DOKUMENTE PROGRAMORE TË LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LRSSHJ), JANAR – MARS 1984

DOKUMENTE PROGRAMORE TË LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LRSSHJ), JANAR – MARS 1984

Shtutgart, janar 1984

STATUT I LËVIZJES PËR REPUBLIKËN SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LRSSHJ)

     I

     Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi është përfaqësuesja e interesave të vërteta të popullit shqiptar në Jugosllavi. Aktualisht ajo është luftëtarja më e denjë për realizimin e këtyre interesave.

Lëvizja është një bashkim luftarak vullnetar patriotësh e revolucionarësh të popullit shqiptarë që jeton në Jugosllavi dhe i asaj pjese të tij që fati historik e detyroi të mërgoi nëpër shtete të ndryshme të botës, të cilët përpara interesit të përgjithshëm i kanë sakrifikuar të gjitha interesat tjera.

     LRSSHJ u ngrit mbi bazën e organizatave LNÇKVSHJ, PKMLSHJ, OMLK dhe FKP dhe mori një orientim të tillë për kërkesën “Kosova-Republikë” nga përvoja e demonstratave masive të mbarë popullit shqiptar në Jugosllavi gjatë Pranverës së vitit 1981.

     Qëllim i Lëvizjes është që të grumbulloj aq forca rreth vetes, sa me atë forcë të grumbulluar t’i bëjë presion udhëheqjes federative, dhe me këtë t’ia imponoj kësaj të fundit një situatë të atillë në të cilën ajo do të detyrohet që popullit shqiptarë në Jugosllavi t’i njehë të drejtën për formimin e një republike siç janë gjashtë të tjerat në RSFJ.

     Për të arritur gjer tek ky qëllim, Lëvizja do të shërbehet me metoda të ndryshme të luftës që ia lejon etika revolucionare dhe që janë të njohura në praktikën e luftërave të popujve për liri.

     II

     ANËTARËT, TË DREJTAT DHE DETYRAT E TYRE

     1. Anëtarë të Lëvizjes mund të bëhen të gjithë shqiptarët në Jugosllavi dhe pjesa e tyre në botën e jashtme, të cilët kanë kaluar moshën 18 vjeçare dhe që pranojnë programin dhe statutin e LRSSHJ.

     2. Anëtarë është ai i cili pranon Programin e saj, që e ndihmon materialisht dhe që merr pjesë personalisht në një nga celulat e saj.

     3. Anëtari ka për detyrë:

a) të ruaj dhe të luftoj për unitetin e Lëvizjes. Lëvizja nuk lejon ekzistimin e fraksioneve në gjirin e vet,

b) të zbatoj vendimet e Lëvizjes, të respektoj statutin e saj, të propagandoj traditat patriotike të popullit tonë. Ai gjithmonë duhet të veproj nga pozita revolucionare,

c) të ngritet teorikisht, të mendoj, punoj e jetoj si revolucionar dhe luftën për formimin e Republikës Shqiptare në Jugosllavi ta vej në plan të parë në të gjithë veprimtarinë e tij,

d) të forcoj lidhjet me masat, të jetë i drejtë, i ndershëm, i dashur për popullin, të jetë armik i mendjemadhësisë, karrierizmit, indiferentizmit dhe i frymës së komandimit kundrejt njerëzve,

e) të jetë propagandist, agjitator dhe mbrojtës i flaktë i qëllimit të Lëvizjes,

f) të jetë kritik, autokritik dhe të luftoj vetëkënaqësinë,

     4. Anëtari ka të drejtë

a) të marrë pjesë në diskutimin e problemeve të luftës së Lëvizjes,

b) të kritikoj sjelljet e anëtarëve dhe veprimet e padrejta,

c) të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet udhëheqëse

d) t’u drejtohet për çështje të ndryshme me pyetje, kërkesa dhe propozime organeve udhëheqëse të Lëvizjes

     5. Pranimi në Lëvizje bëhet në mënyrë individuale, pas një njohje të gjatë dhe të hollësishme.

     6. Lëvizja anëtarëve të vet nuk u shpërndan libreza.

     7. Anëtari ka përgjegjësi të madhe për njerëzit që pranon në Lëvizje.

     8. Kur anëtari tre muaj rresht nuk merr pjesë në mbledhje ose nuk paguan kuotizacionin a anëtarësisë, celula duhet ta shqyrtoj qëndrimin e tij në mbledhjen e vet.

     9. Kalimi i anëtarëve prej një celule në një celulë tjetër bëhet sipas rastit me udhëzime të organeve udhëheqëse të Lëvizjes.

     10. Anëtari i Lëvizjes që vepron në shtete të ndryshme të botës nuk guxon të bien  me sjelljet e veta në kundërshtim me ligjet e vendeve në të cilat vepron dhe as nuk guxon në asnjë mënyrë të përzihet në punët e brendshme të atyre shteteve.

     11. Për faje e gabime të palejueshme anëtari përjashtohet nga Lëvizja.

     12. Nëse verifikohet se përjashtimi ka qenë jo i drejtë, atëherë kthimin mund ta bëjë vetëm celula që ka miratuar përjashtimin.

     III

     NDËRTIMI

     13. Parimi udhëheqës i ndërtimit organizativ të Lëvizjes është centralizmi demokratik. Kjo do të thotë:

a) të gjitha organet zgjidhen nga poshtë lartë, nëpër tubime të ndryshme, në forma që do të gjenden më të përshtatshme, ashtu siç na i imponon veprimtaria në ilegalitet,

b) organet udhëheqëse janë të detyruara që kohë pas kohe të japin llogari para celulave të Lëvizjes,

c) organet bazë japin llogari para organeve më të larta.

     14. Lëvizja ndërtohet në bazë të territorit (lagje qytetesh e fshatra), baza prodhimi (fabrika e kombinate), në institucione të ndryshme (fakultete, shkolla të mesme, shoqëri kulturore etj.)  dhe nëpër koloni të ndryshme shqiptare në mërgim.

     15. Të gjitha problemet celulat i zgjedhin vetë por me kusht që zgjedhja e tyre të jetë në vijën e Lëvizjes.

     16. Lëvizjen e udhëheq Komiteti Qendror, nën vartësinë e të cilit veprojnë të gjitha komitetet e degëve si në atdhe ashtu edhe në mërgim.

     17. Komitetet e degëve të LRSSHJ, janë organe të cilat koordinojnë aktivitetin e disa celulave dhe janë të lidhura me KQ të Lëvizjes.

     IV

     ORGANET

     18. Organi më i lartë organizativ i Lëvizjes është Kongresi. Në kushtet ekzistuese të cilat Lëvizja i gjykon si të jashtëzakonshme nuk mund të flasim për intervale të caktuara kohe të thirrjes së Kongreseve. Aktualisht Lëvizja lidhur me këtë çështje do të thërras Kongreset në përputhje me zhvillimin e situatës.

19.  Pas Kongresit, organ më i lartë është Konferenca e KQ.

     V

     CELULAT

     Themel i Lëvizjes janë celulat e saj të cilat ngrihen në të gjitha vendet.

20. Celulat lidhin masat e qytetit dhe fshatit me organet udhëheqëse.

21. Detyrat e celulave janë

a) të zhvillojnë punë politike, ideologjike dhe organizative për zbatimin e programit të Lëvizjes, të vendimeve dhe direktivave të saj,

b) të bëjë shpërndarjen e shtypit, ta zbërthej atë dhe të forcoj influencën e Lëvizjes,

c) të raportojnë për punën e tyre para organeve më të larta,

d) të ngriten ideologjikisht dhe të ndihmojnë në ngritjen e rrethit ku veprojnë

     VI

     MJETET FINANCIARE

     22. Të ardhurat financiare përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë.

     23. Kuotizacionet mujore janë 5% e të të ardhurave mujore të anëtarit.

     24. Anëtarët që nuk kanë rrogë të caktuar ndihmojnë sipas mundësive dhe u ndihmohet sipas mundësive.

     25. Qarkullimi i mjeteve materiale nga poshtë-lartë dhe anasjelltas bëhet sipas rregulloreve që përpunohen për raste të veçanta.

     26. Lëvizja pranon ndihma materiale e morale nëse ato janë të pakushtëzuara.

Janar 1984, Shtutgart

     (I shkruar nga Xhafer Durmishi)

(Faridin Tafallari, Terror, Dhimbje, Qëndresë, Tiranë 1997,  f.219 – 222)

———————

Nga arkivi i LRSHJ-së – Pashtrikut

_______________

Shtutgart, shkurt – mars 1984

KU DUHET TË MBËSHTETEMI PËR T’I KRJUAR BËRTHAMAT E REJA

       Burgosjet e shumë forcave të organizuara patriotike-revolucionare i kanë shkaktuar Lëvizjes sonë dëme bukur të mëdha; sepse shumë shokë aktivist kanë përfunduar në burg, e si rezultat i kësaj janë shkaktuar dy dëme të përhershme: në një anë është burgosur aktivisti dhe në anën tjetër, për shkak të punës në kondita të ilegalitetit, shumë shokë kanë mbetur të shkëputur. E njejta gjë ka ndodhur edhe nëse ndonjë shok është detyruar të arratiset nga vendlindja e tij e dashur.

       Krahas kësaj, burgosjet masive të më se dhjetë mijë shqiptarëve, në mesin e të cilëve gjenden shumë militant të shquar të Lëvizjes sonë i kanë shkaktuar edhe të keqen tjetër; largimin nga aktiviteti të shumë kuadrove të përgatitura, të cilët kanë poseduar përvojë të pasur revolucionare.

       Duke shpresuar se e tërë puna ka mbetur tek ndonjë individ, nga emri i të cilit tmerroheshin serbomëdhenjtë, këta të fundit e shtrinë dorën e tyre tinëzare duke vrarë kështu shokët tanë më të mirë.

       Mirëpo megjithë burgosjet masive, megjithë vrasjet tinëzare, lufta vazhdoi dhe çdo ditë e më shumë duke tendenca e konsolidimit edhe më të mirë, sidomos të atyre që e bartin barrën kryesore të saj.

       Efektin që e ëndërruan serbomëdhenjtë, se duke vrarë e duke arrestuar do ta mposhtin popullin tonë të pamposhtur, jo vetëm që nuk e arrijtën dot, por përkundrazi, ato ëndrra iu dështuan me turp, si të gjitha tjerat më parë. Ata ëndërronin se do t’i mbysin forcat patriotike-revolucionare, por e vërteta ua hedhi poshtë çdo pretendim të tillë të ultë. Rinia sypatrembur e Kosovës martire jo vetëm që nuk iu frikësua këtij kërcënimi, që shovinistët e bënë duke dënuar e vrarë, por ajo ia bëri të qartë kujtdo, e në radhë të parë serbomëdhenjve, se me këtë gjak të kuq e të ri të popullit shqiptar nuk mund të luan askush.

       Pas gjithë atyre dënimeve që i janë të njohura opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar, serbomëdhenjtë dhe lakejt e tyre i bënin vedit qejf duke deklaruar se: “armikut iu thye kurrizi”, kurse realiteti i detyroi të lëpijnë atë që e pështynë, kur ishin të obliguar të pohojnë, se: “të gjitha grupet e dënuara gjatë vitit 1983, ishin formuar pas ngjarjeve të pranverës ‘81”. Kjo tregon më së miri se sa ndikuan dënimet drakoniane në popull, se sa e frikësuan dënimet rininë e kuqe të Kosovës, se sa ndikuan pozitivisht apo negativisht dënimet e tilla, rast që shihet kjartë se dënimet dhe vrasjet që iu bënë bijve më të mirë të popullit, e indinjuan popullin dhe e hidhën në veprime të reja e të guximshme të luftës për dritë e liri.

       Në këtë situatë të rëndë, kur armiqtë e popullit shqiptar përpiqen me të gjitha forcat që t’i shkatërrojnë forcat patriotike-revolucionare, kurse në anën tjetër, bijtë e popullit kërkojnë të organizohen, Lëvizja shtron detyrë para të gjithë militantëve, detyrë të një rëndësie jetike, që kërkon edhe zgjedhje të saktë, të përpiktë.

       Sot, si detyrë e rendit të ditës shtrohet; krijimi i bërthamave të reja të Lëvizjes, pa të cilat nuk do të mundemi t’i mobilizojmë të gjitha forcat që i duhen luftës sonë. Pra të punojmë parreshtur për konsolidimin dhe mobilizimin e të gjitha forcave revolucionare në ato bërthama.

       Bëhet pyetja; ku duhet të mbështetemi për këtë punë? Kush duhet të jetë gjaku dhe kocka e këtyre bërthamave? Në këtë rast do t’i cekim disa nga pikat mbështetëse, të cilat Ju duhet t’i pasuroni me përvojën Tuaj dhe të shokëve Tuaj.

       -Të gjitha bërthamat e organizuara apo individët e organizuar, t’i mobilizojnë të gjitha forcat që i kanë në dispozicion, t’i organizojnë ato në bërthamat e LRSSHJ-së që nga celula. Bazë mbështetëse për këtë organizim elementët më të shëndoshë, elementët më të sprovuar e të kalitur nëpër aksione e sprova tjera, pra të gjithë ata element që krahas dashurisë për çështjen, posedojnë aftësi edhe më të mëdha për të vepruar me sukses në kushtet e ilegalitetit që na e imponon lufta.

       Në këtë hap që duhet ta bëjmë, të kemi busollë edhe të kaluarën, anët pozitive e negative të saj, në mënyrë që të metat ekzistuese t’i mënjanojmë, kurse të mirat apo anët pozitive t’i pasurojmë edhe më tutje në rrethana të reja. Të veprojmë ashtu si thotë populli: “Të masim shtatë herë – e të presim një herë!” Të mos nxitohemi kurrë për të mbaruar atë punë që sot nuk e ka radhën! Pra, bërthamat që do t’i krijojmë, duhet të jenë të forta, të sigurta e me element të shëndoshë. Të mos llogarisim kurrë në ata që bëjnë shumë zhurmë, e në fakt punojnë pak ose shumë pak. Shokët që pranojnë në radhët e Lëvizjes elementët jo gjithmonë armiqësor, por që nuk duhet t’i pranojnë në radhët e organizuara, përgjigjen për lëshimin e bërë.

       Popullit shqiptar kurrë nuk i kanë munguar bijtë që e duan Lirinë dhe që për liri kurrë nuk e kursejnë jetën e tyre. Detyra e jonë është që nga gjiri i popullit të nxjerrim e të zgjedhim nga më të mirët, e për t’i arritur këto, duhet punë e palodhshme, duhen shumë net pa gjumë, duhet mirëkuptim reciprok… Për t’u arritur kjo punë e dëshiruar dhe aq e nevojshme për çështjen tonë të përbashkët, duhet edhe një faktor tjetër për t’i verifikuar ata, e kjo është koha.

       Detyra e jonë, e të gjithë militantëve, është mobilizimi i të gjitha forcave të cilat i duhen çështjes dhe gjithmonë duke hulumtuar në të gjitha shtresat e popullit. Në këtë drejtim, krahas me rininë punëtore, fshatare e studenteske, një kujdes i veçantë t’i kushtohet punës me rininë e shkollave të mesme. Duhet të punojmë që rinia e shkollave të mesme të piqet, formohet e edukohet edhe në frymën revolucionare, ta mësoj artin e luftës psiko-fizike etj.

       Nga kjo rini, nga ky brez i mrekulluar nuk do të mungojnë heronjtë e ri, kuadrat e pjekura e të formuara, kuadrat e ngritura nga aspekti ideo-politik, patriotik e revolucionar, të cilët, të cilët luftës sonë do t’i dhënë formën dhe ngjyrën që e meriton. Natyrisht, puna me rininë është një punë shumë e rëndësishme e që do vigjilencë, zgjuarsi e durim të madh.

       Të mos harrojmë që në këto bërthama të futen sa më shumë shoqe e motra të idealit, sepse ashtu si thotë Sami Frashëri: “Gruaja është gjysma e popullit”, kurse ne, pa ndihmën e motrave tona as që mund të fitojmë.

       Pra edhe njëherë po e përsërisim pyetjen: Me kë do të krijojmë ne bërthamat e Lëvizjes? Me kënd tjetër, përgjigjemi ne, pos me shokun, me shoqen tonë më të mirë, me të cilin je ulur në një bankë shkolle me vite, me të cilin-cilën punon me vite të tëra në një vend pune, me të cilin ke derdhur lot në kurbet – me dashurinë për vendlindjen, për mallin që të ka kapluar aq shpesh. Me askënd tjetër, pos me shokë – shoqe të tilla, duhet t’i mbushim bërthamat tona të reja. Bërthamat që do të përbëhen me shokë të tillë, me shokë që e duan njëri-tjetrin aq shumë, sa të mos kursehet as jeta për shokun, me shokë që kanë dashuri të zjarrtë e të sinqertë mes vedit, sa një ditë të kaloi pa e parë njëri-tjetrin u duket e gjatë; janë vëllezër e motra në plotkuptimin e fjalës…

       Në bërthamat tona nuk kanë vend ata që kanë histori apo të kaluar të njollosur, ata të cilët nuk kanë sjellje të mira së pari në familjet e tyre e tek pastaj edhe në shoqëri në përgjithësi. Aty duhet të hyjnë vetëm ata njerëz e kuadra, në të cilët vet populli i ka sytë dhe shpresat.

       Pra, shokë militant! Përpara në luftë për të drejtat e ligjshme të popullit tonë të shumëvuajtur.

Ç’ËSHTË CELULA E LRSSHJ-së?

       Celula është bërthama bazë e LËVIZJES. Ajo përbëhet prej tre shokësh të një njësie punuese; tre shokësh fshati, tre shokësh klase apo katedre, uzine apo Kombinati… Pra, celula është bazë e Lëvizjes e futur thellë në kapilarët e gjakut të popullit. Natyrisht, elementët që e përbëjnë këtë celulë duhet të jenë shembull për të mirë në rrethin ku militojnë.

       Në celulë gërshetohet puna kolektive me atë individuale, sepse në një anë punohet në mënyrë kolektive (tre shokët e organizuar në celulë), kurse në anën tjetër, shokët posedojnë edhe lidhje individuale tjera jashtë celulës. Ky gërshetim i punës individuale me atë kolektive duhet respektuar, duke dalluar si njërën ashtu edhe tjetrën, por edhe duke përdorur metoda të ndryshme – si me njërën ashtu edhe me tjetrën. Preferohet që, pa marrë parasysh se me cilën punë kemi të bëjmë, duhet të respektohet KONSPIRACIONI, duke ditur të vlerësohet se ku çka është e nevojshme të mbetet konspirative, e çka jo.

       Celula drejtohet nga KOMITETI i DEGËS së LËVIZJES. Lidhjet nëpërmes celulës dhe Komitetit të Degës mbahen në mënyrë individuale, duke zbatuar gjithmonë konspiracion të hekurt.

KOMITETET E DEGËVE TË LËVIZJES

       Komitetet e degëve të Lëvizjes përbëhen prej pesë ose më shumë anëtarësh, për çka vendos vet KOMITETI QENDROR i LËVIZJES PËR FORMIMIN E REPUBLIKËS SOCIALISTE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI, faktor që mvaret nga madhësia e qytetit dhe nga numri i celulave ekzistuese.

       Krijimi i Komitetit të Degës së Lëvizjes (KDL), është një domosdoshmëri jetike për punën e mëtejshme të Lëvizjes, sepse pa një organizim të vërtetë  revolucionar nuk ka as punë e as aktivitet revolucionar. Këtë e ka vërtetuar edhe puna e gjertanishme, ku shumë grupe kanë lindur pikërisht duke mos patur askush t’i vej ata në një front të luftës.

       Ekzistimi i shumë celulave të shpërndara, i ka dhënë luftës jo rrallë edhe karakterin e punës spontane.

       Për të krijuar Komitete të Degëve të Lëvizjes (KDL), duhet punë e palodhshme, duhet një klasifikim i forcave të aktivizuara dhe prej tyre të seleksionohen ata më të mirët, që njëherit do të jenë edhe garancë për një qëndrueshmëri dhe punë të suksesshme apo efektive.

       KDL, i cili merret me aktivitetin e një qyteti, drejton punën e tij por edhe të çdo celule në te. Me vendimin që e aprovon KDL, formohen celulat, por edhe celulat drejtuese (të cilat janë bërthama që drejtojnë disa celula në një bashkësi lokale apo qytet).

       KDL punën me nëndegë dhe celula e bënë në mënyrë individuale. KDL vendosë për çdo aksion në përmasa qyteti, por edhe jep urdhëra ndonjë celule për kryerjen e ndonjë aksioni lokal.

       Komiteti i Degës së Lëvizjes është i drejtuar nga Komiteti Qendror i Lëvizjes, kurse lidhjet i mban në mënyrë individuale.

       K.Q. i Lëvizjes vendosë për shkarkimin apo ngarkimin e ndonjë shoku në këtë forum, në pajtim me vendimin e aprovuar nga KDL.

       KDL posedon edhe me fondin material, i cili pasurohet nga ndihmat dhe kuotizacionet. Ky, një pjesë të këtij fondi e venë në dispozicion të KQ të Lëvizjes. Sasia e tillë mvaret nga nevoja e paraqitur, por edhe nga mundësia, se sa do ta ndihmojë Dega Lëvizjen në përgjithësi.

       KDL nëse disponon me kuadra të përgatitura në pikëpamje intelektuale, punimet e ndryshme i shpërndan nëpërmes organit të vet, apo edhe si materiale të KDL-së, materiale këto që i shpërndanë dorë më dorë nëpër celula e anëtarë. Materialet me rëndësi i drejton edhe në K.Q. si dhe në Organin qendror-“Z.K.”

       Komitetet e Degëve të LRSSHJ-së, një punë të veçantë duhet ta përqendrojnë në Universitetin “Kosova”, ku një pjesë e madhe e militantëve militon me plotë sukses, kurse nga këtu mund të ndihmohen gati të gjitha rrethet tjera.

       KDL-të drejtuara nga K.Q. apo nga një KDL, duhet të formojnë KDL të reja në çdo fakultet të Universitetit “KOSOVA” nëpër katedra të ndryshme, pastaj në Shkollat e larta në qytetet tjera të Kosovës, si dhe nëpër qendra të ndryshme. Këto Komitete duhet të drejtohen nga KDL që vepron në qytetin përkatës. Krahas kësaj, edhe nëpër shkolla të mesme, në Organizatat Bazë të Punës së Bashkuar, në Ente e BVI duhet të përqendrohet një punë e rregullt dhe e vazhdueshme, në mënyrë të veçantë, që edhe atje të formohen së pari celulat e pastaj edhe Komitetet e degëve të Lëvizjes e që do të drejtohen nga KDL për qytet.

QËNDRIMI NDAJ LK DHE LSR

       Në të kaluarën, në disa mjedise ka mbretëruar mendimi se: njerëzit e ndershëm nuk duhet të hyjnë në radhët e Lidhjes së Komunistëve. Një mendim të tillë ua ka imponuar vet sjellja e disa anëtarëve të LK, që janë sjellur në mënyrë vërtetë udbeske, por mendimi i tillë është i gabuar, sepse si na mëson Lenini: “…duhet punuar atje ku ka masë.” Praktika e ka vërtetuar gjithashtu se nga radhët e Lidhjes së Komunistëve kanë dalur shumë militantë të shquar të LRSSHJ-së.

       Veprimet e militantëve nga pozitat e LK nuk kanë munguar as gjatë pranverës së lavdishme ’81 e as më vonë, kurse kohëve të fundit ajo veprimtari është shtuar dukshëm. Është detyrë e të gjithë militantëve që mund të depërtojnë e të infiltrohen në radhët e Lidhjes Komuniste, që atë veprim ta bëjnë me hapa të matur, me vetëdije se kjo është një detyrë shumë e rëndësishme.

       Duke vepruar nga radhët e LK, ti do të shfrytëzosh çdo mjet të luftës legale në të mirën e çështjes për të cilën je përcaktuar. Ti nga këto pozita, në një anë do të shfrytëzosh pozitën tënde duke bërë propagandë të shëndoshë, e nga ana tjetër, do të ipet rasti të futësh edhe shumë shokë që veprojnë nga këto pozita. Kuptohet, çdo hap që do ta bësh do të jetë në marrëveshje me shokët. Ti kështu do të kesh nderin të veprosh nga dy pozita: edhe me shokët, edhe me shokët tjerë që do t’i gjesh në zemër të armikut.

       Nëse ke rastin të veprosh nga këto dy pozita, ti duhet të jesh shumë aktiv, të veprosh për t’u njohur me sa më shumë anëtarë të LK, t’i klasifikosh ata, ta dish se kush në ç’pozita gjendet e vepron, por edhe në popull puna jote të duket se shkon në dobi të tij, si për shembull: nga përpjekjet që do të bësh drejt emancipimit të gruas, nga sjelljet me nxënës e student, me palë e me kolegë, me shokë e me qytetarë… Syrit të madh e vigjilent të popullit nuk do t’i shpëtosh pa të parë se kush e çfarë je…

QËNDRIMI NDAJ PROPAGANDËS LEGALE

       Nga ana e jonë, gjer më tani nuk është shfrytëzuar sa e si duhet propaganda legale. Kjo është një e metë të cilën duhet ta mënjanojmë njëherë e përgjithmonë. Duhet të mos harrojmë se vetëm propaganda ilegale nuk është e mjaftuar për t’i frymëzuar, përgatitur e kalitur të gjithë ata që e kërkojnë dhe e presin një libër ilegal, me padurim për ta lexuar. Në një anë kjo propagandë (literaturë), sigurohet me vështirësi dhe në anën tjetër, libra të ndaluar nuk guxojmë t’i japim çdokujt.

       Pra, edhe ky është një prej atyre faktorëve që na shtynë të mos e lëmë anash propagandën legale.

       Është e vërtetë se literatura me të vërtetë revolucionare është e kufizuar, por ajo që është duhet të shfrytëzohet maksimalisht.

       Pikërisht me literaturën legale duhet ta fillojmë punën me të rinjtë, që ata vetë të gjejnë në të rrugën e tyre…

       Përse të mos i orientojmë të rinjtë nga shkrimtarët përparimtarë shqiptar dhe ata botëror?! Përse të mos i propagandojmë veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit, kur ajo është edhe domosdoshmëri.

       Punët e tilla që i parasheh pararoja e popullit shqiptar në Jugosllavi – LRSSHJ-ja – duhet t’i bëjmë me zot patjetër.

KOMITETI QENDROR I LRSSHJ

Punim i Xhafer Durmishit, shkurt – mars 1984

————————————-

Nga arkivi i LRSHJ-së – Pashtrikut

———–

DOKUMENTI PROGRAMOR I LRSHJ-së

Nga Xhafer Durmishi, shkurt – mars 1984

***

Sheradin Berisha © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura