DRAMA KOSOVARE NË LIBRAT E KUKSIANVE (VIDEO)

DRAMA KOSOVARE NË LIBRAT E KUKSIANVE (VIDEO)

Nga Petrit Palushi

DITËT KUKSIANE TË DRAMËS KOSOVARE (27 MARS – 13 QERSHOR 1999)

Për historinë e Kukësit në pranverën e pazakontë të 1999-s

(Libri – album i Jonuz Kolës, i botuar në vitin 2012)

Libri i Jonuz Kolës: “Ditët kuksiane të dramës kosovare: 27 mars -13 qershor 1999”, ose mrekullia e faktografisë përmes fotove dhe shënimeve deri në imtësi sa më ngjajnë me zbërthimin e imazheve.

Një libër-album, perfeksion në llojin e vet, i pajisur dhe me shënime, ku përmes fotove shpalohet drama e pranverës së ’99-s. Në një farë mënyre, z. Kola është Barleti modern i kronikës për ngjarjet e Kukësit të 1999-s.

Libri vjen si dëshmi, por dhe si përkujtesë per pranverën e sakrificës së madhe, të shpresës, por njëkohësisht edhe për atë terren klime njerëzore që shqiptarët e Kosovës, gjetën te qytetarët e Kukësit me rrethina.

Prej do vjetësh, z. Kola banon në SHBA, por le të jetë ky shënim një fjalë miradije, mirënjohje speciale se çfarë bëri ky intelektual i vëmendshëm për Kukësin.

Në librin “Kukësi në 79 ditë” (botim i v. 1999) kam edhe këtë shënim:

 “Por ky ekip i madh dhe i pazakontë gazetarësh, kameramanësh dhe fotografësh, ka si të thuash një rregullator të punëve të tyre. Jonuz Kola, ky rregullator i çuditshëm, nga vendasit, është ndër më të njohurit dhe më të kërkuarit për gazetarët e huaj. Njohës i mirë i anglishtes, ai merret më tepër me plotësimin e kërkesave të tyre: i ndihmon të gjejnë përkthyes, u jep informacione të ndryshme për trevën, u gjen banesa me qira dhe brenda ditës mund ta gjesh në mjedise të hoteleve të qytetit, në Morin, në Krumë, por ka dhe raste kur niset për në Tiranë në mbrëmje vonë dhe aty nga paraditja prapë do ta gjesh në Kukës. Ai, dashur padashur, është kthyer në një pikë të dobët për ta”.

***

KUKËSI NË PRANVERËN DRAMATIKE TË 1999-s

Si e ndërroi kuksiani Halil R. Istrefi sentencën e famshme e të pandryshueshme të Kanunit:

“Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, me

“Në Kukës, shpija asht e Zotit dhe e kosovarëve”. 

Nga libri “Kukësi në 79 ditë”,

Botim i dytë i plotësuar, OMBRA GVG, Tiranë 2019

Halil R. Istrefi (me banim në Drinas), mori një familje 18 anëtarëshe.

Më thotë se, sapo dëgjoi lajmin s’mund të rrinte i qetë ai dhe familjarët e vet, prandaj erdhën menjëherë te Pallati i Kulturës. “Ne, kuksianëve na erdhi ora me qëndrue. Në Kukës, shpija asht e Zotit dhe e kosovarëve”.

Një gjë krejt e pangjashme: Një 40 vjeçar në Kukës kërkon intuitivisht me ndërrue sentencën e famshme e të pandryshueshme të Kanunit: “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, me “Në Kukës, shpija asht e Zotit dhe e kosovarëve”. 

Ndërsa te sentenca e “Kanunit” miku është i papërcaktueshëm, kushdoqoftë ai, te sentenca e formulueshme e atypëratyshme e 40 – vjeçarit Halil R. Istrefi, miku është i përcaktueshëm, veçse jo një individ, por një kolektiv njerëzor. Para se me u nda me të i thashë se kjo formulë e re e tij është e përkohshme, ndoshta do funksionojë vetëm për pak muaj se, me sa ma ndjente shpirti dhe zemra, herdokur kosovarët do kthehen prap atje. 

Megjithatë, sentenca e “Kanunit”: “Shpija asht e Zotit dhe e mikut”, mbetet e bukur, gati-gati hyjnore në çdo kohë.

Me 5 maj t’atij viti (1999) e pyeta Marie Laure Colson, gazetare e Liberation – it të Parisit:

– Ç’mund të ndodhë me Parisin në se popullsia do t’i dhjetëfishohej menjëherë – Apokalips; – foli menjëherë ajo.

– Ja; këtu s’po ndodh asgjë, – ia ktheva unë. – Ose; po ndodh diçka fort e bukur. Banorët e Kukësit po shkruajnë historinë e pangjashme të humanizmit në fundin e shekullit XX. Banorët e përhershëm si dhe banorët e rinj; që ndejtën përkohësisht në këtë qytet ose bujtësit e përkohshëm, bujtës dhjetë herë më shumë se banorët e vetë qytetit e kthyen atë në qytet – shtet në një vend të tillë ku çdokush që në lirësinë e vet dhe për asnjë çast s’e ndjeu vetin se qe i tepërt. Në mbrëmjen e 12 qershorit të atij viti, një vajzë e vogël, quhej Egzone; më thoshte: Nesër po shkojmë n’Kosovë se asht çelë Kosova njejtë si me u çelë dita a nji mot i mirë.

***

DRAMA E1999-s NË VËSHTRIMIN E GAZETARIT SULEJMAN DIDA

Libri “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin ’99”, botim i dytë, i ripunuem /2019/

Libri i gazetarit të njohur Sulejman Dida, vjen si dëshmi e pakontestueshme për pranverën dramatike të vitit 1999.

Kronika është e gjallë, me rreze të shumëkahshme përjetimesh dhe vëzhgimesh, ku drama e shqiptarëve të Kosovës, është me një gjeografi të shtrirë, një dramë që përjetohet jo vetëm prej gazetarit Dida dhe familjes së vet, por në plotni, prej krejt banorëve të Kukësit, prej gazetarëve të tjerë gjithashtu, vendas dhe të huaj, të cilët fiksojnë dramën edhe në fijet më t’imta dhe ia përcjellin botës në formën më të mundshme.

Aq e thellë është forca përshkruese e ngjarjeve në këtë libër, sa të krijohet përshtypja se ngjarjet kanë ndodhë një stinë më parë; kjo ka të bëjë me zbulimin e kodit të dramës, që kish të bënte më së pari me përpjekjen për mbijetesë të shqiptarëve të Kosovës përballë primitives, më saktë, të barbarisë ushtarake serbe, në formën e vet më të shfaqshme në fund të shekullit të XX.

Libri është pikëzim i përjetimeve të mëdha dhe, po të mos ishin të tilla, natyrisht që libri nuk do vinte në formën si është, një formë treguese e zhanrit publicistik si duhen pa nga brenda realitete që t’ofron koha si ajo e stinës dramatike të 1999-s.

_______________

GOLGOTA SHQIPTARE 1999

Kukës – më 29 Mars 1999

Morin – Kukës 3 Prill 1999

***

Refugjatë në Morin – Kukës, më 14 Prill 1999

Refugjatët e Kosovës në Kukës, më 22 Prill 1999

***

Kukës, më12 Maj 1999

***

Kukës – Prizren, më 13 Qershor 1999

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura