DR.FADIL MALOKU: XHAKA E XHERDANI, NJË SUPERTERAPI REALE SOCIALE, QË ZBULOI INFERIORITETIN TONË KOMBËTAR E SHTETËROR!

Prishtinë, 28 qershor 2018: Superterapia sociale dhe inferioriteti!
Sociologjia e sportit këtë do ta përkufizonte si identifikim me suksesin dhe perspektivën që na mungon brenda si shoqëri e shtet…, dhe një lloj homogjenizimi kombëtar momental si shenjë e frustrimit të brendshëm nacional nga kriza sociale e morale. Kjo disiplinë sociologjike do të kishte mision kryesor ushtrimin e “mirëmbajtjes” së raportit shëndetësor midis individit dhe komunitetit, qoftë ai me sportivitet momental apo afatgjatë, sepse na imponohet si një lloj ilaçi e terapie defrustruese, ndaj përditshmërisë dhe dinamikës (shumë herë) monotone dhe të rutinizuar…

***
1. Duket që si motivet ashtu edhe satisfaksioni social në shoqëritë transitive ndryshojnë. P.sh., pasioni i përcjelljes së lojërave të deritanishme në Kupën e Botës, ku lozin disa shqiptarë (Zvicra), me histerinë e manifestimit (krejt shqiptarët anembanë rruzullit ranë në delirium festiv!) dhe me natyrën e identifikimit me golat e Shaqirit dhe Xhakës, ishte i një natyre krejt specifike, krahasuar me publikun e kombëtareve pjesëmarrëse… Futbolli, si sport i “gladiatorëve” kolektiv bashkëkohor, pra si një lloj aktiviteti, tashmë, edhe i institucionalizuar, e me përmasa globale, përveç kënaqësisë që manifestohet përmes ushtrimeve – disiplinës tejet rigoroze fizike, është shndërruar edhe në një industri globale biznesore. Që nënkupton një shitjeblerje masive e kënaqësisë dhe histerisë kolektive, në kohën tonë.

2. Sociologjia e Sportit që, mjerisht s’e kemi në Kosovë, do duhej të merrej me të menduarit kritik dhe reflektimin social, që ajo në fakt do duhej ta ushtronte mbi grupet dhe publikun e gjerë në shoqëri. E, aq më tepër në shoqëritë, që ende po i kalojnë ethet e proceseve transitive, ku ndërrimi i sistemit vleror ndodh çdo ditë dhe në të gjitha poret e jetës, me të gjitha dimensionet e saja pa dallime: racore, etnike, gjinore, klasore, arsimore e politike. Kjo disiplinë, si mision kryesor e ka ushtrimin e “mirëmbajtjes” së raportit shëndetësor midis individit dhe komunitetit…
3. Natyrisht, kjo “terapi” vlen më shumë për tipet e shoqërive të industrializuara, ku presioni dinamik ndaj obligimeve ditore është shumë më i theksuar dhe më evident. Në shoqëritë e transicionit, ku bëjmë pjesë edhe ne, kujtoj “terapia” e mësipërme nuk mund të themi se e ushtron të njëjtin presion dhe detyrim. Shkaku, se ne dallohemi ende si me nivelin emancipues, ashtu edhe me nivelin e rangimit të obligimeve ditore, javore e mujore. Por, do shtoja edhe me përkushtimin, mënyrën dhe qasjen që i bëjmë sportit të futbollit, edhe për shkak të rrethanave okupuese…, që nënkuptohn. Por, kjo nuk domethënë se privohemi nga kënaqësitë dhe defrustrimi individual e kolektive që i ofron ky “sport gladiatorësh bashkëkohor”! Kjo u pa edhe me rastin e lojës midis Serbisë dhe Zvicrës…, ku ramë pothuajse që të gjithë në atë deliriumin dhe kënaqësinë e fitores së ekipit zvicëran… Pra, “fitorja” e Zvicrës, u shndërrua në fitoren tonë… Kështu që golat e Xhakës dhe Xherdan Shaqirit u shndërruan në një satisfaksion e superterapi sociale, i inferioritetit tonë…kombëtar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura