DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIII)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIII)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

-60-

Për përdorim të kufizuar

NR 2033

EM  ATM COPEU

CPE/BIL/ETR 145

Direkt për të gjithë COPEU

Grupi punës së Evropës Lindore

Situata në Jugosllavi

a)         Situata ekonomike

            Për shkak të krizës ekonomike kombëtare në shkallë të madhe, zhvillimi i situatës ekonomike në Jugosllavi është veçanërisht i pafavorshëm. Numri i të punësuarve u rrit në 1.200.000 (800.000 sipas të dhënave zyrtare). Norma e inflacionit, e cila në vitin 1980 ishte 50%, nuk parashikohet që të bjerë ndjeshëm në vitin 1981. Borxhi i jashtëm i vendit u rrit në 18 miliardë dollarë. Vështirësitë ekonomike çuan në rishikimin e programit ekonomik dhe zhvlerësimin e dinarit me 30% në mesin e vitit 1980.

b)         Çështja e kombësive

1)         Të përgjithshme

            Një prej problemeve më serioze me të cilat përballet udhëheqja post-Tito është ajo e pretendimeve të kombësive dhe pakicave (kroatët, sllovenët, maqedonasit, myslimanët, shqiptarët etj.), të cilat përbëjnë Republikën Federative të Jugosllavisë. Këto pretendime (të cilat janë nënvizuar nga pabarazia ekonomike midis krahinave të varfra dhe atyre të pasura) padyshim u bënë më këmbëngulëse pas vdekjes së Titos i cili falë personalitetit të tij të fuqishëm, ia doli me sukses që të ruante unitetin e mozaikut shumëkombësh të vendit të tij.

            Komuniteti shqiptar i Kosovës (1.200.000) përbën shumicën dërrmuese (80%) të popullsisë së rajonit. Ngjarjet e fundit aty çuan në krizën e parë të madhe nacionaliste në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos.

2)  Incidentet në Kosovë

A. Fakte

            Tablloja e Prishtinës, më 11 dhe 26 mars, vijoi më 1 prill me demonstrata masive. Kërkesa kryesore e demonstruesve ishte që ta bënin Krahinën Autonome të Kosovës Republikë të shtatë socialiste, të barabartë me gjashtë republikat e tjera. Megjithatë, kishte gjithashtu parulla në favor të “bashkimit me atdheun”.

            Autoritet jugosllave reaguan në mënyrë veçanërisht tronditëse duke dërguar ushtrinë dhe forcat e policisë pas demonstruesve, ku shumë njerëz u vranë dhe u plagosën. Kosova u deklarua zonë emergjente dhe për të huajt u ndalua hyrja në këtë Krahinë. Shumë persona u arrestuan dhe u morën masa të rënda, në veçanti kundër profesorëve, studentëve dhe mësuesve.

            Sipas të dhënave zyrtare jugosllave, 287 persona u dënuan për pjesëmarrje në demonstrata, 189 të tjerë u pushuan nga puna dhe 442 anëtarë të LK-së lokale u shkarkuan, përfshirë Bakallin, kryetar i Komunistëve të Kosovës. Për më tepër, u bllokua bashkëpunimi arsimor dhe kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë.

            Autoritetet e Kosovës akuzuan Shqipërinë se kishte organizuar aktivitete subversive kundër Jugosllavisë.

            Shtypi shqiptar mbështeti hapur kërkesat e demonstruesve dhe akuzoi Jugosllavinë se kishte shfrytëzuar elementin shqiptar. Sipas kundërsulmit të shtypit jugosllav, kjo përbënte një kërcënim ndaj integritetit territorial të vendit.

            Tensioni midis dy vendeve u përshkallëzua kur, më 23 maj, në Ambasadën jugosllave në Tiranë shpërtheu një bombë, ndërkohë që qeveria hodhi poshtë protestën jugosllave.

3)  Vlerësime

            Me gjithë polemikat e egra midis dy fqinjëve, nuk ka prova të prekshme se Shqipëria ka përkrahur trazirat në Kosovë. Për më tepër, fakti që shtypi shqiptar filloi të mbështeste kauzën e demonstruesve plot një javë pas trazirave, sugjeron më tepër se shqiptarët u zunë në befasi dhe se shkaqet e trazirave ishin të brendshme. Ky konkluzion ka të ngjarë që të përforcohet nga fakti se, disa muaj pas trazirave Kosova është ende në gjendjen e ndalimqarkullimit. Për më tepër, kushdo mund të vërejë se qëndrimi shqiptar është shprehur vetëm nga lajmet në media dhe se asnjë zyrtar i qeverisë nuk bëri asnjë deklaratë përkatëse. Përkundrazi, disa zyrtarë jugosllavë përdorën një gjuhë mjaft të fortë kundër fqinjëve të tyre, gjithsesi pa shkuar shumë larg që të mos rrezikonin në mënyrë permanente marrëdhëniet midis dy vendeve.

            Siç duket, dy vendet nuk dëshirojnë që t’i shtyjnë gjërat në ekstrem… Jugosllavia për shkak të frikës së saj se një Shqipëri plotësisht e izoluar, mund të kërkojë pas periudhës së Enver Hoxhës mbrojtjen e sovjetikëve dhe Shqipëria nga ana e saj, për shkak të nevojës së saj jetësore që të mbulohej nga një shtet politikisht i qëndrueshëm tampon kundrejt BRSS-së.

            Nga ana tjetër, nuk ka tregues se trazirat në Kosovë janë provokuar nga Bashkimi Sovjetik.

            Duket e sigurt se këto incidente janë shkaktuar nga kushtet e këqija politike dhe ekonomike që kanë mbizotëruar në Kosovë prej shumë vitesh. Aktualisht, Kosova është pjesa më pak e zhvilluar e Jugosllavisë – megjithëse zhvillimi i saj pas luftës ishte impresionues. Raporti i zhvillimit midis Kosovës dhe Kroacisë në vitin 1971 ishte 1:3,2 ndërsa shifra e sotme ka shkuar në 1:7.

            Veç kësaj, fakti që kjo krahinë banohet vetëm nga një pakicë josllave në Jugosllavi (përveç hungarezëve të Vojvodinës) e pengoi atë natyrisht për arsye politike që të garantonte statusin e Republikës.

            Popullsia shqiptare e Kosovës ka përshtypjen se është e klasit të dytë. Ky fakt së bashku me urrejtjen e tyre kundër Republikës Socialiste të Serbisë, brenda së cilës Kosova përbën një krahinë autonome, i nxiti kërkesat e tyre për pavarësi më të gjerë politike.

            Pranimi nga Qeveria jugosllave se Kosova duhet të marrë statusin e Republikës kërkon, gjë që ka pak gjasa, që të marrë parasysh faktin se një veprim i tillë do t’i jepte një goditje poshtëruese Republikës së Serbisë së cilës pas luftës i është shkëputur territori i Republikës Socialiste të Maqedonisë. Ky fakt gjithashtu do të krijonte precedent për Krahinën Autonome të Vojvodinës.

            Nga ana tjetër, ngjarjet në Kosovë vërtetuan se sa e gabuar ishte politika e Qeverisë federale për të inkurajuar kontakte të drejtpërdrejta të Kosovës me Shqipërinë veçanërisht në sektorët delikatë të bashkëpunimit midis universiteteve, programeve kulturore, shkëmbimit të profesorëve etj., duke lejuar kështu që brezi i ri i kësaj krahine të ndërgjegjësohej për origjinën e tij shqiptare.

            Në mesin e prioriteteve me të cilat po përballet udhëheqja jugosllave, natyrisht janë… a) rishikimi i sistemit të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe i strukturës lokale arsimore me qëllim që të shtypet nacionalizmi shqiptar; b) rishikimi i pushtetit lokal dhe mekanizmit partiak dhe; c) nxitja e menjëhershme dhe liberale e programit të zhvillimit me qëllim që të plotësohen kërkesat ekonomike kryesore të popullsisë.

ATH Copeu

Teksti përfundimtar

                         [Dërgohen kopje për ambasadat e KE-së në Londër]

                                                           -61-

Për përdorim të kufizuar

Referencë 025/427/1

HofC

G

DA                                                                                                      24 qershor 10981

Vizita e z. Hesseling të Ambasadës holandeze në Shqipëri

1.         Jan Hesseling raportoi në takimin javor të EC sot (24 qershor) se sapo ishte kthyer nga pritja e lamtumirës së tij në Shqipëri.

2.         Gjatë kohës që ishte aty, ai ishte lejuar të lëvizte vetë me makinë dhe për shkak të tabelave të pamjaftueshme rrugore dhe hartës së pasaktë, humbi në dy raste dhe iu desh të kthehej në rrugën e tij pasi arriti në postblloqe ushtarake. Në një rast, mbi të fluturoi një helikopter, pa dyshim për t’u siguruar se ai nuk ka hyrë në zonën ushtarake.

3.         Ai zhvilloi bisedime në Tiranë me zyrtarë shqiptarë të cilët, midis të tjerash, folën për marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare. Shqiptarët thanë se ishte me shumë rëndësi për ta që shqiptarëve të Kosovës t’i jepeshin të drejtat e tyre sipas Kushtetutës Federale jugosllave. Ata thanë se nuk kishin pretendime territoriale, por se ndjenin keqardhje që Fuqitë e Mëdha nuk ia kishin dhënë Kosovën Shqipërisë në vitin 1913. Z. Hessling pyeti për hartën e “Shqipërisë së Madhe” e cila është në qarkullim dhe shqiptarët i thanë se nuk e kishin shpërndarë këtë dhe se një gjë e tillë duhet të jetë bërë nga grupet e emigrantëve të tillë si ballistët apo zogistët. Z. Hesseling raportoi gjithashtu, se shqiptarët i kishin thënë se nuk e kishin idenë se si do të zhvilloheshin marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare dhe se kjo varej shumë nga Jugosllavia. Shqiptarët nga ana e tyre do të dëshironin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë, por me kusht që secili vend të mund të kritikonte tjetrin.

4.         Z. Hesseling foli gjithashtu me kolegë të ndryshëm nga misionet e tjera në Tiranë të cilët ishin të mendimit se sulmi i “bombës” kohët e fundit në Ambasadën jugosllave ishte nxitur nga shqiptarët. Diplomatët ishin gjithashtu të mendimit se ngjarjet në Kosovë ishin të dobishme për shqiptarët për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme ekonomike aktuale në vendin e tyre. Ekonomia është në gjendje të dobët dhe shqiptarët e pranojnë se zhvillimi ka qenë i ngadaltë, por vazhdojnë me synimin e tyre për t’u mbështetur tërësisht në burimet e veta. Kongresi i 8-të i radhës pritet që të jetë Kongresi i parë në të cilin plani pesë-vjeçar do të përjashtojë përdorimin e ndihmës apo huas së huaj. Z. Hesseling u ndal në këtë pikë duke thënë se tregtia shqiptare bëhet tërësisht me para dhe se Kushtetuta ndalon specifikisht blerjen e mallrave nga jashtë me kredi. Ai tha se shqiptarët e pranonin që në vitet pas prishjes me Kinën kanë pasur probleme me makineritë dhe automjetet që prisheshin dhe me mungesën e pjesëve të këmbimit me të cilat do t’i riparonin ato dhe se teknologjia në Shqipëri ka mbetur është shumë vite pas. Z. Hesseling tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën janë në nivelin më të ulët të mundshëm, por se misioni kinez, aktualisht i kryesuar nga i Ngarkuari me Punë, kishte mbetur njësoj siç ishte para prishjes me Shqipërinë (sidoqoftë, Lista Diplomatike aktuale në Tiranë tregon se ka një staf prej 12 diplomatësh, përfshirë një ambasador!). Misioni kinez ka ende seksionet ekonomike, kulturore dhe politike dhe një Atashe Ushtarak.

5.         Në frontin ushtarak, Z. Hessling raportoi se kishte parë shumë ushtarë meshkuj dhe femra në rrugët e Tiranës dhe komentoi se kjo pa dyshim ndodhte për shkak të fushatës së shqiptarëve kundër papunësisë. Ai tha se të gjithë njerëzit në Shqipëri kryenin shërbimin ushtarak dhe se sipas diplomatëve në Tiranë numri i stërvitjeve ushtarake është rritur gjatë muajve të fundit, veçanërisht pas shpërthimit të trazirave në Kosovë. Si shënim në fund të faqes i kësaj situate, z. Hesseling tha se ndërkohë që ecte me makinë nëpër fshatra në Shqipëri, kishte vënë re se ishin hapur mijëra “llogore” në shpatet kodrinore dhe në tokat anash rrugëve; disa prej tyre ishin ndërtuar natyrisht me madhësi për një person dhe disa të tjera për më shumë se një person. Ai tha se të gjitha kishin mbulesë konvekse prej betoni mbi to me një prerje horizontale për të siguruar një fushë zjarri.

6.         Do ju dërgoj një letër të shkurtër mbi raportimin e kësaj situate dhe një kopje të listës së diplomatëve në Tiranë për FCO.

                                                                                                                                     I Juaji,

                                                                                                                                   J. Ward 

                                                                               -62-

ENO 015/3                                                                                              29 qershor 1981

Vizita e gazetarëve të huaj në Kosovë

1.         Michael Battey i “Reuters”, më ka treguar gjatë një dreke të premten më 26 qershor mbi vizitën e tij të fundit në Kosovë së bashku me gazetarë të tjerë të huaj.

2.         Battey tha se vizita e tyre ishte organizuar mirë dhe se gazetarët kishin qenë të lirë për të lëvizur nëpër Prishtinë pas përfundimit të programit të ditës së parë. Përshtypja e tij ishte se masat e sigurisë ishin ende të dukshme dhe ruanin një profil shumë të lartë. Forcat e policisë patrullonin qytetin me helmeta çeliku në kokë dhe kallashnikovë mbi supet e tyre. Forcat e Ushtrisë Popullore Jugosllave shiheshin jashtë Ministrisë dhe ndërtesave të tjera të rëndësishme. Ndërkohë që ecte nëpër Prishtinë, ai vuri re se kinematë ishin ende të mbyllura dhe se e vetmja zbavitje e hapur ishte pista e lojës me gjyle; megjithatë, rruga kryesore ishte e mbushur me njerëz në mbrëmje dhe gazetarët të cilët e njihnin Prishtinën dalluan diçka që nuk e kishin parë kurrë më parë. Ai vuri re policë jashtë orarit të punës që dukeshin të relaksuar, duke qeshur e bërë shaka, por, Battey vazhdonte, ata ishin një tufë gangsterësh me fytyra të rënda kur ishin në shërbim. Ai tha se kishte parë shumë aktivitet përreth Aeroportit të Prishtinës me avionë ushtarakë Mig-19 që praktikonin fluturime të ulëta mbi qytet dhe më pas zbritje dhe fluturime në aeroport. Ai kishte dëgjuar se gjatë revoltave në fillim të prillit, Forcat Ajrore ishin angazhuar për të bërë fluturime të shkurtra mbi demonstruesit me shpejtësi supersonike, me sa duket për t’i frikësuar ata më këtë uturimë sonike. Battey pa 3 tanke të vendosur në anë të lumit në rrugën për në Beograd. Ai tha se kishte policë të armatosur në të gjitha rrugët që të çonin në Prishtinë të cilët kryenin kontrolle në vend të automjeteve që hynin. Gjatë vizitës gazetarët shkuan tek Patriarkana në Pejë e cila ruhej nga roje të armatosura. Murgeshat aty thanë se kishin kërkuar mbrojtje pasi bandat e të rinjve që endeshin kishin krijuar shqetësime jashtë Patriarkanës, por që këto ngjarje nuk kishin qenë serioze.

3.         Gjatë kohës që ishin në Prishtinë, gazetarët ndoqën një konferencë për shtyp që po jepte një anëtar i Kryesisë së Kosovës, i cili midis të tjerash, foli për diferencimin, dhe tha se ky proces do të ishte i ngadaltë, metodik dhe i plotë, por kur Battey e pyeti “kush vendosi aktualisht sekush ishte përgjegjës?, A ishte ky një rast ku personat përgjegjës gjykonin personat përgjegjës?” Personi nga Kryesia të cilit iu drejtua pyetja u vu në siklet, ishte tejet bishtnues dhe në fund nuk iu përgjigj pyetjes. Battey e pyeti gjithashtu “si është e mundur që informacioni për eksodin e serbëve dhe malazezëve nga Kosova sapo është bërë i njohur kur dihet gjerësisht se një gjë e tillë ndodh prej vitesh?”. Përgjigja e tij ishte përsëri shumë e paqartë dhe Battey e përsëriti pyetjen e tij dhe më pas e pyeti se pse udhëheqja e Kosovës nuk kishte dijeni që kjo dukuri po ndodhte. Battey më tha se ai asnjëherë nuk mori përgjigje të kënaqshme për pyetjen e tij.

4.         Battey kishte përshtypjen se të gjithë udhëheqësit shqiptarë në Kosovë, me të cilët ai kishte folur, ishin në pozita shumë mbrojtëse për sa i përket përgjigjeve të tyre dhe ngjarjeve të marsit dhe prillit; kjo e kishte bërë atë të arrinte në përfundimin se ata ishin shumë nacionalistë. Gjithashtu, sipas mendimit të tij, duke pasur parasysh mungesën e njerëzve të posteve të larta në radhët e atyre që ishin spastruar, ai kishte përshtypjen se kjo i jepte besueshmëri historisë që mundësia e ngjarjeve të tilla në Kosovë dihej që më parë, dhe në njëfarë mase këto ngjarje kishin ndodhur me bashkëpunimin e heshtur, në mos mbështetjen aktuale të këtyre udhëheqësve. Ai gjithashtu mësoi se kishte një dallim të qartë midis mënyrës se si Kosova i shikonte gjërat dhe mënyrës se si Jugosllavia i shikonte ato. Në këtë pikë, përshtypja e tij ishte se Kosova kishte ndër mend t’i bënte gjërat sipas mënyrës së vet dhe se ai mendonte që kishte një shkallë të qartë konsolidimi në radhët e udhëheqjes.

5.         Gjatë informimit të përgjithshëm në Prishtinë, gazetarëve u ishte thënë se situata në Krahinë ishte tashmë shumë e qetë dhe se masat ende në forcë të sigurisë mund të hiqeshin shumë shpejt.

                                                                                                                                  J Ward

-63-

Konfidenciale

                                                                                                             Ambasada britanike

                                                                                                                              Beograd

                                                                                                                        1 korrik 1981

Përmbledhje

Kosova

1.         Një vlerësim i mëtejshëm i Krahinës së trazuar (paragrafi 1).

Ngjarjet

2.         Situata e sigurisë mbetet e pasigurt. Të huajt nuk lejohen të vizitojnë këtë zonë, përveçse nën mbikëqyrje të rreptë. Vazhdojnë rrëmujat në shkallë të vogël, ku përshihet reaksioni antishqiptar në Serbi. Programi politik për aksion zbatohet në rezistencë aktive dhe pasive dhe zhvillohet ngadalë. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar më tepër pas një shpërthimi me bombë në Ambasadën jugosllave në Tiranë; polemikat publike kanë vijuar; lidhjet kulturore janë ndërprerë (paragrafët 2-5).

Implikimet

3.         Aftësia e vazhdueshme e nacionalistëve për të vepruar tregon një shkallë të gjerë simpatie, në mos mbështetjeje. Edhe nivelet më të larta të Partisë Krahinore nuk kanë dhënë asnjë shpjegim bindës për gabimet e tyre ndoshta sepse dashur pa dashur ata kishin inkurajuar idenë e statusit të Republikës. Popullsia joshqiptare lokale dhe autoritetet në Beograd ishin në dijeni të kësaj, por iu shmangën ballafaqimit. Tani vetë shqiptarët kishin provokuar një situatë të tillë, e mbase këtu mund të trajtohen disa aspekte tabu të Kushtetutës, por pa ndryshuar statusin e Kosovës (paragrafët 6-7).

4.         Media e rriti lirinë e vet për raportimet në lidhje me Kosovën. Ka njëfarë kriticizmi formal për sensacionalizëm. Shtypi është i vendosur për të ruajtur dhe zgjeruar të drejtën e vet për të raportuar (paragrafi 8).

5.         Kosova ka mbërthyer disa nga forcat e sigurisë së Jugosllavisë që kanë ndikuar në aftësinë e përgjithshme mbrojtëse të saj dhe ka ngritur pikëpyetje për besueshmërinë e njësive territoriale lokale shqiptare (paragrafi 9).

6.         Një vështrim i ri po i jepet planit 5-vjeçar të zhvillimit të Kosovës. Por shkalla e lartë e lindjeve dhe ekzistenca e një sistemi të pabalancuar të arsimit bën të pamundur ndonjë përmirësim dramatik të ekonomisë së saj (paragrafët 10-11).

7.         Jugosllavët janë të shqetësuar se Shërbimi i Fshehtë Inteligjent Rus dhe ai Bullgar nuk janë duke lënë pas dore Kosovën si objektiv i mundshëm. Disa jugosllavë thonë se Shqipëria duhet të inkurajohet që të dalë nga izolimi i saj para se elementët prosovjetikë të shfaqen në epokën pas Hoxhës, por e shikojnë si të padobishëm për momentin çdo gjest të tepruar ndaj Shqipërisë.

Përmbledhje

8.         Kosova ka pasur efekte pozitive dhe negative. Në aspektin afatshkurtër, do të rikthehet stabiliteti megjithëse mund të priten trazira sporadike. Qetësia që ekziston pas vdekjes së Titos në Jugosllavi është tronditur rëndë dhe në aspektin afatgjatë do të jetë më e pasigurt.

-64-

Konfidenciale

Rt. Hon Lord Carrington KCMG MC                                                   Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                   Beograd

Londër S W 11 korrik 1981

Kosova

Shkëlqesia Juaj,

1.         Në letrën time të datës 24 prill, kam dhënë një përshkrim të trazirave në Kosovë në mars dhe fillim të prillit 1981. Që atëherë, është ndërmarrë një program politik për aksion për të spastruar nacionalistët lokalë shqiptarë dhe për të rivendosur rendin në një krahinë ende të trazuar nga rrëmujat në shkallë të vogël. Ndërkohë, marrëdhëniet me Shqipërinë janë përkeqësuar më tej dhe Jugosllavia shfaqi shqetësimin e saj për përfshirje të mundshme të sovjetikëve. Në këtë letër, kam bërë një pasqyrë të rendit të ngjarjeve dhe kam analizuar implikimet e tyre për të ardhmen e Jugosllavisë.

Ngjarjet

Gjendja e sigurisë

2.         Më shumë se tre muaj pas demonstratave të para të zhvilluara nga studentët e Universitetit të Prishtinës, gjendja e sigurisë mbetet aq e pasigurt saqë të huajt nuk lejohen ende të hyjnë në këtë Krahinë, përveçse me marrëveshje të veçantë dhe nën mbikëqyrje të rreptë. Hyrja e diplomatëve është plotësisht e ndaluar; gazetarët mund të vizitojnë vendin vetëm në grupe të kontrolluara me kujdes; dhe madje turqit të cilët e kanë origjinën në Kosovë, por që aktualisht banojnë në Turqi nuk lejohen që të vijnë në këtë krahinë për të vizituar të afërmit e tyre. Zyrtarët jugosllavë këmbëngulin që kufizimet bëhen për arsye sigurie, gjë që në pamje të parë është një pranim i trishtuar për  një vend që krenohet për sigurinë e tij. Realiteti është ndoshta disi më ndryshe: autoritetet qendrore duan qartazi të minimizojnë rrezikun e përfshirjes së huaj me nacionalistët.

3.         Në këtë mënyrë, është e vështirë të përftohen informacione drejtpërdrejt të besueshme mbi situatën në Kosovë prandaj duhet të bazohemi kryesisht në burime publike. Këto burime, nxjerrin në pah në mënyrë gjithnjë e më të detajuar shkallën e shtrirjes dhe thellësinë e shqetësimit. Pas dhunës që pasoi në fillim të prillit, pati një përgjumje deri në fund të muajit, kur raportet flisnin për akte të ndryshme të provokimit nacionalist, duke përfshirë përpjekjet për të organizuar demonstrata të reja gjatë festimeve të 1 majit. Pas disa ndërprerjeve të zhurmshme, Universiteti i Prishtinës dukej sikur do të shpërthente përsëri, prandaj nga mesi i muajit maj, studentët u dërguan në shtëpi 10 ditë para përfundimit të semestrit. Kjo lëvizje mund të ketë ndikuar vetëm në përhapjen e problemit, pasi nga shumë qytete përreth dhe më tej në zonat e banuara nga shqiptarët në periferi të Kosovës, me gjithë sigurimin e rreptë, raportet flisnin për incidente që përfshinin shkrimin e parullave, pamflete në qarkullim, kërcënime dhe dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve. Në disa pjesë të Serbisë, pati raporte mbi dëmet që i janë shkaktuar pronave të shqiptarëve dhe shfaqjen e parullave antishqiptare. Zërat për përleshje të armatosura nuk ishin të vërtetuara, por milicia speciale dhe njësite ushtarake janë instaluar në këtë zonë, ndoshta për shkak se forcat lokale nuk ofrojnë shumë mbështetje dhe gjithashtu për shkak se autoritetet qendrore nuk po lënë asgjë në dorë të fatit.

Situata politike

4.         Situata politike gjithashtu po normalizohet shumë ngadalë. Po has në vështirësi Programi i aksionit i shpallur nga Kryesia e Kosovës, sipas të cilit Partia dhe organizata të tjera duhej të spastronin të gjithë ata që kishin marrë pjesë në demonstrata apo kishin mbështetur nacionalistët në çfarëdo mënyre. Shtypi raportonte shembuj të shumtë të rezistencës aktive dhe pasive, që varionin nga refuzimi i plotë deri në bindjen ndaj direktivave të Partisë, nëpërmjet shmangies së hapur të përgjegjësisë nga zyrtarët bashkiakë dhe partiakë, në dorëheqjet e vonuara dhe shumë ngurruese të një grupi figurash drejtuese në udhëheqje dhe Universitet. Megjithatë, mbi 400 anëtarë më pak të rëndësishëm të Partisë janë përjashtuar dhe shumë të tjerë janë paralajmëruar, shumë mësues dhe nxënës janë përjashtuar nga shkollat, qindra studentë kanë humbur bursat e tyre dhe akomodimin, dhe një numër më i vogël punëtorësh kanë humbur punën e tyre. Përveç gjyqeve të publikuara të tre nacionalistëve nga komuniteti shqiptar në Maqedoni, një drejtësi e shpejtë, por e heshtur duket se ka dhënë dënimin për 500 veta dhe procedurat janë gati kundër 150 të tjerëve. Dëmi fizik është vlerësuar të jetë rreth 150,000£, megjithëse humbjet e shkaktuara nga dëmet e personave të paregjistruar deri te pasuritë e pasiguruara si dhe humbjet në prodhim duhet të tregojnë kosto shumë më të lartë të dëmeve të tilla.

Marrëdhëniet me Shqipërinë

5.         Një shpërthim misterioz “me bombë” në Ambasadën jugosllave në Tiranë, më 23 maj, shënoi përkeqësimin e marrëdhënieve, e po kështu akuzat e jugosllavëve ndaj ambasadorit shqiptar për përfshirjen e tij personale në aktivitete subversive në Kosovë, p.sh. në krijimin e “troikës” ilegale. Polemikat publike vazhduan pa reshtur, ku shqiptarët bënin justifikime historike mbi statusin e Republikës për Kosovën, dhe jugosllavët publikonin aspektet më të këqija të jetës në Shqipëri, veçanërisht ndikimin në minoritetin Maqedonas dhe Malazez në këtë vend. Jugosllavët vazhduan të akuzonin shqiptarët për ndërhyrje flagrante në çështjet e brendshme, dhe e hidhnin fjalën te influencat e jashtme për ngjarjet në Kosovë. Natyrisht, siç kanë dëshmuar jugosllavët, Tirana ka përdorur me efektivitet marrëdhëniet kulturore dhe arsimore për të nxitur nacionalizmin shqiptar në Kosovë. Por, Beogradi nuk ka paraqitur ende asnjë provë të saktë të aktivitetit subversit të drejtuar nga Tirana. Po kështu jugosllavët nuk kanë lejuar që situata të përkeqësohej deri në atë masë sa të prishte apo pezullonte marrëdhëniet me Shqipërinë. Në vend të kësaj, ata kanë marrë një numër masash praktike, p.sh., pezullimi i marrëveshjeve kulturore midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe nxitja e transmetimit në radio nga Prishtina në përpjekje për të kundërshtuar influencën ideologjike të Tiranës në këtë Krahinë. Linja zyrtare e interpretuar në nivelin më të lartë federal ishte se Jugosllavia vazhdon të kërkojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim me Shqipërinë, por që këtej e tutje në terma të barazisë dhe reciprocitetit të rreptë. Të gjitha marrëveshjet me Shqipërinë do të bëhen në nivel federal, d.m.th. nivel ndërshtetëror, dhe jo nëpërmjet protokolleve të negociuara në nivel lokal.

Implikimet politike të brendshme

6.         Trazirat e vazhdueshme dhe rezistenca ndaj procesit të “diferencimit”, siç quhet spastrimi, i veshi në mënyrë elokuente me gënjeshtër pretendimet e udhëheqësve të Partisë se trazirat ishin vepër e një pakice, mbeturina të borgjezisë së vjetër, Kominternit dhe bashkëpunëtorëve fashistë, të cilët kishin shumë pak të përbashkëta me masat e gjera të popullit. Nacionalistët vazhdonin të vepronin me pandëshkueshmëri të dukshme në disa zona dhe për këtë arsye duhet të kenë pasur një masë të gjerë simpatie, në mos mbështetjeje. Kjo reflektohet keq në qëndrimin e Partisë në bazë dhe aftësinë dhe gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur direktivave nga lart të Partisë. Me rëndësi më të madhe është rezistenca në nivelet më të larta të Partisë, veçanërisht dështimi nga ana e udhëheqjes së Kosovës për të dhënë ndonjë shpjegim bindës për gabimet e bëra, të cilat ia ka atribuar mungesës së vëmendjes, vigjilencës dhe informimit, deri te oportunizmi i individëve, e kështu me radhë. Asnjë nga ato pak shqiptarë drejtues të cilët, nën presion të madh dhe me ngurrim të dukshëm deri tani kanë dhënë dorëheqjen, nuk e ka pranuar fajin e tij publikisht.

7.         Shpjegimi i vërtetë është pothuaj i sigurt se ata dhe shqiptarë të tjerë në udhëheqjen e Kosovës, dashur pa dashur, kanë inkurajuar rritjen e nacionalizmit shqiptar duke pretenduar në mënyrë të qëndrueshme për Kosovën të gjitha atributet e pavarësisë nga Serbia. Ideja e statusit të Republikës për Kosovën kishte fituar në këtë mënyrë përhapje të gjerë dhe një shkallë miratimi zyrtar; megjithëse udhëheqja nuk përparoi me kërkesat për bashkim me Shqipërinë, ka të ngjarë që ata i pëlqenin synimet e atyre të cilët kërkonin që Kosova të bëhej Republikë. Pjesa joshqiptare e udhëheqjes, të cilët nuk kishin si të mos e dinin se çfarë po ndodhte – pasi, siç e ka zbuluar edhe shtypi, lidhjet formale me Serbinë po injoroheshin haptazi në të gjitha mënyrat – ose kishin frikë të flisnin hapur ose, ajo që ka më shumë të ngjarë, u është thënë nga autoritetet në Beograd që të mbanin gojën mbyllur. Këto autoritete ishin paralajmëruar nga Kardelj në vitin 1977 se situata ekonomike dhe politike në Kosovë ishte e keqe dhe se një kundërrevolucion po gatuhej, por ata zgjodhën që të mbanin fshehur vlerësimin e tij, me sa duket për të shmangur provokimin e një përballjeje me shqiptarët e Kosovës duke ndërhyrë në çështjet e tyre të brendshme.

8.         Meqenëse vetë kosovarët kanë provokuar përballjen, ka mundësi që të trajtohen një numër çështjesh të hapura në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Marrëdhënia kushtetuese është e mbushur me paqartësi dhe anomali, që rezultojnë nga shpresa fillestare se tre pjesët përbërëse të Serbisë do të bashkëveprojnë së bashku në frymën e vullnetit të mirë, gjë që siç rezultoi, ishte më e dallueshme për mungesën e një fryme të tillë. Siç më tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese: rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira! Ai vazhdoi më tej duke e bërë absolutisht të qartë se nuk mund të kishte asnjë ndryshim në statusin e Kosovës, meqenëse shqiptarët e Kosovës përbënin vetëm një minoritet etnik të një populli që jeton në një vend fqinj dhe për rrjedhojë nuk barazohej me “kombet” e tjera në mazhorancë të Jugosllavisë të cilat kishin të drejtën kushtetuese të shtetit si republika brenda federatës. Do të ishte absurde, ai tha, që minoriteteve t’i jepej statusi i shtetit, dhe të tilla pakica, shtetet e të cilave ndodhen jashtë Jugosllavisë, ka shumë në Jugosllavi. Për më tepër, një gjë e tillë do t’i hapte rrugën shkëputjes së tyre dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, duke minuar në këtë mënyrë integritetin territorial të Jugosllavisë.

9.         Me interes të gjerë është efekti i jashtëzakonshëm që ka pasur Kosova për lirinë e informimit. Edhe televizioni, i cili fillimisht ka mbetur mjaft prapa shtypit në pasqyrimin e Kosovës, i është përgjigjur me entuziazëm licencës për të hetuar gabimet e kryera aty. Kohët e fundit, udhëheqja serbe është ndjerë e detyruar të kërkojë një qasje më shumë konstruktive dhe më pak selektive nga media, sepse ishte haptazi e alarmuar nga mënyra se si media, veçanërisht shtypi i ilustruar i Beogradit, sensibilizonin në veçanti gjendjen e serbëve në Kosovë, duke nxitur në këtë mënyrë gjithnjë më shumë shpërngulje dhe duke provokuar një reagim të ashpër të serbëve. Gazeta politike e përjavshme “NIN” hodhi poshtë me vendosmëri këto paralajmërime dhe mbështeti vazhdimin e qasjes së vet kritike “pa ekzagjerim, lustrim dhe fshehje”. Megjithëse pasqyrimi i detajuar i ngjarjeve dhe komentet kritike kufizohen në masë të madhe me temën e miratuar të Kosovës, nuk ka të ngjarë që kjo situatë të përfundojë këtu. Në të vërtetë, shtypi është duke iu referuar shembullit të Kosovës për të justifikuar kërkesat e publikut që të marrë informacione në kohë, të plota dhe të sakta për tema të tjera.

Siguria

9.         Ekzistojnë dy aspekte të implikimeve të ngjarjeve të Kosovës për sigurinë jugosllave. Së pari, është e arsyeshme të supozohet se Kosova përbën një shterim për burimet mbrojtëse të Jugosllavisë dhe duhet të ketë të paktën një farë efekti të dëmshëm në aftësinë e përgjithshme të mbrojtjes, megjithëse kjo mund të jetë e përkohshme. Ekzistojnë gjithashtu efekte në doktrinën ushtarake mbizotëruese të Mbrojtjes së të Gjithë Popujve. Tani lind pyetja, se deri në çfarë mase populli i Kosovës mund të mbështetet në njësitet e veta territoriale lokale dhe organizatat e tjera para-ushtarake për të mbrojtur Krahinën e tyre, dhe Federatën, kundër një armiku të jashtëm? Shumë shqiptarë lokalë qartazi nuk i shikojnë “vëllezërit” e tyre nga Shqipëria si armiq. Në mënyrë të pashmangshme, informacionet për sigurinë është vështirë të merren.

Aspekti ekonomik dhe social

10.       Menjëherë pas demonstratave të prillit, Qeveria e Kosovës ndërmori hapin befasues, duke marrë parasysh situatën, që është miratimi i planit të saj pesë-vjeçar. Pak më vonë u mor vesh se ajo e kishte tërhequr planin për rishqyrtim, me sa duket pas paraqitjes nga ana e republikave donatore të mënyrës se si janë shpërndarë ndihmat për zhvillim në industritë me kapital intensiv dhe punimet madhështore publike në vend të përqendrimit në bujqësi dhe industritë prodhuese të punës intensive. Pasojat e këtij ndryshimi janë të rëndësishme për të trajtuar problemin e rëndë të papunësisë në Krahinë, burimin e të paktën një pjese të ankesave të disa prej demonstruesve.

11.       Kosova nuk mund të presë ndonjë përmirësim dramatik në ekonominë e saj për sa kohë që vuan nën barrën e përqindjes së lartë të lindjeve dhe një sistemi arsimor të drejtuar keq. Kërkesa për më shumë punë për gratë do të ndihmonte për të ulur përqindjen e lindjeve. Qëllimi i shpallur kohët e fundit për t’i drejtuar studentët drejt studimeve që do t’i kualifikonin për nevojat ekonomike të Krahinës, është një hap në drejtimin e duhur. Kjo lëvizje jep shpresë se mund të formojë një pjesë të një reforme më të gjerë arsimore sepse disproporcioni midis numrit të studentëve që studiojnë lëndë “joproduktive” dhe ato “produktive” është shumë i madh në të gjitha institucionet e arsimit të lartë të Jugosllavisë. Për më tepër, i gjithë sistemi është i mbingarkuar me një numër shumë të madh studentësh, shumë prej të cilëve nuk janë diplomuar në Prishtinë, që përbëjnë një masë prej 50%.

Aspekti ndërkombëtar

12.       Deri më sot, konflikti midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë për çështjen e Kosovës nuk ka përfshirë asnjë palë të tretë. Megjithëse shqiptarët e kanë interpretuar heshtjen virtuale të rusëve për këtë çështje si provë të bashkëpunimit të këtyre të fundit në atë që e përshkruajnë si një komplot i Serbisë së Madhe/Rusisë kundër Shqipërisë, jugosllavët nuk kanë arritur në këtë joshje të veçantë. Por, disa jugosllavë të mirënjohur, përfshirë Ministrin e Jashtëm, kanë pranuar privatisht shqetësimin se Shërbimet e Fshehta ruse dhe bullgare nuk po neglizhojnë që të gjuajnë në ujëra të turbullta dhe madje mund të kenë ndonjë kontakt indirekt me Shërbimet e Fshehta shqiptare përmes organizatave të shumëllojshme shqiptare të emigrantëve jashtë vendit, të cilat kanë qenë aktive në demonstrimin e mbështetjes së tyre për opozitën në Kosovë. Me gjithë humbjen e vëmendjes në Poloni dhe Afganistan, thuhet se rusët nuk mund të anashkalojnë objektivin e mundësisë së paraqitur nga Kosova për të minuar stabilitetin e Jugosllavisë. Disa zyrtarë jugosllavë kanë argumentuar se kjo situatë e bën akoma më shumë urgjente nevojën që Jugosllavia dhe vendet e tjera të interesuara për integritetin e Jugosllavisë duhet të përpiqen të nxjerrin Shqipërinë nga izolimi para se të vijnë në krye elementët prosovjetikë pas epokës së Hoxhës. Por, zyrtarë të tjerë kanë shprehur shqetësimin për demonstrimet e tepërta të miqësisë për Shqipërinë në periudhën aktuale gjë që haptazi do të shikohej si e padobishme nga Jugosllavia.

Përmbledhje

13. Kështu, ngjarjet në Kosovë patën një efekt të përzier  në zhvillimet e këtij vendi. Në aspektin pozitiv, këto ngjarje i dhanë udhëheqjes së përbashkët një impuls të ri për të qëndruar të bashkuar dhe për të mbrojtur integritetin e Jugosllavisë. Gjithashtu, këto ngjarje kanë bërë që autoritetet qendrore të rishikojnë zhvillimin social dhe ekonomik të Krahinës së bashku me kontributet që i janë bërë Kosovës nga Republikat e tjera. Shpërthimi i medies për të raportuar mbi Kosovën përbën një hap përpara në zhvillimin më të gjerë demokratik të vendit. Gjithashtu, ripohimi i kontrollit federal mbi marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të sigurojë një bazë më të shëndoshë për politikën e fqinjësisë së mirë të Jugosllavisë. Megjithatë, në aspektin negativ këto ngjarje i kanë dhënë goditjen e parë të rëndë një prej trashëgimive më të mëdha të Titos, d.m.th. “vëllazërisë dhe unitetit” që përbëjnë gurin themelor të Federatës. Kështu, jo vetëm që në Kosovë u rizgjua forca përçarëse e nacionalizmit, por, si një reagim ndaj shprehjeve të dhunshme të ndjenjave shqiptare kombëtare, ka pasur një rigjallërim edhe të ndjenjave serbe. Ngjarjet kanë treguar gjithashtu se sa e përciptë është influenca e Partisë në Kosovë, ku populli duket se është më shumë i frikësuar sesa bashkëpunues dhe udhëheqja lokale është qartazi në mosmarrëveshje me Beogradin.

14.       Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Udhëheqja qendrore vazhdon të ndjekë një kurs tejet të ekuilibruar: me durim por me vendosmëri duke ripohuar kontrollin e saj dhe ndërkohë duke vazhduar politikat e saj të zhvillimit. Mendoj, se thjesht me anë të përpjekjeve, ajo do të shtypë forcat përçarëse në Kosovë dhe do ta kthejë Krahinën në gjendjen e saj të qëndrueshme si më parë. Por, natyrisht që do të ketë më shumë shpërthime sporadike, mundet edhe terrorizëm, dhe, në një periudhë afatgjatë, mund të ketë më shumë trazira serioze nëse kërkesat e kosovarëve për statusin e republikës nuk përmbushen në njëfarë mënyre. Kjo, pasi fakt është se nacionalizmi shqiptar është i rrënjosur thellë dhe, si rezultat i përqindjes së tyre të lartë të lindjeve, të plotësuar nga emigrimi i vazhdueshëm i serbëve dhe malazezëve, shqiptarët mund të përbëjnë afërsisht njëzet vitet e ardhshme, jo më 78% të popullsisë që përbëjnë aktualisht, por pothuaj 100% të banorëve të Krahinës. Gjithashtu, ekziston edhe mundësia që të ndërhyjnë forcat e jashtme. Shqipëria padyshim që do të vazhdojë propagandën dhe subversionin, të cilat do të forcoheshin nëse një regjim më i moderuar pason atë të Enver Hoxhës: Jugosllavia do të ketë vështirësi që të neutralizojë këto aktivitete, por duhet të jetë në gjendje të kufizojë efektet e tyre përçarëse. Bashkimi Sovjetik mund të përpiqet që të shfrytëzojë këto pakënaqësi: megjithatë, nuk ekziston asnjë shenjë aktuale  për këtë. Por, çfarëdo që të sjellë e ardhmja në këtë drejtim, ngjarjet në Kosovë kanë trazuar fuqishëm zhvillimin e qëndrueshëm dhe paqësor që pasoi vdekjen e Titos majin e kaluar.

15.       Një kopje të këtij informacioni po ia dërgoj Përfaqësuesve të Madhërisë së Saj në Athinë, Bon, Bukuresht, Budapest, Paris, Romë, Sofje dhe Uashington, Përfaqësuesit të Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe Konsullit të Përgjithshëm të Madhërisë së Saj, në Zagreb.

                                                                                                              I Juaji besnikërisht,

                                                                                                                            E. Bolland

                                                                   -65-

Konfidenciale

A. E. Montgomery                                                                               Ambasada britanike

EESD                                                                                                               Beograd     

FCO 13 korrik 1981

I nderuar Alan,

Kosova: përgjegjësia politike

Përmbledhje

1.         Shtypi i Beogradit gjatë dy javëve të fundit ka vazhduar presionin ndaj udhëheqjes së Kosovës që të pranojë përgjegjësinë për rritjen e nacionalizmit shqiptar. Disa nga historitë e brendshme për udhëheqjen duket se kërkojnë një lloj reagimi, p.sh., dorëheqje të tjera, por deri tani njerëzit e interesuar presin rastin e volitshëm. Megjithatë, duket se presioni publik ka arritur që të sigurojë publikimin e vlerësimit “sekret” të Kardelj mbi situatën në Kosovë në vitin 1977.

Detaje

2.         Shtëpia botuese e gazetës “Politika”, e cila përfshin gazetën “NIN”, ka vazhduar me presionin e saj të rreptë për t’i kërkuar llogari udhëheqjes politike në Kosovë. Në një sulm për këtë çështje, të dyja gazetat “Politika” dhe “NIN” të datës 28 qershor shqyrtuan mënyrën se si po vijonte procesi i diferencimit në Kosovë. Politika e shprehu çështjen hapur: “Si është e mundur që pas çdo gjëje që ka ndodhur, njerëzit mbeten në pozicione përgjegjëse të cilët, për faktin e thjeshtë se janë në krye të institucioneve me influencë, mbajnë përgjegjësinë më të madhe për institucionet në Kosovë?” Gazeta “Politika” dha përgjigjen në vijim: “Në situatën aktuale, ku pushteti është uzurpuar, vendimet janë lënë në dorë të një rrethi të vogël njerëzish dhe përgjegjësia e tyre varet vetëm nga vetëndërgjegjja e tyre. Vetëm ata mund të emërojnë dhe pushojnë nga puna veten e tyre… Mungesa e kritikës dhe vetëkritikës në udhëheqje është një barrë e rëndë për diferencimin në Kosovë”. Gazeta “NIN” bëri një analogji ndërmjet mënyrës se si po kryhej procesi i diferencimit dhe spastrimit të radhëve duke filluar nga poshtë-lart. Pas një analize që ishte bërë në një numër komunash, gazeta arriti në përfundimin se procesi po ecte shumë ngadalë për shkak të mungesës së një udhëheqësi të një niveli më të lartë. Gazeta “NIN” kërkoi një koment për këtë nga një anëtar (shqiptar) i Kryesisë së Kosovës, Pljakiç, i cili tha: “kemi vlerësuar LK-në në tërësi, dhe veçanërisht udhëheqjen dhe organizatat në Kosovë, si përgjegjëse, por kjo nuk do të thotë që udhëheqja të japë dorëheqjen në mënyrë kolektive, për arsye se shkalla e përgjegjësisë objektive të individit ndryshon. Përgjegjësia individuale do të konfirmohet në fazën tjetër të veprimit”. Gazeta “NIN” u shpreh se të gjithë pyesnin se pse kjo fazë nuk kishte filluar.

3.         Shtypi gjithashtu theksoi me ironi fatin e një njeriu i cili pati guximin t’i dërgonte një telegram Kryesisë së LKJ-së, në të cilën ai shprehte mbështetjen për masat e marra kundër nacionalistëve në Kosovë dhe gjithashtu shprehte pikëpamjen se disa udhëheqës kosovarë, në veçanti Bakalli, mbanin përgjegjësi. Ai u dërgua në burg për 60 ditë për gënjeshtrat “duke dëmtuar organet social-politike, të tilla si Komiteti Krahinor [i LK-së]”! Megjithatë, kjo nuk e ka penguar gazetën “NIN” që të publikojë më 12 korrik dy kritika të detajuara të udhëheqjes së Kosovës.

4.         Profesor Halit Terrnavci, i cili drejton Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Beogradit dhe është kosovar, mori pjesë vullnetarisht dhe kreu intervista pranë “NIN” rreth çështjeve të ndryshme “të pahapura” në procesin e normalizimit në Kosovë. Ai përdori një gjuhë të fortë për udhëheqjen e Kosovës e cila ka vlerë të përsëritet fjalë për fjalë: “Si mund të presim normalizim në Kosovë kur të njëjtit njerëz në pozicione drejtuese, kundër të cilëve thuhet në programin e masave të LKK-së se kohët e fundit kanë vepruar në mënyrë liberale dhe oportuniste, po zbatojnë aktualisht diferencimin? Objektivi i tyre i qartë është t’i kalojnë çështjet në heshtje… Thjesht nuk besoj se situata në Kosovë do të mund të kapërcehet pa një vlerësim të qartë të përgjegjësive individuale të të gjithë kuadrove drejtues të Krahinës… Është kaq absurde që ne i kërkojmë drejtorëve të firmave ose shkencëtarëve, të cilët janë kompromentuar, të lënë punën, ndërkohë që ata të cilët e miratuan punën e tyre janë ende në krye të zonave më të ndjeshme në jetën e Krahinës.”

5.         Ai më tej trajtoi çështjen e nepotizmit në nivelet më të larta: “Është thjesht e pabesueshme se sa shumë është ndërlidhur një pjesë e shtresës më të lartë politike dhe intelektuale… Është një klan i tërë në të cilin njëri mbron tjetrin, jo për arsye ideologjike ose nacionaliste, por për të mbrojtur interesat familjare.”

6.         Profesor Terrnavci konkludoi: “Prandaj besoj se LKJ-ja duhet të flasë hapur dhe qartë për ngjarjet dhe përgjegjësitë konkrete mbi të gjitha të komunistëve kosovarë; përndryshe situata do të mbetet e vështirë… Është e vështirë vetëm për aq kohë sa nuk flasim hapur dhe është krijuar përshtypja se disa njerëz duan që t’i kalojnë çështjet në heshtje”.

7.         Kjo është një kritikë shumë e fuqishme por artikulli në vijim i “NIN” e preku më në thelb çështjen. Kontributin nuk e dha ndonjë gazetar, por Milija Kovaçeviç (serb), i përshkruar si delegat nga Kosova dhe kryetar i Komitetit të Financave të Dhomës Federative të Republikave dhe Krahinave, d.m.th. një person me rëndësi. Në një përshkrim të përpunuar me kujdes mbi krijimin e “egoizmit nacional” në Kosovë, Kovaçeviç tregoi se si “armiku i klasës” ishte në gjendje të shfrytëzonte kushtet politike për të depërtuar në LKK në një numër të konsiderueshëm njerëzish. Përpjekje e veçantë u bë për të depërtuar në medien e Kosovës, gjë që shpjegonte heshtjen e këtyre njerëzve për “ngjarje të ndjeshme dhe komprometuese” në radhët e tyre si dhe përpjekjet për të mbajtur medien akoma më larg këtyre ngjarjeve. Përkundrejt këtij sfondi, vazhdoi Kovaçeviç, “njeriu nuk mund të shmangë faktin që këto struktura [d.m.th. politikanët dhe nacionalistët], si rezultat i sjelljes së tyre, e cila nuk mund të quhet kurrsesi një gabim i zakonshëm apo pakujdesi, orientimi i tyre afatgjatë dhe nënvlerësimi prej tyre i rrezikut nga armiku, i dhanë hapësirë një situate politike, të cilën armiku e përdori për llogari të vet jo vetëm pa rrezikuar veten por madje pa asnjë pengesë.”

8.         Kovaçeviç iu kthye çështjes së mëparshme për t’i kërkuar llogari personave të përfshirë. Më duhet ta citoj atë fjalë për fjalë sepse i shpjegon kaq qartë vështirësitë aktuale në Kosovë: “Në një situatë të tillë, pjesa më e ngushtë dhe më përgjegjëse e strukturës politike, duke përfshirë mbi të gjitha individët më përgjegjës, duket se përbën bazën dhe pengesën më të vështirë. Ata theksojnë pazëvendësueshmërinë e tyre dhe vazhdojnë me këmbëngulje që t’ia kalojnë përgjegjësinë strukturave më të ulëta politike me justifikimin se LK-ja në përgjithësi kishte dobësi në punën dhe vigjilencën e saj dhe se për rrjedhojë ishte pikërisht këtu pesha kryesore e diferencimit politik. Sidoqoftë, problemi i vërtetë është se këto struktura thellësisht burokratike kanë krijuar kohët e fundit lidhje të forta me njëra-tjetrën dhe me njësitë institucionale të dobishme, nga të cilat varen të gjitha klanet me karakter të theksuar krahinor. Është e vështirë për kuadro kaq politikë që të largojnë veten nga pozicionet kryesore me vendim të tyre pasi në këtë mënyrë do t’u duhej të ndryshonin jo vetëm konceptet e tyre, në fakt sensin mbi rëndësinë e tyre, por edhe disa vendime të caktuara afat-gjata dhe të pandryshueshme që ata kanë trashëguar ose që me kalimin e kohës janë bërë pjesë e vetëdijes së tyre… Për këto arsye, është me rëndësi parësore që marrëdhëniet në hierarkinë politike, d.m.th. në udhëheqjen politike, duhet të spastrohen deri në skaj”.

9.         Kështu, në të tre artikujt mesazhi është i njëjtë, konkretisht që të gjitha elitat më të larta të Partisë duhet të largohen para se të fillojë procesi i vërtetë i normalizimit në Kosovë me njerëz të rinj, të cilët sipas Kovaçeviç janë spostuar në një linjë dytësore politike shumë kohë më parë. Deri më sot, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga udhëheqja e Kosovës dhe politikanët federalë nuk kanë marrë asnjë pozicion publik. Megjithatë, është e vështirë të kuptojmë që, në kushtet aktuale, të mund të injorohen këto kritika të hapura dhe pa ekuivoke. Nëse duhet të ketë një riorganizim të udhëheqjes, nuk mbetet shumë kohë para kthimit të studentëve në shtator, kur cilitdo person që të jetë në krye të Kosovës, do t’i duhet të ketë krijuar një kontroll të mirë mbi situatën politike dhe atë të sigurisë.

10.       Mund të jetë krijuar njëfarë shprese se presioni publik për veprim do të triumfojë për shkak të publikimit në gazetën “Komunist”, gjatë dy javëve të fundit të vlerësimit gjer më sot të papublikuar të Kardelj mbi situatën në Kosovë sipas këndvështrimit të tij në vitin 1977 (përmendur në letrën time të datës 10 qershor). Njohja me këtë informacion ndoshta mund të kishte mbetur çështje e mbyllur nëse dy politikanët Sllovenë, Ribiçiç dhe Smole, nuk do të kishin kërkuar publikimin e këtij informacioni dhe nëse shtypi nuk do t’i kishte mbështetur ata plotësisht. Gazeta “Komunist” është duke publikuar të gjithë tekstin në formë libri së bashku me një fjalim të Titos mbajtur në Kosovë në vitin 1979 ku i paralajmëron ata për rreziqet e nacionalizmit. Ky publikim priret të krijojë një sërë pyetjesh se përse politikanët kosovarë nuk i kushtuan kujdes këtyre paralajmërimeve si dhe do t’i japë shtysë të re kërkesave që ata të mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi. Fakti është se pikërisht gazeta “Komunist” është ajo që mori iniciativën të publikojë miratimin e sugjerimeve në nivelin më të lartë partiak të kësaj forme të presionit publik ndaj udhëheqjes së Kosovës.

I Juaji,                                     Jemy T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO         

(VIJON)

© Pashtriku.org

_____________________________

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIV)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura