DR. MOIKOM ZEQO: VIRGJILI, DANTJA DHE BEATRIÇJA

Tiranë, 17. 03. 2014 – Kapërcimi nga jeta e gjallë në Botën e të Vdekurve rikonceptualizon mitin marramendës të Orfeut. Orfeu pagan është më rebel dhe kërkues se Dantja: ngulmon ta nxjerrë nga hijet e Hadit të dashurën e tij të vdekur, të realizojë të pamundurën: Ringjalljen. Dantja më i butë, më i arsyeshëm do të shohë në Parajsë Beatriçen ashtu siç shihen sot në ekran imazhet e habitshme digjitale, një lloj tjetërsimi kipcor, një edicion i dytë i Amshimit. Dantja shkruan kryeveprën e tij, – të pakrahasueshme në botë, – si procesverbalin estetik dhe transcendental të një ëndrre të gjatë dhe të trefishtë. Ëndrrat janë të pabesueshme, ndërkaq ëndrra danteske ka një besueshmëri magjike dhe reale Komedia Hyjnore ka tri personazhe: Danten (në vetën e parë) Virgjilin dhe Beatriçen (të dy në vetën e tretë).
Komentuesit entuziastë kanë vërejtur se:
– Dantja është simbol i Njeriut,
– Virgjili simbol i Arsyes dhe
– Beatriçja simbol i Besimit.

Por kjo optikë është thjeshtëzuese sepse është tejet koncentruese.

Si personalitet krijues, me ndjenja të zhvilluara atdhetare, Dantja udhëhiqej nga besimi se poezia duhet t’i shërbente popullit, të ishte pasqyrim i ngjarjeve politike dhe në funksion të ndërtimit të një shoqërie më të përparuar.(sh.b)

*  *  *

 Emrat e tjerë që përmenden janë një kostelacion shpirtrash. Dantja e ka ditur mirëfilli profecinë e Armagadonit biblik, mos praninë e tejzgjatur të Apokalipsit. Nuk nguron të futet në gjeografinë e hijeve dhe si rishtar në këtë udhëendje të frikshme e gjen udhërrëfyesin e pazëvendësueshëm: Virgjilin, që e priste në vdekje përplot 14 shekuj.
Virgjili krijoi dikur sagën poetike perandorake romake, me një latinishte të shkëlqyer si e gdhendur në mermer të bardhë (ah, Davidi i Mikelanxhelos edhe dy shekuj pas Dantes!). Egloga IV e Virgjilit, ku parandihet lindja e një fëmije nga një virgjëreshë në Mesjetën katolike europiane u teologjizua si profeci e pashmangshme e një poeti jo të krishterë për Krishtin. Teologët bizantinë qenë më skeptikë me Virgjilin.
Virgjili e udhëhoqi Danten kureshtar në mjedise muzeore të tmerrshme, në malin e përmbysur kokëposhtë të Ferrit (me shtatë rrathë) në brezaret ciklike të Purgatorit, por ndaloi dhe e la Danten krejt vetën drejt qiejve rrethorë të Parajsës. Parajsa është tabu për paganin e lavdishëm, por kjo nuk i heq apo i shton asgjë amshimit të tij pa kufij.
Në Parajsë, Dantja është Adami i Ri që takon Evën e Re – Beatriçen. Nuk kemi mëmësinë tokësore dhe hyjnore të shën Marisë por mëmësinë e munguar të Beatriçes, për shkak të martesës së parealizueshme dot të dhëndrit të gjallë me nusen e vdekur.
Gati një herezi teologjike.
Virgjili, Dantja dhe Beatriçja përbëjnë një tjetër Trinitet sui generis. Krejt të pazakontë dhe shqetësues në pambarim.
Nëse udhëtimi i parë i Dantes është poetik udhëtimi i dytë – kur ai ka vdekur – ka qenë tepër i shkurtër, drejt e në Parajsë, kuptohet tek Beatriçja. Tashmë për Danten tabuja e dyfishtë është Ferri dhe Purgatori – s’ka kuptim t’i shihte sërish. Dhe s’do t’i shihte më në përtej-vdekje. Ai mund t’i tregonte Beatriçes për Ferrin dhe Purgatorin, që në fakt ajo nuk i njohu kurrë.
Mungon ndërkaq në kryeveprën danteske takimi me vetë Krishtin, por që është i nënkuptuar në gjithçka. Kjo është shumë e çuditshme. Gati e pabesueshme.
Siç e shpjegon vetë Dantja – Saga e tij poetike është shkruar në katër kuptime:
– atë letrar,
– alegorik,
– anagogik dhe
– etik.

Sipas Ezra Pound’it këtë formë misteri na e ofrojnë shprehjet matematike: në fakt, atje, kur vëmë re se një ligj i përgjithshëm qeveris një seri ekuacionesh të llojit:
– 3×3 + 4×4 = 5×5 (apo më thjesht 32+42 = 52),
– 62+82 = 102,
-122 + 162 = 202 etj etj, që shprehin algjebrikisht raportin e zakonshëm a2 + b2 = c2.
Dhe kush ka studiuar gjeometri elementare dhe gjeometri analitike, e sheh menjëherë se ky është raporti i kateteve me hipotenuzën e trekëndëshit kënddrejtë si dhe, në gjeometrinë analitike, ai mes pikave që përcaktojnë perimetrin e një rrethi. Ashtu si në sytë e matematicienit enigmatik a2 + b2 = c2 shpreh:
1. Një seri numrash abstraktë në raport mes tyre
2. Një raport mes ca numrash abstraktë
3. Përmasat përkatëse të një figure, në këtë rast trekëndësh
4. Idenë, apo idealen e rrethit.

Kjo lloj matematike poetike, apo edhe mistike zotëron tërë substancën e fjalëve. Kryevepra e Dantes mbetet ende e fshehur, si pjesa e padukshme e Hënës. Ajo stimulon enigma të infinitshme.
Duket sikur shekujt ikin për t’i errësuar më shumë kuptimet. Rutina e komenteve na çmend, madje na budallalleps lehtësisht. Ky manipulim e shumëfishon ambiguitetin e poezisë. Tre njerëz janë konkretë (ishin të tillë)_
– Virgjili,
– Dantja dhe
– Beatriçja.

Për të tërë njerëzimin. Simbolet teologjike janë metaforizuar, më shpesh tjetërsuar. Kjo tregon një intuitë të hatashme dhe deri diku të frikshme.
Dantja e modelon ndryshe – krejt ndryshe tërë letërsinë.
Ai e do Virgjilin, por nuk është Virgjili. Sepse është i vetëmjaftueshëm në amshim. Është sublimimi i intelektit. Me një ndjeshmëri kozmike.
Beatriçja është utopia që ai e beson duke e shpikur. Ky është sekreti i tërë sekreteve të artit.

………………………….

Dante Alighieri: The Divine Comedy

Dante Alighieri (1265 – 1321)

*********************************
(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

ROBIN HUDI

ROBIN HUDI   Nga Xhelala Zejneli Robin Hudi (Robin Hood) është hero qendror dhe legjendar i një sërë baladave…