Shkup, 06. 06. 2013 – Në mes të maleve të larta të Velivarit, Korabit dhe Kërçinit, në dy anët e lumit Radika, gjendet bukuria natyrore, ashtu siç mund ta falë vetëm Zoti, që quhet Reka e Epërme. Bukuritë e saj janë ma të mahnitshmet në të gjitha stinët e vitit. Dimri është me borë të ashpër që qëndron deri në pranverën e vonshme, kurse vera dhe vjeshta këtë vend e pikturojnë si një artist i vërtetë me ngjyrat e ylberit. Ajri i pastër dhe pllajat malore, që i dhurojnë “Erën e Bardhë” siç quhet nga vendasit, e bëjnë Rekën e Epërme një banjë natyrore që ndikon edhe në rritjen e banorëve me trup të lart e të shëndoshë me karakteristika somatike që dallojnë nga të tjerët.
Kjo krahinë, me ujin e pastër dhe kullosat e shumta, mundëson që ky vend të merret vetëm me blegtori. Për të gjithë banorët e kësaj treve rruga dhe fushëpamja e tyre është rrjedha e lumenjve dhe përroskave që derdhen në lumin Radika dhe janë të vetmet rrugë që çojnë në dalje për në qytet. Aty ku lumi Radika e pranon lumin e Bogdit, në anën e djathtë të bregut të lumit, Gjollet e Krekarnicës që buron nga themelet e Kishës së Edingosit dhe në lindje të fshatit Vau, gjendet fshati Krakornica.
Krakonirca është e rrethuar me malet ose, siç e quajnë banorët “bgjeshka”, atë të Reçit dhe atë të Strazimirit, ndërsa në lindje të këtyre maleve, përveç Krakornicës, gjendeshin edhe dy fshatra të tjera të kësaj zone, si: Vaiu (Brodecë) dhe Bogdi. Të rrethuara me male, këto fshatra të vetmen dalje në një botë tjetër e kishin atë përmes rrjedhës së lumit Gjolleve të Krakornicës si dhe të lumit të Bogdit. Këta dy lumenj diku afër Niçpurit bashkohen dhe derdhen në Radikë. Vetëm kjo është dalja, që për banorët e këtyre viseve përshkohej me një udhë dhiare që të çonte në Dibër dhe atë vetëm me kafshë samari. Prandaj, këto tre fshatra nuk kishin mundësi tjetër, përveç Dibrës, për të siguruar nevojat e jetesës.
Një vit para se të lind Llazar Siljani, i ati Ilija, posedonte një shtëpi në Dibër, sepse merrej me tregti dhe në atë shtëpi kishte ndërtuar një fllanik (katua), ku ruante dhe shiste bulmetin. Meqë pritej lindja e djalit, e ëma qëndroi në Dibër. Para se lindte pasardhësi i tyre, ndodhi edhe një dimër i madh që bëri të pamundur që nëna të kthehej në fshatin Krakornicë.
Në kollozhek të vitit 1878 lindi një djalë, ndërsa pas tri ditëve nga shtëpia e Ilijës në Krakornicë u dëgjua një pushkë, që lajmëroi se në familjen e Siljanëve ka lindur një djalë, të cilin e pagëzuar Llazar.
Llazari që në fëmijëri dëshmonte se posedon një inteligjencë, por edhe me trup po rritej shpejt dhe fuqishëm. Pasi u mëkëmb, Llazari në stinën e verës shkonte në Krakornicë dhe rritej bashkë me cingërimat e deleve, duke ecur bashkë me to nëpër rudina, luante me këlyshët e qeneve të racës ilire dhe mblidhte, siç i thonë banorët e kësaj ane, aushka (repa).
Në kohën e vjeshtës së vonshme dhe të dimrit qëndronte në Dibër. Ai kishte dëshirë të qëndrojë pranë të atit. Aty ulej mbi shegat (tinarët) e bulmetit. Kur ai mungonte, mungesa e tij ndihej dhe njerëzit kur vinin në shtëpinë e Siljaneve në Dibër pyesnin për djalin, ndërsa babai u thoshte se është në Rekë. Familja krenohej, që kishte dëshirë të shkojë të rrijë gjatë deri në vjeshtën e vonshme në Krakornicë. Të afërtit e quanin rekanas, që më vonë ky djalosh ta përvetëson këtë nofkë dhe ashtu njihet në qarqet intelektuale e patriotike – Llazar Siljani – Rekanasi.
Në shtëpinë e Siljanit vinin e shkonin njerëz , dikush blinte, dikush vetëm pyeste e dikush ndalej e bisedonte për vuajtjet e shqiptarëve .Në dyqanin e babait, Llazari ndonjëherë shiste e ndonjëherë dëgjonte, madje ndonjëherë pyeste edhe për gjera që babanë e tij e fusnin në mendime për t’i dhëne përgjigje. Në këtë kohë Siljani kishte filluar të kuptojë nga pak dhe te ai të ngjallen ndenja patriotike. Në atë kohë me të madhe në Dibër flitej për ardhjen e Abdyl Frashërit dhe për atentatin mbi të. Kishte mendime të tilla se, pas largimit të Abdylit nga Dibra, për disa javë ai kishte kaluar në zonat e thella malore pikërisht në Rekën e Eperme, për të pasur kontakte të fshehura me patriotët e Prizrenit e të Gjakovës.
Kjo krahinë, megjithëse e bukur e vend blegtoral, ishte edhe vend ku bëhej shumë acar e binte borë që nuk shkrihet gjatë. Prandaj aty vështirë sigurohej buka e gojës. Andaj banorët e këtyre fshatrave malore migronin në viset më të mira brenda Rekës, por edhe nëpër qytetet e afërta, si në Dibër, Gostivar, Kërçove e gjetiu, madje më vonë edhe në vendet e largëta, ku mund të gjendej punë, si në: Stamboll, Bukuresht, Sofje, Pllovdiv, Stamboll, Misir e gjetiu.
Llazar Siljani vetë, por sidomos babai i tij, kishin dëshirë që ai të mësojë shkollë. Në atë kohë në qytetin e Dibrës funksiononte një shkollë bullgare me katër klasë dhe me dy mësues. Numri i nxënësve, sipas të dhënave, arrite 90 nxënës. Edhe Llazari i mori mësimet e para në këtë shkollë. Pasi ndoqi katër klasë në këtë shkollë, ai e kishte shumë vështirë për të vazhduar me tej shkollimin në Dibër. Si shumë të tjerë, edhe Lazari në moshën 15-vjeçare, pas dy viteve pauzë, u nis që të mësojë në ndonjë shkollë të mesme në Bullgari. Meqenëse e kishte mësuar gjuhen bullare në shkollë, kurse në shtëpi fliste gjuhën amtare shqipe, interferenca gjuhësore e tij u binte në sy mësuesve bullgar në Sofje dhe atij i sugjeruan se me këtë të folme mund të regjistrohej në ndonjë shkollë në Pllovdiv. Kështu veproi dhe u regjistrua në një gjimnaz real në Pllovdiv.
Pikërisht në vitin kur kishte lindur Llazar Siljani, Bullgaria kishte fituar autonominë dhe shumë shqiptarë kishin marrë rrugën që të gjejnë punë nëpër shumë qytete të Bullgarisë. Në Sofje shumë patriotë shqiptarë të Rilindjes kombëtare zhvillonin aty aktivitet politik dhe kulturor. Në Sofje u themeluan shoqëritë e para patriotike, filluan të dalin edhe gazetat e para në gjuhën shqipe dhe filluan të përkthehen libra ne gjuhë te ndryshme për të afirmuar kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Në kohën kur Llazari ndodhej në Bullgari, një pjesë e intelektualëve shqiptarë, që kishin mbaruar shkollën e mësuesisë të Nikolla Naços, kishin ardhur në Bullgari, siç ishin: Krist Luarasi, Kostë Trebicka me të vëllanë, Dhimtar Nikolla Mole, Mil Sotir Gurra e shumë të tjerë. Njeriu që ishte më i merituari dhe që i tubonte të gjithë shqiptarët dhe përhapte ndjenjat e shqiptarizmit, ishte Dhimitar Mole. Ai mbante një han në rrugën “Serdika” të Sofjes, si dhe kafenenë me emrin “Albania”, ku shumë shqiptarë i brumosi dhe i vetëdijesoi jo vetëm me ndenja patriotike, por edhe i angazhoi për veprime konkrete në dobi të kombit shqiptar. Kafeneja“Albanija” u bë një fole patriotësh, ku ata mblidheshin dhe bisedonin për çështjen e kombit. Masa që frekuentonte ishin analfabetë e gjysmanalfabetë – punëtorë krahu që punonin çdo lloj punësh. Aty mërgimtarët gjenin ngushëllim në fotografinë e Skënderbeut, që e kishin vendosur në ballë të kafenesë. Portreti i Skënderbeut ishte ikona e frymëzimit patriotik .Me te fillonin dhe mbaronin bisedat. Kafeneja dhe hani ishte mbushur plot me libra ne gjuhën shqipe. Nga patriotët u ndërmor aksion që të hapen kurset për shkrim lexim-shqip, ku një numër shumë i madh filluan të shkruajnë e të lexojnë, mes tyre ndër të parët ishte Josif Bageri nga Nistorova e Rekës së Epërme.
Llazari, si i ri, përmallohej për Dibrën, Krakornicën, por prehje shpirtërore gjente kur takohej me bashkëvendësit. Mirëpo, në të njëjtën kohë ai filloi të vë kontakte edhe me shumë intelektualë e patriotë të kohës. Miqësi te madhe lidhi me Nikollë Ivanajn, Adham Shkabën, Dhimtar Mole, Said Najdenin, Josif Bagerin, Kristo Luarasin, por edhe me disa intelektualë bullgarë. Sipas disa shënimeve, thuhet se Llazër Siljani ishte një udhëtar i përhershëm i trenit që lëvizte në drejtim Pllovdiv-Sofje-Sofje-Pllovdiv.
Në vitin 1900 patrioti shqiptar Kristo Luarasi do të sigurojë një shtypshkronjë për botime të librave në gjuhën shqipe. Përmes gazetës “Kalendari kombiar”, ai do të njoftojë shqiptarët se në vitin 1899 është botuar në Sofje Abetarja e Stambollit, por, përveç dokumentacionit, ekzemplarë të saj nuk janë gjetur. Në vitin 1902 do të dalë botimi i dytë i “Abetares Toskrisht” të Sami Frashërit, që ishte botuar nga shtypshkronja “Mbrothësija”, që e posedonte Luarasi.
Meqenëse në Bullgari kishte shumë punëtorë nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë dhe dialekti toskë u paraqiste ca vështirësi, patriotët shqiptarë ndërmorën iniciativë që Abetaraja e Sami Frashërit të botohet edhe në dialektin gegë. Për këtë punë e angazhuan Said Najdeni nga Dibra. Patrioti Said Najdeni ishte një ndër ata që kërkonte dhe punonte për hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Ai shumë shpejt e kreu atë dhe në vitin 1900 u botua Abetarja e adaptuar në dialektin gegë.
Ndërkaq Llazar Siljani ndërmori iniciativë që si shqiptar dhe bashkëqytetar të angazhohet që ta botojë veprën në dorëshkrim të Said Najdenit “Ferrefenjën myslimane” në të folmen e Dibrës. Vepra është shkruar me alfabetin e Stambollit. Për daljen në dritë të këtij botimi, Llazar Siljani u angazhua të sigurojë edhe para për botim nëpërmjet të donatorëve. Ai vetë dhuroi një shumë të parave. Kështu në vitin 1900 “Ferrëfenja myslimane” e aid Najdenit (Hohë Vokës) u botua në Sofje.
Në vitin 1875 për herë të parë në gjuhën turke u botua drama “BESA” e Sami Frashërit, ndërsa ë vitin 1902 ajo u përkthye në gjuhën frëngjishte nga Abdyl Ypi Kolonja. Kur u lexua vepra e Samiut dhe kur dilnin në pah virtytet e larta shqiptare si komb më vete, zemra i tha Llazarit që kjo vepër gjithsesi duhet që të përkthehet edhe në gjuhën bullgare. Prandaj iu përvesh punës, konsultoi shumë fjalorë, dhe në vitin 1902 vepra e Samiut “Besa” u përkthye në bullgarisht nga Llazar Siljani dhe u botua në shtypshkronjën e bullgarit D. V. Mançov në Pllovdiv.
Meqë ishte e pamundur që shqiptarët të punojnë individualisht, u paraqit nevoja që të gjithë shqiptarët e Sofjes të organizohen në një shoqatë, që u emërtua më pas “Dëshira”. Për formimin e shoqatës u angazhuan: Mole, Adham Shkaba, Josif Bageri, Spiro Garo, Llazër Siljani dhe Ligor Prifti.
Në fillim në të u anëtarësuan vetëm 30 vetë, por ky numër dita-ditës shtohej. Qëllimi parësor i shoqërisë ishte të përhapë dituri dhe mësim të gjuhës shqipe, pra ajo kishte karakter kulturor e arsimor. Programi realizohej mbi parimet demokratike dhe dallohej nga shoqëritë tjera, sepse në të mund të anëtarësoheshin vetëm ata që e “flasin gjuhën shqipe” e jo të huaj (neni nr. 4 i statutit)
Anëtarët e shoqërisë “Dëshira” dita ditës po shtoheshin, ndërsa patriotët shqiptarë ndërmerrnin iniciativa të ndryshme. Mbi të gjitha ishte ruajtja e gjuhës shqipe, bashkimi i shqiptarëve, hapja e shkollave shqipe dhe afirmimi i kombit shqiptar në sy të botës, prezantimi i kulturës shqiptare nëpërmjet përkthimeve etj.
Meqenëse shqiptarët sipas ndasive fetare i identifikonin si grekë, bullgarë, turq e serb, ajo që i bashkonte të gjithë shqiptarët ishte gjuha shqipe, që me një fanatizëm të paparë i ruante shenjat dalluese të kombit. Ata e quanin gjuhen shqipe “tapia e vendit”.
Mospranimin e shqiptarëve si komb e shqetësonte shumë Lazar Siljanin. Prandaj në vitin 1907 ai botoi librin: “BESA / A / FEA / E / SHQIPËTARËVET TË VJETËR”. Libri ka 78 faqe dhe prej faqes 3-7 ka një parathënie, ku i shpalos të gjitha mendimet si dhe rëndësinë historike të besës shqiptare si një prej virtyteve më të shenjta të popullit tonë, por gjithashtu edhe fenë e sheh si një ndër tiparet e rëndësishëm në shërbim të ruajtjes së kombit. Prandaj Llazari do të shkruaj kështuë: “Besa, feja e kombit janë si fletët e drurit të cilat pot të ndryshojnë nga koha, bien dhe në pranverë dalin të tjera. Gjaku (shpirti) i kombit është si palca e drunit, të cilën po e nxorre, nuk mbetet as fletë, as pemë dhe druni thahet për jetë”.
Llazar Siljani bashkë me Josif Bagerin, që të dy nga Reka e Epërme dhe dy nga pesë anëtarët për ngritjen e iniciativës për ndërtimin e një kishe ortodokëse në Sofje. Më vonë kësaj inciative iu bashkangjitën72 anëtarë të tjerë. Kështu më 25 shkurt 1910 ata iu drejtuan me kërkesë organeve gjegjëse kishtare për themelimin e kishe ortodokse shqiptare në Sofje,
Themelimi i kishës kishte për qellim jo përçarjen, por të zgjonte ndërgjegjen kombëtare bashkatdhetarëve, si dhe mbajtjen gjallë të frymën e patriotizmit dhe të urrejtjes ndaj pushtuesit, si dhe qarqeve shoviniste të shteteve fqinje. Por, Sinodi i Kishës Bullgare e refuzoi kërkesën, sepse në kërkesën e shqiptarëve ortodoksë potencohej qartë se mesha duhet të jetë shqip e prifti duhet të jetë shqiptar.
Llazari ia kishte venë vetes për detyrë që të punojë për popullin shqiptar pa humbur asnjëherë shpresën se një ditë shqiptarët do të mëvetësohen. Shqiptarët janë popull i vjetër .Ky popull ka gjuhën, historinë e bujshme luftarake. Duke iu referuar kryengritjeve ndryshme që kishte bërë populli shqiptar, si dhe prirjes së madhe të popullit shqiptar për liri, sidomos nga ana organizative e politike, ai dita-ditës gjente shprehjen e vet në formimin dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare. Si problem më i madh që e brengoste Llazarin ishte identifikimi i kombit me fenë, jo vetëm nga sunduesit osmanë, por edhe nga qarqet shoviniste greke e sllave, por edhe nga disa autorë të huaj, që i mohonin shqiptarët si komb.
Llazar Siljani iu kundërvu tezave të huaja dhe përpjekjeve të pushtuesve të huaj për të përçarë shqiptarët sipas feve, duke ngritur besimin fetar në parim kombësie. Nëpërmjet një libri të veçantë me titull “Cilët janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre?”, ku shtroi çështjen e trajtimit të posaçëm të shqiptarëve si komb më vete me gjuhë e tradita, duke e mbështetur tezën e Hasan Tahsinit se “Ne jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tone të veçantë, andaj duhet të jetojmë më vete si dhe të tjerët”.
Llazar Siljani ishte në rrjedhat e kohës. Ai si një intelektual inkuadrohej edhe në problemet që nxitnin debate të ndryshme. Një kohë të gjatë në qarqet bullgare po diskutohej me të madhe se cilin shkrim do të marrin për bazë: atë të lindjes apo të perëndimit. Intelektualet dhe shkencëtarët i kishin ndarë mendimet dhe në të njëjtën kohë ishin formuar dy shkolla: që njëra ishte shkolla e Sofjes që përkrahte shkrimit dhe dialektit e lindjes dhe e dyta ishte shkolla e Pllovdivit. Sipas studimeve të Olivera Jashar-Nastevës, një shkencëtare e madhe e studimeve gjuhësore, shkolla gjuhësore e Pllovdivit karakterizohej si më e mirë në zbatimit praktik gjuhësor e drejtshkrimor që përvetësohej nga përkthyesit dhe nga gjuhët e tjera sllave të Ballkanit. Meqenëse Llazari kishte mësuar në shkollë gjuhën bullgare dhe në Dibër të folmen maqedonase, ndërsa duke u mbështetur në fushën e leksikut si sistem i hapur dhe në sistemin gramatikor të gjuhës shqipe dhe të bullgarishtes, ai kishte vërejtur shumë afërsi ndërmjet këtyre gjuhëve. Prandaj ai ndërmori një provë që të bëjë një studim në një libër me titull “Afrimi i bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe”. Libri ka 66 faqe dhe shoqërohet me një pasthënie nga autori.
Si të gjithë patriotët shqiptarë të krahinave të ndryshme shqiptare, edhe intelektualet e krahinës së Rekës së Epërme u vunë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare, qoftë me pushkë ose me penë. Edhe Reka e Epërme, nëpërmjet të përfaqësuesve të saj, dha kontributin e çmueshëm për çlirim e pavarësi, për kulture, për gjuhë, kishë e shkollë në gjuhën amtare. Në këtë kontekst pa dyshim edhe Llazar Siljani, përmes punës dhe veprave të tij, ia dha vulën kohës së vet, ambientit të vet dhe popullit të vet, të cilat i sigurojnë atij, krahas Josif Bagerit, një vend të denjë si iluminist i shquar nga treva e Rekës së Epërme.
……………………………………..
DËSHMI E GJALLË PËR SHQIPTARËT ORTODOKS TË REKËS
* * *