DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIV)

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XIV)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

                                                           -66-

Kopje për përdorim të kufizuar

                                                                                                              Ambasada britanike

                                                                                                                                Beograd

                                                                                                                     15 korrik 1981

Ngjarjet e kohëve të fundit në Maqedoni dhe Kosovë

Përmbledhje

1.         Aktiviteti nacionalist shqiptar vazhdon në Maqedoninë Perëndimore, megjithëse është shprehur më shumë në formën e veprimit përmes fletushkave, bojkoteve dhe sjelljeve të tjera në shkallë të vogël (por të përhapur) sesa përmes trazirave serioze publike. Pkërisht në Kosovë, do të merren masa kundër drejtorit të TV Prishtinës i cili është përfshirë në një incident armiqësor. Në Ferizaj gjendja e sigurisë mbetet “e ndërlikuar”, dhe një rektori i ri dhe dy zëvendësrektorë të rinj janë emëruar në Universitetin e Prishtinës. Ekonomia e Kosovës është në vështirësi të mëdha.

Detaje

Maqedonia

2.         Midis datave 2 korrik dhe 13 korrik, gazeta “Politika” përmbante raporte të manifestimeve të nacionalizmit shqiptar në pjesë të ndryshme të Maqedonisë Perëndimore. Kështu, në një mbledhje të Komitetit të Tetovës të LK-së (Lidhjes së Komunistëve) është shkruar sërish aktualisht një vlerësim i favorshëm i gjendjes politike/të sigurisë. Ishte zbuluar se 26 persona të dënuar për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1968 kishin rifituar vendet e punës së tyre në fushën e edukimit; në të vërtetë, disa prej tyre ishin futur sërish në Parti. Gjithashtu ishte zbuluar se në vitet e fundit pothuajse 10,000 shqiptarë nga Kosova ishin shpërngulur dhe vendosur në krahinën e Tetovës. Gjatë mbrëmjes së 8/9 korrikut, rrugët e Tetovës ishin mbushur “përsëri” me fletushka që nxisnin shqiptarët të formonin një “grupim politik” dhe në to thuhej se shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin të drejta. Ndërkohë në Gostivar, u shfaqën parulla nacionaliste. Në Kërçovë të Maqedonisë klasat e mësimit u bojkotuan për 23 ditë. Në fshatin e Greshnicës u gris dy herë një foto e Titos. U kërcënuan zyrtarë vendas (përfshirë disa shqiptarë) të cilët ishin përfshirë në aktivitete antinacionaliste.

3.         Në përgjithësi, këto raporte paraqesin një tablo të nacionalizmit shqiptar mjaft të përhapur, megjithëse në shkallë të vogël, në Maqedoninë Perëndimore i cili është duke shqetësuar në mënyrë të dukshme autoritetet lokale. Sidoqoftë, në Maqedoni gjendja në përgjithësi duket ende “e qëndrueshme” megjithëse ndoshta jo aq “e kënaqshme” sa shprehej se ishte një muaj më parë nga kryeministri i Maqedonisë në intervistën e tij dhënë për gazetën “NIN” (letra e David Miller që është dërguar për ju më 23 korrik, paragrafi 7). Rastësisht, në një notë personale lektori i Këshillit Britanik në Shkup, më tha këtë javë se pronarët e dyqaneve dhe tregtarët e tezgave shqiptare në Shkup e kishin shumë të vështirë për të shitur ndonjë gjë, madje edhe me çmime të zbritura, ndërkohë që njerëz të kombësive të tjera po nxirrnin fitime duke vënë çmime më të larta dhe duke bërë tregti të shpejtë. Kjo situatë dukej se zhvillohej paralel me bojkotin e pronarëve shqiptarë të dyqaneve ndaj serbëve në Beograd (Letra e Klark e datës 10 qershor drejtuar Montgomerit).

Kosova

4.         Më 11 korrik gazeta “Politika” raportonte se Savan Hiseni, drejtori i TV Prishtinës, dhe Haki Dautaj, i cili deri kohët e fundit kishte qenë kryetar i Kryesisë së Konferencës Komunale të LK-së në Deçan, duhej të këshilloheshin për “sanksione më të ashpra” pas implikimit të tyre në një incident ku ishte hedhur përtokë një flamur pro Titos përpara një koncerti të organizuar nga TV Tirana. Kjo dukej një akuzë mjaft modeste për t’iu kundërvënë dhe akuzuar një figure si Hiseni, organizata e të cilit është përballë një kritike të rëndë për tendencat e saj nacionaliste, por është një organizatë që ka tërheqje emocionale popullore dhe është më e lehtë për të ndjekur penalisht këtë organizatë sesa akuzat më të gjera dhe më të çlirëta të nacionalizmit.

5.         Siç raportonte gazeta “Politika” më 6 korrik, gjendja në Ferizaj dhe përreth këtij qyteti ishte ende “e komplikuar” pavarësisht faktit që ishin identifikuar 400 pjesëmarrës në demonstrata armiqësore. Në një mbledhje të konferencës komunale lokale u bënë ankesat tashmë të njohura se “diferencimi” po zhvillohej ngadalë dhe në mënyrë joefikase. Një nga anëtarët e kryesisë së LK-së së Kosovës tha se “sjellja liberale dhe oportuniste” ishte shkaku i gjithë kësaj duke shtuar me pompozitet, por pa dobi se “ne jemi fajtorë për atë që ka ndodhur”.

6.         Në letrën time të datës 10 korrik dërguar për ju flitet për situatën e turbulluar në Universitetin e Prishtinës. Gazeta “Politika” e datës 17 qershor raportonte se është emëruar një rektor i ri (dr. Minir Dusi). Gjithashtu janë emëruar dy zëvendësrektorë, një serb dhe një shqiptar; rektori serb është zgjedhur unanimisht, megjithëse kjo kishte ndodhur pasi ai ishte “lutur” pa sukses pranë Këshillit të Universitetit që të mos paraqiste emërimin e tij për arsye shëndetësore.

Ekonomia e Kosovës

7.         Raportet se si kanë ndikuar trazirat në ekonominë e Kosovës, kanë qenë kontradiktore, por më 14 korrik gazeta “Politika” raportonte se Kryesia e Kosovës dhe Kryesia e LK-së së Kosovës kanë shqyrtuar pozitën ekonomike dhe kanë konstatuar se ajo ishte “tejet e pakënaqshme”. Objektivat e vëna për zhvillimin e Kosovës në vitin 1981 nuk po përmbusheshin, gjë që e bëri gjendjen ekonomike “shumë të ndërlikuar”. Hapat prapa në të gjitha frontet ishin veçanërisht të dukshme në periudhën pas demonstratave. Gjithashtu, është ngritur një grup pune për të përgatitur një përmbledhje të problemeve për mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së LK-së së Kosovës. Një nga oficerët tanë i LE-së Komerciale ishte në Prishtinë javën e kaluar dhe ka mësuar se rishikimi i parashikuar i Planit 1981-1985 që është tërhequr nuk ishte asgjëkund gati dhe se do të punohej me të gjatë gjithë verës.

                                                                                                                                I Juaji,

                                                                                                               Charles Crawford

                                                                                                            Oficer Informacioni

-67-

Për përdorim të kufizuar

UK sekret

Burim delikat

Z. Broomfield,

Për dijeni: M. Rennie, Departamenti i Kërkimit                                           15 korrik 1981                         

Shqipëria

1.         Në vijim të shqetësimeve tona aktuale mund të dëshironi të keni në dorë draft njoftimin e JIC (në fakt drafti i tretë) që pritet të shqyrtohet nga CIG nesër pasdite. Me përjashtim të ndryshimeve të vogla të cilat i kam nënvizuar me laps, z. Montgomery dhe unë jemi në përgjithësi të kënaqur me të, megjithëse pohimi për rëndësinë e Shqipërisë është më pak tingëllues nga sa kemi shpresuar. Por, ky draft njoftim ofron një historik të përditësuar të dobishëm për:

a)         përpjekjet tona për të zgjidhur dallimet tona me Shqipërinë;

b)         raportet për shëndetin e dobët të Hoxhës;

c)         Kongresin e ardhshëm të Partisë këtë vjeshtë.

2.         Megjithatë, puna për draftin ka treguar qartë se sa skematike janë njohuritë tona për skenën e brendshme shqiptare. Sipas mendimit tim, mënyra më e mirë për të ndrequr këtë është që gjatë Presidencës tonë të EC-së për Grupin e Punës së Evropës Lindore, të përgatitet një studim mbi situatën në Shqipëri. Në këtë drejtim, duhet të bazohemi shumë tek francezët, italianët dhe grekët (megjithëse përshtypja ime është se ndonëse kanë misione në Tiranë, edhe ata kanë shumë pak dijeni për atë që po ndodh atje). Gjithashtu, mund të konsultohemi edhe me turqit në këtë drejtim.

                                                                                I Juaji,

                                                                               J. C. R. Gray

                                                      Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

                                                                       -68-

Konfidenciale

Z. Bullard,                                                                                                      16 korrik 1981                                                     

Shqipëria

1.         Keni kërkuar një vlerësim të implikimeve të raportimeve mbi shëndetin e keq të Hoxhës.

2.         Prej disa vitesh ka pasur zëra se Hoxha është i sëmurë rëndë. Dalja e tij e fundit publike për të cilën kemi dijeni ndodhi më 1 maj të këtij viti, ku sipas italianëve ai dukej në një formë mjaft të mirë. Megjithatë, zërat e vazhdueshëm për vdekjen e tij të pashmangshme do të jenë të vërteta një ditë. Duke pasur parasysh këtë fakt dhe shqetësimet tona aktuale me përpjekjet e bëra nga ana jonë për të zgjidhur dallimet tona me shqiptarët, si departament po tregojmë më shumë interes për Shqipërinë sesa kemi pasur prej kohësh. Fryti i parë në këtë drejtim është një draft notë i JIC-së, që po përgatitet aktualisht. Paragrafët përkatës citojnë:

            a) Pozita e Shqipërisë i jep asaj një rëndësi të pabarabartë me madhësinë dhe pozicionin e saj ndërkombëtar. Rusët kanë arsye të qartë ideologjike për t’i sjellë shqiptarët në vathën e vet. Për më tepër, ata do të përfitonin në mënyrë të konsiderueshme nga kontrolli mbi objektet ushtarake shqiptare, veçanërisht bazën detare, dhe e shihnin si një avantazh përdorimin e Shqipërisë si bazë prej ku do të ushtronin presionin e tyre ndaj Jugosllavisë apo do të nxisnin subversionin apo destabilizimin aty. Interesimi kryesor i Perëndimit është që të mos e lejojë Bashkimin Sovjetik të përdorë objektet ushtarake. Kina ndoshta ka pak më shumë interes në vend.

            b) Udhëheqësit shqiptarë deri tani kanë mbetur armiqësor ndaj Bashkimit Sovjetik dhe të shurdhër ndaj thirrjeve të sovjetikëve për përmirësimin e marrëdhënieve. Por, besojmë se gjatë viteve të ardhshme Bashkimi Sovjetik do të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, ndërkohë që do të kultivojë lidhje më të ngushta me çdo element prosovjetik që mund të ketë mbetur në vend. Jugosllavët besojnë se Enver Hoxha ka sëmundje të pashërueshme dhe besojnë se fraksionet pro Moskës po synojnë të marrin kontrollin e Shqipërisë pas vdekjes së Hoxhës. Nevoja e ngutshme për ndihmë të huaj mund ta bëjë me të vërtetë ndonjë udhëheqje të re më të bindur ndaj përçapjeve sovjetike për afrim. Por, dallimet e mbetura e madje ndoshta të heshtura ideologjike dhe dëshira për të shmangur paragjykimin e Shqipërisë për përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të botës, mund të pengojnë zhvillimin e lidhjeve më të ngushta me Moskën.

            c)  Po të vinte në fuqi në Tiranë një udhëheqje prosovjetike, pa dyshim që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte objekte ushtarake në vend, dhe me qëllim që ato të mbeten të sigurta për një periudhë të gjatë kohore, ndoshta do të dëshironte ta tërhiqte Shqipërinë sërish në Komekon, në mos në Paktin e Varshavës. Shqipëria ndoshta do të kërkonte një quid pro quo (kompensim) të rëndësishëm për objektet ushtarake. Rusët mbase do të ishin të përgatitur për të paguar një çmim mjaft të lartë për një marrëdhënie të tillë, megjithëse një barrë shtesë financiare do të ishte jo e mirëpritur për anëtarët e tjerë të Komekon. Një kosto më të madhe do të kishte frenimi i pashmangshëm i përpjekjeve të rusëve për të joshur Jugosllavinë të cilën e shohin qartazi si një çmim më të lartë. Nuk mendojmë se Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte veprime ushtarake për të fituar kontrollin mbi Shqipërinë përveç se po të ftohej nga shqiptarët ose në rastin e një dobësimi të përgjithshëm në Ballkan.

3.         Sidoqoftë, njohuritë tona mbi skenën e brendshme shqiptare janë mjaft të vagëlluara. Por, mendojmë se nëse vdes Hoxha pasuesit e mundshëm do të përfshinin Shehun, kryeministrin aktual, megjithëse edhe ai është i vjetër dhe me sa duket i sëmurë. Nga ana tjetër, Byroja Politike përbëhet kryesisht nga shokë të Hoxhës të kohës së luftës të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur politikat e tij. Nuk kemi shenja për divergjenca serioze mendimesh brenda Byrosë Politike të cilat mund të sillnin një shenjë të politikave të mundshme të brendshme pas largimit të Hoxhës.

4.         Për të plotësuar njohuritë tona mjaft të fragmentuara, kemi parasysh se gjatë Presidencës së EC-së, Grupi i Punës së Evropës Lindore duhet të përgatisë një studim mbi situatën në Shqipëri. Në përgatitjen e këtij dokumenti duhet të mbështetemi fuqimisht tek francezët, italianët dhe grekët (megjithëse përshtypja ime është se pavarësisht se këto vende kanë misione në Tiranë, edhe ata janë të keq-informuar për atë që po ndodh atje). Gjithashtu, mund të konsultohemi edhe me turqit në NATO.

                                                                                             I Juaji,

                                                                                          J. C. R. Gray

Departamenti Sovjetik & i Evropës Lindore

-69-

Nato Konfidenciale

                                                                                                                        16 korrik 1981

Shqipëria

1.         Kjo notë vlerëson pozitën politike, strategjike dhe ekonomike të Shqipërisë, dhe mundësinë e implikimeve prej afrimit të mundshëm me Bashkimin Sovjetik.

Historiku: 1939-1980

2.         Shqipëria, që kur u bë shtet i pavarur në vitin 1912, deri së fundmi është varur nga një fuqi e huaj për mbrojtje dhe ndihmë ekonomike. Pas luftës së fundit dukej e mundshme për një farë kohe se Shqipëria do të bëhej pjesë e Federatës Jugosllave, si rezultat i lidhjeve të ngushta të farkëtuara kur Jugosllavia e ndihmoi në krijimin e Partisë Komuniste Shqiptare e cila mori kontrollin e Shqipërisë në vitin 1945. Por, kur Jugosllavia u përjashtua nga Kominterni në vitin 1948, Enver Hoxha, sekretari i parë i Partisë Komuniste Shqiptare (një post të cilin ende e mban), përfitoi nga rasti për t’u kthyer nga Bashkimi Sovjetik për ndihmë dhe për të eliminuar rivalët e tij jugosllavë nga udhëheqja. Bashkimi Sovjetik konsiderohej më shumë si aleat sepse mendohej se kishte plane territoriale për Shqipërinë.

3.         Vdekja e Stalinit në vitin 1953, procesi vijues i destalinizimit dhe afrimi midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë rritën frikën e Shqipërisë se Jugosllavia mund të ushtronte përsëri ndikim mbi vendin përmes Bashkimit Sovjetik. Kur Kina filloi të kritikonte hapur Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, ajo gjeti një aleat tek Hoxha, i cili gjithnjë e më shumë ndante pikëpamjet ideologjike dhe politike kineze. Në fillim të viteve 1960, Shqipëria ndërpreu pjesëmarrjen në Komekon dhe nuk i lejoi më përdorimin e objekteve ushtarake në vend nga sovjetikët. Prishja e plotë me Bashkimin Sovjetik ndodhi në vitin 1968, kur Shqipëria u tërhoq formalisht nga Pakti i Varshavës pas pushtimit të Çekosllovakisë. Ndërkohë, lidhjet me Kinën u forcuan. Kina e mbështeti Shqipërinë si nga pikëpamja ekonomike dhe ideologjike në këmbim të një baze në Evropë për transmetime propagandistike dhe një zë në Kombet e Bashkuara në një kohë kur Kina komuniste nuk përfaqësohej aty. Kina i dha fund kësaj marrëdhënieje të ngushtë me Shqipërinë në vitin 1978, kur duke mos pasur më nevojë për Shqipërinë si aleate, tërhoqi ndihmën e saj ekonomike dhe ushtarake. Sidoqoftë, Kina vazhdoi të ruante marrëdhëniet diplomatike.

4.         Që prej prishjes me Kinën, Shqipëria ka shmangur çdo përfshirje në blloqe dhe ka qëndruar larg angazhimeve multilaterale. E bindur për korrektësinë e interpretimit të marksizëm-leninizmit nga ana e saj, Partia Komuniste Shqiptare mbetet nga pikëpamja ideologjike armiqësore me të gjitha partitë e tjera qoftë ose jo në pushtet, dhe ka marrëdhënie vetëm me grupet marksiste-leniniste të cilat të njëjtën kredo politike e shpallin si të tyren. Bashkimi Sovjetik dhe Kina, po ashtu si Shtetet e Bashkuara, dënohen si “imperialiste”, dhe Shqipëria nuk ka lidhje diplomatike apo tregtare formale me Bashkimin Sovjetik ose Shtetet e Bashkuara.

Marrëdhëniet midis Britanisë dhe Shqipërisë

5.         Britania nuk ka pasur marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë që para luftës së fundit. Ka dy probleme të pazgjidhura. Qeveria shqiptare deri tani nuk është përgatitur për të rifilluar marrëdhëniet përpara dorëzimit “me interes” të arit që ka marrë përkohësisht pas luftës si dëmshpërblim për një sasi që Shqipërisë i është grabitur nga gjermanët. Ari me vlerë 26.5 milionë dollarë, më 28 janar 1981 është mbajtur nga Banka e Anglisë në emër të Komisionit Trepalësh për Kthimin e Arit Monetar, i cili përbëhet nga përfaqësues të qeverive britanike, amerikane dhe franceze. Qeveria britanike dhe ajo amerikane kanë kundërshtuar të dyja dorëzimin e arit “shqiptar” para zgjidhjes së pretendimeve të tyre respektive kundër Shqipërisë. Pretendimi britanik lind nga refuzimi i Shqipërisë për të vepruar në përputhje me çmimin e dhënë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë prej 800,000 £ si kompensim për dëmin që i është bërë dy destrojerëve britanikë në incidentin e Kanalit të Korfuzit në vitin 1946. Përpjekjet britanike për të rifilluar marrëdhëniet para zgjidhjes së problemeve financiare deri tani nuk kanë qenë të suksesshme.

Perspektivat ekonomike

6.         Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë, por standardi i jetesës dhe kushtet shoqërore janë përmirësuar. Rritja e shpejtë e popullsisë do të thotë se vendi duhet të përpiqet për rritje të shpejtë ekonomike me qëllim krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e mëtejshëm të standardit të jetesës. Në vitin 1945 Shqipëria ishte një vend i prapambetur bujqësor, por filloi të zhvillohej me ndihmën e ndihmës sovjetike dhe më pas kineze deri kur teknikët e fundit kinezë u tërhoqën në vitin 1978. Aktualisht, theksi kryesor në politikën e industrisë është në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, kimikatet (veçanërisht plehrat kimike) dhe inxhinieri (veçanërisht pjesët rezervë për pajisjet kapitale ekzistuese). Në bujqësi, Shqipëria ka qenë e pavarur në prodhimin e grurit që në vitin 1976 dhe madje ka prodhuar teprica të vogla për eksport.

7.         Sipas shifrave shqiptare, prodhimi social u rrit me 28% gjatë periudhës së Planit Pesë-vjeçar 1976-1980, dhe në mënyrë të konsiderueshme më shpejt gjatë 2 viteve të fundit – pas tërheqjes së ndihmës kineze – sesa në vitet e mëparshme. Plani aktual Pesë-vjeçar (1981-85) synon vazhdimin e rritjes më të shpejtë, përsëri pa hua nga jashtë dhe asistencë ekonomike. Me gjithë sukseset e pretenduara për rritjen e normës së ngritjes ekonomike pa ndihmë të huaj, Shqipëria mund ta ketë tejet të vështirë që të ruajë rritjen e shpejtë ekonomike nëse vazhdon me politikën e vetëmbështetjes së paepur.   

8.         Shqipëria ka disa burime natyrore: naftë që mjafton për të mbuluar një të tretën e nevojave të saj dhe për të lënë një tepricë të vogël për eksport (megjithëse ka cilësi të dobët dhe vështirësi për nxjerrjen e saj), qymyr dhe një potencial të konsiderueshëm hidroelektrik. Vendi ka gjithashtu burime të rëndësishme mineralesh hekuri dhe bakri, megjithëse aktualisht prodhimi i bakrit është në një shkallë mjaft të vogël. Burimi më i rëndësishëm i Shqipërisë është kromi, për të cilin ajo është aktualisht prodhuesja e tretë më e madhja në botë dhe eksportuesja e dytë më e madhe. Por, besojmë se rezervat e vërtetuara janë ndoshta të mjaftueshme për më pak se prodhimin e 10 viteve në normat aktuale dhe përfaqësojnë vetëm rreth 1% të rezervave të përgjithshme botërore; edhe rezervat potenciale ndoshta nuk do të zgjasin më shumë se për 20 vite të tjera. Shqipëria do të jetë me fat nëse do të ruajë prodhimin e mineralit të kromit në nivelin aktual deri në fund të viteve 1980. Për pasojë, objektivi për zgjerim është i kufizuar. Do të duhet disa kohë për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit.

Tregtia e jashtme

9.         Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare me 80 apo më shumë vende me të cilat ajo ka marrëdhënie diplomatike. Por, që në fillim të viteve ‘70, tregtia e jashtme shqiptare nuk është rritur më shumë se 600 milionë dollarë amerikanë në vit, kur rreth dy të tretat e tregtisë bëhej me Kinën. Tregtia me vendet josovjetike Komekon është rreth 200 milionë dollarë amerikanë në vit, kryesisht me bazë shkëmbimi. Tregtia me Bashkimin Sovjetik është e papërfillshme. Tregtia me Perëndimin e zhvilluar arrin gjithashtu në rreth 200 milionë dollarë amerikanë. Shqipëria importon nga Perëndimi kryesisht hekur dhe çelik, kimikate, qymyr dhe tekstile, duke eksportuar në këmbim afërsisht tre të pestat e prodhimit të vet të kromit (një pjesë e tij është e cilësisë së dobët), nikel, tel bakri, produkte ushqimore dhe disa mallra të prodhuara. Partneri më i madh tregtar i Shqipërisë aktualisht është Jugosllavia. Kushtetuta e vendit ndalon ndërmarrjet e përbashkëta me kredi nga “monopolet dhe shtetet borgjeze dhe revizioniste e kapitaliste”. Shqipëria rrallë i është drejtuar bankave perëndimore për ndihmë financiare, përveç me bazë afat-shkurtër. Kohët e fundit, Shqipëria është përpjekur të inkurajojë partnerët e saj tregtarë perëndimorë që të bëjnë tregti mbi bazën e shkëmbimit ose ndërrimit të mallrave: një gjë e tillë mund të pengojë planet për zgjerimin e këtyre lidhjeve tregtare në të ardhmen e afërt.

10.       Balancimi i tregtisë shqiptare midis Lindjes dhe Perëndimit nuk është thjesht rezultat i dëshirës së udhëheqjes për të ruajtur pavarësinë politike të vendit. Pajisjet e avancuara perëndimore do të mbeten jetike për zhvillimin e industrisë shqiptare, por tregjet e Komekon janë më shumë të afta që të tërheqin mallra të prodhuara shqiptare të kualitetit të dobët. Megjithëse Shqipëria ka kapacitetin të shtojë eksportet e saj minerale dhe energjetike, ajo nuk do të jetë në gjendje të importojë të gjitha makineritë që kërkon nga Perëndimi: disa furnizime do të duhet të vijnë nga Evropa Lindore.

Pozita strategjike

11.       Vetë forcat shqiptare nuk kanë ndonjë domethënie të madhe. Ka katër brigada këmbësorie dhe një tankiste, rreth njëqind avionë luftarakë të mbrojtjes ajrore dhe një anije e vogël bregdetare. Të gjitha pajisjet kryesore janë të vjetra, të vjetruara dhe vuajnë nga mungesa e pjesëve rezervë dhe mirëmbajtja e tyre. Megjithatë, duke pasur parasysh pozitën gjeografike të Shqipërisë, objektet e saj ushtarake mund të kenë rëndësi strategjike nëse do të viheshin nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Bashkimi Sovjetik ka përdorur më parë bazën detare të ndërtuar nga sovjetikët në gjirin e Vlorës, dhe përdorimi i kësaj pike do të ndihmonte në mënyrë të konsiderueshme në ruajtjen e nëndetëseve të Flotës Veriore Sovjetike të pozicionuara në Mesdhe, veçanërisht për arsye se aktualisht Bashkimi Sovjetik ka objekte të kufizuara tregtare në Mesdhe. Gjithashtu, kjo pikë mund të ofrojë një zonë strehimi në thellësi ujore për përdorim nga anijet mbështetëse të Skuadriles Mesdhetare. Flota Ushtarake Detare shqiptare ka gjithashtu dy baza të vogla forcash bregdetare në Ishullin e Sazanit dhe Durrës.

12.       Funksionimi i avionëve sovjetikë nga aerodromet shqiptare nën kontrollin e sovjetikëve do të rriste kërcënimin e Paktit të Varshavës nga ajri për rajonin Jugor të NATO-s, por avionë të tillë do të ishin më shumë të ekspozuar ndaj kundërpërgjigjes së NATO-s dhe do të nevojitej fluturimi mbi territorin e Jugosllavisë për të mbështetur një zotërim të tillë sovjetik. Ngushtica e Otrantos, hyrja në Adriatik, do të ishin më afër shtrirjes së avionëve sovjetikë. Aerodromet ekzistuese ndoshta do të nevojitej të rinovoheshin dhe përmirësoheshin për të përballuar operacionet sulmuese.

13.       Përdorimi nga sovjetikët i objekteve shqiptare do të rriste shqetësimet e vendeve fqinje të Adriatikut, megjithëse shumë pak do të rritej kërcënimi i operacioneve tokësore dhe ajrore kundër Greqisë ose Jugosllavisë, i cili ekziston nëpër Bullgari.

Situata dhe opinioni aktual

14.       Pozita gjeografike e Shqipërisë i jep asaj rëndësi më të madhe sesa do të garantonte madhësia e saj apo edhe pozicioni ndërkombëtar i saj. Bashkimi Sovjetik do të përfitonte në mënyrë të konsiderueshme nga kontrolli mbi objektet ushtarake shqiptare, veçanërisht bazën nëndetëse, dhe do ta shihte si avantazh përdorimin e Shqipërisë si bazë nga e cila të ushtronte presion ndaj Jugosllavisë apo të nxiste subversion ose destabilizim atje. Interesi kryesor i Perëndimit ishte që të mos lejonte përdorimin e objekteve shqiptare nga Bashkimi Sovjetik. Kina nuk po tregon aktualisht ndonjë interes të madh në këtë vend.

15.       Shqipëria paraqet gjithashtu interes të konsiderueshëm për Jugosllavinë, e cila ka një pakicë të madhe shqiptarësh etnikë në Kosovë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë u përmirësuan pas prishjes me Kinën; po kështu pushtimi sovjetik i Afganistanit dhe shqetësimi mbi fatin e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos në vitin 1980 bëri që Shqipëria të rishpallte sigurimet e saj më të hershme për të ndihmuar jugosllavët në rast agresioni sovjetik. Por, brishtësia e kësaj detante dhe potenciali i Shqipërisë për të trazuar stabilitetin jugosllav nëpërmjet tërheqjes së saj natyrale për shqiptarët etnikë janë ilustruar gjeografikisht nga toni i hapur nacionalist dhe irredentist i trazirave të fundit në Kosovë. Reagimi shumë i ashpër jugosllav, i cili pasqyron dyshimin e bashkëpunimit shqiptar, çoi në përkeqësimin serioz të marrëdhënieve bilaterale, dhe pezullimin e marrëveshjeve kulturore.

16.       Udhëheqësit shqiptarë kanë mbetur deri sot armiqësorë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe të shurdhër ndaj thirrjeve sovjetike për përmirësimin e marrëdhënieve. Por, besojmë se gjatë viteve të ardhshme Bashkimi Sovjetik do të vazhdojë përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, ndërkohë që do të kultivojë lidhjet me çdo element prosovjetik në vend. Hoxha thuhet se është i sëmurë rëndë, por nuk kemi informacion përmes të cilit të bazojmë gjykimin tonë mbi llojin e udhëheqjes që mund të dalë pas vdekjes së Hoxhës. Nevoja e ngutshme për ndihmë të huaj mund ta bëjë ndonjë udhëheqje të re më të bindur ndaj përçapjeve për afrim me sovjetikët; por dallimet e mbetura e madje ndoshta të heshtura ideologjike dhe dëshira për të shmangur paragjykimin e Shqipërisë për përmirësimin e marrëdhënieve me pjesën tjetër të botës, mund të pengojnë në praktikë zhvillimin e lidhjeve më të ngushta me Moskën.

17.       Nuk mendojmë se Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte veprime ushtarake për të fituar kontrollin mbi Shqipërinë përveç nëse ftohej nga udhëheqësit shqiptarë apo në rast të çrregullimeve të përgjithshme në Ballkan. Nëse, pas vdekjes së Hoxhës në Tiranë do të vinte në pushtet një udhëheqje prosovjetike, pa dyshim që Bashkimi Sovjetik do të kërkonte të ketë objekte ushtarake në vend, dhe me qëllim sigurimin e tyre për një periudhë të gjatë kohore, ndoshta do të dëshironte ta tërhiqte Shqipërinë sërish në Komekon, në mos në Paktin e Varshavës. Shqipëria ndoshta do të kërkonte që të arrinte një quid pro quo (kompensim) të rëndësishëm për objektet ushtarake. Bashkimi Sovjetik mbase do të ishte përgatitur për të paguar një çmim mjaft të lartë për një marrëdhënie të tillë, megjithëse një barrë shtesë financiare nuk do të ishte mirëpritur për anëtarët e tjerë të Komekon. Sidoqoftë, një kosto më të madhe do të kishte frenimi i pashmangshëm i përpjekjeve sovjetike për të rifituar ndikimin në Jugosllavi, të cilën ata e shohin qartazi si një çmim më të mirë.

                                                                               -70-

JCR Gray Esq                                                                                       Ambasada britanike           

EESD                                                                                                                      Beograd

FCO                                                                                                                21 korrik 1981

Kosova: foto të demonstratave

I nderuar, Zotëri

1.         Shtypi i ilustruar i Beogradit ka filluar më së fundi të publikojë foto të demonstratave në Kosovë. Bashkangjitur po ju dërgoj disa prej tyre me interes për ju.

                                                                                                                                   I Juaji,

                                                                                                                  Charles Crawford

                                                                                                              Oficer Informacioni

Foto A:

“Nacionalistët shqiptarë hodhën gurë ndaj atyre që nuk bashkohen me ta”.

“Detyra e tyre është të trazojnë popullin: me një megafon përballë ndërtesës së LKK-së”.

“Nacionalistët dhe irredentistët më fanatikë mbanin shkopinj”.

Foto B:

“Prishtinë: fillimisht demonstruesit dolën me parulla “shoqërore”, por më pas fytyra e armikut u zbulua”.

Foto C:

“Foto nga dita me trazira e pranverës: Milicët kanë ndaluar një grup demonstruesish dhe po i bindin që të shpërndahen dhe të mos mashtrohen nga armiku”.

                                                                       -71-

Konfidenciale

A. E. Montgomery Esq                                                                      Ambasada britanike 

EESD                                                                                                                     Beograd

FCO                                                                                                              21 korrik 1981

Kosova: përgjegjësia politike

I nderuar Alan,

Përmbledhje

1.         Drejtimi i trysnisë së krijuar gjatë javëve të fundit ka rezultuar në dorëheqjen e Xhavit Nimanit, kryetar i Kryesisë së Kosovës. Deklarata e dorëheqjes së tij nuk shprehte aspak keqardhje. Priten dorëheqje të tjera, nëse (disi të parakohshme) spekulimet e shtypit janë njëfarë treguesi.

Detaje

2.         Botimi më i fundit i gazetës “NIN” përmbante një kryeartikull të titulluar “Dorëheqjet e pritura”. Në fjalitë e para thuhej: “Fundi i kësaj jave ka shënuar në Kosovë dorëheqje të reja të udhëheqësve të lartë të Krahinës… Tashmë kjo pengesë është hequr. Dorëheqjet në një farë mënyre janë ofruar, apo dhënë nën presionin e opinionit publik, megjithëse disi vonë”. Artikulli vazhdonte më tej me një ton morali të lartë mbi papranueshmërinë e spastrimeve që do të preknin vetëm ata të cilët ishin më afër limiteve të situatës ndërsa më të rëndësishmit do të mbeteshin të pacënuar; gjithashtu, artikulli komentonte nevojën për të trajtuar çështjen e rinovimit të gazetës “Obnova”. Kjo tingëllonte e shkëlqyeshme dhe e guximshme në stilin e ri të “NIN”, por kishte diçka qartazi të dyshimtë: asnjë emër nuk përmendej. Kërkuam shtypin e asaj dite, 17 korrik, dhe nuk gjetëm asnjë fjalë për dorëheqjet. Në fund i telefonova autorit të artikullit dhe e pyeta nëse dinte ndonjë gjë që nuk e dinte askush tjetër. Ai e pranoi se dinte, por u shpreh se do të vihej në pozitë të vështirë po të thoshte më shumë, përveç se të konfirmonte se, siç e kishim dëgjuar unë dhe Charles Crawford nga një gazetar dy ditë më parë, bëhej fjalë për emrin e Nimanit. Atë mbrëmje, në lajmet e TV u njoftua dorëheqja e Nimanit, por nuk u përmend asnjë emër tjetër.

3.         Në shpjegimin e gjatë për veprimin e tij, Nimani e identifikoi veten me denoncimin zyrtar të kundërrevolucionit, lavdëroi arritjet e Kosovës dhe shprehu optimizmin e tij për të ardhmen. Megjithatë, ai e pranoi se armiku kishte shfrytëzuar disa “mosmarrëveshje” dhe kishte molepsur mendjet e të rinjve me ndjenja të tilla si nacionalizmi, për të cilat mbanin përgjegjësi jo vetëm Lidhja e Komunistëve, por të gjithë “faktorët e tjerë subjektivë”, d.m.th. Lidhja Socialiste, Bashkimi i Rinisë etj. Ai e pranoi se përgjegjësi të veçantë kishin organet politike dhe ato shtetërore të Krahinës. Ai bëri thirrje për marrjen e masave më vendimtare për të eliminuar gabimet dhe dobësitë e LK-së, LSPP-së dhe organeve qeveritare. Më tej, ai ia vuri gjithë fajin Shqipërisë për abuzimin me “vullnetin tonë të mirë, gatishmërinë dhe sinqeritetin” në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, megjithëse pati mirësinë të pranonte se “ne nuk ishim vigjilentë sa duhet”. Duke iu kthyer përsëri çështjes së fundmi, ai tha, “duke dashur të jap kontributin tim maksimal në luftën kundër armikut dhe në stabilizimin e situatës në Kosovë nga njëra anë dhe nga ana tjetër për t’i prerë rrugën spekulimeve dhe dezinformimit për mua nga armiku, deri më sot kam vendosur që të mos jap dorëheqjen, për shkak të situatës së vazhdueshme, megjithëse e ndjeja përgjegjësinë time politike personale si kryetar i Kryesisë së Kosovës. Megjithatë, tashmë që përpjekjet ndaj kundërrevolucionit janë thyer dhe situata i është kthyer normalitetit, kam arritur në përfundimin se është koha që të jap dorëheqjen”. Ai vazhdoi më tej duke u zotuar se do të ofronte mbështetjen e tij në luftën kundër armikut.

4.         Ashtu si në rastin e dorëheqjeve të mëparshme, Nimani nuk shprehu asnjë fjalë keqardhjeje dhe është e qartë se ai nuk e konsideronte veten fajtor për asgjë që mund ta bënte të ndjehej i turpëruar. Gabimet e panumërta dhe gjerësisht të njohura që kishte bërë administrata e tij, u kaluan në heshtje.

5.         Do të jetë me interes të shikojmë se çfarë do të bëhet ne Nimanin tani, veçanërisht nëse do të fillojë ndonjë procedurë ligjore ndaj tij. Bakalli, ish-kryetari i LK-së së Kosovës është falur me një paralajmërim nga Kryesia e LKK-së, se çështja e anëtarësimit të tij të ardhshëm në Komitetin Krahinor të Kosovës do të shqyrtohet në dritën e vetë sjelljes së tij. Ndërkohë, ishte njoftuar më 14 korrik se ai nuk ishte më anëtar i Kryesisë së LKK-së. Kjo vonesë e gjatë ndodhi ndoshta për arsye të kritikës ndaj tij për faktin që ai vazhdonte të paraqitej në mbledhje sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

6.         Nuk kam mundur t’i shkoj deri në fund historisë së gazetës “NIN” për dorëheqjet. Mund të jetë që në përpjekjen e tyre për të qenë aktualë (gjë që është gjithmonë e vështirë për një gazetë të përjavshme) ata jo vetëm që u nxituan, por gjithashtu pretenduan tepër nga dorëheqja e Nimanit, ose, ata kanë të drejtë dhe akoma më tej, gjë që ende nuk është shpallur, do të vijojnë dorëheqjet. Natyrisht kjo është ajo ç’ka pritet nga shumë njerëz këtu. Më kanë thënë se gazetari në fjalë është në telashe dhe nuk flet.

                                                                                                                                  I Juaji,

                                                                                                                   Jemy T. J. Clark

Për dijeni: P. Rennie Esq

Departamenti i Kërkimit, FCO

(VIJON)

© Pashtriku.org

_________________________

Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XV)

Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura