DR.AVZI MUSTAFA: GRIGOR PËRLIÇEVI SHKRIMTARI QË I KËNDOI FATIT TË SHQIPTARVE TË REKËS SË EPËRME

Tetovë, 17 dhjetor 2019: Grigor Përliçevi, ndonëse konsiderohet si “baba i poezisë maqedonase”, veprat i ka shkruar e botuar në greqisht. Për këtë arsye grekët e konsiderojnë poet të tyre, si “Homerin e kohëve të reja”, bullgarët si themelues të letërsisë së rilindjes kombëtare bullgare, vllahët thonë se ai është me origjinë vllahe, ndërsa shqiptarët e trajtojnë fluturimthi për shkak të poemës “Skënderbeu”. Ky shkrimtar e ka vetëm një emër – Njeri dhe një mbiemër – Ballkan. Prandaj shkrimtarët e tillë çdoherë mbeten të mëdhenj në historinë e njerëzimit.
Për këtë shkrimtar të përmasave ballkanike lexuesi shqiptar, përveç ndonjë fragmenti nga poema “Skënderbeu”, ka një rezervë gjatë të lexuarit, kjo për shkak të interpretimeve të ndryshme të veprave të tij, siç pohon Gane Todorovski se “është shkruar diçka dhe gjithçka”, por ende mbeten pa u thënë mbi atë që ka shkruar.
Në vitet 1990-të të shekullit të kaluar Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare e Fakultetit të Filologjisë në Shkup mbajti një simpozium me titull “Kontinuiteti gjuhësor dhe letrar”, ku morën pjesë një numër i madh i studiuesve shqiptarë dhe të huaj. Të gjitha kumtesat ishin interesante, por një nga kumtesat që ngjalli interes ishte kumtesa e akademik Olivera Jashar – Nastevës, e cila foli mbi një lexim të ri të Grigor Përliçevit, gjegjësisht u ndal mbi tezën se shkrimtarët janë të përbotshëm dhe se ata shkruajnë për fatet e njerëzve pa dallim etnie, ndonëse te ne çdoherë – duke pasur parasysh labirintin e mentalitet ballkanik – shumë gjëra edhe nuk thuhen. Akademikja foli edhe më shumë, por meqenëse referatet do të botoheshin, disi nuk u sëkëlldisa. Por, kur ia kërkuam referatet për botim, referati kushtuar kësaj teme nuk erdhi. Meqenëse isha një nga ish studentët më të dashur të saj dhe, më vonë, edhe koleg, gjithsesi isha edhe më i privilegjuari, andaj iu drejtova disa herë që ta dorëzojë referatin, por çdoherë merrja përgjigjen se ende nuk e ka mbaruar. Edhe kryeredaktori atëhershëm i gazetës “Flaka”, z. Rexhep Zllatku, sa herë që takoheshim më pyeste për atë referat, sepse ishte tepër i interesuar që ta botojë për lexuesit e Flakës, por punimi nuk u pa asnjëherë më. Kështu kaluan disa vite, por unë – në takimet e mia me Akademiken – nuk hiqja dorë nga kjo kërkesë. Më vonë ajo u sëmur dhe pas një kohe të shkurtër kaloi në amshim.

 

Grigor Parlitschew (1830 – 1893)

Derisa akademikja ende ishte në gjendje të komunikojë, në një bisedë me familjen e vet, e kishte lënë edhe një amanet: që të gjitha librat shqip të m’i fali mua. Pas disa muajsh erdhi një nga komshinjtë e lagjes së Bit Pazarit, ku e kishin pasur shtëpinë Jasharajt, dhe m’i dorëzoi librat. Për mua ky ishte gëzimi më i madh dhe, në të njëjtën kohë, më i habitshëm. Fillova pastaj t’i shikoj librat dhe më ra në sy një libër me tri afishe të shpërndara, të shkruara me dorë. Ishte një analizë e një shkencëtareje gjermane me emrin Doroteja Kadah, e cila kishte diskutuar për tri shënimet: Alfa, Vita dhe Sigma të Grigor Përliçevit.
Te një skedë e shkruar me titullin Alfa ishte ky shënim: “Se G. Përliçevi, në poemën ‘Serdari’ bën fjalë për shqiptarët e fshatrave të Rekës së Epërme. Aty lexova për shqiptarët ortodoksë, që janë të vetmit që e kanë ruajtur pastër dhe të paprekur fenë lindore ortodokse të trashëguar nga gjyshërit”. Në margjina kishte edhe shumë të dhëna, por të pasistemuara. Atë që munda ta deshifroj ishte edhe ky citat i shkruar: “Kot ti ma lavdëron si hero, por djall më je sipas fesë”. Nga kjo skedë mësova për studiuesen gjermane, e cila kishte botuar një punim mbi poemën “Serdari” të G. Përliçevit.
Kaloi shumë kohë, por kureshtja ime nuk pushoi. Fillova të mbledh shënime e ta lexoj e rilexoj “Serdarin” nga autorë të përkthimeve të ndryshëm, si atë të bullgarit Topallov, të maqedonasve, si Kiril Kamilov, Kiselinov, Krum Toshev, Stalev, Mihailo Petrushevski e shumë të tjerë, por edhe shumë punime shkencore e artikuj që kanë të bëjnë me Grigor Përliçevin.
Punimit të gjermanes Kadah i rashë në gjurmë nëpërmjet kolegut tim, gjermanologut tashmë të ndjerë Dimitar Gacov, i cili kishte studiuar në Gjermani dhe udhëtonte shpesh në atë shtet. Ai një ditë më solli disa punime të Doroteja Kadahut, të cilat ajo i kishte botuar në revistat e Mynihut. Mes tjerash, ma solli edhe studimin mbi Grigor Përliçevin. Punimi ishte shkruar në gjuhën gjermane në kumtesat e botuara të simpoziumit ballkanik në Athinë (1970). Me ndihmën e prof. Gacov e përktheva dhe kuptova se ajo në simpoziumin e mbajtur në Athinë në vitin 1970 kishte deklaruar se “ka ardhur koha për paraqitjen e dy versioneve: në greqisht dhe në maqedonisht, për një interpretim të ri të poemës ‘Serdar’, si në aspektin e metrikës, ashtu edhe për nga vëllimi, si dhe në frymën fakteve të reja”. Në të vërtetë, të gjitha botimet në gjuhën maqedonase jo që nuk janë përkthyer, por edhe janë hequr simiozat (shënimet) e Përliçevit, madje janë hequr edhe strofa të tëra: Alfa, Vita dhe Sigma. Ajo pohon se ka dallime ndërmjet origjinalit në gjuhën greke të vitit 1860 dhe atij të vitit 1870, kur peshkopi i Gjakovës në Kroaci, Juraj Shtrosmajer, e shkurtoi për 145 vargje, duke i dhënë karakter sllav, kjo në bazë të emrave që i përdor Prliçevi, si: Kuzman, Neda, Stojko, Dimko, Savo, Kote, Kico etj.
Në studimin e Z. Kadah thuhet se në origjinalin në gjuhën greke të poemës “Serdar” përshkruhet lufta ndërmjet dy grupeve shqiptare, ku njeri është i krishterë e tjetri mysliman. (Shih shënimin: Alfa)

Siç dihet, shkrimtarët para së gjithash janë “njerëz që kanë një ide për të gjitha dukuritë e jetës. Ata janë një artistë, që nga pjesët e shpërndara dhe të ndara në mendjen e tyre, mund të formojë një tërësi organike.
Megjithatë kritikët konformistë dhe nacionalistë sikur nuk duan ta shikojnë opusin letrar të një shkrimtari si nevojë letrare estetike, por si nevojë konfrontimi në krijimin artistik të personazheve. Ata sikur dëshirojnë t’i kapin ato si realitet historik dhe faktor ekzistence të popullit të vet nga një popull tjetër, që është në bashkëjetesë me shekuj, e t’i japin interpretime jo duhura dhe me kahje negative, që kështu më vonë te lexuesit të formohen mekanizma psikologjikë për t’u mbrojtur me stereotipat e paragjykimet.
Për veprimtarinë letrare të Grigor Pëliçevit janë shkruar shumë libra e artikuj, si dhe janë mbajtur shumë simpoziume që nga viti 1946 e deri më ditët sotme, por asnjëri nga ata që janë marrë me veprimtarinë e tij, nuk i kanë pasur parasysh tekstet e plota, por janë mbështetur nga botimi gjuhës serbo-kroate. Përkthyesit, si ata që janë marrë me rikëndimet e kësaj vepre, si: Kiselinov, Toshev, Stalev, Petrushevski, Sazdov, Dimitrievski etj., nuk e kanë parë asnjëherë të udhës që në përkthimet e tyre t’i inkorporojnë vërejtjet e autorit, që janë tekstet Alfa, Vita dhe Gama, edhe pse që nga viti 1970 ata janë ditur.
Po çka përmbajnë këto shënime, që i ka shkruar vet Përliçevi, e që janë hequr me qëllim, me ç’rast së pari janë hequr vargjet, e pastaj edhe shënimet e tij sqaruese?
Në shënimin Alfa janë këto shënime: “Se me emrin Rekë kuptojmë afër 20 fshatra në veriperëndim të Dibrës, të populluar me shqiptarë krenarë, që janë të vetmit që e kanë ruajtur të pastër dhe të paprekur fenë lindore ortodokse të trashëguar nga gjyshërit. Të rrethuar nga të gjitha anët me turq, si dhe në mes të ujqve, ata jetojnë një jetë të keqe, sepse çdoherë janë nën presion nga gegët e Dibrës dhe rrethinës. Në të vërtetë, ata shpeshherë marrin leje nga qeveria për t’u mbrojtur me armë nga kaçakët (hajdutët), por çka mund të bëjnë bujqit e shumtë para burrave të egër, të cilët që në fëmijëri rriten me armë në dorë? Dhe, pastaj nuk është e habitshme pse shumë shqiptarë largohen nga feja” (konvertohen në islam – shënimi im).

Në shënimin Vita Përliçevi shkruan: “Shumica e shqiptarëve, kur është në pyetje tatimi, paraqiten si turq, ndërsa kur duhet ta kryejnë shërbimin ushtarak, paraqiten si të krishterë. Te shumica e emrave vetjakë janë emra otomanë, ndërsa prindërit (nofkat) i kanë të krishterë. Kjo dëshmon për atë kohë kur gjyshëritë e tyre rebeloheshin. Ndërkaq të tretët jo se janë më të zgjuar, por fshehtas janë pastër krishterë, ndërsa publikisht janë turq të pastër. Ata kanë dy lloj emrash: njeri emër i jepet fëmijës nga imami në solemnitete dhe parada dhe me të shërbehet në jetën shoqërore, ndërsa tjetri i vihet nga prifti, i cili, pa zhurmë, në natën e dytë, e kryen pagëzimin fshehtazi. Kjo shërben edhe për jetën familjare. Kjo babiloni mbretëron edhe mbi disa rituale religjioze. Këto rituale, nëpër vende dhe fshatra, diku janë të plota e diku të pjesshme.”
Në shënimin Gama thuhet se: “Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, në bazë të mendimeve, pamjes, veshjes, dokeve dhe zakoneve, është e qartë se nuk janë asgjë tjetër, përveçse helenë. Të gjithë janë talentuar dhe me zemërgjerësi (me krenari) të kthjellët dhe falënderues. Janë bujarë dhe besnikë si asnjë popull tjetër. Për nëmën e shenjtë e kanë kripën e huaj, janë të ndershëm, liridashës dhe të patrembur në lufta; nëse nuk merret me kujdes barbaria dhe paligjshmëria, të njëjtën karakteristikë e kanë edhe turqit, të cilët nuk janë asgjë tjetër, përveçse të krishterë, të cilët janë nënshtruar para kamxhikut dhe tiranisë, që del nga ajo që u tha në shënimin “Vita”. A e kanë pranuar muhamedanizmin (myslimanizmin) me të vetmin qëllim, që t’ia lehtësojnë jetën këtij populli liridashës, i cili vuan nga pesha e rëndë e nënshtrimit okupues. Gjuha turke edhe sot e kësaj dite mbetet e panjohur në Shqipëri. Turqit (shqiptarët myslimanë – shënimi ynë) dhe të krishterët flasin të njëjtën gjuhë – gjuhën shqipe, gjuhën e luftës, përveç fiseve të civilizuara të toskëve, që shumë shpesh e përdorin gjuhën greke dhe shkrimin e saj. Është e mirë që njohësit e gjuhës shqipe të merren me çështjet filologjike për gjenezën e gjuhës shqipe me gjuhën e vjetër helene, që të dëshmohet në këtë mënyrë gjuha shqipe dhe gjuha e vjetër helene dhe kështu të ndikojnë në vëllazërimin e shqiptarëve dhe helenëve, gjë që e prek vajtimin e Helladës si një Niobe e lashtë e përjashtuar nga fëmijët e saj”.
Për këto shënime të Përliçevit edhe shkrimtari i famshëm maqedonas Gane Todorovski, në një simpozium kushtuar jetës dhe veprës së Gligor Përliçevit, do t’i pyesë njohësit e veprës së Përliçevit se pse kanë mbetur të pabotuara simiozat që i jep Përliçevi. Po ashtu ky shkrimtar shfaq habi se edhe në publikimin më të ri, të prof. Tome Sazdovit, nuk sqarohen këto, gjë që implikon paqartësi dhe interpretim të njëanshëm. Po ashtu prof. Todorovski e pyet edhe përkthyesin Todor Dimitroskin pse e ka hequr sintagmën në vargun 397 nga versioni i përkthimit maqedonas, aty ku thotë Prliçevi “Bullgaret e urtë” dhe atë e ka zëvendësuar me togun “fshatarët tanë”. Sipas tij, nëse nuk botohen këto tri shënime, do t’i behet padrejtësi autorit dhe kjo do të jetë “mëkat ndaj veprës dhe Përliçevit”.
Përkthimet dhe interpretimet e këtilla të njëanshme provokojnë edhe një absurd tjetër, që ishte prezent edhe te disa intelektualë shqiptarë, se kjo vepër i “nënçmon dhe nënvlerëson shqiptarët si popull. Interpretimet e njëanshme, pa e thënë të vërtetën, do të mbeten në nivelin e një të a.q. “doktor shkence”, Riste Ivanovski, i cili shkroi një libër me plot marrëzi me titull “G. Përliçevi dhe arnautët aziatikë”, botuar në Manastir më 2014.
Përliçevi, në të gjitha veprat e tij, do ta kërkojë raportin e njësisë dhe shkaqet e ndasisë midis vendëses dhe të huajës, si dhe problemin e lidhjeve të fesë në kuptimin e elementit përçarës. (Shih shënimin Vita). Përliçevi do ta shpjegojë shumë qartë, nëpërmjet fjalëve të nënës Nedë, e cila do të eksplodojë nga dhimbja për vdekjen e djalit, duke i thënë plakut shqiptar: “Kot ti ma lavdëron si hero, por djall më je sipas fesë”. Pra, Përliçevi – në poemën “Serdar” – e paraqet ndarjen e shqiptareve në të krishterë dhe muhamedanë, siç ishin sulmet e grabitjet e fshatarëve të krahinave të tjera me fe myslimane mbi ortodokse, që terrorizonin popullatën nga grupe kaçakësh e kriminelesh të udhëhequr nga Osman Mura dhe Dervish Muça. Këta kaçakë dhe njerëz të këqij nuk ishin të tillë nga natyra, por të tillë i kishte bërë pushteti osman, i cili kishte plot ligje në letër, por asnjë prej tyre nuk zbatohej drejt. Perandoria, nëpërmjet reformave centralizuese të Tanzimatit u përpoq të vendoste një shtypje të re mbi të gjitha vendet ku ajo administronte, duke e bërë këtë përmes taksave e rekrutimit ushtarak, me çka e varfëronte popullsinë, sidomos atë fshatare nëpërmjet vergjisë (taksave në natyrë).
Në poemën “Serdar” Pëliçevi asnjëherë nuk i përmend osmanlinjtë, sepse ata janë pushtues, por habitet nga shqiptarët e Veriut – gegët, një pjesë e të cilave ishin islamizuar dhe kjo është e keqja më e madhe. Ai e identifikon religjionin me kombësinë. Kjo ndarje në baza fetare, sipas tij, kishte sjellë vëllavrasje dhe robërim, ndërsa këtë pushtuesi e bënte në mënyrë të vetëdijshme për të qëndruar sa më gjatë në këto troje.
Cubat dhe hajdutët, në këtë poemë, shihen si një grup kaçakësh shqiptarë të myslimanizuar, që bëjnë zullume ndaj popullatës së krishterë, por edhe ndaj shqiptarëve të pasur të po të njëjtit besim fetar. Natyrisht, ai nuk e anashkalon respektin mes njerëzve të fiseve shqiptare dhe maqedonase, që jetonin së bashku në të njëjtat treva.
Ai, si njohës i mirë i historisë së popullit shqiptar, posedonte njohuri të mira për këtë popull, aq më shumë që një kohë kishte shërbyer si mësues në Tiranë. Atje ishte njohur edhe me heroin kombëtar të shqiptarëve – Skënderbeun, për të cilin pastaj e thur një poemë tjetër – “Skënderbeun”. Në poemën “Serdar” ai do të përmend se “dikur kemi luftuar bashkë dhe kemi pasur suksese, ndërsa tani erdhëm deri tek ajo që mes vete të vritemi”.
Përveç kësaj, Përliçevi si i lindur në Ohër nga një nënë e fshatit Vërbjan dhe duke qenë mësues në Tiranë, për shumë interpretues maqedonas është dëshmi se ai i ka njohur shqiptarët shumë mirë. Jo që i ka njohur, por ai si duket i ka ndjerë në shpirt me të gjitha të mirat dhe të këqijat, që nga mënyra e jetesës, kushtet ekonomike sociale, tradita, karakteri dhe mentaliteti, lidhjet fisnore të shqiptareve, ndërsa ai di që në mënyrë poetike t’i përshkruajë të gjitha këto, duke i nxjerrë në pah arsyet se pse janë ndërsyer ndërmjet vete si ndaj pushtuesve. Ai thotë se të këqijtë janë të bashkuar në tajfa (harpii), të cilët nëna Nedë do t’i quajë langurë, hajdutë, vjedhës, kusarë, të mallkuar, por konfrontimet nuk i nxjerrë ndërmjet shqiptareve ose popujve të tjerë, por ndërmjet grupeve të hajdutëve që janë të besimeve të ndryshme.
Përliçevi, në personazhet e tij, përkundër konflikteve, e çmon dhe nxjerrë në pah edhe respektin e njerëzve të fiseve shqiptare dhe të tjerëve, që jetojnë në këto treva. Për shembull, Mahmutin – nëpërmjet rrëfimit të shqiptarit plak – do ta karakterizojë si “dem të çartur në mes të kopesë”, që çka ka synuar, atë edhe e ka kryer. Ai ishte i guximshëm dhe i prerë në vendime. Sakrifikohej kur i vriteshin shokët dhe i dilte në dyluftim Kuzmanit, ku edhe e humb jetën. Po ashtu Jakupin e përshkruan si krahërorgjerë dhe të pamposhtur, ndërsa Rushitin e përshkruan si valltarë e shehir dhe si luftëtar shumë të guximshëm dhe trim. Për Selmanin thotë se ai ka mbajtur “mjekër të bardhë” dhe e ka marrë gjakun e të vëllait, duke e vrarë Aliun. Ahmetin e nxjerrë si njeri shumë të nderuar, i cili e vret kadiun në pikë të ditës, sepse ai donte ta përdhunojë një grua të një fqinji. Abdyrahami, sipas tij, “e qëllonte edhe zogun duke fluturuar”, ndërsa ishte i njohur si miqësor, i besës dhe mbrojtës i njerëzve nga kërkimi i pushtetit. Sulejmani, sipas autorit, i adhuronte shumë armët, sidomos shpatën, për çka e kishte shitur edhe tokën. Çan Joku, sipas tij, ishte njeriu më miqësor, shtëpia e të cilit çdoherë ishte e hapur, ndërsa ai ka bërë jetë në fshat me banorë të përzier – të krishterë dhe myslimanë. Për të ai thotë:
“Festa të përbashtka festojnë;
edhe hoxha dhe prifti në varre të njëjtë
rituale kishtare këndojnë.”

Për Përliçevin është më se evidente se atje ku niveli kulturor ishte i ulët, autoritetin e merrte ndërgjegjja fetare. Në zonat e thella malore feja ka qenë e zbehtë, por për Përliçevin harmonia fetare është një nga pikësynimet kryesore si një nga vlerat kulturore e civilizuese.
G. Përliçevi si personazh më të fuqishëm e jep plakun shqiptar, i cili bashkë me tre shokë e dërgon kufomën e Kuzmanit në familje dhe rrëfen për luftën që bëri Kuzmani në Stanë. Këtë personazh e përshkruan si një njeri me qëndrim, i cili flet për heroizmin e Kuzmanit si një kapedan i cili luftonte për të drejtën, për mbrojtjen e varfërve dhe të atyre qe nuk i përkisnin besimit të njëjtë fetar dhe, sipas tij, edhe pse ishte i taborit tjetër, nga goja e tij dilte thënia popullore “trimin vraje, por hakun mos ia ha”, andaj e lartëson dhe i shpreh ngushëllime. Ja si do ta përshkruajë Përliçevi:
“Gjithë ditën të vajtosh, ke për çka.
Bëhu e fortë!
Ti humbe nënë një xhin!
Populli do t’i këndojë, brezi pas brezi, ….
Për veprën e djalit tënd!….”
P
ërliçevi, në mënyrë objektive, në asnjë mënyrë nuk i nënçmon, por – përkundrazi – ai i lartëson shqiptarët me të gjitha karakteristikat morale dhe nacionale. Ai i nxjerrë në pah virtytet e shqiptarëve pa dallime fetare, siç janë: besnikëria, mosnënshtrimi, dashuria ndaj atdheut, trimëria e krenaria, guximi e gatishmëria, besimi e besa, humanizmi e solidariteti, që sot e kësaj dite janë vlera e norma jetësore të shqiptarëve trashëguara brez pas brezi. Në veprën tjetër “Autobiografia” ai i lartëson edhe ata shqiptarë të myslimanizuar, si: hoxhën, mësuesin, plakun Emin etj., të cilëve do t’ua japë të gjitha karakteristikat dhe virtytet shqiptare pa dallim feje, si: heroizmi, morali, guximi, besa, humanizmi, toleranca, trimëria etj.
Përveç grabitjeve të bandave, Përliçevi nuk paraqet asnjë element tjetër për konflikt ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, pos në një rajon që ai e quan Malësi, që përfshin anën e djathtë të Drinit të Zi, gjegjësisht fshatrat e Rekës (shih shënimin Alfa). Poeti Përliçev nuk i identifikon grupet e kaçakëve me popullin shqiptar. Por, ai i paraqet shqiptarët në mënyrë objektive edhe në veprën “Autobiografia”, ku në një farë mënyre distancohet nga grupet e kaçakëve dhe i sheh shqiptarët si njerëz të besës e të fjalës së dhënë e luftëtarë të denjë. Këto karakteristika shihen nëpërmjet personazhit Emin, që ishte zëdhënës i osmanlinjve.
Përliçevi i këndon heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe prijësit të tyre, Skënderbeut, i cili jepet edhe si mbrojtësi i popujve të tjerë të Europës. Vepra “Skenderbeu” përshkohet nga ide të fuqishme çlirimtare e demokratike. Për një luftë të drejtë ishte më se bindur se pa pjesëmarrjen e popujve të robëruar osmanlinjtë nuk mund të largoheshin nga Ballkani. Liria nga ata – sipas tij – mund të fitohet vetëm nëse jemi të bashkuar jo vetëm me shqiptarët, por edhe me tërë popujt e Ballkanit, ashtu siç ishin në kohën e Skënderbeut. Atëherë pa dallim feje të gjithë ishin një tog, jo vetëm shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit:
“Shumë popuj fqinjë, të etur për liri
fuqitë e veta i kanë bashkuar, pse para tyre
rrezik është; edhe djalli ishte i përbashkët
luftëra vitezësh, çdoherë bashkë kanë bërë”

Përveç që i bëri ballë për 24 vjet kësaj fuqie, edhe kur osmanët ishin në zulmën më të madhe të luftërave, Skënderbeu i bashkoi të gjithë shqiptarët, por edhe të krishterët e Ballkanit: maqedonas, serbë, vllahë etj. Ai habitet që sot kemi ardhur deri te vëllavrasja e gjakderdhja në mes veti. Poeti e paraqet Skënderbeun si hero nacional shqiptar. Për këtë do të shkruajë: “Në shtëpinë e tij në Krujë qëndron shqiponja dykrenore si simbol nacional i shqiptarëve”.
Në poemën “Skënderbeu” Përliçevi lë përshtypjen e një kronikani të kohës së heroit shqiptar. Me poemën “Skënderbeu” ai e prek temën kryesore, që është ballafaqimi i ushtrisë së Skënderbeut, i historisë, vlerave, moralit dhe fesë, që ai përfaqësonte si Gjergj Kastriot dhe i krishterë, me Ballaban Pashën dhe çfarë përfaqësonte ky pasha turk me origjinë shqiptare. Ai na jep episode bardh e zi ndërmjet Skënderbeut dhe armikut të tij, Ballaban pashës. Skënderbeu është i Gjon Kastriotit, kurse Ballabani i “lëvruesit” Gjikas. Skënderbeu posedon disa veti, si: i qetë, i afërt, i mbledhur e human, kurse Ballabani është i nxituar, i ashpër, ambicioz, hakmarrës, jotolerant, nuk zgjedh mjete për ta arritur qëllimin, është frikacak dhe në shërbim të sulltanit për të derdhur gjak ndërmjet popullit shqiptar. Në anën tjetër, Skënderbeu është i patrembur, hero, i durueshëm, shpirtmadh, gjakftohtë dhe çdo veprim i tij është i menduar mirë. Ai nuk pranon dhurata dhe është në shërbim të popullit. Figura e Skënderbeut ngrihet në piedestalin e heronjve më të mëdhenj jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë e më gjerë.
Hakmarrja nuk është ves i Skënderbeut, por virtyt i lartë i shqiptarit, andaj në konak të tij edhe hasmit nderohen si miq të vërtetë. Një ushtar i tregon Skënderbeut për vrasjen e ushtarit Dimko nga Ballabani. Edhe pse Emini i tregon për këtë vrasje, ai mërrolet në fytyrë, e ndërron çehren dhe fillon t’i dridhet zemra. Atij Skënderbeu do t’i drejtohet me këto fjalë:
“Çlirohu dhe uli t’rrahurat e zemrës Emin i pahshëm,
Dhe qetësohu lirisht si t’ishe në shtëpinë tënde.
Se ti je në tryezë dhe n’bukë të shqiptarëve të ndershëm,
Të cilët për besë e nderë s’largohen kurrë prej vdekje”

Përliçevi, si një romantik, jo që gjeti temat dhe motivin aktual, por gjeti edhe format e shprehjes inovative, andaj në asnjë vend nuk e dhunon vargun, por lirshëm këndon si në një simfoni të lidhjes së trupit me shpirtin, që natyrshëm troket butë në zemra të ndjeshme njerëzore, “duke sjellë njëkohësisht edhe një erë të ngrohtë paqësimi. Të tillë janë poetët. Ata nuk punojnë e mendojnë vetëm në gjallje, por edhe në vdekje. Ata nuk mendojnë vetëm për ditët, por edhe për shekujt. Për ta s’ka kufij”. Skënderbeu ishte një figurë e tillë universale, që në thelb ka bashkimin e jo ndarjen. Ai ia dha tharmin frymës kozmopolite, që është karakteristikë e poetëve, veçanërisht e poetëve të mëdhenj.,
Grigor Përliçevi, si një intelektual i kohës dhe si njohës i mirë i gjuhës helene (greke), por edhe si fitues i “Kurorës së artë”, kishte simpati jo vetëm sepse me këtë gjuhë dallohej intelektuali ose njeriu i kulturuar, që kishte një prestigj shoqëror. Ai e pranon gjuhën shqipe si gjuhë të shqiptarëve pa dallim feje e krahine dhe hap shtegun për bisedime ndërmjet filologëve, por shpreh mendimin se këto dy gjuhë duhet të afrohen, që gjuha shqipe dhe gjuha e vjetër helene të ndikojnë në forcimin e bashkimin ndërmjet këtyre popujve” (shih shënimin Vita).
Duke marrë për bazë atë që ka shkruar Përliçevi, veprat e tij nuk mund të vendosen rreptësishtë në kufijtë e një kulture nacionale, por ato krijojnë një model “specifik që ka konotacion gjithëballkanik”. Prandaj mund të konkludohet se veprat e Grigor Përliçevit paraqesin një komunikim ndërkulturor që synon të bëjë një përpjekje të ekulibrimit të dallimeve ndërmjet njerëzve, bashkësive të ndryshme dhe besimeve religjioze, kjo si një nxitje për dialogut tolerant dhe drejtësi sociale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura