VERA ISTREFAJ: UDHËTIM NËN NJË TIS MISTIK

Kukës, 3 shkurt 2019: Rrjedhës së Drinit të Zi e kam nisur shumë herë imagjinatën time nga shumë drejtime
Disa herë tek shëtisja nën blirët e qytetit që gjallon mbi vendin ku takohet Drini i Bardhë e Drini i Zi, disa herë duke kundruar bjeshkët e Limthit apo bjeshkët përbri Korabit
Udhëtim të harlisur ka bërë imagjinata ime, shoqëruar me njohuritë gjeografike apo tregimet folkloristike.
Pamundësia për të shquar horizontet e ka trysnuar trurin tim në çdo kohë, duke lënë gjithmonë të gjallë një dëshirë për të ditur, një dëshirë për të parë nga afër.

Tek zbret poshtë monopatit të thepisur makina, përpiqem të sistemoj gjërat që kanë lidhje me qëllimin parësor të udhëtimit. Mendja nuk rri e qetë… Drejt Tejdrines. Asaj zone për të cilën kisha dëgjuar që në fëmijëri, asaj zone që lidhej ngushtësisht me përrallat dhe legjendat që më tregonte, ndjesë pastë, gjyshja ime.
Ato tregime që më bënin të dridhesha nga frika e nga dëshira për të dëgjuar njëherësh…Ato tregime që ma ngrinin zemrën peshë nga të papriturat, por që kur mbaronin sikur më linin mendjen e shpirtin bosh….
Fëmijëria ime e hershme sot është bashkë me mua në këtë udhëtim në dukje krejt të zakonshëm. Në ecje tatëpjetë ndiej peshën e udhëtimit të zanave tek zbresin nga bjeshkët e Limthit drejt Drinit të Zi nëpërmjet shkallëve prej ari.
Aty bëheshin bashkë zana e mite të tjera të kuvendonin e merrnin vendime të cilat përcilleshin me erën drejt Iliridës, Dardanisë deri në Adriatik
Drini i zi qenka i dallgëzuar tamam si në përshkrime
I frikshëm e i madhërishëm njëherësh ky Dri
Njerëz të paktë që gjenden atyre anëve mbajnë mbi shpatulla peshën e rëndë të jetës plot mundime.
Një tis mistik e mbështjell gjithë zonën. Ende dëgjon rrëfenja dhe histori për gërmime në lidhje me objekte të florinjta.
Nëntoka e kësaj zone fsheh shumë, pavarësisht se çfarë, por me plot vlera
Kolegia ime vendase më tregon se i shoqi kishte gjetur një lugë të florinjtë tek punonte tokën me parmendë.
E ke ruajtur? – ishte pyetja ime direkte
Jo! -tha ajo
– E shita kur dërgova djalin në universitet.
Unë buzëqesha, por një dhimbje më kaploi shpirtin. Në atë lugë floriri, patjetër që ka folur historia, por varfëria e ka konvertuar në disa gramë flori të shitur me gjysmë çmimi.
Finalizojmë punën për të cilën ishim aty, por brengë e kureshtje më kanë pushtuar në kthim. Ai vend ka diçka magjike, ka një mistikë që ndihet përjetësisht.
Ka një magjepsje që më ka pushtuar që kur isha fëmijë.
Gati-gati në fund të udhëtimit në atë zonë, kthej kokën për herë të fundit të shoh atë fshat të vogël ku jetojnë dajallarët e gjyshit tim. Krisma e pushkëve të atyre trimave jehon kanioneve, gjithmonë koherentë në luftë ndaj të gjithë armiqve, deri në kohën e ofensivave serbe apo kundër regjimit diktatorial.
Hapat e parë në trotuar më kujtojnë përqendrimin në obligimet e përditshmërisë. Ky udhëtim hapi dritaren e kujtesës dhe kureshtjes time sot, duke ajrosur ndjeshmëri nga fëmijëria dhe meditimet e të sotmes
30 janar 2019

KUSH ËSHTË VERA ISTREFAJ

Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës.

Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë.

Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.

Ka botuar librat:

“Shiu i fundit”,

“Nënqeshja e ëmbël”,

“Në akuj digjem”,

“U jepem udhëve”,

“Qielli i shpirtit tim”,

“Vese shpirti” dhe

“Lirikat e Pikellimes”

Është juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje eksperiencë 20- vjeçare.

Është koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarje” për Qarkun Kukës.

Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar.

Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku është kryetare e “Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqiperise” – Dega Kukës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura