DR.ERMIRA YMERAJ: ‘NDËRTIMI LETRAR I GRUAS IDENTITARE NË VEPRËN E MARTIN CAMËS’

Shkodër, 25 nëntor 2019:

 

 

 

 

 

 “Ndërtimi letrar i gruas identitare në veprën e Martin Camës”
(Aspekte krahasuese).
Dr. Ermira Ymeraj

Argument: Shkrimtarëve shqiptarë, por edhe veprimtarëve të tjerë të çështjes identitare, krijimi i gruas shqiptare dhe kultit të saj, shërbyen për të krijuar bërthamën e identitetit kombëtar. Krijimi i ngjashmërive historike, u duhej për të ndikuar në zgjimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët e shekulli nëntëmbëdhjetë, që është shekulli i formimit të kombeve, duke gjetur të gjithë strukturën e elementeve që krijojnë mundësinë e forcimit të krenarisë kombëtare e, në këtë rrjedhë forcimin e dashurisë ndaj atdheut.
Po si e ndërton identitetin e gruas Camaj?
Përmes kumteve dhe leximeve ndë prozë dhe poezi, kemi vërejtur se formësohen tiparet identitare të gruas shqiptare, si palimpsest, ndërsa ne do ndjekim rrugëtimin e shkrimtarit drejt tipareve të qenësishme të femrës
.

Në leximin etnografik, kemi parë traditat të cilave u referohet Camaj, që kanë të bëjnë me Kanunin, ritet. Tek Djella në simbolin e kutisë së duhanit, ka një të vërtetë themelore e cila nuk ndryshon, duhani përdoret për lutje, mbrojtje, respekt dhe shërim.” Çibuku pihej në rituale të lutjeve dhe ritualeve kolektive. Në traditën dokesore shqiptare vetëm burrneshat mund të pinin duhan me burrat dhe mund të mbanin kuti duhani me vete, grave nuk u lejohej. Tek Djella, simbolikisht kutia luan funksionin e vet ritual, lidhja shpirtërore me të parët dhe prania e objektit të trashëguar. Në romanin Djella , vajza nuk del nga realiteti, ajo është e detyruar të jetojë në rutinën e vajzave të Ndërsanës, të fejohet, martohet e të trashëgojë fëmijë: “Këtu vajza sa delte prej pubertetit, përmes procedura dokesh të lashta lëshohej në duer të një burri. Edhe ritualet, fejesa me shkues, martesa me dasma theksoheshin lidhjet mes mashkullit e femnës. ” E ëma e Bardhit në romanin Djella është e ngjashme me Lenën, të dyja mishërojnë cilësitë e gruas tradicionale: të përulura, të përkushtuara kundrejt bashkëshortit. Kanë nderim për të parin e familjes gati deri në adhurim, duke i veshur cilësi edhe pse figurativisht të mbinatyrshme. Zoga në romanin Rrathë, vendos të ndjekë zakonin për të mos u martuar, po për të trashëguar gjithçka si virgjën, te ne njihet si burrneshë . Zoga e di fatin e saj. Norma dokesore njeh për trashëgimtar vetëm pasardhësit e djalit.
Në leximin mitologjik: kemi vënë re ruajtjen e besimit në orë dhe zana, si identitete të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë ilirike, Tek Rrathë, besimi në Orë paraqitet në formën e konfliktit mes dy brezave. Pleqtë besojnë në ekzistencën e Orëve, të rinjtë, vendosin dhe ndërtojnë pikërisht aty ku është ndaluar me shekuj. Murimi i breshkanit lajmëron mbylljen e murimit të femrës. (…) e gjetën për rrezik të shoqin e Dranjes andej pari, të hutuam. E vranë dhe e vunë në currin e madh në rreshtin e gurëve të themelit, po në atë vend ku u ndreq ma vonë votra e zjarmit.
Në personazhin e Soses, identifikojmë Zanën. Më afër të mbinatyrshmes, ajo praktikon disa rite të vjetra të Zanave: të lahet nën dritën e hënës në krua . Sosja e rritur me besimin e të atit se është ndryshe nga vajzat e zakonshme, ka krijuar një personalitet të cilin e justifikon me vetminë që krijon jetesa në zona ku njerëzit jetojnë më shumë me natyrën se me njëri-tjetrin. “Tregonte (Sosja) se si mbas besimit popullor Orët e Zanat, shkurt çdo shpirten i papashëm, i shmangeshin masës dhe merreshin me njerëz të vetmuem si ajo. Dhe ankohej tue përdorë të tretën vetë, se si Sosja e mjerë, mbetë pa amë e jetime prej djepi, s’kishte pasë me kë ta kalojë kohën, pos me shpirtënt të papashëm. ” Lejda tek Karpa, duket si “orë mali”, “zanë mali”, sepse ajo mbart tipare të këtyre qenieve mitike. Camaj sjell një ëndërr kreshnike për Përtejqafasit, ai krijon një lidhje dashurie të përjetshme, që nuk e shemb asgjë, forca e saj i ngjan dashurive këmbëngulëse të kreshnikëve që bëjnë gjithçka për ta arritur. Në madrigalin Dranja shfaqet “Gjarpri pagan, gjarpri biblik, gjarpri dukagjinas, gjarpri arbëresh, mbrojtës i vatrës, ruajtësi i varrit, kryepar fisi ilir, joshës i mëkatit, personifikim i plleshmërisë, simbol i mençurisë dhe i së keqes bëhet motiv i shumë teksteve. Gjarpri i Camës është vazhdimësi tradite dhe shumëkuptimësi e re e leximit mitologjik të gjarprit” . Në romanin Karpa, grat identifikohen me shumë me tiparet e shtrigës popullore, që ruan prej qenies përrallore, fuqinë, dashakeqësinë, agresivitetin, qëllimin për të pushtuar e sunduar kudo. Në figurën e Ajkës dhe plakave shtresohet urrejtja që kanë për burrat, dredhitë, tmerri që shkaktojnë, gjakderdhja dhe kaosi, kjo krijon shoqërizim me sirenat dhe amazonat mitike. Simbolikisht përfaqësojnë diktatin, dhunën, tradhtinë dhe shthurjen.

Personazhi i Juditës me zinxhir në qafën e saj, lexohet si simbol i ndrydhjes, edhe pse zbulimi i ndjesive të reja, si liria, ajo nuk arrin të shkëputet nga bota e Gjyshit dhe Ajkës me të cilat është ushqyer.
Leximi ungjillor: Judita është heroina e popullit izraelit, në Besëlidhjen e Vjetër. Libri i Juditës . Në simbolikën biblike Judita mbetet heroina që lufton kundër nënshtruesve, gruaja e pavarur që nuk pranon të martohet. Personazhi i Borës e merr emrin Judita pasi shkon në pjesën tjetër të Karpës, ajo nderohet prej tyre bashkë me kalin e saj. Kur kali rrëzohet ajo mbahet si vejushë, porsi Judita e Biblës. Personazhi i Juditës mbart disa cilësi të ngjashme: e bukur, vejushë, njerëzit besojnë se ajo mund të ndryshojë diçka. Ndryshe nga simbolika e emrit të saj, ajo nuk është e aftë të bëjë diçka për popullin e saj, për ta çliruar nga dhuna e gjyshit. Judita e Karpës mbetet simboli i dëshiruar i shpresës, i individit, qoftë dhe një grua për të ndryshuar të ardhmen, veti që e humbet me kalimin e kohës deri në daljen e një personazhi të ri, atë të Lejdës. Në këtë roman femrat anojnë nga e keqja, Camaj i ka zhveshur nga virtytet, ka zbuluar anët e errëta të arketipit të Sirenës mitike. Ajka, plakat, Bora-Judita, janë trajta të ndryshme të së njëjtit simbol: egoja për të sunduar si kujtesë e matriarkatit. Këtë rol e humbasin dhe nuk dalin të fituar, pasi Ajka dhe plakat vdesin ndërsa Bora e humbet në martesën me Vonin peshën që kishte. Tek Lejda, mishërohen dhe idealizohen dëshira për liri, antikonformizëm dhe dashuri, ato vetëngujohen, aty ku askush nuk i kërkon.
Leximi alegorik. Përmes metamorfozës, shkrimtari na jep vështrimin realist të natyrës njerëzore. Gruaja e transformuar në breshkë, nuk mund të jetojë dot larg dheut. Kjo marrëdhënie së pari është pjesë e qenies, e trupit të saj për të mbetur gjallë fizikisht e më pas emocionalisht. Dranja përjetëson atë pjesë të dheut që e lidh njeriun me identitetin, me atë pjesë të tokës që e marrim me vete kudo si kujtim. Metamorfoza është transformim, si akt ndryshimi që prek pamjen e jashtme dhe natyrën e brendshme gjatë ekzistencës së vet fizike; si fenomen është gjendje plotësisht e re e pamjeve të gjërave bazuar te tipari i përhershëm i tyre. Syka gruaja e vetme, pa familje, pa shtëpi e pasuri, e paveshur e aspak e bukur, transformohet në qyqe. E vetmja dhunti është të vajtojë si asnjë grua tjetër: “A din kush me vajtue, si ti, oj Sykë? ”, “Vetëm nji qyqe në bjeshk” Vaji i qyqes kthehet në dhunti për Sykën. Më këtë dhunti Syka e shpërfillur, bëhet një grua e rëndësishme në ritualin e vdekjes. Gruaja me jetë të trishtë e me zërin e qyqes (qyqja si simbol i vetmisë), është një grua që ruan të pashkëputur fillin e kujtimeve për të parët që Camaj e kthen në simbol: – Grue, që ke lythin në buzë, lythin e zi si nema, bjer përmbys mbi gur si me qenë në të dekun. Ti je Syka e shtrembët, lis me mullaj e gunga. Ty burri të ka lëshue e si duhesh kuj gja: due me të mësue me kja, pse më dhimbsesh, moj kërcunë .
Poezia Ledja është rrëfim i një legjende: A e dini punën e Ledjes? I pyeti letrarët dikush – Punën e Ledjes e të Orës së Dhenave që rrin krye peshë mbas gurit e veshë e ngjeshë në lëkurë gjarpni ? Në këtë legjendë gjejmë simbolikisht bashkimin e gjarprit me vajzën, si në mitin grek për Ledën . Sipas këtij miti, Leda, vajza e Testit dhe Euritemidës, u bashkua me Zeusin i transformuar në mjellmë. Në mitologjinë tonë, Gjarpri mund të kuptohet edhe si trajta e metamorfizuar e djalit, e njohur te legjenda e djalit – gjarpër. Prandaj alegorikisht mundet të jetë simbolikë e dëshirës mashkullore kundrejt feminitetit që në poezi është qumështi, (shenja e linjës së qumështit apo matriarkatit dhe amësisë). Lejda është simbol i pafajësisë, i së bukurës dhe dashurisë, simbol i trajtës femërore më afër mitit se realitetit njerëzor. Gjarpri del në këto poezi si simbol i së keqes, i dhunës, një fenomen i pashmangshëm në jetën e njeriut dhe natyrës, ai është bashkëjetues me shpendët dhe njerëzit, kundër tyre gjithmonë. Në madrigalet e Dranjes – breshkë, krijohen imazhe dhe kuptime të reja. Në figurën e Dranjes – breshkë, që ecën ngadalë po në fund arrin qëllimin fillestar, kemi mitin e mbartjes së botës mbi shpinë, po tek madrigalet ajo transmodelohet në simbolikën e udhëtimit.
Leximi simbolik: Në tregimin e legjendës së Lules, gruas së vetme, dallojmë Lulja e borës dhe çakalli. Lulja, nisur nga simbolika e lules, është e bukur dhe e brishtë, ndërsa dëgjon tregimin e çakallit, e identifikon veten në Lulen e borës, e bardhë, me një madhësi mesatare, që i ngjall Lules dëshirën për ta parë. Çakalli, (një kafshë e ndërmjetme as ujk, por edhe as qen), simbolikisht mbart dy shtresime: si qenie mitike dhe si njeri. Çakalli simbol i mistershëm, del si shpëtimtari i Lules. Ai e rrëmben Lulen, dhe e çon aty ku ajo ëndërron të shkojë. Në poezi çakalli del i qetë, i fshehtë, që nxit ëndrra dhe i realizon pa zhurmë. Çakalli simbolikisht është pavetëdijshmëria e gruas, zona ëndërrimtare, personifikim i burrit që ajo do të dëshironte. Çakalli dhe Lulebora janë simbol i seksualitetit dhe vetmisë.
Në poezinë e tij Zana , simbolikisht kemi dy trajtëforma të shfaqjes në grua dhe grua – zanë reale që magjeps, që bën mirë dhe keq, e dyzuar në veprime. Pikërisht ky dyzim brenda gruas e bën atë të mbinatyrshme. Ndërsa burri është njeri, gruaja e Camës nuk është e tillë, te ajo ka diçka njerëzore, që zhduket dhe shfaqet qenia e mbinatyrshme: zana, ora, bleta, e vendosur në një raport delikat mes mitit, besimit e frikës. Ajo shihet nga jashtë si bukuri që të josh, ndërsa nga brenda ajo ngjall frikë nga mosnjohja e natyrës apo frika e njohjes së një marrëdhënie që më shumë shfaqen të sipërfaqshme dhe jo shpirtërore, joshja ndaj gruas është joshje drejt vdekjes kur ekziston mosnjohja.
Te Dranja, udhëtimi është transformuar në kërkim të përjetshëm të vendlindjes. Dranja e gjallë, naive, me sytë e breshkës e fëmijës mbart mallin autorial të një të shkuare të mbetur mes bjeshkëve të vendlindjes. Dranja – breshkë transmodelohet simbolikisht në dy personazhe, poeti mbi shpinën e Dranjes, kundron e mpreh shqisat për të parë atë që nuk mundi në atdheun e mohuar . Udhëtimet reale të Camajt dhe simbolika e udhëtimit të breshkës përfundojnë në të njëjtin vend dhe ka një drejtim real atë përmes letërsisë, ky si lexim ungjillor i poetit .
Sosja figura e femrës mes reales dhe të mbinatyrshmes, mes të vetëdijshmes dhe naives, nuk paraqitet në botën e saj të brendshme, si arketip, Sosja ka bukuri mahnitëse, e rritur me legjenda, mbart misterin e të qenit më shumë në një bote të mbinatyrshme, sesa njerëzore. Alegorikisht e fshehur mbas çmendurisë, ajo krijon mburojën e individit të lirë që mund të thotë mendimin e saj, pa e vrarë mendjen për pasojat. Ajo ka fituar lirinë në mal, lahet në dritën e hënës në natyrë, ndjek një rit të hershëm zanash, dhe e folura e saj është e mbushur me hiperbola. Ajo nuk i nënshtrohet askujt, ka të drejtë të shkojë kudo e kurdo. Sosja e dyzuar, mbart bukurinë, misterin e lirisë së zanave, dhe fatin e vajzës malësore me fat të paracaktuar. Me Sosen, Camaj, krijon figurën e gruas e cila me jetë të varfër, e pashkolluar, njeh vetëm hapësirën përreth ku lind dhe rritet, po që i kundërvihet individit dhe shoqërisë, në dy forma, u kundërvihet burrave që e shohin si objekt seksual ndaj nuk i dashuron e as martohet me ta dhe së dyti, kapërcen censurën e sistemit, shtyn të birin të vërë në skenë novelën e Agonit.
Autori e vendos gruan në marrëdhënie me gjarprin, gurin, çakallin, luleborën, korbin, zanën, orën, të cilat tranformohen poetikisht në trajta simbolesh me kuptime të shumëfishta. Në thelb të tërë trajtave është gruaja identitare me dashurinë, dhimbjen, të keqen e të mirën, epshin, vetminë, brishtësinë, guximin, smirën, mashtrimin, naivitetin dhe dëshirat e saj. Sipas studiuesit Sinani , autori ka në vete liri formale, nga pikëpamja e frymës dhe të estetikës, e sheh tokën si burim jetese, sfide, ajo u jep legjenda, kulte e mite. Autori shprehet: Ishte fryma e dheut tim në atë dhe nji emën gruaje, Dranja .
Skemë 1. Madrigali i Dranjes ndë lexime.
Leximi mitologjik ungjillor Leximi simbolik Leximi alegorik Leximi etnografik
f.9. Dranja ka nam të keq, pula e dreqit, me shtrigën kaluer mbi shpinë, hoqi vorbën me mish prej zjarrit për të mos e ngranë me atë, Perëndia për ndëshkim ia ngjiti vegshin në shpinë,
f.10. Shkaku i përçmimit të breshkës ndër njerëz mund të rrjedhë dhe nga misteri i natyrës së ndërmjetme e i sjelljeve të posaçme të saj. Nuk pranon lajka, nuk zbutet porsi arusha, as egërsohet për ndonjë të padrejtë si gjarpri, zani i keq si parazite, e për ma tepër dritë-shkurtë, e lanun mbasdore, ajo njeh dy stinë: dimën e verë.
f.8. Breshkat gëzojnë idilin dashnor, e çelin bij e bija kur zemra u dridhet nga rigu i vokët i shiut mbi gjeth.
f. 11. Tue ia përngja njeriut, të thomi me njehë, do njehte ma së pari muejt e vjetit për së mbrapshti.
f. 11, Ndjeu pjellorinë e shpendit në rropulli, iu mbështollën valë-valë linjat e bardha, lëpihet mandej si plakë pa dhambë tue shtypë fashollin e mjaltit.
f. 20. Je i fisit dhe fara jote s’ka gjak breshke ndër dej, por ujku! f. 12 Mes buzëve të bymueme gjuhën e kuqe, tash unë dhe Dranja këqyremi ballë për ballë kokërr ndër sy, të dy të ngimë, por ndërdyzash si të huej mbi dhe ngase asnjeri nuk di kah me ia mbajtë përpara territ, në lindje apo në perëndim? f.13. Ishte fryma e dheut tim në atë dhe nji emën gruaje, Dranja. Ecte me sy ndër rreze f. 13 mori fijet e shtratit të merimangës me krye dhe i përziu ndër gishta me dijen e grues sektare, tue i endë poshtë e përpjetë. ballin e shëmtuam të breshkës dranje zbërtheu harejae një loje të fitume.
f. 21. Arkeologu, dëshmoi se skota e dranjes atje nuk ishte verdhacake, por dheas.
Dikuj bukuria e lypun tepër i del për hundësh, ka me thanë dikush.

f. 25. Diçka si frymë që kthen në të vdekun, e zgjoi breshkën: parandjenja, lëvizja e gjakut të ngrime në mumje. Dhe iu hapën sytë!
Ra në gjumë aty ku ishte, nën gurë.
f.15. Dranja nxirrte me duer e kambë dhe are të butë, lëvizte me ritëm sikurse me qenë tue ecë ashtu si përhera përkundshëm. Mbi të dheu rrëshqiste si ujë që rrjedh i qartë, diçka si shorti i fshehtë f.18. Dranja asht vrejtuese e vëmendshme. Dhisë i lakmon si ajo me buzë e dhambë të mprehtë përpin palën e gjethit.
Poetit që e vëren Dranjen… s’i shkon mendja te punët e saj të brendshme: në vetmi ai përtyp në tru si breshka na qenka kozmopolite e mirëfilltë vetëm se kupa e rrashtës së saj i përngjet gjysmës së rruzullit me njolla dhenash të çdo ngjyre, si racat e ndrshme në të. f. 23. Klima kontinentale nuk i pëlqen Dranjes, as murrlani i ulët.
A i kapet breshka murit përpjetë?

f. 18. Dam, që askush s’e ditka se një rruzull i tillë na paska po në thelb një zemër breshke. f. 27. Uji lan murtajën, thotë një fjalë e lashtë!
Mashkulli, që shkon vijës së pluhnit mbas Dranjes, ndalet nën fundin e lehtë të një gruaje në kambë, ngre qafën përpjetë dhe krejt koka i bahet sy burri i zgurdulluam nën shalët e skuquna në vapë.
f. 24. Breshka e paza, send i gjallë i pavlerë, zen vendin më të mirë nën lisin e madh.

f. 34. Po, por për t’u mbrojtë nga i ligu, përlyhet shpesh petku i pafajnisë, ashtu si thartohet edhe vena e re para se të ulet në katoje të nëndheshme.
f. 33. Ajo me kohën, për atë ma pjellore se toka, lidhi miqësi të shtrenjtë
Dranja ka aftësi të tjera:
1.mos me nda kufij me askënd;
2. mos me gjimue për ma të voglën dhimbë si egërsinë në kurthë; 3. mos me u grindë me moshatarë krye-thinjun;
4. mos me shkue krahas me tjerë në mort e në dasmë;
5. mos me qenë e shtrëngime përdhunë me vrojto fikjen e diellit në majë as me qenë sy njeriu që mbullet i vetëm ee bahet shkrumb.
6. mos me perjetue thellësisht lëkundjet e dheut e me pa në një timtë si ngel njeriu pa kulm mbi krue.
f. 28. Kur gruaja ik andej, breshkanit i shkëlqe dheu përpara si argjend i vjetër dhe, si të ishte ajo dita ma fatbardhe e vjetit, vehet gëzueshëm në marshin drejt rrugës së lirueme.
f. 31. Qëndrimi i saj si copë thëngjilli i fikun më sjell ndërmend prore sa të pakuptim janë përpushjet e ngutshme, si zorra në prush, të njeriut modern.
Shqisat i zhvilloi përgjysmë: mes të pamit e të ndiemit. Lind pa dhamë e sos jetën e gjatë
për t’i ndejë larg përleshjes rreth pushtimit të trollit, e ndërtoi pullazin mbi korpin e vet të brishtë.
Nga frika e rrufesë, Dranja s’duron pranë asgjë hekuri
f. 38. dheu asht jeta e breshkës dhe me atë vetëm ashtë përnjesume.
Kuptimplote ashtë se nuk ka hyllësi në qiell me emnin breshkë. f. 56. breshkat kanë udhën e tyre. Udha e Breshkave…kalojnë ato përmes dheut të shthurun, pa pritë e me erë të ngrime ndër degë, sy-zbrazët e pa mallin që ka Dranja vetë për largësina të fshehta, ua lëshon gjithkush rrugën.
f. 49. zogjtë e breshkujzës, ende pa cipën e shtatit në rruzë, bashkë me t’amën e vet një nga një u rrasën në ujë e u zhdukën ndër valë. f. 36. Dranja që ka lindë buzë Drinit vdes ma parë se bahet shtazë shtëpiake.

f. 41. Si mbretëreshë mbi trungun e Ezopit etshonte Dranja ngapak dhe eratonte, tue e nxjerrë gjuhën jashtë si të gjarprit, në ajër një shije të athët limonësh të plasun në diell.
f. 71. Breshka nën djep. gruaja uroi kah djepi: “Të ligën, or bir, ty breshka e zezë!”
f. 42. Dranjes s’i kalbet ashti dhe mishin s’ia ha askush ndër ne… si ngjethet shtati puçërrizë nga frika.

f. 47. Andërrova, u thashë, diçka si hijen e lashtë të katundit tjetër që kapërcente majën kaluer mbi shpinën e breshkës: ndoshta asht për udhë me lidhë me ju besë! breshaka, thashë, nuk lëviz pa shkak me gjithë atë qytet natën mbi krye.

f. 72. Fat i madh ashtë me qenë breshkë! Asaj, nga mundi ose dhimba shpirtnore, s’i bie kurrë pika në zemër!”
f. 88. Asht i Dranjes rri nën hijen e librit të folklorit. autorë të lashtë, historianë e poetë, e ndiejnë praninë e dranjes në lëpizën e bibliotekës.
f. 45. Dranja, e lindun jo prej barkut të deles së brishtë, por nga ama tokë…

f. 51. … e gjetën për rrezik të shoqin e Dranjes andej pari, të hutuam. E vranë dhe e vunë në currin e madh në rreshtin e gurëve të themelit, po në atë vend ku u ndreq ma vonë votra e zjarmit.
f. 81. Vajza i kishte qepë asaj kambë e krye breshke me pëlhurë të lulme, danga –danga. ishte ba kukull rrashta me dy sy të blerë rruzash smeraldi. S’ishte Dranja e hershme; dukej e pavlerë me të parin shikim.
f. 60. Edhe frymori ynë, breshka, pa emën gruaje atë natë, u largue shoqesh tinëz dhe kërkoi nji vend në shmang për të lëshue vetë e veta
f. 58. Gjindja, që mirë e paskan njohë Dranjen, e thirrën me krenari: tharm toke dhe Ora e gurit tonë. Një breshkë, ma që nuk kupton, as flet: ia dimë na rrënjët.
f. 84. Ashti kish shembllesë gruaje, ngërthye me fjalë, sa mizë për kërcunj…mbrendë në anin e grues, kalbej fara e kuptimit të fjalëve në gjumë para se me u zgjue. Andaj nuk kishin as tinguj.
f. 63. Dranja smirëzezë, iu shfaq malli- dëshira me u kthye në vendlindje…u përzie me to. dikush e njohu se, për gjak e gjini, ishte njena sosh.
____________________
DR.ERMIRA YMERAJ: SHKOLLA, KOMUNITETI DHE ROLI I TYRE NË PROCESIN E SOCIALIZIMIT
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=9281

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura