DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (VIII)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (VIII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-26-

Konfidenciale

GR 500

Fm Beograd 061009Z, maj                                                                          

Prioritet për FCO                                                                                     Kopje origjinale

Nr. tel. 058, datë 6 maj 81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im nr. 56

Kosova

1.         Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës u mblodh gjatë gjithë ditës, më 5 maj, për të diskutuar shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve të fundit.

2.         Mbledhja u raportua plotësisht në shtyp dhe të gjithë folësit dënuan haptazi udhëheqjen e Partisë së Kosovës pse nuk kishte vlerësuar situatën në mënyrë korrekte dhe nuk kishte marrë masat e duhura. Dorëheqja e Kryetarit aktual të Partisë, Bakallit u pranua, siç duket, herën e tretë që u kërkua. Ai u zëvendësua nga Veli Deva, veteran i Partisë, për një periudhë 1-vjeçare.

3.         Shkaqet kryesore të ngjarjeve iu atribuan së pari, irredentizmit shqiptar, i mbështetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Shqipëria, si dhe disa organizatave emigrantësh, gjoja të financuara nga organizata të shërbimit të fshehtë. U kritikua në mënyrë implicite politika federative në drejtim të marrëdhënieve “me çdo çmim” me Shqipërinë. U identifikuan edhe dobësi të tjera në sistemin e mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetë-mbrojtjes sociale, të cilët nuk ishin pajisur dhe nuk ishin në gjendje të mjaftueshme për të trajtuar situatën në momentin e duhur; u kritikua sistemi arsimor i cili varej shumë nga materialet mësimore dhe stafi shqiptar dhe nuk ishte përshtatur siç duhet me nevojat e krahinës; gjithashtu u kritikua prapambetja relative e krahinës, krahasuar me pjesën tjetër të Jugosllavisë. U diskutua marrja e masave të ndryshme për të rishikuar sistemin politik, arsimor dhe të sigurisë.

4.         Mbledhja konfirmoi se ende nuk ishte zbuluar qendra që kishte organizuar aktivitetet armiqësore. Vazhdonte shkrimi i parullave, shpërndarja e broshurave dhe fletushkave, përhapja e dezinformimit dhe formave të tjera të provokimit. Ishin bërë përpjekje për të krijuar trazira gjatë festës së majit, por nuk pati incidente serioze.

5.         Është e qartë që Partia tani do të bëjë spastrimin e radhëve të saj, ndoshta pas mbledhjes së sotme të Komitetit Qendror serb dhe pas mbledhjes së nesërme të Komitetit Qendror jugosllav. Do të ndiqet me forcë një program i veprimit politik për çrrënjosjen e elementëve armiqësor dhe mund të rishikohet në mënyrë drastike politika aktuale e miqësisë me Shqipërinë. Por, nuk doli një zgjidhje e qartë për problemin kryesor të statusit të Kosovës: udhëheqja vazhdon të qëndrojë e vendosur për pandashmërinë e Kosovës nga Serbia. Pra, ka të ngjarë që pakënaqësia nacionaliste do të vazhdojë.

Bolland

[Përsëritet sipas kërkesës]

Ky telegram nuk është përcjellë.

-27-

GR 1000

Fm Beograd 080909Z, maj                                                                          

Prioritet për FCO                                                                                       Kopje origjinale

Nr. tel. 060, datë 8 maj ‘81

Informacion për UKDEL NATO

Saving Washington (FCO PSE PASS)

Telegrami im, nr. 58

Kosova

1.         Komiteti Qendror i Jugosllavisë u mblodh, më 7 maj. Mojsov, president i Kryesisë, mbajti fjalimin kryesor i cili sipas tendencës së re u transmetua mbrëmë në televizor dhe u publikua sot në shtyp.

2.         Për herë të parë në një nga forumet që ka shqyrtuar ngjarjet në Kosovë, Mojsov e quajti si organizatore “Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi”. Ai e përshkroi atë si “Qendër e agjencisë së huaj” e maskuar pas parullave nacionaliste-irredentise dhe marksiste-leniniste, udhëheqësit kryesorë të së cilës do të dilnin shpejt para gjyqit për t’u përgjigjur mbi aktivitetin kundërrevolucionar që ata e kishin organizuar me kujdes për një periudhë të gjatë.

3.         Ai fajësoi Lidhjen e Komunistëve të Kosovës si shumë të ngadaltë dhe hezituese për të vlerësuar me korrektësi situatën dhe që nuk mori masat e nevojshme politike dhe të sigurisë. Për shumë vite, organizatat e Lidhjes së Komunistëve në Kosovë, kishin nënvlerësuar rrezikun e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, gjë që kishte bërë që armiku të ishte në gjendje të depërtonte në organizatën e lidhjes së komunistëve dhe organizata të tjera socio-politike, veçanërisht në organizatën e të rinjve. Tashmë ishte e nevojshme “të gjendeshin dhe spastroheshin të gjithë ata që ishin molepsur me ndjenjën e nacionalizmit… veçanërisht në udhëheqjen dhe organizatat e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës”. Ai pranoi se Partia jugosllave në tërësi ishte fajtore gjithashtu sepse ishte treguar “e butë dhe e shkujdesur”.

4.         Mojsov, bëri thirrje që të zhvilloheshin reforma në politikën aktuale për zhvillim ekonomik në drejtim të Kosovës dhe për përmirësime në perspektivat e punësimit për të rinjtë. Ai theksoi se duhet vënë kufiri midisi “Shpalljes kombëtare” të popullit shqiptar si dhe nacionalizmit dhe irredentizmit. Vetëm në një referencë të shkurtër për Shqipërinë ai u ankua se ishte lejuar pa pengesa indoktrinimi i të rinjve me ndjenjën e nacionalizmit përmes propagandës në tekstet shkollore dhe prej mësuesve nga Shqipëria. Sulmi kryesor ndaj Shqipërisë iu la Milosh Miniçit, i cili duke përdorur një gjuhë të fortë, kritikoi së pari “verbërinë e jashtëzakonshme dhe pakujdesinë, e madje edhe naivitetin, pikë së pari të forcave tona politike dhe organeve shtetërore në Kosovë dhe jo vetëm”; së dyti, ai kritikoi udhëheqjen shqiptare për ndërhyrje “brutale” në punët e brendshme të Jugosllavisë dhe që kishte dëmtuar “me ashpërsi” marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Miniç, shtoi se Jugosllavia mbetej e gatshme për të ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë, përveç kur sjellja e kësaj të fundit e bën këtë të pamundur. Ndërkohë, ishte e nevojshme të bëheshin disa ndryshime në politikën e Jugosllavisë për t’i shpjeguar të rinjve në Kosovë veçanërisht pozitën e vërtetë të stalinizmit në Shqipëri, por pa nisur një fushatë kundër Shqipërisë, dhe për të rishikuar në mënyrë radikale bashkëpunimin kulturor dhe arsimor me Shqipërinë.

5.         Mojsov, tha se si rezultat i shpjegimit të pamjaftueshëm në radhët e të rinjve, ishte krijuar iluzioni për pozitën kushtetuese të Kosovës se çështja e krijimit të Republikës ishte një çështje krejtësisht formale e cila mund të zgjidhej përmes presionit. Ai pohoi se duhet të respektohet pozita e Kosovës brenda Serbisë.

6.         Mojsov, tha në mënyrë të përmbledhur: e gjithë çështja e zhvillimit të Kosovës është problem i Jugosllavisë, problem për lidhjen e komunistëve si e tërë. Ai ishte i bindur se lufta kundër kundërrevolucionit do të sillte si pasojë që Jugosllavia të bëhej më e fortë dhe më e bashkuar. Pas diskutimeve, Komiteti Qendror mbështeti unanimisht deklaratën e Mojsovit.

7.         Komiteti Qendror serb, i cili u mblodh më 6 maj, u përqendrua në mënyrë të mjaftueshme në aspektet serbe. Por, ky komitet njohu gjithashtu rreziqet më të gjera që vinin nga Kosova për marrëdhëniet ndërkrahinore në Jugosllavi në tërësi, veçanërisht si një stimul për nacionalizmin serb. Në këtë kontekst u vu në dukje me shqetësim migracioni i theksuar i serbëve dhe malazezëve nga Kosova.

8.         Komiteti Qendror i Serbisë, njohu plotësisht dobësitë e organizatës së Lidhjes së Komunistëve në Kosovë si dhe faktorët ekonomikë dhe socialë si shkaqe të trazirave, por e quajti “verbëri politike” këndvështrimin jokritik që kishte marrë Jugosllavia në nxitjen e marrëdhënieve me Shqipërinë, zhvillimin e njëanshëm të tyre në favor të Shqipërisë si dhe mungesën e ekuilibrit midis Shqipërisë dhe Kosovës në vend të një ekuilibri të tillë në Jugosllavi në tërësi.

9.         Komiteti Qendror i Serbisë bëri të qartë gjithashtu se nuk do të kishte ndryshime në statusin e Kosovës, por pranoi se një gjë e tillë nuk ishte shpjeguar në mënyrë të mjaftueshme më parë. Në bazë të Kushtetutës Federale dhe asaj serbe, krahinat autonome të Serbisë nuk mund të ishin të njëjta si Republikë, megjithëse në praktikë ato ishin të tilla në shumë drejtime. “Republikë është shteti që bazohet në sovranitetin e popullit të tij, në autoritetin dhe menaxhimin e klasës punëtore. Krahina autonome është komunitet socio-politik që bazohet në autoritetin dhe menaxhimin e klasës punëtore”. Problemi i krijuar këtu është se ishte besuar në mënyrë të gabuar që këto dy deklarata ishin të njëjta.

10.       U miratua dorëheqja e Bakallit nga Komiteti Qendror i Serbisë dhe në vend të tij u pranua Deva si anëtar.

Bolland                                                          (Përsëritet sipas kërkesës)

[Ky dokument nuk është përcjellë]

-28-

Konfidenciale

GR 1000

FM BEOGRAD 111315Z, maj                                                                               

Direkt për FCO                                                                                           Kopje origjinale

Nr. tel. 062, datë 11 maj 81

Informacion për UKDEL NATO

Kopje për Washington (FCO PSE PASS)

Saving Zagreb (Beograd PASS)

Telegrami im, nr. 58

Kosova

1.         Konkluzionet e dala nga mbledhja e gjatë e Komitetit Qendror, më 7 maj, duhet të shqyrtohen në mbledhjen tjetër të Kryesisë së tij. Sidoqoftë, disa pika që kërkojnë vëmendje janë të qarta dhe sugjerojnë disa vendime të vështira, por potencialisht të dobishme në aspektin afatgjatë për unitetin e Jugosllavisë.

2.         Pyetja kryesore që ka dalë nga të gjitha këto debate të fundit është se si ishte e mundur për një organizatë me mbështetje të huaj, pra Partia Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PMLSHJ), të planifikonte dhe të kryente (duke supozuar se i ka kryer) një sërë demonstratash të mirëzbatuara ndërkohë që asnjë person me pushtet nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Përgjigjja e pakëndshme mund të jetë se udhëheqja në Kosovë në fakt kishte dijeni, por për arsye që ende duhen sqaruar, nuk bëri asgjë për këtë. Për më tepër, ajo kishte dijeni për incidente të tjera të shumta gjatë viteve të fundit dhe nuk kishte informuar autoritetet federale serbe. Shembulli që ka zemëruar pjesën më të madhe të popullit ishte heqja e portretit të Titos, me kërkesën e delegacioneve shqiptare vizitore, nga autobusët e mbushur me to dhe një muze që ata vizituan (drejtori i të cilit tashmë është pushuar). Sugjerimi kryesor është se shumë njerëz në vende të larta e simpatizonin shpalljen e aspiratave kombëtarë shqiptare. 

3.         Komiteti qendror serb dhe ai jugosllav, duhej të fajësoheshin gjithashtu për faktin se nuk ushtruan më shumë kontroll ndaj komunitetit “të mbyllur” të Kosovës, i cili e konsideroi çdo kritikë ndaj veprimeve të tij si një dëmtim i sovranitetit të tij të imagjinuar dhe ndërhyrje në punët e brendshme. Parimi bazë i centralizmit demokratik ishte thyer dhe vendimet e arritura në mënyrë kolektive në Komitetin Qendror jugosllav ishin shpërfillur pa pengesë në Kosovë.

4.         Autoritetet qendrore duhet të mbajnë përgjegjësi kryesore gjithashtu për politikën e keqkuptuar haptazi ndaj Shqipërisë, dhe nëse Kosova ishte e lidhur kryesisht me zbatimin praktik të saj. Suksesi i shqiptarëve në infiltrimin dhe indoktrinimin e mësuesve, studentëve dhe fëmijëve të shkollave edhe duke mbyllur sytë, nënvizon naivitetin e mëtejshëm politik të Beogradit që shpresonte se Shqipëria nuk do ta shfrytëzonte situatën. Marrëdhëniet me Shqipërinë u diskutuan nga Kryesia Federale më 8 maj dhe, megjithëse nuk u dhanë detaje, mund të pritet që të ketë ndryshime të rëndësishme të politikës: për të siguruar një marrëdhënie më reciproke, për t’i dhënë fund pozitës pothuajse ekskluzive të Kosovës në kontaktet me Shqipërinë, për të ndaluar depërtimin shqiptar përmes kulturës, dhe për të informuar publikun jugosllav për stalinizmin në Shqipëri.

5.         Ka të ngjarë që të ketë ndryshime në sistemin e mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjen sociale pasi, megjithëse është pranuar se mungesa e drejtimit politik është kryesisht gabim dhe forcat e armatosura zbatuan detyrën e tyre mbështetëse me kompetencë, milicia dhe njësitë territoriale shfaqën dobësi në trajtimin e situatës së brendshme të sigurisë për të cilën atyre u mungonin trajnimi dhe pajisjet e duhura. Një gjeneral i lartë e ka pranuar para këshilltarit tim se njësitë territoriale ishin trajnuar për të përballuar kërcënimin e jashtëm, por që tashmë ishte ndërmarrë një vështrim i ri në organizimin dhe trajnimin e tyre, jo vetëm në Kosovë, për pajisjen e tyre që të përballojnë kërcënimin e brendshëm, megjithëse sipas këndvështrimit të atasheut tim të mbrojtjes, kjo detyrë është kryesisht e milicisë. Vlen të thuhet se është bërë një porosi me nxitim për pajisje britanike kundër trazirave.

6.         Politikanët dhe shtypi po përshëndesin sot ngjarjet në Kosovë për krijimin e mundësisë për t’u përballur me shumë probleme që kanë rezultuar nga politika e decentralizimit. Theksi po vihet në Kosovë si një problem për të gjithë Jugosllavinë që kërkon zgjidhje jugosllave kolektive. Shoh se nuk ka ndonjë perspektivë për t’u kthyer në një shoqëri të kontrolluar në mënyrë më të centralizuar, por më shumë në një përpjekje të rinovuar për inkurajimin e bashkëpunimit ndërmjet republikave e madje integrimin për të penguar nacionalizmin, veçanërisht reagimin e ashpër të serbëve në lidhje me rrezikimin e Federatës. Në të vërtetë, Serbia është e vendosur që të ripohojë sovranitetin e saj kushtetues ndaj dy krahinave autonome. Disa udhëheqës të Partisë kanë arritur në përfundimin se Jugosllavia mund të dalë nga kjo traumë më e bashkuar se kurrë.

7.         Ndërkohë, situata e sigurisë mbetet e pazgjidhur. Problemi kryesor është në Universitetin e Prishtinës dhe disa shkolla, ku përveç kërcënimit për t’i dëbuar për mungesa, studentët vazhdojnë të bojkotojnë mësimin dhe të kërkojnë lirimin e mësuesve të tyre nga burgu. Raportet e shtypit përmendin gjithashtu shpërndarjen e fletushkave dhe broshurave si dhe përhapjen e dezinformimit dhe frikësimit. Janë marrë kundërmasa për të pushuar nga puna dhjetëra mësues; deri tani mbi njëqind komunistë janë përjashtuar nga partia, janë spastruar institucionet kulturore dhe janë pezulluar disa gazetarë dhe redaktorë.

8.         Kështu, duket se prioritet janë si më poshtë:
a)         të çrrënjoset opozita nacionaliste shqiptare në Kosovë përmes një operacioni të përbashkët të sigurisë dhe spastrimit të udhëheqësve jo të besueshëm;
b)         të reformohet sistemi arsimor dhe të ristrukturohet programi i ekuilibruar në mënyrë të pabarabartë i zhvillimit ekonomik;
c)         të shqyrtohet politika e fqinjësisë së mirë e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë;
d)        të rishikohet sistemi i mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetëmbrojtjes sociale;
e)         të forcohet kudo disiplina e partisë; dhe
f)         të ritheksohet pozita kushtetuese e Kosovës

9.         Kjo situatë çon në një detyrë të vështirë, por duket se Kosova e ka ndezur udhëheqjen me vendosmëri dhe gatishmëri për të adoptuar një qasje më realiste për shumë probleme të fshehura.

Bolland                                                            (Përsëritet sipas kërkesës)                                                  

[Ky telegram nuk është përcjellë]

-29-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike          

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd         

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 11 maj 1981

I nderuar Charles,

Kosova

1.         Ju lutem referojuni letrës sime, të datës 22 prill, për misterin që rrethon zjarrin e vënë në Patriarkanën Ortodokse Serbe në Pejë.

2.         Një mik i imi i cili është anëtar i Komisionit serb për Mbrojtjen e Monumenteve të Lashta, më tha se hetimi mbi shkaqet e zjarrit tashmë ishte i plotë. Pasi policia e kishte marrë në pyetje kryemurgeshën e Patriarkanës për pesë orë, kinse në përpjekje për t’i nxjerrë asaj historinë mbi atë që kishte ndodhur, u vendos më pas se zjarri nuk ishte në të vërtetë një aksident, por ishte zjarr vënie e qëllimshme. Dy shqiptarë, babë e bir, janë ndaluar për këtë.

3.         Deri më sot, asnjë fjalë nuk ka dalë në shtyp për këtë çështje. Mendoj se autoritetet po shqyrtojnë se si ta paraqesin përfshirjen e shqiptarëve në një mënyrë sa më pak të mundshme për të zgjuar serbët, zemërimi i të cilëve është zgjuar tashmë nga dhunimi i varreve serbe në Kosovë.

                                                                                                                              I Juaji,

                                                                                                                          T. J. Clark  

-30-

Konfidenciale

GR 550

Fm Beograd 140826Z, maj                                                              

Direkt për FCO (DESKBY 141030Z)                                                Kopje origjinale

Nr. tel. 066, datë 14 maj 81

Prioritet për Moduk, Washington

Kosova: situata e sigurisë

1.         Ambasada amerikane na ka dërguar një kopje të pyetjes për një person lokal kontakti i cili u dha atyre një përshkrim të detyrës të kohëve të fundit aktive të kushëririt të tij në Kosovë me shërbim rezervë privat në ushtri.

2.         Dëshmia e rezervistit mbulonte periudhën e muajit deri më 7 maj. Ai ishte caktuar në një njësi këmbësorie e cila është zhvendosur në zonën e Podujevës gjatë javës së dytë të prillit. Njësia e tij ishte përfshirë në ato që ai i përshkruante si luftime në rrugë në Podujevë gjatë fundjavës 1-4 maj. Kjo njësi drejtohej nga “njësitë speciale të komandës” të cilët mbanin veshur rroba civile me jelekë kundërajrorë, të zgjedhur të gjithë sipas madhësisë dhe këto njësi mbanin edhe maska mbrojtëse. Njësia e ushtrisë së rezervistit, e udhëhequr nga këto komando, kishte pastruar disa pjesë të Podujevës shtëpi më shtëpi më 1 maj dhe kishte konfiskuar sasi të mëdha pistoletash.

3.         Më 13 prill, punëtorët dhe studentët shqiptarë në Vushtrri okupuan një fabrikë tekstilesh, e cila në atë kohë ishte izoluar nga trupat, njësia e rezervistit dhe komandot speciale. Fabrika u dogj dhe u dëmtua konsiderueshëm para se të largoheshin okupuesit. Ushtarët kishin urdhër të përdornin vetëm shkopinj por kishin autoritetin të përgjigjeshin me armë nëse ndaj tyre hapej zjarr.

4.         Më 5 maj, njësia e rezervistit ishte në një mision në kodrat në lindje të Vushtrrisë kur ushtarët ranë në një pritë nga një grup i armatosur shqiptarësh që përdornin armë automatikë. Pas afërsisht një ore e gjysmë, njësia e tij u lirua nga një njësi tjetër jugosllave e ushtrisë. Nga të dyja palët pati të vrarë dhe të plagosur dhe u përdorën helikopterë për evakuimin e tyre në akademinë mjekësore ushtarake në Beograd. Ndërkohë që njësia e rezervistit po kthehej në zonën e Vushtrrisë panë një kishë ortodokse serbe e cila ishte shkatërruar plotësisht gjoja nga rebelët.

Komente

5.         Nuk kemi mjete për të vërtetuar këtë dëshmi në terren. Megjithatë, Druloviç, sekretari ekzekutiv i Komitetit Qendror të Partisë, më ka thënë që forcat e armatosura nuk janë përdorur në operacione aktive kundër demonstruesve në Kosovë. Një gjeneral i lartë ka përsëritur në mbledhjen e datës 13 maj se njësitë e forcave të armatosura nuk kishin shtënë asnjë plumb gjatë trazirave në Kosovë.

6.         Gjithsesi, po ju raportoj këtë dëshmi amerikane sepse mendohet që ka vlerë dhe në një farë mase, është mbështetur nga përshkrimet e shtypit mbi trazirat në Podujevë gjatë ditëve të pushimeve 1-4 maj.

Bolland          

-31-

Deskby 141015Z

Fm Beograd 140808z, maj                                                                          

Direkt për FCO                                                                                            Kopje origjinale

Nr. tel. 065, datë 14 maj 81

Prioritet për Moduk Washington

Telegrami im, nr. 62

Kosova

1.         Sot janë publikuar konkluzionet e mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë, më 7 maj.

2.         U tha se qëllimi i forcave armiqësore dhe kundërrevolucionare ishte që të kërcënonin integritetin dhe sovranitetin e Federatës Jugosllave dhe sistemin e saj socio-politik. Ata janë mbështetur nga forcat reaksionare jashtë Jugosllavisë.

3.         Ishte e nevojshme që këto trazira të trajtoheshin efektivisht duke marrë masat aktive në vijim:

a)  forcimi dhe spastrimi i lidhjes së komunistëve dhe organizatave të tjera socio-politike në të gjitha nivelet;

b)  përdorim i të gjitha këtyre organizatave sociale dhe politike duke përfshirë aleancën socialiste, sindikatat dhe organizatat e rinisë;

c)   luftimi i të gjitha formave të nacionalizmit: nuk do të tolerohet asnjë sulm nga grupe të tjera kombëtare kundër shqiptarëve;

d)   Kosovës nuk do t’i jepet statusi i Republikës, por do të shqyrtohet me kujdes zbatimi i dispozitave ekzistuese kushtetuese për krahinën e Kosovës në kuadrin e Republikës së Serbisë;

e)    do të vazhdohet të ndërmerren të gjitha hapat për të ndihmuar Kosovën ekonomikisht si pjesë e pazhvilluar e Jugosllavisë;

f)   nisur nga përvoja dhe ngjarjet në Kosovë, Partia dhe publiku duhet të informohen plotësisht dhe në kohë;

g)    duhet të përmirësohet sistemi arsimor, veçanërisht në universitet dhe shkollat e mesme, stafet mësimdhënëse dhe librat shkollorë;

h)   duhet të forcohet sistemi i brendshëm i sigurisë me çdo ndryshim të nevojshëm të personelit, organizimit dhe pajisjeve.

4.         Shtypi i sotëm ka publikuar gjithashtu një raport të një revolte tjetër studentësh në Universitetin e Prishtinës (i përshkruar si “fortesa e nacionalizmit”) gjatë natës së 12 majit kundër masave të marra në ditën e mëparshme për spastrimin e administratës dhe organizatave të studentëve në Universitet. Kuvendi federal është informuar dje se situata në Kosovë ka mbetur shumë e vështirë.

Bolland

-32-

Konfidenciale

A. E. Montgomery Esq                                                                                     Ambasada britanike          

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                         Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit, 18 maj 1981

I nderuar Alan,

Kosova: pozita kushtetuese

1.         Në telegramin tonë nr. 60 të datës 8 maj, ku përmblidhet rezultati i mbledhjeve të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe Serbisë, përmendëm vendosmërinë për të ruajtur pozitën kushtetuese të Kosovës brenda Serbisë. Kjo, siç raportohet në telegramin tonë nr. 65 të datës 14 maj, është pasqyruar në Konkluzionet e KQ-së së LKJ-së, ku ndër të tjera thuhej se KQ i LKJ-së e konsideronte të nevojshme që “të shqyrtonte praktikën dhe problemet e arritjes së unitetit mbi bazën e ndërtimit të marrëdhënieve socialiste vetëmenaxhuese dhe nga këndvështrimi i funksioneve kushtetuese të Federatës, Serbia si Republikë dhe provincat autonome, të cilat janë pjesë përbërëse e Serbisë dhe elementë kushtetues të Federatës”. Kështu, siç parashikohet në paragrafin 14 të njoftimit të ambasadorit të datës 24 prill, ekspertët kanë sot detyrë që të rishqyrtojnë marrëdhëniet midis vetë Serbisë dhe Kosovës. Është e qartë gjithashtu nga debati publik, i cili sapo ka filluar, se kjo marrëdhënie nuk ka një përkufizim dhe se, me gjithë përpjekjet e mëparshme, askush nuk është i përgatitur për të sqaruar paqartësitë nga frika se mos hapen probleme.

2.         Problemi i kthehet pikërisht themelimit të Jugosllavisë. Sipas një libri të historisë jugosllave për këtë periudhë, Organizata Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Metohisë miratoi një rezolutë në konferencën e saj, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 dhe 2 janar 1944, ku në parim u mbajt qëndrimi për vetëvendosje dhe u përcoll mendimi se ky parim mund të realizohej përmes bashkimit me Shqipërinë. Një gjë e tillë u kundërshtua nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave, pikëpamja e të cilit natyrisht që mbizotëroi. Në një mbledhje të Organizatës Nacionalçlirimtare Krahinore të Kosovës dhe Metohisë, më 8-10 maj 1945, ishte vendosur që kjo Krahinë duhej të bashkohej me Serbinë me status autonom. Ajo që nuk është e qartë është se çfarë i ndryshoi mendjet e kosovarëve, por një lloj marrëveshjeje me sa duket ishte arritur. Ka një aluzion për këtë në një vërejtje që gazeta “Zëri i Popullit” në një artikull të saj, të datës 23 prill, i bëri Titos në bisedimet e tij me Hoxhën në vitin 1946: “Kosova dhe zonat e tjera ku banojnë shqiptarë i përkasin Shqipërisë dhe do t’ua kthejmë ato por jo tani sepse reagimi i Serbisë së Madhe nuk do të pranonte gjëra të tilla”. Politikanët jugosllavë dhe shtypi nuk e kanë komentuar këtë citim të pretenduar, i cili në vetvete është interesant.

3.         Profesor Najdan Pashiç, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nuk hodhi asnjë dritë në një intervistë së fundmi me “NIN”. Ai tha se “ekzistenca e krahinave autonome … ishte pjesë e zgjidhjes revolucionare të çështjes kombëtare në Jugosllavi … një zgjidhje që ishte pasojë logjike e vetë mënyrës marksiste të zgjidhjes së çështjes kombëtare në këtë vend … për ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë, që ishte një nga vendimet revolucionare të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ – Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë [më 29 nëntor 1943]”. Fatkeqësisht, mbledhja e AVNOJ-së nuk e trajtoi në mënyrë specifike statusin e Kosovës por përmendi vetëm në terma të përgjithshme se i garantonte të gjitha pakicave kombëtare të gjitha të drejtat e tyre kombëtare. Pashiç vazhdoi të thoshte: “Duke pranuar parimin e barazisë kombëtare dhe të drejtën për vetëvendosje të popujve të Jugosllavisë, Jugosllavia është themeluar si një Federatë që përbëhej nga gjashtë Republika si shtete dhe dy njësi autonome, të cilat janë element përbërës i federalizmit jugosllav me të gjitha të drejtat që kjo nënkupton por janë pjesë e një Republike – Serbisë”. Ai nuk e mori parasysh pyetjen se çfarë ndodhi me të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje! Por ai përjashtoi çdo mundësi të tillë duke thënë: “Meqenëse Jugosllavia është krijuar mbi parimin e vetëvendosjes kombëtare, nuk mund të ketë territor jashtë numrit të Republikave ekzistuese si shtet i popujve të Jugosllavisë”. Ai refuzoi madje të pranonte se ka pasur ndonjëherë ndonjë mendim për të cilin, ai tha, kishte “arsye dhe justifikime historike, kombëtare dhe të tjera të tilla”.

4.         Që prej vitit 1943, ka pasur një sërë kushtetutash federale. Kushtetuta e fundit, ajo e vitit 1974, e përcaktoi Republikën si një shtet socialist dhe Krahinën si një komunitet socialist autonom social-politik në të cilin populli punonjës arrin të drejtat e tij, përveç atyre që arrihen në Republikë. Kushtetuta e Serbisë rregullon marrëdhënien e kësaj të fundit, por Pashiç tha se pjesa përkatëse e saj nuk është përpunuar ende si duhet në detaj. Sipas Pashiçit, vështirësia ishte se sapo dikush të thoshte ndonjë gjë në këtë drejtim, do të gjendej menjëherë para rrezikut që mund të etiketohej si dikush që dëshironte të vinte në dyshim të drejtat kushtetuese të dikujt tjetër. Kështu, megjithëse neni 301 i Kushtetutës serbe thotë se Republika mund të fusë ligje që mbulojnë të gjithë Republikën, me kusht që të arrihen marrëveshje me Krahinat, mungesa e marrëveshjes për kompetencat e Republikës ka nënkuptuar se vetë Serbia e të gjitha republikave, nuk ka qenë në gjendje të fusë një ligj për mbrojtjen e të gjithë njerëzve, apo planin social dhe nuk ka instrumentet e nevojshme të një sistemi të bashkuar të sigurisë, statistikave dhe kombësisë. Pashiç, tha se sovraniteti i udhëheqjeve të Krahinave dhe i Republikës kanë “paralizuar procesin”.

5.         Janë bërë përpjekje për ta trajtuar këtë çështje me guxim, ku rasti i fundit i përket vitit 1977. Ivan Stamboliç, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, tha në një mbledhje të kohëve të fundit të Komitetit Qendror të Serbisë se diskutimet në vitin 1977 kishin shkuar keq dhe nuk ishin në gjendje të jepnin një përgjigje të qartë – “Krahinat socialiste autonome nuk janë dhe nuk mund të jenë komunitete shtetërore”. Pashiç tha për këto bisedime se ishin ndërprerë menjëherë: “ato kapitulluan në një lloj oportunizmi politik. Frika e konfrontimeve të hapura politike bëri që kjo temë të hiqej nga axhenda; çdo gjë u lejua të vazhdonte siç ishte”. Konkluzionet e këtyre diskutimeve nuk janë publikuar asnjëherë.

6.         Nëse tema është mbajtur fshehur si shumë e vështirë në vitin 1977, ndërkohë që Tito ishte ende gjallë, pse sot politikanët thonë se kjo temë duhet të vendoset në axhendë, siç u shpreh Millosh Miniç në mbledhjen e fundit të KQ-së të LKJ-së “për të parë thelbin e saj dhe për të ndërmarrë zgjidhjet e saj”? Është e qartë se ata e kanë nxjerrë konkluzionin nga ngjarjet në Kosovë që mos-qartësimi i kompetencave të Krahinës është një nga shkaqet e trazirave të sotme. Në të vërtetë, në mbledhjen e fundit të KQ të LKJ u tha se “praktika e kthimit të Krahinës pothuajse ekskluzivisht në Federatë dhe shpërfillja e komunikimit me Serbinë krijuan probleme politike”. David Miller është duke shkruar më vete për problemet e mëtejshme qe rrjedhin nga negociatat e pavarura të Kosovës për marrëveshje kulturore me Shqipërinë.

7.         Megjithatë, është e vështirë të shohim nëse diskutimi i vështirë për këtë temë mund të jetë më i suksesshëm sot sesa më parë, duke marrë parasysh dallimin e gjerë midis vendosmërisë së Serbisë që Krahinat duhet të pranojnë statusin e tyre aktual kushtetues dhe së njëjtës vendosmëri (më konkretisht të Kosovës) për t’u mbajtur fort pas pavarësisë së vërtetë që ata kanë fituar në praktikë. Duhet të shtoj se Vojvodina nuk po kërkon asnjë lloj ballafaqimi në këtë çështje, por pozita e Kosovës natyrisht që është ndryshe. Në të vërtetë, nëse udhëheqja e saj do të pasqyronte pikëpamje nacionaliste-lokale, ajo do të kërkonte pavarësi edhe më të madhe. Pashiç, bëri të qartë që një diskutim i tillë nuk duhet të lejohet, duke thënë se ishte e nevojshme të lihej mënjanë çdo dyshim që nënkuptonte kërkesën për rishikimin e Kushtetutës. Një gjë e tillë do të çonte në “rraskapitje dhe destabilizim”. Ai tha se çështja më tepër këtu kishte të bënte me vendosjen në axhendë të dobësive për plotësimin e kushtetutës, dhe jo vetë kushtetutën. Ai besonte se duhej bërë çdo gjë për të zbatuar kushtetutën saktësisht siç ishte shkruar – as më shumë, as më pak. Nëse, siç mund të parashikohet, udhëheqja e Kosovës pajtohet me këtë, marrëdhënia kushtetuese midis Kosovës dhe Serbisë mund të përfundojë në një përcaktim më të saktë të saj, por sipas mendimit tim, kjo nuk do të zhdukte aspiratën e kosovarëve për vetëvendosje në mënyrë më përfundimtare sesa mjetet e përdorura për shtypjen e saj në përfundim të Luftës. Ka qartazi njëfarë objektivi për të rregulluar dhe zbatuar dispozitat aktuale të kushtetutës së Serbisë dhe asaj të Kosovës qoftë edhe vetëm për të zgjidhur çështjet e bllokuara, por ekziston rreziku që gjatë procesit mund të dalin një numër çështjesh të vështira politike mbi bazën e marrëdhënies aktuale. Për këtë arsye, ekspertët kushtetues duhet të zgjedhin një rrugë shumë të vështirë midis zonave të minuara nacionaliste.

8.         Unë dhe ambasadori do t’i bëjmë një vizitë të shkurtër Pashiçit, më 21 maj, dhe do të përpiqemi ta nxisim atë flasë për këtë temë të ndërlikuar dhe delikate.                                                                                                                                                I Juaji,   T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (IX)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura