DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (23)

Nga Prof.dr. Sabit Syla

-46-

Mbi zhvillimin e gjendjes politike në Kosovë gjatë vitit 1969

       Gjendja e brendshme politike në Kosovë është e lidhur me gjendjen e përgjithshme të brendshme të Jugosllavisë, e cila karakterizohet nga vështirësitë të mëdha në fushën ekonomike si rezultat i dështimit të plotë të të ashtuquajturit sistem i vetadministrimit, vështirësi që vetë Titoja i ka cilësuar me fjalët “se ndonjëherë më duket se në vendin tonë është arritur deri në krizë situata politike në Jugosllavi karakterizohet gjithashtu nga thellimi i mëtejshëm i kontradiktave dhe grindjeve ndërmjet kombësive në atë shkallë se “disa njerëz ngrënë çështjen nëse federata është forma e përshtatshme e shoqërisë sonë, se mos më mirë do të jetë konfederata”, dhe nga një thurje e degjenerim i vazhdueshëm i LKJ-së, ku lufta brenda kësaj organizate revizioniste ka arritur në atë pikë sa që Titoja në fjalën e tij në Plenumin e 7-të të Kryesisë së LKJ-së, më 15 dhjetor 1969, u ra kambanave për “unitet” duke paralajmëruar se LKJ po mban “erë fraksionizëm”.

       Gjendja politike në Kosovë për popullsinë shqiptare dhe për patriotët kosovarë është e favorshme, kurse për klikën tititste sipas fjalëve të Fadil Hoxhës “për një kohë të gjatë situata politike nuk ka qenë e mirë. Në këtë vend kanë ekzistuar grupe që ishin në kundërshtim me vijën e LK-së, në grupe kanë marrë pjesë elemente të kombësisë shqiptare dhe që kishin platformë tjetër nga ajo e LK-së, si përse i përket ndryshimeve konstitucionale, përdorimin e simboleve kombëtare, për zgjedhjen e kandidatëve për mbledhjen e përfaqësuesve, etj. Sipas grupeve për meritat për çfarë është arritur në Kosovë, pas Plenumit të Brionit u takojnë disa njerëzve që “luftojnë për të drejtat e shqiptarëve”. Me këto fjalë titistët tregojnë se në Kosovë po u djeg toka nën këmbë, por ata do të dëshironin që kjo situatë t’i referohej kohës së kaluar, prandaj edhe Fadil Hoxha i shpreh këto shqetësime me kohën e kaluar” “situata politike nuk ka qenë e mirë”, “Kanë ekzistuar grupe që ishin në kundërshtim me vijën e LK-së”, etj.

  • Prof.dr Sabit Syla

Demonstratat e nëntorit dhe të dhjetorit të vitit 1968, në shumë qytete të Kosovës dhe të Maqedonisë, qenë fillimi i një kthese në jetën politike të popullsisë shqiptare në Jugosllavi dhe luftën e saj kundër politikës armiqësore e shoviniste të klikës tititste për të drejtat kombëtare, për t’i dhënë Kosovës dhe krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi, karakterin shqiptar. Ato ngritën në një shkallë më të lartë ndjenjën dhe krenarinë kombëtare të gjithë popullsisë shqiptare në Jugosllavi, demaskuan kalbësirën e regjimit tititst lidhur me politikën shoviniste e antishqiptare dhe e detyruan regjimin e Beogradit të bënte disa lëshime taktike me nxjerrjen e ligjit kushtetues të Krahinës Autonome të Kosovës. Aprovimi i Ligjit Kushtetues qe një fitore për popullsinë shqiptare të Kosovës. Mbas kësaj, patriotët kosovarë, pa u trembur nga presioni, arrestimet, burgimet dhe dënimet e shovinistëve tititste serbe e malazeze kundër pjesëmarrësve të demonstratave, ngritën në një shkallë më të lartë kërkesat e tyre për të vënë në jetë disa nga ato të drejta që u janë lejuar me Ligjin Kushtetues. Këto kërkesa kanë qenë në drejtim për barazi kombëtare, për të pasur vende drejtuese në ekonominë dhe në organet drejtuese shtetërore dhe organizatat e masave si në qendër të krahinës, ashtu edhe në komunë në përpjesëtim me popullsinë, për zgjerimin e rrjetit të shkollave të gjitha kategorive në gjuhën shqipe, për vënien në jetë të barazisë së dygjuhësisë, si në organet administrative, ashtu edhe ato ekonomike, kërkesa për sanksionimin me ligj të përdorimit të flamurit kombëtar, jo vetëm në formë private që përdoret tani, por edhe në të gjitha institucionet e Krahinës. Janë bërë gjithashtu përpjekje për të përfituar në drejtim të zhvillimit të ekonomisë së Krahinës, duke kërkuar që të zbatohen vendimet e LKJ-së dhe Qeverisë jugosllave sipas të cilave vendet më të zhvilluara të Jugosllavisë duhet të ndihmojnë krahinat e prapambetura, etj. Duhet thënë se kjo luftë e patriotëve kosovarë dhe e gjithë popullsisë shqiptare të Kosovës, për këto kërkesa të drejta dhe të ligjshme, ka ashpërsuar më tepër kontradiktat dhe marrëdhëniet ndërnacionale në Kosovë, gjë që ka preokupuare dhe shqetësuare shumë jo vetëm shovinistët serbë e malazezë, por dhe gjithë udhëheqjen revizioniste të Beogradit.

       Gjatë vitit 1969, patriotët kosovarë kanë vazhduar luftën për barazi në proporcion me popullsinë në vendet drejtuese të organeve ekonomike dhe në organet e administratës si në qendër të Krahinës, ashtu edhe ato komunale. Popullsia shqiptare në Kosovë përbën mbi 67% të popullsisë së Krahinës. Me gjithë këtë, shumica dërmuese para aprovimit të Ligjit të ri Kushtetues në organet administrative, si në qendër të komunës, ashtu dhe në ato komunale, në organizatat e masave, në vendet drejtuese të organizatave kulturore-arsimore, etj. Shumicën e përbënin serbët dhe malazezët. Përpara aprovimit të kushtetutës dhe veçanërisht mbas aprovimit të saj, shqiptarët e Kosovës shtruan me forcë që në këto organe dhe organizata, përfaqësuesit duhet të zgjidhen ose të emërohet duke pasur parasysh përbërjen nacionale. Një luftë e madhe u zhvillua në këtë drejtim gjatë fushatës së zgjedhjeve për në organet federative, republikave dhe krahinave gjatë muajit prill të vitit 1969. Si rezultat i gjithë këtyre përpjekjeve përbërja nacionale në favor të kombësisë shqiptare u përmirësua mjaft në krahasim me të kaluarën, duke siguruar që 60% të deputetëve të të gjitha instancave të jenë të kombësisë shqiptare. Gjatë fushatës së zgjedhjeve për të siguruar këtë përpjesëtim nga ana e serbëve, malazezëve dhe titistëve, shqiptarët e Krahinës u deshtë që në disa komuna zgjedhjet të përsëriteshin për arsye se kandidatët serbë ose malazezë nuk siguronin votat e nevojshme, megjithëse pati rast që ata të viheshin në listë si të vetmit kandidatë për t’u zgjedhur.

       Më e vështirë dhe me ashpër ka qenë dhe është lufta për të pasur një përpjesëtim të drejtë në përbërjen nacionale në ndërmarrjet dhe entet ekonomike, sepse shovinistët serbë dhe malazezë kanë bërë dhe bëjnë një rezistencë shumë të madhe për të ruajtur në dorën e tyre gjithë kyçet e ekonomisë së Krahinës së Kosovës. Ata për të ruajtur të drejtat e drejtimit të ekonomisë shkuan deri në atë masë sa të bëjnë edhe presione mbi popullsinë shqiptare duke përdorur edhe largimin në masë nga ekonomia të inxhinierëve, specialistëve dhe teknikëve serbë e malazezë, por gjithmonë duke ua hedhur fajin “shovinistëve shqiptarë” ose të ardhurave gjoja të pakta që ata sigurojnë në Kosovë, etj. Si rezultat i gjithë kësaj rezistence dhe lufta e popullsisë shqiptare të Kosovës për të marrë në dorën e vet drejtimin e ekonomisë së Krahinës, ose për të pasur të paktën proporcion të drejtë në organet drejtuese të ndërmarrjeve ekonomike, ka pasur fare pak rezultate për të mos thënë aspak. Serbët me qëllim që të frenohen kërkesat e popullsisë shqiptare në këtë drejtim në propagandën e tyre ngrenë shumë rrolin e këtyre specialistëve. Gjurica Zojkiq, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Serbisë, në një mbledhje të punëtorëve të Trepçës tha se “nuk ka çmim me të cilin mund të paguhet kontributi i ekspertëve në prodhim”. Me këto fjalë, shovinistët serbë dhe titistët, kërkojnë që punëtorët dhe kuadrot shqiptare në ndërmarrjet ekonomike të Kosovës të heqin dorë nga kërkesa që edhe ata të kenë të drejta të barabarta në drejtim dhe administrimin e ekonomisë së Krahinës.

       Lufta në fushën ekonomike në Kosovë ndërmjet shqiptarëve nga njëra anë dhe serbëve dhe malazezëve nga ana tjetër, ashpërsohet edhe nga shkaku i papunësisë në Kosovë. Agjencia “Tanjug” në shkurt të vitit 1969, njoftonte se numri i vërtetë i të papunëve në Krahinë është rreth 80 mijë vetë. Nga shtypi del se rreth 80% e njerëzve të papunë janë të moshës nën 40 vjeç. Duhet theksuar se shumica dërmuese e këtyre të papunëve janë të kombësisë shqiptare, se përveç politikës serbomadhe që ndjekin tititstët në marrjen e njerëzve në punë, shtohet edhe mungesa e kualifikimit dhe e nivelit të ultë kulturor që kanë shqiptarët e Kosovës, të cilëve dhe kur merren në punë caktohen në vende që kanë të bëjnë me punë të rënda fizike dhe hamallëku.

       Nga fjalimet e udhëheqësve titistë dhe nga shtypi krahinor, del se LK të Kosovës gjendet në thurje të thellë të gjithanshme dhe të vazhdueshme. Jeta e anëtarëve të lidhjes karakterizohet nga një indiferentizëm dhe mungesë disipline të theksuara sa që është bërë një preokupim serioz për klikën e Titos, ashtu sikurse është bërë një problem i madh dhe gjendja në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë. Duke karakterizuar veprimtarinë e organizatës së LK-së, gazeta “Rilindja” shkruan se “pritja dhe pasiviteti i organizatave të Partisë në Krahinën e Kosovës manifestohet në tërë veprimtarinë e saj”. LK e Krahinës së Kosovës është bërë strehë korrupsioni. “Nëse bëjmë pyetjen – thotë Veli Deva – se kush po i toleron dukuritë e deformimeve të ndryshme të bazuara në korrupsion keqpërdorime, etj. Do të shohim se 90 për qind e tyre janë komunistë”. Anëtarët e Lidhjes Komuniste nuk duan të dinë aspak për problemet që preokupojnë titistët, ata nuk zbatojnë as rregullat me kryesore të statutit të Lidhjes, siç janë pjesëmarrja në mbledhje, pagimi i kuotizacioneve, etj. Nga shtypi del se vetëm në komunën e Vitisë, që ka mbi 1 400 anëtarë, rreth 50 për qind e tyre nuk kanë paguar kuotizacionet e anëtarësisë qysh nga viti 1967. Disa anëtarë të Lidhjes Komuniste jo vetëm që janë indiferente ndaj vendimeve që merren në mbledhje dhe politikës së LK, por përkundrazi thuhet se “janë shumë aktiv kundër saj”. Kjo gjendje në LK e ka shqetësuar shumë klikën e Titos dhe shërbëtorët e saj në Kosovë, prandaj ata kohët e fundit kanë filluar një fushatë të gjerë për të përjashtuar nga Lidhja Komuniste të gjithë ata anëtarë që janë në kundërshtim me politikën e lidhjes komuniste – veçanërisht kjo fushatë është shtruar pas fjalimit të Titos në Zare, në shtator të vitit 1969. Mbas këtij fjalimi, në Kosovë shpërtheu një fushatë e madhe propagandistike e shoqëruar me masa administrative kundër “indiferentizmit”, mungesës së disiplinës, “nacionalizmit, shovinizmit”, etj. E gjithë kjo bëhet për të përjashtuar nga LK, nga organizatat e tjera të masave dhe nga vendet drejtuese në ekonomi të gjithë ata që kundërshtojnë vijën politike të LK, që janë kundër politikës ekonomike që ndjekin titistët në Kosovë dhe që punojnë dhe luftojnë për një afirmim sa më të plotë të popullsisë në kombësi shqiptare në Kosovë. Në ditët e para të fushatës për punimet e fjalimit të Titos në Zarë, duke marrë dhe si pretekst një dasmë që u bë në Gjakovë, u përjashtuan nga LK e Krahinës, 46 anëtarë të Lidhjes Komuniste, u përjashtuan nga puna shumë drejtorë ndërmarrjesh dhe punëtorë, pothuajse të gjithë të kombësisë shqiptare të akuzuar si nacionalistë, si persona që janë kundër “vëllazërim-bashkimit” etj. Gjatë punimit të fjalës së Titos në Zare, LK e Kosovës edhe një herë arriti në konkluzion se një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të LK-së nuk marrin pjesë në mbledhjet e organizatave, për muaj me radhë nuk paguajnë kuotat e anëtarësisë, se në asnjë komunë nuk janë zbatuar vendimet e Komitetit Krahinor të LK-së për shumë probleme, se ryshfeti, korrupsioni, hatëri janë bërë çështje të zakonshme etj.

       Në Kosovë jo vetëm një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve të LK-së janë në kundërshtim me vijën e LKJ-së dhe nuk zbatojnë këtë vijë, por ka organizata që ndodhen në këto pozita, prandaj kundër mjaft organizatave, janë marrë dhe masa ndëshkimore deri në shpërndarje të tyre. “Rilindja” e 10 dhjetorit, njoftonte që mbledhja e Konferencës Komunale të LK-së së Prishtinës, vendosi për shpërndarjen e organizatës së LK-së të repartit të kosmet-prenozit për devijimin e saj nga vija e LKJ”. Në Konferencë u tha gjithashtu se Komiteti Komunal konstatoi se nuk është kjo e vetmja organizatë themelore e LK-së në komunë, e cila ka krijuar marrëdhëniet kaotike. Shpërndarje të organizatave të LK-së ka pasur dhe në komuna të tjera të Kosovës. Për arsye se kanë qenë në kundërshtim me politikën e LK-së, janë shpërndarë organizatat e nyjës hekurudhore të Fushë-Kosovës, organizata e një raporti në kombinatin e Trepçës etj. Në një gjendje të tillë dhe akoma me keq janë dhe organizatat e tjera të masave, si ajo e Lidhjes Socialiste, Lidhjes së Rinisë etj.

       Mbas Plenumit të Brionit, klika e Titos me qëllim që të zbulonte dhe të eliminonte më lehtë nga pozitat në LK, në pushtet dhe në ekonomi përkrahësit e Rankoviqit dhe për qëllime demagogjike lejoi që në faqet e shtypit jugosllav të ketë më tepër liri për të kritikuar kundërshtarët e saj. Këtë e shfrytëzoi në njëfarë mase edhe shtypi i Kosovës dhe veçanërisht ai në gjuhën shqipe. Në faqet e shtypit të Kosovës për një periudhë pak a shumë të gjatë u duken shkrime që demaskonin politikën armiqësore e serbomadhe që është ndjekur ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi – flitej për prapambetjen e ekonomike, politike, arsimore e kulturore në Kosovë. Në këto shkrime flitej për prapambetjen e Kosovës, për diferencën e madhe që ekziston ndërmjet Kosovës dhe krahinave të tjera të Jugosllavisë dhe se kjo diferencë shtohet nga viti në vit se “për shtimin e diferencave nuk është shkaktare vetëm e kaluara historike, por edhe politika ekonomike prej vitit 1947 e deri me sot”, etj. Por me kalimin e kohës, ku kjo liri shtypi nuk është më në interes të titistëve. Prandaj, këto kohët e fundit, ashtu si për të gjithë shtypin jugosllav po duket tendenca për të vënë nën fre shtypin edhe në Kosovë. Në një fjalim të mbajtur në shtator të vitit 1969, në Konferencën e LK të Kosovës, Llatinko Peroviq, sekretar i KQ të LK, të Serbisë, duke iu drejtuar njerëzve të shtypit ndërmjet të tjerëve tha: “si lëvizje dhe si shoqëri kemi të drejtë të kërkojmë prej shokëve të shtypit një përgjegjësi më të madhe profesionale, që në shtyp të paraqitet ajo që është caktuar bashkërisht me marrëveshje dhe që është orientimi i forcave progresive dhe jo mendimi i individëve dhe i grupeve të LK” – shkurt kërkohet që në shtyp të mos shkruhet më për ato gjëra që denoncojnë politikën e klikës tititste, por ato që janë “Caktuar me marrëveshje” me të. Prandaj, dhe në këtë drejtim në të ardhmen shqiptarëve në Jugosllavi do t’u duhet të luftojnë më shumë për të mbrojtur të drejtën për të pasur liri fjalë dhe shtyp.

       Për qëllime që dihen, popullsia shqiptare në Jugosllavi është e ndarë në katër rajone të ndryshme që administrohen nga tri republika. Shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Krahinës së Kosovës – në Serbi, ata të Maqedonisë dhe Malit të Zi janë në kondita më të vështira se popullsia e Krahinës së Kosovës dhe lufta e tyre për barazi kombëtare është më e ndërlikuar. Përpjekjet e tyre mbas Plenumit të Brionit për t’u ribashkuar me Kosovën, nuk patë sukses dhe perspektivat për këtë ribashkim në konditat e tanishme janë jo të mira, për të mos thënë të pamundura. Në periudhën e tanishme në këto rajone bëhen përpjekje për të fituar disa të drejta për të pasur shkolla në gjuhën shqipe, dhe të përdorimit të flamurit kombëtar, por nga të dhënat e shtypit del se në këtë drejtim nga shovinistët serbë, malazezë e maqedonas, nuk është dhënë asgjë konkrete përveç fjalëve premtuese, me përjashtim të disa shkollave të pakta në disa fshatra dhe qytete të Maqedonisë – kurse në Mal të Zi shkollat shqipe në fshatra me popullsi shqiptare numërohen me gishta dhe qenia e tyre është formale se në to jo vetëm që mungojnë lokalet, kuadrot dhe mjetet mësimore, por nga presioni që bëhet nga ana e shovinistëve të këtyre republikave, shqiptarët detyrohen që fëmijët t’i çojnë në shkolla në gjuhën serbokroate dhe jo në ato shqiptare. Nga ana e kosovarëve për të ndihmuar në këtë drejtim tregohet një interesim, kryesisht në drejtim të ndihmës për arsimin dhe kulturën duke dërguar disa libra, gazeta, revista, ndonjë grup artistësh duke shkruar ndonjë artikull për gjendjen e shqiptarëve në këto krahina, etj. Por mundësitë e tyre materiale për një ndihmë më të madhe, kanë qenë të kufizuara dhe frika e drejtuesve të sotëm të Kosovës për të mos u akuzuar nga titistët si nacionalistë, e kufizojnë më shumë këtë ndihmë.

       Në luftën e popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi, kundër politikës tititste serbomadhe për të ruajtur karakterin shqiptar të Kosovës dhe krahina të tjera shqiptare në Jugosllavi, për të drejta më të gjera, një ndihmë të madhe kanë dhënë Partia e jonë e Punës dhe Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë me qëndrimin e tyre të drejta dhe konsekuente ndaj problemit të Kosovës, ndaj zhvillimit të situatës në Kosovë dhe me qëndrimin e tyre parimor dhe të vendosur ndaj politikës së klikës tititiste, si për çështjet e brendshme, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Kjo vijë dhe ky qëndrim i vendosur dhe parimor i Partisë dhe i Qeverisë sonë, sukseset që i ka arritur populli i ynë në ndërtimin socialist, ndihma që i është dhënë popullit të Kosovës kohët e fundit për amësimin e kulturën, kanë qenë dhe janë një burim frymëzimi për popullsinë shqiptare në Jugosllavi. Nga të dhëna të ndryshme, del se popullsia shqiptare në Jugosllavi ndjek me kujdes emisionet e Radio Tiranës dhe se ajo është e informuar mjaft mirë për të gjitha problemet aktuale të vendit tonë. Të gjitha këto kanë bërë që të rritet dhe të forcohet dashuria për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe shokun Enver, të forcohet dhe të rritet besimi ndaj politikës së drejtë marksiste-leniniste të Partisë dhe Qeverisë sonë.

       Nën influencën direkte të punës dhe të luftës që bëhet në vendin tonë, kundër zakoneve prapanike dhe mbeturinave të së kaluarës, në Kosovë, megjithëse në embrion, shikohet që të shkruhet dhe të flitet kundër këtyre zakoneve dhe mbeturinave si është çështja për të pasur një veshje më të lehtë si të grave ashtu dhe të burrave, dëshira për të luftuar zakonin e fejesave në moshë të vogël dhe fejesat me lajme, harxhimet e mëdha në dasma, ka pasur shkrime ku kritikohet ndërtimi i xhamive dhe kishave në vend që të ndërkohën shkolla që kanë më shumë nevojë, kritika për shpenzime të mëdha e të panevojshme që bëhen për të shkuar në Qabe, bëhen përpjekje për të luftuar zakonin e marrjes së gjakut dhe për të pajtuar familjet që janë të mbyllur për shkak të vrasjeve, etj.

       Vizitat që kanë bërë gjatë këtij viti në Shqipëri persona të veçantë kosovarë ose grupe vizitorësh, siç ishte ai i 37 plakave nga Kosova, kanë lënë përshtypje mjaft të mira si për pritjen e përzemërt që u është bërë, ashtu dhe për sukseset madhështore që janë arritur në vendin tonë gjatë këtyre 25 vjetëve të çlirimit dhe këto përshtypje ka qenë i detyruar, sigurisht në mënyrë shumë të cunguar, t’i botojë dhe shtypi i Kosovës, kështu p.sh. një nga plakat që erdhi këtu për vizitë i deklaroi korrespondentët të “Rilindjes” se ishte shumë e kënaqur kur konstatoi se gjithë njerëzit e farefisit të saj në Shqipëri ishin shumë mirë dhe se nuk u mungonte asgjë.

       Titistet gjatë këtij viti në forma dhe mënyra të ndryshme, janë përpjekur që nga njëra anë të përdorin Kosovën si urë, të krijojnë iluzione në popullsinë shqiptare të Jugosllavisë se ata janë për marrëdhënie të mira me Republikën Popullore të Shqipërisë, se gjoja shqiptarët në Jugosllavi kanë fituar të gjitha të drejtat si komb dhe si popull, se ata mund të vënë e të vijnë lirisht me Shqipëri, po kjo do të varet se sa Shqipëria do ta lejojë këtë vajtje dhe ardhje, se titistët janë dhe për zgjerimin e marrëdhënieve të kulturave tregtare të Kosovës me vendin tonë, kurse nga ana tjetër kanë shpifur kundër politikës së Partisë dhe Qeverisë sonë, duke i akuzuar ata se janë nxitës për demonstratat e vitit të kaluar në Kosovë e Maqedoni ose si shpifja e kohëve të fundit e LS të Gjakovës, e përkrahur dhe nga LS e Kosovës dhe nga gazeta titiste “Borba” se “organet qeveritare dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë, e kanë keqpërdorur vizitën private të një grupi qytetarësh nga Gjakova dhe kanë krijuar nga ajo spekulim politik”. Të gjitha këto bëhen me qëllime armiqësore, ato synojnë të nxisin kosovarët kundër Partisë dhe Qeverisë sonë, por këtë qëllim klika titiste nuk do t’ia arrijë kurrë, sepse dashuria e vëllezërve tanë kosovarë për Shqipërinë mëme, për Partinë e Punës së Shqipërisë dhe shokun Enver është e madhe dhe e thellë.

       Nga sa u tha më lartë, mbi zhvillimin e gjendjes politike në Kosovë mund të arrihet në këto konkluzione: 1) Gjatë vitit 1969, lufta e popullsisë shqiptare të Kosovës për barazi kombëtare në të gjitha fushat e jetës së Krahinës është zgjeruar dhe është ngritur në një shkallë më të lartë. 2) Kjo luftë gjatë kësaj periudhe është konkretizuar më mirë, duke pasur disa objektiva të caktuara, siç janë barazia e gjuhës, e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar, zgjerimi i rrjetit të shkollave në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i gjendjes së tyre, barazi për vende drejtuese dhe në punë si në sektorin ekonomik, ashtu edhe atë administrativ në përpjesëtim me numrin e popullsisë, kërkesa për një zhvillim më të shpejtë të ekonomisë së Krahinës, etj. 3) Nga analiza e të dhënave të shtypit të përditshme dhe periodik të Kosovës dhe të burimeve të tjera, del se në krye të luftës së popullsisë shqiptare për një afirmim sa më të madh të saj në Jugosllavi janë intelektualët përparimtarë dhe studentët. Demonstratat e nëntorit të vitit 1968, ndikuan në mënyrë pozitive edhe në masën e fshatarësisë shqiptare, e cila filloi të interesohet më shumë për të ardhmen e Kosovës, të bëjë presion në disa komuna ndaj serbëve dhe malazezëve që të largohen nga ato toka që u kanë marrë fshatarëve shqiptarë më parë. 4) Klika e Titos edhe në të ardhmen do të mundohet që me një demagogji të stërholluar të mashtrojë popullsinë shqiptare të Kosovës, duke spekuluara me ato lëshime taktikë që bëri me aprovimin e Ligjit Kushtetutës të Kosovës, të propagandojë gjerësisht të drejtat që gjoja popullsia shqiptare ka fituar, por sikurse pranohet edhe nga të shtypi i Kosovës, tititstët nuk e kanë vënë ujin në zjarr për zbatimin në praktikë të premtimeve të dhëna, se shumë vendime dhe konkluzione të organeve shtetëror dhe organizatave të masave për barazi kombëtare të popullsisë shqiptare në Jugosllavi figurojnë vetëm në letër dhe të mbyllura nëpër sirtarë. 5) Mund të thuhet se në të ardhmen me gjithë demagogjinë, mashtrimet, e frikësimet që mund të përdorin titistët ndaj patriotëve kosovarë që luftojnë për të drejtat e ligjshme, lufta do të vazhdojë të ashpërsohet dhe të zgjerohet më tepër, sepse klika e Titos jo vetëm që është vendosmërisht kundër këtyre kërkesave lidhur edhe me gjendjen e përgjithshme të kontradiktave nacionale në Jugosllavi, por ajo për vetë politikën shoviniste që ndjek në formë dhe në përmbajtje është kundër zgjidhjes së drejtë të kërkesave të pakicave kombëtare në Jugosllavi. 6) Duke u nisur nga sa u tha më sipër dhe nga zhvillimi i situatës në Kosovë, del se dhe në ardhmen duhet të denoncohet politika shoviniste e serbomadhe që ndjekin revizionistët e Beogradit ndaj Kosovës, me të gjitha format dhe mjetet e mundshme të propagandës të nxitet popullsia shqiptare e Kosovës dhe e krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi në drejtim të rritjes së kërkesave gjithmonë e më të avancuara në mënyrë që pas kushtetutës kosovare të fitojnë të drejta sa më të plota si kombësi dhe si popull, të fitojë të drejta të barabarta me serbët dhe malazezët në përpjesëtim me popullsinë, të luftojë për një zhvillim ekonomik, kulturor e arsimor më të shpejtë të Kosovës, gjithashtu duhet të ndihmojmë që popullsia shqiptare e Kosovës luftën e saj për një afirmim të plotë si komb dhe si popull në Jugosllavi, të mos të zhvillojë luftë vetëm nga pozita nacionaliste, por kjo luftë të ketë edhe përmbajtje klasore, të lidhet me luftën e klasës punëtore, të fshatarësisë dhe shtresave të tjera të popujve të tjerë të Jugosllavisë kundër klikës revizioniste të Titos që është armike jo vetëm e popullit shqiptar, por edhe e të gjithë popujve të Jugosllavisë.

F U N D

Tiranë, më 20.02.1970

Sheradin Berisha © Pashtriku.org

________________

Kthehu në fillim të studimit:

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (1) Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura