PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: DËSHMI PËR KEQPËRDORIMET DHE DEFORMIMET E SHËRBIMIT TË SIGURIMIT SHTETËROR NË KOSOVËS (1945-1966) (1)

Prishtinë, 13 nëntor 2019: Formimi i UDB-es në Kosovë
UDB-eja u lind nga paraardhësja e saj OZN-(Odelenje za Zashtitu Naroda – Dega e Mbrojtjes Popullore) , e cila u formua më 14 maj 1944 me vendim të Shtabit Suprem të UNÇJ-së. Ajo fillimisht ka vepruar në kuadër të seksionit të MP të KANÇJ-së. Ndërsa në Kosovë u formua më 1 shtator 1944. Të gjitha dokumentet e kohës flasin se OZN-a për Kosovë është formuar me kërkesën e “Komitetit Krahinor të Kosmetit” dhe të Komitetit Qendror të PKJ-së. Për formimin e saj, përgjegjës ishte Aleksandër Rankoviqi, i cili në datën e caktuar i kishte ftuar në një takim – në ishujt Vis të Kroacisë. Në këtë takim u vendos që shef i OZN’ës për Kosovë të emërohej Spasoje Gjakoviqi. Me rastin e instalimit të OZN-ës në Kosovë, në radhët e saj ishin edhe tre anëtarë të “Komitetit Krahinor të Kosmetit”: Ali Shukria, Çedo Mijoviqi dhe Sahit Bakalli.

Në mars 1945, OZN-a kishte hyr në përbërjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa pas shpalljes së Kushtetutës së parë të Jugosllavisë së AVNOJ-it (janar 1946) ajo u shndërrua në UDB (Uprava Drzhavna Bezbednosti – Drejtoria e Sigurimit Shtetëror – DSSH). Me këtë emërtim UDB-a veproi deri në korrik të vitit 1966, kur në Plenumin e Brioneve u largua nga pushteti Aleksandër Rankoviqi. Pas disa ndryshimeve sipërfaqësore brenda këtij shërbimi, UDB-a u emërtua si SDB (Slluzhba Drzhavne Bezbednosti – Shërbimi i Sigurimit Shtetëror), por, pavarësisht nga ndryshimi i emrit, populli shqiptar deri në ditët e sotme e njihte si UDB. Krahas këtyre dy shërbimeve: (SDB dhe UDB-së) ka vepruar edhe një shërbim tjetër sekret i njohur si KOS (Kontra Obaveshtajna Sluzhba – Shërbimi Kundërspijunues). KOS-i ka vepruar në kuadër të Armatës jugosllave APJ. OZN-a, UDB-a, SDB-ja dhe KOS-i ishin dhe mbetën shërbimet sekrete antishqiptare dhe më monstruoze në luftimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë viteve 1945 – 1999 / 1…
Formimi i Komisionit për vlerësimin e keqpërdorimeve të organeve të SHSSH në Kosovë
Derisa hulumtoja për aksionin e mbledhjes së armëve dhe deformimet tjera të UDB-es, që kishin ndodhur në Kosovë që nga viti 1945-1966, ose ndryshe siç quhet koha e Rankoviqit, hasa në shumë të dhëna dhe materiale që gjerë më sot nuk janë hulumtuar dhe botuar fare. Në mesin e shumë dokumenteve ajo që më bëri përshtypje ishin procesverbalet që ishin bërë gjatë marrjes në pyetje të ish-udhëheqësve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror nga ana e komisionit që ishte formua nga ana e Komitetit Krahinor të LKK-së, me të vetmin qëllim që të vijë deri tek një e vërtet nga dorë e parë nga vet bërsitë e keqpërdorimeve dhe të deformimeve ndaj popullatës shqiptare. Andaj me një përkushtim të madh hulumtova, analizova dhe shqyrtova të gjitha ato dokumente.

Ali Shukria 1919 – 2005

Pas Plenumit të IV të KQ të LKJ-së, që ishte mbajtur në Brione, me 1 korrik 1966 Sekretariati Krahinor i Komitetit të LKS për Kosovë, në bazë të prurjeve të informatave nga terreni pas Plenumit të IV të KQ të LKJ-së, formoi një komision me qëllim të hulumtimit dhe të shqyrtimit të të gjitha përgjegjësive politike e individuale të anëtarëve të Komitetit Krahinor të cilët kishin punuar në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit në Kosovë si dhe dobësitë e deformimet që ishin manifestuar në këtë shërbim. Anëtarë të komision ishin caktuar: Ilija Vakiqi, Sait Zatriqi dhe Blazho Ljutica. Por herë pas here në punën e komisionit merrnin pjesë edhe: Ali Shukrija, Blazho Radonjiqi, Asllan Fazlija, Sinan Hasani e Kadri Reufi. Komisioni kishte filluar me punën, menjëherë pas caktimit të tyre për anëtar që me 16 korrik 1966. Punën e kishin vazhdua edhe me 17, 18, 19, 20 e 22 korrik, si dhe me 19, 20, 21, 27 dhe 28 shtator për të vazhduar edhe me 3 e 4 tetor po të të njëjtit vit.
Gjatë kësaj periudhe, Komisioni kishte zhvilluar shumë biseda me Miqa Mijushkoviqin, Stanisllav Gërkoviqin, Shaban Kajtazin dhe Rajko Vidaqiqin 2. Veç kësaj komisioni kishte kërkua dhe kishte pranua deklaratat me shkrim nga këta persona që bënin fjalë për punën e tyre në këtë shërbim.

Gjithashtu, anëtarët e komisionit kishin kërkuar deklarata me shkrim dhe kishin zhvilluar bisedime me Rrezak Shalën, anëtarin e komitetit Krahinor, i cili disa vite me radhë (deri më 1965), kishte punuar në këtë shërbim. Po ashtu, ata kishin marr edhe shumë deklarata nga anëtarët e tjerë të Lidhjes së Komunistëve, të cilët ishin punonjës në Sh.S.Sh.
Komisioni i formuar nga anëtarët e lartpërmendur, të gjitha materialet e marra, të gjitha ankesat e deklaratat e njerëzve që kishin pësuar nga organet e sigurimit i kishte analizuar me përkushtim të madh. Andaj, komisioni nga personat e akuzuar kishte marrë deklarata fillimisht me shkrim.
Komisioni gjithashtu kishte bë pasqyrimin e materialeve të organizatave dhe udhëheqjes të LK në Kosovë të cilat kishin të bënin me keqpërdorimet e deformimet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, si dhe materialet e komisionit të Këshillit Ekzekutiv për hulumtimin e gjendjes në SUP, që sa më lehtë me ardhur deri te të dhënat reale dhe më të plota për përgjegjësin individuale të këtyre personave gjatë periudhës së kaluar në këtë shërbim.3
(VIJON …)
___________
Referencat:
1 Sheradin Berisha, OZNA-UDB’a dhe Kuvendi i Prizrenit (08 – 10 korrik 1945), Pashtriku.org
2 Pokrainski Komitet SKS za Kosovo I Metohiju-Sekretariat-, Ocena aktivnosti SKS na Kosovu I Metohiju na sprovogjenju odluka çetvrtog plenuma CK SKJ I naredni zadaci
3 Sekretariat Pokrainskog Komiteta SKS za Kosovo i Metohiju, Predlog: O obrazovanju komisije za reorganizaciju Pokrainskog Komiteta SKS za Kosovo i Metohiju i izradu predloga kandidatat za izbor njegovih tela; Materiali i zapisnici sa sastanka sekretariata PK SKS u 1966

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura