton mbi ta për të nxjerrë në dritë elementë qenësorë, substancialë që përbëjnë risi.
Ai i qendron larg patetizmit panegjirik, foklorik, por edhe frymës nihiliste, mohimit të vlerave të popullit shqiptar dhe heronjve, njerëzve të tij të mençur e luftëtarë, me kontribute të shquara në vetdijësimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në arritjet e realizuara në fusha të ndryshme të zhvillimit shoqëror.
Qendrimi i tij i urtë, i përgjegjshëm, autoritar, pa zhurmë e bujë, por objektiv dhe atdhetar, merr rëndësi të madhe në ditët tona, kur, fatkeqësisht, mohimi i historisë dhe i vlerave të shqiptarëve, në favor të miteve dhe legjendave të stisura për fqinjët, është shndërruar në një teknologji fasadë, spekulative deri në neveri nga disa të ashtuquajtur analistë që pretendojnë se dinë gjithëçka, duke mos ditur në fakt asgjë, që injorancën historike e shesin si restaurim dhe çmitizim të të vërtetave, vetëm e vetëm për t’iu shërbyer atyre që nuk i kanë dashur shqiptarët, që i kanë nënçmuar, fyer e poshtëruar.
Shkrimet e tij historike janë realisht një rishkrim i historisë, për të cilin flitet abuzivisht shumë këto kohë.
Ai e njeh historinënë gjithanshmërinë e vet dhe operon me të jo thjesht për të bërë një renditje ngjarjesh, personazhesh dhe zhvillimesh historike, por e përdor atë si instrument të fuqishëm shkencor për të depërtuar në thelbin e të vërtetave dhe në shkaqet e ndodhive.
Ai ka dijeni të pafundme nga historia, të mpleksura edhe me ato të fushave të tjera, e megjithatë tregohet shembullor në modesti. Respekton dijet dhe vlerat e historianëve të mëdhenj shqiptarë dhe të huaj, të cilët, kur është e mundur kërkon t’i takojë, për të biseduar dhe konsultuar dhe për t’i përmendur vazhdimisht me respekt e konsideratë.
Historia për Moikomin është jo vetëm çështje pasioni, por edhe mision i lartë atdhetarizmi.
Dëshiron të nxjerrë në dritë disa të vërteta të pamohueshme, posaçërisht për vlerat dhe kontributet iliro-shqiptare në qytetërimet në
pellgun adriatiko-mesdhetar dhe në krejt botën ballkanike.
Studimet e Moikomit rrokin jo vetëm historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por edhe atë të vendeve të tjerë, të Europës, Amerikës, Azisë, historinë e përgjithshme të botës, historinë e artit, letërsisë etj.
Interesit të Moikomit nuk i kanë shpëtuar edhe tema specifike siç janë ajo e pranisë së monumenteve hebraike në territoret shqiptare, historia dhe gjendja e romëve, për të cilët shkruan gjithë veneracion se ata “janë populli i fillimit të botës, dhe mbase, i mbarimit të saj.”
Historinë e popullit të vet, por edhe historinë në përgjithësi Moikomi nuk e përfytyron dot pa jetën dhe veprën e personaliteteve më të shquara të kulturës, shkencës, artit, politikës, ekonomisë etj. Dhe prandaj janë të pafundëm edhe shkrimet në të cilat ai iu skalit atyre piedestale vlerësimi.
Në penelatat e përdorura për portretizimin, përshkrimin e historisë dhe veprimtarisë së tyre ka derdhur shumë dashuri, ka shprehur vlerësim e respekt sublim. Janë modele unikale të një stili përmbajtësor dhe një vlerësimi realist veprat dhe shkrimet e Moikomit për mbretërit ilirë Pirro dhe Teuta, për Skënderbeun, Naim Frashërin, De Radën, Nolin, Konicën, Luigj Gurakuqin, Migjenin, Poradecin, Rexhep Qosen, Kadarenë, Agollin, Eqrem Çabejin, Onufrin, Kukuzelin, Migjenin, Davidin – gjeniun e ikonografisë shqiptare, Frang Bardhin, Bogdanin, Gjon Buzukun, Astin e Durrësit dhe dhjetra e dhjetra të tjerë.
Njohuritë e jashtëzakonshme për historinë, në të gjithë itinerarin e përshkuar nga shqiptarët gjatë shekujve, Moikomi do t’i shpaloste me një pasion shembullor edhe gjatë viteve kur ishte ministër i kulturës dhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Në ato kohë në veprimtaritë dhe filozofinë e organizimit të punës në institucionet ku drejtoi ai dha kontribute të admirueshme dhe të pashlyera edhe duke vënënë zbatim koncepte moderne dhe risi. Për të përmbushur sa më mirë misionin për ndriçimin e historisë së vendit të vet, përmes angazhimeve personale tërhoqivëmendjen e personaliteteve të huaja më të shquara të historisë, kulturës, artit, një pjesë të të cilëve i priti në Shqipëri ose i takoi në vendet e veta dhe në konferenca ndërkombëtare etj.
Vepra e gjerë dhe e gjithanshme e Moikom Zeqos në fushën e studimeve historike përbën një kontribut të jashtëzakonshëm në fondin e kulturës shqiptare, europiane e botërore, që vlerësohet dhe çmohet shumë nga studiuesit e historisë, adhuruesit e saj dhe lexuesit e zakonshëm.
____________
*) Kumtesë e mbajtur në veprimtarinë kushtuar veprës së Moikom Zeqos, organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, Shtëpia Botuese Dituria dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura