DR.AGIM ZOGAJ: NËNA – HEROINA E KOMBIT TONË!

Prishtinë, 19 shkurt 2019: Fjala e Dr.Agim Zogaj në përurimin e librit të gjeneral Kudusi Lama “Nëna ime, Mihane Lama”, Prizren, 31 janar 2019.
Të nderuar bashkëqytetarë,
I nderuar, vëlla i ynë, Kudusi Lama me familje,
Shumë të respektuar, ish – pjesëtarë të UÇK-së dhe Ju, pjesëtar të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, para të cilëve përulemi,

Në vitet e shtatëdhjeta, kur nga Shqipëria, në Kosovë vinin profesorë universiteti, shoqëri kulturo-artistike, këngëtarët e mirënjohur të estradës, Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Ibrahim Tukiqi, Bik Ndoja, Shyqri Alushi si dhe, i madhi, Ismail Kadare e kishim dëshiruar, por nuk e dinim dot se, kur do të vijë dita që, edhe ushtarakë të lartë shqiptarë, do të jenë në mesin tonë, në shtëpinë e tyre, në Kosovë, në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Sot, ata, sikurse edhe gjeneral Kudusi Lama, të cilët i ishin bashkuar UÇK-së së përndritur, janë në mesin tonë, janë krenari, nderi i kombit, sepse bashkërisht, nën flamurin kombëtar dhe flamurin e UÇK-së, e çliruam këtë pjesë të Shqipërisë së Re.
Në këtë ditë Prizreni, në djepin shpirtëror të shqiptarisë dhe të idealit më të shenjtë atdhetar, i nderuari mik dhe vëlla i yni, Kudusi Lama, nuk na vjen vetëm si gjeneral, si një nga çlirimtarët e Kosovës sonë, por si romansier, prozator. Së bashku me autorin, po e shpalosim veprën e tij më të re, të titulluar, Nëna ime, Mihane Lama, vepër e cila bën ndikim të veçantë pedagogjik, është njëkohësisht letrare dhe biografike, kurse ofron lëndë studimore për jetën e familjes shqiptare në krahinën e Lumës dhe përgjithësisht në botën shqiptare.

Libri, Nëna ime, Mihane Lama, është një histori e një nëne shqiptare, në kohë dhe hapësirë, një rrëfim plot imagjinatë artistike, letrare që, para lexuesit shpalos jo vetëm antropologjinë sociale të racës shqiptare, por edhe më shumë se kaq. Nëpër faqet e këtij libri, ne mësojmë historinë e krenarisë, dhembjes, qëndresës, karakterit, etikës, moralit, idealizmit të një nëne shqiptare, e cila këtë histori e jetoi nëpër stuhitë e jetës personale, familjare dhe ato kolektive. Historia e Nënës Mihane Lama, është histori shqiptare, është rrugëtim i guximshëm drejt lirisë, drejt jetës së re, mbijetesës, gjithnjë e gjithmonë, me shpirtin kryengritës të shqiptarit, kudo dhe kurdo që ishte, kohë e trazuar. Në jo pak ngjarje dhe historira, ai rrugëtim i shpirtit shqiptar, kësaj here i portretizuar përmes Nënës Mihane, do të jetë i mbështjellë me sakrifica, vuajtje, qëndresë, luftë të pashembullt për mbijetesë, vetëm e vetëm për të siguruar një ditë të bardhë, plot shpresë për ata shpirtra që ishin gjaku, drithërima, ëndrra e të parëve të Mihanes dhe i vetë asaj. Jeta e kishte mësuar që, sa herë rrëzohej, gjithnjë ngrihej edhe më e fortë. Ndaj, porosiste: ”Jepuni dashuri e respekt të tjerëve, që edhe prej tyre të merrni dashuri e respekt”!
Nëna Mihane, ai personifikim i mirësisë, qëndron si heroinë përballë çdo furtune të jetës, duron dhe nuk ankohet asnjëherë, nuk u përkul, nuk kërkoi mëshirë, ngeli një Zanë shqiptare, shembull për dinjitet, fisnikëri, krenari moral të nënës, motrës, gruas, bijës shqiptare! Ishte rritur dhe lartësuar si krijesë e një historie të hidhur, të ashpër, sa edhe të lavdishme, për t’u qëndruar për jetë e mot stuhive të kohës! U edukua dhe edukoi, jo vetëm fëmijët jetimë të saj, që të çmojnë besën, trimërinë, burrërinë, familjen, Zotin, vullnetin për të rënë për Atdhe, siç e thoshte vetë, për vëllezërit në Kosovë! Bukë, kripë dhe zemër, por, për pushtuesit, edhe plumbin aty pranë, kjo ishte historia jonë shqiptare, kudo që ishim, në kohërat e pa besë, në shtrëngatat e trazuara të historisë, kur, me shpatën e Gjergj Kastriotit, me pushkën e Adem Jasharit dhe të UÇK-së, duhej të rilindnim, sepse, ne në Kosovë, Atdheun e lirisë e kishim në kufi! Ishin ato kohë, vite të vetmisë së madhe shqiptare, të përndjekjeve, kërcënimeve, ishim të rrethuar me projektet më barbare sllavo – ortodokse për shfarosjen e shqiptarëve, grabitjen e tokave tona! Nuk kishim aleanca diplomatike e as ushtarake, ndërkohë që ishim popull i ndarë! Ndërsa, Nëna Mihane në ndonjë rast, edhe e përlotur, jepte shpresë: “Liria e Kosovës do të vijë”!
Me të drejtë, Nëna Mihane, e cila ishte burim dashurie, i mëshirës, dhembshurisë dhe faljes, ua thoshte edhe bijve të saj, se hasmit serb, sllav nuk i zihet besë, kurrë dhe asnjëherë, as në luftë e as në paqe! Nëna Mihane, me urtësinë biblike, hyjnore porosiste: “Hasmin kërkojeni larg, jo ndër shqiptarët…!” A ka thirrje më sublime, të një shpirti shqiptar, se sa kjo lutje tereziane, e cila, edhe sot, në botën tonë shqiptare na thërret për urti, vetëpërmbajtje dhe jo ndasi, jo përçarje të pareshtura politike mes kombit mbarë, të cilat mos durime vërtetë po na dërmojnë!
Përmes penës së të birit të Nënë Mihane Lama, na shpaloset një histori njerëzore, një botë me shumë të panjohura e të papritura, një epokë e fatit shqiptar, jo vetëm në shkrepat e krahinës, përherë trime të Lumës. Luftërat me Serbinë, dhe përgjithësisht me hordhitë sllave, ishin pjesë e qëndresës së brezave të Lumës martire. Libri, të cilin po e përurojmë, na rrëfen luftërat e lumjanëve, jo vetëm ato të vitit 1912, kur, nga masakrat serbe kishte ndodhur që, brenda një dite në Kalis u masakruan 93 burra, dhe kur në familjen e Laz Lamës, më i madhi mashkull i familjes, kishte mbetur fëmija gjashtë vjeçar. Prandaj, kur Kadare fliste për Nënën Shqipëri, kishte ndër mend edhe Tropojën kreshnike: ”Nga ky vend i mjegullës së errët, kanë dalë bij e bija që i kanë dhënë dritë këtyre trojeve…”!
Vëllezër dhe motra,
Edukimi për Atdhe, për liri, siç del nga libri, është një prej themeleve të moralit dhe etikës shqiptare të nënave tona shqiptare. Në këtë kuptim, me këtë shpirt qëndrese dhe betim në Flamur, Atdhe dhe Zot, protagonistja e librit, Mihane Lama, i frymëzoi dhe i edukoi edhe fëmijët, nipërit dhe mbesat. Ajo i ndiqte me shumë kureshtje zhvillimet politike, kulturore, arsimore, sepse e adhuronte dijen, arsimimin, qytetërimin shqiptar. Veçmas, me mendjemprehtësinë e saj, me shpirtin atdhetar i përcillte zhvillimet në Kosovën martire, kishte besim te trimat e UÇK-së, te luftëtarët e dritës dhe të lirisë sonë. Ndaj, në bisedat, shumë të sinqerta me djalin, Kudusin, për të cilin krenohej dhe ëndërronte se një ditë do të luftojë krah vëllezërve të Kosovës, interesohej për çlirimin e Kosovës, për bashkëngjitjen edhe të shtetit shqiptar në luftën e UÇK-së, luftë të urdhëruar nga ZOTI. Pastaj, kur nuk mjaftohej me përgjigjet e të birit, ushtarak i armatës shqiptare, ajo, si një Shotë Galicë tropojane lëshonte kushtrimin: “Nuk dëgjon me fjalë jo, askush nuk dëgjon me fjalë, jo ma serbi që nuk dëgjon hiç nga ai vesh, por dëgjon mirë vetëm krismën e pushkës”!
Gjithsesi, libri, Nëna ime Mihane Lama, nga aspekti i strukturës, stilit, gjuhës, shënon arritje në letrat shqipe, në krijimtarinë letrare, artistike, dhe për këtë, autori, meriton respekt. Nëna Mihane Lama, ashtu siç e shpërfaq autori, është shembull fisnikërie i një nëne shqiptare, jo vetëm për të birin e saj, por, edhe i nënave të fëmijëve tanë, të nipërve dhe mbesave, për të cilët Shqipëria dhe Kosova janë kështjellë, fortifikatë e racës shqiptare! Nëna Terezë thoshte se “Disa njerëz në jetë vijnë si bekim”. A nuk ishte, pra, Nëna Mihane Lama, një nga bekimet e Zotit, shpirti i së cilës shtegton i qetë nëpër qiellin e pandarë shqiptar, nga Janina, Saranda, Gjirokastra, Tirana, Marikaj, Shkodra, Ulqini, Bajram Curri, Prizreni, Gjakova, Prishtina, Mitrovica, Kaçaniku, Presheva, Shkupi e Tetova?!
Ju faleminderit!
Prizren, 31 janar 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura