DR.AREF MATHIEU: E VËRTETA PËR PELLAZGËT (1)

Paris, 12. 07. 2016: (Përgjigje ndaj artikullit të Muzafer Korkutit: “Gabime trashanike në botimet historike, mjaft diletantizmit”, botuar te ‘Gazeta Shqiptare’ më 30/06/2016)
Zoti Muzafer Korkuti,

Problemi nuk është për të besuar ose jo atë që është shkruar, por për të dhënë dëshmi për ato që është pohuar! Para së gjithash më duket se ju nuk i keni lexuar librat e mi, ose i keni lexuar gabimisht ose nuk i keni lexuar seriozisht. Dhe për më shumë ju nuk e keni lexuar tezën time. Unë kurrë nuk themë asgjë, pa prova, pa argumente bindëse, analiza të hollësishme apo referenca të verifikueshme. Studimet e mia dhe kërkimet shumëdisiplinare kanë zgjatur për gati pesëdhjetë vjet dhe nuk janë bërë për shkak të një rasti, ose për shkak të një hamendjeje vetjake, të një ‘shovinizmi’ të tepër apo të një “diletantizmi” të pahijshëm e të papërgjegjshëm, por të bazuar në analiza të thella nga burime të lashta, argumenta të sakta dhe kritike. Për më tepër i kam ballafaquar burimet moderne me ato të lashta, me referenca të besueshme dhe të verifikueshme.
Disa autorë modernë i pohojnë jo vetëm ato që nuk mund t’i shpjegojnë por edhe ato që nuk mund t’i provojnë shkencërisht, dhe këto janë vetëm reflektime, mendime dhe hamendje vetjake të tyre, të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin e fakteve ose burimeve të sigurta. Qëllimi i tyre është vetëm për të kundërshtuar dhe për të shprehur një qasje ideologjike, për të shkruar me hamendje personale apo për të përsërisur ato çfarë mendojnë disa autorë të tjerë, ndësa unë nuk i dorëzohem lehtësisht të «pranuarës përgjithësisht». Dhe ju nuk jeni i vetmi në këtë kategori të autorëve moderne (perendimorë dhe lindorë) ka edhe të tjerë.

– Dr.Muzafer Korkuti –

Jemi takuar një herë për një debat në ‘Top Channel’ në maj të vitit 2007. Fatkeqësisht ai nuk ishte një dialog por një monolog. Në të vërtetë ju nuk e kishi lexuar librin tim në atë kohë, dmth erdhët për të kundërshtuar vetëm faktin që Pellazgët janë paraardhësit e parë të iliro-shqiptarëve. A bëhet debati ashtu? Për ju vetëm Ilirët ishin paraardhësit e Shqiptarëve (i njejti mendim me grekët dhe sllavët). Dhe me një anë tjetër keni kundërshtuar interpretimin tim të zanafillës së emërit «Pellazg» dmth «Shpellazgët apo Shpellarët» emërtim që e kam pohuar me fakte duke bërë një studim të thellë në fusha të ndryshme (shkrimet historike të lashta, shpjegimet që na jep mitologjia, njohuritë moderne të parahistorisë, etj.). Këto i kam studiuar seriozisht pa hamendje, pa shovinizëm, pa «diletantizëm» (sikur thoni ju), por më studime serioze.
Këtë emërtim e kam interpretuar falë një studimi shumëfushëshe, duke marrë parasysh origjinën parahistorike të Pellazgëve, shkrimet e autorëve të lashtë, kontekstin në të cilën ata kanë evoluar nga Neoliti deri në arritjen e pushtuesve helenë, të cilët pastaj uzurpuan qytetërimin, kulturën dhe gjuhën e Pellazgëve, duke i përvetësuar tërësisht ato vlera dhe në fund për të asimiluar një pjesë të madhe të kësaj popullsie.
Një shkencëtar i vërtetë, kur mohon një tezë apo ndonjë studim është i detyruar të argumentojë me prova të kundërtën, gjë që ju nuk e keni bërë. Historia nuk bëhet me fjalë dhe xërlisje qetësuese apo mashtruese. Që nga viti 2003 kur e kam botuar në gjuhën frenge librin tim të parë “Shqipëria…” dhe deri në janar 2012 kur mbrojta tezën time në Sorbonne, nuk kam marrë as më të voglin kundërshtim nga hapësira shkencore në perëndim e gjetkë në botë, përveç se nga Myzafer Korkuti dhe miqtë e tij që kanë të njejtin mendim nga “xhelozia, paaftësia shkencore, ideologjia, sedra po inati…”!
Ju z.Korkuti dhe «intelegjenca» e kohës para rënies së Murit të Berlinit (1989) jeni përgjegjës për situatën e tanishme, sepse e keni fshehur historinë e vërtetë të popullit shqiptar.
Ku e merrni të drejtën për të krijuar listë autorësh dhe për t’i qortuar librat e tyre pa argumente, ata që janë duke luftuar për të shpërthyer të vërtetën e historisë stërgjyshore të shqiptarëve dhe të kulturës së tyre mijëvjeçare?
Kulmi arrinë atëherë kur ju inkurajoni botuesit të mos botojnë libra që nuk ju përshtaten! Kush jeni ju për të bërë këtë llojë despotizmi? Jeni vetëm një burokrat i akademisë së shkencave. Ju ende besoni sikur të jetoni në kohën e diktatorit kur bënte kërdinë në vend, duke bërë lista për të «dënuarit me vdekje», ose me burg për shkak se ata nuk mendonin si ai ose nuk i bindeshin urdhërave të tij! Kjo sjellje e dëmshme nuk ju nderon absolutisht, dhe nuk është e denjë për një «drejtor të Akademisë së Shkencave» të Tiranës, i cili nuk pranon zanafillën pellazge të iliro-shqiptarëve pa ofruar prova të sigurta ose referenca të besueshme.
Këta autorë që po i sulmoni ju, kanë kërkuar heqjen maskës, të manipulimeve të pushtuesve të kaluar, dhe të disa autorëve të sotëm që kanë ngritur historinë e Greqisë shumë lartë në shkallën e moshës, ndërsa historia e vërtetë e Greqisë është e vonshme dhe jo para shekullit të VIII para erës sonë.
Ato çfarë thoni ju, (pa argumente thelbësore as dëshmi) lidhur me pellazgët dëshmon se i keni keqkuptuar apo keqinterpretuar argumentet e tyre dhe kjo tregon që nuk keni bërë ndonjë studim të plotë dhe serioz në këtë drejtim, dhe prandaj po vazhdoni të injoroni rolin e tyre të rëndësishëm në gjenezën e popullit shqiptar dhe evropian.
Dhe kjo është arsyja që pas rënies së komunizmit, shqiptarët kanë zbuluar se, historia e tyre e lashtë ishte e cunguar, e gënjyer apo edhe e errësuar. Atëherë shumë autorë (në mesin e tyre edhe unë) nxituan të mbushin boshllëqet e arsimit publik lidhur me zanafillën e vërtetë të paraardhësve të tyre, të cilën ju dhe shokët tuaj të asaj kohë e keni fshehur, okultuar apo injoruar, për ta ‘dekretuar’ atë që e dinim se Ilirët janë paraardhësit tanë: ekzit pellazgët!
Shqiptarët shpesh kanë lexuar libra nga autorë (amatorë) të ndryshëm që shprehin pikëpamje personale e joshkencore rreth kësaj teme (këtu pajtohem me ty), dhe këto kanë shkaktuar konfuzione në mendjet e tyre, prandaj duhet ndarë grurin nga byku – nga mungesa e njohurive specifike.
Sigurisht lejohet «liria e shprehjes» ku secili ka të drejtë të thotë atë që mendon, ama amatorizmi në këtë fushë shkencore e dëmton çështjen pellazge.
Prandaj është imperativ i kohës çasja unike e shkencëtarëve shqiptarë (historianë, arkeologë, parahistorianë apo gjuhëtarë) për t’i treguar botës se në këtë fushë, jemi të bashkuar dhe se historia jonë është një, e pandashme dhe e patjetërsueshme.
***
Në vazhdim ju ftojë të lexoni përgjigjen time për çështjen pellazge, për PELLAZGËT hyjnor të Iliadës dhe eposin pellazgë të uzurpuar nga pushtusit Helenë:

HISTORI
Pellazgët, para se të vendoseshin në zonën ballkano-danubiane dhe para se të zbrisnin më poshtë në Gadishullin e Europës Juglindore (dhe në Kretë, në ishujt e Egjeut), ose në Azinë Minore, rreth 7 mijë deri 6 mijë vjet para Erës sonë (epoka e Neolitit), kanë qenë një popull «nomad» (endacak), i cili ka jetuar nëpër vendstrehime natyrore (shpella, guva, kaverna nga ku… pastaj rrjedh emri “pellazg”, njerëzit e “shpellave” apo shpellarë). Në ato Kohë nuk kishte as shtet as kufi. Ky popull shtegtar e ka shkelur gjithë Europën, prej Atlantikut deri në Detin e Zi, dhe madje në Detin Kaspien. Prandaj, në mënyrë të pashmangshme, kanë lënë gjurmë të kulturës dhe të gjuhës së tyre ngado që kanë vajtur.
Në kohën paleolitike kanë ekzistuar disa grupe etnike në Europë: Neandertalët, Kromanjonët, Homo-Sapienët dhe përfundimisht Homo-Sapienë-Sapienët. Me këtë rast do të shtoja këtë neologjizëm personal “Homo Pelasgus” për Europën. Duhet shënuar që njeriu modern, i sotmi, ka afërsisht 40 mijë vite që doli në Europë, por 100 mijë vite doli në Azinë e mesme dhe 200 mijë vite doli nga Afrika; “humanoidët” e parë i kemi ndërmjet 7 dhe 4 milionë vite në Afrikën Lindore / Rift dhe krahina e Sudanit. Pra nuk janë epokat e nomadizmit, kur etnia pellazge është siguruar si civilizim dhe etni në mënyrë të plotë të fjalës, qysh prej kohës neolitike, rreth 7000 vite para erës sonë ; fillimi i agrikulturës, zbutja e disa kafshëve, ndërtimi i strehëve në tokë apo mbi ujë të liqeneve (pilotis), etj. Më vonë fillon shfrytëzimi i metaleve (ari, argjendi, bakri, bronzi, hekuri) dhe përfundimisht shpikja e të shkruarit (quhet fillimi i HISTORISË, sepse sipas gjithë shkencëtarëve është “shkrimi” që e vërteton Historinë, jo simbolet, ideogramët, epigrafitë, hartat, e të tjerë).
Në anën tjetër, ato që shkruajnë e thonë se Pellazgët rrjedhin nga Azia e vogël, janë të gabuar krejtësisht dhe i shërbejnë përcaktimeve të atyre të cilët nuk duan që Shqiptarët të jenë autoktonët më të vjetër të Evropës. Para mijëra vitesh Pellazgët kanë lëvizur në këmbë në gjithë Europën, nga Atlantiku deri në Detin e Zi dhe madje deri në Detin Kaspien. Hititët dhe Sumerianët, sipas shumë parahistorianëve, paleontologëve apo historianëve të Antikitetit të lashtë, mendojnë që ata kanë ardhur në Lindjen e Mesme nga “Ballkani”, d.m.th. ka shumë të ngjarë të ishin Pellazg (nuk kemi gjetur të shkruar, kjo është vetëm një hipotezë që mund të nënkuptohet sipas disa shkrimeve të lashta apo moderne).
Sa për “racën e bardhë”, që thuhet nga disa se rrjedh nga Kaukazi, nuk ka bazë shkencore dhe nuk kemi as një provë. Ky është një koncept arbitrarë (një farë konvencioni/marrëveshje), i përdorur sidomos në fushat antropometrike/antropologjike (që i përket veçanërisht policisë për identifikimin e një njeriu), për të treguar ngjyrën e bardhë të një lëkure. Termi i saktë është “europoid” dhe jo kaukas. Qysh prej njëzet e pesë shekujsh një kapak i plumbtë i ka zënë frymën historisë së popujve të parë, të cilët janë në zanafillën e të dy qytetërimeve evropiane më të shquara:
– qytetërimi grek (nëpërmjet Pellazgëve) dhe
– qytetërimi romak (nëpërmjet Etruskëve).
Megjithatë, për sa i takon historisë parahelene, janë autorët modernë (në veçanti historianët, akeologët dhe gjuhëtarët) ata që kanë mbjellë konfuzionin, madje dhe dyshimin. Në të vërtetë është shpallur (pa asnjë provë) se Pellazgët përbëheshin nga popuj të ndryshëm : «emër gjenerik» dhe «popuj të zhdukur, pa lënë as gjurmën më të vogël». Kështu i kanë shpallur me ngulm shumica e historianëve që në shekullin XIX ! Për fat të keq ata nuk e kanë kuptuar se ishte fjala për një dhe vetëm për një popull, i cili kishte krijuar «fise» të panumërt (me «emra» shumë të ndryshëm, që flisnin -me dialekte të ndryshme- të njejtën gjuhë dhe kishin të njejtën kulturë, të njejtat tradita, të njejtën etni; është gjuha shqipe sot (fosile e gjallë), e cila «nxjerr të palarat në shesh».
Pavarësisht mosekzistencës së një «gjurme të shkruar», a nuk ka tashmë një «gjurmë gojore», të qartë dhe të prekshme, e cila na jep mundësinë të zbulojmë gjuhën (falë Iliadës dhe Odiseas, poemat pellazge, të cilat rrjedhin nga një traditë gojore parahelene), që e flisnin Pellazgët, ky popull i madh «parahelen» ? Çfarë gjurmësh të tjera mund të zbulojmë ? Për të mos humbur fillin e mendimeve, do të rinis thelbin e punimeve të mia, d.m.th. të gjithë elementët e saktë dhe bindës, të cilët ravijëzojnë veprat e mia.

• Falë poemave epike (Iliada dhe Odisea), të përcjella nga Pellazgët (të cilësuar «hyjnorë» në Iliadë X/429), pushtuesëve të rinj helenë, sot dimë se çfarë gjuhe flisnin popujt autoktonë, të cilët banonin në «vendin që do të bëhej Greqi» (Herodoti I/56,58 – II/50,52 VIII/44). Kjo gjuhë e Perëndive («e ndryshme nga ajo e njerëzve» d.m.th e grekëve – cf. Iliada I/ 379 – 415) ashtu siç e cilësonte Homeri, gjuha e «Zeusit pellazg dhe dodonas» (Iliada XVI / 233, 234), është më se e gjallë: gjuha shqipe e sotme, e ruajtur pothuajse e paprekur, qysh prej mijëvjeçarësh, në malet e pamposhura të rajoneve shqipfolëse, vatra e të cilave është Shqipëria e sotme dhe trojet e saj shqipëfolëse. A nuk ka aty një lloj «fosile të gjallë», e cila na sjell provën se këta Pellazgë ishin pikërisht stërgjyshërit e Thrako-Ilirëve dhe të pasardhësve të tyre të fundit, Shqiptarët e sotëm? Gjuha shqipe a nuk arrin të dekriptojë apo të deshifrojë shumicën e emrave të mitologjisë (e mbiquajtur greke) si dhe teonimet, eponimet, toponimet, oronimet dhe antroponimet të Iliadës/Odisesë dhe të një pjese të madhe të Europës dhe në veçanti të rajonit danubo-ballkano-egjeas ?
• Mbetjet arkeologjike megalitike apo ciklopike, të cilat gjenden jo vetëm në Ballkan, Egje apo në Azinë e Vogël, por edhe në Europën Perëndimore, fortifikimet e Mikenës, Argos, Tirintit apo Pilos dhe «pelargikoni» (muri i parë rrethues i Akropolit të Athinës) dhe mbetje të tjerë, a nuk janë vërtetuar nga arkeologjia ? Gjithsesi, asgjë «greke» nuk gjendet në të gjitha këto!
• Lineari B nuk është gjë tjetër veçse gjuha proto-joniane, d.m.th. «pellazgjishtja e lashtë», nga e cila rrjedh dialekti jonian dhe arkado-qipriot, paraardhëse të guhës greke. Qysh nga Chadwick dhe Ventris (dekriptuesit e linearit B) është besuar (ende besohet) se ky shkrim ka qenë greqishja e lashtë. Një gabim fatal, i cili na ka çoroditur dhe gjithashtu e ka çuar historiografinë dhe gjuhësinë në një qorrsokak të vërtetë. Çuditërisht, që nga gjysma e dytë e shekullit XX (1952), ky aspekt nuk është marrë në konsideratë nga autorë të shumtë modernë ; që nga momenti që u zyrtarizua Lineari B, si të ishte greqishtja e lashtë, stopohen të gjitha studimet dhe hulumtimet lidhur me këtë temë! Duhet shënuar se Lineari B nuk është një shkrim që na sjell ndonjë informacion historik, socio-kulturorë apo letrarë, sepse shënonte vetëm transaksionet tregtare në regjistra kontabiliteti (shifrat dhe emrat e produkteve të ndryshme, shumica e të cilave ishin të huaj dmth me emra të huaj).
• Shkrimi i «diskut të Faistos», i zbuluar në Kretë (shekulli XII para erës sonë), a nuk është një mbetje arkeologjike e asaj që ka mundur të ekzistojë qysh nga periudha e Pellazgëve ? Ky shkrim (që nuk është ende i deshifruar me saktësi) nuk është gjë tjetër veçse «pellazgjishtja e lashtë» ose, siç e pohon Jean Faucounau, është «proto-jonishtja» (Deshifrimi i diskut të Faistos – 1999). Çka është e njejta gjë!
• Herodoti (V, 58) dhe autorë të tjerë klasikë pohojnë se është Kadmosi Fenikasi (themeluesi i Tebës greke, në Beoti… Tebë, emër që përngjanë emrin kryeqytetit faraonik të Egjiptit !), i cili ka futur alfabetin (bashkëtingëllor) në Greqi dhe të cilit Grekët më pas i shtuan zanoret. Gjithsesi, ky alfabet është në zanafillë të debateve të shumta që ende sot diskutohëen. Por Diodori i Siçilisë (V, 74 ; III, 67) pohon se alfabetin nuk e kishin shpikur Fenikasit, por se ata vetëm ia kishin përcjellë Grekëve. Ai e quan këtë alfabet “gërmat pellazge”. Disa autorë modernë i pohojnë këto thënie. Gustave Glotz, për shembull, le të kuptohet se ky alfabet do të jetë përcjellë nga Kreta në vendin e Kanaanit nga Filistinët. Fqinjët e tyre Fenikasit e kanë sjell atë alfabet në Beoti kur Kadmosi pushtoj vendin e Pellazgëve. [Cf. Gustave Glotz, “Qytetërimi egjeas”, “La Renaissance du Livre”, Paris 1923, f. 437, 438 ; Richard Knight, “Një ese analitik mbi alfabetin grek”, J. Nichols për P. Elmsly, Londër 1791; Georgiev, Vladimir Ivanov, “Zanafilla minoane e alfabetit fenikas”, BN-8×242118- Biblioteka onomastike, BN-8×22123 (1950)]
• Para poemave epike të traditës gojore (të vetmet shkrime dhe të parat që kanë ekzistuar në Europë, të shkruar vetëm midis shekullit të gjashtë para erës sonë), nuk kemi asnjë gjurmë shkrimi koherent (në kuptimin e saktë të fjalës dmth “jo epigrafi”) të vërtetë por kishte vetëm, “epigrafi” të ndryshëm (në gur, stela, potëri, lëkurë, etj).
• Me gjithëse nuk gjendet asnjë gjurmë shkrimi historik të lashtë (i eliminuar nga pushtuesit grekë?), dihet që katër «shekuj» të mbiquajtur «të errët» (1200-800 para erës sonë), kanë ekzistuar. Përse pra kjo periudhë nuk na sjell treguesin më të vogël për ekzistencën e grekëve ? Kjo ndodh sepse me të vërtetë nuk ka pasur të tillë.
• Nëse grekët do të kishin patur stërgjyshër europianë (Gadishulli i Europës juglindore, Egje…), si u shfaqën ata si me magji, pa lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta, pas katër shekujsh të mbetur krejt memece? Si mundet që një popull që eshtë bërë aq prestigjioz, mund të dilte nga «hiçi» ? Si mundet (pa asnjë provë) të nxirret se rrjedh nga ky hiç? Përse nuk është menduar se ky popull nuk mund të rridhte nga Pellazgët (popull autokton dhe me fise të ndryshme), por mund të vinte nga diku tjetër? Përse janë fshehur pohimet e atyre autorëve antikë, të cilët saktësojnë se Pellazgët, popull barbar (d.m.th jo greqisht-folës), ishin banorët e parë të Gadishullit të Europës Juglindore, Egjeut dhe të Azisë se Vogël, përpara mbërritjes së Grekëve, dhe sidomos ishin paraardhësit e Grekëve dhe jo stërgjyshërit e tyre? Pra, pushtuesit helenë nuk mund të ishin trashëgimtarë të një qyetërimi autokon dhe të mëparshëm në kohë ndaj qytetërimit të tyre!
• Shqipëria a nuk na zbulon mbetje arkeologjike paleolitike (shpella, vendbanime…), neolitike (fshatra buzë liqenit…), parahistorike dhe antike (tumuli, shpata, maska apo objekte të tjera të epokës së mbiquajtur mikene) ?
• Që nga Eratosteni (matematikan që ka jetuar në vitet 276-194 para erës sonë) kronologjia e historisë greke varej nga një ngjarje asnjëherë e sqaruar: Lufta e Trojës, ekzistenca dhe data e së cilës gjithmonë janë të debatueshme. Për fat të keq, e gjithë kronologjia e Greqisë, Egjeut dhe e Azisë së Vogël bazohet në këtë datë hipotetike të shekullit XII para erës sonë: 1193 – 1183. Më pas katër shekujt, të mbiquajtur “të errët” (për të cilët nuk dihet asgjë) e përkeqësojnë këtë hipotezë. Më në fund, që nga nxjerrja në skenë, në vitin 1905, të një ndarjeje prej tri pjesësh nga Evans (i cili ka jetuar në vitet 1851-1941), bazuar në të dhënat arkeologjike, historia e Greqisë u nda në faza, nga ajo që u quajt “Helladike” (e Lashtë, e Mesme dhe e Vonë, e nënndarë në I, II dhe III), çka rrezikon të të shtyjë në gabim, duke na bërë të besojmë se kjo ka lidhje apo mund të ketë lidhje me Grekët (për shkak të referimit të termit Helladë), ndërkohë që këta të fundit, pra Grekët, nuk janë dëshmuar në këto epoka të kahershme. Nisur nga kjo luftë hipotetike e Trojës, Tuqididi (i cili nuk e dinte datën e vendosur nga Eratosteni, meqë ky i fundit ka qenë rreth dy shekuj më pas) ka pohuar (pa asnjë provë) se 80 vjet pas luftës së Trojës Dorianët u shfaqën në Greqi. Asnjë autor tjetër antik, bashkëkohor i Tuqididit, asnjë tjetër përpara tij, me plot të drejtë, nuk e ka cituar këtë datë të shfaqjes së Dorianëve. Gjithsesi, ka ndodhur shumë më vonë që janë futur në llogari këta 80 vite, të cilët janë hequr automatikisht nga fundi i kësaj lufte d.m.th. 1183 – 80 = 1103 (e rrumbullakosur në vitin ~ 1100), datë e vendosur padrejtësisht nga Eratosteni. Disa kanë nxjerrë nga kjo se shfaqja e Dorianëve, e cilësuar si dyndjet doriane apo kthimi i Heraklidëve, ka ndodhur në këtë datë që e rigjejmë ende sot në manuale të ndryshme shkollore apo universitare. Kanë transformuar një “mit” dhe një legjendë në një “realitet” historik dhe këtu qëndron thelbi i problemit.
• Ekziston një shkëputje e konsiderueshme, si në planin arkeologjik ashtu dhe në atë shoqëror-kulturor, midis periudhës së luftës hipotetike të Trojës (1193- 1183), që fillon periudha e quajtur “Epokat e errta”, deri në fillim të shekullit VIII, datë që duket të jetë ajo e lulëzimit të qytetërimit të vërtetë helen. Shtojmë se, në të vërtetë, për atë kohë nuk ekziston asnjë provë arkeologjike për ekzistencës e një lufte të Trojës. Kjo luftë, e mbiquajtur e Trojës, ka qenë ajo e pushtimit të vonshëm të Azisë së Vogël nga Helenët (Grekët) dhe në mënyrë të veçantë marrja e qytetit të lashtë të Trojës, të shpagëzuar dhe të bërë “Ilion” nga grekët, prej nga ka dalë emri “Iliadë”. A ka patur një lloj transpozicioni të një lufte parahelene të rrëfyer te “Zemërimi i Akilit” (emri i poemës së lashtë i traditës gojore “kthyer” në Iliadë), me një luftë “helene”, e cila të sjell ndër mend emrin “Iliada” që rrëfen pushtimin e qytetit të Ilionit në fillim të shekullit VII para Krishtit? Kështu mund të shqyrtosh se 80 vitet e Tuqididit korrespondonin me një kronologji shumë më të vonë dhe se kjo luftë e Ilionit grek që u zhvillua nga vitet 700 apo 680 para Krishtit (dhe jo në shekullin XII para erës sonë). Nga kjo kuptohet më mirë përse Homeri nuk i ka përmendur Dorianët dhe përse emri i tyre u përmend me ndonjë farë shpeshtie vetëm duke filluar nga Pindari (i cili jetoi në vitet ~ 510 ~ 438). Së fundmi, do të kuptohej më mirë përse emri “Helenë” nuk është dhënë në tërësinë e Grekëve nga Homeri dhe përse këta Helenë nuk folën për veten e tyre gjatë katër shekujve të mbiquajtur “të errët” (1200 – 800 para Krishtit). Kjo do të justifikonte edhe krijimin e një gjenealogjie të vonshme, duke nisur nga një Përmbytje, pra përmbytja e Deukalionit. Duke nisur prej aty filloi të shfaqej emri Helenë, pasardhës të Helenit, biri i Deukalionit, Noea grek. Të gjitha këtyre pikëpyetjeve teza ime provon t`i përgjigjet, të paktën të sjellë disa sqarime.
• Qytetërimi, i mbiquajtur miken, nuk ka ekzistuar kurrë me këtë emër që I është mveshur përgjithësisht. Është fjala për një neologjizëm, d.m.th. një emër modern i krijuar nga pseudo arkeologu Heinrich Schliemann në fund të shekullit XIX. Pasi, sipas mendimit të të gjithë autorëve paraklasikë dhe klasikë, i vetmi qytetërim që do të ketë ekzistuar përpara mbërritjes së Grekëve ka qenë qytetërimi i Pellazgëve. Nëse Schliemann do t`i kishte zbuluar thesaret e famshëm jashtë Mikenës, në Korint, për shembull, ndoshta do ta kishte quajtur “korintas” qytetërimin të lidhur ngushtë me rrënojat që do të kishte gjetur në atë qytet.
Arkeologët, deshifruesit ose zbuluesit modernë kanë kryer gërmime, kanë realizuar zbulime interesante dhe kanë vendosur të dekriptojnë epigrafe apo disa tekste arkaike greke, duke u bazuar vetëm në “të njohurën apo të pranuarën përgjithësisht“ d.m.th. grekët, gjuhën dhe kulturën e tyre për sa i takon hapësirës gjeografike të qytetërimit parahelen apo ajo e Romakëve dhe kulturës së tyre latine për sa i përket qytetërimit pararomak. E gjithë bota e dijetarëve, përveç disa përjashtimeve të pakta, nuk ka pasur parasysh, nga njëra anë elementin “pellazg”, dhe nga ana tjetër, elementin binjak “etrusk” dhe pjesëmarrjet e tyre reciproke apo rrjedhojat e tyre në formimin e dy qytetërimeve më të rëndësishme evropiane:
– qytetërimi grek dhe
– romak.
Ky qëndrim pellazg dhe degëzimi i tij shqiptarë nuk ka qenë vlerësuar sa duhet apo ka qenë krejt i fshehur në të gjitha studimet parahalene, qofshin historike, arkeologjike, antropologjike apo gjuhësore. Është pra kjo hallkë e dobët, që i ka çuar ato në një qorr sokak, ku kanë ngecur njëherazi historia parahelene, gjuhësia moderne dhe në një masë më të vogël arkeologjia.
As nuk i është vënë veshi, qoftë edhe për një çast, faktit se Pellazgët dhe gjuha e tyre nuk ishin “zhdukur duke mos lënë as edhe një gjurmë”; pra, janë shpallur me ngulm popull dhe gjuhë e zhdukur?! Megjithatë edhe një neofiti, përpara çdo studimi, i vinë në mendje shumë pyetje: një gjuhë e vetme në Evropë, një popull i ndryshëm nga fqinjët e tij grekë, latino-romakë dhe sllavë dhe një territor përbri, në zemër të Europës Juglindore, a nuk na bëjnë të pyesim veten për Shqipërinë dhe Shqiptarët? etj, etj. Unë nuk mund të përsëris këtu çfarë është vepëruar në 500 faqet e tezës sime.
Historiogrfia moderne e Greqisë është e mbërthyer në një llojë ideologjie shtijake ose thjeshtë është ngulfatur në pista të pasakta që e kanë errësuar apo cunguar historinë e Greqisë parahelene dhe arkaike për arsyet në vazhdim.
Ja pra shkurtimisht (të developuar gjërë e gjatë dhe përpiktërisht në tezën time) 12 paralogjizma (arsyetime të gabuara) dhe interepretime të rreme që e kanë errësuar apo ndërruar kahjen historiografisë së vërtetë të Greqisë. Shaktarët e parë janë autorët modern.
1. Duke besuar në një «civilizim myken» që nuk ka ekzistuar asnjëherë me këtë emër mirëpo me emrin “civilizim pellazg” duke u bazuar në mendimet e të gjithë autorëve antikë grek. Ky emër “civilizimi myken” është krijuar artificialisht nga pseudo-arkeologu Heinrich Schliemann në fund të shekullit XIX-të. Ky emërim është mësuar vazhdimisht në kor nga të gjithë historianët, arkeologët dhe gjuhëtarët modernë.
2. Duke besuar në një luftë të Trojës që ka ndodhur mes -1193 dhe – 1183 para erës sonë, datë hipotetike e imponuar pa asnjë provë nga matematicienti Eratosteni në shekullin e III-të para erës sonë (-276-194). Ndërsa bëhej fjalë për një luftë shumë më të afërt: ajo e kolononizimit të Pellazgisë (që u bë Greqia apo “Hellas”) e të Azisë Minore kah fundi i shekullit të VIII-të para erës sonë nga Helenët e parë. Këta të fundit nuk janë të cituar te Iliada dhe Odisea: poema të traditës gojore parahelene të transkriptuara në gjuhën greke dhe të botuara nga Pisistrati në mes të shekullit të VI-të para erës sonë. Kjo e vërteton që Homeri nuk i ka njohur dhe se këta janë shfaqur pas tij.
3. Duke okultuar periudhën “memece” e quajtur e “Vitëve të errëta” (-1183 – 800 para erës sonë) do të thotë katër shekuj ku asgjë greke nuk është shënuar. Pavarësisht kësaj historiografia moderne e ka ngrit civilizimin grek shumë lartë në shkallën e kohëve. Kësisoji janë përzier Egjeo-kretasit, Minoenët, hipotetikët ”Miken” dhe grekët. Rrjedhimisht duke filluar nga kjo luftë hipotetike e Trojës historianët modernë i kanë bazuar të gjitha datat e tjera të historisë së Greqisë. Ndërsa të gjithë autorët antikë të shekujve VI dhe V para erës sonë e injoronin ekzistencën e një civilizimi “myken” – shpikje, siç edhe e pamë më lartë, nga pseudo-arkeologu Heinrich Schliemann-si dhe ekzistenca e një date të tillë. Të vetmit mikenianë, për ata, ishin vetëm “banorët” e “qytetit” Myken.
4. Duke e konsideruar Iliadën dhe Odisenë si vepra pikërisht greke, ndërkohë që bëhet fjalë për poezi epike të “traditës gojore (gojëdhanave) parahelene”, të cilat kanë pësuar përmirësime të ndryshme dhe ndryshime të tjera, interferime madje edhe manipulime për t’u shërbyer interesave të pushtuesve të parë helenë (historikisht ka ndodhur pas shekullit VIII para erës sonë). Këto poezi si dhe veprimi i Hesiodit (Theogonia, punët dhe ditët) janë baza e ”mitologjisë“ të quajtur greke. Në mënyrë logjike dhe të pashmangshme kjo mitologji nuk ka mundur të jetë greke por parahelene, duke rrjedhur nga një traditë gojëdhanash, të marrura nga parahelenët dhe të rishkruara nga Grekët kur arritën në vëndin i quajtur “Pellazgi” e që do të bëhej Greqia. Për më tepër ndodhet në Iliadë se Zeusi konsiderohet si “pellazg” dhe Pellazgët si hyjnorë (Iliada XVI, 234-236). Praktikisht është fraza e vetme që i ka shpëtuar censurës së logografëve grek. Pa këtë fjali ka shumë mundësi që nuk do kisha filluar studimet dhe hulumtimet mbi pellazgët, ka tani me tepër se 40 vite. Kjo për mua ishte një zbulim i pabesueshëm.
5. Duke ngatërruar gjuhën parahelene dhe gjuhën greke e duke e quajtur linearin B si “greqishte e vjetër” ndërsa grekët nuk ekzistonin në epokën e këtij alfabeti. Në mes të gjurmëve të para të këtij civilizimi grek (pas shekullit të VIII para erës sonë) dhe periudhës së këtij alfabati kanë kaluar gati pesë shekuj pa pasur me të vogëlin shënjë që mund të vërtetojë ekzistencën e “helenëve”. Ventrisi dhe Shadviku nuk kanë kërkuar që të fusin gjuhë të tjera në kuadër të studimeve dhe hulumtimeve të tyre rreth gjuhës greke (shqipen për shembull) dhe nuk kanë menduar që mund të ekzistonin gjurmë thelbësore të pellazgishtës së vjetër nga ku rrjedh greqishtja e vjetër dhe shqipja moderne. Pavarësisht zbulimet e tyre nuk e kanë ndryshuar prespektivën që kemi për historinë greke. Në të vërtetë zbulimi i Linear-it B ishte i varur nga natyra fragmentare dhe të njëanshme të materialeve të përdorura në zbulimet e tyre të këtij lineari. Fjalët dhe emrat e përdorura në këtë shkrim ( i frymëzuar nga i lineari A i Kretës), nuk janë tekste letrare që mund të na tregojnë të paktën kulturë apo histori të asaj kohe. Ato janë shpesh një llojë repertore ose inventare llogaritare të çdo lloje produkte të papërpunuara ose të prodhuara duke përfshirë disa emra që rrjedhin nga emrash apo fjalësh të huaja dmth nga jashtë Mikenës (për shkak të tregtive të ndryshme). Kështu shtrirja filologjike dhe gjuhësor për këtë arsye mbetet mjaft e kufizuar. Duhet shënuar, megjithatë, se emrat e hyjnive para helene të mitologjisë ishin tashmë në vula të Kretës nga koha e Palatëve (~ 2000 ~ 1700). Duhet të theksohet se shumica e onomastikës të poemave epike shpjegohen me pak në gjuhën greke se në gjuhën shqipe sidomos dialekti gegë i Shqipërisë së Veriut.

– VIJON –

_________________________________________

DR. MATHIEU AREF: E VËRTETA PËR PELLAZGËT (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5529
***
DR.MATHIEU AREF: E VËRTETA PËR PELLAZGËT (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=5530

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura