DR.JAKUP KRASNIQI: A THUA Ç’VLERA KANË DEKORIMET DHE ÇMIMET TE SHQIPTARËT?

Prishtinë, 01. 03. 2015 – Qe një kohë ajo, kur vërtet mendoja se çmimet e ndryshme ndërkombëtare a “kombëtare” të ish-federatës apo ato të mëvonshmet serbe, ishin një reflektim i vlerave të matshme për një sukses apo arritje në fushat e shkencave humanitare, duke mos llogaritur me këtë rast sukseset dhe të arriturat në shkencat ekzakte dhe mjekësi, suksesi i të cilave gjithnjë është i matshëm. Besoja atëbotë se edhe çmimet nga ai për dëshmorin apo heroin e gjallë apo të rënë për lirinë dhe të drejtat e trumbetuara ishte më shumë se i verifikueshëm.
Por sot nuk besoj më! Thjesht, nuk besoj më, se është përzier ca si shumë shapi me sheqerin. Apo siç thoshte Fallmerayer-i në vitet 1857/60, se “tradhtia te shqiptarët ishte si një nga mëkatet më të natyrshme…”. Kjo do të thotë se në Europën e kohës, tradhtia ishte një vepër e rëndë ndaj shtetit e kombit. Sigurisht që natyrshmëria për te mos vlerësuar drejt, vazhdon të rishfaqet edhe sot dhe jo vetëm me listat e veteranëve e të invalidëve të LUFTËS ÇLIRIMTARE, por edhe aty ku vlerat do të duhej të mateshin si me peshoren e farmacisë të institucioneve më të larta shtetërore e arsimore. Tek ne çmimi për vlerat ka rënë shumë, si në shitoret ku shiten “gjithçka me një euro”.

Tiranë, 27. 02. 2015: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë një ceremonie të zhvilluar nëambientet e Presidencës, Behgjet Pacollin (kryerin e AKR’së) e dekoroi me urdhërin më të lartë “Nderi i Kombit”…(!!!) /Ilustrimi nga editori i pashtriku.org/

Që në vitet ’90 kam pas vërejtur se në shumë çmime e sidomos ato të disidentëve (të instancave europiane) të ndryshëm politikë e letrarë e veçmas disa çmime për “suksese” në fushat politike e humanitare, pas tyre shihej qartë “mashtrimi i madh”. Në fakt ato ishin “vlerësime” tërësisht politike, të cilat në tërësinë e tyre kishin edhe një lloj lajthitjeje, herë me hir e herë pa hir.
Edhe pse një kohë, që para viteve ’90, politikanëve dhe shkencëtarëve “tanë” u jepeshin çmime të ndryshme siç ishin ai i AVNOJ-it dhe ai i 7. JUL-it (7 korrikut), për vepër politike apo shkencore. Natyrisht që këto çmime u jepeshin atyre që ishin zgjedhur nga zotërinjtë e Beogradit dhe zakonisht u jepeshin atyre shqiptarëve që ishin shkëputur shumë nga interesat e qytetarëve që i përfaqësonin. Gjithsesi, duhet theksuar se, as atëherë nuk jepeshin me lehtësinë që sot janë bërë një rutinë e përditshme që askush se merr më seriozisht. Ndërsa ata që meritonin ndonjë dekorim e çmim për veprime atdhetare ndiqeshin, izoloheshin, burgoseshin, por edhe vriteshin. Madje edhe shumë nga njerëzit “tanë” ishin të gatshëm t’i “meritonin” të gjitha ato dekorata apo çmime “prestigjioze” për popullin dhe vendin e vet, sipas fabrikimit “kombe e kombësi”. Nuk ka dyshim se nga këta “njerëz” apo “personalitete” ishin me shumë dinjitet dhe integritet, të cilët i sfidonin vështirësitë dhe jo privilegjet e asnjë lloji të cilat sot e gjithë ditën i shohim të jetësohen. “Njerëzit” apo “personalitete” e dinjitetshme do të kenë besuar se do të vinte një ditë që do të dekoroheshin nga pasardhësit e denjë dhe se dekoratat apo çmimet më të larta do të kishin bazament të meritueshëm sa edhe të besueshëm.
Së këndejmi shtrohen dy pyetje substanciale:
Përse nuk e kemi një komision të denjë vlerësimi, të përbërë nga njerëz të njohur e kredibilë?
Dhe
Përse do të ishte i rëndësishëm dekorimi i njerëzve derisa ata janë gjallë apo dekorimi dhe çmimet e ndryshme post mortum (pas vdekjes)?
Me një përgjigjë të thjeshtë: për ta nderuar një vepër a punë të mirë, një sakrificë a heroizëm të veçantë njerëzor!
Por, mirënjohjet kanë edhe qëllim parësor edukimin e brezave për punë e veprime të mira, për veprime të guximshme e heroizma të dobishëm për kombin e shtetin. Dhe kjo, për t’u treguar brezit të sotëm e atyre që do vijnë se për vepra të mira e të guximshme ekziston Institucioni i Mirënjohjes. Atëherë, a po e shfrytëzojmë sot ne, shqiptarët e të dy anëve të Drinit të Lasgushit, Institucionin e Mirënjohjes? Institucionin e Mirënjohjes ku janë hipotetikisht dekorimet e presidentëve, të universiteteve (Honoris Causa) dhe komunave apo bashkive (Qytetar Nderi)! A përfshihen në këto dekorime apo çmime vlera të meritueshme të veprimit kombëtar apo vlera thjesht tregtare, “dhuratë që përbrenda kanë kamatë”? Nuk them se në mesin e të dekoruarve apo te çmimeve të tjera nuk ka të merituar! Por loja po bëhet si në politikë, kur luhet me gjysmë të vërteta. Kur përfshihen sa për t’u thënë një apo dy gjysmë të vërteta për t’i mbuluar shume mashtrime e gënjeshtra! Kjo lojë, me ndonjë përjashtim apo të vërtetë, sot e gjithë ditën po ndodh nga institucionet tona të mirënjohjes, institucione këto tejet të larta shtetërore, të cilat duhet ta kristalizonin e qëronin deri në perfeksion e respekt Institucionin e Mirënjohjes.
Duke e parë papërgjegjësinë publike të presidentëve (dhe jo vetëm të tyre), për përgjegjësinë e madhe publike që kanë, si të parët e kombit, do ta shfrytëzoj mundësinë e vetme, si një shtetas më përgjegjësi, të mendoj e të deklaroj me zë: Mjerë ai apo ajo që merr përgjegjësinë e të parit apo të parës së vendit e të kombit dhe nuk e ka ndjesinë e përgjegjësisë publike për të matur e çmatur mbi bazën e këshillave mirë të verifikueshme, nga njerëz e organe të besueshme! Ju lutem, mos mashtroni bile me dekorime!

————————————————–

NGA EDITORI I PASHTRIKU.ORG
Një dëshmi për kthjellimin tonë!

PESË ANARKITË E SHQIPTARËVET – SIPAS FAN NOLIT (VIDEO)
FAN NOLI: ‘KËTU (NË SHQIPËRI) BRENDA NJË DITE, SI PËR MAGJI,

TRATHËTORI BËHET PATRIOT DHE PATRIOTI TRATHËTOR”

Më 27 shtator 1923 në Tiranë, u mbajt sesioni i IV’të i Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, ku u prezentua një raport i qeverisë së atëhershme shqiptare në krye me Ahmet Zogun dhe në fund u kërkua një votbesim nga KKSH’ja. Në këtë sesion të parlamentit shqiptar, në emër të opozitës mbajti një fjalim Fan S.Noli. Me këtë rast po shkëpusim një pjesë të fjalimit të tij, që ka të bëjë me anarkinë shqiptare, e cila për fat të keq po mbretëron trishtueshëm edhe sot në politikbërjen shqiptare!
Fan Noli, duke krahasuar qeverisjen Ahmet Zogut me një ngjarje që i kishte ndodhur kontit gjerman Til Ulenshpigel në fjalimin e tij parlamentarëve të pranishëm ju thotë:
“Nemëni leje tani të përshkruaj, me pak fjalë historinë dhe teatrin, ku Ahmet Zogu bëri dhe vazhdon shakanë e tij. Në konfuzion të përgjithshëm dhe i ndihmuar prej lajthimeve fatale të kundërshtarëve të tij, Ahmet Zogu rrëmbeu fuqinë të cilën po e mban në dorë. Kjo s’është gjë e zorshme për të bërë, po të merret ndër sy që në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive.
E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrëj në zemrën e një populli pagan.
E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve.
E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zon; këtu karakteret dopësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyr ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda një dite, si për magji, trathëtori bëhet patriot dhe patrioti trathëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” dhe flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shenjtërojnë anembanë Toskërinë; këtu si më thoshte një mik, është më mirë që njeri të jetë trathëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.
E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e këtyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky tregim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët dhe trupin…

(Nga editori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)

SHIKONI VIDEON ME KUJDES:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura