ASTRIT GASHI: KOSOVA E SIGURT PO SHKON DREJT FALIMENTIMIT!

(Prishtinë, 25. 07. 2012) – Kosova po shkon rrugës së falimentimit dhe nga ky qorrsokak mund të shpëtojmë vetëm nëse, ta zëmë, na realizohen të gjithëve përnjëherë ata e-mailat “spam” se na ka lënë dikush hise qindra miliona dollarë në një bankë në Keni, në Angli apo në Singapor.
Nëse nuk besoni në mrekulli, shpëtim zor të kemi.
Jam shumë i sigurt se analistë “të ndyer-ndyrshëm” e statistikanë të pushtetit do të shkrihen së qeshuri nga ky konstatim. Në analizat e statistikat e tyre, Kosova nuk është në krizë aq të madhe sa mendojnë qytetarët, e në veçanti “Vetëvendosja”. Të varfrit e tashëm kanë qenë “historikisht të tillë”: të papunët e tashëm, me babë e me babagjysh, nuk u kanë marrë rrogë kurrë; dhe disa gra thjesht gjithmonë zgjedhin të jenë amvise – ky është fati i tyre!
Kaq thjeshtë është për t’u shpjeguar kjo punë. Konkludimi është optimist: vendi është mirë, potencial për trazira sociale nuk ka – ne mund të vazhdojmë të qeverisim të lirë. Sikleti i madh, pra doli i pasaktë. Dhe, nëse qytetarët janë të qetë në aspektin social, atëherë ata mund të vazhdojnë të keqqeverisin, të pasurohen e të mbesin në pushtet.

……………………………………………

Le të mbesin, por mos të na falimentojnë.
Një pushtet i vetëkënaqur, i ekzaltuar me veten dhe i paaftë për të prodhuar zhvillim, është njëri prej parakushteve për të gjeneruar falimentim. Kur funksionohet duke mbyllur një birë dhe duke hapur tjetrën, sikur që bën ky pushtet, dikah në fund do të rrjedhë. Kur qytetarë e biznese shantazhohen me fjalë, me vepra e me ide “kazakstanske”, edhe po të shpallin trashëgimtar të pasurisë së princit të Arabisë Saudite, nuk të kryen punë.
Atëherë, kur këso pushtetesh kombinohen me një sektor bankar, i cili funksionon njësoj si cilido grup fajdexhinjsh dhe me familje në ndërtim me shumë kërkesa të cilat i plotëson përmes këtyre shërbimeve, shenjat e një fundi nuk mbesin me parashikime nostradamusiane, por një rrezik me shumë gjasa për t’u plotësuar.
Është e pamundur të gjendet një shembull në botë që një shtet të ketë funksionuar duke mos pasur para në qarkullim. Nëse kjo qeveri e arrin këtë, do të kthehet në literaturë bestseller nga shitja e të cilave do të jetojmë edhe 100 vjet pa prekur punë me dorë. Idilike, apo?
Në Kosovë nuk ka para në qarkullim. Statistikanët e qejfbërjes ndaj pushtetit lehtësisht mund t’i gjejnë këto argumente nëse dalin në terren. Bizneset e vogla e të mesme, që garojnë në kushte të tregut, po falimentojnë njëra pas tjetrës, madje edhe ato më kreativet të “luginës së Silikonit” nga programi qeveritar.
Arsyeja është e thjeshtë: punët porositen, ndërsa paratë nuk u paguhen. Me rritjen e punëve shtohet numri i të punësuarve dhe rriten shpenzimet e tjera – duke mos i marrë paratë, këto shpenzime grumbullohen, nuk mund të paguhen dhe firmës i vihet çelësi.
Si në zinxhir, ekonomia e Kosovës sot nuk punon me para, por me mall. Për një banesë ta japin një xhip, për një reklamë ta ofrojnë një kamion domate… Ose, dilni në pazar të veturave, dhe do të shihni se aty bëhen vetëm shkëmbime.
Deri vonë ishte buxheti që mbante vitale euron në Kosovë. Sot, pjesa më e madhe e këtyre parave, shkon jashtë vendit, te “Bechtel” dhe “Enka”, si ndërtues i autostradës. Pjesa tjetër përdoret për paga, për mëditje, për udhëtime zyrtare, nëpër xhepa të korrupsionit, për meremetime dhe për letra tualeti.
Kapitali i freskët përmes investimeve publike është minimal. Në fakt, prej shitjes së IPKO-s në vitin 2007, vendi ynë vetëm ka blerë e dhënë me qira, por nuk ka shitur asgjë.
Nuk ka asnjë fakt se 500 milionë euro, të ardhura nga diaspora përmes agjencive të bartjes së parave, po hyjnë në ekonominë tonë. Me gjasë, një pjesë e madhe e tyre vetëm hyn dhe del nga këtu, e larë dhe e ndrequr për tregun e huaj.
Ekonomia e vendit, publike e private, sot karakterizohet dhe mbahet vetëm nga një gjë: Rrogat.
Kështu nuk shkon. Kjo “ekonomi” do ta ketë të pamundur të mbahet gjallë duke dhënë e duke mos marrë. E kur edhe dhënia – rrogat – preken, sikur dëgjon shembuj përditë, nuk do të falimentojnë bankat sepse ato e kanë fituar mbijetesën përmes sistemit kreditues të fajdeve, por do të dëmtohen qytetarët.
Është piramidë e përmbysur kjo që po ngjan në Kosovë. Një piramidë kjo që, bashkë me qytetarin, do ta përmbysë edhe pushtetin, edhe shtetin. Do të jetë FMN që në fund do të bëjë raportin – sikur dikur për Argjentinën, e tash vonë edhe për Greqinë.
Vazhdoni të qeshni, por mos thoni se nuk jeni paralajmëruar kurrë për rrezikun e falimentimit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura