DR. MOIKOM ZEQO: IKONOLATRIA E POLITIKËS SHQIPTARE

Pashtriku.org, 03. 11. 2014 – Ikonolatri do të thotë kulti i ikonave. Një vlerësim i tejskajshëm i figurave publike qoftë në rrafshin mistik, fetar, qoftë dhe në rrafshin laik e publik. E kundërta është ikonoklasia, mohimi i ikonave. Këto terma të kundërta kanë shkaktuar luftëra të përgjakshme në Bizantin mesjetar. Kjo përvojë tragjike e njerëzimit nuk është megjithatë fosilizuar. Harresa nuk ekziston për gjithçka. Kuptimshmëria e koncepteve të kundërta përherë mbijeton. Padashur të bëj referenca historike, po shtroj çështjen e ikonolatrisë në politikën shqiptare të ditës. Mes Skillës së totalitarizmit të shkatërruar dhe Karridbës së një demokracie të brishtë për gati 20 vjet, politika shqiptare është e zotëruar mjerueshëm nga ikonolatria. Në një kuptim të thjeshtëzuar ikonat publike lidhen me PD dhe PS. PD e ka një ikonë të vijueshme, kryetarin e saj. PS ka një cikël të shkurtër ikonash; një ikonë të rrëzuar dhe një ikonë që vazhdon. Jam i qartë krejtësisht, aspak naiv, se partitë kryesore politike kanë emrat, logot, flamujt e tyre, gjithashtu edhe emrat e kryetarëve. Kështu është dhe kështu do të jetë.
Gjërat janë konkrete, aq më tepër dhe realiteti politik, sado virtual, është përherë konkret. Ajo që më shqetëson është kultizimi i skajshëm i figurave. Ideja se lufta bëhet midis dy simboleve përfaqësuese emërorë dhe jo nëpërmjet zhvillimit politik të vërtetë, është një ide problematike. Dyfigurësia e liderëve në partitë e mëdha është si e njëjta figurë në letrat e bixhozit, një pamje e ka sipër, kurse pamjen tjetër poshtë. Pavarësisht emrave të ndryshëm, imazhi është i njëjtë për shumë arsye. Janë dy, por pushteti është një, njëri e ka pushtetin, por tjetri, që s’e ka, mëton pushtetin, duam s’duam në vetëdije njehsohen si subjekte, që gjakojnë dhe përcaktohen në substancë nga njësia e pushtetit. Kjo duket pak e skajshme, jam i bindur që ka edhe dallime, që lexohen, por ajo që më shqetëson është idolatria.

Beteja politike midis PD dhe PS bëhet ndërmjet dy emrave, duke krijuar iluzionin e një dueli midis dy divave epikë. Duele të tilla ekzistojnë dhe do të ketë dhe në të ardhmen. Por këtu nuk është e qartë siç duhet ideja e partive si institucione të hapura publike, që forcën e kanë nga interesat e ndryshme të elektorateve. Dyfigurësia politike bën që të mos spikatin personalitete të reja të politikës, të mos artikulohen individualitetet e tyre. Kjo bën që figura kryesore e një partie të mishërohet me partinë, por kjo është një metafizikë e frikshme. Partitë politike në demokraci janë pole magnetike të interesave të elektorateve, pra të shumicave, të një numri shumë të madh njerëzish. Kjo do të thotë se partitë janë në substancë institucione programore, alternativa të veçanta qeverisëse. Këtu është pika e rëndesës së të gjitha partive serioze pa përjashtim. Për fat të keq në Shqipëri nuk ndodh kështu. Kjo krijon shqetësim.
Ikonolatria çon detyrimisht në beteja groteske verbale dhe në përplasjen e spektakleve. Kryetarët e partive nuk janë aktorë mediatikë, janë figura partiake të politikës, kuptohet që në epokën dixhitale, të sistemit mediatik më të sofistikuar, politikanët kryesorë janë në lëndën e mediave, por nuk duhet harruar atributi i tyre më themelor, ai i funksionimit sintetik dhe përfaqësim funksional i partive. Një nivel i tillë i kuptimit të gjërave për ikonolatrinë në Shqipëri, duam s’duam lidhet me mendësinë patriarkale, shpesh shumë primitive, me autoritarizmin, që është ende i gjallë. Ky është një proces që do të vazhdojë mesa duket gjatë. Aristokracia dyfigurëshe lë mënjanë rëndësinë e vërtetë dhe kolosale të dy partive të mëdha. Kjo e ngurtëson mundësinë për idetë e reja, të cilat natyrshëm do të bënin kriticizmin brenda institucioneve partiake, që ato të mos jenë sisteme të mbyllura okulte.
Situata politike në Shqipëri është shqetësuese. Kjo është e qartë si drita e Diellit. Mesa duket ideja për një kompromis politik midis PD dhe PS ka dështuar, gjë që pritej në fakt nga analistët gjakftohtë. Ka një ngërç politik, është krijuar një qorrsokak, që për mendimin tim është krejtësisht i kapërcyeshëm dhe aspak fatal. Është harruar ndërkaq se përveç Shqipërisë politike (e imazheve në media) ekziston dhe Shqipëria me germë të vogël d.m.th. “shqipëri”, e njerëzve të thjeshtë dhe të varfër, e njerëzve që asnjëherë nuk do të jenë politikanë profesionistë, e njerëzve që përbëjnë elektoratet politike, por më shumë sesa “kafshë politike” (sipas përcaktimit të Aristotelit) janë qenie natyrore.
Dimensioni politik u intereson jo për t’u shpërfytyruar, por për një ekuilibër dhe zhvillim progresiv i statusit të tyre si qenie natyrore. Shqipëria me germë të vogël është subjekt, ose tërësi subjektesh nga politikanët e quajtur të mëdhenj. Por ikonolatria bën që politikanët e mëdhenj të kenë iluzione të mëdha, kjo krijon krizën e vërtetë dhe më të padiskutueshme të ndarjes, të ftohjes, të formalizimit, të mungesës së entuziazmit, të grishjes frymëzuese të grup-elektorateve nga partitë përkatëse. Shumë njerëz të thjeshtë mund të hipnotizohen, por është e drejta e tyre që dhe të zhgënjehen. Natyrisht që nuk ka përvoja lineare, por spirale edhe në këtë aspekt. Nuk ka zhvillime të lehta. Zhvillimet janë gjithmonë të ndërlikuara, por duhet thënë qartë se Shqipëria e vitit 2010 është krejt ndryshe nga Shqipëria e vitit 1991. Kjo nuk duhet harruar.
Kultura e tranzicionit tonë politik ka plot mangësi, improvizime, gafa, mungesë profesionalizmi, si dhe bjerrje të ideve të sakta të shkencës së politikës. Idetë e sakta kanë natyrë ndërtimtare, kurse mungesa e ideve të tilla krijon vonesa kronologjike dhe retrogade hutuese. Brenda 20 vjetëve, në rrafshin politik, Shqipëria duhet të kishte krijuar një sistem të qëndrueshëm dhe të domosdoshëm të ekspertëve profesionistë, pra atë që francezët e quajnë “chambre d’examinations”. Është jetike pranë strukturave qeverisëse, pranë Presidentit, Kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, funksionimi i pavarur i këshillave të ekspertëve për ekonominë, kulturën, politikën e brendshme dhe të jashtme. Përvoja e demokracisë amerikane që ka bërë sintezën e institucioneve publike me projektet ekzaminuese afatshkurtër dhe afatgjatë të këshilltarëve pretenciozë, të pavarur dhe të shquar të fushave të ndryshme të jetës, është e vetmja alternativë për të kaluar nga paradhoma e politikës diletante te një politikë profesioniste e klasit të parë.
Janë pikërisht këto sisteme këshilltarësh, të cilët konceptojnë përherë projektet antikrizë në të gjitha pikëpamjet. Ata ndikojnë fort tek autoritetet më të larta të pushtetit, të cilët janë të detyruar t’i dëgjojnë seriozisht në vendimmarrjet e tyre. Ideja se një situatë e ndërlikuar politike mund të përmirësohet dhe të zgjidhet vetëm duke hequr dhe rrëzuar nga pushteti shumicën qeverisëse nga Opozita, ose ndërsjellas, ka diçka racionale dhe të vërtetë, por nuk është e vërteta gjithëpërfshirëse. Mundet që të dyja partitë për arsye të kulturës politike të mos kenë projekte adekuate për antikrizën. Kjo do të thotë që lufta e vërtetë politike duhet të jetë ballafaqimi i programeve politike, programe që nuk janë thjesht të politikanizuara, por në substancë vizionare.
A kemi realisht në Shqipëri një luftë të tillë dhe ballafaqim programesh të dy partive kryesore? Unë mendoj se nuk e kemi akoma. Ende në botëkuptimin tonë të ideve politike ka zënë rrënjë se zhvillimi i realitetit përbën një “qeverisje të sendeve”, një situatë kontradiktore, që paraqitet virtualisht si “një qeverisje e patrupëzuar”, që është maja e mprehtë kundër qeverisjes problematike institucionale. Kjo është një ide, që po nuk u kuptua drejt, prodhon shumë fuqi emocionale. Fitorja politike e një partie mbi një parti tjetër merr në konsideratë dhe emocionet, por fitorja e vërtetë nuk përcaktohet nga cikli i rrotullimit të pushteteve. Fitorja e vërtetë është dhe duhet të jetë konceptuale, çka do të thotë që në mes debateve dhe arsyetimeve, të shmangen mungesat dhe pasiguritë diletante për të arritur në një program vizionar, d.m.th. dhe shkencor, për të përshpejtuar zhvillimet progresive, pavarësisht emrit të partive, apo kryetarëve që e paraqesin këtë program. Kështu partitë politike korrigjojnë njëra-tjetrën realisht dhe duke qenë të ndryshme në pluralizëm kanë gjithsesi një shqetësim të njëjtë madhor dhe të patjetërsueshëm; Shqipërinë e vërtetë, me hallet dhe ëndrrat e saj për dinjitet dhe jo Shqipërinë virtuale të ikonolatrisë.
Ikonolatria i dëmton të gjitha palët pa përjashtim. Ajo që duket si fitore në pamje të parë, nuk mund të jetë e tillë, nëse kjo fitore përjashton metafizikisht dhe palën tjetër. Ndarja e tillë e marrëzishme, gati bipolare, mungesa e komunikimit arsyetues dhe njerëzor (jo vetëm politik) midis dy partive të mëdha është një marrëzi e kushtueshme. Kjo i dëmton dy partitë, por peshën më të rëndë e mban populli, i cili në thelb nuk është një qenie idolatrike, madje edhe në epokën marramendëse të mediave dhe të perandorisë së imazheve dixhitale, është shumë larg dhe gati i vetmuar. Shpesh politikanët e vetëkënaqur janë të tillë sipas maksimës latine “docta ignorantia” (“ta dish se nuk di”). Kjo çon në teprimin e veprimeve politike, që bëhen ekstra politike ndaj njëri-tjetrit. Ky ekstremizëm është një teprim i dëmshëm. Filozofi Ortega ka thënë se “teprimi është e kundërta e krijimit, është përkufizimi i plogështisë. Ata që bëjnë teprime janë gjithmonë të plogëtit e periudhës së vet”. Sepse çdo teprim vizual, apo dhe verbal nuk ka natyrë të vërtetë shkencore dhe krijuese për të zgjidhur problematikat e thekshme dhe shpesh përvëluese.
Marrja dhe mbajtja e pushtetit në këtë mënyrë formalizohet. Prandaj, ngul këmbë se, lufta e skajshme politike sot është më tepër një formë e plogështisë sesa e krijimit të ideve të reja dhe e përkushtimit për të zgjidhur me përgjegjësi historike çështjet e mëdha të ditës, për t’iu përkushtuar seriozisht dhe si duhet të ardhmes. Situata e rënduar politike e sotme është pengu i detyruar i dy partive të mëdha. Të dy partitë duhet të reflektojnë. As idolatria e kryetarëve, as idolatria e politikës së rrugës, nuk janë gjëra të sigurta dhe të suksesshme në substancë, por shumë më të përkohshme dhe virtuale sesa duken. Është e vërtetë që qeverisja e sotme është problematike dhe shqetësuese. Është e vërtetë që Opozita në kriticizmin e saj është e pandalur. Por një analizë e mprehtë në një kuotë më të lartë flet se procesi i zhvillimeve politike nuk mund t’i përjashtojë institucionet, pavarësisht mangësive të tyre. Ideja e një plebishiti popullor duket në të vërtetë e zbehtë, aq më tepër kur plebishiti konceptohet si një epifenomen.
Teatralizimi i protestave shpesh nuk ka të bëjë me interesat e prekura të protestuesve. Po kështu ideja për mosbindje civile më duket e nxituar, nuk mund ta saktësosh perspektivën e saj. Mosbindje civile do të thotë përjashtim i institucioneve. Kjo duket surrealiste, e shkëputur nga argumentimi përfundimtar i ndërkombëtarëve, por sidomos i vetë institucioneve politike në Shqipëri. Mosbindja civile nuk mund të çojë në një Armagedon. Protestat luajnë rol në ndërgjegjësim, protestat nuk mund të mohohen. Por deri më sot opozita nuk e ka shpalosur një program antikrizë jo vetëm për gjithë Shqipërinë, për tërë sistemin politik shqiptar, për krizën ekonomike të rënduar, por për fat të keq as për veten e vet. Jam i sigurt që një politikë serioze profesionale do ta zbehë ikonolatrinë e politikës shqiptare. Jam i sigurt se pavarësisht tabuve të tyre partiake, edhe politikanët shqiptarë do t’u shpëtojnë identiteteve të klonuara, do të fuqizojnë logjikën, arsyetimin shkencor dhe do t’i ndryshojnë demokratikisht mendësitë e tyre.

Tiranë, 14 shkurt 2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura