DR. JAKUP KRASNIQI: PAVARËSI DHE PERSONALITETE (NË VEND TË PARATHËNIES

Pashtriku.org, 25. 02. 2015 – (Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë) – “SHQIPËRIA MË VETE, E LIRË DHE E MOSVARME”1 – Sapo përfunduam me të kremtet e fundvitit që iku, me ato të fillimvitit që nisi dhe as që mund të merret me mend një uverturë më e favorshme për hapjen zyrtare të festës jubilare të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të shtetit shqiptar që nisi rrugëtimin e tij në një kohë të pakohë. Në një kohë të mbarsur më shumë rreziqe e të papritura për Shqipërinë e shqiptarët. Në këto rrethana të papritura dhe me rreziqe të shumta, populli ynë shpalosi identitetin dhe integritetin e tij si komb i veçantë me gjuhë, me histori, me kulturë e tradita të vjetra dhe me atdhe të banuar denbabaden edhe atëherë, siç thotë poeti: “kur s’kish njeri, / kur s’kish kufi, /as fqinjëri, /as shkja të zi”2 në atdheun e tij.
Përvjetorët e këtillë, aq më tepër kur shtrihen në përmasë shekulli me aspirata e ideale të brezave, padyshim që në sfondin e vet përmbajnë shkaqe, shkase e motive për kujtesë e kujtime, për reflekse e reflektime, krahas mbushjes së shpirtit me ndjenjë atdhedashurie, krenarie, shprese e besimi të patundur për ditë më të mira për kombin. Sa në mbamendje kombëtare, po aq edhe në dokumentet e historisë, në arkiva e biblioteka, në muze historikë e etnografikë, aty ku dokumenti e eksponati u flet brezave shqip. Një lindje që përthekon në vete Rilindje e Përlindje kombëtare me rënie e ngritje të dhimbshme e të lavdishme, por që në themel ka ecjen e sigurt e të pandalshme përpara.

Është në logjikën e gjërave që njeriu i kësobotshëm, ditardhjen e tij në jetë ta shënojë duke kujtuar prindërit, pastaj fëmijët, nipërit e mbesat. Ndryshe nga ligjësitë biologjike për rendin e brezave njerëzorë që njohin për atdhe – shtet të parë shtëpinë, pastaj lagjen e fshatin a qytetin; ligjësitë shoqërore sikur përmbysin këtë rend: bijtë e bijat bëjnë ritin e lindjes së shtetit – atdhe. Dhe shteti – atdhe apo shteti – komb, kurdo e kudo ka dalë nga luftërat çlirimtare a revolucionet shoqërore. Togfjalëshi atdhe-shtet ose shtet-atdhe sintetizon një lindje të vështirë e të përgjakshme, një lindje të pavdekshme që stampon qenësinë si shenjë ekzistence. Nuk më duket rastësi që, pikërisht në historikun e dokumenteve më të vjetra të shkruara të shqipes, zë vend Formula e pagëzimit: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të birit e të shpirtit të shenjtë). 3 Duke u përvijuar nëpër manifestin e parë politik shqiptar, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të Sami Frashërit, nëpër organin e parë politik – Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ajo vjen e riformulohet pikërisht më 28 Nëntor të vitit 1912: “…Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.4
Ky pagëzim mëvetësie e mosvarshmërie, kjo shpallje, ky kumt, le më një anë plagët, gjymtimet e vurratat, u bë streha fizike, shpirtërore e mendore e gjithë shqiptarëve anekënd rruzullit për një shekull të tërë të mbushur me lavdi e krenari, me dhimbje e pakuptimshmëri njerëzore. Prandaj ata, kudo në Evropë, në Australi, në Azi e Amerikë, si në një kor madhështor do të këndojnë: Mbahu nëno, mos kij frikë!
Formula e pagëzimit, si për të përligjur ritin e moçëm, erdhi e u shfaq sërish pa u mbushur shekulli: “Ne, udhëheqësit e popullit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”.5 Kjo formulë do të shqiptohet gati pas një shekulli, pikërisht më 17 Shkurt 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Derisa të parën e shqipton i dituri Pal Engjëlli, bashkë- punëtori i ngushtë i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, më 1462; të dytën, i mençuri plak i Vlorës, Ismail Qemali, me bashkëpunëtor trimin Isa Boletini; të tretën kuvendarët e Kosovës, dalë nga supet e dalzotësit Adem Jashari – Legjendari modern i shqiptarëve. E gjithë kjo histori e dhimbjeve të mëdha rezultoi me lindje të mëdha, me lindjen e dy shteteve shqiptare në Evropën Juglindore.
Në të tri rastet, si në vetë mrekullinë shfaqet atributi i simbiozës: mençuri-trimëri. Vepra që rezulton si amalgamë e mendjes, shpirtit dhe zemrës, nuk ka se si të mos marrë dorë nga aureola hyjnore. E thashë më herët se përvjetorët e këtillë janë doemos edhe bazamente përsiatjeje e reflektimi. Në momente kyçe dilemash, Noli mendjendritur, siç është e ditur, shtronte konsulencën hipotetike: “Ç’do të bënte Skënderbeu në një rrethanë të këtillë?”6 Kjo pyetje hipotetike vazhdon ndër breza për personalitete që kombit guxuan t’i sjellin nder dhe lavdi.
A nuk është koha dhe vendi që, duke marrë shkas nga ky përvjetor i lavdishëm dhe nga kjo plejadë njerëzish të famshëm, burrështetasit, liderët dhe udhëheqësit e sotëm shqiptarë t’i thërrasin mendjes, rezonancës së arsyes, harmonisë së veprimit? Sipas përvojës së të parëve, them se kjo është traseja unike e ardhmërisë. Ndjesa, pendesa dhe mirëkuptime le të na bëhen udhërrëfyes për tejkalimin e vetvetes, të egos dhe të veseve! Pa pretenduar të bëj historinë e ngjarjes madhore, zaten ngjarjet e mëdha të historisë së një populli e bëjnë vetiu historinë, nuk kam sesi të mos them se 28 Nëntori i 1912-ës kapërcen atë që quhet kthesë, atë që quhet nyjë. Në jetën e shqiptarëve ajo është Epoka e Epokave, pika që ndan mileniumet dhe merr kthesën e duhur për t’i dhënë kuptim gjallimit të një kombi, në këtë rast kombit shqiptar. Ngjarjet që bëjnë Epokë apo edhe Kthesa të mëdha, që prodhojnë histori të lavdishme për breza, nuk mund të nisin, të zhvillohen e kurorëzohen pa vulën idealiste të personaliteteve me integritet të lartë intelektual, politik e kombëtar.
Që andej e këtej e tutje, mund të ndërrojnë rendet shoqërore, politike e ekonomike; mund të ndërrojnë formacionet e administrimit, ritmet e zhvillimit, çalimet dhe hovëzimet kulturore; po Shqipëria, shteti i shqiptarëve, atdheu i shqiptarëve të shuar, të gjallë e të palindur do të rrojë për jetë të jetëve. Këtë e konfirmon më së miri historia jonë 100-vjeçare. Në këtë përvjetor jubilar, prandaj, s’kam arsye dhe s’dua ta fsheh për asnjë çast, për asnjë rrethanë dhe arsye ndjenjën e krenarisë, mbushjen emocionale, kënaqësinë time shpirtërore e njerëzore. E kundërta do të më dukej pozë e çnatyruar që do të më tëhuajësonte. Për jetë të jetëve Shqipëria “… më vehte, e lirë dhe e mosvarme”!
________________
1 Fjalë e mbajtur më 17 janar 2012 në Kuvendin e Shqipërisë në ditën e hapjes zyrtare të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Këtu botohet me ca ndryshime.
2 Mitrush Kuteli: Poem kosovar dhe Poemi i Shëndaumit, SHB “Mitrush Kuteli”, Tiranë 2009, f. 38. 10
3 ASHSH, IH: Historia e popullit shqiptar I, Toena, Tiranë 2002, f. 355. 11
4 ASHSH, IH: Historia e popullit shqiptar II, Toena, Tiranë 2002, f. 511.
5 Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e miratuar në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt 2008.
6 Fan S. Noli: Vepra 5, Rilindja, Prishtinë 1988, f. 115-116
.
***

Këtu mund ta lexoni librin në formatin PDF:
DR.JAKUP KRASNIQIT “PAVARËSI DHE PERSONALITETE”
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/J.K-Pavaresi_personalitete.pdf

***

Promovimi i librit në Tiranë:

“Pavarësi dhe personalitete” – Vizion Plus – News, Lajme
………………………………………..

Promovimi i librit në Prishtinë:

Jakup Krasniqi sjell librin “Pavarësi dhe Personalitete”

…………………………………..

(Për botim e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura