Tiranë, 10 nëntor 2017: Çështja shqiptare sot është një pasojë e historisë së saj të dhimbëshme. Në planin ndërkombëtar, po përballemi me një Europë të mballomave, e cila për shkak të shkeljeve që shkaktojnë kufijtë e vjetër politik, po zvarritet në një politikë tepër konservatore, pa rrugëdalje të perspektivës. Me ngjarjet e fundit brenda saj, politika europiane ka humbur shumë dhe po përballet me pasojat. Dhuna ekstreme e realizuar në Spanjë, jep mesazhe për nevojën e trasformimit politik, për të respektuar vullnetin e popujve. Nga analiza kuptohet lehtë që, Europa nuk e ka kuptuar mesazhin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, ku popujt e shtypur dhe të diskriminuar u ngritën në luftë të armatosur kundër Jugosllavisë së mbetur (Serbi – Mali i Zi) dhe morën mëvetësinë. Mesazhet e situatës së paekuilibruar brenda BE-së, politikat e gabuara të “komisionerëve”, po nxisin reagimin e popujve, të cilët nuk mund të pranojnë më diktatin e neokolonializmit modern, të sheqerosur “në emër të të drejatve njerëzore dhe të demokracisë”.
Sot situata në Ballkanin Perëndimor paraqitet komplekse dhe e përfshirë në konfliktin politik me efekte në marrëdhëniet ndërshteëtrore, për shkak të çështjeve nacionale brenda tyre. Fatkeqësisht, të gjithë shtetet paraqiten, me “dy shtete” brenda tyre. Këtë natyrë ka Serbia me republikën Serbcka, Shqipëria me shtetin e ri të Kosovës, Maqedonia në dyshtetësinë brenda saj, Bullgaria me Maqedoninë, apo dhe Greqia si një “federatë” në hije. Qëndrimi politik në marrëdhëniet dypalëshe në të gjithë drejtimet e rajonit, shfaqet me probleme. Në këtë situatë, nuk shtrohet problemi i bashkimit, por i dominimit politik, për të krijuar kushte të favorëshme të ekilibrit dhe të stabilitetit, duke mbrojtur me mençuri interesat gjeopolitike.
Për shqiptarët, sot problemi paraqitet i qartë dhe pa medyshje. Në veprimin gjeostrategjik dhe gjeopolitik të SHBA-ve, është kuptuar që, “qoshja e ngrohtë” e tyre, siç janë territoret shqiptare, brenda tyre nuk do të lejohet që klasa politike, e uzurpuar nga njerëz problematikë në të gjithë drejtimet, të vazhdojë të drejtojë shtetet shqiptare dhe më tej. Siguria dhe garancia politike në drejtim, mbetet kusht. Njerëzit “e kapur”, meritojnë të largohen me çdo çmim.
Në këtë analizë politike, do të fokusohem vetëm tek shtetet shqiptare, në trojet shqiptare, duke gjykuar që, problemin tonë e kemi në planin e realizimit të politikës së jashtme, po aq në ndërthurjen e konfliktit të brendshëm, për shkak të papërgjegjshmërisë së politikës shqiptare. Koha kërkon të jemi të mirëorintuar dhe t’i lëmë teoritë dhe megallomaninë. Kontributet janë të nevojshme atje ku vlejnë, dhe jo atje ku bëjnë dëme mbi interesat shqiptare. Mos të vazhdojmë me kokëfortësi t’i shesim mend njeri – tjetrit, sepse halli nuk është personal, por gjithëkombëtar.
Situata politike shfaqet shqetësuese me probleme të brendëshme, me konfliktin e paarsyetuar, që përcjell në opinion zhgënjim të madh. Agresioni politik nga brenda, duhet ndalur. Këto nuk janë vetëm parime teorike, por ato shtrojnë nevojën e organizimit mbarëkombëtar. Individët me kontribute vetjake të mjaftueshme, të kthejnë vëmendjen nga njeri – tjetri, të mbështesin njeri – tjetrin, të bashkojnë forcën e mendimit dhe organizimit, t’i largohen terrenit të fjalëve, të hidhen në terrenin praktik.
Zhurma rreth shteteve shqiptare, ka synim të paracaktuar. Brenda trojeve shqiptare, politikisht asgjë nuk ndodh rastësisht. Situatë në Shkup, çështja e Demarkacionit, qëndrimi i Presidentit të Kosovës, Himara, Kakavija, droga në Shqipëri, lufta politike e brendshme, e shumë të tjera, po shkatërrojnë nga brenda jetën shqiptare.
Jemi në situatë, që duhet t’i themi troç opinionit kombëtar të vërtetën. Jetojmë midis dy kohëve, të gjendur historikisht në “fuçinë e barutit”. Dilema shqiptare ëshët tronditëse: Ose Kombi të rikthehet në kohën e lavdisë së etërve të dikurshëm, të kërkojë dinjitetin e nëpërkëmbur, ose t’i nënshtrohemi shpërbërjes totale, nën veprimin e politikës dinake të kohës moderne.
Sot përballemi me politikën e vjetër neokolonialiste e shfrytëzuese të Europës, e cila nuk ka ndërmend të reformohet, as në të ardhmen e saj të afërt. Ajo djallëzisht, brenda faktorit shqiptar, përzgjedh dhe nxit në karrierë politike elementët më regresiv, të financuar dhe propoganduar në mënyrë të çuditëshme, të cilët janë vënë në shërbim të politikave të saj, pa kushte.
Në Republikën e Shqipërisë, situata nuk paraqitet me ngjyrë rozë. Shteti është i antarësuar në NATO dhe ndodhet në prag të hapjes së negociatave për anarësim në BE. Faktori ndërkombëtar është i fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke synuar pastrimin e strukturave shtetërore. Dilema politike dhe dëshira për ndryshime, ushqen ende krizën e besimit kundrejt politikave të ushtruara në 26 vjet.
Në politkën e Tiranës, do të ketë një radhë veprimi, për t’i hapur rrugën pastrimit nga elementët korruptiv. Do të stimulohen dorëheqjet, për t’i hapur rrugën drejtësisë, edhe pse nuk do të jemi në një hapësirë të kulluar të veprimit të saj. Kjo tendencë institucionale shfaqet sepse politika në këtë proces delikat, llogarit edhe hiletë e saj, të cilat çdo ditë evidencohen dhe kundërshtohen nga opinioni shqiptar.
Politikisht dhe juridikisht, do të veprohet drejt “rrathëve koncentrikë”, deri sa të arrihen objektivat, të paracaktuara në bashkëveprim me partnerin strategjik, drejt pastrimit të politikës. Në Shqipëri, njerëzit e inkrimunuar janë hedhur në sulm, për të nëpërkëmbur shtetin dhe për të krijuar situatë destabiliteti. Kërcënimet vijnë nga opozita, e cila nuk di se çfarë kërkon. Njerëzit brenda saj, por edhe nga partia në pushtet, ndihen të rrezikuar nga drejtësia dhe përjashtimi nga politika. Ndoshta popullit do t’i duhet të bëj durim. Raskapitja psiko – sociale dhe ekonomike, që ka ndodhur në 26 vjet, e ngarkon çdo ditë negativisht situatën, duke kërkuar rrugëzgjidhjet.
Situata e brishtë reflekton edhe në Kosovë. Sfidat e qeverisë Haradinaj, janë të forta dhe ato nuk mund të kapërcehen jashtë vlerave të vendimarrjes institucionale. Zgjidhjet duhet të largojnë përfundimisht vendimarrjen personale, qoftë të Presidentit apo të Kryeministrit, dhe t’i hapin rrugë rolit të Parlamentit të Kosovës. Partitë politike dhe drejtuesit e tyre, duhet të kuptojnë, se konflikti politik për çështje pushteti dhe interesash të ngushta, nuk mund të dalë asnjëherë mbi interesat e Kosovës. Disa vendime të qeverisë Haradinaj, duhet të mbështeten politikisht, për të hapur rrugën, kundër pengesave me të cilat haste politika e jashtëme në marrëdhëniet me BE-në.
Trumfi i pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së në zgjedhjet lokale në Maqedoni, ishte qëndrimi më i drejtë për të goditur regjimin autoritarist të VMRO-DPMNE, të mbështetur në pushtet për shumë kohë nga BDI. Rezultati hap rrugën për ta kaluar Maqedoninë në zgjedhje të përgjithëshme, të parakohëshme, (ndoshta në pranverën e vitit 2018), të cilat duhet t’i japin një goditje më të fortë pushtetit autoritarist dhe të hapin rrugën për reformimin e institucioneve kushtetuese të shtetit. Roli i faktorit shqiptar do të jetë shumë i rëndësishëm. Larg paragjykimeve, me mençuri për të rritur forcën e energjisë positive drejt politikës produktive, në Shkup duhet të veprojë “vetingu”, ashtu si në Tiranë dhe Prishtinë. Politika shqiptare meriton pastrimin prej elementëve të korruptuar, bashkëpërgjegjës për krimet në Maqedoni, veçanërisht në 15 vjeçarin e fundit.
Zoran Zajev, në bashkëqeverisje me shqiptarët, me mbështetjen morale e politike të Tiranës dhe Prishtinës, duhet të largojë Nikolla Gruevskin nga jeta politike dhe të realizojë institucionalisht, reformimin e strukturave shtetërore në Maqedoni. Ai e ka detyrim politik, të garantojë statusin e shqiptarëve dhe pakicave të tjera në nivelin kushtetues në Maqedoni.
Në analizën politike, e trajtuar në këndvështrime të ndryshme, mund të duket bukur dhe e pëlqyeshme, por argumentet që mbështesin analizën, flasin me gjuhë tjetër. Situata politike e pastabilizuar në trojet shqiptare, po shfaqet dhe vepron në dëm të vet shqiptarëve.
Mendimi për politikën dhe politikanët shqiptarë që drejtojnë, nuk është absurd e as irreal, por gjykim konkret. Ata janë në pushtet, në krye të institucioneve dhe përfaqësues, duke shfrytëzuar mandatin e popullit. Kjo është gangrena në historinë tonë të re, që po e gërryen politikisht faktorin shqiptar brenda vetes, në mënyrë të pamëshirëshme. Procesi shkon më tej. Në opinion evidentohen thirrjet, “Të ngrihemi dhe të shpëtojmë Kombin”. Shumë syresh mendojnë se, është koha për veprime ekstreme, kur dihet që revolta apo lufta, janë “fisheku i fundit” që harxhohet, në ekszistencën për jetë a vdekje të një kombi. Kjo do të ishte humbje e madhe, kur ende nuk kemi shfrytëzuar mundësitë institucionale për një jetë të shëdetëshme në sistemin e demokracisë.
Opinioni duhet të forcohet kundër njerëzve servile dhe të korruptuar, të diskretituar. Këtë e ka vet populli në dorë, i cili duhet të orientohet drejt procesit reformues të shpëtimit dhe të mos e kërkojë atë jashtë vetes dhe vullnetit të tij politik.
Në këtë situatë, përgjegjësi të rëndë kombëtare duhet të mbajë inteligjencia atdhetare shqiptare, kudo që ajo vepron, nga SHBA-të, në Australi, në Europë dhe në trojet shqiptare. Ajo sot shfaqet indiferente, e thërrmuar. Ajo nuk mund të dominohet nga egoizmi dhe egocentrizmi, që shkatërrojnë energjitë positive. Ajo nuk mund të rri në skalionin e fundit të rreshtimit kombëtar dhe të bëj sehir, se si kombi po varfërohet dhe po degdiset pak e nga pak në fund të botës. Ajo nuk mund të heshtë, kur shikon që njerëz të paaftë drejtojnë shtete tona, duke shkatërruar shëndetin social – politik të popullit, ekonominë, sigurinë Kombëtare, arsimimin, vet jetën e popullit.
Në planin kritik, inteligjencies shqiptare nuk i lejohet të gabojë më tej. Pranohet që, nuk ka idealizëm puritan. Njerëzit i ndryshojnë qëndrimin dhe bindjet. Kushtet dhe rrethanat detyrojnë përshtatjen. Kjo vlen për njerëzit e ekuilibruar, të cilët kuptojnë negativitetin e pozicioneve dhe reagimeve ekstreme. Heshtja e inteligjencies atdhetare, mosorganizimi i saj po sjell pasoja. Ajo me përgjegjësi, duhet të zgjedh dhe organizoj Elitën e Kombit, të marrë fatet e popullit në dorë. Populli dhe Kombi sot kanë nevojë për këtë sjellje. Ajo, të mos e përzjejë politikën e ditës me nevojat e zgjidhjeve mbi çështjet jetike të Kombit. Rekomandimet e zbatueshme duhet të përfshihen në përgjegjësinë shtetërore. Kjo do ishte një zgjidhje e pranueshme.
Qëndrimi dhe rekomandimi i politikës amerikane ndaj zyrtarëve të korruptuar në Ballkan, për të kufizuar lëvizjen dhe kontaktet me ta në BE dhe SHBA-të, duhet rë reflektojë në forcimin e frymës qytetare demokratike në shoqërinë shqiptare. Mesazhi u drejtohet shqiptarëve, por veçanërisht politikanëve, të cilët nëse nuk janë të aftë të drejtojnë, duhet të largohen nga drejtimi i politikës. Ata duhet të kuptojnë orientimin e interesave gjeostrategjike të aleatëve tanë dhe të partnerëve strategjik, për të ecur në një hap me ta, për interesat tona. Koha kërkon përgjegjësi të lartë kombëtare. Kush ka mundësi të veproj, kush nuk ka mundësi, më e pakta që mund të bëj, është të hesht dhe të mos i hedh benzinë zjarrit midis shqiptarëve. Ne çdo ditë jetojmë me shpresën që, koha do të sjellë burra të mençur, që do ta marrin situatën në dorë.
Koha historike brenda saj, përmban dhe krijon epokat. Për kombin shqiptar, sot është e vështirë të përcaktohet, se ku po përfshihet, kujt do t’i përkasë në të ardhmen e afërt dhe të largët të tij. Mungesa e vizionit politik dhe deklarimet demagogjike po e çojnë politikën shqiptare në udhë pa krye.
Nuk ka dyshim që, dora e zotit për kombin shqiptar sot janë roli i SHBA-ve dhe interesat e saj gjeostrategjike në Ballkan. Kjo duhet vlerësuar realisht nga politika shqiptare, pa pritur që Amerika të bëjë atë që u intereson shqiptarëve në rajon. Situatat delikate, nuk mund të zgjidhen me politika klienteliste, të lidhura me qëndrimin në pushtet. Ajo kërkon tjetër gjë. Ka një arsye madhore, pse problemi trajtohet me ashpërsinë që ushqen koha. Ligësia politike dhe tendencat e destabilizimit politik, rezultojnë të ulura këmbëkryq në mesin tonë.
Bashkëkombasit e thjeshtë, brenda angazhimit social dhe politik, kudo në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Preshevë e Sanxhak, të mbështesin njerëzit atdhetarë. Atyre duhet t’u dëgjohet zëri dhe t’u jepet kurajo në kuadrin e organizimit gjithëkombëtar. Duke kthyer vëmendjen ndaj tyre, pa paragjykimet poshtëruse që serviren nga armiqtë tanë, këta njerëz do të përcjellin kudo dashuri, paqe e gëzim, besim e shpresë, për ta shpëtuar kombin. Shkurt, opinioni shqiptar kudo, sot duhet të ngrejë zërin e arsyes historike, kundër mosdashjes politike.
Sulejman Abazi NESHAJ, Tiranë më 09/11/2017