Tetovë, 4 qershor 2020: Dy fjalë për pashallarët e partive politike të shqiptarëve, vasalë të pushtetit
Të gjithë bërtasin e vrapojnë pas zgjedhjeve, për pushtet, madje edhe në kushte të jashtëzakonshme, përderisa pandemia vazhdon të përhapet në vend, por askush nuk preokupohet se në çfarë kushtesh mbahen zgjedhjet në Maqedoninë Veriore, kush humb dhe kush fiton, kryesore këta pashallarët vasalë, të kuq, të zinj apo laramanë të partive politike të shqiptarëve të mos mbeten pa pushtet!
1.
Për çfarë interesash (njerëzore, shoqërore apo kombëtare) partitë politike të shqiptarëve nuk e ngrenë zërin për situatën dramatike në lidhje me të dhënat për numrin e manipuluar të banorëve, numrin e personave me shtetësi dhe pa shtetësi, numrin e votuesve dhe listave të falsifikuara, përderisa të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet janë të kushtëzuara në bazë të numrave dhe përqindjes, sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, Kushtetutës aktuale, ligjeve dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore?!
Ja çfarë thonë hulumtimet dhe analizat më të fundit të ekspertëve?
“Numra shumë të gabuar: misteri demografik i Maqedonisë Veriore.
Statistikat zyrtare mbi popullsinë e Maqedonisë Veriore jo vetëm që janë devijuar pak, por në mënyrë dramatike janë të pasakta. Dhe, kjo ka pasoja.”
(Analizë e Qendrës për gazetari hulumtuese PRIZMA (BIRN-Maqedoni), autor: Tim Xhuda, 14 maj 2020)
2.
Në bazë të të dhënave të mëposhtme mund të konstatohet se, në Maqedoninë Veriore numri i banorëve me numrin e votuesve nuk korrespondon, megjithatë, sipas kësaj logjike, falsifikimi i numrit të votuesve në Listën e përgjithshme bëhet me paramendim, dhe si i tillë nuk konsiderohet falsifikim dhe se nuk ka votues fantomë (fiktivë), meqë nga institucionet e shtetit kjo çështje është rregulluar në bazë të ligjeve.
Por, djalli fshihet në numrin e shtetësive të dhëna kush e din se kujt (në shtet ka afër 400 mijë banorë më pak në krahasim me numrin e shtetësive të dhëna), por edhe dhënia e dokumenteve personale dhe caktimi i vendbanimeve të rrejshme për këta persona, përkatësisht votues, që e përkthyer në numër të mandateve të deputetëve, sipas numrit të nevojshëm të votave për një deputet, sipas përvojës së derisotme, ky numër prej mbi 400 mijë votuesve e bën dallimin prej afërsisht 1/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve, përkatësisht 40 deputetë nga gjithsej 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë Veriore.
3.
Në ciklet e mëhershme zgjedhore, nga zgjedhjet e para parlamentare në vitin 1990 deri në të fundit, në vitin 2016, nga mediet e vendit janë konfirmuar shumë shkelje për falsifikimin e zgjedhjeve, për numër të madh të votuesve fiktivë, për dokumente personale (certifikata shtetësie, letërnjoftime, pasaporta) të falsifikuara, si dhe për vendbanime fiktive të mijëra votuesve, të regjistruar në banese të pronarëve të tjerë (pa qenë pronarët e dijeni), në vendbanime të panjohura, madje edhe për persona të regjistruar me vendbanime në konvikte, garazhe, parkingje etj.
4.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Oliver Derkoski në intervistë për Agjencinë Informative Maqedonase (AIM)*, më 20 janar 2020, ka deklaruar:
“Me përgjegjësi pohoj se, fantomë në listën zgjedhore nuk ka, por se në Listën zgjedhore ka shtetas të cilët kanë të mbushur 18 vjet dhe kanë vendbanim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të tjerë nuk ka sepse nuk mund edhe të ketë. Secili që merr shtetësi menjëherë regjistrohet në Listën zgjedhore. Në shtet janë dhënë diçka më shumë se 2.400.000 (dy milionë e 400 mijë) shtetësi dhe ajo është Lista, do të thotë numri prej një milion e rreth 800 mijë është numër real i votuesve në Listën tonë zgjedhore.”
Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2002 (i fundit), në Republikën e Maqedonisë ka pasur gjithsej: 2.022.547 banorë.
Sipas të dhënave zyrtare të Entit shtetëror të statiskës në Shkup, në fund të vitit 2018, në Republikën e Maqedonisë Veriore (sipas metodologjisë së tyre) ka pasur gjithsej 2.077.132 (dy milionë e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e tridhjetë e dy) banorë.**
*https://mia.mk/derkovski-per-mia-n-ndryshimet-e-kodit-zgj…/…
*Buletini vjetor i Entit shtetëror të statistikës në Shkup, “Maqedonia në numra”, 2018, f. 9 (publikim i fundit): http://www.stat.gov.mk/Publikacii/MakBrojki2019mk.pdf
5.
Askush nuk mban llogari dhe përgjegjësi për këtë gjendje (siç nuk ka dhënë askush llogari deri më sot për dështimet, korrupsionin dhe krimin e organizuar); sidomos për atë se, çfarë humbin, sa humbin e çfarë fitojnë shqiptarët në këtë shtet?!
Përderisa klanet partiake vazhdimisht i mbajnë sytë nga pushteti në Shkup, qytetarët shqiptarë me shpresa të vrara gjithnjë e më shumë i mbajnë sytë kah bota e jashtme, të ikin sa më larg nga ky kaos e ferr që kanë krijuar pushteti dhe klanet e partive politike në këtë shtet.
Postime të Lidhura
SOT NË POTOҪARE – SREBRENICË SULMOHET FIZIKISHT ALEKSANDËR VUҪIQ (FOTO-VIDEO)
Pashtriku.org, 11. 07. 2015 – Sot rreth orës 12:50 në Qendrën Memoriale Potoçari – Srebrenica ku u mbahet…
SHANI BERISHA: QYTETI I PRIZRENIT HAMBAR I PARTIVE POLITIKE DHE LIDERËVE TË TYRE!
Prizren, 07. 07. 2015 – Vetëm kur dëgjohet emri i qytetit të Prizrenit, të gjithë shqiptarët nga të…
BEHXHET SH.SHALA: ÇITELIA, DEFI, FYELLI DHE KAVALLI!
(Prishtinë, 28 mars 2012) – Lexuesit e nderuar janë mësuar që shkrimet që i shkruaj të kenë tituj…
ZAMIRA ÇAVO: NË SHQIPËRI BIZNESI ME FITIMPRURËS ËSHTË POLITIKA!
Tiranë, 26. 09. 2015: Në Shqipëri biznesi më fitimprurës është politika. Hyn pa një kacidhe dhe bëhesh miliarder…