DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XI)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XI)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-47-

Për përdorim të kufizuar

A. E. Montgomery Esq                                                                          Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                      Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                10 qershor 1981

I nderuar Alan,

Kosova: situata e brendshme politike

1.         Siç e kam raportuar në letrën time të datës 27 maj, gjithnjë e më shumë çështje po dalin në shtyp lidhur me përgjegjësinë politike për gjendjen aktuale në Kosovë. Në veçanti, vazhdon të shfaqet kërkesa e përsëritur e Joze Smoles që të publikohet vlerësimi i Kardeljit i vitit 1977. Çështja u ngrit nga gazetarët jugosllavë në një konferencë për shtyp të dhënë nga Azem Vllasi, kryetar i Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 5 qershor; gjithashtu gazeta “NIN” këtë javë ka tërhequr përsëri vëmendjen ndaj saj, duke botuar një intervistë me Mitja Ribiçiç nën titullin: “Çfarë tha Kardelj”.

2.         Ribiçiç, kryetar i Aleancës Socialiste të Sllovenisë, ka qenë subjekt i  një sërë intervistash gjatë muajve të fundit kryesisht sepse, unë dyshoj, ai e ka zakon të shprehë mendimin e tij në një gjuhë të thjeshtë, gjë për të cilin ai është kërkuar nga kolegët e tij të dëshmojë kur herë pas here e kalon masën. Me këtë rast, gazeta “NIN”, pyeti ndër të tjera nëse ai mund të jepte thelbin e asaj që Kardelj ka thënë për aktivin politik në Kosovë në vitin 1977. Përgjigja e tij ngre pyetje të tjera të vështira.

3.         Ribçiç tha se edhe një shikim i shpejtë në temën e këtij diskutimi tregon se “nuk duhet të ishim çuditur për atë që ndodhi gjatë muajve të fundit në Kosovë”. Ai besonte se Kardelj, “megjithëse pati përpjekje për ta çorientuar atë”, ka dhënë një vlerësim që edhe në ditët e sotme ishte jashtëzakonisht interesant dhe paralajmëronte për kundërrevolucionin që kishte ndodhur që atëherë. Kardelj kishte thënë se ishte e vështirë të bihej dakord që situata politike ishte aq “e mirë” sa ata thonin dhe se gjithsesi nuk do të zgjaste nëse “ata” vazhdonin siç po bënin, pra nëse ata vepronin pa pyetur për interesat më të gjera të të gjithëve dhe kërkonin zgjidhje për problemet e Kosovës vetëm përmes kërkesave për më shumë para ose, sikurse u shpreh Ribçiç, “përmes një marrëdhënieje parazitare me ata që garantonin fondet”.

4.         Kardelj paralajmëroi gjithashtu për rreziqet e politikës në drejtim të fshatrave, gjë që rezultoi në migrimin e një numri të madh të rinjsh jashtë vendit ose në qytete për të studiuar apo punuar, duke shkaktuar probleme serioze sociale dhe politike.

5.         Kardelj e pa nacionalizmin shqiptar pjesërisht si rezultat i nacionalizmit më të hershëm serb por vlerësonte se shqiptarët, si shumicë, kishin tani përgjegjësi për të drejta të barabarta të nacionaliteteve të tjera. Kishte arsye mjaft objektive për nacionalizmin shqiptar në prapambetjen e Kosovës dhe traditat e vjetruara, që mund të bëheshin shkak për kundërrevolucion pa krijuar interesa të veçanta për nacionalitetin shqiptar.

6.         Në fund, Kardelj pranoi se ekzistonte faktori i emigrantëve shqiptarë, por duket se i hoqi nga mendja duke  menduar se nuk ishin në gjendje që të dëmtonin Jugosllavinë. Ai foli gjithashtu për disa manifestime ftohjeje të udhëheqjes në Kosovë nga populli, për privilegje…

7.         Me pak fjalë, Ribçiç, i cili ka ose kujtesë të jashtëzakonshme ose kopje të asaj çfarë tha Kardelj (unë dyshoj për këtë të fundit), thoshte se Kardelj kishte parë me saktësi se nga frynte era në Kosovë pikërisht katër vjet më parë. Ajo çfarë Ribçiç nuk tha, por çështja është lënë qartazi pezull, është se përse nuk është bërë asgjë për të ndrequr tendencën e dëmshme nga njerëz të cilët, përveç Bakallit, ishin në pushtet atëherë dhe janë ende sot. Vllasi tha në konferencën e tij për shtyp që ai personalisht nuk e besonte se kishte përpjekjet të qëllimshme për të zhdukur regjistrimin e diskutimit të Kardelj, por është e qartë se gazetarët dhe të tjerët pikërisht këtë mendonin. Kushdo mund të supozojë se autoritetet nuk mendojnë se do të ishte në interesat e tyre që të zbulonin çdo gjë aktualisht por sipas mendimit tim ata do të duhet që herët a vonë të nxjerrin të vërtetën, nëse vazhdon presioni i tanishëm për të kërkuar shpjegim.

8.         Me artikullin e saj të përditshëm për Kosovën, gazeta “Politika” e datës 9 qershor, të cilën Charles Crawford është duke e raportuar në hollësi, ndihmon për të ndjekur presionin me një seri pyetjesh të mprehta lidhur me përgjegjësinë për situatën. Duke renditur mangësitë e panumërta të Universitetit të Prishtinës, gazeta “Politika” pyet se çfarë kanë bërë për to 4,800 anëtarët e LK-së në radhët e studentëve dhe stafit mësimdhënës. Organizimet e LK-së të Universitetit janë të lidhura me Konferencën e LK-së të qytetit, e cila thekson gazeta “Politika”, ende nuk e ka vlerësuar situatën në Universitet, përveç disa kritikave verbale. Pyetja e papritur është – pse jo? Gazeta “Politika” vazhdon më tej duke theksuar se shumica e stafit mësimdhënës ishte emëruar “pa dijeninë dhe influencën e fakulteteve”. Askush nuk pyet pse, thotë gazeta “Politika”, e madje as Konferenca e LK-së së Prishtinës, e cila ka përgjegjësi të konsiderueshme për situatën në Universitet. Studentët mbarojnë universitetin pa ditur gjënë e parë mbi marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe Federatën. Për çfarë është stafi mësimdhënës? – pyet gazeta “Politika”. Më seriozisht, gazeta “Politika” pyet se si ka ndodhur që kjo marrëdhënie është hequr nga dokumente të ndryshme zyrtare, për të cilat organet e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës janë përgjegjëse dhe askush nuk është kërkuar ende të përgjigjet për këtë apo është përjashtuar nga LKJ-së.

9.         Objektivi kryesor i gazetës “Politika” është universiteti, ku më në fund dhe haptazi me shumë ngurrim, rektori dhe dy zëvendësrektorët paraqitën dorëheqjet e tyre javën e kaluar, të cilat u pranuan nga Këshilli i Universitetit në mbledhjen e tij të datës 9 qershor. Universiteti, vëren gazeta “Politika”, i detyrohet një përgjigje të gjithë atyre punëtorëve të cilët kanë investuar në të. Po kështu, Konferenca e LK-së së Prishtinës u detyrohet një përgjigje. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë përgjigje në të ardhmen, por të krijohet përshtypja se në qarqet politike po kuptohet shumë ngadalë se nuk është më e mundur që njerëzit në poste të larta të shmangen nga përgjegjësia për gabimet e tyre, qoftë të veprimeve a mosveprimeve. Një zëvendëssekretar i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës dha dorëheqjen javën e kaluar. Duket e sigurt se drejtues të tjerë do të marrin tatëpjetën.

                                                                       I Juaji, T. J. Clark

P. Rennie Esq; P. Rosling Esq

Departamenti i Kërkimit, Zagreb

                                                           -48-

Për përdorim të kufizuar

J C R Gray Esq                                                                                     Ambasada britanike          

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                 Beograd         

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                            10 qershor 1981

I nderuar Charles,

Kosova: një kronologji e ngjarjeve

1.         Vazhdimisht ju kemi informuar në mënyrë mjaft të plotë për ngjarjet në Kosovë, shpresoj, pa ju mbingarkuar me shumë detaje. Aq shumë ngjarje janë duke ndodhur çdo ditë në Krahinë dhe aq shumë informacione të reja filtrohen për ngjarjet e kaluara sa kemi vendosur që të mbajmë një kronologji të tyre me qëllim që të mos humbasim ndjekjen e fillit kryesor.

2.         Gazeta “Politika” dhe disa gazeta të tjera kishin të njëjtën ide. Gazeta “Politika” sapo ka publikuar kronologjinë e ngjarjeve në formë libri (një kopje e të cilit i është dërguar vetëm Departamentit të Kërkimit). Bashkangjitur po ju dërgoj kronologjinë e bërë nga Jon Ward nga data 11 mars deri më 31 maj, e cila mund të jetë e dobishme për ju. Ne do të vazhdojmë të mbajmë kronologjinë e ngjarjeve, nëse ato vazhdojnë të ndodhin me ritmin aktual.

3.         Vlen të theksojmë dy pika që dalin nga një kronologji e tillë. Së pari, ka pasur qartazi shumë më tepër punëtorë të përfshirë në demonstratat e prillit sesa ishim drejtuar për të besuar. Për më tepër, ka qenë shumë e vështirë për të bindur personat e përfshirë që të pranonin gabimet e tyre. Kjo është shqetësuese për autoritetet për të cilat “punëtorët” kanë një domethënie të veçantë ideologjike dhe shihen si tejet të pastër. Së dyti, aktiviteti antiserbo-malazez ka ndodhur gjithashtu në shkallë më të gjerë sesa autoritetet u përgatitën të pranonin fillimisht. Kjo thyerje e “vëllazërisë dhe unitetit” është veçanërisht shqetësuese për autoritetet meqenëse vë në dyshim efektivitetin e një prej pikave kryesore të politikës së brendshme të Titos. Më shumë në këtë çështje do ju njoftoj së shpejti.

I Juaji,

                                                                                                                 T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                           -49-

Konfidenciale

J C R Gray Esq                                                                                      Ambasada britanike

EESD                                                                                                                Beograd

FCO                                                                                                             10 qershor 1981                     I nderuar Charles,

Kosova: situata e brendshme dhe universiteti i Prishtinës

1.         Kjo javë ka kaluar përsëri me diskutime pa rezultat për situatën në Kosovë në një seancë të Kuvendit të Kosovës dhe një nga Konferencat Krahinore të LKJ-së së Prishtinës. Nuk ka shenja se autoritetet po ia dalin “për të diferencuar” më me efektivitet dhe mungesa e progresit në këtë drejtim në Universitetin e Prishtinës në veçanti ka shkaktuar kritika shumë të ashpra nga shtypi. Çdo ditë publikohen më shumë detajeve të incidenteve të mëparshme nacionaliste në Kosovë, duke theksuar në mënyrë dramatike shtrirjen e dallueshme të fshehjes zyrtare që ka ndodhur gjatë një periudhe të gjatë para demonstratave të fundit.

Kuvendi i Kosovës dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës

2.         Megjithëse mbledhja e Kuvendit të Kosovës, më 3 qershor, mund të mos ketë arritur shumë sukses në propozimin e zgjidhjeve, ajo prodhoi një masë informacionesh mbi aktivitetin e vazhdueshëm nacionalist në Krahinë. Një raport i përgatitur për Kuvendin mbi situatën politike midis 24 prillit dhe fundit të majit dha një përshkrim shqetësues të aktivitetit të përhapur, megjithëse në shkallë të vogël, dhe armiqësor: fletushka dhe parulla që lavdëronin Shqipërinë dhe kërkonin lirinë dhe u shfaqën kërkesat për lirinë e të burgosurve politikë; varret serbe ishin dhunuar dhe një kopsht frutor serb ishte shkatërruar; u raportuan dy greva; bojkotet e shkollave të mesme ishin të shumta; gjithashtu u bënë përpjekje të mëtejshme për të organizuar demonstrata (megjithëse konfiskimi i aparaturave të fotokopjeve dhe makinave të shkrimit kishin ndihmuar për të penguar një lëvizje të tillë). U bënë thirrje për dorëheqje në Universitetin e Prishtinës, ku edhe kishin shpërthyer trazirat kryesore. Një delegat u ankua se spastrimi po kryhet nga vegjëlia në nivelet më të larta dhe jo anasjelltas.

3.         Siç raportoi së paku gazeta “Politika”, mbledhja e Konferencës Krahinore të LKJ-së së Prishtinës, më 6 qershor, ishte një çështje shumë më pak interesante, për të cilën u përsëritën ankesat e përbashkëta deri më tani për dobësi në LKJ-së. Asllan Fazlija, kryetar i Konferencës, tërhoqi vëmendjen në “një klasë dhe strukturë të luftës revolucionare të papërshtatshme, organizim të pamjaftueshëm, veçanërisht në zonat më të mëdha ekonomike dhe në Universitet, si dhe nivel të ulët ideologjik dhe mungesë gatishmërie për anëtarësim”. Mospërputhja dhe njëanshmëria në zbatimin praktik nga LKJ-ja të politikave në lidhje me barazinë kombëtare, “veçanërisht në politikën e punësimit dhe kuadrove”, kishte ndihmuar në krijimin e ndjenjës së pasigurisë në mesin e serbëve dhe malazezëve. Tashmë kishte më shumë kërkesa prej tyre për t’u larguar nga Prishtina. “Eksodi i kuadrove të nevojshëm për ekonominë e Prishtinës dhe Kosovës ishte veçanërisht i dëmshëm” (Kemi në plan të raportojmë më vete për problemin e emigrimit të joshqiptarëve). Më 8 qershor, gazeta “Politika” e bëri të qartë se kjo mbledhje ishte e pasuksesshme. Seanca prej tetë orësh ishte marrë me argumente të vjetra dhe jo me paraqitjen e këndvështrimit vetëkritik të përgjegjësive kolektive dhe individuale të anëtarëve, thuhej në këtë artikull. Këto ngjarje kishin rrënjë të thella. Ajo që u përmend mjaft shpesh, por që nuk u shpjegua siç duhet, ishte kalimi në heshtje i propagandës nga Shqipëria dhe politikat e kuadrove para demonstratave.

Universiteti i Prishtinës

4.         Ankesa për një kohë të gjatë se anëtarët më të lartë të Universitetit të Prishtinës i janë shmangur përgjegjësisë për trazirat e krijuara, e që u përsërit me forcë në Kuvendin e Kosovës, më në fund dha rezultate. Më 1 qershor, u njoftua ofrimi i dorëheqjes i një prej zëvendësrektorëve; ndërkohë më 5 qershor u njoftua se rektori dhe një tjetër zëvendësrektor kishin ofruar dorëheqjen e tyre. Rektori u shpreh se po jepte dorëheqjen “për arsye të ndërgjegjes dhe ndjenjës së përgjegjësisë për situatën e përgjithshme në Universitet dhe në lidhje me të”.

5.         Sidoqoftë, këto gjeste vetëdiferencimi nuk mjaftonin për të kënaqur gazetën “Politika”, e cila më 9 qershor publikoi një artikull të gjatë sulmues dhe depërtues mbi mënyrën se si ishte drejtuar Universiteti. Konkluzioni i artikullit ishte se informacionet për Universitetin dhe menaxhimin e tij ishin të paqarta ose të pakuptueshme. Vlerësimet për numrin e studentëve, për shembull, varionin nga 48,000 në 54,000 dhe në një mbledhje të vetë Rektoratit javën e kaluar ishte vënë(në mënyrë të paqartë) në dukje se “asnjë nuk e di me saktësi sa është numri i studentëve, përveç gjatë rekrutimit kur zyra e ushtrisë gjen listat e dyfishta”. Studentët diplomoheshin ndërkohë që nuk dinin asgjë për statusin e Kosovës në Serbi dhe në Federatën Jugosllave, për progresin social në Krahinë, apo për pozitën e Jugosllavisë në botë (kjo ndodhte pasi disa nga studentët kishin më shumë se nëntë vjet në Universitet!). Megjithëse kishte pretendime se doktoratat ishin marrë “menjëherë” dhe se, sado të kushtonte, po krijoheshin kuadro shqiptarë pa formimin e duhur shkencor, askush nuk i kushtoi vëmendje. “Për çfarë ishin duke i përgatitur profesorët studentët e tyre? A ishin duke i ndarë ata gradualisht nga Serbia dhe Jugosllavia duke lartësuar historinë shqiptare, duke evokuar romanticizmin dhe “faktet historike” të sapo zbuluara për historinë e Ballkanit? Vështirë të besohet se këta profesorë vepronin nga injoranca”.

6.         Duke i renditur këto defekte në punët e Universitetit, gazeta “Politika”, u shpreh se heshtja ishte gjithashtu faji i institucioneve dhe agjencive krahinore të cilat i kishin bekuar politikat e këtij Universiteti. Kështu për shembull, kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte thënë se ata kishin mësuar për krijimin e Universitetit vetëm nga gazetat, duke shtuar se Kuvendi nuk ishte shprehur në zgjedhjen e organeve të Universitetit me gjithë faktin se vetë Kuvendi e kishte miratuar ligjin për rregullimin e tyre. Në Konferencën Krahinore të Prishtinës ishte thënë se dekanët dhe zëvendësdekanët ishin emëruar “përtej dijenisë dhe influencës së fakulteteve”. Por lind pyetja, nga kush u emëruan atëherë? “Komunistët e pranishëm, fëmijët e të cilëve ishin në Universitet, nuk kërkuan asnjë shpjegim dhe as nuk u dha ndonjë i tillë”. Stema e Serbisë ishte hequr nga dëftesat e shkollave fillore dhe simboli që tregonte pozitën e Kosovës brenda Jugosllavisë ishte zhdukur nga dyert e institucioneve krahinore, vendime këto që duhet të jenë miratuar nga Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Kosovës.

7.         Është thënë në shumë raste se “procesi i diferencimit” në Universitet kishte ecur veçanërisht ngadalë. Gazeta “Politika” raportoi se takimet e LKJ-së nuk ishin në gjendje të fitonin kuorumin e nevojshëm meqenëse studentët tani ishin në shtëpi. Në të vërtetë, Këshilli i Universitetit ishte vonuar në zhvillimin e mbledhjeve të tij për shkak të pamundësisë për të krijuar kuorumin e duhur, megjithëse takimi i radhës pritej të paraqiste një debat mbi përgjegjësinë dhe mënyrën se si Universiteti ishte bërë “një shtrat i ngrohtë i nacionalizmit”. Punëtorëve dhe njerëzve të tjerë si në Kosovë dhe në Jugosllavi në përgjithësi të cilët kishin investuar shuma të mëdha për qëllime arsimimi u duhej dhënë një përgjigje për këtë pyetje, tha gazeta “Politika”, dhe Konferenca Krahinore e Prishtinës, anëtarët e së cilës ishin gjithashtu komunistë nga Universiteti, duhej të jepnin një të tillë. “Megjithatë, fjalët e censurës të shprehura me zë të lartë dhe të përditshme, nuk mund të zëvendësojnë veprimin konkret. Shumë komunistë të Universitetit, si nga radhët e profesorëve dhe të studentëve, dështuan në këtë provim”.

8.         Megjithatë, një veprim konkret u shënua më 6 qershor. Që prej vitit të ardhshëm akademik e në vazhdim, komunitetet lokale ishin ngarkuar me përgjegjësinë për të vendosur se kush nga studentët duhet të kishte vende në konviktet për studentë, por gjithsesi, asnjë student që banonte 30-40 kilometra larg Prishtinës nuk do të përfitonte vend në konvikt meqenëse transporti në Prishtinë ishte i mirë organizuar. Kështu, 600 vende do të liheshin rezervë për studentët që vinin nga vendet e tjera në Jugosllavi.

Manifestimet nacionaliste

9.         Vlen të përmenden disa nga incidentet që shtypi i ka raportuar kohët e fundit për të treguar se çfarë lloj sjelljesh janë llogaritur për të shkaktuar shqetësime ose pakënaqësi. Kështu, dy vjet më parë në një turne ballkanik volejbolli në Prishtinë, ekipi i femrave jugosllave, me sa duket “shpërtheu në lot për shkak të fishkëllimave dhe vërshëllimave të ashpra të spektatorëve ndërkohë që shqiptarët i gëzoheshin këtyre ‘pritjeve miqësore’ ”. Profesorët ishin duartrokitur sepse kishin lavdëruar Enver Hoxhën dhe denigruar Jugosllavinë në leksionet e tyre. Për disa punë jepej pagesë ekstra për njohjen e gjuhës shqipe, por jo për njohjen e gjuhës serbe. Fotoja e Titos ishte hequr nga faqja e zakonshme në disa libra leximi për klasën e parë në shkollat për të vegjlit. Shenjat e rrugëve me emrat e heronjve kombëtarë si dhe bustet dhe statujat e tyre ishin vjedhur. Qeleshe të bardha shqiptare ishin vënë më parë dhe vazhdonin të viheshin “në mënyrë provokative” (me sa duket nga të rinj të cilit nuk do pranonin t’i mbanin veshur). Nga ana tjetër, dyqanet shqiptare gjetkë në Jugosllavi u bojkotuan nga publiku gjatë javëve të fundit. Shumë prej këtyre rasteve dhe të tjera si këto kanë shijen e veprave të këqija spontane dhe jo të “aktivitetit armiqësor” të bashkërenduar, megjithëse është e rëndësishme të kuptohet pikërisht se sa dëshpërues ka qenë dështimi i nxitjeve standarde për “vëllazëri dhe unitet” në Kosovë krahasuar me bashkekzistencën në dukje të suksesshme të nacionaliteteve të ndryshme (megjithëse në mënyrë të konsiderueshme më të sofistikuar) në Vojvodinë.

Komente

10.       Tabloja mbetet e zymtë, me gjithë kërkesën e Azem Vllasit në një konferencë për shtyp që ai mbajti për gazetarët jugosllavë sipas të cilit shtypi “injekton njëfarë optimizmi” në raportimin e tyre. “Me të vërtetë, në disa zona njeriu fiton përshtypjen se situata është e pashpresë, por duke e parë përballë në tërësinë e vet, tabloja është optimiste”. Përshkrimi i problemeve të kësaj jave në Universitetin e bujshëm zor se nxit një këndvështrim të tillë. Përshtypja e krijuar flet për një institucion të zvarritur, i cili prodhon çdo vit një numër të madh të diplomuarish të kualifikuar jo siç duhet (në mos injorantë) dhe i administruar në mënyrë joefikase në shkallë të gjerë nga shqiptarë të vrazhdë dhe evazivë. Përpjekjet e bëra deri më sot për t’u ndeshur me këtë monstër jashtëzakonisht të shtrenjtë “të ngritur përtej kërkesave të punës që lidhet me të, gjigante në madhësinë e saj, por të varfëruar në potencialin e kuadrove të vet” (siç e quajti gazeta “Politika”) ka dështuar qartazi. Në Kosovë në përgjithësi dhe në Universitet në veçanti, pulat e vetmenaxhimit janë kthyer në kotecet e tyre të decentralizuara.

                                                                                                                              I Juaji,

                                                                                                            Charles Crawford

                                                                                                          Oficer Informacioni

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

                                                           -50-

Për përdorim të kufizuar

Fm Beograd 1510312, qershor ’81                                                                  (Kopje origjinale)

To routine FCO

Tel. nr. 98, datë 15 qershor 1981

Përsëritur për Zagreb

Nr. ynë i telegramit 93

Kosova

  1. Sekretariati federal i Marrëdhënieve me Jashtë më ka informuar zyrtarisht se turistët e huaj nuk do të lejohen të vizitojnë Kosovën deri në një njoftim tjetër. Në lidhje me biznesmenët çështja është si në rastin e turistëve.

             [Ky telegram nuk është përcjellë]

CLARK

ENU 015/3

17 qershor 1981

EESD

CONS D

NEWS D

                                                                               -51-

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit

Londër SW1A 2AH

T. J. Crarke Esq

Beograd                                                                                             15 qershor 1981

Kosova: situata e brendshme politike

1.         Ju falënderoj shumë për letrën tuaj të datës 10 qershor, ku raportoni komente interesante të Ribiçiç në lidhje me “atë që ka thënë Kardelj”. Mesazhi që përcillet me zë të lartë dhe qartë është se i tërë episodi i Kosovës po trajtohet me një shkallë të habitshme transparence; gjithashtu çdokush pyet veten se çfarë efektesh (plotësisht të ndara nga implikimet e vetë ngjarjeve të Kosovës) do të kenë këto ngjarje dhe jehona e tyre për çështje kaq të gjera si liria e shtypit dhe llogaridhënia e zyrtarëve dhe ministrave.

  • Më lejoni t’ju falënderoj ju dhe anëtarët e tjerë të Misionit për raportimin  gjithëpërfshirës mbi problemin e Kosovës. Ka interes të konsiderueshëm këtu për këto ngjarje dhe jemi ndjerë në një pozitë të mirë për të hartuar përmbledhje raportimesh etj., falë informacioneve shumë të detajuara dhe analizave të matura që keni dërguar ju.

16 qershor 1981

A. E. Montgomery

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore

Për dijeni: P. Rosling Esq, Zagreb

 P. Rennie Esq, Departamenti i Kërkimit     

-52-

Për përdorim të kufizuar

Fm Beograd 120800z, qershor ’81                                                             (Kopje origjinale)

Informacion rutinë për FCO

Tel. nr. 93, datë 12 qershor 1981                                                                 16 qershor 1981         

Nr. i telegramit tuaj 74

Kosova             

1.         Nuk është bërë ende e mundur të merret vija e qartë zyrtare për vizitat e turistëve në Kosovë. E kam ngritur këtë çështje me Vrhovec, më 9 qershor, por ai nuk kishte informacion për këtë dhe ia la Departamentit që të na jepte një përgjigje. Sondazhet nga stafi im me protokoll tregojnë se turistët nuk e përsëris nuk, duhet të shkojnë në Kosovë. Biznesmenët duhet të bëjnë kërkesë përmes nesh për leje, e cila zakonisht do të jepet me kusht që firmat pritëse të jenë të gatshme për t’i takuar dhe të kujdesen për ta.

2.         Sugjeroj që përgjigjet e pyetjeve të jepen përmes kësaj këshille jozyrtare deri kur të marrim përgjigjen e premtuar.

                                                    [Ky telegram nuk është përcjellë]

Bolland                                                                                 

MIMIMUM

EESD

CONS. D

NEWS. D

                                                                               -53-

GRS 1390                                                                                                       Kopje origjinale

Fm Beograd 121345z, korrik ‘81

Prioritet parësor FCO

Nr. tel. 86 datë, 10 qershor 1981

përsëritur prioritet për UKDEL NATO, Washington, Moduk.

Telegrami im nr. 85                                                                                            15 qershor 1981

Kosova: situata e sigurisë

1.         Herljeviç, sekretari Federal për Punët e Brendshme, i paraqiti Kryesisë Federale më 9 qershor vlerësimin më të hollësishëm deri më sot mbi situatën e sigurisë në Kosovë.

2.         Herljeviç ia atribuoi aktivitetin kundërrevolucionar në Krahinë fushatës së vazhdueshme dhe të mirë organizuar nga nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë, të cilët kanë arritur të fitojnë dimensionet aktuale si rezultat i indoktrinimit të gjerë dhe të thellë, tolerancës së gjatë dhe mungesës së vigjilencës politike ndaj saj. Përgjegjësia për këtë qëndrim tolerant ishte akoma më e madhe, pasi Tito në vitin 1975 dhe 1979 dhe Kardelj në vitin 1977 kishin dhënë paralajmërime të qarta.

3.         Në mars dhe prill, irredentistët dhe nacionalistët shqiptarë kanë organizuar 16 demonstrata dhe aksione të tjera në 11 komuna të Kosovës, në të cilat ata iu kthyen përdorimit të dhunës, duke përfshirë të shtënat dhe shkatërrimin e pronës shoqërore dhe vetjake, e duke rrezikuar kështu sigurinë e njerëzve. Ai përsëriti se 9 njerëz (8 demonstrues dhe 1 milic) humbën jetën e tyre dhe 257 të tjerë (133 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 124 demonstrues) u plagosën. Ai theksoi se Sekretariati Federal i kishte propozuar Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës para demonstratave më 25/26 mars që të kërkonte ndihmë nga jashtë Krahinës. Autoritetet kosovare refuzuan dhe kërkuan ndihmë vetëm kur nuk qenë në gjendje të përballonin prishjen e qetësisë dhe rendit. Ai zbuloi më tej se që më 3 prill e deri më 26 maj nacionalistët ishin përpjekur rreth 10 herë për të organizuar demonstrata dhe ia dolën në tre qytete të vogla dhe tre herë në Prishtinë.

4.         Forcat e sigurisë kishin zbuluar një numër organizatorësh të drejtpërdrejtë të cilët i përkisnin një organizate të njohur irredentiste “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të Tjera Shqiptare në Jugosllavi”. Kjo organizatë mbështeste Partinë e Punës së Shqipërisë dhe u organizua në sistemin Troika. Ajo e zhvilloi veprimtarinë e saj përmes “komiteteve lokale” dhe kishte edhe një organizatë rinie. Deri më sot janë zbuluar 9 organizata ilegale të kësaj “lëvizjeje”. Gjithashtu, janë identifikuar 5 anëtarë të “Komitetit Qendror” të saj, 3 nga të cilët janë arrestuar dhe 2 janë jashtë vendit. Një numër i anëtarëve të organizatës “Lëvizja” ishin aktivë në radhët e punëtorëve shqiptarë jashtë vendit ku kishin formuar një organizatë të njohur si “Fronti i Kuq Popullor” i cili mbështeste Partinë e Punës së Shqipërisë dhe kishte lidhje me Kosovën dhe pjesë të tjera të Jugosllavisë. Kohët e fundit janë arrestuar 1,700 veta nga të cilët 506 janë dënuar, si dhe ka filluar procedimi penal ndaj 154 të tjerëve. Ai shtoi se pjesa më e madhe e këtij grupimi të fundit ishin intelektualë.

5.         Përveç “Lëvizjes” së përmendur më lart, ai deklaroi se në vitin 1979 deri 1981 ishte zbuluar një organizatë tjetër – Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare e Jugosllavisë. Kjo organizatë kishte të njëjtin objektiv si organizata “Lëvizja”, pra shkëputjen e të ashtuquajturave pjesë shqiptare të Jugosllavisë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë e Madhe.

6.         Duke iu kthyer përsëri organizatës “Lëvizja”, Herljoviç tha se deri tani ishin identifikuar 137 njerëz. Disa prej tyre ishin dënuar më parë për aktivitet armiqësor dhe një numër i caktuar kishte pasur lidhje me shërbimin inteligjent shqiptar dhe emigrantët shqiptarë armiqësorë në Perëndim.

7.         Anëtarët e këtyre grupeve ilegale ishin angazhuar në shtimin e anëtarëve të rinj në sistemin Troika, duke shkruar dhe shpërndarë broshura dhe fletushka. Me arrestimin e tyre, janë gjetur materiale propagandistike që flasin për indoktrinimin e të rinjve në mbështetje të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ata po përgatiteshin për aktivitete armiqësore të dhunshme dhe masive.

8.         Ai tha se këto grupe, kanë planifikuar të arrijnë objektivat e tyre kundërrevolucionare në tri faza: së pari, indoktrinimi i nacionalizmit/irredentizmit, duke krijuar pakënaqësi në mesin e shqiptarëve dhe duke e bërë organizatën kështu një lëvizje masive. Së dyti, kryerja e aktiviteteve propagandistike dhe demonstratave me qëllim që të tërhiqnin shqiptarët. Dhe së treti, në rrethana të caktuara, organizimi i kryengritjes së armatosur dhe shkëputjes nga Jugosllavia. Kjo platformë ideo-politike nuk ndryshonte nga ajo e viteve të mëparshme, ku dallimi i vetëm në rrethanat aktuale ishte se njerëzit e përfshirë ishin më të arsimuar. Herljevic përsëriti detajet e operacioneve të sigurisë kundër organizatave ilegale në Kosovë prej vitit 1974 deri në vitin 1981 (referuar në letrën e Clark 015/2 të datës 18 maj drejtuar Montgomerit).

9.         Duke iu kthyer përgjegjësisë, Herljeviç tha se forcat e sigurisë në Kosovë ishin marrë kryesisht me individë nacionalistë dhe nuk kishin aktivë sa duhet në trajtimin e burimeve kryesore të frymëzimit, duke përfshirë atë nga Shqipëria. Për më tepër, disa individë që ishin përgjegjës për drejtimin e forcave të sigurisë dhe vetëmbrojtjes shoqërore nuk i dhanë rëndësinë e duhur politike dhe të sigurisë informacioneve për përgatitjen e aktiviteteve armiqësore në dispozicion  të tyre. Autoritet e sigurisë në Serbi dhe Federatë nuk morën informacionin e duhur në kohë për situatën në Kosovë.

10.       Herljeviç tha se situata mbetej shumë e vështirë pasi armiku nuk ishte zbuluar dhe neutralizuar ende. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që armiku mund të përpiqej të rifillonte aktivitete të tjera duke përdorur metoda më të egra të tilla, si: terrori, dhuna dhe rrëmbimi. Kjo tregohej nga këmbëngulja e armikut për të kryer forma subversione dhe forma të tjera të rezistencës pasive duke filluar me shkrimin e parullave armiqësore e deri tek vënia e zjarrit në prona. Ai vuri në dukje mënyrën me të cilën sinkronizoheshin parullat dhe broshurat si në përmbajtjen dhe kohën e shfaqjes së tyre. Ai përmendi më tej se forcat e sigurisë ishin vënë nën zjarr dy herë më 13 dhe 15 maj dhe se në pjesë të tjera të Jugosllavisë kishin ndodhur aktivitete armiqësore duke përfshirë përpjekjet për një demonstratë në Lubjanë.

11.       Herljeviç u shpreh se qarqet zyrtare shqiptare, shtypi, radio dhe televizioni mbështesnin irredentistët dhe i inkurajonin ata për aktivitete të reja armiqësore, duke përfshirë në këtë kategori bombën e hedhur në Ambasadën jugosllave në Tiranë. Ai pretendoi se ishte zbuluar një numër i caktuar agjentësh i shërbimit të fshehtë shqiptar në radhët e organizatave ilegale dhe organizuesve të demonstratave në Kosovë. Emigrantët shqiptarë të “Frontit të Kuq Popullor” dhe ustashë jashtë vendit ishin përfshirë gjer më sot në 20 demonstrata. Në këtë drejtim, ai theksoi se autoritetet e disa vendeve perëndimore nuk kishin ofruar mbrojtjen e duhur për qytetarët jugosllavë. “Fronti i Kuq Popullor” ishte mbështetur nga anëtarë të ndryshëm të grupeve fraksioniste marksiste-leniniste të Partive Komuniste në vende të ndryshme perëndimore të cilat njihej se kishin kontakte me Shqipërinë. Emigrantët fashistë shqiptarë kishin nisur sërish të hedhin bomba në zyrën e aviokompanisë jugosllave “JAT” dhe zyrën jugosllave të shoqatës së turizmit në Bruksel. Ai tha se ishte e nevojshme për të parandaluar këtë lloj aktiviteti jashtë vendit duke i kushtuar më shumë vëmendje punëtorëve jugosllavë me origjinë shqiptare të cilët ishin të ekspozuar ndaj indoktrinimit të zyrtarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të ndryshëm nacionalistë dhe irredentistë.

12.       Herljeviç tha se ngjarjet më të fundit treguan se forcat e brendshme të sigurisë së Kosovës ishin të pakta në numër dhe nuk ishin të pajisura dhe të përgatitura sa duhet. Kryesia e Kosovës kishte vendosur kohët e fundit që të rriste numrin e milicëve me 1,000 veta dhe të përmirësonte pajisjet e tyre. Në të njëjtën kohë do të dyfishohej numri i anëtarëve të shërbimit të sigurisë. Sekretariati Federal, Serbia dhe Vojvodina do të ndihmonin me formimin dhe pajisjen e njësive speciale të milicisë në Kosovë. Duke pasur parasysh situatën aktuale, ishte e nevojshme që të mbeteshin në fuqi masat e sigurisë të përfshira në periudhën e demonstratave, duke përfshirë praninë e forcave të milicisë nga jashtë Kosovës.

13.       Herljeviç konkludoi se besonte që forcat e sigurisë do të ishin në gjendje të zbulonin armikun dhe ta neutralizonin atë, por që problemi më i madh do të ishte eliminimi i pasojave të indoktrinimit nacionalist.

Ky ishte një problem afatgjatë.

Bolland                                                                       (Ky telegram nuk është përcjellë)

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura